September 17, 2013

21 Janari

Katër “puçistë”
(retrospektivë)


Sokol Balla, Andi Bushati, Mero Baze dhe Filip Çakuli


Nga Skënder Minxhozi

Një vit më parë, katër gazetarëve të njohur të shtypit e medias elektronike, iu kërkuan tabulatet telefonike të muajit janar. Ishin ditët e para pas ngjarjes dramatike të 21 janarit. Në Tiranë kishte rënë hija e rëndë e grushtit të shtetit, të përgatitur në epruvetë nga qeveria, për të kompensuar bilancin tragjik të protestës në bulevard. Një vit më pas, ja se si i komentojnë ato ditë Filip Çakuli, Mero Baze, Sokol Balla e Andi Bushati. Katër “puçistë” përballë akuzës së tyre groteske të një viti më parë


“E si mund të quhemi puçistë ne, kur edhe për të kaluar një drekë së bashku, mezi mblidhemi”. Ai që e bëri këtë konstatim hokatar ishte Mero Baze, teksa shihte sesa i vështirë po rezultonte servisi i fotove që revista “Java” kërkonte të bënte me grupin e katër gazetarëve, që një vit më parë u etiketuan si puçistë nga komisioni hetimor i 21 janarit. Duke u kërkuar edhe hetimin e tabulateve telefonike. Kjo frazë e pasqyronte dukshëm ambientin e relaksuar në restorantin ku, për herë të parë pas shumë kohësh, Filip Çakuli, Mero Baze, Sokol Balla dhe Andi Bushati, po uleshin të gjithë së bashku. Jo edhe aq për të kujtuar një ndodhi që tani ka më shumë nota humori sesa drame, por edhe për të komentuar atë që po ndodh në këtë përvjetor të trazuar.

Megjithatë, ky 21 janar të çon vetvetiu prapa në kohë. E gjithë kurba e vitit që lamë pas, ka qenë e dominuar nga ajo ditë dhe nga helmi që ajo prodhoi e la pas. I gjithë kalendari kohor e politik i 2011 është varur në gozhdën e përgjakur të 21 janarit. Nga kjo sindromë nuk shpëtojnë dot as gazetarët e njohur, të cilët i përgjigjen në mënyra të ndryshme pyetjeve “Pse”, “Si”, “Kush”?!

Filip Çakuli nuk i largohet profilit të tij të humorit. Një humor gri, në këtë rast. Natyrshëm nuk i ndahet as llullës së tij, e cila, së bashku me mjekrën e zbardhur, i jep një pamje prej babaxhani, më shumë sesa të një drejtuesi të një emisioni investgativ. Ai kujton se si lajmi për kërkesën e tabulateve e ka gjetur në Divjakë, ku i kishte ndodhur një fatkeqësi. “Po varrosja vjehrrën, kur më marrin në telefon e më japin lajmin”, shprehet ai. “Mendova në çast se do të qe ndonjë shaka, por kur u sigurova, mendimi tjetër që ma përshkoi trurin ishte: I fortë Doktori, po ma kalon me humor, edhe mua, si drejtor i Fiksit”! Mero Baze ka një tjetër variant për përjetimin e atyre ditëve. Ai kujton se si ato momente i është dashur të përballojë dy fenomene të kundërta: dëshirën për të banalizuar nismën e kryeministrit dhe seriozitetin e perëndimorëve “që në menyrë cinike, më shumë shqetësoheshin, ose bënin sikur shqetësoheshin, për tabulatet tona, se për vdekjen e katër qytetarëve”. Baze thotë se Berisha kërkonte të shfrytëzonte zhurmën që do të bënte përfshirja e gazetarëve në konflikt, për të hequr një pjesë të përgjegjësive të rënda që ka për 21 janarin. “Kur u sigurua që shpëtoi, tërhoqi akuzat ndaj nesh”, thotë ai.

Sokol Balla, gazetari i njohur i Top Channel, mendon se që nga 21 janari, kriza shqiptare ka mbetur në vend. “Gjithsesi, i pandreqshmi i madh mbetet Kryeministri. Mbeta i shtangur nga ripërsëritja e kërcënimit të 23 janarit, por mendoj se, më shumë se me Ramën dhe manifestimin e tij, kishte lidhje me ekspertizën e pritshme të FBI, e cila ka mbërritur që në 10 janar dhe pritet t’i vërë prangat disa VIP-ave të ngjarjeve në Bulevard”. Balla thotë se në kërkesën për të marrë me forcë tabulatet telefonike të gazetarëve, qeveria e shpërfilli koston e imazhit që do të merrte pas vetes, duke u kujdesur vetëm për balancimin e kostos së 21 janarit. “ Besoj se Berisha e ka një plan, dhe, mesa e njoh unë, mund të kemi edhe surpriza. Dhe prej tij, ato jo gjithmonë janë të këndshme”, shprehet Balla, duke shtuar se në ajër po vërtitet mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.

Andi Bushati, “i katërti” në listë, thotë se tabulatet e gazetarëve ishin pjesë e “përrallës me grusht shteti”. Por ai ka dhe një bindje të tijën: u kërkua që gazetarët të damkoseshin si palë në konflikt. Pra, të rreshtoheshin me zor në “kuadratin” e opozitës. “Ky qe qëllimi i vërtetë dhe jo tabulatet tona, që gjoja kërkuan t’i merrnin. Edhe ata që i kërkuan, e dinin se as do t’i merrnin kurrë, e as nuk u duheshin në fakt”, shprehet drejtuesi i emisionit “Zonë e Ndaluar”. “Më duken të mjerë ata gjashtë burra të komisionit hetimor, - thotë Andi Bushati, - që janë të bindur se luajtën një rol që edhe vetë e dinin që s’ua besonte njeri. Ai proces ishte i pakuptimtë që në fillim, ai shërbeu vetëm për një gjë: së pari, për të krijuar idenë se kish ndodhur një grusht shteti, e pastaj kjo të përdorej për të mos lejuar një hetim të pavarur për ngjarjet dhe, së dyti, për të goditur konkurrentët politikë përtej opozitës”.


ANDI BUSHATI

Nëse do t’ju pyesnin sot, një vit më pas, a keni një ide të saktë se përse shtetit shqiptar i duheshin tabulatet e tua, gjithnjë e parë kjo në lidhje me ngjarjen e 21 janarit?
Në fakt, tabulatet nuk i duheshin shtetit. I duheshin asaj pjese të pushtetit, që kërkonte të ngrinte një tymnajë të madhe për të fshehur një pyetje të thjeshtë: Kush i vrau katër demonstrues? Për të gjithë këtë u ngrit përralla me grusht shteti, ku ishin të implikuar jo vetëm opozita, jo vetëm presidenti i republikës, kreu i shërbimit sekret, kryeprokurorja, por edhe gazetarët. Për ne të fundit, qëllimi ishte i dyfishtë, jo vetëm t’i shërbenim sadopak shtimit të kësaj tymnaje, por edhe të damkoseshim si palë në konflikt, pra, që ajo që mund të thonim apo shkruanim në ditët pas puçit, të relativizohej. Pra ky qe qëllimi i vërtetë, dhe jo tabulatet tona, që gjoja kërkuan t’i merrnin. Edhe ata që i kërkuan e dinin se as do t’i merrnin kurrë e as nuk u duheshin në fakt.

Çfarë do t’i thonit panelit hetimor të parlamentit që vijon formalisht hetimet, në lidhje me atë që e quan puç shteti? Sa kuptim ka ky proces tani, pas një viti?

Më duken të mjerë ata gjashtë burra të komisionit hetimor, që janë të bindur se luajtën një rol që edhe vetë e dinin që s’ua u besonte njeri. Ai proces ishte i pakuptimtë që në fillim, ai shërbeu vetëm për një gjë, për të krijuar idenë se kish ndodhur një grusht shteti e pastaj kjo të përdorej për të mos lejuar një hetim të pavarur për ngjarjet dhe, së dyti, për të goditur konkurrentët politikë përtej opozitës.

Si e shihni atë ngjarje nga distanca e një viti?

Si një ngjarje të hidhur, me katër jetë të humbura. Si një përpjekje për të mundur me gjak një protestë të dhunshme. Si një përgjigje asimetrike që iu dha një opozite më shumë se të zemëruar. Si një përgjigje tipike regjimesh, ku zemërimit i vihet përballë urrejtja, gurëve, makinat ujëhedhëse, shkopinjve, kallashnikovët dhe gërvishtjes së gardheve, vdekja!


SOKOL BALLA

Si e shihni situatën sot, kur video shkaktare e 21 janarit ra formalisht poshtë dhe kur kryeministri përsërit paralajmërimin e 23 janarit të shkuar? A dëshmon edhe kjo, se koha shqiptare ka mbetur?

Koha e krizës shqiptare, më saktë, ka mbetur në vend. Çka tregon se 21 janari ishte kulmi i mbetur përgjysëm i saj. Ajo çka pasoi ishte përpjekje hipokrite për të mos e parë problemin në sy dhe për të zgjidhur vetëm tensionin momental. Në zgjedhje lokale, palët u futën pa marrëveshje dhe pa garanci e korrigjime kodesh, çka polli superkrizën skandaloze dhe po aq të papranueshme për opinionin publik sa katër vrasjet e bulevardit, në zgjedhjet për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Për momentin më i fituari është Meta. Vetë u lirua nga ankthi i burgut, megjithëse ishte video e tij me Priftin dhe paralajmërimet e tij nga selia e LSI-së para 21 janarit, që nxitën më shumë se gjithçka, dhunën e të dyja palëve atë të premte të zezë.

Ai realizoi dy premtime të tijat të 2009: një jo publik: se do të shkatërronte e linte Edi Ramën në opozitë, dhe atë publik: se do të çonte Sali Berishën në pension. Paradoksalisht, LSI po i sjell më shumë dëm qeverisë sesa opozita e Ramës.

Pse u kap shteti me gazetarët më të njohur të vendit, kur e dinte koston e imazhit të këtij veprimi? A keni një ide?

Nuk besoj se qeveria, pas 21 janarit, kujdesej shumë për imazhin e vendit, sesa për të balancuar koston e paparashikuar që prodhoi në 21 janar, duke vrarë katër veta live nga një turmë e dhunshme, por që për fatin e mirë të saj dhe të vendit, askurrë nuk tentoi të merrte me dhunë kryeministrinë. Ne të katërt ishim kurban i kësaj situate, sepse, ndoshta për shkak të profesionit, ishim preja më e lehtë për të provuar në publik puçin në kokën e nxehtë dhe tullace fushë, të ndonjë deputeti faqekuq të mazhorancës.

Por e vetmja gje qe i prodhoi qeverisë ishin kosto të mëdha te ndërkombëtarët, pasi, kur emrat tanë u shqiptuan nga Lajcak, Fyle e Countrymen, qeveritarët mund të jenë ndjerë shumë keq. Se kanë kuptuar se ndoshta këtë vend e kanë privatizuar, por nuk mund të jenë kurrë pronarë të Lirisë, që katër emrat tanë simbolizojnë. Përtej kësaj, mendoj se ndoshta përdorimi i emrave tanë ka shpëtuar një koleg nga burgu i sigurt. Besoj se nga të katërt, Mero Baze ka qënë më i rrezikuari, pasi, megjithëse të katërt jemi gazetarë tradiconalisht kritikë me të gjitha qeveritë, Baze tashmë ka një konflikt të personalizuar me këtë mazhorancë.

Çfarë ndjeni sot, kur kujtoni se një vit më parë ishit i akuzuar si pjesë e puçit?

Keqardhje. Keqardhje për katër të vrarë dhe dhjetra të plagosur nga dy palët që u përleshën, siç po duket, vetëm për llogari të karrierave të dy komandantëve të tyre, e që në mungesë të këllqeve për t’u marrë me njëri-tjetrin, lanë ata në fushëbetejë të paguanin kostot. Paradoksalisht numri ishte i njëjtë: katër njerëz të vrarë dhe katër gazetarë të vënë po ashtu në shënjestër. Jo për t’u vrarë fiziksiht, por për t’u ekzekutuar profesionalisht.

Ndjej keqardhje për anëtarët e komisionit hetimor e veçanërisht për njërin që lexoi me aq pasion emrat tanë.  Por po ju bëj një premtim: para se ky komision të mbarojë mandatin, do të publikoj librin tim të ri “Unë jetova në vitin 2011”. Aty do t’i publikoj fakte  se si ne, katër gazetarët më të njohur shqiptarë, u bëmë pa dëshirën tonë, pjesë e dy puçeve. Njërin imagjinar dhe tjetrin të vërtetë. Të dy, për fat të keq, me të njëjtin autor...


MERO BAZE

Si e ndjeni sot veten në kostumin njëvjeçar të pucistit?

Kemi bërë më shumë humor se sa duhet me një shpikje, e cila nuk syonte dënimin tonë, por shpëtimin e Sali Berishës. Në ato ditë duhet të përballoja dy gjëra: banalizimin e akuzës për t’i treguar Berishës që nuk e marrim seriozisht dhe seriozitetin e perëndimorëve që, në mënyrë cinike, më shumë shqetësoheshin ose bënin sikur shqetësoheshin për tabulatet tona se për vdekjen e katër qytetarëve. E kam përjetuar i fyer mendjeshkurtësinë e të dërguarit të BE-së për krizën shqiptare, zotit Lajcak, i cili më në fund arriti të na shpëtonte ne nga “tabulatet”, dhe Berishën nga krimi i vrasjes. Isha i qartë, që në sekondën e parë, se gjithçka që shpikej ishte një mnyrë për të fituar kohë, që ai të shpëtonte veten. Dhe ia arriti.

Sa dramë dhe sa komedi ka brenda ajo që ndodhi një vit më parë?

Siç e thashë më lart, akuza për mua nuk ishte dramë personale, por makth, që ai po shpëtonte nga akzua e vrasjes duke u tallur me ne. Ai më njeh mua, njeh mirë Çakulin dhe Ballën, dhe po ashtu Bushatin. Ai e di që ne nuk e marrim seriozisht për ato që thotë, por për ato që bën. Dhe ne e shikonim ç’po bënte. Po fshihte provat e krimit që kish bërë. Kjo ishte ana dramatike e akuzës. Ana komike, në rastin tim, ishte që Guri Strazimirin të lexonte emrin tim si puçist. Aty kam qesh me lot dhe shpresoja të na thërrisnin në interpelancë, që të vazhdoja humorin me autorin e pretencës. Por u kthjellua shpejt pasi shpëtoi veten dhe kompleksoi prokrurinë dhe presidentin, nuk guxoi të përballej me ne. 


FILIP ÇAKULI

Keni qenë ndër gazetarët më të akuzuar për ngjarjen e 21 janarit. Pse ka ndodhur kjo, sipas jush?

Përgjigja është e thjeshtë! Sepse emisioni që unë drejtoj ka thënë disa të vërteta të hidhura, të cilat mesa duket i kanë djegur fort qeverisë. Sa për akuzat, ose më mirë kërkesën për tabultatet tona, ajo datë më gjeti jashtë Tirane, në një fatkeqësi që më kishte ndodhur në familje. E kujtova për shaka lajmin fillimisht, por më pas, kur u sigurova, mendova: “Dreq o punë, Doktori kërkon të më marrë vendin e punës te Fiksi”. Me Doktorin, nuk nënkuptoj Sajmirin, të jemi të qartë! E gjithë historia e tabulateve tona dhe e epitetit “puçist” që na shoqëroi për pak ditë, ka qenë thelbi i absurdit që kalonte dhe kalon ky vend. U shpik një grusht shteti për të mbuluar një vrasje në bulevard. Dhe kjo s’është aspak komike, siç qe ajo puna e tabulateve tona.






Opozita dhe dualizmi Basha-Berisha

          


Fillimi i punimeve të parlamentit ka risjellë në skenë problemin e madh të opozitës: cilin kryetar duhet të zgjedhë mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Në mënyrë të përsëritur, kreu i ri i PD e ka parë veten në pozitën e atij që duhet të marrë shënim për vendimet që janë marrë nga lider historik. Një dualizëm që po dëmton rëndë imazhin e partisë dhe autoritetin e lidershipit të saj të ri.


Nga Skënder Minxhozi

Ishte i helmuar në deklaratat e tij të enjten ish-deputeti demokrat Mark Marku, teksa komentonte hapat e parë të opozitës së djathtë në jetën institucionale, pas dorëheqjes së Sali Berishës dhe zgjedhjes së Lulzim Bashës. “Para tre ditësh Basha tha që do kemi opozitë konstruktive, ndërsa pas tre ditësh zoti Berisha u dha urdhër deputetëve dhe i nxori nga salla. Krijoi atë skemë që më tepër se zotit Rama, i drejtohej zotit Basha për t’i thënë se opozita nuk do jetë siç do ti, por siç dua unë. Berisha vazhdon të ketë ndikim shumë të madh në PD. Deri më tani nuk ka ndonjë shenjë që do t’ia lërë drejtimin e partisë zotit Basha”, qe komenti i prerë dhe i saktë i Markut.

Një përcaktim që është njëherësh një sintezë e goditur e një dualizmi për të cilin është folur e shkruar shumë këto muaj, e që mesa duket do ta turbullojë edhe për shumë kohë lidershipin e lartë të opozitës. Basha-Berisha (apo ndoshta më saktë Berisha-Basha), është një dyshe atipike, e pamendueshme para 23 qershorit, e cila po përpiqet të bëjë udhë në momentin më të vështirë të PD, pas viteve ’97-’98.

Kryetari i ri i Partisë Demokratike, njëherësh kreu i bashkisë së Tiranës, është komentuar tashmë gjerë e gjatë në detyrën e tij të re politike. “Kryetar dezhurn”, apo “kryetar noter”, duket se janë dy përcaktimet që më së shumti përputhen me atë që po tregon akti i parë i mandatit Basha në krye të partisë. Një lider politik me kokën e kthyer pas dhe me bllok shënimesh në xhep, që po kufizohet vetëm në formalizimin e asaj që ka vendosur paraprakisht Berisha. Mjaftuan seancat e para të Kuvendit, kur PD kërkonte (me të drejtë) dhe me protestë dorëzimin e programit të qeverisë, apo kur grupi parlamentar linte sallën teksa fliste Edi Rama, për të parë sesi Lulzim Basha ishte gjithmonë një hap prapa, sesi ai nuk ishte personi që vendoste lëvizjet taktike, sesi ai nuk merret vendimet dhe nuk drejtonte formacionin e tij politik. Në të dyja këto raste, mediat janë detyruar që pas ndodhive në parlament, të zhvendosin kamerat dhe ekipet e transemtimit në selinë e re të PD, ku kryetari formal “bënte adetin”, duke nënvizuar edhe një herë nga e para ato që Berisha e të tjerët deklaruar në parlament.

Ishte e pritshme prej kohësh, qëkurse Lulzim Basha konsolidoi profilin e pasardhësit të Berishës, se problemi i tij kryesor ishte sesi do të bashkëjetonte me trashëgiminë e liderit historik të PD. Këto ditë Bashës i duhet jo vetëm të bashkëjetojë me trashëgiminë e Berishës, po edhe me vetë Berishën nën një kulm, duke qenë në pozitën e kryetarit të dubluar, që detyrohet të shohë në sy nga mëngjesi në darkë ish-shefin e dikurshëm.

Dualizmi Basha-Berisha është një ndër problemet kryesore që ka opozita e sotme. Vendimi i Berishës për të mos pasur një zyrë të tijën në selinë e re të partisë tek SHQUP-i, kërkonte të jepte mesazhin se tashmë PD e ka kryetarin e saj, të cilin nuk i duhet bërë hije. Mirëpo kanë mjaftuar orët e para të opozitës në Kuvend, për të përmbysur çdo dilemë. Mungesa fizike e Lulzim Bashës në sallë dhe prezenca e rëndë e Sali Berishës aty, kanë risjellë në raportet e vjetra lidershipin brenda PD, duke i rikthyer hierarkitë në pozicionet e para 23 qershorit.

Kryetari i Partisë Demokratike që sot shohim në ekrane, është një politikan i ndrojtur e pa personalitet, që po ndërton një profil anemik, nën hijen kërcënuese të kryetarit të vjetër. Dualizmi mes dy kryetarëve ka sjellë me vete shbalancimin më të madh të imagjinueshëm për një parti që ishte mësuar qysh prej themelimit, me timbrin e lart ëtë zërit të Berishës, e jo me tonalitetin e dridhur të Bashës, me tonet luftarake të liderit historik, e jo me frazat parafabrikate të kryetarit – noter. E përplasur me dhunë nga një profil lidershipi i fortë e pse jo i dhunshëm, drejt një profili tjetër të dobët e pa personalitet, Partia Demokratike i drejtohet opozitës pa e zgjidhur çeshtjen e lidershipit. Sepse ky proces nuk mbaroi as ditën kur Berisha dhe dorëheqjen dhe as momentin kur Basha spostoi me hile Olldashin. Rruga për t’u bërë lider është e gjatë e plot me gropa. Lulzim Basha po e prek me dorë këtë realitet të ri, pa mundur të gjejë një vend dinjitoz për veten, në një tryezë ku të gjithë janë mësuar të ndjekin vetëm një palë sy. Që s’janë të tijët.





Përpara-përpara

(në lumë e në det)




Vargjet e Arben Dukës!

Sot në të vërtetë,
duken si shakara,
thirrjet skizofrene:
“Përpara-Përpara!.”

Thërrit e thërrit,
në kulm të gëzimit,
po unë s’e kuptoja,
ku donit të vinit!

Ja po e fillojmë,
fill me Elbasanin,
ku të parë PD-ja,
kishte Ben Imamin!

Përpara – thosh Beni,
në kulm të shpërthimit,
po përpara qe,
veç lumë i Shkumbinit!

Po lëmë Elbasanin,
dhe po shkojmë në Korçë,
se me Ritvan Boden,
nuk hyjmë dot në borxh!

Përpara – thosh Bodja,
që ditën që dol,
po për dreq përpara,
qe lumi Devoll!

Po ikim nga Korça,
Po shkojm’ në Berat,
aty Pollo Kuqin,
kishim si për fat!

Përpara – thosh Pollua,
dhe s’e zinte gjumi,
po gjithmonë përpara,
për dreq qe Osumi!

Lëmë mbrapa Osumin,
dhe me vrap në Fier,
ku fliste Olldashi,
si në një kantier!

Përpara-përpara,
thosh Sokol gorica,
po pranë e përpara,
qe lumi Gjanica!

Ikim vrap nga Fieri,
edhe për një orë,
shkojm’ ca tek Patozi,
që dergjej në Vlorë!

Përpara – bërtiste,
dhe ai i shkreti,
po kudo përpara,
ishte vetëm deti!

Ikim dhe nga Vlora,
zbresim tatëpjetë,
ja e mbajm’ ca vrapin,
drejt e në Përmet!

Ruli qe i vockël,
sa ç’është kakëzoza,
kur thoshte përpara,
pranë i qasej Vjosa!

Kush ishte në Durrës,
s’e mbaj mend o miq,
emri s’më kujtohet,
po qe shkurtabiq!

Dhe ai përpara,
i thoshte miletit,
dhe i hidhte sytë,
nga ana e detit!

Dhe në Shkodrën loce,
e njëjtë qe puna,
përpara thosh Xhozi,
por para qe Buna!

Përpara-përpara,
Saliu thërret,
i çoi të vetët,
në lumë e në det!



*   *   *




Dilaver Goxhaj:

Lidhja ime me Jasharajt dhe harresa zyrtare sot për Adem Jasharin

Për Dilaver Goxhajn, luftëtari nga Shqipëria në çlirimin e Kosovës, ish-Zëvendësshef i Shtabit të UÇK-së, pas lirisë, shumë nga luftëtarët dhe vetë lufta, nuk u vlerësuan ashtu siç e meritojnë dhe siç ka bërë dhe bën çdo komb për luftëtarët që sjellin lirinë. Sipas Goxhajt, është e pafalshme, që qeverisja e sotme, pjesa më e madhe e së cilës janë vetë ish-luftëtarë të UÇK-së, kanë lënë në ‘hije’ dhe

Dilaver Goxhaj 
Kolonel

Adem Jasharin ‘Heroin…’ dhe Legjendën e UÇK-së. “Është e pa falshme që drejtuesit e shtetit të sotshëm të Kosovës, Thaçi e të tjerët, të lenë në hije Adem Jasharin i cili sakrifikoi veten e familjen e tij në emër të lirisë së Kosovës. Për kundër, po vlerësohet maksimalisht Ibrahim Rugova i cili jo vetëm nu kontribuoi një ditë në favor të luftës (bashkë me forcën e tij politike e mbështetësit), por dhe pas çlirimit, nuk tha qoftë dhe një fjalë të vetme për UÇK-në e luftën e saj”- pohon mes të tjerave kolonel Dilaver Goxhaj. Në intervistën e tij në vazjhdim Goxhaj rrëfen dhe vizitat e shumta që ai ka bërë në familjen e jasharajve, përfshi dhe atë, bashkë me ish-kryeministrin Pandeli Majko dhe Ilir Metën…

Zoti Goxhaj! A kini pasur kontakte me Adem Jasharin para Luftës së Prekazit?
-Jo, nuk kam pasur as kontakte dhe as dijeni rreth emrit të Adem Jasharit. Vetëm pasi ndodhi Lufta e Prekazit nga 5-8 Mars 1998 dhe pas saj, kam mësuar se kush ka qenë Adem Jashari. Fotografinë e tij për herë të parë e kam parë përmes gazetës “Zëri i Kosovës” dhe më vonë në gazetën “Rilindja”, që botohej në Tiranë. Gjatë marshimit tim të parë nëpër Kosovë për herë të parë e kam ndeshur fotografinë e tij kur ndalova disa orë në vend drejtimin e batalionit autonom të SHP të UÇK, tek Komandant Guri (Jetullah Qarri). Më pas e shihja kudo, jo vetëm në vend drejtimet e formacioneve të ndryshme të UÇK, por edhe nëpër familjet fshatare, ku ne na binte rasti të strehoheshim me orë, në varësi nga kushtet e motit dhe detyrat tona.



Keni shkuar disa herë në familjen Jashari dhe keni miqësi me ‘ta?

-Për herë të parë në familjen e Adem Jasharit kam shkuar pas lufte, atë ditë që erdhi në Kosovë dhe shkoi për vizitë në këtë familje kryeministri shqiptar Pandeli Majko, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Ilir Meta. Pasi mbaroi vizita e hollësishme nëpër gjitha kullat e Jasharjave, më në fund Majko dhe Meta u pritën nga Refat Jashari, vëllai i madh i Ademit, në një dhomë të vogël, e cili ishte regualluar provizorisht. Në këtë dhomë  hyra edhe unë. Në atë kohë isha caktuar shef i kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes, Azem Syla. Pas një bisede të gjatë të kryeministrit me gazetarët dhe familjarët e Adem Jasharit, gjeta momentin dhe, pasi u prezantova me detyrën që kisha, fillova t’i njoh shkurtimisht mbi strategjinë e UÇK-së dhe bashkëveprimin e saj me NATO-n. Në këtë moment Majko më pyeti se nga isha unë, pasi dialekti im iu duk i ndryshëm. Kur i thashë se jam nga Tirana dhe se në radhët e UÇK ka pasur edhe oficerë dhe ushtarë vullnetarë nga Shqipëria, ai më dha shenjë që të ndaloja pak dhe urdhëroi që gazetarët të dilnin jashtë.



Si u veprua pas ndërhyrjes së Majkos?

-Unë më pas vijova të tregoj përmbledhtas rreth vullnetarëve nga Shqipëria dhe mbi dëshmorët e rënë nga radhët e tyre. Kur mbarova, të dy, Majko dhe Meta më ftuam që në rastin më të parë të kthimit tim në Tiranë isha i mirëpritur në Kryeministri. Por unë erdha ato ditë që zhvillohej Kongresi i PS-së dhe rastësisht takova Ilir Metën tek ‘Rogneri’, i cili më sqaroi se ishin të zënë me Kongresin dhe nuk pata më rast që t’i takoja, pasi Majko nuk ishte më Kryeministër.

Më vonë unë kam shkuar dhjetëra herë të tjera në Prekaz, tek ‘Meka’ e Shqiptarëve, duke shoqëruar vizitorë të ndryshëm nga Shqipëria por edhe nga emigracioni, që vinin në Prishtine dhe më takonin. Si rrjedhojë jam njohur edhe me pjesëtarët e tjerë të mbetur gjallë nga familja e Shaban Jasharit.



Pra, kjo miqësi vazhdon?

-Po. Duke plotësuar njohjen rreth familjes dhe aktivitetit të Adem Jasharit dhe Hamzës, unë edhe kam shkruar rreth asaj lufte epope.

Jasharajt në Prekaz janë vizituar edhe nga Përfaqësuesi i parë Special i OKB, z. Kushner, i cili edhe deklaroi se nëse do të kish një çmim paqeje për qëndresë të tillë heroike si Jasharajt, ata do të ishin të parët që do ta meritonin atë çmim. Por çudia është se Jasharajt nuk u vizituan kurrë nga Ibrahim Rugova dhe nuk u përmendën kurrë prej tij, deri sa qe gjallë.



Si e shpjegoni këtë qëndrim të Ibrahim Rugovës?

-Me atë masakër ushtarake që bëri Millosheviçi ndaj familjes së komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, Adem Jasharit, ai pat menduar se do të vinte qetësinë në Kosovë, me shpresë se më pas do të kish një Kosovë të shëndetshme, me një qeverisje miqësore nën LDK-në dhe Ibrahim Rugovën, pasi me atë lloj qeverisjeje lidhej prestigji i Serbisë para Evropës dhe gjithë Perëndimit. Këtë përfundim e kam nxjerrë nga ecuria e ngjarjeve të mëpastajme, kur Rugova dhe udhëheqja e lartë e LDK-së nuk e respektuan kurrë heroizmin e Adem Jasharit dhe familjes së tij, ku nuk shkuan kurrë të përkulen para varreve të 56 heronjve të asaj lufte, të cilët, me aktin e tyre heroik çuan në këmbë jo vetëm një ushtri të tërë çlirimtare, por tërë kombin shqiptar. Për paradoks, qarqe në Kosovë dhe sot i thurin himne Rugovës, duke lënë në hije aktin e Legjendës Kosovare, Adem Jasharin.



Më konkretisht?

-Atë qëndrim të tyre ndaj Adem Jasharit dhe tërë luftës sonë çlirimtare e shohim edhe sot e gjithë ditën ku kanë ndërsyer dhe po paguajnë një numër mediesh, duke shprehur fyerjet më monstruoze si dhe po bëjnë gjithçka që ta përjetësojnë artificialisht figurën e Ibrahim Rugovës, duke e lartësuar atë edhe mbi Skënderbeun.  Jo më kot që nuk është ndërmarrë asnjë përpjekje që monumenti i çlirimtarit të vërtetë të Kosovës, Adem Jasharit të vendoset në kryeqytetin e Kosovës, por janë parashikuar qysh më herët që Shëtitorja e Prishtinës të marrë emrin e të përkulurës Nënë Tereza, duke e vendosur Hashim Thaçi monumentin e saj para selisë së PDK-së; por kjo shëtitore është paraparë që të përfundojë me sheshin Ibrahim Rugova, edhe pse atje ka gati dhjetë vjet që është vendosur monumenti i Skënderbeut. Për mua, këtu ka diçka të qëllimshme…



Më konkretisht në këtë aspekt?

-Madje, qysh në vitet e para të shekullit që lamë pas në atë vend ka qenë një hotel me emrin e Skënderbeut dhe përsëri sheshit që po ndërtojnë atje nuk e emërtuan me emrin e Heroit tonë Kombëtar! Dyshohet se me qëllim duan ta sfidojnë Skënderbeun. Dhe përveç emërtimit ‘Ibrahim Rugova’ të sheshit para monumentit të Skënderbeut, është parashikuar që  në muajin tetor të këtij viti, përballë Skënderbeut të ngrihet monumenti i Ibrahim Rugovës. Por me një ndryshim thelbësor.



Cili është ky ndryshim?

-Monumenti i Skënderbeut (kopja e monumentit të Krujës) është vendosur në një grope, e thellë sa i gjithë monumenti, ndërsa monumenti i Rugovës do të ngihet mbi një piedestal, është shumë të lartë. Mirëpo dihet që arti i shërben politikës. Vendosja e Rugovës përballë Skënderbeut, Rugova në qiell dhe Skënderbeu në gropë, është bërë me qëllimin e vetëm për t’i thënë popullit shqiptar në Kosovë: Rrini urtë! Kush guxon të rebelohet kundër pushtuesve të huaj, atje e ka vendin, në gropë (në ferr), si Skënderbeu dhe, cilido që u përkulet të huajve e ka vendin në qiell, në parajsë, si Rugova.



Ky gjykim i juaj, sikur bie ndesh me gjykimin ndryshe që mbizotëron në Kosovë dhe këtu tek ne?

-Jo. Ai që e njeh UÇK-në, luftën që ajo bëri, shumica e kosovarëve, kenë këtë mendim e gjykim që po shpreh unë. Dhe e gjithë që thash më lart, bëhet që gjithë brezat pasardhës të shqiptarëve të edukohen sipas këtij parimi: Sa më shumë të luftosh për të mbrojtur popullin tënd, aq më i poshtëruar mbetesh; sa më i nënshtruar të jesh ndaj çdo pushtuesi, aq më i nderuar mbetesh. Dhe kjo për t’i bindur brezat se liria dhurohet e nuk fitohet. Ky është edhe qëllimi kryesor pse anatemohet UÇK-ja. Gjithashtu, mos shkuarja e Rugovës dhe e tërë udhëheqjes së lartë të LDK-së për të vënë të paktën një tufë me lule atje ku prehen eshtrat e heronjve të Prekazit, nuk tregon gjë tjetër veçse mos qenien dakord me rezistencën ndaj pushtuesit të huaj. Por ajo që të befason edhe më shumë është shkuarja dhe përulja para varrit të Ibrahim Rugovës dhe të Ahmet Zogut, (dy simbolet e mospranimit të rezistencës çlirimtare), e atyre që pretendojnë se e kanë çliruar Kosovën, (Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Agim Çeku e të tjerë), e cila nuk tregon gjë tjetër, veçse pendesën e këtyre burrave që nuk ndoqën rrugën e Rugovës dhe të LDK-së, që guxuan dhe rrëmbyen armët kundër pushtuesit shekullor serb, ndërkohë që Shefi i Shtabit i vërtetë i UÇK-së, ai që e ri ngriti atë ushtri nga e para pas shpartallimit të vitit 1998 është harruar. Bislim Zyrapi, ai që ka bërë shumë në luftën e UÇK-së, as që përmendet fare!



Pse ndodh kjo sipas jush?

-Kjo ngaqë ai nuk ka ndërtuar bindje për rrugën e fitores së lirisë.

Jo më kot këta “çlirimtarë” e imponuan Parlamentin e Kosovës që të ndërronte dy simbolet kryesore të kombit tonë dhe të tyre, Flamurin Kombëtar dhe Himnin Kombëtar, madje duke aplikuar një himn memec, për të thënë se populli shqiptar në Kososovë duhet të jetë një popull vuv. Dhe, paralel me këto masa, hapën një fushatë të egër kundër Gjuhës Standarte të Sotme Shqipe, të cilën e definuan me Fjalorin e hartuar nga kosovari i Tropojës, Mehmet Elezi, për të sfiduar Fjalorin e Gjuhës Shqipe të Akademisë së Shkencave Shqiptare. Dhe dihet qëllimi: Që mos të kemi asgjë të përbashkët midis Shqipërisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme. Jo më kot edhe në Tiranë, me të ardhur Berisha në pushtet u eliminua Sheshi Skëndërbej dhe Shëtitorja “Dëshmorët e kombit” si dhe u ndalua shkuarja e qytetarëve tek Skënderbeu, ku më parë liheshin takime dhe dilej edhe në fotografi, me qëllim që të harrohet simbolet kombëtare të rezistencës ndaj të pushtuesve të huaj. Por do ta kenë të vështirë. Populli ka mënyrat e tij të mos harrimit të simboleve të tij kombëtarë.



Nga luftëtar dhe një nga drejtuesit e UÇK-së në fitoren ndaj ushtrie serbe, Dilaver Goxhaj kthehet sot ndër kritikët më të ashpër të ish-kolegëve të luftës që aktualisht sot janë në krye të shtetit në Kosovë?

-Këtu nuk është çështje qejf mbetje, mosnjohje apo ndonjë nga këto… Përkundër. Është një realitet që po ndodh përkundër asaj që duhet të ndodhë. Lufta e UÇK-së në krah të NATO-s e aleatëve që çoi në çlirimin e Kosovës, nuk ka shumë kohë që ka ndodhur… Luftëtarët e saj janë gjallë e shumë prej tyre, ende u kullojnë plagët gjak… Jo pak dhanë jetën për këtë luftë. Minimalisht, ajo luftë heroike dhe luftëtarët e saj, kërkojnë respekt. Nga ata që në luftë nuk dihet ku ishin(për të mos thënë krijuan lehtësi për serbët), por dhe nga ata që ishin në front e sot, përballë të mirave të pushtetit, e ‘harruan’ këtë luftë. Gjithsesi, mendoj dhe kam bindjen se kjo do të jetë kalimtare… Shpejt do të vij ajo kohë që lufta e Kosovës, heroizmi i djemve të saj, historia, të vlerësohen realisht…


Kujtim Boriçi - Gazeta Dita






September 16, 2013

Like, Unlike dhe Sal ike




Berisha krenar: 

Çdo ditë më shtohen një mijë fansa në “Facebook”
Deputeti Sali Berisha, shprehet krenar se faqes së tij në Facebook, i shtohen një mijë fansa në ditë.

“Më 10 gusht ne u bëmë 600 mijë miq, sot jemi 616 mijë, pra jemi rritur mbi një mijë likes në ditë. Ndërkohë që rritja më e madhe ditore sipas Facebook Pages Statistics & Number of Fans, është me 20 mijë likes. Por kjo e një personaliteti të një kombi 200 herë më të madh se sa kombi ynë. Pra në proporcion rritja jonë ditore në likes është 10 herë më e madhe se sa rritja e parë ditore numerike në likes në FB”, shkruan Berisha.


Në Facebook ka: 

















dhe që nga 23 Qershori edhe 1 milion 

Sal   ike










Named and Shamed



Ja drejtorët që lejuan Berishën 
të abuzojë me fëmijët e shkollave të tyre


“Name and shame” (t’ia thuash emrin dhe ta turpërosh) është kur emri i dikujt që ka bërë diçka të gabuar bëhet publik. Kështu kanë nisur të veprojnë të rinjtë e FRESSH, që kanë publikuar emrat e drejtorëve të shkollave, që kanë lejuar kryeministrin Sali Berisha të abuzojë me fjalime politike me fëmijët

Jemi të gjithë dëshmitarë të sjelljes së turpshme dhe të paligjshme të kryeministrit Sali Berisha, i cili ka filluar të bredhë shkollë më shkollë për të bërë propagandë përpara të miturve apo nxënësve të shkollave të mesme.

Natyrisht, kryeministri e ka kthyer shkeljen e ligjit në mënyrë sjelljeje e qeverisjeje. Por në rastin konkret ligjin për arsimin dhe ligjin për të drejtat e fëmijëve nuk e ka shkelur vetëm kryeministri, por edhe drejtuesit e shkollave ku janë zhvilluar këto aktivitetet politike.

Për këtë arsye, të rinjtë e FRESSH kanë vendosur të publikojnë emrat e këtyre drejtuesve shkollash.

“Sot po fillojmë një fushatë denoncimesh me emra konkretë të të gjithë atyre që janë bërë pjesë e kësaj fushate të paligjshme duke filluar me tre personat e mëposhtëm:

1.Merita Sokoli, drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Mustafa Lleshi”, komuna Kashar, rrethi Tiranë.

2.Nesti Qirjo, drejtor i shkollës së mesme “Isuf Dalipi”, komuna Mollaj në rrethin Korçë.

3.Rudina Mita, drejtoreshë e shkollës se mesme profesionale “Salih Ceka”, rrethi Elbasan.

Të tre këta persona kanë shkelur ligjin për arsimin parauniversitar, i cili në nenin 8 thotë shprehimisht se:

Arsimi parauniversitar është i depolitizuar,” thuhet në deklaratën e FRESSH.

“Madje, në rastin e këtyre personave shkelja e ligjit bëhet edhe më e rëndë pasi janë ata njerëzit të cilëve prindërit shqiptarë u besojnë fëmijët nëpër shkolla për të mësuar e jo për tu bombarduar me propagandën e Sali Berishës. Janë këta njerëzit që kanë detyrimin ligjor të garantojë të drejtat e fëmijëve në shkollat që drejtojnë, madje edhe kur është kryeministri që kërkon t’i shkelë këto të drejta.

Detyrat dhe përgjegjësitë e këtyre drejtuesve janë të qarta dhe të përcaktuara nga ligji, prandaj në këtë situatë ata nuk mund të fshihen pas alibisë se ishin të detyruar të shkelnin ligjin për hatër të Sali Berishës apo kujtdo tjetër. Secili prej tyre e ka mundësinë të zgjedhë mes respektimit të ligjit për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, dhe shkeljes së ligjit sepse këtë ua kërkon kryeministri. Prandaj të gjithë këta individë, por edhe kushdo tjetër që do të zgjedhë të shkelë ligjin për interesat e kryeministrit dhe pushtetit, duhet ta ketë të qartë se nesër do të përgjigjen për veprimet e tyre,” vijon deklarata e FRESSH.

Të rinjtë kanë premtuar se do të vazhdojnë denoncimet me emër.

“Njëkohësisht u bëjmë thirrje të gjithë prindërve shqiptarë dhe i vëmë në dijeni që këta individë në krye të këtyre  institucioneve arsimore nuk janë tutorët, por shërbëtorët e fëmijëve tuaj, mos kini frikë, por reagoni ndaj këtij abuzimi të turpshëm me fëmijët tuaj, një abuzim që shqiptarët e kanë jetuar në kohën e komunizmit, por që është i papranueshëm për një vend që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian”.