September 12, 2013

I pavdekshem Azem Hajdari

. . . po Sali Berisha e vrau    
  

Nga postimi i mbrëmshëm i deputetit Sali Berisha shkëputëm këto komente dhe foto:


Sali Berisha Facebook 

Azem ti je gjalle!

Te dashur miq, sot vendosem ne Varrezat e te Reneve te Kombit, eshtrat e burrit te madh te kombit shqiptar, tribunit legjendar te lirive dhe dinjitetit njerezor te shqiptareve, udheheqesit te levizjes studentore te dhjetorit 90, themeluesit te PD, mikut tim te paharruar Azem Hajdarit.


Ne krye te levizjes studentore ne dhjetor te vitit 1990 Azemi gjunjezoi diktaturen me te eger komuniste ne Europe dhe beri per lirine e shqiptareve te shtypur me shume se kushdo tjeter ne histori. Nder perjete vepres se pavdekshme dhe kujtimit te ndritur te Azem Hajdarit! Azem ti je gjalle! sb


Komenti në foto:

Blerim Poka Blero
I pavdekshem Azem Hajdari po Sali Berisha e vrau



Komente:


Shpetim Merja
Ti e vrave martirin e demokracis,


Joni Albania
Une jam demokra por ky e ka vra. Ky me çetën e ve e SHKËRDHYEN të djathtën shqiptare !!!!!! Kjo nuk është e djahta e INTELEKTUALËVE, PEDAGOGËVE dhe STUDENTËVE të 90-s !!
Kjo është e djathta e LLUMIT të shoqërisë si dhe e injorantëve,fshatarëve dhe atyre që blehen për 20 mijë lekë !!!! As tek Lulzim Basha skam besim se do reformoje strukturen e te djathtes. Muti ka marre totalisht forme tani , dëmi është i pakthyeshëm !
TURP !



Komente:

Ilir Sh Sadiku
qfare shikimi i Bashes,drejtuar kah doktori


Leo Albacino
Ça te pame basha,


Adrian Aliaj
Po ik I zoti Sali, leri hapsire brezit te ri. E vure prift Bashen e tani po rruan mjekrren.


Jimmy Ili Hoxhaj
Zoti sal. Kot thon alkapone duhej te te ishte me i famshem pseudonimi alsaliberisha je kryemafioz dhe e zhduke dhe e nderon si ke fytyr dhe ndjenja qe del e flet para popullit shporrru o pis


Mateo-besnik Shurbi
per te vra e ka vra Sala edhe formalitetet ja ben ai. eeeeeeeeeh medet zotit per ate e familjen e tije. keta te tjeret bejne politike me shpirtin e tije.


*    *    *









Ku shkoi vallë

... gjithë ky humor Parlamentar?!!



Përse nuk duroi dot?

Nga Mero Baze

Ditën e fundit të pushtetit, Sali Berisha postoi një koment në Facebook, ku e krahasoi Edi Ramën me Papandreun dhe parashikoi se fundi i tij do të jetë i afërt. Shumë vetë e agresuan në rrjetet sociale me komente fyese dhe natyrisht të tijtë morën një dozë optimizmi për profecinë e tij. Në pamje të parë dukej një llokmë urrejtje për rrëzimin nga pushteti, që Berisha përpiqej ta hidhte mbi turmë. Por krahasimi në fakt mbetet dramatik.

Pyetja themelore që shtrohet në këtë rast nga simetria me Greqinë e tre viteve më parë, nuk ka të bëjë aq me Papandreun, se sa me atë që ia dorëzoi Greqinë, Papandreut. Në  inkoshiencën e vet Berisha pranoi para shqiptarëve se Shqipëria është një vend në buzë të humnerës ekonomike, dhe fajësoi retorikën optimiste të opozitës që sipas tij do sillte dështim.

Por në të vërtetë çfarë Shqipërie po dorëzon Sali Berisha?

Nëse marrim fjalimet dhe argumentet me të cilat Berisha dhe të vetët agresojnë qeverinë e re, pa nisur punë, ata tentojnë të thonë se kanë lënë një Shqipëri të zhvilluar, një ekonomi të shëndoshë që vjen pas Gjermanisë dhe parametra ekonomikë të stabilizuar. Nëse është kështu, mos e dëgjoni fare fjalimin e Edi Ramës për programin ekonomik të qeverisë se nuk ka pikë rëndësie. Shqipëria nuk ka nevojë as për rilindje dhe as pas për lindje, por për zhvillim normal. Edi Rama, edhe nëse ka dëshirë t’i ngjajë Papandreut, nuk e bën dot, pasi Papandreu mori një Greqi në buzë të greminës dhe u tërhoq për të mos e çuar një hap përpara në greminë, kurse ky, sipas Berishës, po merr një Shqipëri të fortë dhe ekonomi të begatë.

Në fakt ne të gjithë e dimë çfarë Shqipërie po merr Edi Rama, ndaj po dëgjojmë fjalimin e tij. Do të bënte mirë ta dëgjonte dhe Sali Berisha. Jo për të mësuar ndonjë gjë nga Edi Rama, por për të korrigjuar vetveten në prognozën e tij prej kasandre.

Që Shqipëria të përfundojë në humnerë siç po ndjell ai përditë, dhe që Edi Rama të përfundojë si Papandreu, ai duhet të pranojë së pari që ka lënë një Shqipëri të shkatërruar, me një buxhet piramidë që nis me borxhe që ditën e parë, një ekonomi të destabilizuar, një pronë publikë shpërndarë si llokma për shokët e djalit dhe vajzës deri në sekondat e fundit në pushtet, me një mjekësi dhe arsim në mjerim, me një rend që i ngjan zonave që kontrollohen nga talibanët në Kandahar, dhe me depresion në rritje të shoqërisë.

Të gjithë e dimë që Shqipëria që po merr sot Edi Rama është kjo e dyta. Ajo është po aq keq sa ç’ishte Greqia kur hyri në zgjedhje, por me një ndryshim të madh. Karamanlisi pranoi se kishte fundosur Greqinë dhe iku.

Sali Berisha, në gjithë tragji-komizmin e tij, kërkon që në histori të jetë dhe hero, dhe i gjallë që ta shikojë emrin në pllakën e lavdisë. Në fakt ai është vetëm një i gjallë i çmendur, që kërkon të lidhë dështimin e tij me dështimin e vendit.

Është kjo arsyeja që kur ia përmend Papandreun, është në orën e të vërtetës së tij, pasi po ia dorëzon Shqipërinë siç ia dorëzoi Greqinë Karamanlisi, Papandreut, por për këtë duhet të ulet e të dëgjojë se si duhet shpëtuar.

Dje në sallën e Kuvendit ai nuk duroi dot as dy minuta. Sapo Edi Rama përdori profesionin e tij të vjetër si publicist për t’i ngulur thikën në nerv, duke i përmendur “kokën e ulur”, ai turfulloi dhe doli jashtë duke marrë zvarrë gjithë burrat dhe gratë e grupit parlamentar, të cilët akoma nuk janë mësuar që Sali Berisha është një deputet i thjeshtë, dhe ndoshta më i urryeri në atë grup parlamentar. Shkuan pas tij si delet dhe dolën jashtë. Nuk denjuan as ta dëgjojnë kryeministrin, që sipas tyre gënjeu shqiptarët me premtime si Papandreu.

Arsyeja përse Berisha nuk duroi dot, ishte hyrja kirurgjikale e rivalit të tij tek gjendja në të cilën është Shqipëria. Berisha e do Edi Ramën si Papandreu, por është i tmerruar kur të shfaqet Shqipëria e vërtetë që ka katandisur ai, më keq se Karamanlisi Greqinë. Nuk e duron dot të bien gënjeshtrat e imponuara të tij për një orë në Kuvend. Nuk e duron dot, që Shqipëria sa herë ikën Berisha nga pushteti, ka nevojë të ringrihet. Nuk e duron dot që ai nuk ka më në dorë fatin e këtij vendi dhe atij parlamenti. Si një pirg i lëvizshëm mërish dhe urrejtjesh, ashtu i ngrysur, kokulur, duke folur plot gulçima urrejtje, ai u ngrit dhe doli nga salla për shkak të pafuqisë që ka për të parë se çfarë ka bërë. Doli jo vetëm pse nuk duronte dot Edi Ramën, por nuk duron dot që dhe grupi i tij parlamentar të dëgjojë Lulëzim Bashën dhe të rrijë në sallë. Donte doemos të dukej që ishte ende gjallë dhe me njerëz pas vetes. Donte të mos dëgjonte asnjë fjalë nga ato që i kujtojnë shqiptarëve kush i ka qeverisur.


Programi i Edi Ramës nuk është ndonjë ilaç për të shpëtuar Shqipërinë. As vetë Edi Rama nuk është Mesia që do të na rilindë. Por mund t’ia dalim të jemi një vend normal dhe njerëz normalë. Siç mund të jetë normal një vend ku Sali Berisha nuk është më asgjë! Ai nuk e duroi dot këtë dhe iku duke i marrë zvarrë nga pas. Për ta na treguar se është akoma një gjë. Një dordolec që tremb vetëm harabelat e vet.


Sali Berisha Facebook Faqja Zyrtare



Shënime nga Ditari i Doktorit:


Përgatitjet e fundit për zhvarrime dhe rivarrime!


Zakonisht në mëngjes më zgjon celulari. Rreth orës tetë e gjysmë të mëngjesit çdo ditë fillojnë thirrje. Sot zilja e parë ra në orën dhjetë. Në fakt ishte një mesazh. Sekretarja më kujtonte që kisha takim në drekë me Thaçin. Aty e kuptova që isha akoma në gjumë. Pashë telefonin, asnjë thirrje. Nuk ka mundësi, thashë. Do me jetë prishur aparati. Ndërrova aparat dhe futa kartën tek tjetri, po njësoj. Asnjë thirrje e humbur, asnjë mesazh.

U çudita shumë. Si ka mundësi, thashë, nga 20 telefonata që vinin për gjysmë ore, mos të ketë asnjë thirrje të humbur.

Kur shkova në zyrë, po ashtu ishte qetësi e madhe. Pyeta sekretaren mos më ka kërkuar dikush në telefon, por ajo tundi kokën e trishtuar. Çudi e madhe, si ndryshojnë njerëzit menjëherë. Mendojnë që nuk jam më kryeministër ngaqë bëra dje mbledhjen e fundit. Harrojnë që jam deri të hënën kryeministër.

U ula në zyrë dhe për herë të parë nuk kisha asnjë shkresë për të firmosur. Hapa TV. Po i kaloja me shpejtësi, kur në një TV po shikoja Fevzon. Po fliste dhe ai për jetën e tij. E ndoqa pak. Po thoshte gjëra që s’kisha dëgjuar ndonjë herë. Po fliste për shoqërinë e tij me Ramën qysh në vitet ‘90-të, si kishin luftuar bashkë kundër meje, si kishte përballuar vitin e vështirë ‘97 kundër regjimit Berishës, pastaj si kishte luftuar TV Klan Berishën nga ‘98 deri më 2005, të cilën e cilësoi betejën më të madhe të jetës së tij. U bëra nervoz. E ndryshova kanalin.

Një TV tjetër jepte rivarrimin e Gani Malushit. U gëzova shumë. E meritonte këtë respekt tek Varrezat e Dëshmorëve. Javën tjetër do varrosim aty dhe Azemin. Jo pa qëllim e lashë Azemin këto tetë vite pa e varrosur aty. Desha ta lija për javën e parë që do ikja nga pushteti për të parë si do reagojnë socialistët. Po reaguan, është e qartë, ata e kanë vrarë. Kanë kaq vite që duan të ma lënë mua në kurriz vrasjen. Por tani do të shikoj si reagojnë. Më thoshin vazhdimisht këta të mijtë ta varrosim Azemin tek Varrezat e Dëshmorëve, por nuk u ktheja përgjigje. E kisha të qartë në mendje si duhej bërë. Duhet që të vë në provë këta socialistët a pranojnë t’i shkojnë në varr a jo.

Befas kur po mendoja këto, më erdhi në zyrë Gjergji, që po merret me dorëzimin e zyrave.

-Doktor, ka një shqetësim nga njerëzit tanë, tha. Po më pyesin dhe nuk di çfarë t’u them…

-Përse pyesin, i thashë.

-Më thanë që arkivolin e Azemit duan ta marrin në krah nga PD-ja para kryeministrisë…

-Në asnjë mënyrë, i thashë, se legjitimojmë PD-në e vjetër. Duhet me e marrë nga PD-ja e re, nga SHQUP-i.

-Po ata duan të nisen nga vendi ku është vrarë, tha Gjergji.

-Nuk ka rëndësi ku është vrarë, rëndësi ka godina, i thashë. Të nisen nga SHQUP-i.

-Në rregull, tha Gjergji, po meraku i tyre është se duan ta kalojnë para kryeministrisë. Dhe më thonë ta mbushim me armë brenda apo vetëm trupin?

-Shiko, ai burrë s’mund të varroset pa armë në arkivol. T’ia venë një herë, i thashë.

-E kuptova, tha Gjergji dhe doli i hutuar. Mori dikë në telefon dhe i tha: “Bëjuni gati për datë 12”!

U qetësova. Me këtë njeri merrem vesh shumë lehtë. Nuk ka ndryshuar që nga ‘98. Dhe atëherë më pyeti, më tha ‘Doktor, ku ta çojmë Azemin’ kur mbaroi mitingu. Në varreza, i thashë duke treguar me dorë nga kryeministria. Dhe ashtu bëri.

Pastaj po kontrolloja prapë TV. Prapë rivarrimi. Nuk m’u nda ky simbol. Qysh kur erdha në pushtet më 1992 e nisëm me zhvarrime dhe rivarrime dhe ashtu po e përfundojmë. Telefoni ende nuk kishte rënë asnjë herë. Po kontrolloja Whatsapp. Mbesa më kish shkruar a do ikim këtë javë në Dhërmi? Ç’t’i thosha. Jo, i thashë, se ka gjyshi punë. Po nuk të hoqën ty gjysh akoma, me shkroi. Ç’t’i shkruaja. Jo, i thashë. Më 12 ua tregon gjyshi këtyre. Përpara!














September 2, 2013

PërPara!


Varka PD dhe varkari Luli

PërPara!


*   *   *



Shënime nga Ditari i Doktorit: 

Problemet e Lulit me partinë


Antena - 2 Shtator, 2013

Sot mesazhi i Lulit ishte shumë prekës. E para, ishte shqetësuar që gazetat kishin shkruar se unë nuk do kem zyrë në PD, por tek kulla e Bashkimit. Më kish shkruar një sqarim të gjatë se këto janë shpifje që i përhapin njerëzit e Edi Ramës se duan të krijojnë idenë sikur unë dua të distancohem nga ty. Vazhdonte me disa fjali të gjata dhe vazhdonte të sqaronte se këto janë shpifje. I ktheva një përgjigje të qetësohej. Pastaj e mora në telefon.

-Ishte shumë i ndyrë ai lajmi, më tha. Të betohem që nuk ka rrjedhur nga ne. E gjithë ajo ndërtesë është e jotja, jo vetëm një zyrë.
-Nuk e vë në dyshim, i thashë. Bile nuk jam shqetësuar fare. Kam dhënë porosi që çdo gjë të bëhet sipas rregullave, bile të bëjnë dhe një zyrë për ty. S’ka pse të kemi një zyrë bashkë.

U qetësua në fakt. Pastaj e pyeta çfarë ka ndonjë gjë tjetër.

-S’ka ndonjë gjë, tha. Ky është lajmi më i rëndë që kam lexuar sot. Kjo është shpifje e Edi Ramës. Si mund ta nxjerr unë atë nga goja?
-E mbyllëm këtë bisedë, i thashë, ça ka ndonjë gjë tjetër?

-Po s’ka ndonjë gjë me rëndësi, më tha. Dje ka pasur zgjedhje në komuna, por nuk jam marrë fare me to se më iku truri nga ky lajmi, nuk e duroja dot. Është një diversion i Edi Ramës.

-E besoj plotësisht, i thashë. Po pyet një herë si kanë dalë zgjedhjet.
-Po ç’rëndësi kanë zgjedhjet Doktor. Lajmin më të zi Edi Rama ua dha demokratëve në mëngjes që në selinë e PD-së nuk do ketë zyrë për ty. Asnjë lajm nuk mund të jetë më i zi se ky.

-Ore, atij ja rregulloj unë, i thashë, se ulem bëj unë lajm për të tani e bëj leckë. Se ç’ka ndodhur që the ti? Kanë dashtë me bë mbledhje në Durrës. I kanë thënë Gjushit na gjej hotel. Gjushi i ka thënë nuk u gjej hotel se nuk më ke pyetur për qeverinë. Atëherë Piktori është nxehur dhe i ka thënë nuk iki dot në Shkodër se ka zgjedhje dhe dihet që i humbasim se nuk pyes për hotelin tënd. Dhe ka plasë sherri.

Luli sikur u qetësua dhe u kënaq nga projekti im për deklaratën.

-Tani mos u mërzit, i thashë, po pyet një herë si kanë dalë zgjedhjet se po e kemi fitu Shkodrën, kam me e zbu nga Shkodra.

Më mori pas pesë minutash përsëri.

-Doktor, tha, nuk kam kë të pyes në Shkodër, s’kam asnjë numër telefoni.

-Po pyet Jozefinën, i thashë.

-Nuk ia kam as asaj numrin, tha, por dhe më vjen zor t’i bëj telefon.
-Mirë, i thashë, se ta dërgoj numrin e kryetarit të partisë. Ia dërgova.
Më mori prapë në telefon.

-Doktor, nuk ma hap telefonin, tha. I dërgova sms, i thashë jam Lulëzim Basha dhe më ktheu përgjigj: ‘Lulëzimi nans tane!’. Nuk beson që jam unë.

Atëherë i nisa unë një sms kryetarit të Shkodrës duke i thënë ‘nëse vjen sms nga ky nr. telefoni, është Lulëzimi’.

Më mori në telefon dhe më tha se i paska ardhë një sms e tillë, po ai s’e ka besuar. Më kërkoi falje dhe më premtoi se do lidhej me të.

Pas pak më mori prapë Luli. M’u duk i gëzuar.

-Kam një lajm të mirë, tha, dhe një lajm të keq.

-Ma thuj të keqin në fillim, i thashë.

-Në Shkodër kena humb 75 me 25 përqind, tha. S’e kena ditë që këta shkodranët qenkan socialistë të thekun.

-E lajmi i mirë kush është sipas teje, i thashë.

-Më ka ardhë sms nga kryetari i Shkodrës. Më thotë kam respekt për ty.


Të shpartalluar!



Nga Mero Baze

Partia Demokratike ka humbur zgjedhjet e pjesshme në dy komuna, zhvilluar ditën e diel, me një rezultat të frikshëm që tejkalon shumë rezultatin e 23 qershorit. Në komunën Rrethinat në Shkodër, një zonë tradicionalisht bastion i PD, dhe në Dardhas në Korçë, rezultati ka qenë në kufijtë e 70 me 30 përqind.

Nuk do t’ia vlente të komentoje rezultatin e dy zgjedhjeve të pjesshme po të mos ishte kaq i thellë dhe kaq i ndryshëm nga 23 qershori.
Duke qenë se ky është rezultati i parë i zgjedhjeve më kryetar Lulëzim Bashën, arsyeja për të parë se ç’po ndodh me Partinë Demokratike bëhet dhe më e fortë.

Nëse ka një fjalë përmbledhëse  se ç’po ndodh me partinë më të madhe të opozitës në këto momente, mund të thuhet thjesht se është shpartalluar. Sali Berisha, i cili për të larguar vëmendjen nga humbja e tij e thellë, tentoi t’i bënte terapi partisë duke shpikur një garë fallco brenda saj dhe duke emëruar një kukull të tij në krye të saj, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka demotivuar tërësisht partinë. Tallja e tij me zgjedhjet brenda partisë, dhunimi i rregullave të lojës, përfshirja e tij për të zhdukur të drejtën e votës së fshehtë dhe qëndrimet përjashtuese të mbajtura pas kritikave për zgjedhjet, kanë bërë që tashmë vetë anëtarët e Partisë Demokratike të mos besojnë së pari tek partia e tyre. Rezultati kaq i thellë në dy komuna, të cilat kanë qenë të PD-së dhe një prej tyre dikur dhe bastion i saj, tregon qartë se Lulëzim Basha ia ka arritur ta bëjë Partinë Demokratike inekzistente dhe ka dekurajuar çdo qelizë të saj. Rezultati ngjan qartazi që është një përpjekje për mbijetesë e vetë kandidatëve për të marrë afërsisht një të katërtën e votave të kundërshtarit dhe tregon praktikisht se Partia Demokratike është në gjendje kome.

Kjo gjendje është shpjegimi më i mirë përse përpjekja e një lideri për të mbajtur me çdo çmim nën kontroll pushtetin brenda partisë, nuk funksionon dhe është vdekjeprurëse për atë parti. Sali Berisha, në përpjekje për të shmangur ikjen e tij nga politika dhe çlirimin e Partisë Demokratike nga trashëgimia e tij, sajoi një farsë banale ndryshimi, duke i bindur të gjithë që jo vetëm që nuk iku, por dhe as ka ndërmend të ikë. Kështu, jo vetëm nuk e ka marrë seriozisht askush Lulëzim Bashën, por janë realisht të nervozuar përse ky plak i rrjedhur u ngatërrohet ende nëpër këmbë me deklarata të përditshme haluçinante dhe me përpjekjen për të diktuar debatin politik brenda PD-së me një nivel ordiner politik. Duke e mbajtur atë parti nën trysninë e dhunës së pushtetit të tij të brendshëm dhe strukturave gjysmë-paramilitare në oborret e PD-së, Berisha po ia del ta viktimizojë atë parti deri në përdhunim, duke e kthyer në një trup pa jetë dhe pa vlerë.

Zgjedhjet treguan se partia ka pushuar së funksionuari dhe me këtë ritëm ajo mund të dalë nga skena politike. Fakti që trashëgimia e Sali Berishës, dhe vetë ai, duan të diktojnë me çdo kusht të ardhmen e saj, dhe përpjekja për të shpallur armiq çdokënd që kërkon minimalisht zgjedhje të lira brenda partisë së tyre, ka prodhuar dukshëm disfatizëm dhe shpartallim të strukturave të partisë.

Lulëzim Basha, i cili më shumë harxhon kohë për ndonjë leje pallati me Kunatin dhe ndonjë allishverish me tokën tek PD-ja dhe SHQUP-i, tani ka rastin të shikojë se çdo të thotë të ndeshet me gënjeshtrën që beson vetë, me faktin që e kanë caktuar kryetar të opozitës. Perceptimi real i popullit opozitar për të është ai i rezultatit të zgjedhjeve të së dielës. Nuk e besojnë as të vetët!


Nuk pres të dalë të bëjë autokritikë për humbjen dhe as të tregojë përralla për manipulime, por pres të ulet e ta mendojë seriozisht se çfarë roli të shëmtuar ka marrë përsipër në tragjikomedinë e opozitës që e pret përpara, ku figurat më të rëndësishme po dalin Mediu dhe Nard Ndoka, dhe shpresa për të ardhmen mbetet ndonjë përçarje e së majtës. Ky njeri që e quan veten tashmë lider të opozitës, ka hyrë në këtë betejë pa asnjë aset, por vetëm me faktin që di t’i buzëqeshë Berishës dhe Familjes,  në atë mënyrë sa dhe ata të binden se ky është një kulish i rrahur që s’ka për t’i kafshuar kurrë!










August 30, 2013

Hajduti i Salistanit


Kariera


Zotit Lulzim Basha

*   *   *



Cili kah politik 

përfaqëson mentalitet vandalësh?!


Nga Altin Ketro

Në një postim të vetin në rrjetin social Facebook, zv.ministri i Jashtëm i Shqipërisë shkruan: “Per rilindasit fillon viti 0000… premtojne do anullojne Planin Rregullues se Tiranes….!!! Ky eshte mentalitet vandalesh. Nese shkojme per inerci i bie qe ne te anullojme planin socialist pas 4 vjetesh???? E kunderta e zhvillimit. Dhe ata qe paguajne jane shqiptaret!!!! Mentalitet vandal …”

Po, a e ka vërtet Rama dhe qeveria e tij mentalitetin e vandalit?! Cilët kanë qenë ata që vandalizuan veprat publike sapo hipën në fronin e pushtetit, duke shpërdoruar këtë të fundit? Për këtë po jap veç dy shembuj që gjithkush, jo vetëm në Tiranë, i njeh shumë mirë.

Qysh në nisje të mandatit të parë qeverisës të PD-së (2006), një nga vandalizmat e saj ishte prishja e nënkalimit te rrethrrotullimi i Zogut të Zi në Tiranë. Ky akt u shkaktoi rreth 2 milionë euro dëm taksapaguesve të kryeqytetit. Promotorë të këtij vandalizmi qenë Berisha dhe ministri i tij i Transporteve Lulzim Basha.

Po në këtë linjë, është anulimi dhe prishja e Planit rregullues për qendrën e Tiranës (i cili kish kohë që po zbatohej dhe ishte pranë finalizimit), menjëherë pasi Basha mori postin e kryebashkiakut dhe e tjetërsoi sheshin e metropolit shqiptar duke i dhënë formën e linesit. Dëmi financiar në këtë rast ishte 4 milionë euro.

Si në rastin e parë, ashtu dhe në të dytin, kemi të bëjmë jo vetëm me vandalizëm (shkatërrim të një objekti të miratuar), por edhe shkaktim dëmi, pasi punimet në të dyja rastet kanë qenë të nisura dhe subjektet e kontraktuara janë paguar për çdo situacion punimi.

Në të dyja rastet vandalizmi ka një emër, Lulzim Basha, ish ministër me disa portofole në qeveritë Berisha, aktualisht kryetar statutor i PD-së, kryetar i opozitës së re dhe kryetar i kryeqytetit të Shqipërisë.

Kështu, përpara se zoti zv.ministër të flasë për të kundërtën e modelit të zhvillimit, për pará që i paguajnë shqiptarët dhe për mentalitet vandalësh, të shohë njëherë nga bahçja e partisë së tij, bile në kupolën drejtuese të saj, se do gjejë individë që u shkojnë përshtat epitetet dhe përcaktorët që vë.

Tani, le të kthehemi paksa tek anulimi i Planit rregullues të Tiranës, i bërë nga Lulzim Basha dhe i miratuar nga Sali Berisha.

Këtë çështje, së fundmi, e ka ngritur dhe bërë publike arkitekti Artan Shkreli. Duke mos qenë i fushës dhe as në dijeni të detajeve, do sugjeroja që përpara se Plani të anulohet, të vihet në dijeni opinioni publik i Tiranës se çfarë të metash dhe defektesh ai bart. Kjo duhet të bëhet pasi të mandatohet qeveria e re, e cila të ketë në dorë të gjithë dosjen e këtij plani, hapat që janë ndjekur deri në miratimin e tij dhe gjithçka që ka të bëjë me përmbajtjen.

Qeveria e re dhe posaçërisht KRTRRSH-ja nuk duhet të ndjekin shembujt berishist të hedhjes poshtë të çdo gjëje që ka bërë paraardhësi.

Plani të shikohet dhe të analizohet se në cilat pika ai prek atë hapësirë të gjelbër e publike që thotë edhe zoti Shkreli.

Nëse ky plan nuk është i dëmshëm në tërësinë e tij, atëherë të anulohet pjesërisht. Por, nëse ai ka një frymë që shkon përtej interesit qytetar dhe është i ndërtuar në formë të tillë që t’i shërbejë një grushti shumë të vogël sipërmarrësish që janë të lidhur ngushtësisht me mazhorancën në ikje apo me atë që drejton aktualisht Tiranën, atëherë të anulohet i gjithi e t’i bëhet me dije qytetarëve se si kemi shpëtuar nga një e keqe që i ofrohej kryeqytetit shqiptar.

Çdo hap që do hidhet nga qeveria e re në evidentimin e shkeljeve ligjore që kanë të bëjnë me palën që po lë pushtetin, duhet bërë me shumë transparencë, pa pasione dhe e faktuar në çdo detaj. Vetëm kështu nuk i lë shkas kundërshtarit që ta konsiderojë këtë si një hakmarrje politike e deri mentalitet vandalësh. Njëkohësisht, shpalos tek qytetarët që e kanë votëbesuar atë ndjenjë përgjegjësie se mandati që i kanë dhënë do u shërbejë atyre dhe jo kthimit në të kaluarën që po lëmë pas, me konflikte për shkak të përfaqësimit politik.

P.S. Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, vandal do të thotë: “Ai që prish e shkatërron në mënyrë barbare monumentet e artit e të kulturës dhe çdo gjë tjetër me vlerë; njeri i egër e barbar, shkatërrimtar i pamëshirshëm.”



                                                               *   *   *

August 29, 2013

Agron Llakaj:

Do ta imitoj Berishën sa kohë të rrijë në politikë

Flet Agron Llakaj, 
aktori dhe moderatori i “Al Pazar”

Llakaj: Do ta imitoj Berishën sa kohë të rrijë në politikë.
“Isha kundër kandidimit të Ramës si kryebashkiak në vitin 2011, i thashë: Lufto për Champions, jo për UEFA”

E kanë nisur të parët ciklin e humorit “Al Pazar”, për ta mbyllur të fundit. Plot 22 javë shfaqje pa ndërprerje në televizionin “Vizion Plus”, që janë moderuar nga aktori i njohur, Agron Llakaj.  
Ishin shfaqje të parashikuara për 1 orë e 45 minuta, por që gjithnjë i kalonin 2 orë transmetim për shkak të bilancit pozitiv te publiku. Pas ciklit njëvjeçar të “Al Pazar”, Agron Llakaj duket i kënaqur me impaktin e show-t, por jo edhe aq kur bëhet fjalë për financat. Merakun e ka te trupa e aktorëve që bashkëpunon duke i vlerësuar profesionalisht, ndërsa për veten e kalon bisedën me të qeshura. 


Gazetari - Një vit me “Al Pazar”, si do ta cilësonit këtë show humoristik?

A. Llakaj - Çdokush që realizon një produksion, nuk e bën dot vetë analizën, por përgjigjja merret duke parë reagimin te njerëzit.

Gazetari - Çfarë reagimi keni parë ju te njerëzit?

A. Llakaj  - Na kanë dashur më shumë nga shfaqja në shfaqje. Ishte një fluturim fillestar i bukur, që u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjithçka erdhi në proces rritjeje, duke mësuar nga java në javë, në sinkron me suksesin. E them jo pa krenari që numri i teleshikuesve që ndjekin “Al Pazar” është i konsiderueshëm. Është bërë një show satirik tepër familjar, por që kuptohet, nuk është kjo sfida jonë. Jemi të kënaqur me startin, por po përgatitemi për të vijuar edhe më fuqishëm e më me cilësi. 

Gazetari - Çfarë do t’ju duhej më shumë për të rritur cilësinë?

A.Llakaj - Ky format është i ndërtuar mes gazetarisë satirike dhe show-t humoristik, kryesisht merret me problemet sociale-ekonomike-politike. Kështu, do të duhej shtimi i gazetarëve, rritja e cilësisë së aparaturave, pika e grafikës, pika e montazhit etj. Normalisht, edhe të shtohej trupa e humorit me aktorë të tjerë.
  
Gazetari - Do të jenë të njëjtët aktorë sezonin e ardhshëm?

A.Llakaj - Aktorët kryesorë bazë patjetër që do jenë të njëjtët, ndërsa për të tjerët do të shihet nga mundësia financiare dhe koha në dispozicion. Do të doja të kisha dhjetë aktorë dhe dhjetë gazetarë.

Gazetari - Sa kohë keni pasur në dispozicion për “Al Pazar” në ekranin e “Vizion plus”?

A.Llakaj - Diku te një orë e një çerek, por ne asnjëherë nuk kemi qenë më pak se dy orë në ekran. 

Gazetari - Kujt ia keni “vjedhur” këtë 45 minutësh shtesë?

A.Llakaj - Programacionit, patjetër. Kemi vjedhur vetëm kohën dhe jo lekët (qesh). Ka qenë sakrificë e fillimit për të gjithë trupën e humorit “Al Pazar”, pasi në fakt meritojnë të trajtohen shumë më mirë financiarisht, edhe pse nuk kanë qenë mundësitë fillestare. Dhe ai 45 minutëshi shtesë që kemi luajtur nuk është paguar, por kjo është mirëkuptuar nga trupa e humorit, duke qenë se ishim në fillimet tona.

Gazetari - Kujt i përket “Al Pazar”, Agron Llakajt, televizionit ku shfaqet, aktorëve apo kujt tjetër?

A.Llakaj - “Al Pazar” nuk është vetëm i Agron Llakajt, por të gjithë e kemi “Al Pazar”-in. Çdo javë, për ne ishte si java e fundit e sezonit. Kemi dhënë gjithnjë maksimumin. Edhe në historinë e medias vizive shqiptare, ne jemi të parët që kemi shfaqur 22 javë pa ndërprerje. Kemi filluar në shkurt dhe mbaruam në qershor. Të tjerët nisën pas nesh dhe përfunduan para nesh.  

Gazetari - Cili ka qenë “investimi” më i madh moral nëpërmjet humorit, drejt publikut? 

A.Llakaj - Ne investuam te njerëzit, për të kuptuar që politika nuk mund të jetë plan i parë i një familjeje. Ndërgjegjja e çdo qytetari, çdo kryefamiljari duhet të jetë xhepi i tij. Sa para fut ai në shtëpi, a kanë mundësi që fëmijët të ushqehen, të vishen, të shkollohen. Kjo është partia e tij. Familja është politika e tij. Duhet të vijë filozofia që partia të jetë si një ekip futbolli, që je tifoz me atë, të pëlqen, por nëse nuk është pjesë e interesit tënd, nuk ke pse e sheh me dashamirësi. Duhet të shikosh efektin që jep ajo në përgjithësi për shoqërinë, pra ngritjen e nivelit ekonomik, kulturor. Më ka mbetur thikë në zemër, kur një gazetarja jonë intervistoi dikë dhe ai i tha: Jemi  vetë i katërt të papunë dhe rroftë PD-ja. Thelbi këtu është “mallkim”, që të kemi një nivel të tillë qytetarie. Po marr një shembull: Në Zvicër vendos qeveria për një investim x, por nëse komuniteti nuk të jep viston – nuk ndërton dot. Ndërsa këtu në Shqipëri është papërgjegjshmëri totale. Ngrihesh në mëngjes dhe dikush të ka zënë pamjen me pallat, dikush tjetër të sjell oxhakun e fast food-it apo restorantit te dritarja jote etj. Njerëz, më shumë se kurrë ndërgjegjësohuni!

Gazetari - Kuptoheni lehtë që e ndiqni shumë politikën. E ndiqni ngaqë ju duhet për gjetje personazhesh humori apo sepse e keni pasion?

A.Llakaj - Nuk jam thjesht Agroni artist, por jam edhe Agroni qytetar. Nuk dua që njerëzit t’i bëj për të qeshur thjesht duke u servirur materiale humoristike, të natyrës duke tundur njëherë pantallonat… Humori politik unë e di mirë çfarë thele është dhe e kam lëvruar në mënyrën më të suksesshme; në kuptimin e plotë dhe të vërtetë të fjalës, që nuk kam bërë dhe nuk bëj kompromise. Dua që publiku, përveç humorit, të marrë edhe një lloj morali.

Gazetari - Në mars keni deklaruar se do të kishte rotacion politik. Shprehët thjesht një dëshirë tuajën, ishte për humor apo e kishit parashikim?

A.Llakaj - Unë e ndieja se do të kishte rotacion politik.
Gazetari - Si e ndjetë?

A.Llakaj - Sepse, pas 8 vitesh qeverisjeje, Partia Demokratike duhet të lëvizte nga pushteti. Duhet të bëhej e ndërgjegjshme për këtë. 

Gazetari - Një parti duhet të lëvizë nga pushteti, edhe nëse qeveris mirë? 

A.Llakaj - Le të jetë një qeveri e mirë, por lind nevoja për njerëz ndryshe. Nëse PD-ja do të dilte me njerëz të rinj në fushatë, të ofronin alternativë tjetër etj., atëherë dakord. Por nuk mund të vazhdohej me të njëjtat xhaketa. Mua më pëlqen shumë morali amerikan i pushteteve, që një president në Amerikë nuk ushtron më shumë se dy mandate. Edhe politika shqiptare, sa më shpesh të ndryshojë, aq më e mirë do të bëhet. Kemi 25 vjet që shohim të njëjtat fytyra, ngado që rrotullohemi. Mjaft më!

Gazetari - Të njëjtat fytyra në politikë janë edhe tek e majta, apo jo?

A.Llakaj - Absolutisht që nuk kam kundërshtim, e njëjta gjë vlen edhe për të majtën. Në rastin që po flasim, Edi Rama nuk ka qenë ndonjëherë në qeveri. Është i ri në pushtet.

Gazetari - Por ka qenë në krye të Bashkisë…

A.Llakaj - Po. Por unë jam një nga ata persona që kam qenë kundër kandidimit të Edi Ramës si kandidat për kryetar Bashkie i Tiranës në vitin 2011. Kam qenë kategorikisht kundër dhe i kam thënë diçka krejt sportive: Lufto për Champions – për Kryeministrinë, mos luaj për UEFA – Bashkinë. 

Gazetari - Meqë ju doli parashikimi për rotacionin e 23 qershorit, po për garën brenda PD-së kë patë si kryetar: Bashën apo Olldashin?


A.Llakaj - Gjithçka ishte një farsë dhe Basha u përcaktua qëkur Berisha nisi ta merrte për fushatë parlamentare nëpër rrethe. Ç’donte ai si kryetar Bashkie i Tiranës të bënte fushatë në rrethe të tjera? E mori për të treguar se Basha është lideri i së ardhmes. Mua m’u duk një lojë e gjithë gara Basha-Olldashi. Që në momentin që Berisha dha dorëheqjen nga PD-ja, misioni i tij ishte i mbaruar dhe jo të riorganizonte ai garën.

Gazetari - Apo të rrinte Berisha vetë si kryetar partie, pavarësisht humbjes së zgjedhjeve?

A.Llakaj - Kam mendimin se Berisha nuk do të largohet kollaj nga PD-ja. Ai do të rrijë aty me mënyrën e vet. Sepse ka një gjë: Nëse ke një dhimbje në trup dhe shkon te mjeku, puna e parë që thotë mjeku është që të bësh analizat dhe nuk të përcakton menjëherë  diagnozën. Pasi merr fletën, thotë: Në bazë të analizave, ti ke këtë sëmundje. Ndërsa Berisha nuk bëri analizat, por vuri menjëherë diagnozën. Ndryshimet duhet të ishin thelbësore dhe jo aparenciale. 

Gazetari - Keni ndonjë emër tjetër nga PD-ja që ju e shihni të denjë për kryetar të PD-së?

A.Llakaj - Nuk kam ndonjë emër nga PD-ja, me gjithë respektin që mund të kem për ndonjë, askush nuk mund t’i vijë rrotull Sali Berishës. Sali Berisha ndërtoi një pushtet me emrin e vet dhe e ka thënë bukur Dash Shehi: Është Berisha i pari, janë 50 vende bosh, pastaj vijnë të tjerët. Duhet kuptuar: Në pemën që ka rritur Berisha në PD, nuk ka lënë kokrra të tjera të bien që të mund të bëhen “Sali Berishë”.

Gazetari - E keni imituar ndër vite Sali Berishën. Si do ta cilësonit marrëdhënien me këtë figurë: Miq apo armiq?

A.Llakaj - Asnjëherë nuk u bëmë miq me Berishën, por kurrë nuk u bëmë armiq.

Gazetari - Ju ka kërcënuar ndonjëherë për imitimin?

A.Llakaj - Personalisht Berisha nuk më ka kërcënuar ndonjëherë, ndërsa ka pasur fansa të tij që më kanë kërcënuar. Por vite më parë, diku para 20 vitesh. Me kalimin e kohës, edhe njerëzit e kanë kuptuar që me këdo që është në qeveri, Agroni do të mbajë qëndrim opozitar. Për shembull, unë kam miqësi me Ramën dhe ai duhet ta dijë se, sapo të jetë në krye të qeverisë, do të ketë përballë një Agron-opozitar, një artist-opozitar. Unë nuk mund të bëhem pjesë e qeverisjes, sepse unë e kam emrin “popull”.  

Gazetari - A do ta imitoni sërish Berishën tani që ka dhënë dorëheqjen?

A.Llakaj - Që në momentin që ai do konsumojë politikë, do të jetë pjesë e personazheve të mi.

Gazetari - Sa karaktere specifike keni imituar deri më sot?

A.Llakaj - Kam karaktere specifike rreth 37 personazhe të njohur nga politika, arti etj. D.m.th. janë figura që mbahen mend. 

Gazetari - Cili prej tyre ju ka dhënë më shumë popullaritet?

A.Llakaj - Personazhi që më ka dhënë më shumë popullaritet, patjetër që ka qenë Sali Berisha. Kjo edhe për shkak të tipit dhe karakterit që ai ka. Është një njeri që për 22 vjet, me forcën dhe karakterin e tij ka sunduar politikën shqiptare. Ka pasur kryesisht beteja që i ka fituar, me mënyrën e vet. Nuk ka rëndësi se si e qysh ka ndodhur. Për mua ka qenë politikani më i tonifikuar në këto dy dekadat e fundit. 

Gazetari - Po për Ilir Metën, çfarë do të thonit?

A.Llakaj - Për mua tregon se është një politikan shumë sportiv, shumë trim e cilësoj këtë dhe nuk tërhiqet. Në gjithë këto vite në politikë, vetëm 4 vite ka qenë në opozitë, vetëm në 2005-2009. Pastaj ka ditur që të rikuperohet fuqishëm. Duhet thënë edhe kjo: Rezultati pas zgjedhjeve të 23 qershorit vërtet ka qenë fryt i punës së LSI-së, por përfitoi deputetë edhe nga koalicioni me PS-në. Bëri lëvizje të bukur me bashkimin me PS-në. Meta është politikan që asnjëherë nuk duhet nënvlerësuar. Tip i thjeshtë, i komunikueshëm dhe bën diferencë.

Gazetari - Për të bërë diferencë në politikë, ky ishte edhe qëllimi i Kreshnik Spahiut…

A.Llakaj - Që të jem i sinqertë nuk është se kam ndonjë simpati për karakterin dhe personazhin e Spahiut. E kam cilësuar që në fillim një tollumbace që do të plaste në mënyrën më të shëmtuar, ashtu siç plasi. Ai ndërtoi një shtëpi pa themele. Spahiu u nisi me atë patriotizmin dhe nacionalizmin e madh, duke i vënë partisë një emër të bukur “Aleanca Kuq e Zi”, por që shpërtheu si flluskë sapuni. U zhgënjeva që kur e pashë Spahiun në atë lëvizje nacionaliste.


*   *   *

Një Shkëlzen

dhe për Edi Ramën!



Nga Mero Baze


Edi Rama ka bërë një sforcim të panevojshëm për të na mbushur mendjen se do ketë në qendër të vëmendjes Kosovën. Ka emëruar një publicist nga Kosova si këshilltar të tij për rajonin. Për shumë shqiptarë që nuk e njohin, quhet Shkëlzen Maliqi. Ata që e kanë parë në Tv duke prezantuar sondazhe, mendojnë se quhet Gani Bobi. I ndjeri Gani ka vdekur në vitet 90-të dhe ka qenë një filozof dinjitoz i Kosovës dhe pedagog në Universitetin e Prishtinës. Druaj se nuk do ishte kurrë mik me Shkëlzenin po të ishte gjallë. Në këtë pikë Edi Rama ja ka bërë një nder Shkëlzen Maliqit. I riktheu emrin. Shumë shqiptarë e dinin se quhej Gani Bobi! Po ashtu, dhe Gani Bobin e ka çliruar nga pesha e fajit për shkak të imazhit që i kanë dhënë me dallaveret e fushatave elektorale në Shqipëri.

Por, përtej kësaj ndjesie acaruese që ngjall kjo histori, Shkëlzen Maliqi nuk është një intelektual i madh dhe as një intelektual i pavarur, siç thotë Edi Rama në justifikimin e panevojshëm të emërimit të tij. Mbi të gjitha, Edi Rama nuk e ka të nevojshme të marrë këshilltar intelektualë të mëdhenj dhe të pavarur, se po të ishin të tillë, kam frik se nuk  do te shkonin të këshillonin Edi Ramën. Edi Rama ka nevojë për njerëz normalë, ekspertë, teknikë, apo dhe njohës të rajonit nga Shqipëria, që ka me shumicë. Biles disa dhe më socialistë se Rama. Intelektualët e mëdhenj apo të pavarur nuk është nevoja t’i kesh në staf. Ata janë pasuri e shoqërisë dhe mund të mësosh prej tyre dhe në distancë.

Shkëlzen Maliqi është një publicist i Kosovës, njeri i lexuar, që di të shkruajë, por që kurrë nuk di të bëjë histori me punën e vet. Nuk i them dot intelektual kosovar, pasi sa herë shoqëria e Kosovës ka pasur nevojë për mendimin dhe guximin intelektual, ky nuk është shfaqur askund. Ka qenë jugosllavi i fundit jo vetëm i Kosovës, por gjithë Jugosllavisë dhe u angazhuar si intelektual vetëm për shpëtimin e saj në kohën e reformatorit Ante Markoviç. Nuk i ka bërë ndonjë dëm Kosovës me jugosllavizmin e tij, por i ka bërë nder vetes duke krijuar një profil të moderuar dhe duke qenë pjesë e një shpure të sponsorizuar për të shmangur përplasjen shqiptaro- serbe në Kosovë. Ka një edukim të mirë arsimor, pasi është shkolluar në Beograd, ndërkohë që babai i tij ka qenë një nga drejtuesit e policisë serbe në Kosovë në kohën e lulëzimit të autonomisë së Kosovës. Kjo e bën shumë viskoz në të folmen në shqip dhe akoma më të sofistikuar në të shkruarën shqip.

Kontributet e tij publicistike në gazetarinë e Kosovës janë produkte momenti dhe ka shumë pak gjëra që mund t’i ngelen kohës.

Nuk është kurrsesi as i pavarur. Nuk di çi është tekur Ramës ta quajë të tillë, por vet Shkëlzeni bën shumë kujdes të jetë gjithmonë me dikë. Angazhimet e tij të pacipa duke shitur fytyrën në TV Klan për sondazhe që ja diktonte nga pas perdes Sandri me Kastriot Islamin, janë shembuj që ndajnë intelektualët dhe karakteret e pavarura nga njerëzit që shërbejnë për lekë. Në këtë pikë nuk duam avokat, se akoma nuk na ka ikur shija e keqe e asaj çfarë kemi parë më 2009 dhe 2011 në Tiranë.

Pa u zgjatur, dua të them se nuk ka arsye të debatojmë për diçka që nuk vlen. Të vetmin superioritet qe mund të ketë Shkëlzeni në raport me plot intelektualë të Kosovës apo Shqipërisë, është se njeh mirë serbishten  dhe Serbinë. Por, sot ka plot serbë mendjehapur që flasin mirë anglisht dhe nuk besoj se Rama ka nevojë për një përkthyes me Tadiçin apo Jeremiçin.
Por, nuk do t’ia vlente ta diskutonim lajmin për Shkëlzen Maliqin, sikur ai të mos zbulonte një pikë të fortë inferioriteti që Edi Rama ka në raport me Kosovën. I pavëmendshëm dhe ndonjëherë dhe rastësor, ai duhet të ulet një ditë, të mbyllë sytë, të shkundet dhe të mendojë se çfarë e lidh me Kosovën. Si një intelektual mendjehapur, artist dhe njeri që ka qejf protagonizmin, ai duhet të gjejë fillimisht “racën” e vet në Kosovë. Dhe e ka pas gjetur vite më parë, kur ai ishte idhull në Prishtinë. Rinia atje e donte për atë që bënte në Tiranë, jo për atë që mund të bëjë për Kosovën. Ai ishte popullor aty tek pjesa urbane e Kosovës, tek të rinjtë e shkolluar, tek ata që kishin nevojë të kishin një model heroi për protagonizëm dhe luftë personale. I futur më pas në llogaritë e karrierës politike për kryeministër, ai është bërë shpesh qesharak në Kosovë. Herë u afrohet atyre si mik i ngushtë i luftëtarëve, herë u shfaqet si një vlerësues i madh i jugosllavologëve, dhe herë- herë dhe si nacionalist që mendon dhe për Preshevën. Është një shtirje e panevojshme që nuk e ha njeri në Kosovë. Biles për këtë mund të humbasë dhe ata që e duan. Kosova e do Edi Ramën për atë çfarë ai mund të bëjë për Shqipërinë dhe modelin e personalitetit që mund të rrezatojë. Lidhjet e tij të shkurtra me Kosovën, pa dashur të përmend emra miqsh të tij dhe të mijtë, vetëm e dëmtojnë. Ai duhet të respektojë qeverinë legjitime të Kosovës, të mos bëhet palë në problemet e tyre të brendshme, të mos inkurajojë fenomene të shëmtuara si vjedhja e votave apo kufizimi i lirive, që mund te jenë vepra të qeverive, dhe të mos dëmtohet mbi të gjitha nga biografitë e miqve që shpall në Kosovë. Edi Rama është kryeministri i Shqipërisë dhe ai është dhe duhet të jetë miku i gjithë shqiptarëve të Kosovës. Atij i duhet një këshilltar të jetë i kujdesëshëm mos të lëndojë Kosovën me lidhjet e tij të shkurtra dhe jo një këshilltar për të cilin ky duhet të paguajë nga kredibiliteti i vet. Dhe, mbi të gjitha mendoj se nuk i duhet fare një këshilltar nga Kosova.

Unë e çmoj Shkëlzen Maliqin për aq sa vlen dhe nuk përtoj ta lexoj sa here që shkruan, siç bëj me plot emra publicistësh nga Kosova. Por, nuk ndjehem as i sigurt, as i nderuar dhe as i qetë, që kryeministri i vendit tim e shpall edhe këshilltar për rajonin, edhe intelektual të madh, edhe të pavarur. Kosova nuk ka nevojë të ketë një përfaqësues të saj në Tiranë pranë kryeminsitrit,  sic kishte në kohën e Milosheviçit në Beograd. Kosova ka në Tiranë kryeministrin e Shqipërisë. Të tjerët janë thjesht Shkëlzenër. Dhe mezi shpëtuam nga një emër i tillë!