Dr. Musa Ahmeti
Eshtë folur e shkruar,
por gjithnjë deri tani në formë të supozimeve, “duhet” të ketë libra,
dorëshkrime apo dokumente të shkruara në gjuhën shqipe, të cilat janë më të
hershme sesa “Formula e pagëzimit” nga viti 1462 apo nga libri i parë i shtypur
në gjuhën shqipe “Meshari” nga viti 1555.
Kërkimet nuk kanë
rreshtur, por rezultatet deri tashi kanë munguar. Pothuajse të gjithë
studiuesit që merren me kërkime dhe hulumtime shkencore, kishin shënuar
Vatikanin, (Bibliotekën Apostolike apo Arkivin Sekret të Vatikanit), si një nga
vendet ku do të duhej të ruheshin dokumente apo dorëshkrime të vjetra në gjuhën
shqipe. Nuk ishin gabuar ata që kishin menduar kështu.
Një studiues i njohur
arbëresh, Nilo Borgja, i cili botoi edhe një studim të mrekullueshëm për
“Perikopenë e Ungjillit” nga shek.XIV, me grafema greke e fjalë shqipe, i
kishte pohuar gjuhëtarit tonë të famshëm Eqrem Çabejt, se ishte në rrugë të
mirë të gjente një dorëshkrim më të vjetër se “Formula e pagëzimit” dhe se
“Meshari”. Për fat të keq, Nilo Borgja vdiq, pa arritur të zbulonte dokumentin
apo dorëshkimin në fjalë. Një pohim të ngjashëm e bën edhe studiuesi i njohur
tjetër arbëresh, Zef Skiroi. Ne, duke ndjekur gjurmët e studiuesve të
mëhershëm, kishim fatin e mirë, që në Arkivin Sekret të Vatikanit, të zbulonim
një dorëshkrim nga viti 1210 me autor Teodor Shkodranin. Dorëshkrimi përbëhet
nga 208 fletë. Është i shkruar në pergamen dhe i tëri është në gjuhën shqipe.
Ndahet në tri tërësi: atë teologjike, filozofike dhe historike. I gjithë teksti
është autograf. Autori shënon emrin e mbiemrin e tij si dhe vitin kur e ka
mbaruar dorëshkrimin.
Për herët të parë bëhet
fjalë për gjuhën shqipe në vitin 1284 (jo 1285 siç është menduar deri më tani),
në një dokument të Arkivit të Dubrovnikut /Raguzës/ nga 14 korriku i viti 1284
ku thuhet: “Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën shqipe” (Audivi unam
vocem clamantem in monte in lingua albanesca). Dëshminë e dytë e kemi nga një
autor anonim, që sipas të gjitha gjasave ishte prift i urdhërit domenikan, i
cili në vitin 1308, gjatë udhëtimit nëpër Ballkan, kur përshkruan Shqipërinë
dhe shqiptarët, ndër të tjera shkruan: “Këtu shqiptarët e lartëpërmendur kanë
një gjuhë të dalluar prej latinëve, grekëve e sllavëve, kështuqë nuk meren vesh
fare me popujt tjerë” (Habent enim Albani prefati linguam distanctam a latinis,
grecis et slavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus).
Dëshmia e tretë është
ajo e Guljelm Adamit, i cili në vitin 1332 shkroi me porosi të papës Gjon XXII,
traktatin “Directorium ad passagium faciendum”, duke i bërë kështu edhe një
relacion Filipit VI Valua, mbretit të Francës, me titull: “DIRECTORIUM AD
PASSAGIUM FACIENDUM (UDHËZIM PËR TË KRYER KALIMIN [E DETIT], ku jep të dhëna
për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtu gjejmë edhe fjalinë e famëshme që e bëri të
njohur në histori: “Dhe megjithëse shqiptarët kanë një gjuhë krejt tjetër dhe
të ndryshme nga latinët, ata kanë shkronjat latine në përdorim dhe në të gjithë
librat e tyre”.
Rëndësi të veçantë ka
edhe fakti, se autor i këtij shkrimi është një shqiptar nga Shkodra. Për
autorin, Teodor Shkodranin, pos të dhënave që bën vetë autori në fund të
dorëshkrimit, por edhe të tjerave që gjinden në disa dorëshkrime që ruhen, pos
Arkivit Sekret të Vatikanit, edhe në Bibliotekën Apostolike, pjesa dërmuese e
të cilave janë të shkruara në gjuhën greke dhe janë të pabotuara, ne kemi edhe
njohuri të tjera, disa nga të cilat na i ofroi studiuesi, dr. Moikom Zeqo.
Dorëshkrimi është prërgatitur për botim, është transkriptuar, transliteruar dhe
shoqërohet për botim, me një koment dhe analizë shkencore.
Studimet dhe hulumtimet
shkencore nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, janë shumë të rëndësishme
ngase na mundësojnë njohjen dhe pasurimin me të dhëna të reja për albanologjinë
dhe historinë kombëtare në përgjithësi. Deri para pak kohësh është folur e
shkruar, por gjithnjë deri tashi në formë të supozimeve, se “duhet” të ketë
libra, dorëshkrime ose dokumente të shkruara në gjuhën shqipe, të cilat janë më
të hershme se sa “Formula e pagëzimit” nga viti 1462 apo nga libri i parë i
shytpur në gjuhën shqipe “Meshari” i Buzukut nga viti 1555.
Duke u nisur nga ide të
tilla, por edhe pohimi i Eqrem Çabejt se: “Në nëndorin e vitit 1940 N. Borgia
më kumtoi në Grotaferata pranë Romës se kishte zbuluar në Arkivin e Vatikanit
një dokument në gjuhën shqipe më të vjetër se Buzuku. Fshehtësinë e zbulimit të
tij ky dijetar e mori me vete në varr. Gjurmime të mëtejme nëpër arkivat e
Vatikanit e të Propagandës mund të na sjellin ndonjë të papritur në zbulim
dokumentesh më të moçme të shqipes.” [Studime gjuhësore, vëllimi VI, f. 12,
referenca nr. 29, Prishtinë 1988.]
Ne, sikur edhe shumë
studiues të tjerë ju vumë kërkimeve në Arkivin Skeret të Vatikanit për gjetur
ndonjë gjurmë të këtij dokumenti apo dorëshkrimi. Konsultimi me koleg e
specialistë me përvojë nga Arkivi i Vatikanit, por edhe studiues eminentë
botëror, që bëjnë studime në Vatikan, ishe i dobishëm, ngase kursyem shumë kohë
dhe eliminuam disa nga fondet arkivore, duke qenë pothuajse të sigurtë se aty
nuk mund të ndodhej një dokument apo dorëshkrim për të cilin bën fjalë Nilo
Borgia, e pas tij edhe Zef Skiroi. Fondet të cilat duhej të studioheshin, prap
ishin të shumta dhe tepër voluminoze.
Paralelisht kemi
konsultuar edhe burime të ndryshme nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit, duke
shfrytëzuar Kodekse dhe dorëshkrime të tjera që kishin të bënin me shqiptarët
dhe Shqipërinë duke shpresuar të kishim fatin e mirë që të zbulonin atë
dorëshkrim aq të dëshiruar.Siç dihet Arkivi i Vatikanit e ka zanafillën e tij
nga mesjeta e hershme. Për publikun dhe studiuesit laik ai u hap vetëm pas
vitit 1882. Këtu ruhen dokumente, dorëshkrime dhe libra nga më të ndryshmet që
kanë të bëjnë me relegjioni dhe kishën; por edhe me momente të tjera të jetës
laike, politke, shkencore, etj.
Funksionimi i këtij
arkivi është rregulluar në vitin 1927 me rregulloren: “Regolamento
dell’Archivio Vaticano del 1927″. Konsultimi dhe shfrytëzimi i
dokumente, por edhe i literaturës tjetër që ruhet në këtë Arkiv është
përcaktuar nga Papati dhe zbatohet me përpikmëri duke mos bërë asnjë lloj
lëshimi. Për momentin mund të
konsultohet lënda burimore arkivore deri në periudhën e Benediktit të XV;
[1914] ndërsa për atë në vazhdim, por edhe për disa fonde të veçanta, pos
lejeve speciale, një pjesë e mirë Arkivit të Vatikanit është ende “skertete”.Më
në fund, në vitin 1998, kemi pasur fatin të kishim në dorë, një vëllim të
lidhur me kopertina të forta druri, nga viti 1210, titulli i të cilit në
regestat e Vatikanit nuk ishte i shënuar komplet dhe në formën origjinale.
Shfletimi i kujdesshëm, që në faqen e parë, ishte shenjë se teksti nuk ishte në
gjuhën latine, greke, sllave apo ndonjë gjuhë tjetër, por ishte i tëri në
gjuhën shqipe.
Vëllimi i tëri ishte në
pergamen, gjë e zaonshme për kohën kur ishte shkruar. Kishte 208 fletë.
Paginimi [numërimi] i faqeve ishte vetëm recto. Dimensionet ishin: 28 x 39.5
cm. Komplet vëllimi, ishte i ruajtur shumë bukur, nuk kishte dëmtime, pos që në
disa vende ka filluar të fshihet ngjyra dhe kjo në fletët 188, 189 dhe 192. I
gjithë dorëshkrimi është i shkruar me grafema [littera-shkronja] latine dhe i
tëri në gjuhën shqipe, në dialektin e veriut, që si i tillë paraqet mjaft
vështërisi për t’u lexuar.
Në fillim, por edhe në
disa vende brenda dorëshkrimit, ka iniciale të cilat janë shumë të bukura. Tre
nga ato janë të praruara me flori. Inicialet tjera janë me ngjyrë të kuqe,
pjesa dërmuese, ndërsa dy janë me ngjyrë blu të hapur. Në dorëshkrim ka edhe tre
miniatura kryesisht të punuara nga floriri të cilat paraqesin momente biblike.I
gjithë dorëshkrimi është autograf, i shkruar nga një dorë.
Ndërsa në fund fare, në
f. 208, autori është firmosur vetë me emrin e tij: Teodor Shkodrani, duke
shënuar: “Me ndihmën dhe dëshirën e fort të lumturit Zot, përfundova në vitin
1210, ditën e 9 të marsit”. [Mee nihemmen ??e dessirnnee e phorte e
t’Lumm-numittee ªOT – e mbaronjj n’vittee MCCX – ditnee e ix – t’Marxxittee. :
Theoodor Scodraanitee.
Dorëshkrimi ndahet në
tre kapituj, në f. 1r – 97r mbi teologjinë; f. 98r – 146r mbi filozofinë dhe
147r – 208r mbi hisotrinë. Secili nga kapitujt mund të jetë edhe libër në vete.
Duke mos mohuar vlerën dhe rëndësinë dy kapitujve të parë, kapitulli i tretë ka
tërhequr më shumë vëmendjen tonë ngase pos të dhënave me interes të veçantë,
autori citon edhe vepra të tjera që ka konsultuar dhe më shumë se një herë,
thirret në kronikat shqiptare të qyteteve të ndryshme.
* *
*
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!