December 26, 2013

Kryeministri Edi Rama Top Story

Top Story - Pjesa e Parë -

Nëse Saliu fitonte më 23 qershor, 
me borxhet që kishte do shkaktonte prap një 1997

imazhe shqip

Viti 2013 është viti që solli në krye të vendit një qeveri të re, pas tetë vitesh qeverisje të së djathtës.

Kabineti Rama është mandatuar me një program ambicioz dhe premtimin që do të transformojë jetën e shqiptarëve.

Qeveria e re mbushi 100 ditët e para të saj në detyrë në 22 Dhjetor dhe për të bërë një bilanc të këtyre ditëve, të të gjithë vitit, por edhe atë që na pret në të ardhmen e afërt, në serinë e fundit të “Top-Story” për 2013-n mbërriti kryeministri i vendit, zoti Edi Rama.

Sokol Balla: Zoti Rama ju e keni quajtur buxhetin 2014 buxhet që të ndalë rrënimin, megjithatë duket që, sic e the edhe vetë, që fatura në fakt është shumë e lartë dhe kjo ju ka detyruar që jo vetëm të thërrisni FMN, por të paktën thuhet që marrëveshja ka kushte të rënda dhe kërkesa të forta që mund të shkojnë deri në rritjen e moshës së pensioni. Mund të na thoni dicka më tepër rreth kësaj marrëveshje?

Edi Rama: Marrëveshja nuk ka kushte të rënda për qytetarët. Marrëveshja ka kushte të rënda për qeverinë, në kuptimin që përkundër një marrëveshje, që nuk është detyruese për ulje rrogash, ulje pensionesh apo ndërprerje investimesh deri sa të balancohet borxhin i shtëpisë, por është një marrëveshje që përkundër kërkesave tona që të lehtësojmë njerëzit e zakonshëm, që jetojnë me punën e tyre të ndershme falë një rroge, të lehtësojmë rrugën e njerëzve që duan punë dhe të hapim vende të reja pune që duan investime, duhet të marrim përsipër një sërë reformash të rëndësishme strukturore për t’i dhënë fund një historie humbjesh, sic janë humbjet që shkaktohen cdo vit në sistemin elektroenergjitik. Ne s’mund të vazhdojmë më kështu. Të gjithë duhet ta kuptojnë që ne nuk mund të vazhdojmë kështu, duke vjedhur energjinë, duke mos paguar energjinë, duke filluar nga qeveria, nga institucionet shtetërore, tek bizneset, tek familjet që janë në punë dhe deri tek ata që janë në nevojë për të cilët do ta subvencionojmë ne 10 përqind të faturës. Është shumë e rëndësishme po ashtu të kuptohet që nuk mund të vazhdohet kështu me shpërdorimin e ujit. Jemi vendi i dytë më i pasur në Europë me burime ujore dhe jemi i vetmi vend për faqe të zezë që nuk arrijmë do të japim ujë për të pirë gjithë fëmijëve, gjithë familjeve dhe nuk vadisim një pjesë të konsiderueshme të tokave të bukës sepse i gjithë sistemi i ujit është i amortizuar dhe në sistemin tonë të ujit vidhet. Pra kërkohen reforma që nuk janë të dhimbshme për qytetarin e zakonshëm, por janë të dhimbshme për koorporatat në kuptimin e kastave, klientelave, klaneve që janë krijuar që nga niveli më i lartë politik tek niveli i fshatit i komunës për të përfituar duke qenë anëtarë bordesh, anëtarë rrjetesh, duke hequr lekë këtej, hequr lekë andej duke fshehur fatura e kështu me radhë. Kërkohet reformë e thellë në të ardhurat. Duhet të garantojmë që informaliteti që është shumë i lartë, numri i atyre që nuk paguajnë taksa, që u fshihen taksave është shumë i lartë, sic është i lartë numri i atyre që nuk paguajnë faturat e energjisë. Edhe këtu kërkohet reformë. Duhet të bëjmë një reformë të thellë. Kërkohet edhe një reformë e pensioneve sepse skema aktuale nuk e ka jetën e gjatë dhe do të vijë dita që ky shtet, s’flitet as për 4-5 vite, por do të vijë dita që gjeneratat e tjera e pensionistëve nuk do të marrin dot pensione. Këtu kjo do diskutim. Në parim ne e kemi pranuar dhe do ta bëjmë një reformë pensionesh, por jo një reformë të shpejtë dhe të thellë në shpejtësi për të goditur ata që sot janë pensionistët më të moshuar dhe nuk kemi se cfarë kemi t’u kërkojmë më, mirë se nuk kemi cfarë t’u japim dot, por t’u kërkojmë sakrifica në këtë drejtim, të prekim pensionin e tyre, ne këtë nuk e kemi pranuar. Por…

Sokol Balla: E vetmja gjë është se duhet të mendoni për pensionin e  brezit tonë, ajo që thoni ju…

Edi Rama: Jo, kur vjen fjala që të shoh ty këtu përballë mendoj që ti e meriton të rrish në punë deri 80 vjeç. Problemi është që të marrim masa që në afat 10-15 vjecar të ndryshojmë të gjithë skemën në mënyrë që skema të funksionojë. Përndryshe, jeto sot, po punë e madhe se ç’bëhet nesër, një gjeneratë e tërë do të ngelet pa pension. Kjo është situata.

Sokol Balla: E meriton vërtet, pavarësisht se e mora si kompliment…

Edi Rama: Kompliment po të punosh që ç’ke me të. Të të jap unë pension ty.

Sokol Balla: Gjithë problemi është që ata që kanë rroga të larta paguajnë tatime të larta, por ama dihet që në fund të fundit ofrohet një nivel tavan pensioni, pavarësisht kontributeve që t’i jep dhe kjo normalisht që duhet të ndryshojë. Në rregull ne duhet të kontribuojmë edhe për atë pjesë të shoqërisë që nuk ka mundësi…



imazhe shqip
Edi Rama: Kjo është pjesë e ndryshimit të skemës që kushdo që dëshiron të kontribuojë për të patur një pension më të lartë, mund ta bëjë këtë gjë. Por ne flasim se ne nuk jemi të shqetësuar se cfarë pensioni do ketë Sokol Balla, për të qenë të sinqertë. Problemi është që ne shqetësohemi për masën e madhe të pensionisteve që nuk mund të përfitojnë nga skema e kontributeve alternative private dhe duhet të garantohen. Përfytyroni që në raportin mes vendeve të zhvilluara dhe nesh, është një raport i pamundur kontributesh dhe personave që përfitojnë nga kontributet. Në rast se 8 vetë kontribuojnë për 1 person, për 1 pension, një raport mesatar, një njeri për një pension kjo nuk mban. Është e pamundur, duhet të ndryshojmë skemë.

Sokol Balla: Zoti Rama opozita ka paraqitur 30 amendamente mbi buxhetin, bazuar, sic thotë ajo, në premtimet tuaja elektorale. Një lëvizje, që padyshim ka edhe cinizmin brenda, por që tenton të vërë në provë nëse ju keni premtuar në fushatë, apo seriozisht që do të bëni ato që keni premtuar. Do të merrni parasysh ndonjë prej këtyre amendamenteve?

Edi Rama: Ne nuk marrim parasysh asnjë amendament provokativ, aq më tepër të një opozite që ka mbetur peng e një plaku që i ka sosur kandili i arsyes. Shqiptarët e bënë të tyren dhe e larguan opozitën e sotme nga qeveria dhe e cuan shqiptarët në pension gjyshin që s’kishte më se cfarë t’u jepte shqiptarëve, përvec përrallave dhe s’kishte më asgjë më të mirë përvec borxheve ku i zhyti shqiptarët. Edhe ne nga ana jonë e bëmë tonën, edhe PD nga ana e saj duhet të bëjë të veten. Nuk është fat i mirë, por ndodh kur plaku i shtëpisë rrjedh, por ama familja e përgjegjshme e mban në shtëpi, kujdeset për të brenda shtëpisë, i krijon kushte, nuk ka asgjë jonatyrale, por ama nuk e lë të dalë cdo mëngjes të tërbojë të gjithë lagjen. Kështu që ata duhet ta bëjnë të tyren dhe amendamentet që burojnë nga shkuarja pas marrëzisë së plakut të shtëpisë së tyre, ne s’kemi ca të pranojmë. Ne do t’i mbajmë zotimet tona në 4 vjet dhe të kërkosh një qeverie që në 100 ditë të mbajë të gjitha zotimet, do të thotë të pretendosh se zgjedhjet do të bëhen cdo 100 ditë.

Sokol Balla: Meqë iu referuat ish-kryetarit të familjes së PD-së…

Edi Rama: Ai nuk është ish-kryetari, ai është kryetari i familjes dhe…

Sokol Balla: Ai është kryetari i familjes sepse unë e shikoj për një person që nuk e di, si ai ushtari japonez në ishujt në Luftën e Dytë Botërore, që nuk e di se zgjedhjet kanë mbaruar dhe është ndërruar pushteti, kur shikon në parlament mendon që Sali Berisha është ende Kryeministër i Shqipërisë. A mendoni që trajtimi i privilegjuar që ju po i bëni ish-kryeministrit, ju dhe zoti Meta, është deri diku i tepruar, i panevojshëm?

Edi Rama: Përfytyrojeni veten në kafen e lagjes tuaj, janë të gjithë aty duke pirë kafe, vjen plaku në fjalë, fillon bërtet, ulet, cohet, ulet, kap banakun. Juve edhe po të ishit nuk do thonit nxirreni jashtë.

Sokol Balla: Po as pronari i lokalit nuk duhej t’i jepte raki.

Edi Rama: Pronari i lokalit do merrte në telefon ata të shtëpisë dhe do t’u thoshte mos e lini të dalë jashtë këtë se na tërboi, na la pa punë. Kështu është pozita jonë me thënë të drejtën dhe i takon vërtet PD që të sillet si familje e përgjegjshme, ta lënë në krye të vendit tek SHQUP-i, t’i japin një batanije, lidhjen në internet ja garantojmë falas ne. Të rrijë në Facebook, por mos dalë dhe të marrë për orë të tëra debatin e parlamentit me broçkulla, dhe aq më tepër pastaj i kanë ikur të gjitha frenat e gojës dhe çfarë nuk thotë.

Sokol Balla:  T’i kthehemi të tashmes, le ta lëmë të shkuarën…

Edi Rama: Është e tashmja kjo për fat të keq. Është e tashmja e një partie që vazhdon jeton me të shkuarën. Por dakort jam që ne t’i kthehemi të tashmes dhe ta lëmë të shkuarën, dakort jam.

Sokol Balla: Në dy foto, në njërën foto tuajën elektorale, tjetra është fotoja juaj në 100 ditë Kryeministër. Sigurisht, ka një spekulim, por në këtë kontrast të fotografive, t’i përgjigjeshit pyetjes, a keni identifikuar ndonjë premtim të programit elektoral që nuk e mbani dot?

Edi Rama: Jo, nuk kam identifikuar asnjë premtim që nuk e mbajmë dot.

Sokol Balla: A keni identifikuar ndonjë premtim që nuk e mbani dot brenda një mandati?

Edi Rama: Jo.

Sokol Balla: Kur do të kenë shqiptarët mundësinë të kurohen falas në spitale, sic keni premtuar?

Edi Rama: Është një proces që ka filluar për të ngritur një sistem. Këtu bëhet fjalë për të ndryshuar një sistem me një tjetër. Fatkeqësisht, 20 e kusur vjet, gati cerek shekulli ne nuk arritëm dot të ndryshojmë një sistem shëndetësor të ndërtuar mbi parimet dhe normat e komunizmit, me një sistem i cili të mund të funksionojë për të gjithë në mënyrë normale, pa qenë një vend komunist. Nuk e bën do të këtë gjë. Ndërkohë që ne duam që të ndërtojmë një sistem demokratik i cili të ngrihet mbi parimin që pavarësisht ke apo s’ke lek, kur vjen puna për shërbimin shëndetësor, ti do ta marrësh atë njësoj sic e merr tjetri, pavarësisht nëse ke apo s’ke lekë. Pra një shërbim shëndetësor universal. Që vitin e ardhshëm dhe kjo falë atij 10 lekëshi të taksës së rritur të naftës, ne do mund të garantojmë vizita falas për 800 mijë njerëz, nga 40 deri në 60 vjec dhe do të mund të garantojmë ekzaminimet gjatë shtatzënisë dhe vizita për kancerin e gjirit për 30 mijë gra dhe vajza, që janë një grup që deri më sot nuk kanë bërë dot asnjë ekzaminim gjatë shtatzënisë sepse s’paguajnë dot. Pra të gjitha këto do të bëhen falas dhe do të vazhdojmë me një reformë që ka disa hapa përpara se të arrijmë tek ofrimi i kujdesit shëndetësor për të gjithë dhe pa futur duart në xhep duke dhënë lekë mjekut.

Sokol Balla: Në fakt keni dhënë edhe premtimin për legalizimet falas. I qëndroni apo jeni tërhequr?

Edi Rama: Këta na thonë pse nuk e mbajtët premtimin për legalizimin falas, 100 ditë janë bërë të dielën që shkoi. Tani si mundet këta? Me cfarë kurajoje, përvec kurajos që të jep fakti që ke rrjedhur, asnjë mekanizëm logjik dhe asnjë arsye që funksionon nuk ta jep këtë kurajo, dhe aq më tepër këta, që premtuan legalizime jo falas, por me para dhe që në 8 vjet kanë marrë 300 mijë vetëdeklarime nga qytetarët, kanë bërë matjet fizike vetëm për 140 mijë deklarime, pra 160 mijë të tjera zëre se nuk ekzistojnë, dhe nga 140 mijë u kanë marrë paratë 70 mijë familjeve dhe nga këto 70 mijë këta kanë begenisur të përgjigjen vetëm për 22 mijë prej tyre. Me cfarë kurajoje këta na kërkojnë llogari ne?

Sokol Balla: Zoti Rama, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte i vetmi që deklaroi rritjen pagash për sektorin përgjegjës, pra për policinë dhe është bërë shumë mirë, por përse vetëm për policinë?

Edi Rama: Rritja është më e larta në historinë e policisë. Nuk është për një sektor. Rritja e pagave për policinë është investim për të gjithë, për të gjithë vajzat dhe djemtë që shkojnë në shkollë, në universitet, për të gjitha familjet që thonë aman, siguri dhe qetësi dhe pastaj të tjerat, për bizneseve që janë nën trysninë e horrave dhe rrugacëve që ju vënë gjoba, për investitorët duhet të ndjehen të qetë dhe të pakërcënuar. Është një investim për sigurinë e përbashkët publike. Ndaj këtu ne bëmë një debat shumë të fortë, të qartë dhe këmbëngulës me FMN dhe i thamë që jo vetëm nuk do prekim asnjë rrogë dhe pension, por përkundrazi, pensionet do t’i rrisim gjatë vitit të ardhshëm, por do të rrisim në mënyrë shumë drastike në 20-25 përqind. Dhe praktikisht ne kishim marrë një zotim për policinë. Në fushatë kemi thënë që brenda vitit të ardhshëm, rroga e inspektorit, e drejtorit, policit e të tjerë do të bëhet kaq. Nuk kemi rritur vetëm pagat e drejtuesve të lartë, por kemi rritur në mënyrë drastike pagat e policëve që janë në rrugë. Kemi policinë me arsimin më të ulët në botë. 75 përqind nuk e kanë shkollën e lartë. Kjo është një shifër që s’e ka asnjë vend i botës, Europa nuk diskutohet. Kemi policinë me moshën më të lartë në Europë për shkak të pagave.

Sokol Balla: Në buxhetin dhe paketën fiskale të qeverisë tuaj, në vitin 2014 njerëzit do të kenë më shumë apo më pak para?

Edi Rama: Nëse do të kishin më pak, për cfarë na zgjodhën ne më 23 qershor. Sigurisht që do të kenë më shumë dhe do kenë më shumë para reale, ato në xhep, jo si ato të Saliut që thoshte ju rrita rrogën. Këtej rriste rrogën dhe këtej pesëfishonte cmimet. Kuptohet ajo që po bëjmë ne është me hapa. Nuk pretendoj t’i them askujt që shiko se vitin tjetër do jeni të gjithë të lumtur, por pretendoj që të siguroj të gjithë ata që sot jetojnë me një rrogë dhe që kërkojnë një punë, që vitin tjetër do të fillojnë të marrin frymë lirisht.

Sokol Balla: Si e gjykoni që vlerësimin e njësisë inteligjente të “The Economist” në Londër bëri për Shqipërinë si një vend ku potencialisht 2014 mund të ketë trazira sociale?

Edi Rama: Të dhënat, njësia në fjalë nuk është profeti. Ka thënë shumë gjëra, disa kanë dalë, shumë nuk kanë dalë. Të dhënat që lexohen sot janë përgatitur shumë kohë përpara dhe po ju them që nëse ky popull më 23 qershor nuk do kishte dhënë 1 milion duar për të ndalur rrënimin, sot shtëpia jonë do ishte në prag të flakëve, njësoj si në ’96 për shkak të një piramide tjetër, piramida e Saliut, dora vetë. Si? Ashtu sic ju thashë, borxhe, borxhe borxhe dhe një ditë të bukur shteti do të gjendej në pamundësi për të larë këto borxhe dhe pamundësinë që dikusht të dilte të thoshte që ua marr unë përsipër këto borxhe dhe pastaj do vinte FMN dhe në kushte krize të thellë dhe do të detyrohej qeveria e radhës të ulte rrogat, pensionet dhe vendi të futej në një qerthull shumë të rrëzikshëm. Kjo nuk ndodhi falë shqiptarëve dhe votës më 23 qershor dhe pak merita jonë që kemi arritur të negociojmë dhe që morëm FMN me një marrëveshje ku qeveria merr mbi supe reforma strukturore, që asnjë qeveri nuk e ka bërë më parë.

Sokol Balla: Nuk na thatë konkretisht për cfarë shume parash bëhet fjalë nga FMN?

Edi Rama: Bordi i FMN do të mblidhet. Unë nuk dëshiroj të flas për shuma specifike, por kemi marrë edhe me fjalët e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, një nga marrëveshjet më të mira që një qeveri ka marrë nga FMN ndonjëherë edhe bazuar në natyrën e programeve dhe marrëdhënieve që FMN ndërton me qeveritë e vendeve të ndryshme.

Sokol Balla: Në fund të pjesës ekonomike, që është e rëndësishme për qytetarët…

Edi Rama: Sa për të dhënë një shembull, se nuk dua të krijohet ideja sikur po fsheh ndonjë gjë, kur kemi nisur bisedimet jemi nisur me një ide paraprake për të marrë 150-100 milion euro. Sot kemi mbi 300 mln euro nga FMN plus me një rishikim të programit të Bankës Botërore, presim një shumë të konsiderueshme edhe nga kjo, dhe ajo që është më e rëndësishmja, vitin e ardhshëm në disa forma, qoftë me investime direkte, qoftë të shlyerjes së borxheve , qoftë në formën e disa investimeve të tjera nëpërmjet Fondit të Zhvillimit Rajonal, ne do të injektojmë në ekonomi, 1.1 miliard dollarë.

Sokol Balla: Kur diskutuat me grupin parlamentar për buxhetin, deklaruat se e keqja më e madhe kaloi dhe buxheti është kthesa, por ama që një kthesë e tillë të ndodhë në pak muaj, në kohë kur ne ekonominë e kemi të rrënuar, duke ditur që ekonomi shumë më të zhvilluara si e jona duan vite, psh në SHBA, ndoshta këtë vit ka një rritje solide ekonomia dhe punësimi… c’ka ndodhur në këto 100 ditë? Ose ju keni qenë një qeveri supermenësh, ose në fakt ekonomia nuk ka qenë kaq e rrënuar?

Edi Rama: Mos krahasoni ekonominë tonë me Shtetet e Bashkuara. Ajo që quhet krizë në SHBA këtu tek ne është grip, dhe ajo që quhet krizë këtu tek ne, në SHBA është kancer. Në rast se për një grip SHBA u duhet kohë sepse ndikon në shumë aspekte të ekonomisë, për një kancer mjaftojnë politikat e duhura dhe mjafton vendosmëria dhe Shqipëria rikuperon në pak kohë. Por këtu nuk bëhet fjalë për një lumturi ekonomike vitin e ardhshëm, por fillimin e një rimëkëmbje ekonomike. Kush deri dje ka patur arsye për të qenë pesimist, sot duhet të jetë optimist sepse më e keqja ka kaluar dhe cdo ditë ekonomia do të nisë të marrë frymë dhe do ta ndjejnë vetë njerëzit, kur të marrin rrogën, kur të mbyllin bilancet e dyqanit, do ta ndjejnë edhe sipërmarrësit që do paguajnë më shumë për shtetin, por jo dyfish për pushtetin. Të gjitha këto do të ndryshojnë, do ta ndjejnë investitorët, patjetër, sepse do kuptojnë që këtu ka ndryshuar dicka shumë e rëndësishme. Ka një ndryshim shumë të madh, deri dje kishim një qeveri që merrte borxhe në emër të njerëzve dhe qeveriste vetëm për vete, sot kemi një qeveri që qeveris për njerëzit dhe që shlyen borxhet që kanë marrë të tjerë para nesh.

Intervista KM Edi Rama në Top Story - Pjesa e Dytë Vijon në Linkun:
http://imazheshqip.blogspot.com/2013/12/km-edi-rama.html


imazhe shqip

*   *   *




December 22, 2013

Njeriu i Rrugës…


Mbi tavolina është shtruar projektbuxheti i vitit të ardhshëm. Praktikë normale në jetën e çdo parlamenti, e cila, edhe këtë vit, megjithëse e vonuar për shkaqe që dihen, tani është kryefjala e diskutimeve të grupeve parlamentare. Mbi bazën e këtij projekti do të ecë viti 2014 dhe do të ketë një premisë për të ardhmen. Siç duket, do të ketë një rritje modeste, nëse nuk kthehet zakoni i vjetër i PD-së për të rishikuar buxhetet në gjysmën e rrugës.

<img src="sali berisha, grusht shteti.jpeg" alt="Sali Berisha dhe Grushti i shtetit 14 shtator 1998" />
imazhe shqip 

Buxheti tani do të ketë edhe një rojtar: FMN-në. Kjo është edhe e reja e këtij projektbuxheti, i cili vjen këtë vit pas mungesës së gjatë, ose më saktë, pas dëbimit të dhunshëm nga qeveria që shkoi. Pra, do të jetë prania e një institucioni të rëndësishëm, i cili aq sa do të jetë financues, do të jetë edhe gardian. E tani për tani nuk dihet nëse do të jetë më shumë gardian apo financues. Në fund të fundit, çdo shtet që ecën me marrjemendje dhe marrjekëmbësh ka nevojë për një mbështetës dhe për një rojtar.

Pikërisht në këtë kohë, kur gjërat janë ende në tryezën e diskutimeve, kur është marrë vetëm një “po”, dhe kjo nga institucionet ndërkombëtare, pas lëshimeve të mallkimeve dhe linçimit politik , më në fund, Berisha kthehet në origjinën e tij: bën thirrje për përmbysje dhe për të protestuar nëpër rrugët e Shqipërisë. Ata që kanë menduar se duke u plakur , Ai ka ndërruar huq, tashmë ndjehet se është rishtas përballë të njëjtit. Njeriu i rrugës kërkon që edhe në rrugë të vendosë për gjithçka, edhe për ekonominë, edhe për politikën, edhe për pushtetin.

Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në thirrjen për protesta të Berishës, por të gjitha mund të përmblidhen nën një çati të vetme: ai po kërkon një çadër për breshrin e djeshëm, pikërisht për atë breshër që vetë ai hodhi mbi fatet e njerëzve dhe të vendit.

Duhet të jesh naiv të mos dish se gjendja ekonomike e sotme, por edhe e nesërme, ka një shkaktar, qeverinë e drejtuar nga Berisha. Ai e di më mirë se të gjithë humnerën që ka krijuar, dhe e di po ashtu, se në këtë fazë, edhe sikur të ndodhë një mrekulli ekonomike, ajo përsëri do kohën e saj. Sepse humnera është e llahtarshme. Vetëm të mendosh se një pjesë e madhe e buxhetit do të shkojë për mbylljen e borxheve ndaj biznesit duhet të vësh kujën, pa menduar pastaj për përqindjet e larta ndaj borxheve të tjera, të cilat, edhe sot, ende nuk dihet se sa janë dhe se ku janë.

Atëherë përse bën thirrje ai për protesta dhe për përmbysje, me çdo kusht e me çdo mjet?

Së pari, përmes protestave, të cilat ai e di mirë se nuk do e çojnë kurrë në një përmbysje të pushtetit, ai kërkon të fshehë masakrën financiare që ka ndodhur në vitet e fundit. Fajin për këtë masakër e mbart ai vetë dhe Bode, qehajai i tij politik e ekonomik, dhe duke protestuar, mendimi i parë i Berishës është të transferojë fajin, ashtu si kanë transferuar milionat e eurove të afërmit e tij familjarë e politikë.

 imazhe shqip

Së dyti, në politikën shqiptare po jepen qartë precedentët e parë të ndëshkimit. Është hartuar një dosje akuze për Imamin dhe për shumë të tjerë të një shkalle më të ulët, e kjo nuk do të thotë se kjo do të jetë e gjitha. Qoftë edhe për të gjetur fajtorët e vërtetë të masakrës financiare, qeveria e re do t’i shkojë punëve deri në fund. Frika e Berishës është se ky kërkim do t’i çojë drejt tij. Nuk besoj se ka në Shqipëri një njeri të arsyeshëm, i cili, edhe kur është thellësisht berishist, në vetëdijen e tij , të mos e dijë se milionat e eurove që kanë rendur drejt TV Klan dhe Frangajt, të mos jenë bërë me urdhrin e Berishës. Kush do të guxonte të bënte një veprim milionësh pa e ditur dhe pa urdhëruar shefi i tyre. Përmes nxirjes së politikës dhe dehjes së turmës me frikën dhe ankthin e së nesërmes ai po përpiqet të fshijë të djeshmen.

Së treti, në perëndim po shtohen gjithnjë e më shumë zërat se Shqipëria nuk mund të integrohet në bashkësinë evropiane për sa kohë manipuluesit,vjedhësit, matrapazët, vrasësit, plaçkitësit, shefat e korruptimit të jenë të lirë. Nën të gjitha këto kërkesa ai e gjen veten; pra e gjen veten edhe tek manipuluesit, edhe tek vjedhësit, edhe tek matrapazët, edhe tek vrasësit, edhe tek plaçkitësit. Droja e tij është se, me sinjalet që ka marrë nga miqtë e tij, sidomos në Austri, ku edhe ka bërë lëshimet më të mëdha, ai është njeriu më i rrezikuar, dhe, nëse në vitin 1997 perëndimi nuk do të donte një procedim të tij, edhe për shkaqe të qetësisë politike në vend, kësaj here është e kundërta; ata e duan këtë proçedim, pikërisht për shkak të qetësisë. Berisha do të mbjellë paqetësinë politike, edhe për t’u fshehur pas rrëmujës, por edhe për t’i thënë perëndimorëve se vetëm ai është i aftë të bëjë qetësinë dhe paqetësinë, ndaj duhej një akord i përbashkët vetëm me të.

Së katërti, taksat e reja , që mendohet të vendosen për biznesin e madh , nuk janë se e tronditin Berishën. Ai i ka mbyllur hesapet me to, ai kërkon vetëm të ndezë frikën e tyre; përmes ankthit të pagesës, e cila “de facto” do të jetë më e ulët se ajo që kanë bërë në kohën e Berishës (sepse pagesat nën dorë ishin më të mëdha se pagesat reale); por edhe të bëjë këtë biznes të mendojë se ai edhe një herë mund të vijë në pushtet. Dhe kur ai mendon se biznesi i madh do të fillojë të paguajë, njëra ndër pyetjet që e trazon më së shumti është: po fëmijët e mi, të pasuruar tmerrësisht, me vila të stërmëdha, me pasuri marramendëse çfarë do të paguajnë?

Protestat do të ndodhin. Edhe më parë, jo shumë larg, kam paralajmëruar se Berisha po përpiqet dhe po përgatitet një grusht të ri shteti. Ky është fillimi i skenarit të tij.


Si do të vazhdojë?

Berisha nuk do të mund të zgërlaqet edhe më tej pas fajit të vet, që është më i madh se ai i vitit 1997, kur piramidat shembën një botë të tërë financiare, që ishte e rremë, por që kishte një themel djerse. Kësaj here ai do të vërë në lëvizje gjithë arsenalin e tij, për të bërë të mundur që gjejë një çadër për breshrin e djeshëm financiar që hodhi mbi fatet e njerëzve.

Pas protestës së tij të ditës së shtune, apo të çfarëdo dite tjetër, do të vijë dita pasardhëse: Nëse qeveria e re do të trembet nga këto protesta, atëherë le të shkojë; nëse qeveria e re do i gjejë protestat si një alibi për të falur masakrën ekonomike dhe bartësit e saj, atëherë ajo nuk e meriton të qeverisë.

Por nuk duhet të trembet. Thonë se binaja e madhe në të shembur e ka rrezikun. Por asnjë bina nuk mund të shembet dy herë. Berisha u shemb me 23 qershor; ai nuk duhet pasur frikë, sepse si çdo bina e vjetër, kockat po i kërcasin dhe frika e ka bërë pjesë të saj.

Të mos ketë frikë, kjo do të ishte këshilla e një njeriu që e do vendin e tij./Dita

imazhe shqip


*   *   *





Kryebashiaku i Kamzës, Xhelal Mziu

mund të akuzohet 
edhe për manipulim zgjedhjesh

imazhe shqip

Kryebashiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, mund të akuzohet edhe për manipulim zgjedhjesh.

Kjo, pasi gjatë një kontrolli në banesën e tij, uniformat blu të policisë kanë gjetur një vulë të KZAZ-së 27, e cila është në Kamzë.
Bëhet fjalë për një KZAZ ku PD ka fituar me 7 mijë vota diferencë.

Mësohet se vula i përket qendrës së votimit në shkollën “Ibrahim Rugova” në Kamzë.

Burime të policisë thanë se vula është gjetur gjatë kontrollit për ndonjë material të dyshimtë në lidhje me hetimet që kanë nisur ndaj Mziut për favorizime në tendera.

Mziu u arrestua ditën e djeshme për shkelje të barazisë në tendera.
Aktualisht është duke u hetuar edhe bashkëshortja e tij, e cila shiste bizhuteri të vjedhura./TemA

imazhe shqip


*   *   * 





Kush është Xhelal Mziu

<img src="xhelal mziu.jpeg" alt="Xhelal mziu, kryetari bashkise kamez" />
imazhe shqip


Tenderat e rrugëve, 
arrestohet kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu

Arrestohet për korrupsion kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Agjentët e Zyrës Kundër Krimit Ekonomik i kanë vënë prangat rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme pranë Presidencës në Tiranë, duke dalë nga lokali pastiçeri dhe menjëherë kanë shkuar në drejtim të Kamzës, ku dhe ka banesën. Gjatë përpjekjes për ushtrim kontrolli në banesë, forcat e policisë kanë hasur në kundërshtimin e fortë të bashkëshortes së bashkiakut, Vjollca Mziu, e cila po ashtu është ndaluar dhe më pas lënë për hetim në gjendje të lirë, ndërsa dyshohet edhe për tregtim floriri kontrabandë në argjendarinë e saj, po në këtë qytezë. Mziu akuzohet për shkelje të barazisë së tenderëve në lidhje me tenderin fiktiv të rrugës Valias i Ri-Varrezat e Laknasit, me vlerë 80 milionë lekë, që i është hequr pa të drejtë kompanisë “Gjoka Konstruksion” dhe i është dhënë në muajin prill, para zgjedhjeve dhe për efekt fushate, firmës “Everest”, teksa kjo e fundit dyshohet se nuk është e specializuar për ndërtime rrugësh. Gjykata e Tiranës aprovoi masën e arrestit me burg për kryebashkiakun, e kërkuar nga Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës. Mbrëmjen e djeshme, Mziu është akomoduar në qelitë VIP të drejtorisë së Policisë Tiranë. Po për këtë skandal është shpallur në kërkim edhe drejtori juridik, Atli Hoti.


Arrestimi i Mziut

Hetimet ndaj kryebashkiakut kryheshin prej dy muajsh nga Prokuroria e Tiranës. Denoncimi ishte depozituar nga vetë administratori i firmës “Gjoka Konstruksion” gjatë verës, pasi konstatoi se rruga po ndërtohej nga një firmë tjetër, por tenderin e kishte fituar ai. Ditën e djeshme, Task-Forca kërkoi në Gjykatën e Tiranës arrestimin e Xhelal Mziut dhe Hatli Hotit, drejtorit Juridik, si dy përgjegjësit për ndryshimin e destinacionit prokurues. Rreth orës 15:00 masa e sigurisë ka përfunduar dhe prokuroria i kërkoi Zyrës së Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Tiranës, kryerjen e arrestimit. Dy patrulla dhe agjentët lokalizuan Mziun pranë Presidencës, ku po pinte kafe rastësisht. Sapo ka dalë i është komunikuar arrestimi dhe është njohur me urdhrin e gjykatës. Mziu nuk ka kundërshtuar. Është futur në makinë dhe janë nisur drejt Kamzës. Një tjetër patrullë është vënë në kërkim të Hatli Hotit. Në banesë janë kryer kontrolle për të zbuluar dokumentacione që i shërbenin hetimeve dhe sende të dyshimta. Gjatë këtij momenti ka ndodhur kundërshtimi me forcë nga bashkëshortja e kryebashkiakut. Kontrolle të shumta po kryhen edhe në Bashkinë e Kamzës për sekuestro dokumentacionesh.


Hetimet e Prokurorisë

Prokuroria njoftoi mbrëmë duke konfirmuar faktin se hetimet i ka kryer ky institucion mbi bazën e denoncimit. Akuza e ngritur është “shpërdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë në tenderë”. “Nga hetimi, prokuroria ka arritur në konkluzionin se dy shtetasit kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së prokurimit publik për ndërtimin e rrugës “Valias i Ri-Varrezat Laknas”, thanë burime zyrtare. Në fillim të vitit zhvillohet tenderi për ndërtimin e kësaj rruge dhe autoriteti kontraktor ishte Bashkia e Kamzës, e cila ka shpallur fitues shoqërinë “Gjoka Konstruksion”. Por Mziu nuk ka pranuar të nënshkruajnë kontratën me këtë shoqëri brenda afatit ligjor 30 ditë, pa dhënë arsye zyrtare. Ka dyshime se kjo zvarritje bëhej për çështje korruptive, por do të jetë procesi i mëtejshëm dhe dëshmia në gjyq e biznesmenit denoncues që do e zbardhë këtë fakt.


Mziu ia dha një tjetër firme

Në përfundim të këtij afati, autoriteti kontraktor Bashkia Kamëz, e ka skualifikuar shoqërinë “Gjoka” me arsyen se nuk ishte paraqitur për nënshkrimin e kontratës. Por shoqëria fituese ka bërë të gjitha përpjekjet në rrugë zyrtare për nënshkrim, ndërsa është refuzuar nëpërmjet formave të ndryshme nga ana e titullarëve të bashkisë. Pas kësaj pronari i firmës “Gjoka” ka mësuar se tenderi i është dhënë firmës “Everest” që kishte nisur punimet ndërkohë. Kjo ka ndodhur në muajin prill, ndërsa tenderi kishte vlerën 80 milionë lekë. Atëherë biznesmeni ka nisur verifikimet në terren dhe ka konstatuar se kjo firmë po kryente punime në segmentin Valias i Ri-Laknas. “në këto kushte firma “Gjoka” ka dorëzuar kallëzimin penal tre muaj më parë, nga hetimi i të cilit, prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme se Xhelal Mziu dhe Atli Hoti, kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, konfirmoi prokuroria.


Kush është Xhelal Mziu

Nga mandatet si bashkiak, 
tek politika, ‘shamikuqja’, daullja dhe plagjiatura

Xhelal Mziu është zgjedhur për herë të parë kryetar i Bashkisë së Kamzës në 18 shkurt të vitit 2007, ndërsa në vitin 2011 ka fituar mandatin e dytë nga Partia Demokratike, detyrë që vazhdon ta mbajë. Ai ka qenë disa herë në qendër të opinionit publik për mënyrën se si drejtonte institucionin, akuzat nga punonjësit, por edhe përfshirjen në jetën politike. Një punonjëse e institucionit, që kryebashkiaku e thërriste “Shamikuqja”, e denoncoi në fillim të vitit 2011 se Mziu e ngacmonte seksualisht me mesazhe telefonike dhe më pas e përzuri nga puna. Skandali dhe mesazhet u publikuan në media, por nuk u krye asnjë hetim nga organet ligjzbatuese. Më pas ai rifitoi mandatin e dytë, ndërsa njihet edhe për vendosjen e emrave të rrugëve si “Berluskoni”, “Xhorxh Bush”, “Italia”, “Manhatan”, “Berisha” dhe të tjera si këto. Së fundmi janë botuar nga DITA edhe fotot e Xhelalit si daullexhi, apo lajmi se fitoi doktoraturën, por rezultoi plagjiaturë.


Kontroll dhe argjendarisë: 
Gruaja e Mziut sulmon policët gjatë aksionit, hetohet në gjendje të lirë

Bashkëshortja e kryebashkiakut të Kamzës sulmon policinë gjatë aksionit për kontroll banese. Pas ndalimit në qendër të Tiranës, efektivët kanë zbarkuar në Kamëz për kontroll banese sipas procedurave ligjore. Bashkë me ta ka qenë edhe i arrestuari, por kur ka parë uniformat blu që e kanë njohur me mandatin e kontrollit të banesës dhe se Xhelal Mziu ishte i prangosur, Vjollca Mziu është irrituar dhe ka kundërshtuar këto veprime. Ajo është përpjekur të ndalojë policët që të ushtronin kontrollin dhe kërkoi lirimin e bashkëshortit. Pasi nuk i është përgjigjur thirrjeve për të ndaluar, ndaj saj është marrë masa e shoqërimit në Komisariatin nr. 5 në Kamëz dhe më pas është lënë për hetim në gjendje të lirë. Gjithashtu po ushtrohet kontroll në argjendarinë në pronësi të Vjollca Mziut pasi ka informacione se tregton flori kontrabandë, që e mbledh nga grabitësit e dyqaneve të tjera apo të kalimtarëve në rrugë. Por procedimi penal për këtë rast do komunikohet pasi të zbulohet se është kryer një shkelje e tillë në verifikim të të gjitha faturave.


Lulzim Basha: 
Po monitorojmë procesin ndaj Xhelal Mziut

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, komentoi sot arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Basha tha në mesditë për mediat se PD po monitoron procesin ndaj Mziut.

“Ne kërkojmë që procesi të jetë transparent dhe sipas ligjit, duke iu kujtuar se sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vendit Xhelal Mziu është i pafajshëm për sa kohë një gjykatë e vendit nuk ka provuar të kundërtën”, tha Basha.

Kreu i PD u shpreh më tej se ka besim te drejtësia dhe mbështet çdo hetim të cilitdo person.


Taulant Balla:  
“U arrestua top-modeli, akademiku i partisë së Berishës”

Pas arrestimit të kryebashkiakut Xhelal Mziu, ka reaguar deputeti socialist Taulant Balla, ndër të vetmit politikanë që dha një deklaratë nëpërmjet rrjetit social Facebook. Balla ka publikuar një pamje nga ekranet që njoftonin arrestimin e Mziut dhe shkruan: “Arrestohet top-modeli i partisë së Sali Berishës, kryetari i Bashkisë së Kamzës, “akademiku” Xhelal Mziu. Çunat e PD-së me vrap tek Saliu: Çohu Sali, se po na kapin një nga një”, shkruan Balla. Mziu konsiderohej si krahu i fortë i PD-së në Kamzë.


Procedurat/ Qeveria shkarkon Mziun, Kamza drejt zgjedhjeve të reja

Sipas ligjeve në fuqi, në momentin që një i zgjedhur vendor akuzohet penalisht dhe merret i pandehur apo arrestohet me masë sigurie “arrest në burg” në të treja shkallët dhe me formë të prerë, është Këshilli i Ministrave që në mbledhje të radhës miraton shkarkimin nga funksionet. Pasi Qeveria shkarkon Xhelal Mziun, shpall njëkohësisht edhe zgjedhjet e reja për Bashkinë e Kamzës. Kjo qytezë njihet si një bastion i fortë i Partisë Demokratike ndër vite. Kjo procedurë është ndjekur me shumë njësi të tjera vendore në qeverisjen e Berishës. E njëjta gjë ndodh edhe kur i zgjedhuri vendor ndërron jetë, apo jep dorëheqjen për arsye të ndryshme. Zgjedhjet e fundit të parakohshme vendore ishin ato në bashkinë e Korçës, pasi kryetari Niko Peleshi u mandatua Zëvendëskryeministër. /gazeta TemA  &  gazeta Dita

imazhe shqip


*   *   *



Aleksander Frangaj:



Ja si gllabëronte tenderat e reklamave

Zbulohet skema e përvetësimit të rreth 3.1 milionë dollarëve nga buxheti i Policisë së Shtetit nëpërmjet spoteve publicitare “Shqipëria pa Viza” për kompaninë “Promo” të Frangajt. Skema është thuajse e njëjtë me rastin e përfitimit të rreth 1.2 milionë eurove me spotet publicitare të Ministrisë së Mbrojtjes, të përfituara nga e njëjta kompani, në pronësi të Edi Frangaj, vëllai i pronarit të TV Klan, Aleksandër Frangaj.

<img src="aleksander frangaj.jpeg" alt="Aleksander frangaj, Klan, ABC News, tenderat" />

imazhe shqip

Ndërsa planifikimi i përvetësimit të shifrave kolosale e ka zanafillën në gushtin 2008, kur, pa mbushur ende një vit Vendimi i Këshillit të Ministrave për reklamat dhe spotet publicitare, ndryshohet sërish me VKM nr. 1195, që mban datën 5.8.2008, duke i hapur rrugën batërdisë me fondet për spotet. VKM-ja përjashtonte nga prokurimet publike prodhimin dhe shpërndarjen e spoteve publicitare dhe e linte në dëshirën (urdhëresën) e ministrit nisjen e procedurave dhe derdhjen e vlerave monetare. Por, si në rastin e Mbrojtjes, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me fondin e Policisë së Shtetit për spotet publicitare dhe është zgjedhur ky institucion, pasi ishte i vetmi në strukturat e Ministrisë së Brendshme që mund të kishte buxhet prej 3.1 milionë dollarësh që mund të përdorej për reklama.


Si nisi

Gjithçka është zhvilluar thuajse në të zezë, por në një të zezë që e ligjëronte VKM-ja nr. 1195 dhe që, nën presionin e së cilës, asnjë anëtar komisioni nuk do mundej ta kundërshtonte.
Por, çfarë ka ndodhur konkretisht me 3.1 milionë dollarë të Policisë së Shtetit? Në periudhën 2010-2011, me urdhërin e titullarit në Ministrisë së Brendshme, në atë kohë Lulzim Basha, janë zhvilluar pesë tendera për “Shqipëria pa Viza”: Tre në vitin 2010 dhe dy në vitin 2011. Pjesëmarrëse në tender ishte kompania fituese e Frangajve, “Promo”; kompania tjetër e tyre “Media 66”, që njihet si Televizioni KLAN, kompania “Agia 2004”, të cilën nuk e gjen dot po ta kërkosh në QKR dhe e vetmja faqe që lidhet me të në internet është faqja e lokalit për fëmijë “Blue Park” në TEG, edhe kjo pronë e familjes Frangaj!

Edhe “Kudeta Event” shpk është një tjetër kompani, që ka marrë pjesë në këto tenderime, por që është e panjohur në fushën e spoteve publicitare. E vetmja kompani tjetër serioze për reklamat është “Delta Publicity”.
Në pesë tenderimet kanë hyrë tre deri në katër kompani, ku dy të përhershmet janë “Promo” dhe “KLAN”, të Frangajve. Në disa prej tyre, edhe “Agia 2004”, ndërsa “Kudeta Event” dhe “Delta Publicity” nuk ishin të përhershme.


Flet anëtari i tenderimit

TV A1Report ka kontaktuar me një prej anëtarëve të tenderimit, i cili ka pranuar edhe presionet e ushtruara nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, për kryerjen sa më të shpejtë të procedurave dhe shmangien në maksimum të njoftimeve që gjithçka të kryhej e mbyllur dhe me një rreth të caktuar kompanish pjesëmarrëse.
Procedurat e VKM nr. 1195 e shmangin publikimin në faqen e internetit të prokurimeve. Janë mjaftuar me një publikim oferte në faqen në internet të institucionit, në këtë rast faqja ëëë.asp.gov.al me një numër të kufizuar vizitorësh.

Në të pesta rastet, kompania “Promo” e ka fituar tenderin për çmimin më të ulët.

Në pikën e përzgjedhjes së kompanisë fituese kërkohet kompania që ka fituar pikët më të shumta në tender, por edhe kësaj pike i është gjetur zgjidhja ligjërisht me VKM-në nr. 1195, pasi kriter i pikëve është edhe çmimi i ulët. Në të kundërt me tenderin e Ministrisë së Mbrojtjes, ku kompania “Promo” ka fituar tenderin prej 1.2 milionë eurosh me kriterin e pikëve dhe jo për çmimin më të ulët.
Procedurat mbylleshin brenda tri ditëve, që nga publikimi i ofertës deri në tenderim dhe gjithçka shkonte deri në pesë ditë, deri në momentin e nënshkrimit nga ana e titullarit, që, për tenderin e Policisë së Shtetit, është firmosur katër herë nga zvëndësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë Rasim Borishi dhe një herë nga drejtori i Përgjithshëm Hysni Burgaj.


Kallzimi në prokurori

Që prej tetorit, auditi ka nxjerrë shkeljet e dyshuara me tenderin e reklamave dhe dosja i është dërguar Prokurorisë. Kopsitja perfekte e dosjeve të tenderimit dhe kopertura që u jep këtyre veprimeve VKM nr. 1195, ka bërë që, edhe dy muaj pas këtij kallëzimi, të mos ketë ende një regjistrim dhe nisje hetimesh nga Prokuroria për “zhvatjen” e 3.1 milionë dollarëve.

Aktualisht, për tenderin janë larguar nga Policia ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Rasim Borishi; ish-kryetari i Vlerësimit të Ofertave, Kolë Kukaj; shtatë anëtarët e komisionit: Adelina Marashi, Liza Tafili, Klejda Plangarica, Meri Papakostandini, Besjana Martini, Islam Cenga dhe Agim Hysko. Ndërsa është ende në detyrën e drejtorit të Akademisë së Policisë ish-drejtori i Përgjithshëm Hysni Burgaj.


Skandalet:


“Gjeniu”

Kompania mediatike e Aleksandër Frangajt ka marrë nga Albpetrol 100 milionë lekë për spektaklin e fëmjëve “Gjeniu i vogël”. Kreu i Albpetrol, Ferdinand Murati ia dërgon kërkesën për sponsorizim Këshillit Mbikëqyrës më 19 prill 2013, pak përpara zgjedhjeve. Më 25 prill, miratohet fondi prej 100 milionë lekësh të vjetra


“100 vjetori”

Një kontratë tjetër 100 mijë dollarëshe është realizuar mes ish-drejtorit të Albpetrolit Ferdinand Murati dhe drejtorit të TV Klan Aleksandër Frangaj me arsyetimin për të mbështetur një aktivitet i cili ka të bëjë me Maratonën e Këngës me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Aktivitet që nuk u bë asnjëherë.

Gazeta Tema:




imazhe shqip



*   *   *



Elvi Fundo, Këshilltari i Bodes




sulmon botuesin e Panoramës: 
Vinçier që lëpihet majtas-djathtas

<img src="irfan hysenbelliu.jpeg" alt="Irfan Hysenbelliu, News 24, Ballkan web, gazeta shqiptare, Panorama, " />
imazhe shqip

Elvi Fundo, një nga njerëzit më të afërt të Ridvan Bodes, ish-këshilltar gjatë periudhës si ministër dhe person aktiv në rivalitetin publik Basha-Olldashi ka reaguar ashpër ndaj një botimi sot në të përditshmen Panorama duke e akuzuar  si media nën kontrollin e Lulzim Bashës dhe duke e quajtur botuesin e saj Irfan Hysenbelliu, “vinçier që lëpihet majtas-djathtas dhe turpëron median me emrin e tij”, Fundo shkruan:

“…Sot ka folur Vincieri duke akuzuar. Gazeta e tij thote sot se Bode ka makine 90 mije euro.  Shoku vinçier, Bode s’ka makine 90 mije euro dhe ajo nuk eshte makina e tij por e ka mare perkohesisht ne perdorim. Ajo makine nuk kushton sa thua zotrote por

rreth 15 mije euro, pronari i saj ta jep dhe me lire.  Eshte e vitit 2006 shoku Vincier. Dhe ai Range Rover eshte i institucionit, sot e ka Shkelqim Cani. Mjeti nuk eshte me targa fallco por me dokumenta te rregullta dhe ka paguar te gjitha taksat. Tani une kam nje pyetje: Sa borxhe ke ne banka dhe sa borxh je tek te tjeret?  Pas kesaj edhe te tjera per nje botues qe turperon median me emrin e tij.  Duhet te hapen dosjet me cdo kusht se pari per mediat qe te shpetojme nga vinciere e kendeza. Lepirjet sa majtas e djathtas nuk te shpetojne nga pesha e vincit qe ke mbi supe…”

Reagimi vjen pasi e përditshmja Panorama nën pronësi të Hysenbelliut, pjesë e grupit që kontrollon edhe televizionin News 24, të përditshmen tjetër Gazeta Shqiptare, agjensinë Balkanweb, etj shkruan sot se ish-ministri Bode përdor një makinë që kushton 90 mijë euro dhe që ka targa false.

imazhe shqip


*   *   *



Doktori i Shkencave Xhelal Mziu




prej 3 vitesh edhe ‘Profesor’ 
në Universitetin e Kamzës

<img src="xhelal mziu.jpeg" alt="Doktori i Shkencave Xhelal Mziu" />
imazhe shqip

                                                          Nga Përparim Halili

Kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu, bëhet sërish personazh i rëndësishëm publik. Por edhe këtë herë ashtu si në rastet e tjera, ai bëhet i mirënjohur jo vetëm për arrestimin për tenderin 800 milionësh, për vulën e qendrës së votimit gjendur poshtë dyshekut, për emërtesat e rrugëve me emra kryeqytetesh e personalitetesh të botës modern dhe për “arritjet madhështore” në qeverisjen e problemeve sociale-ekonomike-financiare të komunitetit të zonës që ka administruar si kryetar bashkie, por edhe edhe si “profesor akdemik”, pedagog mësimdhënës në Universitetin e Kamzës.

Pas suksesit me mesazhet e “shamikuqes”, pas mjeshtërisë si “artist” në rënien e veglave muzikore e këngës popullore në orkestrat e dasmave në fshatra dhe pas marrjes së titullit të lartë shkencor “Doktor” në ekonomi-financë, vlerësuar “shkëlqyer” nga Rektorati i Universitetit të Kamzës, për punim shkencor të “shkëlqyer”, por të vjedhdur të markës “made in Italia”, mësuam se “poliedriku” Xhelal Mziu, ka avancuar dhe më tej. Ai ka hedhur një hap tjetër të rëndësishëm në karrierën e tij publike e profesionale. Eshtë emëruar me “përzgjedhje meritokratike” prej Rektoratit të Universitetit të Kamzës, si “profesor” mësimdhenës në këtë universitet.

Sipas informacionit, tashmë të konfirmuar, “profesor” Xhelal Mziu punon dhe pedagog i jashtëm në degën Agrobiznes për lëndët ekonomi, financë e biznes të këtij universiteti prej afro 3 vitesh. Sipas informacionit tonë, ai jep lëndët “Analizë Investimesh” dhe “Administrim Publik”.

Në kryesekretarinë e këtij Universiteti, na i mohuan faktin që Xhelal Mziu është pedagog, madje këmbënguljes tonë, ata iu përgjigjën me “habi” dhe me deklarimin: “…nuk e njohim as si fytyrë”. Që të mos njohin “doktor” Xhelal Mziun në kryesekretarinë e Universitetit të Kamzës, kjo duket plotësisht e habitshme, mbasi jo më larg se data 22 korrik 2013, me vendimin nr.176, atij i është dhënë grada “doktor” nga ky universitet dhe grada të tilla të larta shkencore kalojnë përfundimisht në zyrën e kryesekretarisë, sepse atje sekretohet punimi i fitimit të gradës, nota e vlerësimit dhe pasqyrimi dokumentar i titullit, madje prej kësaj zyre “zografiset” dhe një nga firmat që vendosen mbi dosjen e titullit “Doktor” që lëshon universiteti. Dhe po prej kësaj zyre, i përcillet njoftimi edhe Ministrisë së Arsimit për këshillin Shkencor të verfikimit, miratimit dhe njohjes së gradave shkencore që fitojnë pedagogët e universiteteve.

Në biseda me pedagogë të këtij universiteti, konfirmuan se kryebashkiaku i Kamzës, prej 3 vitesh akademike (mësimore) punon si pedagog i jashtëm në Universitetin e Kamzës dhe jep seminare për studentët, duke qenë pjesë e trupës mësimdhenëse në një katedër me profesor Idajet Shehu. Madje eksperiencën si “pedagog” i këtij universiteti e ka pasqyruar në dosjen e si kriter kualifikimi edhe për marrjen e titullit “Doktor i shkencave ekonomi-financë”.

Sipas burimeve tona nga Ministria e Arsimit, në këtë universitet mendohet se janë graduar me tituj “doktor e profesor” edhe shumë “xhelalë” të tjerë, madje edhe nga ata me diploma shkollash të larta të blera në universitetet-kioska, disa prej të cilavë japin mësim në Kamëz e disa në universitetet private. “Mjafton të hapësh letrat e dhënies së gradave shkencore dhe rekrutimet e pedagogëve të jashtëm e më kohë të plotë dhe konstaton çudira, zbardhet gjithçka ka ndodhur në këto procedura”, na tha një prej profesorëve të këtij universiteti.

Sipas ligjit për arsimin e lartë dhe sipas rregullores së universitetit, testimet, rekrutimet dhe pranimet si pedagogë në universitet i bënë komisioni përzgjedhës i emëruar nga rektorati, me kërkesë dhe propozim të rektorit, sipas nevojave për pedagogë. Patjetër që ky detyrim ligjor e procedurial është zbatuar 3 vite më parë edhe për përzgjedhjen dhe pranimin e z.Xhelal si profesor, pa dhënë asnjë ditë mësim as në shkollat e mesme bujqësore, madje pa patur asnjë kualifikim minimal si mësimdhenës.

Kujtojmë, se pas 3 vitesh si “profesor” në auditoret e universitetit, ka qenë pikërisht po ai rektorat i universitetit të Kamzës, që me vendimin nr.176, datë 22 korrik 2013 i ka dhënë kryebashkaikut të Kamzës titullin e lartë “doktor”, duke i pranuar si “punim” një studim të kopjuar prej një profesori Italian, firmosur nga dekani Prof. Dr. Bahri Musabelliu dhe nga rektori, Prof. Dr. Fatos Harizaj.


Tafaj i hoqi titullin Dr. Xhelal Mziut

Vetëm pak orë, pas zbulimit dhe publikimit të skandalit në lidhje me titullin “doktor”, dhënë prej Universitetit të Kamzës, ish-ministri i Arsimit prof. Dr. Myqerem Tafaj, urdhëroi që t’i hiqet tiulli Doktor Xhelal Mziut për arsye se pas verifikimit të denoncimit të bërë në media, punimi shkencor i “doktor” Mziut, rezultoi plagjiaturë. Verfikimet provuan, se punimi shkencor i “doktor” Mziut, ishte një shkelje e rëndë e rregullores për “Etikën në veprimtarinë kërkimore dhe botuese”, pika 3.2 mbi parimin e ndershmërisë. Eshtë kopjuar nga studiuesi Italian Sandro Petrizelli.


Vendimi që bëri Xhelalin “doktor”

“Juria e ngritur pranë Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit në përputhje me legjislacioni në fuqi, shqyrtoi disertacionin me temë: “Vlerësimi i leverdishmërisë ekonomike financiare për realizimin dhe administrimin e investimeve publike, studim rasti”, në kërkim të gradës shkencore “Doktor”, dhe me vendimin nr.176, dt. 22/07/2013, e vlerësoi atë “Shumë mirë” duke i dhënë Xhelal Mziut gradën shkencore “Doktor” në fushën: Ekonomi dhe Agrobiznes, profili: Financë-Kontabilitet”.


Xhelali në “Facebook”: 
U bëra “Doktor”!

Ja njoftimi dhe gëzimi i publikuar në profilin e “doktor” Mziut me rastin e marrjes së titullit shkencor: “Mes shumë kualifikimesh, titujsh e nderimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë, kryetarit të Bashkisë Kamëz, zotit Xhelal Mziu, i shtohet edhe një titull mjaft i rëndësishëm shkencor, pikërisht grada “Doktor”. Kjo gradë e lartë shkencore, i është dhënë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës për disertacionin me temë “Vlerësimi i leverdishmërisë ekonomike financiare për realizimin dhe administrimin e investimeve publike, studim rasti”, në fushën Ekonomi dhe Agrobiznes, profili Financë-Kontabilitet”./Dita
imazhe shqip


*   *   *