February 14, 2015

Bashkimi me Ilir Metën, që na la edhe dy vite të tjera me Sali Diarrenë!


Mirë që me Shijen e Mjaltit,

Nuk u mësuam, që nuk u mësuam.

Mirë që për shkak të së Majtës së Bashkuar

Me Shijen e Baltës, E Zëvendësuam!

Po k’të Shijen Dhjerë të Diarresë

Sa shumë që ta Duruam!



*   *   *



Si gjithnjë i juaji, Edi Rama – 3 Prill, 2013

Nga Edi Rama


Të dashur miq,

I mirëkuptoj të gjithë ata që ndjejnë një shije balte në gojë teksa mesa duket, po mësoheshin me shijen e mjaltit të Rilindjes. Reagimet frenetike mbas shfaqjes së mundësisë së afrimit me LSI-në, të sharat e qesënditë e pafundme, nuk më erdhën të papritura. Mu sikur hovën të tërë në një zhgjëndërr të zhurmshme pas një ëndërrimi që për shumëkënd kishte filluar të njehsohej me realitetin. A thua se gjithë këto kohë s’ishim më në një luftë të mundimshme me të Keqen e Njohur, po në një film romantik ku papritur ikën dritat duke ngjallur revoltën e tërë spektatorëve për filmin e këputur në mes.

Kur shoh tërë ç’vlon në rrjetet sociale sikur unë, zëdhënësi i përditshëm i ëndrrës së Rilindjes, u ktheva befas në vrasësin e pamëshirshëm të saj, dy gjëra më rrotullohen nëpër mend.

E para, që ëndrra e Rilindjes funksionon. Sepse nevoja për të marrë frymë lirisht në këtë vend që po mbytet në llumokracinë e Saliut, është bërë jetike.

Dhe e dyta, që për shkak se ëndrra e Rilindjes funksionon pozitivisht në imagjinatën e shumëkujt, duket sikur plot njerëz e kanë harruar që Rilindjen reale, atë të prekshmen përmes zbatimit të programit, PS mund ta bëjë realitet vetëm përmes pushtetit jo përmes prezantimeve të fushatës.

Jam i bindur se askush, asnjë njeri normal që do ndryshimin në 23 qershor, nuk do ta ndërronte ikjen e Saliut me një ëndërr ende të parealizuar si kjo. E cila rrezikohet seriozisht të avullojë nëse zgjedhjet grabiten përsëri dhe të lerë pas, tek të gjithë pa përjashtim, një zhgënjim shumë më të hidhur sesa qershori 2009 apo 8 maji 2011 në Tiranë.

Por shumëkush duket sikur nuk do fare ta mendojë këtë. Shumëkujt i duket gabimisht se Saliu është i ikur dhe 23 qershori është vetëm një formalitet. E prandaj edhe u duket krejt gabimisht se ftesa e PS për LSI, është baltë e hedhur në panoramën e shndritshme të ëndrrës.
E përsëris që i mirëkuptoj. Por u them këtu, jo moralistëve bajatë, po të gjithë mbështetësve të sinqertë e të emocionuar negativisht nga ftesa për LSI, se unë e kam për detyrë ndaj tyre, ndaj Partisë Socialiste dhe këtij vendi. të cilit i shërbej me pasion, që ta shoh ndryshe 23 qershorin.

Dhe dua ta dini sa më qartë se si e shoh. Unë 23 qershorin e shoh si ditën kur Saliu do të tentojë në gjithë Shqipërinë 8 majin e Tiranës 2011. S’ka qenë shumicë asnjëherë qysh pas vitit 1992. Është vjedhës zgjedhjesh me damkë ndërkombëtare. Ka përgatitur planin që të vjedhë përsëri. Ka shtetin më të politizuar të kontinentit. Paranë e pistë për korrupsion masiv zgjedhor. Policinë më krahinariste që mund të imagjinohet. Shërbimin sekret të kthyer rishtas në polici politike. Ka repartet e manipulatorëve të importuar që lëvizin qendër më qendër me karta identiteti fallco. Ka të gjitha vrimat e botës së errët të krimit, prej ku dalin urithët elektoralë që trembin njerëz. Ka për më tepër edhe fukarallëkun e periferive e të fshatit në favor. Po po, fukarallëkun (!) – aty ku komisioneri dorëzohet përpara parash që s’i ka parë kurrë. Aty ku familja e varfër dorëzohet përballë shantazhit të heqjes së ndihmës ekonomike. Aty ku fukarai i pashpresë dorëzohet përpara thesit me miell a një kartëmonedhe se nuk beson më dot në asgjë.

Një plan i tërë për ta përmbysur si kala rëre me vota të vjedhura frymën, moralin, rilindjen që sot po përdoren si fjalë të tradhtuara prej meje, sepse Shqipëria reale e zgjedhjeve nuk ngjan kurrkund me atë që merret me mend edhe prej komentatorëve më të përfshirë në këtë historinë dramatike të zgjedhjeve shqiptare.

Doni më për të kuptuar se pse ky kryeministër në ikje duhet rrethuar politikisht nga një koalicion ku çdokush sot në politikë përveç atij vetë ka jo vetëm të drejtën, po edhe detyrën patriotike të jetë pjesë? Sepse vetëm duke e lënë pa krahë politikë dhe duke e zhveshur nga çdo lëkurë tjetër përveç asaj të PD, fuqia manipuluese e tij bëhet e pamjaftueshme për ta mbytur opozitën me aritmetikën brutale të votave të vjedhura. E kështu edhe ikja e tij bëhet fakt. Përndryshe në 24 qershor programi i Rilindjes kthehet nga instrument politik ndryshimi, në letër që s’ka asnjë vlerë. Ndërsa karta “morale” digjet si zakonisht nga zjarri i fitores së vjedhur të radhës, duke nxjerrë një tym të zi pakënaqësie dhe dëshpërimi me opozitën e humbur nën gërmadhat e zhgënjimit popullor.

Ja pse unë besoj me gjithë zemër se ardhja sot e LSI-së në koalicion nuk është fundi, po vazhdimi i natyrshëm i një historie të re që ka nisur me projektin e një Rilindjeje Shqiptare. I një historie që kalon nga FITORJA dhe VETEM FITORJA e 23 qershorit si parakusht për të shkuar më tutje me Rilindjen. Unë vetë besoj po ashtu që LSI nuk do ta pengojë këtë projekt, ashtu siç besoj se nga ky bashkim nuk do të lindë një pjellë e re e të shkuarës, po një qeverisje e mirë për të ardhmen. Por sidoqoftë këtë do ta tregojë koha dhe për këtë çdo dyshim i sotëm është i shëndetshëm e mbajeni në xhep.

Por ju lutem mos harroni se duhet të mundim Saliun dhe ky sot, bashkimi me LSI, është për ne vetëm fillimi i duhur jo fundi i një beteje finale që do të luhet për çdo votë, deri në dekikën e fundit të procesit elektoral. Për të tjerat lidhur me këtë do të kemi kohë të flasim, po edhe të shohim gjithë këto ditë teksa do të rreshtohen forcat.

Lejomëni ta mbyll me një pyetje që për mua është retorike, por për secilin që ende ndjen shijen e baltës në gojë mund të vlejë që të kuptojë psenë e madhe të ftesës sime për LSI-në. Është pyetja që i kam bërë vetes kohë më parë dhe që më shtyu vendosmërisht drejt këtij bashkimi:E çfarë do të thoshte pastaj cilido që sot çfarë nuk thotë për këtë “tradhti” timen, nëse në 24 qershor do të gdhihej me të Keqen e Njohur mbi kokë edhe për katër vjet të tjera? 

Ah, se harrova, analistët A, B, C, që nuk lanë gjë pa thënë në emër të moralit nëpër banaqe e uebfaqe më kanë thënë plot gjëra interesante që në TV nuk i thonë, por po ju them vetëm njërën: “Po nuk u bashkove me Ilir Metën, ky vend mori fund, sepse do na lini me Saliun edhe katër vjet!”.



*    *    *



February 6, 2015

Rikthimi i venecianëve


Alqi Koçiko

85 kile sheqer, gjashtë palë çizme, ca thasë miell, një pirg konservash mishi dhe zero litra karburant. Ky nuk është bilanci i një minimarketi fshati pas ndonjë kataklizme, por gjendja e mallrave në rezervat e shtetit për raste emergjencash dhe fatkeqësish natyrore, që i la peshqesh pasardhëses qeveria e PD-së, sot në opozitë. Në fakt, vetë ky bilanc është fatkeqësi më vete, veçse jo natyrore por qeveritare. Përveç kësaj, peshqeshi pasurohet me 21 milionë dollarë borxh që Berisha ua premtoi por nuk ua dha kurrë, familjeve dhe bizneseve të dëmtuara nga përmbytjet e vitit 2010, duke lënë mënjanë 16 milionë USD të tjera, dëmshpërblime të papaguara në vite.

Sot, opozita u rikthye fuqishëm në parlament për të ngritur zërin e akuzës dhe protestës ndaj menaxhimit të pamjaftueshëm e madje inkompetent të përmbytjeve aktuale, dhe sipas manualit demokratik, mirë bën, sepse është detyra e saj ta vërë qeverinë në shina. Nëse qeveria mund të kishte bërë më tepër, dhe mbase vërtet mundej, këto ditë e mbrapa përmes levave dhe strukturave të saj duhet të mobilizohet në maksimum. Pak rëndësi ka nëse duhet shpallur nominalisht apo jo “gjendja e emergjencës”, – dhe kjo është një tjetër akuzë e PD-së: Pse nuk e shpallni? – kryesorja është që emergjenca të kalojë me sa më pak dëme. Shumëkush madje do të dëshironte që ajo seancë e djeshme parlamentare të shtyhej, dhe të gjithë frekuentuesit e asaj salle të shkonin në zonat e dëmtuara për të dhënë sadopak ndihmë.

Por jo. Opozita duhej të ishte patjetër në atë sallë, jo thjesht për të akuzuar, një terren mjaft familjar ky për njerëzit që ende kanë nerva ta ndjekin politikën, por… edhe për të rikthyer në kujtesë shembullin e mirë të menaxhimit të krizave të tilla në kohën e qeverisjes së PD-së. Dhe foli zonja që të paktën për këtë rast, nuk duhej të fliste. Ish kryetarja e Kuvendit, Topalli, përmendi përmbytjet e Shkodrës dhe kujdesin e qeverisë së kohës, që ishte aq i madh për kafshët e bagëtitë, sa këta të sotmin nuk e kanë për njerëzit. Këtu kemi qenë dhe nuk mbajmë mend ndonjë ministër a deputet të kohës me dele mbi shpinë për ta hedhur në bregun matanë. Ama ajo që mbahet mend mirë, është protesta e herë pashtershme të banorëve të dëmtuar, që kaluar vite dhe nuk morën do dëmshpërblimin, i cili sot numëron 21.4 milionë dollarë. Sigurisht, mbahet mend edhe batuta fatkeqe e zonjës Topalli për Shkodrën, që me rrugët e saj plot ujë ku varkat shërbenin si taksi nga njëra hyrje pallati tek tjetra, ishte bërë si Venecia. Kemi pastaj edhe ish kryeministrin që në këtë pikë është bërë fiks si Shaban Qosja dhe pretendon ta kenë me të, edhe kur deputetë e ministra flasin me njëri-tjetrin.

Prandaj sot jemi në pikën që duhet të merakosemi seriozisht për opozitën, sepse nuk po arrin dot të kryejë misionin e saj të ekspozimit të kursit të gabuar të mazhorancës, të gafave e gabimeve të saj. Jo, nuk ka kohë për këtë, sepse duhet të bëjë të sajat. Ndaj vjen në sallën e Kuvendit si një opozitë në jerm, pa memorie, sikur ka zbritur nga Marsi, dhe u rrëfen njerëzve shembujt pozitivë të një kohe të mirë, kur përmbytjet menaxhoheshin siç duhet dhe ndoshta, të përmbyturit luteshin t’u ndodhte prapë, se dëmshpërblimet ishin më të mëdha nga zarari i pësuar.

Rikthimi i venecianëve në formën e djeshme, e më tej, në performancën e tyre gjatë këtyre ditëve krize, është tregues i qartë, dhe tejet i trishtë, se PD nuk ka nxjerrë asnjë mësim, për asgjë, edhe pas një goditjeje si ajo e 23 qershorit 2013. Por nëse problemi i shumicës së njerëzve të këtij vendi ndoshta nuk është thjesht SHQUP-i, është që ç’ke me të fakti që përballë kësaj opozite, mazhoranca mund ta ulë stekën pa u merakosur shumë.


*    *    *










Parlamenti grek, deputetët "tërbohen" me selfie


Parlamenti grek është mbledhur sot për herë të parë që pas zgjedhjeve të 25 janarit, të cilat nxorrën fituese partinë e udhëhequr nga Alexis Tsipras. Në ditë e parë të konstituimit të këtij Kuvendi të ri, mediat e vendit fqinjë kanë pikasur edhe shumë deputetë të mbërthyer nga mania për të bërë foto “selfie”, të cilat më pas i shpërndanin në rrjetet sociale.

Siç komentojnë mediat greke, në fytyrën e deputetëve lexohej gëzim, ndërsa shtrojnë pyetjen nëse do të vazhdojë ky gëzim edhe në ditët e ardhshme, po të kemi parasysh se sot Banka Qëndrore Europiane njoftoi se nuk do të blejë më obligacione greke. Pra, nuk do të japë më para borxh. Lapsi.al /


*    *    *




January 31, 2015

Të rriturit kujtojnë fëmijërinë


Për këdo fëmijëria lë mbresa të veçanta, veçanërisht kur kalon çaste të bukura në gjirin e familjes.


“Dita” ju sjell disa foto të bëra në botë ku disa persona janë përpjekur që të ribëjnë fotot e shkrepura gjatë fëmijërisë, me të njëjtat veshje dhe në të njëjtat pozicione.


Disa ja kanë dalë mjaft mirë, ndërsa disa të tjerë nuk kanë mundur që të kopjojnë si duhet veshjet e tyre të fëmijërisë.



*    *    * 

E mbani mend zv/drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani?!



Erzeni u kthye? Berishat lumturohen

E mbani mend zv/drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani?!

Më datën 26 janar (fiks në përvjetorin e 21 janarit), Gjykata Administrative i ka dhënë të drejtën e rikthimit në punë. Për ata që nuk e dinë historinë, nga posti i zv. drejtorit në Drejtorinë e policisë së qarkut Tiranë, Breçani u transferua në detyrën e zv/drejtorit të qarkut Dibër.

Por ky post u shkri dhe ai u emërua specialist pranë kësaj drejtorie. Në këtë kohë, ai pretendoi se largimi i tij nga detyra ishte bërë në kundërshtim me ligjin dhe kjo sipas tij ka qenë pasojë e debateve që ka patur me ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin, Edi Rama. 

Ai e ankimoi çështjen e tij në Gjykatën Administrative, duke fituar përballë Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme. Sipas vendimit të kësaj gjykate, Breçani duhet të rikthehet në detyrë me të njëjtën gradë që ka pasur, që do të thotë se duhet t’i jepet një post drejtues në Policinë e Shtetit.

Gjatë këtyre ditëve, profili i tij në Facebook është mbushur me urime për rikthimin në detyrë;

Ajo që vihet re, është fakti se familja Berisha është mjaft entuziaste për Erzenin.





*    *    *

L'Audace, Karikatura anti-Izrael që po shkakton polemika


Ka bërë zhurmë të madhe një karikaturë anti-Izrael e publikuar në gazetën tuniziane që botohet në gjuhën franceze “L'Audace”.

Ata kanë marrë si model numrin e parë të “Charlie Hebdo” pas tragjedisë. Grafistët kanë pikturuar një hebre, me yllin e Davidit në kapelë dhe që mban në dorë nja pankartë ku shkruhet “Je suis Gaza” (Unë jam Gaza). Në sfond nuk mungon as citati “Tout est pardonné” (Gjithçka është falur). Komuniteti hebre i është përgjigjur menjëherë karikaturës.

“Hebrenjtë janë profestionistë në auto-ironi. Redaksia  e “L'Audace” mund të flejë e qetë sepse nuk do të shkojë asnjë Kouachi hebre i armatosur me kallashnikov”.



*    *    *




Gent Pjetri doktori i Fiks Fare feston ditelindjen i rrethuar vetëm me femra


Doktori i Fiks Fare ka festuar mbrëmjen e së premtes ditëlindjen e tij të 41-të. Në fakt, surpriza e festës ishte përgatitur nga stafi i emisionit, ku prej kohësh Gent Pjetri rrethohet vetëm nga femrat, prezantueset dhe velinat. E njëjta skenë duket se e ka shoqëruar edhe gjatë ditëlindjes, rrethuar nga bashkëprezantueset dhe mikeshat Albana Osmani dhe Fiori Dardha. Gjithashtu në darken surprizë nuk munguan velinat dhe ish-bukuroshet e viteve të shkuara, që kanë kërcyer në Fiks Fare.



*    *    *


January 28, 2015

Rita Ora do të performojë në Cmimet Oscar 2015


Sapo është konfirmuar pjesëmarrja e këngëtares Rita Ora, e cila do të performojë në edicionin e 87-të të çmimeve Oscar. Debutimi i yllit të muzikës pop në një skenë gjigande dhe me vizibilitet nga miliona shikues në të gjithë botën, vjen paralelisht me nominimin që Rita Ora, mori për këngën "Grateful", kolonë zanore e filmit "Beyond the light". "Zëri i saj i mrekullueshëm dhe paraqitja 'glamour', pritet që t'i shkojnë përshtat, atmosferës madhështore të këtij viti të çmimeve të kinematografisë"- thanë producentët e shfaqjes Zadan dhe Meron {Jo Bazen :-) }.



*    *    *


January 24, 2015

Eneida Tarifa në “Jamais Vu”:


Muzika shqiptare e festivaleve një përzierje kineze-
italiane. Polifonia na nderon. Së shpejti në treg me një 
këngë e klip të ri

Ajo mendon se isopolifonia është mënyra më e mirë për t’i përfaqësuar shqiptarët në botën e muzikës.

Në studion e emisionit “Jamais Vu” këtë të shtunë përballë gazetarit Mustafa Nano, për intervistën fotografike ishte i ftuar këngëtarja dhe prezantuesja Eneda Tarifa. Ajo tha se për shkak të origjinës nga Gjirokastra, e një ndjenjë të pashpjegueshme që e lidhte njeriun me vendin nga vinte, edhe pse nuk kishte shumë bagazh këngësh polifonike, e ndiente shumë pranë. “Nëse një i huaj dëgjon muzikë bashkëkohore kompozuar nga një shqiptar, nuk e kupton se nga cili vend vjen, por nëse dëgjon isopolifoninë do të thotë pa frikë se është një këngë tradicionale shqiptare”, tha Tarifa në “Jamais Vu”.

Më pas, këngëtarja e njohur foli për “muzikën e lehtë” shqiptare ku tha se, nga kjo terminologji i kujtoheshin festivalet e diktaturës, që sipas këndvështrimit të saj muzikor kanë pasur ndikime të thella kineze dhe italiane. “Ka elementë të inkorporuar shumë thellë, që një vesh normal nuk i kupton dot”, vërejti Tarifa.

Duke folur për zhvillimet aktuale në tregun e muzikës shqiptare, ajo tha se për fat të keq, vitet e fundit nuk kishte dëgjuar ndonjë këngë që t’i kishte bërë ndonjë përshtypje të madhe. Ndërsa si interpretuese, ajo do të veçonte në mënyrë të veçantë Juljana Pashën, por dhe Eranda Libohovën.

Eneda Tarifa tha gjithashtu se, sapo kishte regjistruar një këngë të re, klipi i së cilës përfundonte brenda 2-3 ditëve në vazhdim. “Është këngë e mirë dhe po të krahasohet me ato që këndohen në tregun amerikan nuk bën diferencime. Është një këngë niveli, bashkëpunimi im i parë më djalin e xhaxhait, Jon Tarifën”.

Megjithatë, këngëtarja e njohur e skenës, gjithashtu dhe prezantuese në një format fort të njohur si “Portokallia” tha se, asnjëherë nuk ishte e kënaqur nga këngët e saj, por vazhdimisht kërkonte diçka të re. Ajo sqaroi gjithashtu se, kënga e re e interpretuar prej saj ishte në versionin anglisht, dhe se pas bashkëpunimit të saj të gjatë me bashkëshortin, kompozitorin Erion Zaloshnja, por dhe me kompozitorë të tjerë, në kërkim të diçkaje të re, kishte ardhur bashkëpunimi me Jon Tarifën, një bashkëpunim që ajo e cilësoi “në momentin e duhur”.

L.Veizi/ResPublika

*   *   *

Shqiptarja që na bën krenarë në çdo aspekt

Këngëtarja Rita Ora, duhet të themi me plotë gojë se është shqiptarja që na bën krenar në çdo aspekt. Pasi firmosi kontratën me markën "Adidas" dhe na bëri me dije, tashmë ka realizuar një set fotografik.






*   *   *




PS, me karikatura: E vërteta mbi çmimin e naftës


Partia Socialiste ka vendosur që të vërtetën për rritjen e çmimit të naftës, ta ilustrojë përmes karikaturave.

Përmes një video ku shfaqen karikaturat njëra pas tjetrës, PS-ja sqaron qytetarët se sa ishte çmimi i naftës gjatës qeverisjes “Berisha” dhe sa është tani.

Në video-karikaturën që përcjell mesazhin politik, shihen dy liderët kryesorë të PD-së: Ish-kryetari Sali Berisha dhe kreu aktual, Lulzim Basha të shoqëruar me mesazhe, që bëjnë krahasimin sesa ka qenë dhe sa është sot çmimi i naftës në Shqipëri.

P.S. Shyqyr që nuk qëndruan dot akoma në pushtet se kush e di se sa do e kishin rritur çmimin e naftës.


*   *   *