"

September 17, 2013

Përpara-përpara

(në lumë e në det)




Vargjet e Arben Dukës!

Sot në të vërtetë,
duken si shakara,
thirrjet skizofrene:
“Përpara-Përpara!.”

Thërrit e thërrit,
në kulm të gëzimit,
po unë s’e kuptoja,
ku donit të vinit!

Ja po e fillojmë,
fill me Elbasanin,
ku të parë PD-ja,
kishte Ben Imamin!

Përpara – thosh Beni,
në kulm të shpërthimit,
po përpara qe,
veç lumë i Shkumbinit!

Po lëmë Elbasanin,
dhe po shkojmë në Korçë,
se me Ritvan Boden,
nuk hyjmë dot në borxh!

Përpara – thosh Bodja,
që ditën që dol,
po për dreq përpara,
qe lumi Devoll!

Po ikim nga Korça,
Po shkojm’ në Berat,
aty Pollo Kuqin,
kishim si për fat!

Përpara – thosh Pollua,
dhe s’e zinte gjumi,
po gjithmonë përpara,
për dreq qe Osumi!

Lëmë mbrapa Osumin,
dhe me vrap në Fier,
ku fliste Olldashi,
si në një kantier!

Përpara-përpara,
thosh Sokol gorica,
po pranë e përpara,
qe lumi Gjanica!

Ikim vrap nga Fieri,
edhe për një orë,
shkojm’ ca tek Patozi,
që dergjej në Vlorë!

Përpara – bërtiste,
dhe ai i shkreti,
po kudo përpara,
ishte vetëm deti!

Ikim dhe nga Vlora,
zbresim tatëpjetë,
ja e mbajm’ ca vrapin,
drejt e në Përmet!

Ruli qe i vockël,
sa ç’është kakëzoza,
kur thoshte përpara,
pranë i qasej Vjosa!

Kush ishte në Durrës,
s’e mbaj mend o miq,
emri s’më kujtohet,
po qe shkurtabiq!

Dhe ai përpara,
i thoshte miletit,
dhe i hidhte sytë,
nga ana e detit!

Dhe në Shkodrën loce,
e njëjtë qe puna,
përpara thosh Xhozi,
por para qe Buna!

Përpara-përpara,
Saliu thërret,
i çoi të vetët,
në lumë e në det!



*   *   *




2 comments:

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!