"

October 13, 2015

Notat e KuqeZi-njve



DE BIAZI 10
I qartë në gjithçka ka bërë. Erdhi, eksperimentoi, ndërtoi ekip dhe në fund triumfoi. Iu desh punë, durim dhe mbi të gjitha përkushtim. I demonstroi të gjitha. Por, jo vetëm kaq, tregoi se është edhe fitues. Sot Shqipëria është në Europian më së shumti për meritë të tij, por mbi të gjitha Shqipëria ka një të ardhme të ndritur ekskluzivisht për meritë të tij. Grup cilësor, harmoni dhe solid. Nëse dikush guxon të thotë të kundërtën, nuk merr vesh nga futbolli!

LORIK CANA 8
Kapiteni rekordmen ka barrën të orientojë një repart të tërë. Ndonjëherë edhe ka gabuar dhe është kritikuar në mënyrë të pamëshirshme sepse të gjithë presin të jetë po aq gjigant në fushë sa edhe imazhi që ka. Por edhe ai njeri është, por nga ata që kanë në gjen liderin.

MËRGIM MAVRAJ 8
Nuk ishte dje në fushë, as në tri ndeshjet e tjera që janë luajtur në këta dy muaj, por ama ka qenë dhe mbetet shtyllë e skuadrës. Me të në qendër të mbrojtjes, kuqezinjtë ndihen më të sigurt. I saktë, i thjeshtë dhe i ashpër kur e lyp nevoja. Kapiten i ardhshëm.

ELSEID HYSAJ 8
Kombëtarja i ka dhënë shumë djaloshit nga Shkodra, por edhe ai ia ka shpërblyer. Qetësi, saktësi dhe, mbi të gjitha, vazhdimësi. Eviton gabimet trashanike dhe është padron i krahut të tij. Ka gabuar shumë pak gjatë këtij edicioni. Dje ishte gati perfekt.

ANDI LILA 7.5
I kërkohet të luajë në pozicione të ndryshme dhe ai jep çka mundet në çdo rol. Jo gjithnjë ia del dhe jo gjithnjë është brilant. Por është punëtor dhe vë zemrën në fushë. Në fazën e parë të edicionit dukshëm gëzonte një formë më të mirë. Por, gjithsesi, mbetet shumë i vlefshëm për këtë kombëtare.

MIGJEN BASHA 7.5
I “harruar” nga De Biazi në fillim të edicionit, rikthehet si gjeneral atëherë kur e lyp nevoja. Dhe nuk zhgënjen. Klas, grintë dhe sakrificë pa masë. Nëse do të kishte edhe një shënjestër më të mirë, mund të meritonte pak më shumë. Usta i organizimit.

ARMIR ABRASHI 7.5
Motor i pandalshëm. Po, nuk luajti dy ndeshjet e fundit, por kjo nuk i heq meritën e dhjetëra kilometrave që ka përshkuar në çdo përballje. I është kërkuar të bëjë punën e pisët dhe të bredhë në çdo cep. E ka bërë. I duket pak puna, por duhet pyetur trajneri sa vlen…

ODISE ROSHI 8
Shkëlqeu në ndeshjen e fundit dhe është e vërtetë se me atë në fushë kemi regjistruar të gjithë fitoret e këtij edicioni. Por nuk është gjithnjë konstant dhe shpesh ka vuajtur edhe problemet e aktivizimit nëpër klube. Por, mbetet ndër të paktët që mund të bëjë diferencën. Nëse ai maturohet më shumë, do të jetë një armë e frikshme për kuqezinjtë.

 SHKËLZEN GASHI 8.5
Gjysmë note me “mik” sepse është atje kur duhet aty kur duhet. Pak e bëjnë këtë. Sakrifikon sepse luan shumicën e ndeshjeve jashtë rolit, por goli me Armeninë në Elbasan dhe ai në Jerevan kanë vulën e tij. I çuditshëm si natyrë, por fantastik për çdo ekip që e ka në gjirin e tij. Ndoshta duhet shfrytëzuar më mirë potenciali që ka.

 SOKOL CIKALLESHI 7.5
“Mbreti” i shtyllave është sulmuesi që sakrifikon më shumë. Askush nuk vrapon sa ai, askush ndoshta nuk lufton sa ai. I shpejtë, teknik dhe potent. Një edicion i luftuar, por mungesa e golit i peshon shumë çdo sulmuesi. Thjesht i pafat.

ERGYS KAÇE 7
Shumë talent, pak minuta të luajtura. Goli me Francën u mendua si shkëndijë për rikthimin, por me sa duket nuk është aq taktik sa i pëlqen De Biazit. E, megjithatë, është vetëm 22 vjeç, e ardhmja kuqezi është e tija.

BURIM KUKELI 7
Nëse do të kishte fizik më të qëndrueshëm, do ishte ai gjithnjë para mbrojtjes. Gjeometri, forcë dhe karakter. Fiks siç i pëlqen De Biazit. Nuk shquhet për pasime të gjata, por gjithsesi di të ndërtojë mirë. Punëtor dhe i zgjuar.

ALBAN MEHA 7
E ka humbur vendin në formacion, por jo magjinë që e karakterizon në gjuajtjet që ka. Pak forcë dhe pak sakrifikues në aspektin e dyluftimeve fizike. Nuk është zgjedhje e parë e De Biazit, por ndër të paktët që mund ta zgjidhë një ndeshje nga hiçi.

ANSI AGOLLI 8
Sakrificë, përulësi dhe zgjuarsi. Ndonjëherë nuk ia del, ndonjëherë vuan më shumë se sa duhet, por një gjë është e sigurt: ka dhënë gjithçka ka vetja. Krahasuar me gjithë të tjerët është lojtari që ka pasur përmirësim të pandalshëm gjatë gjithë edicionit. Më kot që mungoi dje, por të gjithë paçim dhurata për ditëlindje si ajo e tija…

TAULANT XHAKA 8
Një nga zbulimet më të mira të De Biazit. Janë të shumtë ata që e kanë zili për atë çka jep në fushën e lojës, por mbi të gjitha e kanë zili edhe për sakrificën e madhe edhe kur nuk është në gjendjen optimale. Prej kohësh duket se ka filluar ta ketë “zili” për fanellën që mban edhe vëllai, Graniti…

ERMIR LENJANI 7
Talent po, shpejtësi dhe gjuajte pa diskutim që po. Por, edhe pak aventurier. Po ç’kuptim ka futbolli pa pak aventurë. Nuk është konstant dhe luhatet nga ndeshja në ndeshje, por ndër të paktët që arrin të bëjë mirë në krahun e majtë dhe bëri të harrohet njëfarë Valdet Rama…

 LEDJAN MEMUSHAJ 8
Xholi i emergjencave. Luan në sulm, në mbrojtje, majtas dhe djathtas. I bën të gjitha dhe nuk stonon. Një nga ata që nuk të mahnisin, por që të nderojnë gjithnjë. Shumë cilësi dhe shumë punëtor.

BEKIM BALAJ 7.5
Nisi gjithçka nga ajo gjysmë kthesë që ngriu Portugalinë në shtëpinë e saj. Shkodrani hapi krahët për të festuar si shqipe dhe, prej atëherë, shqipet nuk u ndalën më. Ia vlejti edhe stoli kokës në Beograd edhe ulja në pankinë kur ndoshta nuk e ka merituar. Por kjo është kombëtarja moderne, e pamëshirshme në konkurrencë…

ARLIND AJETI 7
Mëkat që një lojtar kaq i ri dhe me kaq shumë talent të mos gjejë ekip. Por, fat i madh që është pjesë e një kombëtareje që nuk të bën gjë tjetër veçse të reklamon. I saktë në punën që bën, i qartë në objektivin që ka dhe i ftohtë edhe kur të tjerët e humbin toruan. I vlefshëm

BERAT GJIMSHITI 8
Katër ndeshje një gol. Stonoi disi me Serbinë, por dje shënoi golin që na qetësoi frymëmarrjen. I fortë fizikisht, me vetëbesim prej veterani dhe i gjendshëm në çdo repart. E ardhmja e Kombëtares.

ARMANDO SADIKU 7.5
Goli i djeshëm ishte kurorëzimi i një ëndrre të lënë përgjysmë edicionin e kaluar. Pësoi një dëmtim të rëndë dhe e humbi vendin në formacion. Por ka gjuajtje, ka thjeshtësi dhe shumë potencë. Cërrikasi ngjan si dem i tërbuar kur zbret në fushë dhe zor se përmbahet kur ka topin.

NASER ALIJI 7
Vetëm një ndeshje zyrtare, atë të djeshmen kundër Armenisë, por çfarë personaliteti. I saktë taktikisht dhe luftarak pa masë. Modern në administrimin e topit dhe shumë i qetë sa herë gjendej nën presion. Lojtar i fituar.

HAMDI SALIHI 7
Dakord, nuk ka luajtur, sepse ca më të rinj se ai janë “përbindësha” që nuk njohin hierarki moshe, por që një grup të funksionojë, ka nevojë edhe për burra me “rr” të fortë. Ai, Shehi dhe Bulku kanë stofin për të qenë kampionë. Dinë të ruajnë balancat, evitojnë klanet dhe ngjallin gjithë besim dhe harmoni. T’i kesh në ekip djemtë e mirë, nuk ka të paguar. Salihi, Shehi e Bulku janë të tillë.



*    *    *




No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!