“Këta
janë neobllokmenët, të mbushur me urrejtje dhe vetëm urrejtje të etërve të
tyre… Ne jemi dhe do të jemi për çdo qëndresë, për çdo sakrificë, për të
mbrojtur vlerat e lirisë nga bijtë e etërve mizorë.” Sali Berisha
Nga Viktor Malaj
Kur lexon thënien e
mësipërme të Sali Berishës, të shkruar në Dhomën e tij të Ngushëllimit që quhet
Fejsbuk (Facebook), ku, herë pas here i bëjnë shoqëri Topalli dhe ndonjë
ish-deputet vulëhumbur, njeriu normal stepet një çast. Stepet ngaqë kujton se
ka të bëjë me një ish të dënuar politik të regjimit komunist, se jemi në vitin
1990 dhe se do të ishte fat për Shqipërinë dhe shqiptarët po t’ia besonin të
ardhmen e vendit e të popullit këtij individi që është i gatshëm “me
sakrifikue” përballë diktaturës. Mirëpo, shpejt zgjohesh nga kllapia dhe kupton
se sa i madh ka qenë mashtrimi që i ka shoqëruar shqiptarët tash thuajse një
çerek shekulli, sa i madh dhe i paturpshëm ka qenë keqpërdorimi që iu është
bërë ndjenjave të tyre dhe sa i madh është zhgënjimi që iu ka sjellë
shqiptarëve veprimtaria politike e njeriut me maska, që quhet Sali Berisha.
I dështuar si kryetar
shteti, i braktisur si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, i zvetënuar si
Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i paaftë dhe pervers si
Kryeministër i vendit, i diskredituar si alternativë qeverisëse dhe i zbuar nga
pushteti në mënyrë plebishitare disa herë, deputeti Sali Berisha nuk ka më
asgjë për t’iu ofruar shqiptarëve, përveç pamjes së tij të shpërfytyruar,
sjelljes së tij haluçinante ndaj armiqve imagjinarë, me të cilët ka jetuar tash
23 vjet në ndërgjegjen e tij dhe ka luftuar po kaq gjatë në beteja
donkishoteske, duke tërhequr pas vetes edhe një pjesë të popullit për t’ia
kundërvënë pjesës tjetër, gjithmonë në shërbim të vetes dhe të një bande që e
rrethon.
Meqë ai dhe frymorët
që ruajnë stanin e tij po e përdorin disa herë “gogolin” e etërve, është mirë që t’i ftillojmë disa gjëra. Po e
nisim me pyetje të thjeshta: Me “etër” kuptohen baballarët biologjikë apo ata
politikë, kundërshtarë të stanit Berisha? Nëse të tillë quhen paraardhësit
biologjikë të pushtetarëve të sotëm, cilat janë krimet që ata kanë kryer dhe
pse nuk janë ndëshkuar? Në qoftë se me “etër” kuptohet kasta politike e para
1990 apo krejt anëtarët e partisë komuniste të atëhershme, atëherë, cilat kanë
qenë raportet e Saliut me ata dhe, a thua vallë, të gjithë ata të kenë qenë
kriminelë e mëkatarë?
Le të marrim rastin e
“etërve” biologjikë. Disa prej anëtarëve të qeverisë së re i kanë pasur
prindërit anëtarë të PPSH dhe funksionarë të rangjeve të mesme në kohën e
regjimit komunist, hiç më pak se fëmijët e Saliut. Cili prej këtyre
paraardhësve pati kryer krime kundër popullit dhe, nëse po, përse “mbrojtësi i
lirisë” Sali Berisha nuk i dërgoi në gjyq përgjatë 23 vjetëve? Nëse prindërit e
këtyre qeveritarëve patën kryer krime dhe mëkate, a mund të jenë përgjegjës
pasardhësit e tyre për ato akte? Prindërit biologjikë nuk zgjidhen, ata
rastisin. E kundërta ndodh me “prindërit” politikë, këta zgjidhen. Është
pikërisht kjo zgjedhja që Sali Berisha bëri dikur. Me ndërgjegje, me vullnet të
lirë, pati bërë lutje të pranohej në partinë e “etërve”. Në lutje ka shprehur
besnikërinë ndaj parimeve ideologjike të partisë së “etërve”, mirënjohjen për
veprat konkrete të partisë si dhe betimin për t’i shërbyer asaj me devotshmëri.
Dhe, e ka mbajtur fjalën për 22 vjet rresht. Madje, kur kujtojmë sjelljet që ka
demonstruar shohim se besnikëria e tij ka shkuar përtej gardhit të
devotshmërisë së kërkuar. Devotshmëria e tij nuk ndali deri ditën që “mjekët”
nuk dhanë më shpresa shpëtimi për “nënën” parti. Nëse “etërit” ishin mizorë,
fëmijët e tyre biologjikë nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie. Në respekt të këtij
parimi as pasardhësit biologjikë të Sali Berishës nuk mbajnë përgjegjësi për
krimet e kryera nga ati i tyre. Ndryshe qëndron çështja me bijtë politik të
këtyre etërve. Ata kanë përgjegjësi morale në raport të drejtë me sjelljen
partiake, e cila nuk mund të mos ndikohet nga “mosha partiake”.
Nëse me “etër”
kuptohet kasta drejtuese e regjimit komunist apo të gjithë ish-anëtarët e asaj
partie, atëherë këtu ndryshon puna. Që disa “etër” politikë mbanin përgjegjësi
morale dhe ligjore për gabimet, fajet dhe krimet e regjimit komunist, kjo nuk
vihet në dyshim. Që të tillë “etër” duheshin akuzuar e dënuar ashpër për aktet
e kryera, është konkluzion që gëzon konsensus mbarëshqiptar. Mirëpo, të
denigrosh, akuzosh, fyesh dhe poshtërosh mijëra e mijëra djem dhe vajza, burra
dhe gra të këtij vendi që, në moshën më të bukur rinore, lanë familjet apo
shkollat jashtë shtetit dhe rrëmbyen armët kundër pushtuesve nazi-fashistë dhe,
më vonë, qenë të parët që punuan në të gjitha skajet e Shqipërisë për të
përhapur arsimin, kulturën, dijen, dritën elektrike, shërbimin shëndetësor, për
të parandaluar gjakmarrjen, për të ndërtuar hekurudha dhe rrugë automobilistike,
për të tharë këneta dhe mbjellë pemë, dhe, edhe pas dyzet viteve diktaturë nuk
përfituan asgjë materiale më shumë se pjesa tjetër e popullsisë, do të thotë të
përçmosh idealizmin, të nëpërkëmbësh atdhetarizmin dhe të tallesh me
humanizmin. Pavarësisht kohës, pavarësisht bëmave të regjimit komunist, e
vërteta e madhe është se shumica e anëtarëve të partisë që sundoi gjatë atij
regjimi, kanë bërë pjesë në elitën morale të shoqërisë shqiptare. Jo pak prej
tyre e ngritën zërin kundër padrejtësive të regjimit dhe jo pak prej tyre e
pësuan nga regjimi “i tyre”. Madje, mospajtimi i tyre me padrejtësitë e kohës
ka qenë ku e ku më i shpeshtë dhe më i madh se ai që mbajnë anëtarët e partive
politike aktuale shqiptare ndaj fajeve dhe krimeve që janë kryer apo kryhen nga
udhëheqjet e partive përkatëse.
Përveç kësaj, nuk
mund të mos trishtohesh dhe revoltohesh kur dëgjon e shikon se kush janë ata që
prej një çerek shekulli përpiqen pareshtur të hedhin baltë dhe të poshtërojnë
mijëra njerëz të pafajshëm, kur shikon dhe dëgjon gjithfarë horrash,
mashtruesish, kontrabandistësh, hajnash dhe atdheshitës që, me paratë e krimit
dhe me krimet e pushtetit, kanë ngritur një perandori të tërë propagande që
synon tjetërsimin e të vërtetës.
Përpjekjet e
pareshtura të Sali Berishës për t’i vënë gjysmën e shqiptarëve kundër gjysmës
tjetër kanë qenë dhe mbesin përpjekje për ta përdorur të shkuarën për qëllimet
e të sotmes. Pra në shërbim të pushtetit të tij personal dhe klanor, por
kurrsesi në shërbim të vendit dhe popullit, pasi një konflikt i tillë,
tërësisht i stisur dhe krejt i dëmshëm, shkon kundër progresit.
Sapo erdhi në pushtet
në vitin 1992, Sali Berisha tha: “Të gjithë jemi bashkëvuajtës dhe
bashkëfajtorë”. Këtë të pavërtetë nuk e mbrojti për shumë kohë. Më vonë, për
qëllime pushtetmbajtëse dhe pushtetmarrëse, nisi t’i vlerësojë njerëzit, jo
duke u nisur nga raporti i tyre me të shkuarën, por nga marrëdhëniet e tyre me
pushtetin e tij. Mbi këtë bazë ka bërë dhe bën ndarjen në “të mirë” dhe “të
këqij”, në “bashkëvuajtës” dhe “mëkatarë”, në “shërbëtorë të shtetit” dhe në
“kriminelë”.
E, ndërsa flet për
“etër mizorë”, është koha dhe vendi t’i tregohet këtij farë burri se ai,
personalisht, është dy herë “atë”. Është “atë” i së shkuarës jo thjeshtë pse
ishte anëtar dhe madje sekretar partie në atë regjim, por sepse ishte një
individ dhe partiak ekstremist, sepse si individ ka qenë dëshmitar vullnetar në
gjyqe politike dhe ka tejkaluar detyrimet ligjore të dëshmitarit, duke bërë të
tijin rolin e prokurorit. Këtë bëri në gjyqin e të ndjerit Hysen Shoshori ku
kërkoi dënimin me vdekje të të akuzuarit. Si sekretar partie ka qenë po aq
ekstremist kur ka këmbëngulur në përjashtimin nga partia dhe degdisjen në
Kavajë të mikeshës së tij, mjekes së ndjerë Margarita Kostaqi, në një kohë që
instancat më të larta partiake ishin për ndëshkim më të lehtë.
Sali Berisha ishte
“atë” në të shkuarën sepse, në sajë të etjes së tij për pushtet, edhe brenda
atij regjimi, arriti të bëhej aq i besuar dhe i afërt me kupolën drejtuese sa
të punësohej për t’i shërbyer shëndetit të tyre, të bënte fotografi me shumë
prej tyre, të shkonte në shtëpinë e “Kryeatit” për të shprushur zjarrin në
vatrën e tij dhe të bënte pushimet në Pogradec me bijtë biologjikë të
“Kryatit”.
E, ndërsa ka qenë një
“atë” i vogël në të shkuarën komuniste, Sali Berisha mbetet “Kryeati” i
periudhës paskomuniste. Si i tillë ai është përgjegjës moral, historik dhe
ligjor për shumicën e krimeve dhe të këqijave të kësaj periudhe. Ai është babai
i turmave të egërsuara që vodhën, plaçkitën dhe dogjën Shqipërinë në vitet
1990-1992 dhe 1998; ai është nxitësi, përkrahësi dhe mbrojtësi i gjithë
plaçkitësve të tokave të zonave fushore; është “i verbëri” që nxiti mijëra
ndërtime pa leje dhe “arkitekti” i urbanistikës më të shëmtuar dhe
jofunksionale në Evropë; ai është frymëzuesi, skenaristi dhe regjisori i
shitjes për pesë lekë të pasurive kombëtare tek matrapazët dhe shërbëtorët e
tij politikë; ai është koka e kontrabandës së naftës gjatë sundimit të tij të
parë, si dhe koka e kontrabandës së armëve gjatë gjithë sundimeve të tij; ai
është Don Korleone i Kartelit të Drogës së Lazaratit dhe bashkëpunëtor i Mafies
së Plehrave. Sali Berisha do të mbetet ati i kioskëzimit të Shqipërisë dhe
gardiani i Firmave Piramidale. Ai është “koka e trukimit të zgjedhjeve” dhe
komandanti i banditëve të dhunimit të votimeve të vitit 1996; është urdhëruesi
real i rrahjes dhe burgosjes së gazetarëve, si dhe i djegies së redaksisë së
gazetës “Koha Jonë” në vitin 1997; është urdhëruesi dhe dirigjuesi i burgosjeve
politike të mbas 1990 dhe i vrasjeve të kundërshtarëve politikë. Sali Berisha
është përgjegjësi kryesor për “humbjen” e 230 milion eurove në ndërtimin e një
segmenti të rrugës Durrës-Kukës, si dhe në nënshkrimin e Marrëveshjes Antikombëtare
të Detit me Greqinë. Ai është i vetmi drejtues shteti në historinë e Shqipërisë
që ka urdhëruar përdorimin e artilerisë, aviacionit dhe Lëndëve Helmuese
Luftarake kundër popullit të vet (mars 1997).
Këto dhe bëma të
tjera janë të mjaftueshme që të kuptohet se është krejtësisht e padobishme
gjuha e batutave që përdoret ndaj tij nga parlamentarët. Me Sali Berishën duhet
të përdoret vetëm gjuha e instrumenteve ligjorë. Adresimi tek ligji dhe vënia
përpara tij janë shumë më të rëndësishëm se sa nxjerrja e tij nga SHQUP-i.
Megjithëse ka punuar me ngulm për t’ia nënshtruar sistemin e drejtësisë
interesave të veta, është frika nga ligji ajo që e bën të lëshojë britmën: “Do
zhvilloj betejën më të madhe të këtyre 20 viteve për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve…”.
Premtimi i tij
kryesor në fillim të viteve ’90 ka qenë ndërtimi i shtetit ligjor, por në vend
të tij ngriti “regjimin gangster”, siç e ka quajtur shtypi i huaj, por siç na e
ka provuar vazhdimisht me akte konkrete deri edhe ditët e fundit me vendimin e
dhënë për krimet e 21 janarit nga gjyqtarë në shërbim të tij. Mbi të gjitha, ai
ka humbur betejën me të vërtetën, me të drejtën dhe me moralin. Betejat e
ardhshme, që i shpall si luftë për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve, janë
kërcënime për t’iu shmangur ndëshkimit për krimet që ka kryer si “Kryeatë” i
periudhës 22-vjeçare. Dhe “Kryeati” nuk mund të ketë të drejtë të flas për
“etër mizorë”. E ku ka gjë më mizore sesa të të marrin fëmijën, ta shesin për
500 euro, sikur të ishte qengj dhe ta bëjnë kurban për tregti organesh? Ku ka
çnjerëzim dhe poshtërim më të madh për shqiptarin sesa të të mashtrojnë apo
rrëmbejnë vajzën, motrën apo mbesën, ta zhgërryejnë nëpër rrugët apo bordellot
e botës dhe me ato para të ndërtojnë vila e hotele luksoze, të cilat “Kryeati”
Sali ua paraqet shqiptarëve si arritje të bollëkut që solli sundimi i tij? Ku
ka antihumanizëm më të madh sesa, me politikat e tua, t’i detyrosh qindra, në
mos mijëra, njerëz të vrasin veten ngaqë nuk janë në gjendje të sigurojnë
minimumin jetik? Ku ka padrejtësi më të madhe se, pas 20 vitesh në pushtet,
fëmijët e tu të futin në xhepa një milion euro në vit dhe një milion shqiptarë
detyrohen të braktisin vendin, ose të marrin bukën me lista për të mbajtur
gjallë fëmijët dhe veten? Ku ka maskarallëk më të madh se të krijosh të tilla
rrethana që mijëra shqiptarë, në vend që të shkojnë në punë, t’iu drejtohen
kazinove dhe vendeve të bixhozit apo të gjejnë “ngushëllim” tek përdorimi i
drogës? Ku ka regres më të madh se sa në shekullin e 21-të t’i rikthesh
popullit tënd gjakmarrjen dhe analfabetizmin ?
Ata që s’e njohin por
vetëm e dëgjojnë duke folur këtë sharlatan, mund të gënjehen lehtë dhe të
besojnë se ai është armik i krimeve dhe padrejtësive të çdo kohe. E vërteta
është krejt ndryshe. Pas vitit 1990 Sali Berisha u bë miku dhe reabilituesi i
të gjithë ish-bashkëpunëtorëve të pushtuesve nazi-fashistë, i gjithë spiunëve
të të huajve dhe i kriminelëve të të gjitha ngjyrave, mjafton që të besonte se
aleanca me ta apo me emrat e tyre i shërbente pushtetit të tij. Në vitin 1993,
si President i Shqipërisë priti dhe dekoroi njërin nga përfaqsuesit më të denjë
të errësirës dhe të krimit, Ndue P. Gjomarkaj. Gjomarkaj e mori dekoratën nga
Berisha pasi kishte pohuar se me urdhërin e tij ishin vrarë në Shqipëri mbi 60
vetë. Dhe ky pohim ishte i vërtetë. Ai dhe bandat e tij kishin vrarë mësuesin
që kërkonte hapjen e shkollave, deputetin që fali gjakun e të vëllait dhe punoi
për zhvillimin e Mirditës, kishin vrarë dhe gjymtuar vajzat mirditore që ”
mëkatuan ” duke shkuar në aksione hekurudhore etj.etj.
Më vonë, si
kryeministër, Sali Berisha i ngriti himne dhe statuja Ahmet Zogut i cili,
përveç se burgosi, internoi dhe pushkatoi kundërshtarët politikë, ashtu si
Hoxha, bëri edhe tri akte të tjera antishqiptare: Tjetërsoi territorin e
Shqipërisë ( siç tentoi Berisha më vonë ), braktisi vendin kur ai kishte më
shumë nevojë për të, duke shkelur edhe Kushtetutën ( Statutin ) dhe betimin e
tij si dhe mori arin e popullit shqiptar dhe e përdori për nevojat e tij familjare.
Dhe jo vetëm kaq, por Sali Berisha iu dha pasardhësve të tij vila dhe pallate
në gjithë Shqipërinë, të cilat ishin ndërtuar dikur me paratë e popullit.
Është makthi i krimeve që ka kryer dhe i veprave të
turpshme që e shtyn t’i drejtohet kundërshtarit politik ( që ka moshën e
fëmijëve të tij ) me kërcënimin: “Mos i provoko shqiptarët me Hoxhën se do
përballesh me zemërimin e tyre më të fuqishëm….!” (e tha në mbledhjen e
qeverisë) dhe, pastaj, nëpërmjet gazetës terroriste RD (sipas Azem Hajdarit, në
vitin 1996), e paralajmëron: “Kujdes Edvin Rama! Fundi i etërve të tu ishte
tërheqja zvarrë”. Meqë këtë shprehje e kanë përdorur edhe shumë buburreca të
politikës prej dy dhjetëvjeçarësh, është vendi të themi se nuk njihet asnjë
“atë” që të jetë tërhequr zvarrë deri tani. I vetmi “atë” që shpëtoi për një
qime nga ky akt ka qenë Sali Berisha në vitin 1997. Jo nga zotësia e tij, por
nga ndërhyrja e të huajve.
Nëse rrëzimi dhe
tërheqja e statujës së Hoxhës në shkurt 1991 quhet e tillë, atëherë më duhet të
them se kemi të bëjmë me një shaka historike dhe një tallje etike. Rrëzimi i
statujës në fjalë nuk ka qenë as akt dinjitoz dhe as akt trimëror. Ky
konkluzion nuk vë në dyshim nevojën e heqjes së statujës por tregon një të
vërtetë historike dhe universale. Aq më pak ka qenë i tillë ky akt kur ka pasur
edhe përkrahjen e autoriteteve politike në pushtet. Turmat e ndërkryera dhe të
ndërsyera nuk kryejnë kurrë akte dinjitoze. Kjo vlen si për turmat e 1990-1991
ashtu edhe për ato të 1997-1998. Siç thoshte Timothy T. Fortune, “Sjellja e
turmave është shprehja më bindëse e një opinioni publik jonormal. Ajo tregon se
shoqëria është e kalbur deri në palcë”. Ata që merren me statujat e bustet janë
po aq trima sa krimbat që merren me kufomat. Prandaj proklamuesit e “tërheqjeve
zvarrë” kanë problem edhe me historinë, edhe me etikën, por, mbi të gjitha, me
të vërtetën.
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!