"

December 22, 2013

Kush është Xhelal Mziu

<img src="xhelal mziu.jpeg" alt="Xhelal mziu, kryetari bashkise kamez" />
imazhe shqip


Tenderat e rrugëve, 
arrestohet kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu

Arrestohet për korrupsion kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Agjentët e Zyrës Kundër Krimit Ekonomik i kanë vënë prangat rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme pranë Presidencës në Tiranë, duke dalë nga lokali pastiçeri dhe menjëherë kanë shkuar në drejtim të Kamzës, ku dhe ka banesën. Gjatë përpjekjes për ushtrim kontrolli në banesë, forcat e policisë kanë hasur në kundërshtimin e fortë të bashkëshortes së bashkiakut, Vjollca Mziu, e cila po ashtu është ndaluar dhe më pas lënë për hetim në gjendje të lirë, ndërsa dyshohet edhe për tregtim floriri kontrabandë në argjendarinë e saj, po në këtë qytezë. Mziu akuzohet për shkelje të barazisë së tenderëve në lidhje me tenderin fiktiv të rrugës Valias i Ri-Varrezat e Laknasit, me vlerë 80 milionë lekë, që i është hequr pa të drejtë kompanisë “Gjoka Konstruksion” dhe i është dhënë në muajin prill, para zgjedhjeve dhe për efekt fushate, firmës “Everest”, teksa kjo e fundit dyshohet se nuk është e specializuar për ndërtime rrugësh. Gjykata e Tiranës aprovoi masën e arrestit me burg për kryebashkiakun, e kërkuar nga Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës. Mbrëmjen e djeshme, Mziu është akomoduar në qelitë VIP të drejtorisë së Policisë Tiranë. Po për këtë skandal është shpallur në kërkim edhe drejtori juridik, Atli Hoti.


Arrestimi i Mziut

Hetimet ndaj kryebashkiakut kryheshin prej dy muajsh nga Prokuroria e Tiranës. Denoncimi ishte depozituar nga vetë administratori i firmës “Gjoka Konstruksion” gjatë verës, pasi konstatoi se rruga po ndërtohej nga një firmë tjetër, por tenderin e kishte fituar ai. Ditën e djeshme, Task-Forca kërkoi në Gjykatën e Tiranës arrestimin e Xhelal Mziut dhe Hatli Hotit, drejtorit Juridik, si dy përgjegjësit për ndryshimin e destinacionit prokurues. Rreth orës 15:00 masa e sigurisë ka përfunduar dhe prokuroria i kërkoi Zyrës së Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Tiranës, kryerjen e arrestimit. Dy patrulla dhe agjentët lokalizuan Mziun pranë Presidencës, ku po pinte kafe rastësisht. Sapo ka dalë i është komunikuar arrestimi dhe është njohur me urdhrin e gjykatës. Mziu nuk ka kundërshtuar. Është futur në makinë dhe janë nisur drejt Kamzës. Një tjetër patrullë është vënë në kërkim të Hatli Hotit. Në banesë janë kryer kontrolle për të zbuluar dokumentacione që i shërbenin hetimeve dhe sende të dyshimta. Gjatë këtij momenti ka ndodhur kundërshtimi me forcë nga bashkëshortja e kryebashkiakut. Kontrolle të shumta po kryhen edhe në Bashkinë e Kamzës për sekuestro dokumentacionesh.


Hetimet e Prokurorisë

Prokuroria njoftoi mbrëmë duke konfirmuar faktin se hetimet i ka kryer ky institucion mbi bazën e denoncimit. Akuza e ngritur është “shpërdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë në tenderë”. “Nga hetimi, prokuroria ka arritur në konkluzionin se dy shtetasit kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së prokurimit publik për ndërtimin e rrugës “Valias i Ri-Varrezat Laknas”, thanë burime zyrtare. Në fillim të vitit zhvillohet tenderi për ndërtimin e kësaj rruge dhe autoriteti kontraktor ishte Bashkia e Kamzës, e cila ka shpallur fitues shoqërinë “Gjoka Konstruksion”. Por Mziu nuk ka pranuar të nënshkruajnë kontratën me këtë shoqëri brenda afatit ligjor 30 ditë, pa dhënë arsye zyrtare. Ka dyshime se kjo zvarritje bëhej për çështje korruptive, por do të jetë procesi i mëtejshëm dhe dëshmia në gjyq e biznesmenit denoncues që do e zbardhë këtë fakt.


Mziu ia dha një tjetër firme

Në përfundim të këtij afati, autoriteti kontraktor Bashkia Kamëz, e ka skualifikuar shoqërinë “Gjoka” me arsyen se nuk ishte paraqitur për nënshkrimin e kontratës. Por shoqëria fituese ka bërë të gjitha përpjekjet në rrugë zyrtare për nënshkrim, ndërsa është refuzuar nëpërmjet formave të ndryshme nga ana e titullarëve të bashkisë. Pas kësaj pronari i firmës “Gjoka” ka mësuar se tenderi i është dhënë firmës “Everest” që kishte nisur punimet ndërkohë. Kjo ka ndodhur në muajin prill, ndërsa tenderi kishte vlerën 80 milionë lekë. Atëherë biznesmeni ka nisur verifikimet në terren dhe ka konstatuar se kjo firmë po kryente punime në segmentin Valias i Ri-Laknas. “në këto kushte firma “Gjoka” ka dorëzuar kallëzimin penal tre muaj më parë, nga hetimi i të cilit, prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme se Xhelal Mziu dhe Atli Hoti, kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, konfirmoi prokuroria.


Kush është Xhelal Mziu

Nga mandatet si bashkiak, 
tek politika, ‘shamikuqja’, daullja dhe plagjiatura

Xhelal Mziu është zgjedhur për herë të parë kryetar i Bashkisë së Kamzës në 18 shkurt të vitit 2007, ndërsa në vitin 2011 ka fituar mandatin e dytë nga Partia Demokratike, detyrë që vazhdon ta mbajë. Ai ka qenë disa herë në qendër të opinionit publik për mënyrën se si drejtonte institucionin, akuzat nga punonjësit, por edhe përfshirjen në jetën politike. Një punonjëse e institucionit, që kryebashkiaku e thërriste “Shamikuqja”, e denoncoi në fillim të vitit 2011 se Mziu e ngacmonte seksualisht me mesazhe telefonike dhe më pas e përzuri nga puna. Skandali dhe mesazhet u publikuan në media, por nuk u krye asnjë hetim nga organet ligjzbatuese. Më pas ai rifitoi mandatin e dytë, ndërsa njihet edhe për vendosjen e emrave të rrugëve si “Berluskoni”, “Xhorxh Bush”, “Italia”, “Manhatan”, “Berisha” dhe të tjera si këto. Së fundmi janë botuar nga DITA edhe fotot e Xhelalit si daullexhi, apo lajmi se fitoi doktoraturën, por rezultoi plagjiaturë.


Kontroll dhe argjendarisë: 
Gruaja e Mziut sulmon policët gjatë aksionit, hetohet në gjendje të lirë

Bashkëshortja e kryebashkiakut të Kamzës sulmon policinë gjatë aksionit për kontroll banese. Pas ndalimit në qendër të Tiranës, efektivët kanë zbarkuar në Kamëz për kontroll banese sipas procedurave ligjore. Bashkë me ta ka qenë edhe i arrestuari, por kur ka parë uniformat blu që e kanë njohur me mandatin e kontrollit të banesës dhe se Xhelal Mziu ishte i prangosur, Vjollca Mziu është irrituar dhe ka kundërshtuar këto veprime. Ajo është përpjekur të ndalojë policët që të ushtronin kontrollin dhe kërkoi lirimin e bashkëshortit. Pasi nuk i është përgjigjur thirrjeve për të ndaluar, ndaj saj është marrë masa e shoqërimit në Komisariatin nr. 5 në Kamëz dhe më pas është lënë për hetim në gjendje të lirë. Gjithashtu po ushtrohet kontroll në argjendarinë në pronësi të Vjollca Mziut pasi ka informacione se tregton flori kontrabandë, që e mbledh nga grabitësit e dyqaneve të tjera apo të kalimtarëve në rrugë. Por procedimi penal për këtë rast do komunikohet pasi të zbulohet se është kryer një shkelje e tillë në verifikim të të gjitha faturave.


Lulzim Basha: 
Po monitorojmë procesin ndaj Xhelal Mziut

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, komentoi sot arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Basha tha në mesditë për mediat se PD po monitoron procesin ndaj Mziut.

“Ne kërkojmë që procesi të jetë transparent dhe sipas ligjit, duke iu kujtuar se sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vendit Xhelal Mziu është i pafajshëm për sa kohë një gjykatë e vendit nuk ka provuar të kundërtën”, tha Basha.

Kreu i PD u shpreh më tej se ka besim te drejtësia dhe mbështet çdo hetim të cilitdo person.


Taulant Balla:  
“U arrestua top-modeli, akademiku i partisë së Berishës”

Pas arrestimit të kryebashkiakut Xhelal Mziu, ka reaguar deputeti socialist Taulant Balla, ndër të vetmit politikanë që dha një deklaratë nëpërmjet rrjetit social Facebook. Balla ka publikuar një pamje nga ekranet që njoftonin arrestimin e Mziut dhe shkruan: “Arrestohet top-modeli i partisë së Sali Berishës, kryetari i Bashkisë së Kamzës, “akademiku” Xhelal Mziu. Çunat e PD-së me vrap tek Saliu: Çohu Sali, se po na kapin një nga një”, shkruan Balla. Mziu konsiderohej si krahu i fortë i PD-së në Kamzë.


Procedurat/ Qeveria shkarkon Mziun, Kamza drejt zgjedhjeve të reja

Sipas ligjeve në fuqi, në momentin që një i zgjedhur vendor akuzohet penalisht dhe merret i pandehur apo arrestohet me masë sigurie “arrest në burg” në të treja shkallët dhe me formë të prerë, është Këshilli i Ministrave që në mbledhje të radhës miraton shkarkimin nga funksionet. Pasi Qeveria shkarkon Xhelal Mziun, shpall njëkohësisht edhe zgjedhjet e reja për Bashkinë e Kamzës. Kjo qytezë njihet si një bastion i fortë i Partisë Demokratike ndër vite. Kjo procedurë është ndjekur me shumë njësi të tjera vendore në qeverisjen e Berishës. E njëjta gjë ndodh edhe kur i zgjedhuri vendor ndërron jetë, apo jep dorëheqjen për arsye të ndryshme. Zgjedhjet e fundit të parakohshme vendore ishin ato në bashkinë e Korçës, pasi kryetari Niko Peleshi u mandatua Zëvendëskryeministër. /gazeta TemA  &  gazeta Dita

imazhe shqip


*   *   *



No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!