prej 3 vitesh edhe ‘Profesor’
në Universitetin
e Kamzës
imazhe shqip
Nga Përparim Halili
Kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu, bëhet
sërish personazh i rëndësishëm publik. Por edhe këtë herë ashtu si në rastet e
tjera, ai bëhet i mirënjohur jo vetëm për arrestimin për tenderin 800
milionësh, për vulën e qendrës së votimit gjendur poshtë dyshekut, për
emërtesat e rrugëve me emra kryeqytetesh e personalitetesh të botës modern dhe
për “arritjet madhështore” në qeverisjen e problemeve
sociale-ekonomike-financiare të komunitetit të zonës që ka administruar si
kryetar bashkie, por edhe edhe si “profesor akdemik”, pedagog mësimdhënës në
Universitetin e Kamzës.
Pas suksesit me mesazhet e “shamikuqes”, pas
mjeshtërisë si “artist” në rënien e veglave muzikore e këngës popullore në
orkestrat e dasmave në fshatra dhe pas marrjes së titullit të lartë shkencor
“Doktor” në ekonomi-financë, vlerësuar “shkëlqyer” nga Rektorati i
Universitetit të Kamzës, për punim shkencor të “shkëlqyer”, por të vjedhdur të
markës “made in Italia”, mësuam se “poliedriku” Xhelal Mziu, ka avancuar dhe më
tej. Ai ka hedhur një hap tjetër të rëndësishëm në karrierën e tij publike e
profesionale. Eshtë emëruar me “përzgjedhje meritokratike” prej Rektoratit të
Universitetit të Kamzës, si “profesor” mësimdhenës në këtë universitet.
Sipas informacionit, tashmë të konfirmuar,
“profesor” Xhelal Mziu punon dhe pedagog i jashtëm në degën Agrobiznes për
lëndët ekonomi, financë e biznes të këtij universiteti prej afro 3 vitesh. Sipas
informacionit tonë, ai jep lëndët “Analizë Investimesh” dhe “Administrim
Publik”.
Në kryesekretarinë e këtij Universiteti, na i
mohuan faktin që Xhelal Mziu është pedagog, madje këmbënguljes tonë, ata iu
përgjigjën me “habi” dhe me deklarimin: “…nuk e njohim as si fytyrë”. Që të mos
njohin “doktor” Xhelal Mziun në kryesekretarinë e Universitetit të Kamzës, kjo
duket plotësisht e habitshme, mbasi jo më larg se data 22 korrik 2013, me
vendimin nr.176, atij i është dhënë grada “doktor” nga ky universitet dhe grada
të tilla të larta shkencore kalojnë përfundimisht në zyrën e kryesekretarisë,
sepse atje sekretohet punimi i fitimit të gradës, nota e vlerësimit dhe
pasqyrimi dokumentar i titullit, madje prej kësaj zyre “zografiset” dhe një nga
firmat që vendosen mbi dosjen e titullit “Doktor” që lëshon universiteti. Dhe
po prej kësaj zyre, i përcillet njoftimi edhe Ministrisë së Arsimit për
këshillin Shkencor të verfikimit, miratimit dhe njohjes së gradave shkencore që
fitojnë pedagogët e universiteteve.
Në biseda me pedagogë të këtij universiteti,
konfirmuan se kryebashkiaku i Kamzës, prej 3 vitesh akademike (mësimore) punon
si pedagog i jashtëm në Universitetin e Kamzës dhe jep seminare për studentët,
duke qenë pjesë e trupës mësimdhenëse në një katedër me profesor Idajet Shehu.
Madje eksperiencën si “pedagog” i këtij universiteti e ka pasqyruar në dosjen e
si kriter kualifikimi edhe për marrjen e titullit “Doktor i shkencave
ekonomi-financë”.
Sipas burimeve tona nga Ministria e Arsimit,
në këtë universitet mendohet se janë graduar me tituj “doktor e profesor” edhe
shumë “xhelalë” të tjerë, madje edhe nga ata me diploma shkollash të larta të
blera në universitetet-kioska, disa prej të cilavë japin mësim në Kamëz e disa
në universitetet private. “Mjafton të hapësh letrat e dhënies së gradave
shkencore dhe rekrutimet e pedagogëve të jashtëm e më kohë të plotë dhe
konstaton çudira, zbardhet gjithçka ka ndodhur në këto procedura”, na tha një
prej profesorëve të këtij universiteti.
Sipas ligjit për arsimin e lartë dhe sipas
rregullores së universitetit, testimet, rekrutimet dhe pranimet si pedagogë në
universitet i bënë komisioni përzgjedhës i emëruar nga rektorati, me kërkesë
dhe propozim të rektorit, sipas nevojave për pedagogë. Patjetër që ky detyrim
ligjor e procedurial është zbatuar 3 vite më parë edhe për përzgjedhjen dhe
pranimin e z.Xhelal si profesor, pa dhënë asnjë ditë mësim as në shkollat e
mesme bujqësore, madje pa patur asnjë kualifikim minimal si mësimdhenës.
Kujtojmë, se pas 3 vitesh si “profesor” në
auditoret e universitetit, ka qenë pikërisht po ai rektorat i universitetit të
Kamzës, që me vendimin nr.176, datë 22 korrik 2013 i ka dhënë kryebashkaikut të
Kamzës titullin e lartë “doktor”, duke i pranuar si “punim” një studim të
kopjuar prej një profesori Italian, firmosur nga dekani Prof. Dr. Bahri
Musabelliu dhe nga rektori, Prof. Dr. Fatos Harizaj.
Tafaj i hoqi titullin Dr. Xhelal Mziut
Vetëm pak orë, pas zbulimit dhe publikimit të
skandalit në lidhje me titullin “doktor”, dhënë prej Universitetit të Kamzës,
ish-ministri i Arsimit prof. Dr. Myqerem Tafaj, urdhëroi që t’i hiqet tiulli
Doktor Xhelal Mziut për arsye se pas verifikimit të denoncimit të bërë në
media, punimi shkencor i “doktor” Mziut, rezultoi plagjiaturë. Verfikimet
provuan, se punimi shkencor i “doktor” Mziut, ishte një shkelje e rëndë e
rregullores për “Etikën në veprimtarinë kërkimore dhe botuese”, pika 3.2 mbi
parimin e ndershmërisë. Eshtë kopjuar nga studiuesi Italian Sandro Petrizelli.
Vendimi që bëri Xhelalin “doktor”
“Juria e ngritur pranë Fakultetit të Ekonomisë
dhe Agrobiznesit në përputhje me legjislacioni në fuqi, shqyrtoi disertacionin
me temë: “Vlerësimi i leverdishmërisë ekonomike financiare për realizimin dhe
administrimin e investimeve publike, studim rasti”, në kërkim të gradës
shkencore “Doktor”, dhe me vendimin nr.176, dt. 22/07/2013, e vlerësoi atë
“Shumë mirë” duke i dhënë Xhelal Mziut gradën shkencore “Doktor” në fushën:
Ekonomi dhe Agrobiznes, profili: Financë-Kontabilitet”.
Xhelali në “Facebook”:
U bëra “Doktor”!
Ja njoftimi dhe gëzimi i publikuar në profilin
e “doktor” Mziut me rastin e marrjes së titullit shkencor: “Mes shumë
kualifikimesh, titujsh e nderimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë, kryetarit të
Bashkisë Kamëz, zotit Xhelal Mziu, i shtohet edhe një titull mjaft i
rëndësishëm shkencor, pikërisht grada “Doktor”. Kjo gradë e lartë shkencore, i
është dhënë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës për disertacionin me temë
“Vlerësimi i leverdishmërisë ekonomike financiare për realizimin dhe
administrimin e investimeve publike, studim rasti”, në fushën Ekonomi dhe
Agrobiznes, profili Financë-Kontabilitet”./Dita
imazhe
shqip
* * *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!