Fillimi i punimeve të parlamentit ka risjellë në skenë problemin e madh të opozitës: cilin kryetar duhet të zgjedhë mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Në mënyrë të përsëritur, kreu i ri i PD e ka parë veten në pozitën e atij që duhet të marrë shënim për vendimet që janë marrë nga lider historik. Një dualizëm që po dëmton rëndë imazhin e partisë dhe autoritetin e lidershipit të saj të ri.
Nga Skënder Minxhozi
Ishte i helmuar në
deklaratat e tij të enjten ish-deputeti demokrat Mark Marku, teksa komentonte
hapat e parë të opozitës së djathtë në jetën institucionale, pas dorëheqjes së
Sali Berishës dhe zgjedhjes së Lulzim Bashës. “Para tre ditësh Basha tha që do
kemi opozitë konstruktive, ndërsa pas tre ditësh zoti Berisha u dha urdhër
deputetëve dhe i nxori nga salla. Krijoi atë skemë që më tepër se zotit Rama, i
drejtohej zotit Basha për t’i thënë se opozita nuk do jetë siç do ti, por siç
dua unë. Berisha vazhdon të ketë ndikim shumë të madh në PD. Deri më tani nuk
ka ndonjë shenjë që do t’ia lërë drejtimin e partisë zotit Basha”, qe komenti i
prerë dhe i saktë i Markut.
Një përcaktim që
është njëherësh një sintezë e goditur e një dualizmi për të cilin është folur e
shkruar shumë këto muaj, e që mesa duket do ta turbullojë edhe për shumë kohë
lidershipin e lartë të opozitës. Basha-Berisha (apo ndoshta më saktë
Berisha-Basha), është një dyshe atipike, e pamendueshme para 23 qershorit, e
cila po përpiqet të bëjë udhë në momentin më të vështirë të PD, pas viteve
’97-’98.
Kryetari i ri i
Partisë Demokratike, njëherësh kreu i bashkisë së Tiranës, është komentuar
tashmë gjerë e gjatë në detyrën e tij të re politike. “Kryetar dezhurn”, apo
“kryetar noter”, duket se janë dy përcaktimet që më së shumti përputhen me atë
që po tregon akti i parë i mandatit Basha në krye të partisë. Një lider politik
me kokën e kthyer pas dhe me bllok shënimesh në xhep, që po kufizohet vetëm në
formalizimin e asaj që ka vendosur paraprakisht Berisha. Mjaftuan seancat e
para të Kuvendit, kur PD kërkonte (me të drejtë) dhe me protestë dorëzimin e
programit të qeverisë, apo kur grupi parlamentar linte sallën teksa fliste Edi
Rama, për të parë sesi Lulzim Basha ishte gjithmonë një hap prapa, sesi ai nuk
ishte personi që vendoste lëvizjet taktike, sesi ai nuk merret vendimet dhe nuk
drejtonte formacionin e tij politik. Në të dyja këto raste, mediat janë
detyruar që pas ndodhive në parlament, të zhvendosin kamerat dhe ekipet e
transemtimit në selinë e re të PD, ku kryetari formal “bënte adetin”, duke
nënvizuar edhe një herë nga e para ato që Berisha e të tjerët deklaruar në parlament.
Ishte e pritshme prej
kohësh, qëkurse Lulzim Basha konsolidoi profilin e pasardhësit të Berishës, se
problemi i tij kryesor ishte sesi do të bashkëjetonte me trashëgiminë e liderit
historik të PD. Këto ditë Bashës i duhet jo vetëm të bashkëjetojë me
trashëgiminë e Berishës, po edhe me vetë Berishën nën një kulm, duke qenë në
pozitën e kryetarit të dubluar, që detyrohet të shohë në sy nga mëngjesi në
darkë ish-shefin e dikurshëm.
Dualizmi
Basha-Berisha është një ndër problemet kryesore që ka opozita e sotme. Vendimi
i Berishës për të mos pasur një zyrë të tijën në selinë e re të partisë tek
SHQUP-i, kërkonte të jepte mesazhin se tashmë PD e ka kryetarin e saj, të cilin
nuk i duhet bërë hije. Mirëpo kanë mjaftuar orët e para të opozitës në Kuvend,
për të përmbysur çdo dilemë. Mungesa fizike e Lulzim Bashës në sallë dhe
prezenca e rëndë e Sali Berishës aty, kanë risjellë në raportet e vjetra
lidershipin brenda PD, duke i rikthyer hierarkitë në pozicionet e para 23
qershorit.
Kryetari i Partisë
Demokratike që sot shohim në ekrane, është një politikan i ndrojtur e pa
personalitet, që po ndërton një profil anemik, nën hijen kërcënuese të
kryetarit të vjetër. Dualizmi mes dy kryetarëve ka sjellë me vete shbalancimin
më të madh të imagjinueshëm për një parti që ishte mësuar qysh prej themelimit,
me timbrin e lart ëtë zërit të Berishës, e jo me tonalitetin e dridhur të
Bashës, me tonet luftarake të liderit historik, e jo me frazat parafabrikate të
kryetarit – noter. E përplasur me dhunë nga një profil lidershipi i fortë e pse
jo i dhunshëm, drejt një profili tjetër të dobët e pa personalitet, Partia
Demokratike i drejtohet opozitës pa e zgjidhur çeshtjen e lidershipit. Sepse ky
proces nuk mbaroi as ditën kur Berisha dhe dorëheqjen dhe as momentin kur Basha
spostoi me hile Olldashin. Rruga për t’u bërë lider është e gjatë e plot me
gropa. Lulzim Basha po e prek me dorë këtë realitet të ri, pa mundur të gjejë
një vend dinjitoz për veten, në një tryezë ku të gjithë janë mësuar të ndjekin
vetëm një palë sy. Që s’janë të tijët.
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!