Kënaqësia e
kualifikimit për herë të parë të Shqipërisë në një Kampionat Europian vështirë
se do të harrohet ndonjëherë nga Xhani De Biazi. Por trajneri i kuqezinjve,
përveç kësaj kënaqësie që ka përfituar duke hyrë në historinë e futbollit
shqiptar, nuk e fsheh faktin se tashmë kërkon edhe të shpërblehet financiarisht
për punën që ka bërë në drejtimin e kombëtares sonë. Në një intervistë
radiofonike për “Radio DeeJay” në Itali, trajneri ka pranuar se në
bashkëbisedimin e parë që kishte bërë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka,
pas kualifikimit, një nga batutat ishte edhe “ka ardhur koha që të paguash”,
duke iu referuar një rritje rroge të mundshme.
“Ishte thjesht një
batutë, ndonëse e di se ka një kontribut të rëndësishëm financiar nga UEFA për
skuadrat që marrin pjesë në fazën finale të Kampionatit Europian. Unë mendoj se
jam mes trajnerëve më pak të paguar të kombëtareve të kualifikuara. Sa paguhem?
Më mirë të mos e them se pastaj nuk shkon më askush te Shqipëria. Por kënaqësia
e kualifikimit të Shqipërisë nuk ka çmim, janë situata që të lënë pa fjalë, të
mbushin me krenari dhe dinjitet, të cilat janë gjërat më të rëndësishme në
jetë”, tha De Biazi në këtë intervistë të dhënë gazetarëve të njohur Ivan
Zazaroni dhe Fabio Karesa.
Këta të fundit kërkonin
me ngulm të dinin se çfarë do të bënte De Biazi pas eksperiencës në Europian,
nëse do të vazhdonte të ishte pjesë e përfaqësueses kuqezi, apo nëse do t’i
bashkohej një kombëtareje tjetër apo klubeve. Trajneri pranoi se aktualisht nuk
kishte asnjë të re në këtë aspekt, por mbetej i qetë, falë mirëkuptimit që
kishte me FSHF-në. “Do të ndalem për momentin të shoh se çfarë mund të bëj.
Duhet të flas më parë me Federatën, për të kuptuar nëse duan që të vazhdojnë me
mua apo të ndjekin rrugë të tjera. Meqë kemi një marrëdhënie të mirë mes nesh,
nuk do të ketë probleme nga kjo pikëpamje”, theksoi ai, raporton Shqip.
Sido që të shkojnë
bisedimet mes De Biazit dhe FSHF-së, trajneri është shumë i lumtur me këtë
eksperiencë që ka bërë në Shqipëri, duke e kthyer kombëtaren në një emër të
njohur në arenën ndërkombëtare dhe duke i shërbyer edhe ai kauzës së afrimit
drejt Europës të vendit tonë. “Mendoj se Shqipëria po i afrohet gjithnjë e më
shumë Europës, me dëshirë dhe entuziazëm. Është një popull shumë i ri, që ka
entuziazmin e të rinjve dhe që kërkon nëpërmjet studimeve, apo edhe nëpërmjet
këtij shembulli që dhanë lojtarët e mi, që të bëjnë të mundur të pamundurën. Ky
është një mesazh i rëndësishëm sidomos për më të rinjtë”, theksoi De Biazi në
këtë intervistë për radion e njohur italiane.
Pas nderimeve më të
larta që mori në Shqipëri pas kualifikimit, për trajnerin e kuqezinjve kanë ardhur
edhe vlerësimet në vendlindjen e tij. Bashkia e Koneljanos, ku banon De Biazi
me familjen e tij, i ka dhënë atij titullin “Cima da Conegliano”, me
motivacionin “pasi ka ditur të edukojë të rinjtë dhe të rriturit me vlerat e
besnikërisë dhe disiplinës, duke u bërë ambasador i qytetit tonë në botë”. Në
fjalimin e tij, trajneri nuk ka ngurruar të ftojë italianët që të kopjonin
shqiptarët, për përkushtimin ndaj kombit. “Unë kam prezantuar kudo ku kam qenë
krahinën e Trevizos, prejardhja ime më ka mbajtur gjithmonë këtu, afër vendit
ku kam lindur. Por në Shqipëri kam gjetur një përkushtim ndaj fanellës,
ngjyrave dhe flamurit që nuk e gjej në Itali. Ne duhet të dëgjojmë më fort
thirrjen e kombit tonë, të flamurit tonë dhe të tregojmë më shumë zemër ndaj asaj
që bëjmë. Nëse i bën gjërat me zemër dhe me pasion, është më e lehtë të arrish
objektivat që i ke vënë vetes”, tha De Biazi.
* *
*
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!