January 14, 2014

Shqipëria ngjan

si të ketë qenë 
në luftë për 23 vjet rresht!!


Nga Roland Qafoku - Emisioni Debat 

<img src="Roland Qafoku.jpeg" alt="Debat ne Channel One nga Roland Qafoku" />
imazhe shqip
Në 23 vjet Shqipëria ngjan si të ketë qenë në luftë. Janë 6259 persona që janë vrarë nga armët e zjarrit dhe armët e ftohta në ngjarje nga më të ndryshmet në të gjithë vendin duke treguar se humbja e jetës në Shqipëri bëhet me një lehtësi që nuk gjen model të dytë në botë. Në një insert gjatë emisionit DEBATI NE CHANNEL ONE të së enjtes ku u diskutua situate kriminale, solla nga arkivi personal në formë tabele të gjitha vrasjet vit pas vitit në 365 ditë për 23 vjet rresht. Ato nisin që nga viti 1990, vit kur u rrëzua sistemi komunist e deri në vitin 2013 që sapo lamë pas. Nuk ka rëndësi kush ka qenë në pushtet, të majtët apo të djathët. Nuk ka fare rëndësi kush ka qenë kryeministër Sali Berisha, Fatos Nano apo Edi Rama. Ajo që është e rëndë të thuhet është statistika me shifra që me një mesatare rezulton të jenë vrarë mbi 272 persona në çdo vit kalendarik. Viti me më shumë vrasje është1997 me 1542 persona të vrarë, ndërsa ai me më pak të vrarë është viti 2006 me 87 persona të vrarë.  Duhet theksuar se në këtë tabelë nuk janë të përfshirë tragjeditë dhe aksidentet e të gjitha llojeve.

Vrasjet vit pas viti në Shqipëri 
1990-2013

Viti 1990/205 të vrarë

Viti 1991/205 të vrarë

Viti 1992/251 të vrarë

Viti 1993/268 të vrarë

Viti 1994/265 të vrarë

Viti 1995/210 të vrarë

Viti 1996/248 të vrarë

Viti 1997/1542 të vrarë

Viti 1998/573 të vrarë

Viti 1999/496 të vrarë

Viti 2000/275 të vrarë

Viti 2001/208 të vrarë

Viti  2002/179 të vrarë

Viti 2003/144 të vrarë

Viti 2004/119 të vrarë

Viti 2005/131 të vrarë

Viti 2006/87 të vrarë

Viti 2007/103 të vrarë

Viti 2008/88 të vrarë

Viti 2009/82 të vrarë

Viti 2010/118 të vrarë

VITI 2011/124 të vrarë

VITI 2012/125 të vrarë

VITI 2013/120 të vrarë (e pazyrtarizuar)

GJITHSEJ 6259 persona të vrarë në 23 vjet

 imazhe shqip


*     *     *






Kush ngjan më heroike:

elektrifikimi apo pagesa e energjisë?!

Nga Ermir Hoxha

Mjaft të vështrohen me kujdes gjithë ato shtylla gjigante elektrike majë malesh për të kuptuar se ç`punë prej herkulësh kanë bërë ata mijra shqiptarë barktharë në komunizëm, që me hir apo me pahir, e bën një gjë të hajrit për këtë vend. Ndërsa sot, jemi në një situatë që faqja më heroike që mund të shkruajë Shqipëria, është ardhja e ditës që energjia të paguhet qindarkë më qindarkë, si “Çeçua”, me hir ose pahir.

<img src="Shtylla, tensioni i Larte.jpeg" alt="Shtylla, tensioni i Larte" />

imazhe shqip
Qeveria po tenton fazën tjetër të bastit të saj për rindërtimin e shtetit: asaj për t`i detyruar më në fund shqiptarët që mos ikin turpshëm pa paguar, si cubat, nga dyqani ku shkojnë të marrin energji. Sado ta urrejmë komunizmin, kur shohim ca punë të mëdha, të frytshme për çdo kohë, siç janë hidroçentralet apo ato mijra tonelata hekuri të ngulura si shtylla tensioni në terrene gati të pamundura, çoç ndjen një gudulisje krenarie për ata burra e gra të vuajtur që dërmuan kocka e gjymtyrë duke i mbajtur në krah si skllevër të antikitetit.

Dhe në një tjetër kohë si kjo e jona, sfida duket se është më e vështirë, edhe pse nuk ka të bëjë me aso cfilitjesh të paimagjinueshme.  Ajo është sfidë me moralin, në mos me frikën ndaj shtetit; me moralin që të thotë mos ik pa paguar kur e merr diçka në një dyqan, pasi kjo është vjedhje. Ka ardhur koha, që çdo gjë që mund të lëvizë për mirë në këtë vend, ta shohësh si diçka të pazakontë, heroike, qiellore./Dita

imazhe shqip

*    *    * 





January 12, 2014

Portokalli

Aktorët e “Portokallisë” të zhveshur në -22 gradë!

Aktorët e shout humoristik Portokalli janë parë në… Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më saktë në Detroit.

<img src="Portokalli, Salsano Rrapi e Gazmend Paja.jpeg" alt="Portokalli, Salsano Rrapi e Gazmend Paja ne minus 22 grade Detroit USA" />

<img src="Portokalli, Salsano Rrapi e Gazmend Paja.jpeg" alt="Portokalli, Salsano Rrapi e Gazmend Paja ne minus 22 grade Detroid USA" />

Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme, por këta të fundit së bashku me disa miq të tyre kanë arritur që gjysmë të zhveshur të pozojnë për aparatin fotografik. Një pjesë e mirë e SHBA-ve janë përfshirë këto ditë nga i ftohti ekstrem. Doni të dini sa kanë qenë temperaturat gjatë shkrepjes së fotografisë? -22 gradë celsius…!

Marrë nga Facebook Spy –  DITA

imazhe shqip


*   *   *







January 10, 2014

Dr Flamur Noka

imazhe shqip 
Deputetët e Partisë Demokratike vizitojnë në Burgun 302 kryetarin e Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu.

Në takim me Mziun kanë shkuar deputetët Arben Ristani, Flamur Noka dhe Aldo Bumçi.
Deputeti demokrat Flamur Noka u shpreh se PD-ja po ndjek hap pas hapi procesin politik ndaj kreut të Bashkisë së Kamzës. Noka theksoi se procesi ndaj Xhelal Mziut është një skenar i mirëorganizuar politik dhe këtë e fakton përdhosja e familjes Mziu e orkestruar në guzhinën e Ministrisë  së Brendshme.

“Mziu po trajtohet si kriminel i rrezikshëm. Ai është një i zgjedhur vendor, që u ka shërbyer qytetarëve. Po zbatohen dy standarde për krerët e bashkisë, njëri trajtohet si kriminel, tjetri del foto me Kryeministrin”, tha Noka.
Kryetari i Bashkisë së Kamzës u arrestua në 20 dhjetor 2013 për shpërdorim detyre. Ai akuzohet për pabarazi në tenderin e rrugës Valias i Ri- Laknas. Seanca gjyqësore ndaj Mziut do të zhvillohet në 13 janar.                                              imazhe shqip


http://www.gazetatema.net/web/2014/01/10/kunati-merr-ne-pyetje-delegacionin-qe-vizitoi-mziun/


*   *   *



January 8, 2014

A do ta kapë qeveria lepurin me qerre?

Nga Ermir Hoxha

Tre kambistë u dhunuan e më pas u grabitën dje në qendër të Durrësit. Pra, jo në ndonjë qoshe të humbur të Shqipërisë, ku nuk ndihet era e shtetit që prej vitesh. Si në rastin e grabitjes spektakolare në një prej qendrave më të mëdha tregtare të kryeqytetit, javë më parë, ku ca babagjyshër të trukuar, mbushën çantat me bizhu dhe çan ferrën nëpër natë pa ndonjë koklavitje. Ndërsa të djeshmit, thuhet se ishin veshur si njerëz të rendit. 

<img src="tritol, interkonjeksioni.jpeg" alt="Hidhet ne ere me tritol shtylla e interkonjeksionit ne Milot" />
imazhe shqip

Nuk është rasti për t`ja faturuar gjithë ç`po ndodh qeverisjes ende në agimet e veta; pasi është rezultante e një sërë faktorësh politikë e socialë, që e kanë çuar Rendin në këtë pikë të hallit, e që shtrihen vite pas, tej 3-mujorit të Ramës e Rilindjes së tij, ku përfshihen një mal mbrapshtish, duke nisur me degradimin e sistemit arsimor; më pas me shthurjen e familjes, kaosin urban e një lëvizje të llahtarshme demografike që ka cenuar çdo ekuilibër social; me papunësinë, korrupsionin në asht, e sigurisht me dobësimin e shtetit në çdo hallkë, deri në fazë kalbjeje. Sepse, doemos që kjo qeveri nuk e do një dështim kaq të dukshëm, e ku pa, tek Rendi, për të cilin ka një ndjeshmëri të theksuar. Mos harrojmë se kur është fjala për Rendin, edhe Enveri përligjet për zullumet e veta. Dhe nëse për tregues të tjerë suksesi qeverisjeje, duhet të paguhet një kosto kohore, për Rendin askush nuk pret: e duan që tani, në çast. Të duket se ne kemi policë, por jo polici. Ndër batutat më të goditura e më inteligjente të filmave shqiptarë, është ajo se “qeveria e kap lepurin me qere!”. Dhe në këtë rast, me qeveri nënkuptohet shteti, forca e tij, instrumentet që posedon për ta bërë zap krimin. Por problemi ynë duket se dhe në këtë rast, është po ai, si në ndërtimet pa leje: shteti ka humbur aftësinë e kontrollit mbi territorin. Është rasti për të kujtuar se në pranverë të `92, ndodhi masakra e tmerrshme e Libofshës, me autorësinë e vëllezërve Çuko, të cilët u kapën brenda 24 orësh dhe u ekzekutuan me varje brenda pak javësh.
<img src="vellezerit cuko, varen.jpeg" alt="varen ne mes te Fierit vellezerit Cuko" />
imazhe shqip

 Një diçka e tillë sot, pas kaq vitesh, duket e pamundur. Jo për aktin e dënimit me jetë, por për efikasitetin e zbulimit të autorëve të krimit dhe ndëshkimit të tyre, në një kohë rekord. E pra, kjo nuk po arrihet dot. Dhe krimi duket se po ka një inteligjencë të mahnitshme për ta kuptuar këtë; dhe për ta shfrytëzuar, sigurisht. Nga ana tjetër, duhet theksuar se ata tre kambistë janë taksapagues, janë ata që në heshtje kanë vendosur t`i paguajnë pak më tepër shtetit, me kushtin që jetën ta kenë të sigurt. Nga xhepi i tyre kanë dalë ato para, me të cilat u janë shtuar rrogat punonjësve të rendit. Dhe rezultati i këtij “pakti”, duhet të jetë i shpejtë, i dukshëm, prekshëm, produktiv. Në të kundërt… /Dita  

imazhe shqip


*   *   *



Kush fshihet pas maskave?

Grupi hetimor për ngjarjet e fundit ka dyshime se grabitja e djeshme në qytetin e Durrësit, sulmi i bujshëm në qendrën tregtare TEG në Tiranë dhe akti terrorist i ndodhur më 31 dhjetor në Milot, ku u hodh në erë shtylla e tensionit të lartë, nuk janë pa lidhje. Një nga pistat e hetimit sugjeron se në të paktën dy prej ngjarjeve janë implikuar persona të larguar nga puna muajt e fundit si forca speciale të policisë e të ushtrisë, dhe që organizohen nga specialistë të mirëfilltë që njohin armët, eksplozivët dhe teknikat e grabitjeve. Por pa dashur kanë lënë edhe disa gjurmë të rëndësishme.

<img src="the mask.jpeg" alt="The mask of sali berisha" />

imazhe shqip


Policë dhe ushtarakë

Grabitja e djeshme la të kuptohej se autorët kishin një mbështetje logjistike të sofistikuar, e cila rezulton të jetë marrë fshehurazi nga magazinat e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes jo shumë kohë më parë. Dëshmitarët treguan se 4 autorët, ishin të veshur me rroba ushtarake komandosh, të pajisur me jelek antiplumb, fenelina në makinë, shkopinj gome dhe armë pistoleta dhe automatikë. Edhe në lëvizje, dukej si një grup kryekëput special, që njihte mirë mënyrat e forcave elitë. Tre kambistët kanë treguar se janë neutralizuar në pak sekonda, madje edhe fuoristrada që përdorën mësohet se mbante shenja të policisë, si fenelinë dhe tabelë. Kalimtarët kanë kujtuar fillimisht për një operacion policie.

<img src="land rover, grabitja.jpeg" alt="Land Rover, makina me te cilen u krye grabitja ne Durres" />

Makina me të cilën u krye grabitja

Por më pas u kuptua se ishte një krim grabitjeje. Katër grabitësit e djeshëm, pas krimit në Durrës, janë parë të largoheshin me shpejtësi në drejtim të Ishmit dhe më pas në Bubq të Krujës. Zona malore e këtij rrethi është e njohur për pyllin e saj dhe shtigjet nga mund të kalosh. Janë përdorur forca të shumta dhe helikopterë të RENEA-s, por pa ndonjë sukses. Grabitësit e veshur si forca speciale janë futur në pyll dhe aty kanë humbur gjurmët. Grupi ka hyrë në të njëjtën vatër të nxehtë ku dyshohet se vepron celula e dyshuar për tritolin e 31 dhjetorit. Dyshimet për persona të shkarkuar kohët e fundit nga segmente të rendit dhe mbrojtjes, përfshirë gardën, të implikuar në hedhjen në erë të shtyllës në 31 dhjetor kanë lindur prej disa ditësh. Por në ngjarjen e djeshme në Durrës janë forcuar dyshimet se autorët janë profesionistë dhe me të kaluar në polici dhe ushtri.


Çfarë ndodhi dje

Persona të armatosur, të veshur me uniforma forcash speciale të ushtrisë dhe policisë, me pajisje dhe jelekë antiplumb, grabitën tre kambistë dhe lanë të plagosur dy prej tyre, duke u marrë çantën me të paktën 10 milionë lekë rreth orës 08:15 të mëngjesit të djeshëm, në qendër të Durrësit, në sheshin “Pranvera”. Autorët e paidentifikuar, që ishin 4 persona, zbritën nga një mjet fuoristradë “Land Rover” me targa angleze, dhe sinjale policie në vendin ku qëndrojnë kambistët. Kambistët Edmond Sollaku dhe Arben Çuni, janë dërguar në spital, ku i pari kishte plagë të lehta, kurse Çuni mbahet ende në spital pasi kishte dëmtime më serioze, por pa rrezik jete. Kurse i treti, Hajdar Lala, nuk mori plagë. Sipas mjekëve të spitalit, Arben Çuni i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi goditja në kokë i kishte prekur skalpin. Sipas dëshmitarëve, autorët kishin armë dhe shkopinj bejzbolli dhe vepruan shumë shpejt. Tre prej tyre neutralizuan kambistët dhe i katërti grabiti çantën e madhe me 10 milionë lekë. Në pak çaste goditën dy kambistët në trup dhe kokë me qyta armësh dhe shkopinj bejzbolli dhe më pas janë larguar me shpejtësi në drejtim të Ishmit. Policia ka ngritur postblloqe në të gjitha rrugët hyrëse e dalëse të qytetit të Durrësit, si dhe në Krujë e Fushë-Krujë. Mësohet se operacioni policor është shtrirë në komunat Bubq e Ishëm, ndërsa automjeti i grabitësve është parë për herë të fundit në afërsi të Sukthit. Ndërkohë policia zhvilloi në malësinë e Krujës edhe kërkime me helikopterin e RENEA-s. Kambistët kolegë me të dëmtuarit, apeluan dje për mbrojtje nga shteti./ Artur Qoraj/Dita  


imazhe shqip


*   *   *










January 4, 2014

Sali Tritoli




Nga Vucidoli
Luli llastica
Nga Drenica

<img src="sali tritoli, luli llastica.jpeg" alt=" Sali tritoli Nga Vucidoli, Luli Llastica Nga Drenica!" />
imazhe shqip

Sali Tritoli
Nga Vucidoli,
Luli Llastica
Nga Drenica!

*   *   *

Sali Berisha: Qeveria ia vuri vetë tritolin shtyllës së tensionit! Duhen protesta popullore

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke shkruar në Facebook, thotë se qeveria ia vendosi vetes tritolin në shtyllën e tensionit të lartë për të njoftuar rritjen e taksave.

“Të dashur miq, dje hyri në fuqi paketa fiskale e qeverisë Rama- Meta, e cila rrit taksat dhe për rrjedhoje dora- dorës dhe çmimet për çdo qytetar. Po dje, hyri në fuqi buxheti i parë në 23 vjet, i cili nuk do ketë rritje të rrogave dhe pensioneve. Por edhe më keq.

Ky është buxheti me të cilin qeveria Rama-Meta duke marrë 1 miliard dollarë borxh dhe rritur borxhin publik në 75%, nga 62.8% që e morën në shtator, do të shndërrojnë financat tona publike në një piramidë gjigande, që do rrokullisë ekonominë tonë sipas skenarit grek drejt krizës dhe recesionit.

Sihariqin për hyrjen e tyre në fuqi, qeveria e njoftoi me pak C4, kësaj radhe të vendosur jo në të ndenjurat e Besnik Dervishit, madje as dhe në të ndenjurat e shtyllës të tensionit të lartë, por direkt në trupin e saj. Po çfarë e shtyu Edi Ramën të rrisë borxhin e vendit në një vit 3.2 herë më shumë se sa u rrit në tete vite dhe të rrisë taksat për 100% të shqiptarëve e të shtyjë drejt krizës ekonominë e vendit?

Për këtë mendimet janë të ndara. Disa specialistë të shquar të huaj besojnë dhe kanë deklaruar publikisht se shkaku qëndron në injorancën e plotë të tij në ekonomi, të tjerë besojnë se këto anti-reforma lidhen me psikozën e tij për shkak të së cilës ai ka krijuar në mendjen e tij dhe lufton kundër një realiteti ekonomik që në të vërtetë nuk ekziston dhe po me psikozën bipolare lidhet dhe besimi i tij se në Shqipëri nuk ka ekonomist tjetër përveç atij. Kurse të tretët janë të prirur të besojnë në konspiracionin e një dore të padukshme të zezë që do me çdo kusht të rrëzojë përdhe ekonominë e Shqipërisë, që i rezistoi krizës. Personalisht besoj se shkaku qëndron në gërshetimin e dy të parave. Sidoqoftë unë mirëpres me kënaqësi mendimet tuaja.

Por një gjë është e sigurt se pavarësisht nga shkaku i këtyre anti- reformave, pasojat e tyre tejet të rënda do bien mbi qytetarët shqiptarë. Çdo muaj do rritet papunësia dhe varfëria. Rrugëdalja është vetëm një, protesta e përgjithshme popullore!” shkruan Berisha./ep


imazhe shqip

*   *   *

January 2, 2014

Gazetari kroat Zeljko Peratovic

UDB-ja nuk gjente shqiptarë për të vrarë njëri-tjetrin

Serbët kanë vrarë serbët, kroatët vrisnin kroatët, boshnjakët vrisnin boshnjakët, ndërsa serbët kanë likuiduar edhe shqiptarët”, ka thënë gazetari dhe publicisti kroat, Zeljko Peratovic, duke folur për vrasjet e kryera nga UDB-ja serbe në ish-Jugosllavi. Gazetari kroat, i cili për një kohë të gjate merret me hulumtimin e vrasjeve politike në ish-Jugosllavi, ka deklaruar se vrasjet e disidenteve që ishin larguar nga vendi, UDB (Sigurimi Shtetëror Jugosllav) i ka kryer në mënyrë specifike, shkruan Telegrafi.

Zeljko Peratovic

imazhe shqip

Ai ka thënë se UDB-ja ka gjetur bashkëpunëtorë që kanë kryer vrasje të bashkëkombësve të vetë,“serbët kanë vrarë serbët, kroatët vrisnin kroatët, boshnjakët vrisnin boshnjakët, ndërsa serbët kanë likuiduar edhe shqiptarët”.

“Vetëm për shqiptarët nuk ka vlejtur ky rregull, pasi UDB nuk ka mundur të gjejë shqiptarë për të vrarë shqiptare, ka thënë Peratovic per Blic.

Vrasjet e kryera në kohën e ish Jugosllavisë janë riaktualizuar pas arrestimeve të ish- shefave të UDB-së në Kroaci.
Tashmë dihet se ky shërbim famëkeq (UDB-ja) ka qenë i përfshirë në vrasjet e Jusuf e Bardhosh Gervalles dhe Kadri Zekës në Gjermani dhe Enver Hadrit në Belgjikë.

Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, por edhe e Enver Hadrit, zyrtarisht është bërë publike nga Kuvend i Serbisë pas vit 2003, si dhe nga publikimet e bëra nga oficer të shërbimit të cilët ishin organizatorë të këtyre akteve.

Nga kjo rezulton se SDB në këto akte terroriste kishte angazhuar ekipe të posaçme në përbërje të së cilës ishin: Zelko Raznjatovic-Arkan, Ratko Gjokic, Dragan Malesevic-Tapija, Gjorgje Bozovic-Gishka, si dhe ekipi i dytë Veselin Vukotic (Vesko), Andria Lakonic, dhe Darko Asanin.

Në vrasjen direkte të Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit atentatorë kanë qenë Zelko Raznjatovic-Arkan dhe Gjorgje Bozovic-Giska.

Për këtë arsye, Sekretari Federativ i Punëve të Brendshme, Stane Dolanc, shumë vite më vonë pati deklaruar se “Arkani ka qenë më i dobishëm se i gjithë shërbimi”, kurse ai përpos privilegjeve dhe shumave të parave, nga Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme si dhuratë kishte marrë një pistoletë të dekoruar me ar.


imazhe shqip


*   *   *




Hidhet në erë shtylla e interkonjeksionit në Milot




Ministria e Brendshme: Akt terrorist

Një shtyllë tensioni është hedhur në erë gjatë natës së ndërrimit të viteve, në Milot. Akti në dukje banal dyshohet se ka mbrapa motive politike, për shkak të dy mesazheve të gjetura në vendin e ngjarjes. Në njërin lexohej TAKSAT dhe në tjetrin lexohej NAFTA. (foto)


Një shtyllë tensioni është hedhur në erë, në Milot

imazhe shqip 


Shtylla e tensionit të lartë i përket linjës Tiranë- Podgoricë.

“Në datë 31.12.2013, rreth orës 18:00 në vendin e quajtur Nderlalaj, në  Milot, rrethi Kurbin, është dëmtuar me eksploziv shtylla e linjes së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë. Nga shpërthimi me lëndë eksplozive është këputur njëra këmbë e shtyllës në lartesinë 10 metra nga toka. Ndërkohë në këmbën tjetër të kësaje shtylle, në lartësi 10 metra nga toka është gjetur një sasi prej 16 kallëpe tritoli me peshë prej 6.4 kilogramë, në të cilën ishte vendosur një kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës.

Policia me të marrë njoftim ka mbërritur në vendngjarje dhe ekspertëtë xhenierë kanë bërë ç’aktivizimin e eksplozivit të pashpërthyer. Policia ka administruar të gjitha provat që janë gjetur në vendngjarje, të cilat janë dërguar për epskertim në Drejtorinë e Policisë Shkencore.

Në njërën nga këmbët e shtyllës policia ka gjetur dy kartona, njëri me mbishkrimin NAFTA dhe tjetri me mbishkrimin  TAKSAT, të cilat ishin të ngjitura me ngjjitëse natriban në shtyllë.  Shtylla objekt sulmi ndodhet në një faqe mali në afërsi të rrugës së vjetër Milot-Burrel pranë urës me harqe.

Policia po punon për zbardhjen e dinamikës së këtij akti terrorist si dhe identifikimin e kapjen e autorëve të saj. Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Kurbin për veprën penale “Shkatrrim prone me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.

Ky është akti i parë terrorist në Republikën e Shqipërisë që shoqërohet me mesazhe të qarta të lëna në vendngjarje nga autorët e vetë aktit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.
 imazhe shqip


*   *   *



Berisha, një urim me foton e familjes në Facebook




Ish-kryeministri, Sali Berisha është treguar mjaft aktiv në Facebook ditët e festave. Mbrëmjen e datës një janar ai ka postuar një fotografi me familjen e tij për të uruar shqiptarët. “Një urim të përzemërt nga familja jonë në ditën e parë të Vitit të Ri për çdo familje shqiptare. GEZUAR!! Sb”, shkruan Berisha në llogarinë e tij në rrjetin social.

 imazheshqip
sali berisha facebook
imazhe shqip


*   *   *





FOTO-LAJM: Kërkesë për punë Ismail Qemalit

Nga Artan Lame

Lartësi! Dëgjova se në Tepelenë bëtë organizasion e nënprefektit (kazasë). Pas fjalës që më ke dhënë, të lutem për muftillëkun e Tepelenës, të emëroni vëllanë tim Rushit Efendiun. Mbetem duk’e puthur dorën me nder të math. Në urdhërin e zsë (zotërisë) s’uaj FIRMA

Ismail Qemali, Lutje per Pune
imazhe shqip

Teksti më sipër i faksimiles që shihni në fotografi është një kërkesë për vend pune që i drejtohet Ismail Qemal Beut ku u bë kryeministër. Si kjo janë mbi 120 në dosjet e AQSH, vetëm për 6 mujorin e parë të 1913. Sjelltë viti 2014 më shumë punë për të gjithë.
imazhe shqip 


*   *   *


Ivor Roberts, ish ambasadori britanik ne Serbi:

Të ndryshohen kufijtë, 
të bashkohen Kosova dhe Shqipëria

Ish ambasadori britanik në Serbi, Ivor Roberts, në një intervistë për B92, angazhohet për një politikë më realiste dhe një realitet të ri politik në Ballkan, përkatësisht në raportet diplomatike. Në këtë kuadër, ai prezanton një mendim ndryshe për kufijtë, duke deklaruar se ata janë të ndryshueshëm.

Ai ka deklaruar se kufijtë në Ballkan mund të ndërrohen, përkatësisht, se korrigjimi i kufijve në Ballkan, mund ti kontribuojnë paqes së përhershme.

“Çështja e kufijve është çështje e mundimshme e shekullit njëzet. Mendoni vetë se çfarë problemi kishte sjellë kjo çështje gjatë arbitrazhit në vitin 1916 në Levant, e këto probleme edhe sot e kësaj dite janë aktuale. Në atë kohë dy diplomat, një britanik dhe një francez, Siks dhe Pikot, kishin vizatuar hartën që prezantonte sferën e interesave britanike dhe franceze pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Pastaj, dihet mirëfilli se çfarë probleme kishin lindur me kufijtë pas përfundimit të luftërave ballkanike me vizatimin e tyre në Konferencën paqësore të Londrës, në prag të fillimit të Luftës së Parë Botërore, kur u themelua shteti i ri i Shqipërisë, kur në mënyrë automatike shumica e shqiptarëve kishin mbetur të jetonin jashtë kufijve të shtetit shqiptar”, ka thënë ai, shkruan “Zeri”.
imazheshqip 
“Atyre që thonë, se, qëllimi i vizatimit të ri të kufijve nuk do të duhej të ishte themelimi i shteteve mono-etnike, ju them se, e gjithë esenca e kësaj është se brenda atyre kufijve njeriu ndjehet i sigurtë. Aty ku kufijtë krijojnë ndjenjën e pasigurisë, jo stabilitetit dhe dhunës, aty kufijtë nuk kanë ndonjë funksion të dobishëm”, tha Roberts.

Roberts thotë se pret që “roli i kufijve të humbë dhe të bëhet i parëndësishëm, ashtu si është në rajonin e Schengenit, kur më nuk dini a jeni në Francë apo Gjermani. Megjithatë, që kjo të ndodhë, duhet të kalojë shumë kohë, ashtu siç është dashur në rastin e Francës dhe Gjermanisë, të cilat kanë kaluar tre luftëra brenda një shekulli”.

Sipas tij, drama e kufijve në Ballkan nuk mund të zgjidhet brenda natës. “Kufijtë në radhë të parë duhet ti kontribuojnë sigurisë dhe stabilitetit. Kjo do të zgjasë deri atëherë kur ato do të bëhen krejtësisht të parëndësishëm”, tha ai.

Ai thotë se është për ndryshim kufijsh edhe mes Kosovës dhe Serbisë.

“Konsideroj se rajoni në veri të lumit Ibër, duhet ti kthehet Serbisë, e disa pjesë të territorit të Luginës së Preshevës ti kthehen Kosovës”.

Por ai ka edhe një qëndrim ndryshe sa i përket bashkimit kombëtar dhe shtetëror të shqiptarëve:

“Nuk shoh arsye, që pas një kohe, pse të mos bashkohen Kosova dhe Shqipëria në një shtet të vetëm, nëse këtë e duan”, ka thanë ish ambasadori britanik Ivor Roberts.

imazhe shqip

*   *   *

December 30, 2013

Dr. Bilal Golemi

Kjo ikonë e shkencës, ky patriot idealist

Nga Manxhar Taka


Kushdo që ka pasur mundësinë të lexojë monografinë “Dr. Bilal Golemi”, botuar në vitin 1968 nga dy personalitete të shquara të Shkencës dhe të kulturës; Dr. Vasfi Samimi dhe Dr. Hulo Hajderi si dhe librin; “Një jetë për shkencë e atdhe - Dr. Bilal Golemi”, me autor Manxhar Taka, botuar në vitin 2010, do t’i jetë dhënë rasti të njihet me një figurë të shquar të shkencës, me një mikrobiolog të klasit Europian e botëror dhe me një patriot idealist e zemër zjarrtë. 

E them me siguri se personalitete të tilla si Dr. Bilal Golemi, Shqipëria i ka pasë dhe i ka shumë të rrallë, por historiografia jonë, më së shumti u ka thurur mite dhe lavde njerzëve të jatagan e të pushkës dhe kjo jo pa të drejtë, por gjithkush mund të konstatojë se sa pak përmënden dhe sa pak flitet për njerëz të shquar të shkencës si K. Gega, Dr. R. Frashëri, Ing. Gjadri, Dr. F. Shiroka, E. Çabej, H. Sykja e deri tek nobelisti F. Murati etj. Po kaq i pa njohur dhe i pa vlerësuar është edhe Dr. Bilal Golemi, mikrobiolog i famshëm, punonjës dhe pedagog në Institutin Pasteur të Parisit, ekspert i Organizatës Botrore të Shëndetësisë, i dekoruar nga qeveritë Franceze dhe Turke, martiri që ka eksperimentuar në trupin e vet.

Bilal Golemi u lind në Golem të Kurveleshit dhe në moshën 7 vjeç largohet nga fshati bashkë me familjen dhe vendosen në Stamboll. Pasi kryen arsimin e ulët dhe të mesëm, ai regjistrohet në fakultetin e veterinarisë ushtarake Turke, meqënëse këtu mund të studjonte me shpenzimet e shtetit, pasi gjëndia ekonomike e familjes, nuk e lejonte të merrte një degë që ai kishte dëshiruar. E mbaroi këtë shkollë me rezultate të shkëlqyera dhe për tre vjet shërbeu në ushtrinë Turke me gradën e kapitenit, por ai jo vetëm kishte pasur aspirata, por edhe aftësi e prirje të tjera nga ato të një kariere ushtarake dhe për këtë arësye, jep dorëheqjen nga ushtria dhe me shpenzimet e tij, e pas një konkursi, ai fitoi të drejtën për tu specializuar në fushën e mikrobiologjisë në Institutin e famshëm Pasteur të Parisit. 

Gjatë kohës së specializimit, ai ra në sy të autoriteteve shkencore të atij Instituti, si një studjues i thellë me aftësi të spikatura në fushën kërkimore shkencore dhe për këtë arësye i propozohet që të qëndrojë me punë në këtë Institut si bashkëpuntor shkencor i tij, gjë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.

Në Institutin Pasteur, Dr. Bilali pati një karierë të shkëlqyer shkencore. Ai mbrojti dhe fitoi doktoraturën me një studim të rëndësishëm dhe u caktua të punonte si bashkëpuntor i profesorëve të mëdhenj Ramon e Duma. Për të ditur se me kë pati nderin por edhe meritën të punojë shkenctari i ri shqiptar duhet të themi se Prof. Ramon ishte ndër pesë mikrobiologët më të mëdhenj të asaj kohe. Ai prodhoi për herë të parë vaksinën kundër difterisë së fëmijëve, serumin kundër tetanozit dhe ka studjuar anatoksinat dizanterike dhe në këto shpikje, ai pati bashkëpuntor, shkenctarin e ri Dr. Bilal Golemi. Dr. Bilali kreu në këtë institut edhe studime të tjera të rëndësishme dhe për aftësitë e tij teorike dhe praktike ai u angazhua si mësimdhënës. Në vitin 1926 ai u ngarkua të drejtojë në teori dhe në praktikë, kursin e specializimit, ku merrnin pjesë 33 mjekë, veterinerë dhe biologë nga të gjitha anët e botës të cilët kishin ardhur për tu specializuar në fushën e mikrobiologjisë. Për punën e tij në këtë Institut Qeveria franceze e ka dekoruar atë me medaljen “Legion d’ Honneur”.

Gjat kohës që ai punonte në Institutin Pasteur, mbante lidhje me shumë studentë dhe intelektualë të tjerë shqiptarë që jetonin në Francë dhe ndiqte me interes çfarë ndodhte në Shqipëri. Informacionet tregonin për gjëndjen e rëndë ekonimike, sociale e shoqërore dhe prapambetjen e theksuar të atdheut të tij dhe kjo gjë e brengoste pa masë e për këtë kishte kohë që mendonte se si mund ti shërbente vëndit të tij. 

Në kulmin e karierës së tij akademike, kur veç Institutit Pasteur të Parisit ku punonte, i qenë bërë oferta pune edhe nga Institutet mikrobiologjike të Berlinit, Stokholmit dhe Turqisë, ai lë shkëlqimin e jetës Parisiane dhe me gruan e tij franceze, në mars të vitit 1928, vjen vullnetarish për të punuar e jetuar në Shqipëri. Para se të niset për në atdheun e tij ai gjeti disa adresa intelektualësh shqiptarë, që punonin jashtë Shqipërisë dhe ju bëri atyre thirrje të kthehen e të punojnë në atdheun e tyre. Në telegramin e tij thuhet: “Atdheu ynë Shqipëria ka mbetur vëndi më i varfër dhe më i prapambetur i Europës. Ajo ka nevojë për mjekë, inxhinjerë, agronomë e çdo specialitet tjetër. Kush duhet ti dalë zot veç bijëve të saj, prandaj hajdeni të kthehemi e të punojmë atje, ajo do të na presi mirë”. Këtij telegrami ju përgjigjën menjëherë Dr. Vasfi Samimi dhe vëllai i Dr. Bilalit që ishte inxhinjer avionësh Sami Golemi.

Shqipëria e asaj kohe ishte vëndi më i prapambetur i Europës, vëndi i varfërisë dhe analfabetizmit, i pishës dhe kandilit, i plasjes, malarjes, tërbimit dhe tuberkulozit, i kasolleve por edhe i kullave me frëngji, prej nga shqiptarët vriteshin me njeri tjetrin. Dr. Bilali tashmë ishte një mikrobiolog i famshëm, por kur erdhi në Shqipëri, ai nuk mund të kuishte atë lluks që të vishte bluzën e bardhë dhe të kishte punë vetëm me librat dhe mikroskopin, por ai u angazhua që nga punët më të rëndomta e deri tek ato që kërkonin kualifikim të lartë. 

Blegtoria në atë kohë në Shqipëri ishte dega bazë e ekonomisë që jepte 2/3 e prodhimit kombëtar dhe meqënëse Dr. Bilali profesionin bazë kishte atë të Veterinerit, në Ministrinë e Ekonomisë ai ngriti për here të parë Drejtorinë e Blegtorisë me tre seksione, themeloi për here të pare shërbimin veterinar dhe hartoi ligjin për këtë shërbim. Një sëre sëmundjesh të asaj kohe shkaktonin dëme të mëdhë në blegtori dhe lëngata e vdekje në njerëz, prandaj detyrë imediate ishte ngritja e laboratorëve mikrobiologjikë dhe kështu për here të pare Dr. Bilali ngriti laboratorin bakterologjik veterinar ku vetë ai për here të pare në Shqipëri, prodhoi serume e vaksina si ajo e plasjes, lisë, kolerës së shpendëve, këmbëzezës etj. E çuditëshme është, se si në atë kohë në Shqipëri, kur nuk mbroheshin as të drejtat e njerzëve, me inisiativën e Dr. Bilalit u ngrit shoqata e mbrojtjes së kafshëve me kryetar të famshmin Mithat Frashëri, e cila ishte një përpjekje e intelektualëve të Tiranës për ta bërë Shqipërinë si dhe vëndet e tjera perëndimore.

Dr. Bilali tashmë nuk ishte një veteriner i thjeshtë por ai kishte marrë specilizimin më të lartë në fushën e mikrobiologjisë në përgjithësi dhe veç kësaj si një atdhetar idealist, ai me dhimbje shifte masat e pamjaftueshme për mbrojtjen e shëndetit të njerzëve. 

Në atë kohë në Shqipëri ekzistonte një laborator bakteriologjik për njerzit ku punonte një francez, që nuk e kishte arsimin e lartë dhe bënte vetëm ca analiza të sifilizit dhe ca vaksina kundër tërbimit. Dr. Bilali sa erdhi në Shqipëri e vizitoi këtë laborator dhe aty pa nivelin e ulët e primitv të punës që bëhëj atje. Me insistimin e tij ky laborator u transferua në Tiranë në një godinë të përbashkët me laboratorin veterinar dhe të dy këto laboratorë filluan tashti të punojnë nën drejtimin shkencor të mikrobiologut Dr. Bilal Golemi. 

Ai i kompletoi këta laboratorë me paisje të kohës dhe krijoi edhe garazhin e kafshëve të eksperimentit si kavje, lepuj, pëllumba etj. Në bashkëpunim edhe me Dr. Bajram Emirin, që edhe ai sapo ishte kthyer nga jashtë shtetit, zbuluan për here të pare në Shqipëri, sëmundjen Leishmanioza në disa fëmijë të Tiranës dhe ishte Dr. Bilal Golemi që diagnostikoi, gjithashtu për të parën here në Shqipëri, sëmundjen e Leprozës tek një punonjës i një konsullate të huaj. Në një perjudhë prej 4 vjetësh që Dr. Bilali punoi në Shqipëri u hodhën bazat shkencore të trajtimit të sektorit të blegtorisë, u hartuan ligjet përkatëse, u zhdukën ose u frenuan disa sëmundje në kafshë dhe u bënë shumë përmirësime në gjurmimin, diagnostikimin dhe luftimin e disa sëmundjeve që prekin edhe njerzit si plasia, bruceloza, tuberkulozi, tërbimi, lija etj, të cilat në atë kohë shkaktonin fatkeqsi të mëdha, kështu Dr. Bilali hodhi bazat e vërteta të mikrobiologjisë si shkencë në Shqipëri.

Pikpamjet politike të Dr. Bilalit, ishin ato të një liberali demokrat. Që kur ishte student në Turqi, por sidomos kur punonte si oficer i ushtrisë Turke, ai u përfshi me gjithë energjitë e tij në revolucionin e udhëhequr nga Qemal Ataturku dhe për këtë është dekoruar nga qeveria Turke me medaljen e Indipedencës me dekretin nr. 3252. Duke qënë se ai kishte qënë kundër sulltanatit në Turqi, ai do të ishte edhe kundër shpalljes së Zogut mbret. Ai e donte Shqipërinë siç ishin edhe vëndet e tjera të përparuara, Republikë Parlamentare dhe për këtë arësye ai u konfrontua me regjimin dhe u dënua me 101 vjet burg, por si rezultat i presionit të qarqeve shkencore europiane, ai pasi bëri tre vjet burg, së fundmi u lirua, por u urdhrua të largohet nga Shqipëria. 

Ai deshi të shërbente edhe më tej atdheut të tij dhe për këtë arësye kërkoi të punonte edhe si një veteriner i thjeshtë i ndonjë komune, por kjo kërkesë nuk ju miratua dhe ai me zëmër të thyer u largua për në Turqi.

Me të mbrritur në Turqi, Dr. Bilalin e kërkuan njëkohësisht Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Bujqësisë për institucionet e tyre, por ai pranoi të punojë në atë të shëndetësisë dhe filloi punë në Institutin e Higjenës” RS Hivzissihha” Ankara, fillimisht si Zv/ Drejtor i atij Instituti dhe më vonë si sekretar i përgjithëshëm. Gjat kohës që ai punoi në Turqi, pati një karjerë të shkëlqyer shkencore. Studimet që ai kreu atje u botuan në revistat e buletinet e institucioneve më të famshme shkencore të Europës si dhe në disa tekste të mikrobiologjive universitare. Ai filloi punën me prodhimin e serumeve hiperimune për prodhimin e vaksinës së difterisë së fëmijëve, tetanozit, tuberkulozit etj, me një cilësi edhe më të lartë se ato që si bashkëpuntor i Prof. Ramon, kishte, prodhuar në Institutin Pasteur. Sëmundja Brucelozë, që prek njerzit dhe kafshët, ishte shumë problematike në Turqi. Dr. Bilali kreu një studim nga më të thelluarit e asaj kohe, duke analizuar gjakun e 2500 njerzëve dhe kafshëve si dhe qumështin e bylmetoreve të Ankarasë dhe fermave për rreth, prej nga ku konstatoi se sëmundia ishte shumë e përhapur. Në një kongres të mikrobiologjisë në Turqi, masat e gjurmimit dhe luftimit që propozoi Dr. Bilali u kthyen në ligj, të cilat edhe sot janë po të tilla. 

Një kontribut i veçantë i tij ishte studimi i dy sëmundjeve që në Turqinë e asaj kohe shkaktonin shumë vdekje në njerz, siç ishin Tularemia dhe Ethet “Q”. Studimet e Dr. Bilalit mbi këto sëmundje ishin të një niveli të lartë shkencor të cilat u botuan në revistën mjeksore të Akademisë së shkencave franceze dhe në dhjetra organe të tjera të shtypit shkencor.

Studimet e Dr. Bilalit për sëmundjen e Tularemisë arritën deri aty sa ai të kryejë eksperimente në trupin e vet. Janë të njohura botërisht dhjetra e qindra raste të vetësakrifikimit dhe të heroizmit, deri në dramacitet të kryera nga shumë biologë, mjekë, kimistë etj, nga të gjitha anët e botës, të cilët janë përballur me vdekjen për të mirën e njerëzimit. Duke eksperimentuar në trupin e tyre, Petenkofer piu një gotë me bujon kolere, por i shpëti vdekjes, ndërsa të tjerë si anglezi A. Uajt, austriaku A. Rozenfelld, italiani xh. Lasear etj nuk arritën ti shpëtojnë vdekjes. Midis këtyre njerzëve, këtyre heronjëve të heshtur që mbarë njerëzimi duhet të përkulet me mirënjohje dhe veneracion, për sakrificat e tyre sublime, është edhe shkenctari ynë Shqiptar Dr. Bilal Golemi.

Duke punuar në laborator atij i ra në sy një pikë e kulturës mikrobike të Tularemisë. Mendoi se pas gjithë atyre provave që kishte bërë në kafshët laboratorike, eksperimenti në trupin e tij, ishte një rast i mirë që do të sqaronte shumë gjëra rreth Tularemisë dhe ai nuk u mjekua por i mbyllur në laboratorin e tij për tetë ditë, e la sëmundjen të rrjedhi, duke studjuar gjithë kuadrin klinik të saj.

Filloi skuqia dhe lotimi i syve, pastaj konjuktiviti u zhvillua më tej. Filluan të enjten gjëndrat limfatike të nënënofullës dhe më pas edhe gjëndrat e tjera, duke u bërë të dhimshme deri sa u qelbëzuan. U rrit temperatura, duke provokuar ethe të forta, të dridhura, të vjella, dhimbje të kyçeve dhe të mezit, por ai me vendosmëri dhe kurajo, megjithëse kërcënohej nga vdekja, qëndrote i pa përkulur, duke kryer lloj lloj analizash. Merrte material nga trupi i tij dhe jua injektonte kafshëve të eksperimentit dhe ato për pak ditë ngordhnin, vëzhgonte kurbën e temperaturës, formulën e gjakut, mbillte material nga trupi i tij në terene që kultivohen mikrobet dhe pasi sqaroi gjithçka, vetëm pas tetë ditësh ai fillo mjekimin e trupit të tij. I shpëtoi vdekjes por ky eksperimen la gjurmë në shëndetin e tij. Ky rast u publikua në gjith shtypin shkencor të kohës.

Në vitin 1952, kur gjëndia e tij shëndetësore nuk ishte e mirë, ai emrohet drejtor i prodhimit të vaksinës së tuberkulozit në njerëz(BCG), por edhe në këto vite ai nuk e reshti veprimtarinë e tij kërkimore shkencore dhe në këtë vit ai caktohet ekspert i Organizatës Botrore të Shëndetësisë, duke u bërë i pari shqiptar në këtë detyrë.

Astma bronkiale, prej së cilës, kishte vuajtur gjatë gjithë jetës, por sidomos eksperimenti që bëri në trupin e vet e mposhtën dhe i shkurtuan jetën dhe në moshën më të mirë, në kulmin e prodhimtarisë së tij shkencore, ai ndrroi jetë më 15 mars 1955. Varrimi i tij u bë në varrezat Stinjës Bosfor dhe në kreun e varrit të tij, plot domethënie dhe fantazi është skalitur në gur, një libër i madh dhe në bazoreljev një mikroskop.


Duke e shikuar këtë figurë prej kohës që jetojmë, kur shqiptarët, njerëz të thjeshtë qofshin, apo edhe intelektualë, çdo ditë po largohen nga Shqipëria, kurse Dr. Bilali la karjerën e shkëlqyer shkencore, la shkëlqimin e Parisit dhe u kthye ti shërbente vëndit të tij thellësisht të prapambetur, shtrohet pyetja se a ka më sot patriotë të tillë idealistë që për interesat e popullit të tyre të bëjnë sakrifica kaqë të larta ose të sakrifikojne deri jetën e tyre për të mirën e njerzimit mbarë?

imazhe shqip

*   *   *







December 29, 2013

Abu Amar, terroristi shqiptar

nga Lapraka e Tiranës


Një tjetër shqiptar është vrarë duke luftuar në Siri.

Deri më tani raportohet se shqiptari e kishte emrin e luftës Abu Amar dhe është vrarë dy ditë më parë në Alepo, qytetin më të madh të Sirisë.

Forcat qeveritare kanë ndërmarrë ditët e fundit një sulm masiv në këtë qytet, duke shkaktuar qindra viktima.

Abu Amar luftonte për organizatën Al Nusra, që është një degë e Al Kaedës.

Abu Amar ishte një shqiptar nga Lapraka e Tiranës.

Gazeta TemA  & http://www.islamicinvitationturkey.com


*   *   *