"

December 26, 2015

Tregu i reklamave, kush fiton më shumë dhe kush është në krizë


Gara e televizioneve, Top Channel kryeson me të ardhura, por Klan fiton më shumë. Gazetat, më e madhja Panorama Group. Tregu i reklamave ra 5% në 2014-n. Të dhënat e monitorimeve flasin për një tkurrje të ndjeshme të spoteve në televizione dhe reklamave në gazeta për 11- mujorin e këtij viti. Drejtuesit e marketingut pranojnë krizën, teksa nuk shohin dritë jeshile në horizont. Sa qarkulloi në vitin 2014 tregu i publicitetit në Shqipëri dhe tendenca në 2015-n….

Buxhetet e marketingut janë të parat që kompanitë shkurtojnë në kohë krize. Dhe sa më shumë që zgjat kriza, aq më shumë përdoren dhe gërshërët. E njëjta gjë po ndodh me sipërmarrjet në Shqipëri. Për të disatin vit radhazi, bankat dhe telekomunikacionet, dy grupet reklamuese më të mëdha në vend, po ulin shpenzimet e marketingut, (në 2014-n rënia për këto dy grupe ishte rreth 4%). Dhe më të prekurat nga kjo sjellje janë mediat, si e shkruar ashtu dhe elektronike, të cilat reklamat i kanë ushqimin e tyre kryesor. Për vitin 2014, xhiro e tre televizioneve kryesore në vend (Top Channel, Klan, Vizion Plus) ra me 8%. Të dhënat parapake nga monitorimet e numrit të spoteve tregojnë se kjo tendencë ka vijuar edhe në 2015-n, madje me ritme të përkeqësuara, me rënie dyshifrore. Me pak përjashtime, janë prekur dhe televizionet informative, që ishin në lulëzim deri pak kohë më parë.

Media e shkruar, e gjendur prej disa vitesh mes dy zjarresh (konkurrencën nga interneti dhe uljen e buxheteve të reklamuesve) po përpiqet me çdo kusht të mbijetojë. Reklamat jashtë dyerve (outdoor) kanë njohur dhe rënien më të thellë, duke u prekur më shumë nga shkurtimi i buxheteve të marketingut. I vetmi segment që po kalon ditë të mira është ai i reklamave online, që po i gëzohet rritjes së numrit të përdoruesve online dhe po përfiton duke joshur klientët- reklamuesit, që janë të dëshpëruar të maksimizojnë koston e arritjes së një klienti potencial – me tarifat që ende mbeten të ulëta. Edhe radiot e mëdha kanë arritur të sigurojnë më shumë të ardhura, si një mjet më i lirë reklamimi.

Bilancet e 2014-s tregojnë rënie të ndjeshme të fitimeve të televizioneve, kompanive të publicitetit dhe medias së shkruar. Aktorët e tregut pranojnë se marzhet e fitimit janë tkurrur dhe teksa shpenzimet për reklama janë reduktuar nga biznesit, ata nuk presin ditë më të mira, të paktën në afatin e shkurtër. Mungesa e hyrjeve të sipërmarrjeve të mëdha, që do të ishin reklamues potencialë, i bën ata dhe më pesimistë.

Tregu i reklamave bie 5% në 2014

Në total, tregu i reklamave në vend në vitin 2014 vlerësohet të ketë arritur në rreth 37 milionë euro, nga rreth 39 milionë euro që ishte vitin e mëparshëm, me një rënie prej rreth 5%, i udhëhequr nga tkurrja e televizioneve, shtypit të shkruar dhe outdoor. Tregu vlerësohet të jetë tkurrur më tej në 2015-n, me të paktën 10%.
“Monitor” e ka bërë vlerësimin e tregut të reklamave për 2014, duke u nisur nga tregues direkt të matur nga disa drejtime:
-të ardhurat e kategorive kryesore të tij, televizioneve, shtypit të shkruar, outdoor dhe online, të matura në pjesën kryesore nga xhiro që aktorët kryesorë kanë deklaruar në bilancet e tyre.
-shpenzimet e kompanive kryesore për marketing, kryesisht telekomunikacione, banka, produktet që lëvizin shpejt nga rafti (FMCG), sipas raportimeve të detajuara në bilancet përkatëse.
-monitorimet në bazë të numrit të spoteve të transmetuara në mediat televizive dhe reklamave në shtypin e shkruar, sipas të dhënave të siguruara nga kompania monitoruese Idra Media, kanë shërbyer për të vlerësuar tendencën për vitin 2015.

Televizioni

-Nga të ardhurat e deklaruara në bilanc nga televizionet kryesore në vend, vlerësohet se të ardhurat e televizioneve ishin 27-28 milionë euro, në vitin 2014, me një rënie prej rreth 7% me bazë vjetore. Kjo tkurrje erdhi pasi në vitin 2013 ishte shënuar një rritje prej 21%, e ndihmuar dhe nga fakti që 2013-a ishte një vit zgjedhor, e shoqëruar me shpenzime të partive politike për spote publicitare.

Shtypi i shkruar

-Të ardhurat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 3 milionë euro në vitin 2014, me një rënie vjetore prej rreth 9%, në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga mediat kryesore në vend dhe monitorimeve nga Idra Media.

Outdoor

-Tregu i outdoor vlerësohet në rreth 3.3 milionë euro, i llogaritur në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga kompanitë kryesore që veprojnë në këtë kategori. Ky segment ka njohur dhe rënien më të fortë të të ardhurave, me 12%.

Internet

-Reklamat në faqet kryesore të internetit në vend vlerësohen në rritje, ndonëse mbeten ende të ulëta, në 1-1.5 milionë euro, sipas të dhënave nga të ardhurat e portaleve kryesore në vend.

Radio

–Radio vlerësohet të tërheqë 0.9-1.2 milionë euro në vit, sipas të ardhurave të deklaruara nga radiot më të mëdha në vend, me një rritje prej rreth 10% në 2014.
Rreth 40% e kësaj shume vlerësohet që të kalojë përmes agjencive publicitare, duke iu referuar qarkullimit vjetor të deklaruar të këtyre të fundit.
Kompanitë e telekomunikacioneve (operatorët celularë plus Albtelecom) mbeten reklamuesit më të mëdhenj në vend, me një buxhet total për shpenzime publiciteti prej rreth 20 milionë eurosh në vitin 2014, sipas të dhënave të nxjerra nga bilancet e tyre, me një rënie të lehtë prej 3% në krahasim me 2013-n.

TELEVIZIONET, RËNIE NË TË ARDHURA DHE FITIME

Pothuajse të gjitha televizionet kryesore në vend kanë parë një rënie të të ardhurave në vitin 2014, sipas të dhënave të raportuara në bilanc, ndonëse numri i spoteve të transmetuara, sipas monitorimeve nga IDRA Media, rezulton në rritje. Dy janë arsyet që kanë ndikuar në këtë tendencë. Së pari, 2013-a u ndihmua nga zgjedhjet e përgjithshme, një faktor i përkohshëm që shtoi të ardhurat e televizioneve. Së dyti, ndonëse numri i spoteve u rrit, televizionet nxituan të bënin oferta në përpjekje për të mbajtur reklamuesit, çka u reflektua në më pak të ardhura.

Top Channel

Top Channel mbetet televizioni më i madh në vend sipas të ardhurave, me një xhiro të deklaruar prej 1.6 miliardë lekësh, me një tkurrje prej gati 8% në raport me një vit më parë. Numri i spoteve të transmetuara në 2014 ishte pothuajse i njëjtë me 2013-s, sipas të dhënave nga Idra Media (shih grafikun: Televizionet kryesore, sipas numrit të spoteve të transmetuara, 2014). Teksa të ardhurat kanë rënë dhe shpenzimet janë rritur (si ato të personelit ashtu dhe të veprimtarisë së shfrytëzimit), Top Channel ka rezultuar me fitime minimale prej 15 milionë lekësh (para taksave), nga rreth 141 milionë lekë në 2013-n.

TV Klan

Televizioni i dytë më i madh në vend nga të ardhurat është TV Klan, me një qarkullim vjetor prej 850 milionë lekësh, edhe ai me një rënie prej 10% me bazë vjetore, sipas bilancit të dorëzuar te Tatimet, edhe pse numri i spoteve sipas Idra Media është rritur në 2014. Drejtori i Marketingut të TV Klan, Eptan Lohja, pohoi se ulja e të ardhurave ka ardhur si efekt i krizës. “Ka një tkurrje të buxheteve të të gjitha kompanive”, tha ai, duke shtuar se edhe për 2015-n nuk po sheh ndonjë dritë jeshile.
Në vitin 2014, TV Klan rezultoi me një fitim prej 175 milionë lekësh, nga 303 milionë lekë vitin e mëparshëm.

Vizion Plus

I treti televizion më i madh në vend është Vizion Plus, që ka parë një rënie të të ardhurave me 6%, në 414 milionë lekë. Kjo tkurrje ka ardhur, pavarësisht se numri i spoteve të transmetuara është rritur me gati 20%, sipas të dhënave të Idra Media.
Jerina Lalaj, drejtoreshë marketingu në Vizion Plus, pohon se janë bërë oferta speciale për të mbajtur trendin. Shpenzimet e marketingut janë të parat që shkurtohen kur bizneset janë në vështirësi, pohon ajo dhe “ne u bëmë palë me një strategji të brendshme tonën, duke dhënë bonuse për bizneset, ndonëse tarifat zyrtare nuk kanë shënuar rënie. Ajo e pohon faktin që tregu mediatik është në tkurrje.
Edhe Vizion Plus nuk i ka shpëtuar tkurrjes së fitimeve, që kanë zbritur në 3 milionë lekë, nga rreth 23 milionë lekë në 2013-n.

Mbyllja e AS dhe Agon Channel

Albanian Screen (AS), u mbyll në qershor të vitit 2015. AS, sipas të dhënave të bilancit të vitit 2013, realizoi një qarkullim vjetor prej 323 milionë lekësh, me një rënie prej 33% në raport me një vit më parë. Sipas xhiros, Albanian Screen ishte televizioni i katërt më i madh në vend, pas Top Channel, Klan dhe Vizion Plus. Ndërsa në 2012, AS ishte i treti më i madh në vend, me një xhiro më të lartë se Vizion Plus. AS është televizioni i parë i përmasave relativisht të mëdha që u mbyll. Për periudhën 2012-2013, televizioni ka rezultuar me një humbje prej rreth 30 milionë lekësh, përkatësisht për secilin vit.
Albanian Screen, që pas vitit 2000 kur u themelua, pati një rritje të qëndrueshme, duke fituar një audiencë të kënaqshme. Tre vitet e fundit Albanian Screen e përforcoi audiencën edhe më shumë, duke transmetuar një nga telenovelat më prestigjioze turke, me audiencë të lartë “Sulejmani i Madhërishëm”.

Agon Channel është një tjetër televizion që u mbyll në tetor të këtij viti, si rrjedhojë e problemeve me drejtësinë të pronarit të saj. Në 2014-n, ky televizion shënoi një rritje të ndjeshme, duke deklaruar të ardhura prej 119 milionë lekësh, megjithëse humbjet ishin tepër të larta, duke arritur në 870 milionë lekë, dyfishim në raport me një vit më parë.

Bien dhe televizionet e lajmeve, reziston News 24

Ngjarjet e shumta politike, të kronikës dhe ato ekonomike, flirtimet mes kundërshtarëve politikë, marrëdhëniet dashuri-urrejtje mes partnerëve politikë, i mbajnë të mbërthyer pas ekranit shumë teleshikues, që preferojnë të ndjekin “telenovelën” e jetës reale.
Pesë vitet e fundit, investimet në televizionet informative u shtuan ndjeshëm dhe ato njohën një rritje të audiencës dhe të të ardhurave. Por, 2014-a ka qenë një periudhë e vështirë dhe për to. Të ardhurat e Ora News dhe ABC News ranë përkatësisht me 22 dhe 11%. Ora News ka rezultuar me një humbje prej gati 9 milionë lekësh, nga fitimet prej 32 milionë lekësh të një viti më parë. Edhe ABC News ka raportuar humbje prej 6 milionë lekësh, pas fitimeve rreth 10 milionë lekë në 2013-n.
A1 Report (TV Ballkan) ka raportuar ecuri pozitive, me një zgjerim prej 66%, ndonëse duke u nisur nga një bazë e vogël. Kjo rritje megjithatë nuk e ka ndihmuar të përmirësojë rezultatin financiar, përkundrazi ai ka rezultuar me humbje të larta prej 53 milionë lekësh (si rrjedhojë e rritjes së madhe të shpenzimeve), nga fitimet prej 2.8 milionë lekësh vitin e mëparshëm.
News 24 i ka rezistuar prirjes rënëse, duke rritur me 20% të ardhurat e televizionit në 2014-n, sipas burimeve të saj. Vilma Mesareja, drejtoreshë marketingu e Focus Media News, pohon se është investuar në teknologji dhe në staf, duke bërë që televizioni të njohë rritje në kohë të vështira.

Rritet numri i reklamave të transmetuara në 2014

Bizneset reklamuese kanë përfituar nga “ankthi” i televizioneve për të mos humbur klientë, duke transmetuar më shumë spote publicitare në 2014-n, në krahasim me një vit më parë, për të njëjtën shumë parash. Të dhënat e raportuara nga Idra Media flasin për rritje me 24% të numrit të spoteve të transmetuara (sasia në numër e transmetimeve të reklamës të ekuivalentuara me kohëzgjatje 30 sekonda) në tetë televizionet kryesore në 2014-n, ku është TV Klan ai që kryeson (ndonëse është i dyti në të ardhura, për shkak të çmimeve më të ulëta që ofron në raport me konkurrentin kryesor). Numri i spoteve të transmetuara është rritur në pjesën më të madhe të televizioneve (rekordin e mbajnë News 24 dhe ABC News).
Sektorët më të mëdhenj reklamues, sipas numrit të spoteve, janë telekomunikacionet, që i kanë rritur transmetimet në 2014-n, të ndjekura nga televizionet (kryesisht reklamat e DigitAlb dhe Tring TV), kujdesi shëndetësor, që i ka dyfishuar spotet në 2014-n, të ndjekura nga pajisjet elektronike, dyshekët, pijet farmaceutike etj., sipas grafikut të mëposhtëm.
Për numër spotesh, e para, sipas të dhënave të IDRA Media, renditet Top Shop (Studio Moderna), reklamat për produktet e së cilës mund t’i gjesh në çdo orë të ditës në pjesën më të madhe të televizioneve. Megjithatë Studio Moderna (Marka “Top Shop”) ka një buxhet modest në raport me reklamuesit e tjerë, ajo arrin të përfitojë kohë më të madhe televizive, për shkak se zgjedh oraret e paradites apo drekës, kur tarifat e kohës publicitare janë të ulëta.
Dy kompanitë e telekomunikacionit, Albtelecom dhe Vodafone, renditen më pas për numër spotesh, të ndjekura nga City Shop.

Rënia përshpejtohet në 2015

Ndërsa kanë rezistuar në 2014-n, duke i joshur klientët me më shumë spote brenda të njëjtit çmim, televizionet nuk kanë arritur të mbajnë ritmin në 2015. Të dhënat e monitorimeve nga Idra Media për 11-mujorin 2015 tregojnë se numri i spoteve të transmetuara për pjesën më të madhe të televizioneve ka rënë në krahasim me 11-mujorin 2014.
Pothuajse të gjithë sektorët, me përjashtim të bankave dhe produkteve ushqimore, kanë shënuar ulje të numrit të spoteve. Në total, 30 sektorët më të mëdhenj reklamues kanë reduktuar reklamat e transmetuara (Sasia në numër e transmetimeve të reklamës të ekuivalentuara me kohëzgjatje 30 sekonda) me 14% për janar-nëntor 2015.
Nga kompanitë reklamuese më të mëdha, tkurrjen më të lartë e ka shënuar Albtelecom, që ka ulur numrin e transmetimeve me gati 60%. Rritja më e fortë ka ardhur nga Credins, me rreth 75%. Vodafone dhe Telekom Albania (ish AMC), historikisht dy reklamuesit më të mëdhenj në vlera, kanë reduktuar lehtë praninë e tyre në mediat televizive. Sidomos për Telekom Albania, pritshmëritë në treg ishin më të larta, pas rimarkimit dhe ndryshimit të emrit nga AMC në Telekom Albania.

Tema TV online, modeli i ri që synon të tërheqë “video sharing”

Mero Bazen, botues i Tema online dhe Endri Meksin, drejtues i MC Networking, shoqërisë së specializuar në fushën e internetit dhe ndërlidhjes, i bashkoi pasioni i përbashkët për teknologjinë online dhe besimi se e ardhmja e medias, edhe asaj vizive, është pikërisht tek interneti. Në fund të nëntorit u prezantua Tema TV, një platformë që ka si bazë transmetimet online, një risi kjo për tregun shqiptar, me një investim që deri tani ka arritur 1.2 milion euro. Endri Meksi, drejtor i Tema TV pohon për Monitor se ideja lindi si zgjerim i markës Tema, një ndër faqet më të lexuara online. “Në tregun shqiptar mungonte mundësia për të reklamuar mbi video, apo siç njihet në gjuhën teknike ‘video sharing’”, thotë Meksi, të cilin nuk e “tremb” fakti që tregu tradicional i publicitetit po vjen në rënie .
Ndërsa në shtetet e zhvilluara teknologjia e ‘video sharing’ po rritet me shpejtësi (në SHBA videot on line po kalojnë reklamat në Tv tradicionale), në Shqipëri është ende në fazat fillestare dhe Tema TV është e para që po i hyn kësaj “loje”.
“Tregu do të ndryshojë”, pohon ai, duke shpresuar se trafiku i videove on line do të vijë në rritje dhe do të jetë i konsiderueshëm, ndonëse reklamuesit shqiptarë janë skeptikë për këtë mënyrë publiciteti. Avantazhet e kësaj forme lidhen me faktin që ‘video sharing’ mundëson reklamuesin të bëjë një analizë të saktë të eficiencës së shpenzimit të parave, duke matur në kohë reale, çfarë, kur dhe nga kush u ndoq. Z.Meksi preferon të përmendë rastin e platformës amerikane Netflix, që i mundëson shikuesve të shohin çfarë duan dhe kur e duan, një model që po e ndjek dhe Tema TV. Ky i fundit është i pranishëm dhe në tokësor dixhital, por përqendrimi në platformën online i mundëson të marrë një pjesë të klientëve që i ka shpëtuar televizionit tradicional.
Teksa tregu i reklamave në total nuk pritet të rritet, Tema Tv synon të përfitojë nga një rishpërndarje e buxheteve të kompanive drejt videove online.
Pika e fortë nuk synohet vetëm te risia teknologjike. Në kahun e përmbajtjes, drejtuesit e Tema Tv mendojnë se ka hapësira boshe në segmentet e analizave të mirëfillta politike dhe ekonomike. Tregu i synuar mbeten të rinjtë, sfida e tërheqjes së të cilëve është e madhe, por edhe femrat e moshës deri në 50 vjeç.
Z.Meksi nuk parashikon rritje në tregun e televizioneve tradicionale, pasi reklamuesve nuk po u ofrohen alternativa të reja, madje pret një rënie në një periudhë 10-15 vjeçare. Në periudhën afatmesme, sinjali kryesor i televizionit do të vijë nga interneti, sesa nga rrjeti kabllot, satelitor e dixhital tokësor. “Modeli i shpërndarjes do të ndryshojë, por askush nuk do të heqë televizionin nga shtëpia”.
Më pesimist është për shtypin e shkuar. “Investimi tek printi është i vdekur, nuk ka më logjikë ekonomike, pasi ka kosto shumë të lartë dhe është i humbur”. Mungesë nuhatje se ku po shkon tregu online, por edhe besimi të botuesve, e quan z.Meksi, vazhdimin e mbështetjes tek shtypi i shkuar, ndërkohë që e ardhmja duket se është diku tjetër. Botuesit në përgjithësi në Shqipëri nuk arrijnë të jenë në koherencë me zhvillimet e teknologjisë.

Televizionet me pagesë rrisin të ardhurat nga reklamat

Ndërsa televizionet tradicionale kanë parë një rënie të reklamave në 2014-n, tendenca ka qenë e ndryshme për ato me pagesë, që kanë arritur të tërheqin vëmendjen e bizneseve reklamuese, ndonëse burimin kryesor të të ardhurave të tyre kanë abonimet e klientëve.
Të ardhurat nga reklamat të Digitalb ishin 281 milionë lekë në vitin 2014, me rritje prej 70% në raport me vitin e mëparshëm. Megjithatë, kanë qenë të hyrat nga abonimet dhe e drejta e transmetimit, ato që kanë siguar pjesën më të madhe të të ardhurave të Digitalb.
Digitalb është televizioni më i madh me pagesë në vend, me të ardhura totale prej 5.5 miliardë lekësh në 2014-n, me një rritje prej 11% me bazë vjetore.
Tring Tv renditet e dyta, me një diferencë të lartë në krahasim me konkurrentin kryesor, duke realizuar një qarkullim vjetor prej 470 milionë lekë në 2014-n, zgjerim prej 26%.

VUAJTJET E SHTYPIT TË SHKRUAR

Prej vitesh, shtypi i shkruar po vuan jo vetëm konkurrencën nga interneti, që po i largon lexuesit tradicionalë, por edhe shkurtimin e buxheteve nga reklamuesit.
Totali i sipërfaqes së reklamuar në median e shkruar në vitin 2014 (për 40 gazeta e revista) ra me 7% me bazë vjetore, sipas të dhënave të monitorimit nga Idra Media.
Në bazë të monitorimeve të Idra Media, të ardhurat nga reklamat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 3 milionë euro në vitin 2014, me një rënie vjetore prej rreth 9%.
Vodafone, Albtelecom dhe Lotaria Kombëtare rezultojnë me një ulje të sipërfaqes së reklamuar, ndërsa Credins dhe Eurosig kanë hyrë në listën e 30 reklamuesve më të mëdhenj në median e shkruar, sipas Idra Media.
Në bazë të të ardhurave, grupi më i madh i medias së shkruar është Panorama Group (me median kryesore gazeta Panorama, më e madhja në vend nga tirazhi, dhe Panorama Sport) me një qarkullim vjetor prej 256 milionë lekësh, duke shënuar rritje prej vetëm 0.5% me bazë vjetore. Grupi ka rezultuar me fitime minimale (para taksave) prej 340 mijë lekësh nga 7.8 milionë lekë të një viti më parë. 27% e të ardhurave erdhën nga reklamat 71% nga shitjet, sipas burimeve nga grupi. Kompania ka punuar të përmirësojë arkëtimet duke shmangur në minimum mospagesat, duke qenë mjaft e vëmendshme në administrimin e të ardhurave (për reklamuesit që kanë qenë problematikë në të kaluarën kërkohet edhe parapagim).
Media e dytë më e madhe në vend Unipress (gazeta Shekulli dhe publikime të tjera të grupit) ka parë një ulje të qarkullimit vjetor me 21% në 89 milionë lekë. Pavarësisht rënies së të ardhurave, grupi ka rezultuar me një fitim prej 9.6 milionë lekësh, nga humbjet prej 3.6 milionë lekësh në 2013-n.
Gazeta Shqip ka parë një ulje të lehtë të të ardhurave në 2014-n me rreth 3% në rreth 66 milionë lekë. Edhe fitimi i saj ka rënë ndjeshëm, nga 3.9 milionë lekë në 2013, në 605 mijë lekë në 2014-n.
Shqiptarja.com është media e shkruar dhe online me ecurinë më të mirë në 2014-n, duke u rritur me 60%, sipas bilancit të saj zyrtar, për të arritur një qarkullim vjetor prej 49 milionë lekësh. Fitimi para taksave u zgjerua ndjeshëm, nga 465 mijë lekë në 4.3 milionë lekë.
Rënia thellohet në 2015
Shtypi i shkruar e ka ndier më shumë krizën në vitin 2015. Të dhënat e Idra Media për 11-mujorin tregojnë për një tkurrje drastike të sipërfaqes së reklamuar në shtypin e shkuar me 27%, për 40 gazetat dhe revistat që janë monitoruar.
Pothuajse të gjitha mediat, me pak përjashtime, kanë parë tkurrje të reklamave, sipas grafikut të mëposhtëm.
Reklamues tradicionalë si Vodafone, Albtelecom, AMC (Telekom Albania) rezultojnë të kenë shkurtuar ndjeshëm buxhetet e tyre në median e shkruar.

RADIOT MARRIN VETEN

Kategoria e radios ka shënuar ecuri më pozitive gjatë vitit 2014.
Radio më e madhe në vend, Top Albania, për të dytin vit radhazi ka parë një rritje të kënaqshme të të ardhurave, me 12%, në 73 milionë lekë.
Radio e dytë më e madhe në vend (sipas të ardhurave nga reklama) Club FM, pas rënies në 2013-n, e ka marrë veten, duke rritur qarkullimin vjetor me 15.3%, në 40 milionë lekë.

INTERNETI NË RRITJE, POR PESHA E TIJ MBETET E ULËT

Sa herë hap portalet kryesore në vend, bombardohesh nga të gjitha anët nga reklamat, deri në atë pikë sa leximi i lajmeve bëhet i vështirë.
Rritja e penetrimit të internetit vitet e fundit, sidomos te të rinjtë, ka bërë që reklamuesit të synojnë të kapin atë treg të synuar të grupmoshës relativisht të re, që dhe më parë nuk ishte lexuese e rregullt e shtypit të shkruar.
Tregu i reklamave po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt internetit, megjithëse si vlerë ai mbetet i ulët, duke mos i kaluar 1.5 milionë euro, apo rreth 4-5% të totalit të tregut të publicitetit në vend. Tarifat e reklamave në internet mbeten ende të ulëta, ndërsa shumë gazeta ofrojnë module online falas, vetëm për të tërhequr reklamues në versionin e shtypur.
Për portalet kryesore që kanë investuar prej vitesh dhe kanë krijuar një bazë të gjerë lexuesish, të ardhurat nga reklamat online po vijnë në rritje.
Vilma Mesareja, drejtoreshë e marketingut të Focus Media News, që menaxhon dhe portalin më të madh të lajmeve në vend, Balkan Web, pohon se në 2014-n, ata kanë parë rritje prej 30% të të ardhurave nga reklamat. Ajo pohon që ka një zhvendosje të reklamave nga print te online, në linjë me shtimin e klikimeve. “Në vitin 2014 Balkan Web kishte 34 milionë klikime, deri në fund të shtatorit të këtij viti arritën në 70 milionë klikime, ndërsa ka një rritje të ndjeshme të shkarkimeve për aplikacionin e Balkan Web, nga 100 mijë në janar në 400 mijë aktualisht”.
Sipas të dhënave të publikuara nga Internet World Stat dhe ITU (International Telecommunication Union) në Shqipëri, përdorimi i internetit arriti në rreth 64% në vitin 2013. Rezulton se 1.8 milionë shqiptarë kanë përdorur internetin vitin e kaluar, më shumë se gjysma e popullsisë në vend.

Facebook, e ndihmon apo pengon median online

Shkalla e penetrimit të mediave sociale në vend është rritur shumë, sidomos gjatë pesë viteve të fundit duke arritur në 45 përqind të popullsisë në shkurt të vitit 2014, sipas anketimit të kryer nga Fondacioni Shoqëria e hapur për Shqipërinë.
Kjo shifër është më e lartë se mesatarja e Europës e cila në këtë kohë arrinte në 40 %. Numri i përdoruesve të mediave sociale në këtë periudhë llogaritej rreth 1 400 000 vetë. Shqipëria arrin të renditet e 18-ta në Europë në vitin 2014 duke lënë pas në këtë aspekt edhe vende të zhvilluara si Zvicra, Franca, Italia, Spanja, etj.
Koha e shpenzuar në internet nga përdoruesit e shpeshtë të internetit ndahet në këtë mënyrë: koha më e madhe shpenzohet në Facebook (49 %), duke vijuar më tej me YouTube (23 %).
Endi Meksi i Tema TV pohon se facebook mund të konsidrohet si partner ashtu dhe armik i medias online, pasi u merr, por dhe u jep atyre trafik. E quan armik, teksa facebook ndryshon vazhdimisht strategji lidhur me politikat që ofron, duke mos dhënë garanci për mediat online.

REKLAMAT NË HAPËSIRË NË RËNIE

Tre operatorët kryesorë që menaxhojnë reklamat në hapësirë (outdoor), Albartex, La Strada
Metro SHA, kanë raportuar rënie të ndjeshme të të ardhurave,duke reflektuar tkurrjen e buxheteve të kompanive në këtë kategori.
Aktorët e tregut pohojnë se kjo tendencë ka vijuar dhe në vitin 2015.
Rënia e outdoor ka prekur edhe importuesit e letrës, një pjesë e të cilëve janë munduar ta amortizojnë duke rritur eksportet.

SHQIPËRIA, TREGUN MË TË ULËT TË REKLAMAVE PËR FRYMË NË RAJON

Në Maqedoni, tregu total i reklamës (TV, radio, print, outdoor, dixhital etj.) vlerësohet në vitin 2014 në 52 milionë euro (sipas Media Observatory), në një treg prej 2 milionë banorësh.
Në Mal të Zi, tregu i televizioneve vlerësohet në rreth 9 milionë euro, në një popullsi prej 600 mijë banorësh. Dy televizione publike dhe dhjetë TV lokale konkurrojnë për të tërhequr këtë shumë, sipas një raporti të IREX (të dhënat për vitin 2012).
Në Serbi, për vitin 2013 vlerësohet që tregu i reklamës ishte 155 milionë euro (sipas media Observatory), me rënie, në raport me 172 milionë euro në 2012-n, në një treg prej 7.2 milionë banorësh.
Në bazë të të dhënave krahasuese, Shqipëria vlerësohet të ketë tregun më të ulët të reklamave për frymë në rajon (13.5 euro), për shkak të çmimeve relativisht më të ulëta të publicitetit. Në vendet e zhvilluara, si p.sh, Italia, shpenzimet për frymë për reklama ishin 152 dollarë në vitin 2014, sipas statista.com. Shteti që kryeson në botë është SHBA, me 567 dollarë për frymë.
Llogaritja bëhet duke marrë për bazë sipërfaqen e reklamuar dhe tarifat zyrtare, duke u bërë një zbritje prej rreth 60-65%, për të arritur në një vlerë reale tregu (mediat në përgjithësi ofrojnë zbritje të mëdha nga tarifat zyrtare).


*    *    *




No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!