"

January 23, 2016

Kush e goditi Edi Ramën në janar 1997? Dëshmia e Izet Haxhisë një vit më parë


Nga Mira Kazhani

Nikollë Lesi, ish-botues i gazetës Koha Jonë ka shkruar kujtimet e tij, ku ndër të tjera përmend edhe rrahjen e Edi Ramës, 19 vjet më parë.

Disa portale kanë botuar sot këto kujtime shoqëruar me foto.

“Sapo kishim mbaruar gazetën dhe po e dërgonim në shtypshkronjë, kur na njoftuan se kanë goditur Edi Ramën dhe ndodhej në gjendje kritike në Spitalin 2. Me Ben Blushin dhe Martin Lekën vrapuam tek krevati ku dergjej Rama i larë në gjak” – shkruan Lesi.

Pas botimeve të sotme ka reaguar edhe ish-Presidenti i ngjarjeve tragjike të 97-s, Berisha.

Ky e ka quajtur rrahjen e Edi Ramës “krim pasioni”.

Kjo temë është hapur edhe një vit më parë në shkurtin e 2015-s gjatë disa replikave në një seancë të Parlamentit.

Replikat erdhën pas një interviste të Ramës në mediat italiane, ku ai tha që u godit nga SHIK-u në janar 1997 ndërsa ishte duke kryesuar përgatitjet e një peticioni për largimin e Berishës.

Edhe një vit më parë Berisha e quajti rrahjen e kryeministrit të sotëm, atëherë piktor kritik i sapokthyer nga Franca, “krim pasioni”.

DITA intervistoi atë kohë të akuzuarin për ngjarjen, ish-truprojen e Berishës, Izet Haxhia.

Në linjë telefonike ai u pyet nga gazetarja Mira Kazhani për ngjarjen.

Ja biseda e botuar në DITA në 20 shkurt 2015:

Mira Kazhani: Izet, në Tiranë është kthyer në vëmendja plagosja e Edi Ramës në vitin 1997. Gjatë një interviste për një televizion italian, ka qenë vetë Rama që e ka sjellë ndërmend. Nga foltorja e parlamentit Berisha ka reaguar duke thënë se rrahja ka qenë krim pasioni. Jeni ju në dijeni çfarë ka ngjarë atëherë? Kush po thotë të vërtetën, Edi Rama apo Sali Berisha?

Lajmi në Koha Jonë, 19 vjet më parë

Izet Haxhia: Në 1996 Rama ishte nga publicistët më të ashpër të Berishës. Shkruante vazhdimisht për Saliun duke e akuzuar si Kalin e Trojës në Lëvizjen e Dhjetorit. Në fakt Berisha që në fillimet e Lëvizjes nuk e ka dashur afër Ramën, kishte një lloj alergjie ndaj atij, nuk e donte afër në asnjë rrethanë. Lajmin e rrahjes së tij barbare unë e kam mësuar fillimisht përmes një prokurori që ka qenë dikur shoqërues i Alfred Serreqit. Emrin e ka Azem. Mund të pyetet edhe ai, se është marrë me këtë çështje.

Mira Kazhani: Çfarë të tha prokurori?

Izet Haxhia: Më tha se Rama më akuzonte mua për masakrimin e tij. Unë i thashë që nuk ishte e vërtetë dhe se nuk kisha dorë në atë ngjarje. E kam thënë dhe në intervistën e parë me ju, që unë jam akuzuar padrejtësisht për këtë. Rama është rrahur nga 4 pjesëtarë të grupit operativ të SHIK me drejtues Arjan Çengon. Në këtë grup prej 4 anëtarësh ka qenë një person nga Tropoja, një nga Mirdita dhe dy të tjerë nga Dibra. Gjithçka po ju them më është pohuar nga kryesuesi i këtij grupi, Arjan Çengo. Ma ka thënë me gojën e vet, besoj në pranverën e 1997-s.

Mira Kazhani: Çfarë ju ka pohuar konkretisht, pse është goditur Rama?

Izet Haxhia: Kur e kam pyetur për arsyen e rrahjes së Ramës, më ka thënë se e kanë bërë me urdhër të shefit të tyre, Gazidedes. Kush e ka njohur Gazideden, e di që ai nuk bëntë asgjë pa urdhër të Berishës.

Mira Kazhani: Është tentuar eleminimi fizik i Ramës apo urdhri ishte vetëm për ta rrahur dhe frikësuar?

Izet Haxhia: Leva nuk dihet si të kap. Për fat ai shpëtoi.

Mira Kazhani: Si funksiononte kjo? Jepeshin urdhra me gojë për të rrahur njerëz? Dua të di, kështu funksiononte me të gjithë kundërshtarët?


Izet Haxhia: Nuk ka qenë vetëm Rama, ka patur edhe raste të tjera. Po këta persona në 1997 kanë zënë pritë një javë rresht në Qafë Koshovicë për të vrarë Skënder Gjinushin që ndodhej në Vlorë. Po ky grup ka patur urdhër për të bastisur shtëpinë e Arben Imamit dhe për ta masakruar atë me urdhër të shefit të madh, Berishës. Kjo ka ndodhur kur Arben Imami ishte kthyer nga revoltat e jugut. Kam qenë unë që i kam penguar ata persona dhe sot mund të them që Arben Imami më ka borxh jetën. Janë edhe disa të tjerë që i kam ndihmuar, sot s’po i përmend.

Mira Kazhani: Po pse Berisha ka përmendur krim pasioni? A bëni ndonjë lidhje ju?

Izet Haxhia (qesh): Po si duket, Berisha e ngatërron me heroin e tij pas vdekjes, Hajdarin, që kryente përdhunime të femrave të cilat i shkonin për ndihmë në kërkim të punësimit. Njoh personalisht dy femra nga Tropoja që kanë qenë viktima të përdhunimit të Hajdarit. Ndoshta e ngatërron me këshilltarin e tij të atëhershëm Genc Pollon, që përdorte zyrat e Presidencës si dhoma pasioni me ndonjë këshilltare ekonomike të Berishës.

Por për këtë që më pyetët një gjë jua garantoj pa asnjë mëdyshje. Edi Rama është rrahur nga pjesëtarë të SHIK me urdhër të Gazidedes e të Berishës.



*     *     *




1 comment:

  1. This comment has been removed by a blog administrator.

    ReplyDelete

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!