"

December 25, 2015

Një artist i pashkollë me 49 lëkura dhie dhe një lëkurë ujku në Tiranë


Entela Resuli

Në sheshin përball Stadiumit “Selman Stermasi”, të varura një e nga një në dy tela paralelë, qëndrojnë radhë-radhë, 49 lëkura dhie dhe 1 ujku. Nuk po flasim për një thertore, por për punën e një njeriu i cili ka bërë të mundur që këto materiale t’i kthejë në art.


Duke dashur të përfitojë nga hapësira që vuri në dispozicion Bashkia e Tiranës, për ekspozimin e punimeve të dorës, Pjetër Vukaj udhëtoi nga Shkodra në Tiranë dhe u vendos në këtë vend prej dhjetë ditësh.

Trupat e lakuriqtë të gdhendura në lëkurë dhie, janë të parat që bien në sy në “Bioartin Unik” të Pjetër Vukajt.

Aty gjen gruan nga Kelmendi të veshur me xhubletë, malësoren me bucelë në krah, vashat nudo nën hijen e pemëve, shtojzovallet dhe gra shtatzëna me gjinj të fryrë.

Krah tyre sheh Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun dhe po ashtu disa burra malësie me vështrim të mprehtë dhe të vrazhdë.

“Në fillimet e mia jam marrë me krijimtari letrare, dhe punimet në dru. Kam afro 15 vite që kam filluar me lëkurë. Suksesi im mbi lëkurë doli në pah para gjashtë viteve”, thotë Vukaj për Dita-n.

Ai nuk ka shkuar në një shkollë arti, gjithçka e ka mësuar si autodidakt.

“Nuk kam bërë asnjë ditë shkollë apo kurs për këto punë që ju shihni këtu, por kjo nuk më ka penguar që të punoj mbi to, madje jam nderuar edhe me çmime. Njërin prej tyre e kam marrë në Teheran, në vitin 2011” – tregon 50-vjeçari.

“Puna është pak e vështirë, por ajo që më mban është pasioni. Është nga ato gjëra që e bëj me shumë dëshirë. Është art i veçantë që pëlqehet shumë nga të huajt. Në Shqipëri nuk e vlerësojnë edhe aq”.

Pjeter Vukaj thotë se ka punuar gjatë për portretet në lëkurë. Gdhend më fort lëkurën e dhisë aty kur do të japë vështrimin e thellë dhe bind qimet e kreshpëruara për t’u dhënë tipareve format që ai do.

Ka portrete ku hunda mund të jetë gdhendur në formën e grushtit të mbledhur, qepallat në formën e duarve dhe buzët në formën e gishtërinjve.

Femra nudo mbizotëron në punët që ai ka. Vukaj thotë se ajo përshtatet me lëkurën mbi të cilën ai derdh fantazinë e tij.

“Më pëlqen figura e femrës, brishtësia dhe bukuria e saj e veçantë”- shpjegon.

Me teknikën e gdhendjes në lëkurë Pjetër Vukaj është marrë vetëm vitet e fundit. Ajo kërkon përqendrim dhe durim. Për gjetjen e lëkurës ai shkon atje ku theren kafshë, nga 100 lëkura që mund të sigurojë, nga ato, vetëm dhjetë mund të vlejnë, pasi Pjetri sheh anën e tyre estetike dhe përshtatjen me portretin që ai mendon të gdhendë në të.

“Fillimisht lëkura regjet, pastaj thahet. Më pas kryhen tri procese: qethja, rruajtja e pjesshme dhe gërvishtja e smaltit të lëkurës për t’i dhënë dritëhije. Është një punë që më shumë ta kufizon se sa të jep lirinë. Nuk mund të biesh në kompromis me lëkurën sepse ajo rebelohet. Është një teknikë shumë e vështirë”, e përshkruan hap pas hapi ai këtë mjeshtëri.

Ka edhe të tjera hile ky zanat. Figurat e kreshnikëve, e luftëtarëve si Adem Jashari, duken më madhështore, me tipare të egra, të dendura dhe të zeza pis. Ndryshe ndodh me Skënderbeun, me mjekër të thinjur dhe çehrezbehtë.

Për Vukajn, i cili është edhe mjeshtër në punimet me dru, lëkura është më e vështirë se druri dhe guri dhe nuk të lejon përmirësim. Duhet ta kesh idenë e qartë në kokë e të jesh preciz.

Teknikën e drurit e njeh në majë të gishtave. Ka njëzet vjet që punon me të. E zgjedh drurin e arrës, pishës, panjës, në vendin e origjinës, në pyjet e Kelmendit.

Ka ditë, që natyra tregohet zemërgjerë me të. Atëherë kur veprat e artit i dalin para syve kacavjerrë në trungjet e pemëve, në zgavra, në degë dhe mjafton të zgjasë dorën t’i arrijë. Por vetëm një sy i stërvitur, si ai i Vukajt e sheh atë.

Artisti na thotë se ka marr pjesë në 70 ekspozita, si kolektive e po ashtu edhe personale. Por, vështirësitë ekonomike e përcjellin ngado.

“Edhe pse ftesat për ekspozita kolektive nuk mungojnë nëpër botë, nuk mund t’i përballoj shpenzimet. Nuk mund të shkosh në Paris për dy javë, vetëm me një punim” – tregon ai.

Por pavarësisht pasurisë së tij shpirtërore dhe atë materiale, të ekspozuar në këtë pjesë të kryeqytetit, Pjetër Vukaj nuk do të qëndrojë në Tiranë deri në fund të dhjetorit. Këto ditë do të kthehet në Shkodër.

Ai thotë se të interesuarit kanë qenë të paktë dhe shpenzimi i kaq shumë kohe për kaq pak interes është i parëndësishëm për artistin.

Të shumtë janë ata që i janë afruar dhe kanë parë punimet e tij, por të pakt janë ata që kanë nxjerrë para nga xhepi…

Deri sa kjo nuk ndodh, përfitimi është zero.


*    *    *







No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!