October 19, 2015

Çfarë Po ndodh me De Biasi-n?!


A është kjo një tentativë e FSHF për të bërë Pazar mbi 2-3 Milionë EURO pagë që propozoi GDB? Apo është fillimi i largimit të pa dëshëruar të GDB nga Piedestali ku u ngrit me kualifikimin në Francë 2016?

Mos kanë dorë fqinjët e eleminuar? Dihet që mediat greko-serbe e kanë filluar me kohë shantazhin e dukshëm të tyre kundër Kombëtares Tonë dhe GDB.

Kush e autorizon topakëmbësin Fatbardh Jera të diskutojë në publik mbi pagën dhe të ardhmen e GDB?
Dihet që goditet nga poshtë, pema që ka kokrra. GDB e tregoi se ka me bollëk, dhe F.J. i duhen nja dy! Le të marrë një … pezullim/përjashtim nga puna me motivacionin “xhelozi profesionale”, ose “mashë gështenjash”…

Nëse do të bëhej një Referendum Popullor, kush do të Fitonte, Jera=Duka apo GDB?

Është koha që të numërohen “fërshëllimat” e akumuluara nda Dukës këto 20 e ca vite në krye të FSHF.

Blater, Platini … pse jo edhe Duka!


P.S.

Si do të Votonit Ju?

imazheshqip


*    *    *




October 18, 2015

Kjo është kontrata e De Biasit (Foto)


Armando Duka, ka bërë të ditur se Gianni De Biasi ka kontratë me Kombëtaren shqiptare deri në vitin 2017
Presidenti i Federatës shqiptare të Futbollit, Armando Duka, në një intervistë për emisionin ‘Skaner’ të TV Ora News, ka sqaruar ‘historinë’ e përfolur të kontratës së trajnerit të Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi.

“Më vjen keq shumë që është ngritur ky problem, në një moment të tillë festimi. Marrëdhëniet e FSHF’së me trajnerin De Biasi janë të shkëlqyera dhe ne vazhdojmë të festojmë ende”, ka thënë Duka.

“Trajneri De Biasi ka kontratë me FSHF’në deri në tetor të vitit 2017, me mbarimin e eliminatoreve të Botërorit. Kështu që më duket pa vend diskutimi i kësaj cështjeje të tillë tani”, ka shtuar më tej Duka.

“Është e drejtë e trajnerit De Biasi të vendosë pas përfundimit të finaleve të Francë 2016, nëse do ta vazhdojë kontratën e tij me FSHF’në dhe nëse do të vazhdojë të punojë si trajner i Kombëtares së Shqipërisë. Ne nuk e kemi ndërmend që të marrim trajner tjetër, por as nuk mund ta pengojmë De Biasin, nëse ai kërkon të largohet pas Evropianit, natyrisht duke iu përmbajtur penaliteteve që parashikon kontrata e nënshkruar midis nesh”, ka përfunduar Duka, që la të kuptohet se ndoshta termat financiarë mund të rishikohen midis FSHF’së dhe trajnerit De Biasi.



*    *    *








Po të them sa është rroga ime te Shqipëria, nuk vjen më njeri/Rrëfehet De Biazi


Kënaqësia e kualifikimit për herë të parë të Shqipërisë në një Kampionat Europian vështirë se do të harrohet ndonjëherë nga Xhani De Biazi. Por trajneri i kuqezinjve, përveç kësaj kënaqësie që ka përfituar duke hyrë në historinë e futbollit shqiptar, nuk e fsheh faktin se tashmë kërkon edhe të shpërblehet financiarisht për punën që ka bërë në drejtimin e kombëtares sonë. Në një intervistë radiofonike për “Radio DeeJay” në Itali, trajneri ka pranuar se në bashkëbisedimin e parë që kishte bërë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, pas kualifikimit, një nga batutat ishte edhe “ka ardhur koha që të paguash”, duke iu referuar një rritje rroge të mundshme.

“Ishte thjesht një batutë, ndonëse e di se ka një kontribut të rëndësishëm financiar nga UEFA për skuadrat që marrin pjesë në fazën finale të Kampionatit Europian. Unë mendoj se jam mes trajnerëve më pak të paguar të kombëtareve të kualifikuara. Sa paguhem? Më mirë të mos e them se pastaj nuk shkon më askush te Shqipëria. Por kënaqësia e kualifikimit të Shqipërisë nuk ka çmim, janë situata që të lënë pa fjalë, të mbushin me krenari dhe dinjitet, të cilat janë gjërat më të rëndësishme në jetë”, tha De Biazi në këtë intervistë të dhënë gazetarëve të njohur Ivan Zazaroni dhe Fabio Karesa.

Këta të fundit kërkonin me ngulm të dinin se çfarë do të bënte De Biazi pas eksperiencës në Europian, nëse do të vazhdonte të ishte pjesë e përfaqësueses kuqezi, apo nëse do t’i bashkohej një kombëtareje tjetër apo klubeve. Trajneri pranoi se aktualisht nuk kishte asnjë të re në këtë aspekt, por mbetej i qetë, falë mirëkuptimit që kishte me FSHF-në. “Do të ndalem për momentin të shoh se çfarë mund të bëj. Duhet të flas më parë me Federatën, për të kuptuar nëse duan që të vazhdojnë me mua apo të ndjekin rrugë të tjera. Meqë kemi një marrëdhënie të mirë mes nesh, nuk do të ketë probleme nga kjo pikëpamje”, theksoi ai, raporton Shqip.

Sido që të shkojnë bisedimet mes De Biazit dhe FSHF-së, trajneri është shumë i lumtur me këtë eksperiencë që ka bërë në Shqipëri, duke e kthyer kombëtaren në një emër të njohur në arenën ndërkombëtare dhe duke i shërbyer edhe ai kauzës së afrimit drejt Europës të vendit tonë. “Mendoj se Shqipëria po i afrohet gjithnjë e më shumë Europës, me dëshirë dhe entuziazëm. Është një popull shumë i ri, që ka entuziazmin e të rinjve dhe që kërkon nëpërmjet studimeve, apo edhe nëpërmjet këtij shembulli që dhanë lojtarët e mi, që të bëjnë të mundur të pamundurën. Ky është një mesazh i rëndësishëm sidomos për më të rinjtë”, theksoi De Biazi në këtë intervistë për radion e njohur italiane.

Pas nderimeve më të larta që mori në Shqipëri pas kualifikimit, për trajnerin e kuqezinjve kanë ardhur edhe vlerësimet në vendlindjen e tij. Bashkia e Koneljanos, ku banon De Biazi me familjen e tij, i ka dhënë atij titullin “Cima da Conegliano”, me motivacionin “pasi ka ditur të edukojë të rinjtë dhe të rriturit me vlerat e besnikërisë dhe disiplinës, duke u bërë ambasador i qytetit tonë në botë”. Në fjalimin e tij, trajneri nuk ka ngurruar të ftojë italianët që të kopjonin shqiptarët, për përkushtimin ndaj kombit. “Unë kam prezantuar kudo ku kam qenë krahinën e Trevizos, prejardhja ime më ka mbajtur gjithmonë këtu, afër vendit ku kam lindur. Por në Shqipëri kam gjetur një përkushtim ndaj fanellës, ngjyrave dhe flamurit që nuk e gjej në Itali. Ne duhet të dëgjojmë më fort thirrjen e kombit tonë, të flamurit tonë dhe të tregojmë më shumë zemër ndaj asaj që bëjmë. Nëse i bën gjërat me zemër dhe me pasion, është më e lehtë të arrish objektivat që i ke vënë vetes”, tha De Biazi.




*    *    *









October 17, 2015

Tom and Jerry - 75



*    *    *




Pirate of the Caribbean - Reloaded



*     *     *


Love conquers all



*    *    *



Silk-Soft/ Toilet Paper



*    *    *


Rebranding


*    *    *



Transporti urban në Tiranë. Foto që flet sa mijëra fjalë


Një foto e bërë në autobusin e linjës së “Tiranës së Re” po qarkullon në rrjetet sociale. Foto tregon  realisht gjendjen e transportit urban në Shqipëri. Qeveritë vendore e qëndrore janë ndryshuar, por ky transport jetik për shumë qytetarë vazhdon ende të jetë në gjendje skandaloze. Dhe përpos kësaj kompanitë e transportit urban kërkojnë herë pas here rritje të cmimit të biletës.

P.S.
DALJE = EXIT!

*    *    *

Sa kushtojnë ekipet e futbollit, France 2016?


Shqipëria, për herë të parë do të luajë në finalet e Europianit, dhe renditja e saj në vazo, është përshtatur plotësisht me forcën financiare. UEFA, të mërkurën, ka publikuar ndarjen e një pjese të mirë të ekipeve nëpër vazo, ndërsa ndarja është bërë në bazë të koeficientit të UEFA-s për ekipet nacionale.

Shqipëria ka koeficientin e dytë më të dobët prej të gjitha vendeve pjesëmarrëse në Europianin që mbahet në Francë. Madje, koeficient më të lartë kanë të gjitha përfaqësueset që do të luajnë në “play off”. Koeficient më të dobët se Shqipëria ka vetëm Irlanda Veriore, 22.61.

Koeficienti i Shqipërisë është 23.216. Këto dy përfaqësuese do të jenë në vazon e fundit – të katërt, ku të konfirmuara janë edhe Islanda e Uellsi. Pra, Shqipëria, Irlanda e Veriut, Islanda e Uellsi në grupet për Europian do të kenë nga tre kundërshtarë që vlerësohen më të fortë se këto përfaqësuese.

Të gjithë kundërshtarët e Shqipërisë po ashtu do të kenë vlerë më të madhe në treg se kuqezinjtë. Sipas faqes së internetit, të specializuar për transferimin e lojtarëve dhe për çmimin e tyre, “Transfermarkt.de”, vlera në treg e lojtarëve të Kombëtares së Shqipërisë është 39,43 milionë euro.

Është llogaritur vlera e 26 lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet e fundit, pra jo edhe e atyre të lënduar, si për shembull e Mërgim Mavrajt. Gashi e Hysaj, lojtarët më të shtrenjtë të Shqipërisë Lojtarët më të vlerësuar të Shqipërisë, sipas “Transfermarkt.de”, janë Shkëlzen Gashi e Elseid Hysaj, që vlejnë nga 4,5 milionë euro. Njësoj si në klasifikimin e UEFA-s edhe për nga vlera, Irlanda e Veriut është e vetmja prapa Shqipërisë, nëse llogariten përfaqësueset tashmë të kualifikuara për Europian.

Ekipi i Irlandës së Veriut, i përbërë nga 28 lojtarë, vlen 36,48 milionë euro. Pak më e vlerësuar se Shqipëria është përfaqësuesja e Islandës. 24 lojtarët e saj vlerësohen 39,43 milionë euro. Përfaqësuesja tjetër e konfirmuar në vazon e katërt, Uellsi, vlen shumë më tepër. Uellsi ka vlerë prej 160 milionë eurosh, ndërsa vetëm Garet Bejl vlerësohet 80 milionë euro.

Në fakt, suksesi i Shqipërisë nuk është i bazuar te ndonjë lojtar i vetëm. Shqipëria vazhdon të mos ketë lojtarë të shtrenjtë në përbërje, por tashmë ka një grup lojtarësh që arritën një rezultat historik. Kontributi i lojtarëve në eliminatore është vlerësuar i përafërt. “Forca e kësaj përfaqësueseje është grupi. Kemi në formacion lojtarë me zemër, që ofrojnë maksimumin për ngjyrat e Kombëtares”, ka thënë përzgjedhësi i Shqipërisë, Xhani De Biazi.
Me paraqitjen në Europian, vlera e shumicës së lojtarëve të Shqipërisë pritet të rritet. Por prapë Shqipëria nuk do të mund të bëhet më e vlefshme se shumë përfaqësuese të Europianit.

Spanja e Gjermania, bashkë peshojnë mbi një miliard euro Turqia vlen 191 milionë, Sllovakia 83 milionë, Rumania 60 milionë, Polonia 155 milionë, Çekia 58 milionë, Kroacia 212 milionë, Austria 105 milionë, Zvicra 179 milionë, Rusia 142 milionë, Italia 306 milionë, Belgjika 380 milionë, Portugalia 153 milionë (pa Ronaldon që vlen 120 milionë), Anglia 390 milionë, Gjermania 518 milionë, Spanja 530 milionë dhe Franca 414 milionë.




*    *    *





October 13, 2015

Notat e KuqeZi-njve



DE BIAZI 10
I qartë në gjithçka ka bërë. Erdhi, eksperimentoi, ndërtoi ekip dhe në fund triumfoi. Iu desh punë, durim dhe mbi të gjitha përkushtim. I demonstroi të gjitha. Por, jo vetëm kaq, tregoi se është edhe fitues. Sot Shqipëria është në Europian më së shumti për meritë të tij, por mbi të gjitha Shqipëria ka një të ardhme të ndritur ekskluzivisht për meritë të tij. Grup cilësor, harmoni dhe solid. Nëse dikush guxon të thotë të kundërtën, nuk merr vesh nga futbolli!

LORIK CANA 8
Kapiteni rekordmen ka barrën të orientojë një repart të tërë. Ndonjëherë edhe ka gabuar dhe është kritikuar në mënyrë të pamëshirshme sepse të gjithë presin të jetë po aq gjigant në fushë sa edhe imazhi që ka. Por edhe ai njeri është, por nga ata që kanë në gjen liderin.

MËRGIM MAVRAJ 8
Nuk ishte dje në fushë, as në tri ndeshjet e tjera që janë luajtur në këta dy muaj, por ama ka qenë dhe mbetet shtyllë e skuadrës. Me të në qendër të mbrojtjes, kuqezinjtë ndihen më të sigurt. I saktë, i thjeshtë dhe i ashpër kur e lyp nevoja. Kapiten i ardhshëm.

ELSEID HYSAJ 8
Kombëtarja i ka dhënë shumë djaloshit nga Shkodra, por edhe ai ia ka shpërblyer. Qetësi, saktësi dhe, mbi të gjitha, vazhdimësi. Eviton gabimet trashanike dhe është padron i krahut të tij. Ka gabuar shumë pak gjatë këtij edicioni. Dje ishte gati perfekt.

ANDI LILA 7.5
I kërkohet të luajë në pozicione të ndryshme dhe ai jep çka mundet në çdo rol. Jo gjithnjë ia del dhe jo gjithnjë është brilant. Por është punëtor dhe vë zemrën në fushë. Në fazën e parë të edicionit dukshëm gëzonte një formë më të mirë. Por, gjithsesi, mbetet shumë i vlefshëm për këtë kombëtare.

MIGJEN BASHA 7.5
I “harruar” nga De Biazi në fillim të edicionit, rikthehet si gjeneral atëherë kur e lyp nevoja. Dhe nuk zhgënjen. Klas, grintë dhe sakrificë pa masë. Nëse do të kishte edhe një shënjestër më të mirë, mund të meritonte pak më shumë. Usta i organizimit.

ARMIR ABRASHI 7.5
Motor i pandalshëm. Po, nuk luajti dy ndeshjet e fundit, por kjo nuk i heq meritën e dhjetëra kilometrave që ka përshkuar në çdo përballje. I është kërkuar të bëjë punën e pisët dhe të bredhë në çdo cep. E ka bërë. I duket pak puna, por duhet pyetur trajneri sa vlen…

ODISE ROSHI 8
Shkëlqeu në ndeshjen e fundit dhe është e vërtetë se me atë në fushë kemi regjistruar të gjithë fitoret e këtij edicioni. Por nuk është gjithnjë konstant dhe shpesh ka vuajtur edhe problemet e aktivizimit nëpër klube. Por, mbetet ndër të paktët që mund të bëjë diferencën. Nëse ai maturohet më shumë, do të jetë një armë e frikshme për kuqezinjtë.

 SHKËLZEN GASHI 8.5
Gjysmë note me “mik” sepse është atje kur duhet aty kur duhet. Pak e bëjnë këtë. Sakrifikon sepse luan shumicën e ndeshjeve jashtë rolit, por goli me Armeninë në Elbasan dhe ai në Jerevan kanë vulën e tij. I çuditshëm si natyrë, por fantastik për çdo ekip që e ka në gjirin e tij. Ndoshta duhet shfrytëzuar më mirë potenciali që ka.

 SOKOL CIKALLESHI 7.5
“Mbreti” i shtyllave është sulmuesi që sakrifikon më shumë. Askush nuk vrapon sa ai, askush ndoshta nuk lufton sa ai. I shpejtë, teknik dhe potent. Një edicion i luftuar, por mungesa e golit i peshon shumë çdo sulmuesi. Thjesht i pafat.

ERGYS KAÇE 7
Shumë talent, pak minuta të luajtura. Goli me Francën u mendua si shkëndijë për rikthimin, por me sa duket nuk është aq taktik sa i pëlqen De Biazit. E, megjithatë, është vetëm 22 vjeç, e ardhmja kuqezi është e tija.

BURIM KUKELI 7
Nëse do të kishte fizik më të qëndrueshëm, do ishte ai gjithnjë para mbrojtjes. Gjeometri, forcë dhe karakter. Fiks siç i pëlqen De Biazit. Nuk shquhet për pasime të gjata, por gjithsesi di të ndërtojë mirë. Punëtor dhe i zgjuar.

ALBAN MEHA 7
E ka humbur vendin në formacion, por jo magjinë që e karakterizon në gjuajtjet që ka. Pak forcë dhe pak sakrifikues në aspektin e dyluftimeve fizike. Nuk është zgjedhje e parë e De Biazit, por ndër të paktët që mund ta zgjidhë një ndeshje nga hiçi.

ANSI AGOLLI 8
Sakrificë, përulësi dhe zgjuarsi. Ndonjëherë nuk ia del, ndonjëherë vuan më shumë se sa duhet, por një gjë është e sigurt: ka dhënë gjithçka ka vetja. Krahasuar me gjithë të tjerët është lojtari që ka pasur përmirësim të pandalshëm gjatë gjithë edicionit. Më kot që mungoi dje, por të gjithë paçim dhurata për ditëlindje si ajo e tija…

TAULANT XHAKA 8
Një nga zbulimet më të mira të De Biazit. Janë të shumtë ata që e kanë zili për atë çka jep në fushën e lojës, por mbi të gjitha e kanë zili edhe për sakrificën e madhe edhe kur nuk është në gjendjen optimale. Prej kohësh duket se ka filluar ta ketë “zili” për fanellën që mban edhe vëllai, Graniti…

ERMIR LENJANI 7
Talent po, shpejtësi dhe gjuajte pa diskutim që po. Por, edhe pak aventurier. Po ç’kuptim ka futbolli pa pak aventurë. Nuk është konstant dhe luhatet nga ndeshja në ndeshje, por ndër të paktët që arrin të bëjë mirë në krahun e majtë dhe bëri të harrohet njëfarë Valdet Rama…

 LEDJAN MEMUSHAJ 8
Xholi i emergjencave. Luan në sulm, në mbrojtje, majtas dhe djathtas. I bën të gjitha dhe nuk stonon. Një nga ata që nuk të mahnisin, por që të nderojnë gjithnjë. Shumë cilësi dhe shumë punëtor.

BEKIM BALAJ 7.5
Nisi gjithçka nga ajo gjysmë kthesë që ngriu Portugalinë në shtëpinë e saj. Shkodrani hapi krahët për të festuar si shqipe dhe, prej atëherë, shqipet nuk u ndalën më. Ia vlejti edhe stoli kokës në Beograd edhe ulja në pankinë kur ndoshta nuk e ka merituar. Por kjo është kombëtarja moderne, e pamëshirshme në konkurrencë…

ARLIND AJETI 7
Mëkat që një lojtar kaq i ri dhe me kaq shumë talent të mos gjejë ekip. Por, fat i madh që është pjesë e një kombëtareje që nuk të bën gjë tjetër veçse të reklamon. I saktë në punën që bën, i qartë në objektivin që ka dhe i ftohtë edhe kur të tjerët e humbin toruan. I vlefshëm

BERAT GJIMSHITI 8
Katër ndeshje një gol. Stonoi disi me Serbinë, por dje shënoi golin që na qetësoi frymëmarrjen. I fortë fizikisht, me vetëbesim prej veterani dhe i gjendshëm në çdo repart. E ardhmja e Kombëtares.

ARMANDO SADIKU 7.5
Goli i djeshëm ishte kurorëzimi i një ëndrre të lënë përgjysmë edicionin e kaluar. Pësoi një dëmtim të rëndë dhe e humbi vendin në formacion. Por ka gjuajtje, ka thjeshtësi dhe shumë potencë. Cërrikasi ngjan si dem i tërbuar kur zbret në fushë dhe zor se përmbahet kur ka topin.

NASER ALIJI 7
Vetëm një ndeshje zyrtare, atë të djeshmen kundër Armenisë, por çfarë personaliteti. I saktë taktikisht dhe luftarak pa masë. Modern në administrimin e topit dhe shumë i qetë sa herë gjendej nën presion. Lojtar i fituar.

HAMDI SALIHI 7
Dakord, nuk ka luajtur, sepse ca më të rinj se ai janë “përbindësha” që nuk njohin hierarki moshe, por që një grup të funksionojë, ka nevojë edhe për burra me “rr” të fortë. Ai, Shehi dhe Bulku kanë stofin për të qenë kampionë. Dinë të ruajnë balancat, evitojnë klanet dhe ngjallin gjithë besim dhe harmoni. T’i kesh në ekip djemtë e mirë, nuk ka të paguar. Salihi, Shehi e Bulku janë të tillë.



*    *    *




Sa shqiptarë do të luajnë në “Euro 2016”?


Kombëtarja Shqiptare shkroi historinë duke u kualifikuar për herë të parë në “Euro 2016”.

Për rrjedhojë, në Francë do të luajnë 24 lojtarë për Shqipërinë.

Por, këto nuk janë “shqipet” e vetme që luajnë në Kampionatin Europian.

Në këtë kampionat gjenden edhe shqiptarë, të cilët luajnë me përfaqësuese të tjera.

Shkodran Mustafi pritet të luajë me Gjermaninë, si dhe Adnan Januzaj me Belgjikën.

Ndërkaq janë shtatë futbollistë shqiptarë që do të luajnë me Zvicrën: Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Pajtim Kasami, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi.

Këtyre futbollistëve me origjinë shqiptare mund tiu shtohet edhe mbrojtësi i Danimarkës, Riza Durmishi, ekipi i të cilit shkoi në play-off, pasi Shqipëria u rendit në vendin e dytë.



*    *    *




October 12, 2015

Me plis në Paris/MBËRRITJA E KUQEZINJVE NË TIRANË

Me plis

Në Paris!

Kjo ishte thirrja e tifozëve shqiptarë në mbështetje të ëndrrës së Kombëtares kuq e zi.

Një moto e kthyer në realitet në mbrëmjen historike të 11 tetorit 2015 në Armeninë e largët.

Qeleshja është kthyer tashmë në një simbol në mbështetje të përfaqësueses, jo vetëm në stadium dhe në rrugë, por mbi të gjitha në ekipin kuqezi.

Pas suksesit në Jerevan, De Biasi zbriti nga autobusi i Kombëtares me qeleshe në kokë.

Trajneri dhe lojtarët e përfaqësueses kuqezi u pritën në hotel mes brohoritjeve të dhjetëra tifozëve, që mbështetën skuadrën në afro 2600 kilometra distancë.

Tirana ishte e mbushur sot me sportdashës që kishin dalë në çdo cep për të mbështetur ekipin kombëtar.

Foto-Reporteri i DITA-s, Klevis Janko ka kapur disa nga momentet më pikante të ditës së sotme, ku gëzimi dukej në fytyrën e çdo shqiptari.

Më poshtë fotot e pritjes së heronjve kuqezi në Tiranë…




*    *    *