August 22, 2013

Keni me shkue



edhe ju për Lesh!


Rënia e madhe e Jozefina Topallit

Është autore e shumë batutave pa shije në Kuvend. Fjalë si, “zhele” dhe “lesh”, të cilat ajo i ka përdorur nga foltorja e Kuvendit dhe që kontrastonin me portretin e saj simpatik kur rrinte e heshtur, tashmë mund të përdoren për atë vetë: Berisha e tërhoqi për zhelesh dhe ja çoi për lesh përkrahësit e saj në Kuvend. Jozefina Topalli është e humbura e madhe e PD-së. Arsyet se pse u konfigurua në këtë mënyrë lista e PD-së, ndikimi në ekuilibrat e rinj brenda saj, pse ikën deputetë të njohur, pse u larguan ata që vetëm ngrinin dorën për votim dhe pse Berisha u hakmor për “karshillëqe” të vogla deputetësh gjatë katër vjetëve të kësaj legjislature. Çfarë ndodh me Olldashin, Bashën, Boden, Patozin e të tjerë në PD-në e nesërme.


Nga Lorenc Vangjeli

Sipas modës së hershme dhe zakonit me po të njëjtën moshë, çfarë ndodh në Partinë Socialiste shihet me lupë edhe kur objekti është thjesht një qime, ndërsa për bëmat e Partisë Demokratike, edhe kur bëhet fjalë për trarë në sy, gjithçka kalohet me pak fjalë. Njëlloj si në atë komunikimin idhnak të dhisë me delen për çështjen e hershme të bishtit të ngritur lart. Kësaj rregullsie nuk i ka shpëtuar edhe diskutimi për listat e kandidatëve për deputetë që kanë paraqitur dy partitë kryesore në vend. Largimi i disa dhjetëra deputetëve aktualë nga lista e PD-së, thirrja nën flamurin blu të ish-deputetëve socialistë që mbajtën në këmbë qeverinë e Berishës, vendosja në listë e një pjese të kryetarëve të partive aleate apo dhe ndryshimi dramatik i ekuilibrave të brendshme në PD, ose janë lënë në heshtje, ose janë zhdukur në zhurmën e debatit për listën e PS-së. Tre kanë qenë motivet kryesore të Berishës në përpilimin e listës së tij: reduktimi i personazheve që i jepnin pak garanci politike e ndëshkimi i tyre, tërheqja e personazheve të rinj të kushtëzuar nga faktorë apolitikë, garanci për afërsinë me familje e tij biologjike dhe diktimi i ekuilibrave të rinj në PD. E humbura e madhe e kësaj liste ka një emër: Jozefina Topalli. Duke e konsideruar veten, por dhe duke krijuar në publik e në ambientet politike të djathta imazhin e numrit dy në PD dhe më shumë se kaq, duke u vetëkonsideruar si pasardhësja direkte e Berishës në PD, ajo pati fatin e Mehmet Shehut në partinë e vjetër të komunistëve. Natyrisht nuk e detyruan të vetëvritet, por i treguan një kufi të cilin ajo nuk mund ta kalojë, një kufi që për ambiciet e saj, është pothuaj një vetëvrasje politike. Në këtë kuptim, ajo është humbësja e parë e madhe e deklaruar e zgjedhjeve të 23 qershorit. Lulëzim Basha, ruajti të pak a shumë të njëjtat pozita në parti duke gjykuar nga përbërja e listave të deputetëve. Prag-fushata e nisur dhe afërsia edhe vizuale me Berishën, e lënë atë sërish në lojën për PD-në e nesërme, nëse ajo del në opozitë. Trinomi tjetër i njerëzve të fortë në PD, Olldashi, Patozi dhe Bode, gjithashtu rikonfirmuan pushtetin e tyre në PD me një numër gati të njëjtë përkrahësish të tyre që e kanë vendin në lista.


Të ndëshkuarit & Jozefina

“Tani në PD ka më shumë qelbësira, por më pak demokratë”. Kjo frazë i atribuohet vetë Jozefina Topallit, kryetare e Kuvendit dhe deri në javën e parë të majit, një nga figurat kryesore në PD. Topalli është ndoshta e vetmja kryesuese e listës së deputetëve në një qark, në Shkodër, që nuk mundi të imponojë asnjë nga emrat që ajo kishte përgatitur vetë. Ndryshe ndodhi me të paktën tre figura të tjera të rëndësishme në PD, Olldashi, në Fier, Bode në Korçë dhe Patozi në Vlorë, listat e të cilëve, të konsultuara paraprakisht me Berishën, u pranuan prej tij pa asnjë ndryshim.
Afërsia me Topallin i ka kushtuar shtrenjtë edhe Arenca Trashanit, Astrit Bushatit, Paulina Hotit e deri diku edhe Gjok Uldedajt. Këta deputetë, por dhe Ilir Rusmali, Mark Marku, Viktor Gumi dhe Fatos Hoxha, llogariteshin si grup i afërt me Topallin dhe për këtë u ndëshkuan.

Ka pasur disa raste që në Kuvend, në mënyrë të koordinuar apo jo, ata kanë treguar provë force me numrat duke ju kundërvënë Berishës. Rasti flagrant ishte momenti i kandidaturave për Presidentin e Republikës. Berisha ishte i vendosur të çonte në karrigen e kreut të shtetit gazetarin dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Artan Hoxha. Nuk është thënë se për çfarë arsyeje, por Topalli, me një ambicie vetjake për të njëjtin pozicion, është shprehur në mënyrë kategorike kundër këtij propozimi. Ajo madje i ka komunikuar Berishës se bashkë me të, janë dhe një grup tjetër deputetësh të PD-së që nuk do ta votonin Hoxhën. Dilema për shifrat dhe dyshimi për rrjedhje të mundshme të tyre duket se ka qenë shkaku kryesor i tërheqjes së Hoxhës nga kandidimi, i cili mungesën e kostumit presidencial, me siguri e sheh edhe tek armiqësia e tij me kryetaren e sertë të Kuvendit.

Mark Marku, një nga deputetët më të zëshëm në publik, shkoi edhe më tej. Duke komentuar dy kandidaturat presidenciale të paraqitura nga Berisha verën e kaluar, Zaganjori dhe Hoxha, u shpreh publikisht se kryeministri u kishte kërkuar të votonin për një anëtar të vonuar të PPSH-së dhe për një person me histori të hershme me sigurimin e shtetit. “Kupa” për Markun, (sipas standardeve të PD-së kjo kupë është fare e ngushtë) u derdh kur Marku ja atribuoi afrimin e tij në Kuvend “një bisede të gjatë me Topallin”.

Për një pjesë të listës së lënë jashtë, të paktën zyrtarisht, si arsye është paraqitur edhe inaktiviteti i tyre politik. E çuditshme është që i njëjti kriter që u zbatua për përkrahësit e Topallit, nuk vlejti për të tjerë deputetë që ndodhen në pozicione të sigurta në listat e PD-së.
Ka pasur dy pamje të përcaktuara qartë të Topallit në sjelljen e saj politike në këtë legjislaturë. Haptazi dhe drejtpërdrejtë ajo është afishuar si numri dy i PD-së. Topalli, por dhe Olldashi, Patozi, Bode dhe një numër tjetër deputetësh, krijonin në PD jo një grup apo një rrymë të konfiguruar qartazi, por më shumë se kaq, ishin pjesë e një “marrëveshjeje të heshtur” bashkëpunimi. Së bashku, ata kontrollonin shumicën e qarqeve të mëdha në Shqipëri dhe mbi të gjitha, shumicën dërmuese të strukturave organizative të PD-së në qarqe. Jozefina Topalli tanimë nuk ka çfarë i afron këtij grupi. Provën e saj të forcës ajo e konsumoi në katër vitet e kësaj legjislature, gjatë të cilit, morri në heshtje edhe mërinë e kryeministrit. Berisha e duroi kur nuk kishte çfarë t’i bënte, por në momentin vendimtar, duke e mbajtur atë brenda “në listë”, e nxori nga dritarja e paradhomës së pushtetit.

Ka pasur disa momente të kësaj prove forcash dhe numrash në Kuvend, të cilat përgjithësisht kanë kaluar larg vëmendjes së medias, qoftë asaj që ishte pranë pushtetit, qoftë asaj që ishte kritike më këtë pushtet. Përveç rastit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në ambientet e PD-së është diskutuar nën zë edhe për imponimin që Topalli donte të bënte për emrin e ri të Prokurorit të Përgjithshëm. Kandidatura e saj shkonte për Sandër Simonin, një gjyqtar karriere dhe i afërt me të. Vetë ajo nuk morri pjesë në votim duke mos dhënë asnjë arsye politike se pse ishte kundër kandidaturës së Adriatik Llallës. Berisha i vëmendshëm morri shënim dhe priti rastin e tij. Ai e toleroi insistimin e Topallit edhe në rastin tjetër kur shumica kërkonte të zgjidhte kreun e KQZ-së. Marsida Xhaferllari, e preferuara e Berishës dhe me një CV konkurruese, humbi përpara përzgjedhjes së kryetares së Kuvendit, Lefteri Lleshi.

E njëjta histori u përsërit edhe në procesin e votimit të kryetarit të KLSH-së. Ilir Rusmali votoi kundër sepse nuk i falte labit Bujar Leskaj batutat therëse që ky i fundit i kishte drejtuar nga Vlora, kur imponohej kandidatura e Bamir Topit si President i Republikës. Por edhe Viktor Gumi e Fatos Hoxha abstenuan në votim. Topalli mundi të sigurojë një fitore tjetër personale kur detyroi shumicën të votojë kandidaturën e përzgjedhur prej saj, Zana Xhuka në krye të ILKDP-së. Ajo madje, mundi ta tërheqë edhe vetë Berishën në një negociatë mes të tretësh për këtë emër dhe fitoi.
Këto arsye, por dhe të tjera, të lidhura kryesisht me distancën që Topalli ka mbajtur me një nga qendrat më të rëndësishme vendimmarrëse pranë Berishës, familjen e tij, kushtëzuan “ekzekutimin” politik të gruas kryeneçe të politikës shqiptare. E cila, me të gjitha gjasat, edhe nëse PD humb zgjedhjet, do të notojë në ujëra të cekëta sa kohë që Berisha do të vazhdojë të diktojë mbi të gjitha humoret në partinë e tij private.


Olldashi, Patozi, Bode e të tjerë,

Ky aks ruan, në rastin më të keq, pozitat më të mira që ka pasur në ekuilibrat e forcës në PD. Së paku në katërvjeçarin e fundit, mes tyre ka pasur gjithashtu së paku, një marrëveshje të heshtur bashkëpunimi. Nuk kanë reaguar si rrymë e konsoliduar dhe e dukshme në publik, nuk kanë pranuar të identifikohen me një emër të përveçëm si përfaqësues i saj, (siç ndodhi në 2007-ën me njerëzit e Bamir Topit), por i ka bashkuar sa miqësia personale, po aq dhe interesi i përbashkët politik. Megjithatë, në rastin kur Topalli, shumë pranë tyre dhe një si ata, u lëshua duarsh nga Berisha, ata nuk bënë asgjë për ta ndihmuar. Ndoshta për të pritur edhe njëherë rrjedhjen e ujërave të turbullta dhe kullimin e tyre mbas zgjedhjeve.

Pothuaj gjithë deputetët e tjerë, që kanë qenë pranë tyre, e kanë rikonfirmuar praninë e tyre në listat e PD-së. Eduard Halimi, Flamur Noka e Mesila Doda, të afërt me këtë grup, gjithashtu u rikonfirmuan. Dy të parët, kryesojnë listat në Durrës dhe Kukës, e treta, është në pozicionin e dytë në listën e PD-së së Fierit. Arma më e fortë e këtij ekipi mëtonjësish, të njohur për luajalitetin e plotë ndaj Berishës, është kontrolli që ata kanë mbi strukturat e PD-së në Shkodër, Malësi e Madhe, Kukës, Lezhë, Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Berat, Lushnje, Korçë, Pogradec, Librazhd e diku tjetër gjetkë. Të rikonfirmuar janë dhe Mima e Kadilli, të cilët në katër vjet kanë dëshmuar në PD luajalitet ndaj Berishës, mospërfshirje direkte në grupe të ndryshme në parti, por dhe një profil të qëndrueshëm e të kuruar në debate politike.

Lulzim Basha gjithashtu ka ruajtur pozitat e tij të mëparshme në parti. Ai tashmë mund të marrë frymë më lirisht nga dobësimi i pozitave të Topallit në PD, që ishte kundërshtarja e tij më e madhe në parti. Edhe kësaj here, Basha e morri këtë hapje rruge si dhuratë nga Berisha. Në listën me përkrahës të tij nuk mungoi as Majlinda Bregu, as Aldo Bumçi e as Gert Bogdani. Humbi vetëm një përkrahës në distancë të tijin, Enkelejd Alibeajn, që e pa veten jashtë listave, pak a shumë edhe si një “rebel” i moderuar në PD, por edhe për shkak të problematikave që ka pasur me drejtues lokalë të PD-së në Fier. Pakënaqësitë reciproke të tijat me kryesuesin e listës së Fierit, Olldashi ishin kapërcyer, por duket se për të vetoja e Berishës, i pakënaqur dhe nga pavarësia relative që Alibeaj kishte dëshirë të dëshmonte, ishte vendimtare.

Ndërsa për dy deputetë të tjerë, Selami Xhepën dhe Leonard Demin, dukej se bileta ishte prerë për shkak të qëndrimeve të tyre. Kundërshtitë e tyre, edhe pse të rralla, sipas standardeve të një partie të standardizuar në mendim e veprim si PD-ja, ishin të “patolerueshme”. I pari, Xhepa, është shprehur disa herë publikisht për çështje të krizës ekonomike në vend, kurse i dyti, në rastin e hershëm të kërkesës për shkarkimin e Kryetarit të SHISH-it Bahri Shaqiri, ishte shprehur kundër këtij akti. Njëlloj siç gjykonin atëherë edhe hapur amerikanët në Tiranë dhe në SHBA.

Fatos Beja, Jemin Gjana, Ilir Bano dhe ndoshta edhe Tritan Shehu, deputetë në disa legjislatura, duket se do ta kenë më të vështirë se të tjerët po të kërkojnë një arsye për largimin e tyre nga parlamenti. Ndoshta mosha e tyre mund të jetë një argument ose thjesht fakti se duhet të iknin për të krijuar hapësirë për prurjet e reja politike.

Të gjitha ikjet, kanë provokuar dhe një situatë të çuditshme. Tre kryetarë komisionesh parlamentare kanë mbetur jashtë listave, Beja i komisionit të jashtëm, Rusmali i Komisionit të Ligjeve dhe Demi i Komisionit të Sigurisë nuk do të jenë më deputetë në legjislaturën e ardhshme. Madje, Komisioni i Ligjeve, nga 14 anëtarë që ka pasur, 11 prej tyre do të shkojnë në shtëpi.


Të heshturit

Edhe mund të ishin, edhe mund të mos ishin në lista. Luajalë ndaj Berishës, në asnjë rast nuk e kanë rrjedhur votën e tyre përkundër vullnetit të tij. Thjesht ata nuk mundën të krijojnë asnjë profil në Kuvend, mbetën vetëm numra dhe operacioni i zëvendësimit të tyre u bë pa anestezi. Së pari sepse duhet të liroheshin vende për prurjet “e reja”, tre ish-deputetët socialistë dhe gjashtë kryetarët e partive politike, së dyti, për të dhënë imazhin e një retushi parazgjedhor. 

Trashani, Bushati, Hoti, Gjoni, Bulku, Hoxha, Alolli, Çipi, Çota, Hida, Hoxha, Ngresi e Lama, ikën siç erdhën. Pa lënë shenjë.








August 21, 2013

Policia që La Pas Saliu



Diku dëgjova se disa grabitës profesionistë i rrëmbyen gjerdanin nga qafa bashkëshortes së një personi publik. Kjo lloj gjuetie e floririt është shndërruar në një dukuri tipike; ndodh kaq shpesh, saqë mund të thuhet se ajo “zgërdhihet” mes nesh. Grabitësit, që nuk kapen kurrë, konkurrojnë kamikazët e Irakut për mjeshtërinë në sulmet e tyre. Mund të jenë të pashkollë, të shëmtuar, por dinë të shfrytëzojnë mrekullisht ligjet e fizikës gjatë sulmeve të tyre me nxitimin e rënies së lirë. I ndjekin viktimat hap pas hapi, si agjentët e “Butter Melted”, u afrohen pa u ndier, i sulmojnë dhe ua rrëmbejnë mëshirshëm: kujdesen shumë që asnjë gërvishtje të mos shkaktohet në lëkurën e tyre. Inercia e befasisë është fuqia e ngushëllimit për grabitësit, sepse nuk lëndon viktimat, kurse ndodh që ata kanë vrasje ndërgjegjeje… për lëndimet që shkaktojnë.

*  *  *

Para disa kohësh kam qenë dëshmitar i një ngjarjeje të tillë në mes të Tiranës. Po ecja në mesditë bri bashkisë, në drejtim të xhamisë ku kish shumë njerëz dhe faleshin besimtarë, kur ndjeva hijen e dikujt që parakaloi me ngut në të djathtën time. Ishte një i ri, i shkurtër, i ngjeshur gati pa qafë; nxitonte me një ngut të shëmtuar në drejtim të dy zonjave që ecnin 30 hapa para. Dukej se zonjat, bionde të dyja, po ktheheshin nga pazari, sepse mbanin në duar qese me qepë dhe domate dhe po bisedonin të tyret me zë të lartë, si të gjithë ballkanasit. Befas ndodhi çudia. I riu pa qafë iu hodh njërës nga pas, rrufe si skifter, drejt e në qafë. Kaq shpejt dhe kaq me furi, sa në fillim, s’u kuptua çfarë ndodhi. Pastaj u zhduk më shpejt se domatet dhe qepët të binin në tokë, në qoshen e xhamisë, mes besimtarëve, ndjekur nga klithma e gruas. Pranë tyre, në trotuar, ndodhej një polic. Ngjarja kishte ndodhur mu para hundës së tij. Gruaja, krejt e zbehur, me dorën te qafa, iu drejtua gjithë ngashërim: “Zoti polic, të lutem më ndihmo, hajduti më rrëmbeu gjerdanin …nga qafa”. Por tani po ndodhte një hata më e madhe akoma. Në vend t’i qepej hajdutit pas, polici rrinte i ngrirë, si kali i pluhurosur i Skënderbeut në lulishten përballë. E shikonte gruan shkujdesur, me një vështrim patetik, që rrekej të bëhej misterioz dhe që nuk i shkonte as moshës së re dhe as uniformës që kish. “Zoti polic, ju lutem bëni diçka, ma vodhi. Ishte gjerdan floriri!” – ulërinte gruaja e gjorë duke qarë. “Ma pati sjellë çuni nga Italia… ma mori nga trupi hajduti, e shkreta unë. Hajduti!”

Polici rrinte i palëvizur, shpërfillës, a thua, në vend të floririt, gruas i kishin rrëmbyer ndonjë kokërr qepë nga qeset e rëna përdhe. Vetëm kur gruaja tjetër tha “Turp të keni o plehra!”, vetëm atëherë në fytyrën e policit lëvizi një muskul, ai që zakonisht krijon nënqeshjen cinike.
Lëvizi një muskul, por nuk i lëvizi asnjë qime në kokën e tij. Vështronte kotësisht tej kalit të Skënderbeut, me një krenari dhe dritëpamje prej ku dukej ballina e muzeut, mozaiku i të cilit shkëlqente si vetë lavdia. Të dyja gratë mallkuan shtetin e policinë dhe një çast më pas nxituan të pashpresa drejt ikjes së hajdutit profesionist, por edhe drejt një dite të dëshpëruar. Iu afrova policit dhe pasi pashë emrin në gjoks, e pyeta se a e pa skenën e vjedhjes që ndodhi mu përpara syve të tij, dhe polici më pa shpërfillur, si kishte parë pak më parë grabitësin, gratë dhe mozaikun e muzeut atje tej. Ishte një vizionar i asgjësë: “Debilet, mirë ja bojn! A vihet te çamt, (pazari çam), me një gisht gjerdan n’qaf?!”

*  *  *

Mision policie me një “vizion” të tillë harbutërie, mund të ketë ndeshur shumëkush në rutinën e tij. Natyrisht, nëse me harbutëri nënkuptojmë shumëçka, edhe mediokritetin edhe paaftësinë. Më keq akoma, edhe “kapjen”! Nëse flasim për mision dhe vizion, mjafton të kujtojmë dështimin otoman të policisë shqiptare në Lazarat, për të krijuar imazhin, për të përkufizuar objektin, për të përshkruar Policinë e Shtetit.
“Lazarati” nuk është thjesht një njollë. Është edhe një simbol. Rast mjaft i rrallë ky kur një institucion shtetëror përfaqësohet me diçka që është njëherësh edhe simbol, edhe ndotje: simbol i paaftësisë dhe i kapjes së shtetit.
Por të kthehemi edhe njëherë te ngjarja e rrëmbimit në mes të ditës, në mes të Tiranës. Gjatë grabitjes së gruas në trotuarin e bashkisë, më kishte tronditur fodullëku i policit dhe kisha dështuar në gjetjen e një shpjegimi: një rrogëtar, i veshur me uniformë dhe pushtet për të ruajtur rendin, bën sehir. Vështirë të ketë gjë më poshtëruese për një qytetar. Tronditja bëhet edhe më serioze kur shikon se si sjellja e një polici rreket të përfaqësojë. Rreket të përfaqësojë të keqen. Ngaqë ky nuk është rast i vetëm, me të drejtë mund të supozohet se Policia e Shtetit është një organizatë e paqartë për misionin që ka. Policia e burgjeve, mbushur me drejtues të paaftë e pa nivel. Policia rrugore, që ndikon në gjendjen shpirtërore të udhëtarëve më fort se filmat horror të mesnatës. Mjafton të pyesim emigrantët që vijnë të pushojnë në Shqipëri për të kuptuar se sa i lartë është koeficienti i babëzisë së policave rrugorë, që vjedhin ditën e natën drejtuesit e automjeteve. Jo rrallë Policia e Shtetit është treguar shurdhe, qorre, idiote apo në rastin më të mirë e paaftë, në përballje me krimin.

Njëlloj si nuk munda ta kuptoj policin me vështrimin krenar, sot nuk mund të kuptoj as krenarinë e kotë të drejtuesve të policisë rrugore, që tundin e shkundin trupat e tyre në çdo kilometër rrugë, për t’ju rrëmbyer bakshishe shoferëve. Njëlloj nuk mund të kuptoj aksionet e turpshme kundër hashashit në Lazarat. Të ndalojmë edhe një herë në Lazarat. Në Lazarat vetë qeveria bën ndalesën e frymës, si astmatikët. I duhet pompa për të vazhduar. Policia ka ndihmuar të jetë edhe më e dukshme asfiksia e pushtetit në ikje të Berishës. Si ia ka dalë? Duke përdorur demagogjinë e lirë, si mallrat kinezë. Çdo vit e njëjta histori. Policia bën postblloqe, në hyrje të Lazaratit, si për të justifikuar dështimin. Dështimin otoman! Them dështimi otoman, për çështje etike, sepse nuk dua të them hapur që në Lazaratin e rrethuar, e dini çka ngjarë? Shtetit shqiptar i kanë rënë brekët në fund të këmbëve. Atje vazhdon rrethimi i kotë, i dështuar, i dëshpëruar i kështjellës së hashashit në fshatin rebel. Ndalimi i punëtorëve, ndërprerja e ujit, rrethimi i gjatë, të gjitha këto të kujtojnë rrethimin e Krujës nga turqit në Mesjetë. Lazarati i hashashit ka triumfuar mbi shtetin shqiptar ashtu si Skënderbeu triumfoi në Krujë mbi osmanët. Njëlloj si sulltan Murati u tërhoq dështuar nga ambicia për të mposhtur qëndresën e arnautëve, mbas fushimeve të gjata, drejtori Burgaj, vit pas viti, rrethim pas rrethimi, është tërhequr njëlloj kokulur nga Lazarati. Ato që mbetën janë postblloqet si relike të dështimit. Maksimumi që ka mundur të bëjë është shtimi i këtyre postblloqeve, ndërsa përbri, hashashi në Lazarat lulëzon edhe rritet, edhe shitet çdo verë.

*  *  *

Nuk ka gjë më të vrazhdë se detajet që ndihmojnë prishjen e alibive. Këto janë disa detaje që ndihmojnë për të krijuar një opsion për policinë shqiptare! E vrazhdë si detajet, e paaftë, e pandjeshme. Dhe kryesorja aspak profesionale. Që ish-kryeministri Berisha lëngëzohej prej krenarisë që kish për forcat e rendit, sa kohë ish në pushtet, kjo gjë nuk e përmirëson aspak situatën. Përkundrazi.

                                                                                             Artan Mullaj


*  *  *


Burgjet më famëkëqija në botë





Jeni të mendimit që burri duhet ta provojë një herë burgun? Do ta ndryshoni këtë ide pasi të shihni burgjet më famëkëqija në të gjithë botën. Kushtet e tyre janë mizerabël, shërbimi i keq dhe kontrolli i ashpër. Dënimi i njerëzve për krimet e kryera duket se ka marrë një gjykim shumë serioz nga ana e këtyre autoriteteve. 

Ja 20 burgjet më famëkëqija në të gjithë botën.


20. Burgu Diyarbakir
Ndodhet në jugperëndim të Turqisë dhe është ndërtuar në vitin 1980. Që atëherë atje janë burgosur kriminelët më të dhunshëm të vendit dhe kjo është arsyeja përse ndodhet në këtë listë. Ky burg është i njohur për torturat jo vetëm fizike, por edhe mendore. Ndërtesa është e ndarë në dy pjesë, në sektorin E që ka një kapacitet prej 744 të burgosurish dhe sektori D që mban 688.


19. La Sabaneta
Ky burg ndodhet në Venezuelë dhe konsiderohet një nga burgjet më të këqija në botë. Është një nga objektet më brutale të vuajtjes së dënimit në Amerikën e Jugut. Shumica e njerëzve që dërgohen në La Sabaneta kërkojnë të largohen sa më shpejt që aty. Mes të burgosurve qarkullojnë shumë epidemi dhe kujdesi shëndetësor mungon. Kombinimi i kësaj dhe stafit të vogël bën që shumë krime të dhunshme të ndodhin brenda mureve të burgut famëkeq.


18. Burgu ADX Florence Supermax
Thuhet se ky burg është shtëpia e kriminelëve më të rrezikshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndodhet në Fremont Country, Kolorado dhe mban brenda vetëm 439 të burgosur. ADX Florence Supermax ka sigurinë më të lartë në vend. Shumë nga të burgosurit kryejnë vetëvrasje për shkak të izolimit total nga gjithçka dhe kushdo, duke përfshirë këtu edhe të burgosurit dhe rojet. Burgu është ndërtuar në vitin 1994.


17. Burgu Tadmor
Ky burg ndodhet në Tadmor, që është një shkretëtirë në Siri, 200 kilometra larg Damaskut. Fillimisht burgu ishte planifikuar të ishte një bazë ushtarake e mbrojtjes, megjithatë gjatë viteve 1980, brenda tij zunë vend të gjithë llojet e kriminelëve. Po në këtë vit Presidenti Hafez al-Assad urdhëroi që t’i vrisnin të gjithë të burgosurit, gjë që çoi në vrasjen e 2400 njerëzve. Burgu u mbyll në vitin 2001 dhe u hap sërish në vitin 2011.


16. Burgu Carandiru
Vendi i vuajtjes së dënimit Carandiru ndodhet në San Paulo, Brazil dhe u hap për herë të parë në vitin 1920. Ai nuk strehoi të burgosur deri në vitin 1956 dhe u mbyll në vitin 2002. Në vitin 1992 atje ndodhi një masakër e vërtetë dhe 111 të burgosur mbetën të vrarë gjatë kryengritjes. Problemi më i madh që hasi ky burg ishte se mbajti 8000 të burgosur kur mes tyre ishte përhapur njerëzisht epidemia e HIV AIDS, që ishte edhe një nga arsyet përse u mbyll.


15. Camp 22
Camp 22 në Korenë e Veriut mund të quhet pa frikë burgu më i keq në botë. Kampi i të burgosurve politikë quhet zyrtarisht Kwan-li-so 22. Ai është plotësisht i izoluar nga bota e jashtme. Të burgosurit dhe ndonjëherë familjet e tyre në disa raste mbahen për të gjithë jetën në Camp 22. Aty gjenden më shumë se 50.000 të burgosur.


14. Burgu qendror Bang Kwang
Ky burg gjendet në provincën Nonthaburi në Tailandë, që është shtatë milje larg nga Bangkoku. Ky objekt i vuajtjes së dënimit vetëm për burra konsiderohet si një nga burgjet më të ashpra në Lindjen e largët. Ai është i mbipopulluar dhe ka shumë pak staf, duke e bërë kështu një nga vendet më të këqija të mundshme për shpagimin e veprave kriminale. Në burg janë strehuar edhe të burgosur të huaj dhe gjithashtu gjenden edhe ata që presin të pësojnë dënimin me vdekje.


13. El Rodeo
Një tjetër burg që ndodhet në Venezuelë, në Guatire. Konsiderohet si një nga vendet më të këqija për mbajtjen e të burgosurve. Atje vuajnë dënimin 50.000 të burgosur në kushte maksimale sigurie. Në vitin 2011 ndodhi një luftë e madhe mes bandave brenda tij, gjë që kërkoi ndërhyrjen e forcave të armatosurave për t’i dhënë fund. Ky është vërtet një nga burgjet prej të cilit t’i dëshiron të dalësh e të mos i kthehesh më kurrë.


12. Burgu qendror Gitarama
Gitarama gjendet në Ruanda dhe ka një emër shumë të keq për sa u përket kushteve dhe trajtimit. Gjendja është aq e keqe në këtë burg saqë disa nga të dënuarit përfundojnë duke ngrënë trupin e njëri-tjetrit vetëm për të qëndruar gjallë. Shumë nga të burgosurit që kanë vuajtur dënimin e tyre në Gitarama kanë deklaruar se është “ferri në tokë”. Ky burg u projektua fillimisht për të mbajtur 400 të burgosur, megjithatë u mbipopulluar me rreth 7000.


11. Burgu Rikers Island
Rikers Island është një kompleks tepër i madh burgu në Nju Jork, që mban disa nga kriminelët më famëkëqij në SHBA. Burgu gjendet në një ishull midis qytetit të Queens dhe Bronx. Zakonisht këtij burgu i referohen si “The Island” dhe në të duket se punojnë rojet më të dhunshme që mund të gjesh. Kjo është një nga arsyet përse mbahet si një vend ku askush nuk do të donte të vuante dënimin.


10. San Juan de Lurigancho
I ndodhur në Lima, në Peru, San Juan de Lurigancho njihet si një nga burgjet më të forta në Amerikën e Jugut. Burgu është shumë i mbipopulluar. Ai duhej të strehonte 2500 sipas kapacitetit të llogaritur, por tek ai qëndrojnë mbi 7000 të burgosur. Mjedisi brenda tij është pothuajse i pakontrolluar dhe në të kryhen krime si shitja e drogës, përdhunimi dhe vrasja. Fakti që rojet nuk janë shumë të vëmendshme e ka bërë ndër të tjera këtë burg shumë të rrezikshëm.


9. Burgu Shtetëror San Quentin
San Quentin nuk është vetëm burgu më i vjetër në Kaliforni, por është gjithashtu edhe një nga më të këqijtë. Ai u hap për herë të parë në vitin 1852 dhe është objekti më i madh në SHBA që ruan meshkujt e dënuar me vdekje. Brenda ka akoma dhomë gazi, por që prej vitit 1996 të gjithë të dënuarve më vdekje i jepet një injektim vdekjeprurës. Momentalisht, në burg strehohen 4000 të burgosur.


8. Alkatraz
Nuk kishte si të mungonte në këtë listë. Alkatraz është burgu që strehoi kriminelët më të rrezikshëm të kohës së tij dhe gjithashtu i famshëm për izolimin nga pjesa tjetër e botës. Ujërat e ftohta që e rrethonin nuk u jepnin mundësi atyre që mundnin të arratiseshin të mbijetonin për shumë kohë. Të dënuarit ushqeheshin mjaft mirë, në mënyrë që fiziku i tyre të humbiste formën e mirë dhe ata të bëheshin të paaftë për të tentuar ndonjë mënyrë arratisjeje. Ai është ndoshta burgu më i famshëm në të gjithë botën. I ndërtuar në vitin 1893, ai është jo më në gjendje pune që prej vitit 1963.


7. La Sante
Burgu i La Santes gjendet në Paris, Francë. Ai i hapi dyert e tij në vitin 1867. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, burgu strehoi kriminelët më të përhapur dhe gjithashtu ata të luftës. La Sante përmban pothuajse po aq minj dhe parazitë, sa të burgosur. Këto kushte e bëjnë një vend të tmerrshëm për të kaluar vitet e dënimit, ndaj shumë të burgosur kanë kryer vetëvrasje brenda tyre.


6. Burgu Stanley
Ky burg gjendet në Hong Kong dhe mban disa nga njerëzit më brutalë dhe më të dhunshëm të vendit. Është ndërtuar në vitin 1937 dhe ka një siguri maksimale, ashtu sikurse edhe pesë të tjerë në Hong Kong. Ky burg e ka të lejuar dënimin me vdekje dhe rreth 600 të burgosur janë ekzekutuar që kur hapi dyert për herë të parë rreth 7 dekada të shkuara. Kapaciteti i tij është 3000 të burgosur.


5. Burgu Petak Island
I njohur si Alkatrazi i Rusisë, Petak Island është mishërimi i shprehjes “të jetosh në ferr”. Çdo i burgosur është i mbyllur në shumicën e ditës në qelitë që kanë siguri maksimale. Të burgosurit janë plotësisht të izoluar nga të burgosurit e tjerë dhe nga rojet e burgut. Shumë nga të burgosurit e këtij burgu kanë vdekur për shkak të të ftohtit, borës dhe ujërave. Burgu është i izoluar nga Liqeni i Bardhë i Rusisë dhe njihet se mban të burgosur me dosje të pasur kriminale.


4. Burgu Butyrka
Ky burg ndodhet në Moskë dhe është një vend shumë i rrezikshëm. Mbipopullimi është i jashtëzakonshëm këtu. Një qeli normale mban në vend të 10 të burgosurve, 100 të tillë. Sëmundjet si AIDS dhe tuberkulozi janë shumë të përhapur. Njihet si burgu më i madh në Rusi dhe një herë e një kohë mbajti 20.000 të burgosur.


3. Camp 1931
Camp 1931 është një burg i rrezikut të lartë në veri të Izraelit. Ky burg ishte i panjohur për shumicën e botës deri në vitin 2003. Ai gjendet më pak se një orë larg Tel Avivit dhe shumica e njerëzve i referohen si një nga më të rrezikshmit në botë. Shumica e të burgosurve që vuajnë dënimin këtu dhe dosjet e tyre janë të fshehta.


2. Burgu Kamiti
Burgu i sigurisë së lartë Kamiti ndodhet në Nairobi, në Kenia dhe është një vend shumë i vështirë për të kaluar vitet e dënimit. Prej kohësh për këtë burg kanë qarkulluar fjalë se të burgosurit e tij rrihen deri në vdekje në rutinën e përditshme. Brenda mureve të tij mund të gjesh epidemi nga më të ndryshmet si kolerë, kequshqim dhe ulcerë. Shumë nga të burgosurit janë të burgosur politikë, gjë që do të thotë se nuk ka asgjë të ndaluar kur vjen puna te trajtimi i tyre.


1. Attica
Burgu Attica quajtur ndryshe “Attica Correctional Facility” ndodhet në Nju Jork dhe është burgu më i keq në botë. Ka siguri të nivelit maksimal dhe strehon shkelësit më të dhunshëm të ligjit. Është ndërtuar në vitin 1930 dhe që atëherë shumë trazira kanë ndodhur në Attica. Në vitin 1971 ndodhi një kryengritje e madhe që përfshiu 2200 të burgosur, të cilët morën peng 33 anëtarë të stafit të burgut.


Raporti
Në të gjithë botën numërohen 10.1 milionë të burgosur nga 6.9 miliardë njerëz gjithsej, thënë ndryshe 146 për 100000 njerëz. Shteti me numrin më të madh të të burgosurve është SHBA-ja me 2,193,798, e ndjekur nga Kina me 1,548,498 të burgosur.
Me një shkallë popullimi 153 për 100000 njerëz, Anglia dhe Uellsi burgosin më shumë njerëz për frymë, sesa çdo vend tjetër i Europës Perëndimore, përveç Spanjës që e ka këtë shifër 159.
Rritjen më të madhe të të burgosurve në Europë e ka Turqia dhe Gjeorgjia, ku në të dyja vendet numri i të burgosurve u dyfishua nga vitit 2006 deri në vitin 2010.
Pakësimin më të madh të të burgosurve në Europë e ka Moldavia dhe Holanda, shifra e të cilave ka rënë me 25 për qind kohët e fundit.
Rritje e dukshme të numrit të të burgosurve vihet re në Venezuelë dhe në El Salvador, ku numri është dyfishuar.
Raporti i World Prison Population tregon se numri i të burgosurve po shtohet pothuajse në të gjitha vendet e botës, duke treguar se krimet po rriten.


*   *   *






August 20, 2013

Skënderbeu

vdiq me Kanunin mbi komodinë


Akaki Khorava, aktori që interpretoi Skënderbeun në filmin me të njëjtin emër, u nda nga jeta më 23 qershor të vitit 1972. Në komodinën pranë krevatit të tij, mbante librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. 

Kjo ndodhi në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku aktori kaloi vitet e fundit të jetës. Atij i pëlqente shumë ky libër dhe kur ishte në Shqipëri, kishte arritur ta përkthente nga origjinali i gjuhës shqipe, në rusisht, nëpërmjet miqve të tij shqiptarë. 
Kjo ndodhi gjatë xhirimeve të këtij filmi. Dhe kur iku Akaki Khorava mori me vete një kopje të Kanunit. Atij i pëlqenin shumë ligjet shqiptare të asaj kohe, pra të kohës së Skënderbeut dhe përpiqej të hynte në brendësinë e psikologjisë së shqiptarëve.


























11 zonat e tregut të seksit në Tiranë

Sezoni veror zbulon shifrat alarmante

- Prostitucioni dhe ligjet e tij. Më të paguara në këtë treg prostitutat e luksit, nga 500-2000 euro nata. Biznesmenët e huaj dhe VIP-at, klientët e preferuar të punëtoreve të seksit. 

- Prostitutat e klasit, shoqërueset e denja për biznesmenët, ose VIP-at



Janë 11 zona në kryeqytet 

ku punëtoret e seksit zhvillojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm duke ofruar shërbime seksuale në këmbim të lekëve. Është pikërisht sezoni turistik, i cili si çdo vit “zhvesh” tregun e prostitucionit si dhe të drogës. Muaji gusht, i njohur për korrjen e kanabis sativa, zbulon shifrat alarmante të rasteve të prostitucionit. Kryeqyteti i “dritave të kuqe”, ofron punëtoret e seksit, të cilat mund t’i gjesh vetëm nëpër cepa rrugësh të errët, hotele luksoze ose banesa private. Të ndara në kategori të ndryshme, për punëtoret e seksit, tre muajt e sezonit veror janë periudha më e ngarkuar e punës. Në dallim nga shumë kryeqytete evropiane, në Tiranë është e ndaluar me ligj ekzistenca e shtëpive publike ose e rrugës së njohur si “dritat e kuqe”. Çdo gjë ndodh nën hijen e natës ose nëpër dhoma hotelesh. Ndërsa nëse flasim për pagesën e një punëtoreje seksi, shifra variojnë nga 200 lekë të vjetra deri edhe 200 mijë lekë të reja. Tregu i prostitucionit ofron larmishmëri femrash, duke filluar nga ciganet/romet e deri tek vajza të mirëarsimuara të shkolluara, të cilët këtë punë e vlerësojnë si një mundësi për të pasur më shumë të ardhura në kuletë. Ndërsa pothuajse në çdo lokal nate luksoz është mjaft e thjeshtë që të “porosisësh” një femër, për të kaluar disa orë të këndshme në shoqërinë e saj. Janë vetë pronarët e pub-ve, të cilët ofrojnë këtë lloj argëtimi. Një formë tjetër e re prostitucioni, që po njeh një përhapje të shpejt, është kontaktimi i vajzës me numër celulari. Femra, të cilët rrijë në linjë duke pritur që dikush t’i kërkojë në celulari, numri i së cilës përhapet nga miqtë ose të njohurit e tyre. Kjo është një formë më e thjesht për të pasur marrëdhënie seksuale me një femër, e cila preferon ta kthejë veten në një punëtore seksi pa tutor. Ndërsa me çmime më të leverdishme, thyen tabunë e prostitucionit të rrugës.


Harta e prostitucionit

Janë në total 11 zona në kryeqytet, të cilat mund të cilësohen si “dritat e kuqe”. Ndonëse jo në formatin real të “dritave të kuqe”, ajo janë rrugë të Tiranës, të cilat ofrojnë punëtoret e seksit, që punojnë nën fshehtësi dhe nën frikën e zbulimit nga forcat e policisë. Sipas bluve, pikat “e nxehta” fillojnë me të famshmen “Gropa e Hajdin Sejdisë”, për të vazhduar më pas me hotelet që ndodhen përgjatë Bulevardit Zogu i Parë dhe që përfundojnë tek Stacioni i Trenit. “Harta vazhdon të shtrihet pranë kryqëzimeve të “Zogut të Zi” dhe “21 Dhjetorit”, ku punonjëset e seksit shfrytëzojnë faktin se në këto akse kalojnë me qindra makina dhe qëndrojnë aty gjatë orëve të natës në kërkim të klientëve”, thonë burime të policisë. Por harta shtrihet më tej, deri në Liqenin Artificial, ku disa hotele në atë zonë shërbejnë si “shtëpi publike”, ku kundrejt pagesave që variojnë nga 1000 lekë e deri në disa qindra-mijëra lekë, ofrohet shërbimi i punëtoreve të seksit. Edhe hotelet përgjatë autostradës Tiranë-Durrës janë shndërruar në vendstrehimin e punëtoreve të seksit. Periferia e Tiranës duket se ka dhe numrim më të madh të hoteleve, moteleve pse shtëpive të cilat ofrojnë punëtoret e seksit. Një tjetër zonë mjaft e frekuentuar është dhe Vaqari, ku një sërë motelesh në atë zonë prej kohësh, kundrejt pagesës, të ofrojnë dhe shoqërinë në dhomë, në rast se dikush nuk shkon i shoqëruar. E njëjta situatë është dhe në zonën tjetër periferike të Tiranës, atë të Saukut.


Ofrojnë trupin në lokalet dhe hotelet luksoze

Një kategori mjaft e përfolur në këto ditë të nxehta vere janë prostitutat e klasit. Të cilësuar me këtë mbiemër, për shkak se ato përdoren nga biznesmenët, ose VIP-at. Njëkohësisht pagesa për këtë kategori të punëtoreve të seksit është më e lartë, duke mbuluar edhe shpenzimet personale të prostitutës. Kjo e fundit mund të jetë një shoqëruese e “denjë” për biznesmenin nëpër udhëtime, duke ofruar përveç paraqitjes edhe raport seksual. Por nuk është dhe aq e thjesht për të gjetur këtë kategori femrash, të cilët mund të thuash se janë të rekrutuara nëpër lokalet ose hotelet më luksoze të kryeqytetit. Nga burime të policisë thuhet se për këtë kategori pagesa mund të variojë nga 500 euro deri në 2000 euro, pa përcaktuar vleftën e orëve të qëndrimit ose shërbimet përkatëse të ofruara. Burime nga blutë bëjnë me dije se në pjesën më të madhe të rasteve janë shtetas të huaj, klientët kryesore të prostitutave të klasit, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve rezultojnë femra të mirëarsimuara. Të huajt preferohen më tepër, pasi edhe pagesa është më e majme për këtë kategori. Prostitutat e luksit nuk janë njësoj si të gjitha punëtoret e tjera. Hijeshia, eleganca, klasi dhe bukuria e tyre nuk mund të ekspozohen nëpër rrugica të ndotura. Këto vajza, çmimi i të cilave është disa herë më i lartë se i kolegeve të tyre, vizitojnë hotelet luksoze të kryeqytetit, ku klientët e tyre VIP arrijnë të paguajnë shifra që shkojnë deri në 500 euro, vetëm për të qëndruar një natë me to.


U premtonin martesë, 
por i kthenin në skllave seksi

Mashtronin femra duke u premtuar martesë, të cilat i shndërronin në punëtore seksi. Operacioni i policisë “Binehouse” çoi në pranga tre persona me akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Bëhet fjalë për shtatë femra, të cilat u trafikuan në Zvicër dhe Gjermani për një “jetë më të mirë”. Shyqyri Stafuka, 23 vjeç, vëllai i tij Bledar Stafuka, 22 vjeç, si dhe Emiljano Tarja, 23vjeç, të tre këta persona banues në Tiranë. Sipas burimeve të policisë personat e mësipërm akuzohen se gjatë vitit të kaluar kanë rekrutuar në Tiranë dhe në rrethe të tjera të vendit 7 femra, duke iu premtuar atyre martesë e punë në Zvicër e Gjermani. “Bazuar në materialet e grumbulluara në kuadër të këtij hetimi, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda caktoi ndaj këtyre shtetasve masën e sigurisë arrest me burg, nën akuzën e kryerjes së veprave penale trafikim i femrave, kryer në bashkëpunim, për shtetasit Shyqyri dhe Bledar Stafuka, si dhe trafikim i të miturve kryer në bashkëpunim, për shtetasin Emiljano Tarja”, thuhet në dosjen e prokurorisë, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve. Hetimi ndaj tyre nisi disa muaj më parë, kur dy femra denoncuan në Shqipëri se këta tre persona i kishin mashtruar duke i dërguar në Zvicër, ku gjoja pretendohej se iu kishin gjetur punë dhe se do të jetonin me to. Mashtrimin e njëjtë e kanë pësuar edhe pesë femra të tjera, disa nga të cilat, sipas burimeve të policisë kanë depozituar kallëzimet e tyre në Zvicër dhe në Gjermani ndaj të akuzuarve. Policia dhe Prokuroria gjermane dhe ajo e Zvicrës pas marrjes së denoncimeve nga të dëmtuarat nisën hetimet duke transferuar në vendin tonë edhe dokumentacionin përkatës, duke realizuar hetimin paraprak në të tria vendet deri në arrestimin e tyre. Ndërsa mësohet se ka qenë pikërisht shtetasi Bledar Stafuka, i cili joshte femrat, të cilët më pas do të përfundonin në tregun e prostitucionit. Bledar Stafuka i premtonte vajzave martesë dhe një jetesë përrallore në Zvicër, por në fund secila nga shtatë vajzat e ka gjetur veten në mes të rrugës, në një skllave seksi. Një operacion shumë i përfolur i uniformave blu ishte “Zogjtë e natës”. Janë shtatë persona, të cilët ranë në prangat e bluve për trafikun dhe shfrytëzimin e prostitucionit. Gjenin femra të mitura, të cilat nën presionin e dhunës i detyronin që të kryenin seks me biznesmenë të huaj.


Nga Anxhela Tato






















Sara Panariti



Gruaja që i dha jetë bibliotekës së “Vatrës”. 
Dorëshkrimet e Konicës dhe kujtimet për Nolin

                                                                                                                                        
Ajo quhej Sara. Në janarin e vitit 1952, ajo do të kalonte orë të tëra duke sistemuar bibliotekën e madhe të të shoqit, në zyrën e federatës panshqiptare “Vatra”. Sara, një grua që i kishte dashur gjithnjë librat, nuk e mendonte se sëmundja e të shoqit, Qerim Panariti (ai ishte shtruar në spital), do ta fuste atë drejt një bote që do ta joshte përmes letrash. Në morinë e librave që po sistemonte në bibliotekën e madhe të “Vatrës”, ajo u ndal në dorëshkrimet e Faik Konicës, të cilat ishin ashtu siç ai i kishte lënë në studion e tij para vdekjes. Një mori letrash, të cilat Sara kërkonte t’u gjente fundin, duke rendur mes fjalëve për të zbuluar të gjithë historinë. “Në janar të vitit 1952 unë isha i shtruar në spital për një operacion të lehtë. Në këtë kohë më zëvendësonte në zyrë gruaja ime, Sara, e cila në kohën e lirë filloi të ndante veç e veç dhe t’i klasifikonte shkrimet e ndryshme të Konicës, të shkruara në shumë gjuhë. Gjatë kësaj pune ajo zbuloi këtë dorëshkrim, e lexoi dhe kaq shumë e bëri për vete stili dhe përmbajtja e materialit sa erdhi drejt e në spital, tërë entuziazëm, të më mbushte mendjen ta jepja për botim”, do të kujtonte më vonë Qerim Panariti. Dorëshkrimi që Sara zbuloi, do të ishte dhe libri që do të shënjonte prozën e parë moderne shqiptare, “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”.

Kur Panariti do të lexonte dorëshkrimin që Sara ia solli me një frymë në spital, do të kuptonte se ai nuk ishte një shënim i thjeshtë, por një libër të cilin Konica e kishte shkruar me shumë kujdes. “Më vonë e lexova edhe unë vetë dorëshkrimin, më pëlqeu dhe menjëherë vendosa të mos e lija të shkonte dëm kjo punë me vlerë, pa marrë parasysh sa duhej bërë për përgatitjen e tij. Pasi e lexova dorëshkrimin, e kuptova se nuk ishte material i mjaftueshëm për ta justifikuar botimin e tij si një histori të Shqipërisë. Prandaj i hyra punës dhe me ndihmën e sime shoqeje, i zgjerova kapitujt e plotë në një seri prej dhjetë esesh, që dolën të shkruara me një stil të këndshëm e vetjak. Meqë nuk donim të largoheshim nga stili i përpiktë dhe i këndshëm i Konicës, ne gjendeshim në një rrugë pa krye, kur duheshin plotësuar disa zbrazëti aty-këtu. Në shumicën e rasteve ia gjetëm fillin kësaj pune, duke e plotësuar materialin me pjesë nga shënimet dhe fjalimet e autorit ose duke ndjekur me kujdes pikat e referimit. Në shumë vende dilte e nevojshme të shtoheshin pjesë të reja, të cilat tregohen në shënimet në fund të faqeve. Më në fund unë kam përfshirë në shtojcë edhe një nga pamfletet e Konicës, sepse përmban material të vlefshëm për historinë e Shqipërisë”, kujton Panariti. Sara do të merrte përsipër daktilografimin e shënimeve të Konicës, të cilat nuk ishin të lehta, duke i ngjitur pjesë shënimesh, duke kontrolluar referimet, dhe mbi të gjitha, duke u treguar si një nga kritikët më të rreptë. E dashuruar pas librave, Sara do të bëhet një nga kontribuueset më të denja të ruajtjes së arkivit të pasur të “Vatrës”, me të cilën do të punonte deri pak kohë më parë kur u nda nga jeta.

Në memorien e Sarës nuk ishin vetëm librat që gjeti në atë bibliotekë, por dhe personazhe të ndryshme të rëndësishme të historisë shqiptare, që i takoi në ato zyra, apo përkrah të shoqit, Qerimit. Një ndër këto personazhe ishte edhe Fan Noli. “Nuk e njihja peshkop Nolin derisa u martova. Nuk e kisha takuar kurrë më parë. Burri im ishte mik shumë i mirë i tij dhe ata kishin lidhje të ngushta. Zyra e ‘Vatrës’ ndodhej në Huntington Avenue në Boston dhe apartamenti i peshkopit ishte pranë saj në Blagden Street, kështu që ai e vizitonte shpesh Fan Nolin. Apartamenti i tij ishte shumë i hallakatur dhe i mobiluar thjesht, shumë pak mobilie, por shumë libra”, do të rrëfente ajo kohë më parë në një bisedë me studiuesin e Nolit, Nasho Jorgaqi. Sara tregonte se Noli i vizitonte dy herë në vit. “Ai e kishte të vështirë të ngjiste shkallët, sepse çalonte pak dhe e kishte akoma më të vështirë të zbriste. Fakti që ai dhe burri im ishin aq miq, ishte shumë e çuditshme, sepse burri im ishte mysliman, megjithatë, ai ishte shumë i afërt dhe i devotshëm ndaj peshkopit. Ai e çmonte aq shumë peshkopin sa, edhe pse ishte mysliman, shkonte shpesh në kishë”, tregonte ajo. Noli do të vlerësonte temperamentin dhe pasionin e gruas për t’u përfshirë në biseda. “Gruaja jote ka karakter të këndshëm”, do t’i thoshte Noli gjatë një takimi me humor Qerimit. “Peshkop Noli kishte sens të shkëlqyer humori. Duke e ngacmuar burrin tim, i thoshte: Pse nuk bëhesh prift? Do të ishe prift i mirë dhe gruaja jote ka karakter të këndshëm, kështu që do të bëhej priftëreshë e mirë”, tregonte ajo. Kjo grua ndihej me fat që kishte mundur të ishte aq pranë njerëzve që kishin kontribuuar aq shumë për çështjen shqiptare. Që në takimet e para me Qerimin, burrin e saj të ardhshëm, ajo e kishte ndier pasionin e madh të këtij njeriu për atdheun e tij. Kthimet e tij të vona në shtëpi, pas punës në gazetën “Dielli”, do të kuptoheshin lehtë nga gruaja, e cila e dinte se sa shumë vlenin rreshtat e shkruara në shqip në atë gazetë në SHBA. “Im shoq dhe Noli kishin shumë gjëra të përbashkëta. Qëllimi i tyre mbizotërues ishte përkushtimi ndaj çështjes shqiptare, nacionalizmit shqiptar dhe kulturës shqiptare. Që të dy ishin të interesuar për shtimin e koleksionit të literaturës shqiptare, sepse kur erdhën shqiptarët në fillim në Amerikë, nuk kishte asgjë. Peshkop Noli përktheu shumë libra, mes të tjerash Shekspirin dhe ‘Rubairat’ e Omar Khajamit. Ai shkroi ‘Historinë e Skënderbeut’ në shqip dhe në anglisht dhe përktheu shumë poezi origjinale; shkroi edhe shumë pjesë liturgjike. Përmes përpjekjeve të burrit tim dhe të shoqërisë ‘Vatra’ u organizua një banket dhe të ardhurat iu dhanë peshkopit, që t’i përdorte për botimin e librit ‘Bethoveni dhe Revolucioni Francez’. Libri për Skënderbeun u botua nga ‘Vatra’, kur burri im ishte botues i ‘Diellit’”, do të tregonte ajo për Jorgaqin. Duke iu referuar bisedave me të shoqin, ajo thotë se Noli shkoi në Harvard, sepse vendosi të krijonte një bazë të mirë në anglisht, me qëllim që të kryente atë punë që donte të bënte. “Fan Noli mund t’ia dilte në të dyja botët. Shumë herë anëtarë të klerit të huaj ose gazeta të huaja mund të funksionojnë vetëm në gjuhën e tyre, por peshkop Noli dhe burri im mund t’ia dilnin po aq mirë në botën amerikane, sa edhe në botën shqiptare.

Noli zbulohet si talent i aktrimit dhe notar.

Fan Noli kishte aftësi dramatike dhe ndoshta mund të ishte bërë aktor shumë i mirë. Grupi teatral ku kishte marrë pjesë u shpërnda, pasi mbeti në mes të katër rrugëve në Egjipt, pa para. Ai duhet të ketë pasur aftësi dramatike, ndryshe nuk do të mund të mbante të mbërthyer për një kohë aq të gjatë ata që e dëgjonin. Ishte shumë tërheqës, kur fliste ai, ti e dëgjoje”, kujton Sara. Disa herë ajo ndiqte shërbesat e kishës vetëm për të dëgjuar zërin e tij, sepse duke mos qenë shqiptare, nuk e kuptonte gjuhën.
“Kur flisnin me njëri-tjetrin, im shoq, Qerimi dhe Noli, bisedat e tyre kalonin nga filozofia te letërsia, nga arti te historia, por subjekti për të cilin flisnin më shumë ishte Shqipëria dhe problemet e saj. Fan Noli ishte i orientuar politikisht dhe i interesuar për nacionalizmin shqiptar dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Por nuk flisnin ndonjëherë për sportin, edhe pse burri më thoshte se peshkop Noli kishte qenë notar i shkëlqyer dhe shumë i fuqishëm. Megjithatë, ai nuk kishte shumë kohë për gjëra si këto, sepse vazhdimisht lexonte, studionte dhe krijonte diçka. Kjo ishte e mrekullueshme! Noli kënaqej me piknikët e shqiptarëve të diasporës.

Peshkopi kënaqej kur shkonte në piknikët e shqiptarëve, ku do të ulej e të rrinte me anëtarët e rëndësishëm të kishës. Ai ishte vegjetarian dhe pëlqente frutat, kështu që në këta piknikë do të gjendej gjithmonë një shportë me fruta për të”, kujtonte Sara. Një tjetër pasion i Nolit sipas saj ishte muzika. Atij i ishte bërë zakon që çdo të premte të shkonte në një koncert simfonik. Sara, kjo grua, dhe pse nuk ishte shqiptare, gjatë gjithë jetës së saj u ndie si e tillë… Duart e saj ndihen në çdo libër a dorëshkrim që kaloi në zyrat e “Vatrës”.