Marrëdhëniet me Metën?
Dy anë të medaljes.
Qeveri PS-PD? Pretty Woman me Lulin e Kaçin
Në një intervistë për
DITA nga Dhërmiu ku po pushon me bashkëshorten dhe djalin Zahon (në foto)
kryeministri Edi Rama flet për ato që ai i quan “zhurmat e kësaj vere”.
Çfarë po ndodh mes tij
dhe Metës? Çfarë ka ndërmend të bëjë në shtator. Si i komenton zërat për
qeverisje PS-PD. Pse i quan këto pushime më të zhurmshmet e jetës së tij. A do
taksohen rrogat e ulëta? A do rriten taksat? A kanë dështuar sipas tij Dogana
dhe Tatimet? Çfarë do ndodhë me krizën e RTSH-së. Pezmi me mediat dhe diçka për
pilotin gjerman…
Më poshtë një pjesë e
intervistës që botohet nesër në DITA, ajo që ka të bëjë me raportet brenda
koalicionit.
– Shtatori mesa duket
paralajmëron shumë furtuna nga ato që ju keni për zemër zoti Kryeministër! Por
përpara se sa të kalojmë tek furtuna e madhe e luftës kundër informalitetit apo
ajo e shkundjes së shtetit përmes decentralizimit, të cilat ju keni deklaruar
se do të nisin në shtator, lejomëni t’ju pyes nëse ju vetë i besoni zërat se do
të ketë edhe një furtunë të parë brenda koalicionit? Më konkretisht një furtunë
të mbjellë gjatë zgjedhjeve të qershorit për të cilat LSI nuk e ka fshehur
nervozizmin ndaj PS…
Ka jo pak njerëz sot
në opozitë që e ëndërrojnë një furtunë të kësaj natyre. Por nuk mungojnë as
njerëz brenda vetë koalicionit që e dëshirojnë diçka të tillë. Për arsye të
ndryshme, por që emërues të përbashkët kanë përgjithësisht pakënaqësirat
personale.
Nuk ka asgjë të
panatyrshme sidoqoftë në këtë ëndërr të opozitarëve ose dëshirë të disa shokëve
në partitë e ndryshme të koalicionit, përfshirë edhe PS apo LSI.
Por ka një problem
vështirësisht të kapërcyeshëm për ëndrrën a dëshirat e tyre. Ky është fakti se
koalicioni ka funksionuar më së miri në funksion të reformave reale dhe ky
është, në fund të fundit, elementi themelor që e bën të suksesshëm e të
dobishëm për vendin koalicionin tonë. Çka do të thotë se furtuna e pritshme në
këtë drejtim mund të ndodhë vetëm në gota të ndryshme.
– Në Pogradec nuk po
betohet dot ende kryetari i ri i bashkisë zoti Kryeministër, apo vazhdon pazari
i Roskovecit?
-Mirë e kujtuat për të
mbështetur tezën e furtunës, s’kam ç’them, po besomëni, është tipikisht një
furtunë krejt kalimtare në gotën e politikës lokale. E cila s’ka gjasë të
ngrejë dallgë të vërteta as në liqenin e atij qyteti dhe jo më të influencojë
kursin politik të shumicës që qeveris Shqipërinë!
-Troç muhabeti zoti
Kryeministër, si janë marrëdhëniet mes PS e LSI dhe jush e zotit Meta?
-Troç muhabeti zoti
kryeredaktor, unë nuk e di se çfarë mund të pritet më shumë nga një marrëdhënie
partneriteti, e cila në zgjedhjet vendore riprodhoi mbështetjen e 1 milionë
votave të zgjedhjeve politike të dy viteve më parë!
E të mos harrojmë,
rikonfirmuam kufirin historik të 1 milionë votave me pjesëmarrjen më të lartë
në një palë zgjedhje vendore njëzet e pesë vitet e fundit, pas një periudhe të
parë qeverisëse me aq shumë problem të rënda të trashëguara dhe reforma të
munguara njëzet e kusur vite me radhë.
Ndërsa mes meje dhe
bashkëkryetarit të koalicionit, marrëdhëniet reflektojnë të dyja anët e
medaljes së bashkëjetesës në këtë koalicion. Nga njëra anë bindjen e përforcuar
nga suksesi i zgjedhjeve vendore, se ky partneritet është strategjik jo vetëm
për të dyja partitë tona po për Shqipërinë në radhë të parë; dhe nga ana
tjetër, edhe shqetësimet reale të secilit prej nesh, për t’iu përgjigjur sa më
mirë pritshmërisë së lartë të publikut ndaj qeverisë e shumicës sonë
qeverisëse, të cilat kanë nevojë vijimësisht për nxitje të mëtejshme dhe
korrigjime të vazhdueshme.
Kush ëndërron apo
dëshiron furtunë mes PS-së dhe LSI-së ose, konkretisht, mes meje e Ilir Metës,
duke e bërë çdo qime tra me forcën e dëshpëruar të pakënaqësisë vetjake, kam
përshtypjen se do të duhet të presë më shumë se një shtator.
-Mbase do të jetë
kështu, po ndërkohë ndonjë media ka arritur deri në pikën që të paralajmërojë
një përmbysje të madhe të konfiguracionit të sotëm politik, duke përcjellë
informacionin e burimeve të rezervuara brenda kampit tuaj për një skenar të ri
koalicioni të madh PS – PD! A e parafytyroni ju si të mundshme diçka të tillë?
-Ah po, të famshmet
“burime të rezervuara” brenda kampit tonë të ndonjë medieje që, në fakt, bën
rëndom korrierin e atyre që e ëndërrojnë apo dëshirojnë më kot furtunën. Ose,
pse jo, edhe të ndokujt që hyn gjysmë padashje në vallen e thashethemeve të
avullta të kësaj vape të madhe dhe teston, përmes ndonjë gazete, pulsin e
llogores së gjatë të koalicionit. Nejse, të mos humbasi kohë me këto dokrra
gushti dhe pse pushimet na e justifikojnë këtë lloj bashkëbisedimi!
Për mua personalisht
skenari për një koalicion të madh PS – PD është po aq i mundur sa ç’do të ishte
e mundur që Bollywood-i të xhironte versionin indian të Pretty Woman dhe, në
vend të Julia Roberts të zgjidhte Lulin, ndërsa në vend të Richard Geere të merrte
Kastriot Islamin. Madje edhe sikur për një moment të mendonim se, Luli dhe
Kaçi, mund të jepnin dakordësinë për ta risjellë në ekran atë histori të beftë
dashurie, është e pamendueshme qoftë edhe për një moment të vetëm, që PS dhe PD
të qeverisnin bashkë në këtë periudhë të historisë sonë.
Intervista e plotë dhe
fotot ekskluzive nga Dhërmiu (Vijon)/
Dita
* *
*
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!