October 4, 2013

Nacionalisti



DOKUMENTI i vitit 1992:

 Pjetër Arbnori i kërkonte Berishës që të ekstradonte 

Janullatosin nga Shqipëria

Një dokument i 26 dhjetorit 1992, përgatitur nga Kuvendi Popullor dhe që mban firmën e ish- kryetarit Pjetër Arbnori, i dërgohej Presidentit të asaj kohe, Sali Berisha, duke i kërkuar ekstradimin e Anastas Janullatosit.

Dokumenti është publikuar nga gazeta Dita.

Në fillim të dokumentit theksohet se ishte ish- Presidenti Ramiz Alia që e ftoi Anastas Janullatosin që të vinte në Shqipëri.

Në një bisedë me At Artur Liolin, Ramiz Alia i thotë se ka për qëllim që të ftojë Janullatosin në Shqipëri, pasi ka katër muaj që pret për vizë.

Liolin i thotë që i duhen vendosur disa kushte Janullatosit.

Por pas ardhjes së Janullatos në Shqipëri, Ramiz Alia nuk e zbatoi marrëveshjen me At Artur Liolinin, madje as nuk e ftoi më Liolinin për takim.

Janullatos ngriti menjëherë një Këshill të Përgjithshëm të Kishës Ortodokse Autoqefale, thuhet në raportin e Arbnorit.

“Si sekretar u zgjodh Aleko Dhima, një person që për shumë vjet militoi në radhët e PPSH,” shkruhet në raport.

Raporti thekson faktin që Janullatos nuk ka reaguar ndaj operacioneve fshesa që po bëheshin në atë kohë ndaj emigrantëve në Shqipëri.

“Nuk kaloi shumë kohë dhe çdo gjë nisi që të qartësohej. Në fillim skenari filloi me ndërrimin e fesë dhe të emrave të refugjatëve shqiptarë me atë të forcës dhe presionit, pastaj me lëvizjen antishqiptare në Greqi. Si gjithmonë udhëheqësi dhe flamurtari i Vorio-Epirit ishte Mitropoliti i Konicës, Sebastianos, i cili së bashku me qarqet shoviniste nisi një fushatë të egër spastrimi, e cila u quajt “Operacioni Fshesa”,” thuhet në raport.

Janullatos akuzohet edhe se nuk ka bërë gjë për kishat në Shqipëri.

“Deri tani akoma nuk ka përfunduar restaurimi i Kishës Katedrale në Tiranë dhe është ngritur një kishë e vogël me parafabrikate në Fier, kurse në Korçë ka 7 muaj që një kishë ka mbetur tek guri i parë i themelit”.

Në raport theksohet se Janullatos ka kërkuar që të bëhet kryepeshkop, në kundërshtim me Kanunet e Shenjta dhe Statutin e KOASH.

Në raport kritikohet edhe qeveria shqiptare.

“Është e udhës që të kritikohet edhe veprimtaria e mefshtë e qeverisë së sotme shqiptare. Shumë gjëra ndodhin nën hundën e saj”.

Konkluzionet e raportit janë si më poshtë.

“Së pari, Janullatos nuk mund të jetë kurrsesi kryepeshkopi i Shqipërisë dhe udhëheqës shpirtëror i një populli besimtar, të cilin ai e ndau në dysh.

Së dyti, ai s’mund të jetë i tillë sepse nuk është kanonikisht i rregullt.

Së treti, ai nuk mund të jetë i tillë sepse puna e tij ka qenë në dëm të interesave fetare dhe kombëtare.

Së katërti, është marrë nëpër këmbë gjaku dhe puna e martirëve të rënë për këtë kauzë si dhe respekti dhe dinjiteti i popullit shqiptar.

Dhe së pesti, kurrë s’është e mundur që një i huaj të dojë më shumë se vendin e tij prej nga vjen, një vend tjetër”.

Raporti i dërgohet Berishës, që gjithmonë citohet si “Presidenti ynë i nderuar”.

Por Berisha nuk ndryshoi mendje nga ky raport.

Ndoshta edhe për faktin që e përmend vetë raporti.

“Emri juaj Presidenti ynë i nderuar përmendet në të gjithë qarkoret dhe deklaratat e Kishës për dhënien e lejes për fronëzimin”, thuhet në raport, kurse naivi Arbnori mendonte se emri i Berishës po keqpërdorej./ep


October 2, 2013

Përpara,



Përpara,

O burra se na shpëtoi 

Shurra!



P.S. Burime të sigurta brenda PD na njoftojnë se Deputeti “Rradha 3 Karrikja 7” ka filluar të urinojë shpesh dhe në mënyrë të pavullnetshme, nganjëherë edhe në mes të mbledhjeve të grupit parlamentar. 

Shkencëtarët demokratë me ndihmën e Podesta Group, janë hedhur në kërkim të një lloji special pampersash të tipit Anti-Berisha.

WC Sali


WC Sali Victory


September 30, 2013

Agimi i Artë


KY ISHTE AGIMI 

PREJ 

FLORIRI?!


*   *   *


Tërmet në Greqi, 

arrestohet lideri i Agimit të Artë

Policia greke ka arrestuar liderin dhe zëdhënësin e partisë së ekstremit të djathtë, Agimi i Artë.
                                                            
Akuza është ajo e krijimit të një organizate kriminale.

Policia thotë se ka urdhra arresti edhe për të tjerë anëtarë dhe deputetë të kësaj partie.

Sipas Reuters, policia po heton lidhjet e kësaj partie me vrasjen e një këngëtari anti- fashist nga një mbështetës i Agimit të Artë.

Vrasja e Pavlos Fissas më 17 shtator provokoi protesta të dhunshme në Athinë.

Dy të arrestuarit janë Nikolaos Mihaloliakos dhe zëdhënësi Ilias Kasidiaris, bëri të ditur policia.

Agimi i Artë është partia e tretë më popullore në Greqi, sipas sondazheve më të fundit. Ajo ka mohuar lidhjet me vrasjen e këngëtarit dhe ka paralajmëruar se do të tërheqë 18 deputetët nga Kuvendi nëse vazhdon ky sulm ndaj tyre./ep






September 29, 2013

Berisha me Bashën,

janë dy kriminelë...


Lul Berisha


Nga Arben Duka

Të më thotë Saliu,
se unë nuk e di:
"Si ndihet njeriu,
kur vret një njeri?!."

Më thuaj njëçikë,
plumbat si i qite,
se në këtë pikë,
ti je plot kredite?!

Ti je plot kredite,
kampion i vërtetë,
se brënda një dite,
more katër jetë.

Janarin e ngjeve,
ti me vello zie,
për vete e ktheve,
në ditë krenarie.

Shikoje me sy,
popullin e vrarë,
dhe garda nga ty,
urdhër kishte marrë.

Pas perdes shikoje,
tamam si një bishë,
si të tuat roje,
qëllonin në mish!

Qëllonin në mish,
njerëz të pa mbrojtur,
dhe ti-o Berishë,
s'ishe një i lojtur.

Po një kriminel,
me gjakftohtësi,
ne kështu na del,
more ditëzi!

Ti ishe-o flamë,
kapak' i tenxheres,
ne të gjithë të pamë,
fshehur pas penxheres.

I pe mirë dhe ike,
kur ranë katër vetë,
dhe pastaj na shpike,
stilot pistoletë!

The e ç'nuku the,
për ne atë ditë,
dhe shpërblim i dhe,
çetës me banditë!

Ne mirë na kujtohen,
lehjet si zagari,
ndaj nuk na harrohen,
ato ditë Janari.

S'e harron për jetë,
këtu Shqipëria,
popullin e vet,
vrau qeveria!

Ashtu si pa dashur,
nga pakujdesia,
zullumin ka trashur,
palo drejtësia!

Po të gjithë e panë.
këtu o mallkim,
të katër u vranë,
me Paramendim!

Me Paramendim,
dhe gjakftohtësi,
ndaj dhe Çdo Vendim,
është një poshtërsi.

Nuk ka tjetër emër,
ti je dollibashi,
por të ka dhënë zëmër,
atë ditë Lulashi.

Lulashi që njohim,
ministrin bufon,
që sot po e shohim,
si na bilbilon!

Si po ndez stuhinë,
si po sjell rrebesh,
ky që me Salinë,
njerëz vranë në shesh!

Ky që bilbilon,
tok me babën Salë,
dhe dot nuk duron,
nga Rama një fjalë!!!

Ti ore kokosh,
që solle mandatën,
nuk ke gojë të mbrosh,
sot administratën.

Do administrata,
avokat vërtetë,
po jo ty me Salën,
që vratë katër vetë.

Jo ti o Lulash,
me babën Sali,
këtë unë e quaj,
një moral të zi.

Nga punët ca njerëz,
dhe mund të largohen,
po këto me vrasjet,
kurrë s’krahasohen!

Kam thënë dhe më parë,
diku për Lulushin,
që don t’i fërkojnë,
edhe bibilushin!

Ndaj dhe po më duket,
karabush vërtetë,
se askush për krimet,
s’ka imunitet.

Edhe po të jesh,
Njësh’ i opozitës,
S’ka-se vrau njerëz,
m’u në mes të ditës.

Me mostrat si ju,
groshi na ka pjellë,
nga “qëndresa” blu,
na vjen për të vjellë.

E shihni si rreket,
kopja e Saliut,
që tani mos preket,
e drejtë e njeriut!

Si kali balash,
ditë për ditë na del,
po ti o Lulash,
je një kriminel!

Kështu je Luladhe,
për hir të vërtetës,
se është me e madhe,
e drejta e jetës.

Je jashtë loje krejtë,
kot që bën si gorre,
sepse kjo e drejtë,
është themelore.

E dimë se ç’ka ngjarë,
kur revolta plasi,
kush njerëz ka vrarë,
s’ka të drejtë të flasi.

Ç’vendos sot gjykata,
nuk ka vlerë aspak,
se ju o mandata,
kini derdhur gjak.

E drejta do kthejë,
pa u tharë loti,
dhe haka do vejë,
shumë shpejt tek i zoti.

Krimi edhe ju,
në qeli do ngryset,
dhe sikur këtu,
bota të përmbyset!

Prej krimit dhe mundit,
lodhet njerëzia,
po në fund të fundit,
fiton drejtësia.

Sot akoma jini,
në një histeri,
po vendin e kini,
vetëm në qeli.

Kur çdo krim vërtetë,
të kaloi në zigj,
SHTETI DO JETË SHTET,

LIGJI DO JETË LIGJ! 


*   *   *



September 27, 2013

Vizite Zyrtare ne USA



Kthejeni në shtëpi 


“Raxh Kapurin” tonë!



Nga Mero Baze

Bujar Nishani ka më shumë se një javë që ka ikur në SHBA. Nuk është se i duhet dikujt këtu, dhe as që ka lënë ndonjë boshllëk, por udhëtimi i tij mbi njëjavor në diasporën shqiptare në SHBA, duhet të marrë fund për arsye etike. Dhe nuk e kam fjalën për gjendjen e tij shëndetësore, që nuk i mundëson një luks të tillë të bredhë nga një restorant shqiptar në tjetrin. E kam fjalën për sëmundjen e tij të vjetër, atë të ushtarit politik të Sali Berishës, që e ka detyruar në atë gjendje të rëndë shëndetësore që është, të udhëtojë derë më derë shqiptarësh në SHBA që të duket se dhe ai ka qenë në SHBA njësoj si Edi Rama.

Është e qartë se sesioni i zakonshëm i OKB në muajin shtator kishte të ftuar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Vetë Presidenti është nxituar me sa duket muaj më parë gjatë verës, kur Berisha ishte ende në zyrë dhe nuk është përfshirë në delegacion. E ka pasur të lehtë të përfshihej pasi aty shkojnë dhe presidentët.

Por javën e parë të shtatorit, kur Berisha doli nga zyra dhe ka menduar udhëtimin e Edi Ramës në Nju Jork, e ka detyruar Presidentin të niset dhe ai për në SHBA për të dubluar dhe ai vizitën e Kryeministrit. Nëse i hedh një sy protokollit të vizitës së Bujar Nishanit në SHBA, e kupton se ai është një protokoll i hartuar me urgjencë dhe telefon nga Sali Berisha. Protokolli i tij dominohet nga pritja tek shoqata Vatra, pastaj vazhdon me dreka dhe darka shqiptarësh, të cilët emërtohen një herë biznesmenë, pastaj patriotë, pastaj arsimdashës, pastaj politikanë, pastaj diasporë… e kështu me radhë. Fjalimet e tij po ashtu janë qesharake nga takimi në takim, dhe mesazhet vulgare, pasi janë të dyzuara mes porosive që i jep Berisha në telefon dhe zorit që ka t’i thotë tamam porositë e tij para atyre shqiptarëve që u ka zënë derën nga mëngjesi në darkë.

Ky është një udhëtim i sikletshëm. I sikletshëm jo vetëm se Presidenti ynë nuk e ka të lehtë të hipë e zbresë nga makina, avioni apo shkallët e restorantit, por dhe të sillet si President në kafene shqiptarësh. Diaspora jonë në SHBA nuk ka ndonjë hall aq të madh dhe as ndonjë ngjarje jubilare të madhe që të presë një javë kafe më kafe Presidentin tonë. Dhe ata janë njerëz me halle e punë dhe kanë telashet e tyre. Nuk ka pse u shtojmë dhe një telash më shumë, të presin një tip që shëtit me paterica vetëm për t’u dukur sikur ka ikur në SHBA.

Ata po ashtu nuk kanë nevojë të madhe të dëgjojnë fjali të tipit “që një qeveri të jetë e mirë, duhet të punojë”, që “shteti ka nevojë për reforma” apo broçkulla të ngjashme. Ata kanë nevojë të shikojnë Shqipërinë si një vend normal, ku ata shpresojnë të jetojnë mirë të afërmit e tyre.

Presidenti ynë, i pafuqishëm për të kundërshtuar dhe ish- Kryeministrin që e ka dërguar “bedel” për të dubluar një vizitë zyrtare të Kryeministrit dhe takimet e tij, duhet të kthehet urgjent në Tiranë, ose të marrë telefonin, të thërrasë Edi Ramën dhe t’i bashkohet delegacionit të tij për t’u bërë njeri dinjitoz. Edi Rama nuk e ka bezdi të presë dhe një biletë më shumë për Bujar Nishanin meqë gjendet në SHBA dhe ta marrë me vete. Nuk i kushton gjë as ta merrte në OKB dhe në takimet e tij me nivelet më të larta të politikës që ka bërë në SHBA. Ai për fatin tonë të keq është presidenti ynë dhe kur poshtërohet kështu rrugëve, ndjehemi të gjithë të fyer. Për këtë arsye ai duhet të kthjellohet dhe të kuptojë se Sali Berisha ka ikur nga pushteti dhe nuk ka pse i frikësohet ende. Ai duhet të çlirohet dhe të sillet së paku si një njeri normal, i cili nëse ka dëshirë të shkojë në SHBA, mund të shkojë bashkë me delegacionin zyrtar të Shqipërisë. I ikur vetëm si klandestin, dhe duke shëtitur nga një restorant qoftesh në një piceri, dhe duke përfunduar në çajtoret e shqiptarëve në Detroit, duke folur për politikën shqiptare, ai na bën qesharakë të gjithëve.


Edhe pse ka probleme shëndetësore, që mund t’i kenë prekur dhe trurin, dikush duhet t’i kujtojë se është Presidenti i Shqipërisë dhe nuk ka pse sillet rrugëve si halabak. Kthejeni në shtëpi të qetësohet dhe të ndërpresë këtë udhëtim banal alla “Raxh Kapuri” me trasta në krah. Kthejeni në shtëpi dhe hiqjani frikën që ende nuk i del nga Sali Berisha. Kthejeni në shtëpi mes të tjerash të mos llomotitë rrugëve duke gënjyer akoma siç e mëson Sali Berisha, kur thotë se në Presidencë ka staf me bindje politike të ndryshme, ndërkohë që nuk ka asnjë njeri që të ketë mendime të ndryshme për Berishën dhe Lulin. Ka hequr andej dhe pastrueset e Bamir Topit, i cili në shumicë e kishte stafin me njerëz të PD-së. Kthejeni në shtëpi të mos dëgjojmë gënjeshtrat që i dërgon Berisha me sms dhe që e kthejnë debatin real politik të Shqipërisë në një çështje kafenesh në SHBA. Le të vijë t’i thotë para nesh ato gjëra nëse nuk ka turp. Po së paku të qetësohet dhe të rehatohet në shtëpi të vet pasi të flasë. Ka mbi një javë që po rropatet rrugëve dhe nuk e lënë të kthehet pa u kthyer Edi Rama. Dikush duhet të merret seriozisht me fatin e tij, dhe sidomos imazhin e Presidentit të Shqipërisë, i cili po bëhet si “Raxh Kapuri” i filmit të famshëm indian, në kërkim të fatit rrugëve të SHBA.

                                                     *   *   *




September 25, 2013

Në Litar

Korrigjim Shënjestre



FOTOT provokuese të Berishës 

përpara litarit…

Gazeta Dita, e njohur për titujt e saj provokativë, ka sjellë disa foto në versionin e saj në print, ku ish- kryeministri Sali Berisha qëndron përpara një litari.

Fotot janë realizuar nga fotoreporteri Franc Zhurda disa vite më parë, por nuk janë botuar deri më sot.

Ato janë realizuar në një ekspozitë të titulluar “Atmosfera e viteve ’90”.

Vetë Zhurda e kujton kështu momentin e realizimit të fotove: “Doja të fiksoja pamjen e tij përpara litarit. Pak a shumë në foto e kam dhënë këtë, por në momentin kur koka do korrespondonte me lakun, sigurisht në largësi, një bodigard mu afrua dhe më shtyu, dhe unë nuk arrita të bëja dot foton finale. Por edhe këto që kam shkrepur e japin idenë dhe besoj janë foto që flasin”






September 21, 2013

Turpi i Kombit Shqiptar


Etërit dhe Krye-Ati 

(një portret i paautorizuar i S.B. para dhe pas ’90-s)


“Këta janë neobllokmenët, të mbushur me urrejtje dhe vetëm urrejtje të etërve të tyre… Ne jemi dhe do të jemi për çdo qëndresë, për çdo sakrificë, për të mbrojtur vlerat e lirisë nga bijtë e etërve mizorë.”  Sali Berisha

Nga Viktor Malaj

Kur lexon thënien e mësipërme të Sali Berishës, të shkruar në Dhomën e tij të Ngushëllimit që quhet Fejsbuk (Facebook), ku, herë pas here i bëjnë shoqëri Topalli dhe ndonjë ish-deputet vulëhumbur, njeriu normal stepet një çast. Stepet ngaqë kujton se ka të bëjë me një ish të dënuar politik të regjimit komunist, se jemi në vitin 1990 dhe se do të ishte fat për Shqipërinë dhe shqiptarët po t’ia besonin të ardhmen e vendit e të popullit këtij individi që është i gatshëm “me sakrifikue” përballë diktaturës. Mirëpo, shpejt zgjohesh nga kllapia dhe kupton se sa i madh ka qenë mashtrimi që i ka shoqëruar shqiptarët tash thuajse një çerek shekulli, sa i madh dhe i paturpshëm ka qenë keqpërdorimi që iu është bërë ndjenjave të tyre dhe sa i madh është zhgënjimi që iu ka sjellë shqiptarëve veprimtaria politike e njeriut me maska, që quhet Sali Berisha.

I dështuar si kryetar shteti, i braktisur si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, i zvetënuar si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i paaftë dhe pervers si Kryeministër i vendit, i diskredituar si alternativë qeverisëse dhe i zbuar nga pushteti në mënyrë plebishitare disa herë, deputeti Sali Berisha nuk ka më asgjë për t’iu ofruar shqiptarëve, përveç pamjes së tij të shpërfytyruar, sjelljes së tij haluçinante ndaj armiqve imagjinarë, me të cilët ka jetuar tash 23 vjet në ndërgjegjen e tij dhe ka luftuar po kaq gjatë në beteja donkishoteske, duke tërhequr pas vetes edhe një pjesë të popullit për t’ia kundërvënë pjesës tjetër, gjithmonë në shërbim të vetes dhe të një bande që e rrethon.

Meqë ai dhe frymorët që ruajnë stanin e tij po e përdorin disa herë “gogolin” e etërve,  është mirë që t’i ftillojmë disa gjëra. Po e nisim me pyetje të thjeshta: Me “etër” kuptohen baballarët biologjikë apo ata politikë, kundërshtarë të stanit Berisha? Nëse të tillë quhen paraardhësit biologjikë të pushtetarëve të sotëm, cilat janë krimet që ata kanë kryer dhe pse nuk janë ndëshkuar? Në qoftë se me “etër” kuptohet kasta politike e para 1990 apo krejt anëtarët e partisë komuniste të atëhershme, atëherë, cilat kanë qenë raportet e Saliut me ata dhe, a thua vallë, të gjithë ata të kenë qenë kriminelë e mëkatarë?

Le të marrim rastin e “etërve” biologjikë. Disa prej anëtarëve të qeverisë së re i kanë pasur prindërit anëtarë të PPSH dhe funksionarë të rangjeve të mesme në kohën e regjimit komunist, hiç më pak se fëmijët e Saliut. Cili prej këtyre paraardhësve pati kryer krime kundër popullit dhe, nëse po, përse “mbrojtësi i lirisë” Sali Berisha nuk i dërgoi në gjyq përgjatë 23 vjetëve? Nëse prindërit e këtyre qeveritarëve patën kryer krime dhe mëkate, a mund të jenë përgjegjës pasardhësit e tyre për ato akte? Prindërit biologjikë nuk zgjidhen, ata rastisin. E kundërta ndodh me “prindërit” politikë, këta zgjidhen. Është pikërisht kjo zgjedhja që Sali Berisha bëri dikur. Me ndërgjegje, me vullnet të lirë, pati bërë lutje të pranohej në partinë e “etërve”. Në lutje ka shprehur besnikërinë ndaj parimeve ideologjike të partisë së “etërve”, mirënjohjen për veprat konkrete të partisë si dhe betimin për t’i shërbyer asaj me devotshmëri. Dhe, e ka mbajtur fjalën për 22 vjet rresht. Madje, kur kujtojmë sjelljet që ka demonstruar shohim se besnikëria e tij ka shkuar përtej gardhit të devotshmërisë së kërkuar. Devotshmëria e tij nuk ndali deri ditën që “mjekët” nuk dhanë më shpresa shpëtimi për “nënën” parti. Nëse “etërit” ishin mizorë, fëmijët e tyre biologjikë nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie. Në respekt të këtij parimi as pasardhësit biologjikë të Sali Berishës nuk mbajnë përgjegjësi për krimet e kryera nga ati i tyre. Ndryshe qëndron çështja me bijtë politik të këtyre etërve. Ata kanë përgjegjësi morale në raport të drejtë me sjelljen partiake, e cila nuk mund të mos ndikohet nga “mosha partiake”.

Nëse me “etër” kuptohet kasta drejtuese e regjimit komunist apo të gjithë ish-anëtarët e asaj partie, atëherë këtu ndryshon puna. Që disa “etër” politikë mbanin përgjegjësi morale dhe ligjore për gabimet, fajet dhe krimet e regjimit komunist, kjo nuk vihet në dyshim. Që të tillë “etër” duheshin akuzuar e dënuar ashpër për aktet e kryera, është konkluzion që gëzon konsensus mbarëshqiptar. Mirëpo, të denigrosh, akuzosh, fyesh dhe poshtërosh mijëra e mijëra djem dhe vajza, burra dhe gra të këtij vendi që, në moshën më të bukur rinore, lanë familjet apo shkollat jashtë shtetit dhe rrëmbyen armët kundër pushtuesve nazi-fashistë dhe, më vonë, qenë të parët që punuan në të gjitha skajet e Shqipërisë për të përhapur arsimin, kulturën, dijen, dritën elektrike, shërbimin shëndetësor, për të parandaluar gjakmarrjen, për të ndërtuar hekurudha dhe rrugë automobilistike, për të tharë këneta dhe mbjellë pemë, dhe, edhe pas dyzet viteve diktaturë nuk përfituan asgjë materiale më shumë se pjesa tjetër e popullsisë, do të thotë të përçmosh idealizmin, të nëpërkëmbësh atdhetarizmin dhe të tallesh me humanizmin. Pavarësisht kohës, pavarësisht bëmave të regjimit komunist, e vërteta e madhe është se shumica e anëtarëve të partisë që sundoi gjatë atij regjimi, kanë bërë pjesë në elitën morale të shoqërisë shqiptare. Jo pak prej tyre e ngritën zërin kundër padrejtësive të regjimit dhe jo pak prej tyre e pësuan nga regjimi “i tyre”. Madje, mospajtimi i tyre me padrejtësitë e kohës ka qenë ku e ku më i shpeshtë dhe më i madh se ai që mbajnë anëtarët e partive politike aktuale shqiptare ndaj fajeve dhe krimeve që janë kryer apo kryhen nga udhëheqjet e partive përkatëse.

Përveç kësaj, nuk mund të mos trishtohesh dhe revoltohesh kur dëgjon e shikon se kush janë ata që prej një çerek shekulli përpiqen pareshtur të hedhin baltë dhe të poshtërojnë mijëra njerëz të pafajshëm, kur shikon dhe dëgjon gjithfarë horrash, mashtruesish, kontrabandistësh, hajnash dhe atdheshitës që, me paratë e krimit dhe me krimet e pushtetit, kanë ngritur një perandori të tërë propagande që synon tjetërsimin e të vërtetës.

Përpjekjet e pareshtura të Sali Berishës për t’i vënë gjysmën e shqiptarëve kundër gjysmës tjetër kanë qenë dhe mbesin përpjekje për ta përdorur të shkuarën për qëllimet e të sotmes. Pra në shërbim të pushtetit të tij personal dhe klanor, por kurrsesi në shërbim të vendit dhe popullit, pasi një konflikt i tillë, tërësisht i stisur dhe krejt i dëmshëm, shkon kundër progresit.

Sapo erdhi në pushtet në vitin 1992, Sali Berisha tha: “Të gjithë jemi bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Këtë të pavërtetë nuk e mbrojti për shumë kohë. Më vonë, për qëllime pushtetmbajtëse dhe pushtetmarrëse, nisi t’i vlerësojë njerëzit, jo duke u nisur nga raporti i tyre me të shkuarën, por nga marrëdhëniet e tyre me pushtetin e tij. Mbi këtë bazë ka bërë dhe bën ndarjen në “të mirë” dhe “të këqij”, në “bashkëvuajtës” dhe “mëkatarë”, në “shërbëtorë të shtetit” dhe në “kriminelë”.

E, ndërsa flet për “etër mizorë”, është koha dhe vendi t’i tregohet këtij farë burri se ai, personalisht, është dy herë “atë”. Është “atë” i së shkuarës jo thjeshtë pse ishte anëtar dhe madje sekretar partie në atë regjim, por sepse ishte një individ dhe partiak ekstremist, sepse si individ ka qenë dëshmitar vullnetar në gjyqe politike dhe ka tejkaluar detyrimet ligjore të dëshmitarit, duke bërë të tijin rolin e prokurorit. Këtë bëri në gjyqin e të ndjerit Hysen Shoshori ku kërkoi dënimin me vdekje të të akuzuarit. Si sekretar partie ka qenë po aq ekstremist kur ka këmbëngulur në përjashtimin nga partia dhe degdisjen në Kavajë të mikeshës së tij, mjekes së ndjerë Margarita Kostaqi, në një kohë që instancat më të larta partiake ishin për ndëshkim më të lehtë.


Sali Berisha ishte “atë” në të shkuarën sepse, në sajë të etjes së tij për pushtet, edhe brenda atij regjimi, arriti të bëhej aq i besuar dhe i afërt me kupolën drejtuese sa të punësohej për t’i shërbyer shëndetit të tyre, të bënte fotografi me shumë prej tyre, të shkonte në shtëpinë e “Kryeatit” për të shprushur zjarrin në vatrën e tij dhe të bënte pushimet në Pogradec me bijtë biologjikë të “Kryatit”.

E, ndërsa ka qenë një “atë” i vogël në të shkuarën komuniste, Sali Berisha mbetet “Kryeati” i periudhës paskomuniste. Si i tillë ai është përgjegjës moral, historik dhe ligjor për shumicën e krimeve dhe të këqijave të kësaj periudhe. Ai është babai i turmave të egërsuara që vodhën, plaçkitën dhe dogjën Shqipërinë në vitet 1990-1992 dhe 1998; ai është nxitësi, përkrahësi dhe mbrojtësi i gjithë plaçkitësve të tokave të zonave fushore; është “i verbëri” që nxiti mijëra ndërtime pa leje dhe “arkitekti” i urbanistikës më të shëmtuar dhe jofunksionale në Evropë; ai është frymëzuesi, skenaristi dhe regjisori i shitjes për pesë lekë të pasurive kombëtare tek matrapazët dhe shërbëtorët e tij politikë; ai është koka e kontrabandës së naftës gjatë sundimit të tij të parë, si dhe koka e kontrabandës së armëve gjatë gjithë sundimeve të tij; ai është Don Korleone i Kartelit të Drogës së Lazaratit dhe bashkëpunëtor i Mafies së Plehrave. Sali Berisha do të mbetet ati i kioskëzimit të Shqipërisë dhe gardiani i Firmave Piramidale. Ai është “koka e trukimit të zgjedhjeve” dhe komandanti i banditëve të dhunimit të votimeve të vitit 1996; është urdhëruesi real i rrahjes dhe burgosjes së gazetarëve, si dhe i djegies së redaksisë së gazetës “Koha Jonë” në vitin 1997; është urdhëruesi dhe dirigjuesi i burgosjeve politike të mbas 1990 dhe i vrasjeve të kundërshtarëve politikë. Sali Berisha është përgjegjësi kryesor për “humbjen” e 230 milion eurove në ndërtimin e një segmenti të rrugës Durrës-Kukës, si dhe në nënshkrimin e Marrëveshjes Antikombëtare të Detit me Greqinë. Ai është i vetmi drejtues shteti në historinë e Shqipërisë që ka urdhëruar përdorimin e artilerisë, aviacionit dhe Lëndëve Helmuese Luftarake kundër popullit të vet (mars 1997).

Këto dhe bëma të tjera janë të mjaftueshme që të kuptohet se është krejtësisht e padobishme gjuha e batutave që përdoret ndaj tij nga parlamentarët. Me Sali Berishën duhet të përdoret vetëm gjuha e instrumenteve ligjorë. Adresimi tek ligji dhe vënia përpara tij janë shumë më të rëndësishëm se sa nxjerrja e tij nga SHQUP-i. Megjithëse ka punuar me ngulm për t’ia nënshtruar sistemin e drejtësisë interesave të veta, është frika nga ligji ajo që e bën të lëshojë britmën: “Do zhvilloj betejën më të madhe të këtyre 20 viteve për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve…”.

Premtimi i tij kryesor në fillim të viteve ’90 ka qenë ndërtimi i shtetit ligjor, por në vend të tij ngriti “regjimin gangster”, siç e ka quajtur shtypi i huaj, por siç na e ka provuar vazhdimisht me akte konkrete deri edhe ditët e fundit me vendimin e dhënë për krimet e 21 janarit nga gjyqtarë në shërbim të tij. Mbi të gjitha, ai ka humbur betejën me të vërtetën, me të drejtën dhe me moralin. Betejat e ardhshme, që i shpall si luftë për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve, janë kërcënime për t’iu shmangur ndëshkimit për krimet që ka kryer si “Kryeatë” i periudhës 22-vjeçare. Dhe “Kryeati” nuk mund të ketë të drejtë të flas për “etër mizorë”. E ku ka gjë më mizore sesa të të marrin fëmijën, ta shesin për 500 euro, sikur të ishte qengj dhe ta bëjnë kurban për tregti organesh? Ku ka çnjerëzim dhe poshtërim më të madh për shqiptarin sesa të të mashtrojnë apo rrëmbejnë vajzën, motrën apo mbesën, ta zhgërryejnë nëpër rrugët apo bordellot e botës dhe me ato para të ndërtojnë vila e hotele luksoze, të cilat “Kryeati” Sali ua paraqet shqiptarëve si arritje të bollëkut që solli sundimi i tij? Ku ka antihumanizëm më të madh sesa, me politikat e tua, t’i detyrosh qindra, në mos mijëra, njerëz të vrasin veten ngaqë nuk janë në gjendje të sigurojnë minimumin jetik? Ku ka padrejtësi më të madhe se, pas 20 vitesh në pushtet, fëmijët e tu të futin në xhepa një milion euro në vit dhe një milion shqiptarë detyrohen të braktisin vendin, ose të marrin bukën me lista për të mbajtur gjallë fëmijët dhe veten? Ku ka maskarallëk më të madh se të krijosh të tilla rrethana që mijëra shqiptarë, në vend që të shkojnë në punë, t’iu drejtohen kazinove dhe vendeve të bixhozit apo të gjejnë “ngushëllim” tek përdorimi i drogës? Ku ka regres më të madh se sa në shekullin e 21-të t’i rikthesh popullit tënd gjakmarrjen dhe analfabetizmin ?

Ata që s’e njohin por vetëm e dëgjojnë duke folur këtë sharlatan, mund të gënjehen lehtë dhe të besojnë se ai është armik i krimeve dhe padrejtësive të çdo kohe. E vërteta është krejt ndryshe. Pas vitit 1990 Sali Berisha u bë miku dhe reabilituesi i të gjithë ish-bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazi-fashistë, i gjithë spiunëve të të huajve dhe i kriminelëve të të gjitha ngjyrave, mjafton që të besonte se aleanca me ta apo me emrat e tyre i shërbente pushtetit të tij. Në vitin 1993, si President i Shqipërisë priti dhe dekoroi njërin nga përfaqsuesit më të denjë të errësirës dhe të krimit, Ndue P. Gjomarkaj. Gjomarkaj e mori dekoratën nga Berisha pasi kishte pohuar se me urdhërin e tij ishin vrarë në Shqipëri mbi 60 vetë. Dhe ky pohim ishte i vërtetë. Ai dhe bandat e tij kishin vrarë mësuesin që kërkonte hapjen e shkollave, deputetin që fali gjakun e të vëllait dhe punoi për zhvillimin e Mirditës, kishin vrarë dhe gjymtuar vajzat mirditore që ” mëkatuan ” duke shkuar në aksione hekurudhore etj.etj.

Më vonë, si kryeministër, Sali Berisha i ngriti himne dhe statuja Ahmet Zogut i cili, përveç se burgosi, internoi dhe pushkatoi kundërshtarët politikë, ashtu si Hoxha, bëri edhe tri akte të tjera antishqiptare: Tjetërsoi territorin e Shqipërisë ( siç tentoi Berisha më vonë ), braktisi vendin kur ai kishte më shumë nevojë për të, duke shkelur edhe Kushtetutën ( Statutin ) dhe betimin e tij si dhe mori arin e popullit shqiptar dhe e përdori për nevojat e tij familjare. Dhe jo vetëm kaq, por Sali Berisha iu dha pasardhësve të tij vila dhe pallate në gjithë Shqipërinë, të cilat ishin ndërtuar dikur me paratë e popullit.

Është  makthi i krimeve që ka kryer dhe i veprave të turpshme që e shtyn t’i drejtohet kundërshtarit politik ( që ka moshën e fëmijëve të tij ) me kërcënimin: “Mos i provoko shqiptarët me Hoxhën se do përballesh me zemërimin e tyre më të fuqishëm….!” (e tha në mbledhjen e qeverisë) dhe, pastaj, nëpërmjet gazetës terroriste RD (sipas Azem Hajdarit, në vitin 1996), e paralajmëron: “Kujdes Edvin Rama! Fundi i etërve të tu ishte tërheqja zvarrë”. Meqë këtë shprehje e kanë përdorur edhe shumë buburreca të politikës prej dy dhjetëvjeçarësh, është vendi të themi se nuk njihet asnjë “atë” që të jetë tërhequr zvarrë deri tani. I vetmi “atë” që shpëtoi për një qime nga ky akt ka qenë Sali Berisha në vitin 1997. Jo nga zotësia e tij, por nga ndërhyrja e të huajve.

Nëse rrëzimi dhe tërheqja e statujës së Hoxhës në shkurt 1991 quhet e tillë, atëherë më duhet të them se kemi të bëjmë me një shaka historike dhe një tallje etike. Rrëzimi i statujës në fjalë nuk ka qenë as akt dinjitoz dhe as akt trimëror. Ky konkluzion nuk vë në dyshim nevojën e heqjes së statujës por tregon një të vërtetë historike dhe universale. Aq më pak ka qenë i tillë ky akt kur ka pasur edhe përkrahjen e autoriteteve politike në pushtet. Turmat e ndërkryera dhe të ndërsyera nuk kryejnë kurrë akte dinjitoze. Kjo vlen si për turmat e 1990-1991 ashtu edhe për ato të 1997-1998. Siç thoshte Timothy T. Fortune, “Sjellja e turmave është shprehja më bindëse e një opinioni publik jonormal. Ajo tregon se shoqëria është e kalbur deri në palcë”. Ata që merren me statujat e bustet janë po aq trima sa krimbat që merren me kufomat. Prandaj proklamuesit e “tërheqjeve zvarrë” kanë problem edhe me historinë, edhe me etikën, por, mbi të gjitha, me të vërtetën.