Nga Moikom Zeqo
(Ribotim pas 25 vitesh,
në prag të 80 vjetorit të shkrimtarit)
Kadareja nuk është një
emër i thjeshtë.
Është një nga formulat
autentike të letërsisë-shpirtit të kombit.
Domethënë kjo materie
është kryemesazhi.
Sepse për të dhe për të
gjithë ne janë të pashlyeshme fjalët “In hoc singo vinces” (“me këtë shenjë do
të fitosh”).
Në kalendarin biografik
të Kadaresë 28 janari na kujton ditën e lindjes së një fëmije në Gjirokastër,
55 vjet më parë.
Për të do të qe
kuptimplotë vargu i Virgjilit “Incipe parve pauer” (“Djalë i vogël fillo”).
Ky djalë me një talent
të pazakontë do të dilte nga rroba e ngurtë e Qytetit të Jugut, për të fituar
përmasat e një Guliveri të letërsisë moderne shqiptare, i guximshëm, sfidues, i
shqetësuar, gjithmonë përtëritës.
Liliputët vërtiten,
shajnë, pështyjnë, shpallin se Guliveri nuk ekziston, se përmasat e tij janë të
kundërta, se përkundrazi mediokriteti është vlera supreme e botës etj. Ky duel,
ndonëse grotesk, sot është bërë i dukshëm dhe në faqet e shtypit të politizuar
të “jelloë press”-it.
Kështu, ekzili i
Kadaresë në Francë (tetor 1990) është cilësuar si vërtetim i një “sllavofilie”
fantaziste, kurse autori i këtyre radhëve, ngaqë shkroi e botoi një esse për
Kadarenë, u anatemua si “agjent sllav”!?
Duhet të mos habitemi.
Por duhet të mësojmë për të analizuar saktësisht.
Jam i bindur: në
asfaltet e Shanz Elizesë e në Monparnas të Parisit Kadareja pengohet papushim.
Janë gurët e
kalldrëmeve të Gjirokastrës, që dalin për një çast nga thellësitë e rrugëve e
zhduken përsëri.
Janë gurët e origjinës.
Litografia e
imagjinatës.
* * *
Arti i fjalës shqipe.
Në fillim qe gjuha e
artikulluar. Domethënë e njerizuar. Pastaj arti i saj monumental. I
paasgjësueshëm. I gjallë, sepse populli që e ka krijuar është përjetësisht i
gjallë.
Arti i fjalës shqipe, i
përpunuar në mënyrë më speciale në laboratorët e shkrimtarëve emblematikë të
shqipes, të cilët përbëjnë shtyllat mbajtëse të Panteonit të letërsisë sonë
kombëtare.
Buzuku si demiurgu i
parë i shqipes së shkruar tregoi mundësitë e pakufishme të gjuhës sonë të
stërlashtë, për të krijuar monumentet letrare. Qe Fillimi i Fillimeve!
Pa, dyshim, që Barleti
qe i pari shkrimtar shqiptar i shprehjes universale latine i dimensionit
botëror.
Kryeveprat e tij u
përkthyen në të gjitha gjuhët evropiane, duke krijuar kështu ekuivalentët
gjuhësorë për të transmetuar, për të konvertuar shpirtin dhe aspiratat e
popullit tonë në kulturën e komunitetit të popujve.
Shkrimtarë të tjerë si
Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, De Rada, Naim Frashëri, Serembe, Faik Konica,
Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Fan Noli, Lasgush Poradeci dhe sidomos Migjeni i
madh do ta lartësonin, do ta dritësonin në mënyrë të mrekullueshme Fjalën
Shqipe.
Por në mesin e
shekullit të 20-të shkrimtari, i cili do të arrinte kuota sipërore qe Ismail
Kadareja. Një moshë njeriu e mbushur me
një krijimtari të klasit të parë. Talent i rrallë, stilist i shkëlqyer, që ka
pasuruar jo vetëm pluralitetin e stileve të letërsisë shqipe, por edhe të asaj
ballkanike e europiane.
Ai ka synuar të
konstruktojë si pakkush universin shpirtëror të homo albanicus.
Është fjala për botën
gjenuine shqiptare të shekujve, të qëndresës së saj të pashembullt për të
mbijetuar.
Kjo është kryetema e
krijimtarisë kadarejane. Kjo krijimtari rrezaton fuqi emancipuese për kombin shqiptar. Për tërë shqiptarët në
botë.
Ajo më shumë se kurrë
përfaqëson mrekullinë e artit të fjalës si simbol i madh uniteti.
Emancipimi i veprës së
Kadaresë synon emancipimin për motivet kryesore të jetës shqiptare. Emancipim i
pamohueshëm. Veprues dhe i gjithëgjendshëm.
Vepra e Kadaresë është
frymëzuar nga historia dhe mitet e kombit.
Ajo synon të jetë vetë
një lloj miti artistik, forca e të cilit hap horizonte, ndërgjegjëson,
frymëzon.
Njeriu i emancipuar
shqiptar, njeriu bashkëkohor dhe ai i së ardhmes do të mësojnë te kjo vepër dhe
mesazhet e kombit.
Objektivisht
krijimtaria e Kadaresë është e lidhur me epokën e Shqipërisë që nis mbas vitit
1944. Është e lidhur me eshtrat, nervat, muskujt dhe gjakun e Atdheut të tij.
Vetëm në këtë mënyrë ajo ka siguruar identitetin. Vetëm në këtë mënyrë ajo ka
mundur që të bëhet universale.
Sot vepra e këtij
shkrimtari shqiptar është ndërkombëtarizuar. Përkthimet në gjuhë të huaja janë
ekuivalenca të domosdoshme.
Por më e rëndësishme në
këtë konvertim kulturor ndërkombëtar janë arti kadarejan, idetë dhe mesazhet
tronditëse dhe të mëdha që ai shpërndan.
Fjala shqipe e Kadaresë
do të luajë rolin e saj te brezat.
Dhe brezat do dinë ta
vlerësojnë përherë atë.
***
Libri në prozë i Kadaresë “Ëndërr Mashtruese” është
një antologji kohërash e personazhesh, në skajime ngjarjesh të thekshme e të
pazakonta. Ky libër shpjegon ëndrrat dhe fantazmat e ideve të autorit, simbole
të kohës, që e jetojmë gjithë drithërima të vetëkuptueshme. Në këtë libër
Kadareja ngjason deri diku me homologun e tij, shkrimtarin gjenial argjentinas
Horhe Luis Borhes. Kjo jo vetëm nga maniera, diçka edhe nga tematika, por
sidomos nga ironia. Tipike për këtë lidhje konceptuale janë tregimet “Nata e
sfinksit”, “Muri kinez”, si dhe “Ur libri”. Simboli i prozës së Borhesit,
pikërisht ylli Alef, ku mund të shikosh njëherësh makrokozmosin e mikrokozmosin
edhe në prozën e Kadaresë është i pranishëm, i shumëfishuar në simbole të
ndeshjes fatale midis Lindjes dhe Perëndimit, midis lirisë, midis të vërtetës
dhe gënjeshtrës së sofistikuar, midis Njeriut dhe Diktaturës. Kjo optikë është
e plotëfuqishme te novelat “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, si dhe te
“Qorrfermani”, ku mitet e lashta të historisë janë shpirtëzuar e nxjerrë në
dritë nga një “llambë Aladini”, për të bërë të prekshme të fshehtat e ferrit të
brendshëm të njeriut dhe të shteteve totalitare. Deri sot, për herë të parë në
letërsinë shqipe (por rrallë edhe në Ballkan) është arritur ky mesazh artistikisht.
Kjo është diçka e re për kulturën tonë. Në Ballkan do të përmendja dy
shkrimtarë të mëdhenj antitotalitarë: Milan Kunderën, si dhe Danillo Kishin, i
pari me romanin “Shakaja”, botimi i të cilit në Francë e tronditi
jashtëzakonisht Aragonin, dhe i dyti me “Enciklopedinë e të vdekurve”, që i
dhanë letërsinë botërore me cilësi të lartë një substancë të re; atë të
vdekjeve të sistemeve totalitare e moniste, (në thelb të dogmatizuara e
groteske).
Nuk janë politikanët që
e bëjnë Shqipërinë (nuk dua ta mohoj rolin e politikanëve atdhetarë të
vërtetë!) por shkrimtarët, këta demiurgë të ndërgjegjes kombëtare dhe të botës
e universit human. Sot do te na duhej Kadareja më shumë se kurrë si pararojë e
si prapavijë e aksioneve të ndershme politike të demokracisë. Qëndrimi i këtij
shkrimtari mbi partitë për të mirën e kombit do te ishte nje domosdoshmëri.
Në klimën e tmerrshme
të alibive e të ekseseve politike vepra kadarejane orienton. Te prozat e
“Ëndrrës Mashtruese” buron akthi sokratik ekzistencial. Kadareja anatomizon
diktaturën si koncept e praktikë në rrafsh universal. Gabriel Markesi në
“Vjeshtën e Patriarkut” bën një afreskë tronditëse. Kadareja me mjetet e veta
të laboratorit mendor na ofron metafora e një mitologji intelektuale për këtë
çështje thelbësore të shekullit tonë. Arti lind si kundërfigurë e krimit, ndaj
jo rastësisht Kadareja është mahnitur nga Eskili e Shekspiri, por ai ngrihet
edhe midis epikës dhe satirikës së kohëve, midis Franc Kafkës dhe Migjenit, që
prozat eseistike i profeksionuan mjeshtërisht.
Kadareja ka ende shumë
për të thënë. Fjala e tij publike për pajtimin e bashkimin kombëtar do te
ishte apelike. S’ka se si të ndodhë
ndryshe.
Kadareja është një
artist që Arielin e fantazisë së tij krijuese e ka nxjerrë në botë që nga
çatitë me plloçat e gurta të vendlindjes.
Për të bërë një
Aventurë të Madhe e të Papërsëritshme të Shpirtit.
Sipas Pjerr Lerusë,
“artistin nuk e zbulon kërkush përveç vetes. Gjatë shekujve që vijnë ai vetëm i
plotëson veprat e veta. Ai vdes pa pasardhës”.
Kjo është e vërtetë.
Origjinaliteti i një
talenti të rrallë nuk përsëritet kurrë.
Por talenti i shpërthen
dimensionet e individualitetit fizik dhe universalizohet, duke u bërë substancë
e thelbin kolektiv popullor.
I tillë është Kadareja.
Durrës, Janar 1991
POST SCRIPTUM
Po ribotoj mbas 24
vitesh një esse për Kadarenë (është e botuar edhe në librin tim “Paradokset e
Demokracisë”, 1994). Eshtë një dëshmi vetiake e kohës-padyshim!
Në 28 janar 2016 Kadare
mbush 80 vjeç. Dikur kjo moshë quhej biblike – sot nuk është aspak e tillë.
Me rastin e zgjedhjes
në 1992 të Sali Berishës si President i
Republikës, unë si deputet brenda në grupin parlamentar të PS në Kuvend
propozova si kandidat alternativ pikërisht Ismail Kadarenë (diskutimi im për këtë
subjekt është botuar në shtyp) për të shmangur Berishën.
Por kjo siç dihet
fatkeqësisht nuk fuksionoi.
Gjatë këtyre viteve
janë shkruar shumë libra për Kadarenë – përgjithësisht edhe në rrafshin
politik-ndërsa studimet e thella dhe substancialisht estetike kanë qenë më të
pakta – shpresoj i bindur që në 2016 si
viti i Kadaresë do të meditohet akoma më shumë dhe më mjeshtërisht edhe në këtë
pikë të epërme.
* *
*
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!