* * *
February 10, 2018
January 30, 2018
Mbi debatin e “patriotëve të vonuar” për detin!
Mbi debatin e “patriotëve
të vonuar”
për detin!
Nga Mero Baze
Ka shpërthyer një
histeri e pazakontë e disa patriotëve të vonuar për kufirin detar me Greqinë,
nga ata që kanë duartrokitur realisht shitjen e detit tek Greqia nga Sali
Berisha dhe Lulzim Basha, dhe kanë duartrokitur po ashtu dy muaj më parë Sali
Berishën në parlament, që këmbëngulte se ajo marrëveshje duhet mbrojtur dhe se
Edi Rama po na prish me Greqinë.
Së pari, duhet sqaruar
se ajo marrëveshje ka vdekur, jo vetëm se është hedhur poshtë nga Gjykata
Kushtetuese e Shqipërisë, por edhe se bisedimet e reja janë për të hedhur bazat
e një marrëveshje të re. Rezistenca e qeverisë “Rama” ndaj mos-ngjalljes së
asaj marrëveshje ka detyruar palën greke të nisë diskutimin për një marrëveshje
të re, e cila nuk mbështetet më tek “shelfi kontinental”, siç ka qenë marrëveshja
e Berishës me Karamalisin dhe Bashës me Bakojanis.
Pra, bëhet fjalë për
hedhjen e bazës së një marrëveshje të
re, e cila është jo vetëm e pakrahasueshme me konceptin e marrëveshjes së
Berishës dhe Bashës, por është edhe në një fazë fillestare, mbi të cilën duhet
të operohet më pas me ekspertë dhe instrumentat e tjera të diplomacisë së dy
vendeve.
Fjalia e parë që duhet
të themi, është se Shqipëria detyroi Greqinë të grisë marrëveshjen me Berishën
dhe të pranojë të bëjë një marrëveshje të re. Dhe kjo e ka mërzitur Berishën,
që humbi bastin e para dy muajve, kur tha në parlament se ajo marrëveshje do
realizohet.
Së dyti, deklaratat e
Kotzias me terma “ambigue”, janë nisja e një fushate politike nga ana e tij
brenda vendit, për të përgatitur opinion publik grek për kthimin pas të pazarit
me Berishën. Fjalia e tij për 12 milje shtyrje të kufirit detar, dhe akoma më
keq, nxitimi nga “patriotët” tanë që kanë duartrokitur Berishën, për të bërë
llogari me sipërfaqe, duke u nisur nga një vijë në hapësirë, është qesharake.
Konventa për të Drejtën e Detit e vitit 1982 (UNCLOS), e
cila njihet ndryshe si Kushtetuta e Deteve, parashikon në nenin 3, se shtetet bregdetare, mund të shtrijnë
gjerësinë e ujërave të tyre territoriale deri në 12 milje detare.
Në këtë hapësirë detare
shteti bregdetar ushtron sovranitet të plotë territorial.
Këtë shtrirje të detit
territorial, shtetet e shpallin me ligj të brendshëm, të cilin duhet ta
depozitojnë në Kombet e Bashkuara. Shqipëria e ka deklaruar dhe depozituar në
OKB këtë shtrirje prej 12 miljesh detare në vitin 1970 dhe rikonfirmuar në
vitin 1990.
Ndërkohë, një fakt i
tillë nuk është marrë në konsideratë nga qeveria “Berisha” kur negocioi
marrëveshjen ne 2009.
Sa më sipër, është e
qartë që shtrirja e detit territorial nuk mund të përcaktohet në marrëveshje
mes dy palëve, por me ligj të brendshëm, dhe kaq është gjithë ajo që kemi
dëgjuar nga Kotzias. Atë që kemi dëgjuar dhe nga Enver Hoxha më 1970 për ujërat
tona.
Përsa i përket
delimitimit të hapësirave detare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi të
ashtuquajturën “Marrëveshje” të Berishës të vitit 2009, e cila kishte defekte
të rënda në parimet e përdorura për
delimitimin, defekte që prodhuan një efekt negativ për interesat e
vendit tonë.
Konventa dhe praktika ndërkombëtare
i krijon të gjitha hapësirat shteteve për të negociuar marrëveshje të
delimitimit të hapësirave detare, që sjellin një rezultat sa me të drejtë.
Delimitimi i hapësirave detare në çdo rast bazohet fillimisht në parimin e
baraslargësisë nga pikat bazë të bregdetit, por për të arritur rezultatin e
drejtë, palët bëjnë korrektimet e nevojshme në vijën delimituese që ndërtojnë.
Ajo që kuptohet nga
deklarata, është se diskutimi mes palëve duket se ka arritur mirëkuptimin, se
vija delimituese e vitit 2009, nuk do të jetë më ajo e pretenduara nga pala
greke, por do të reflektojë pretendimet e palës shqiptare për përfitime në
hapësira detare që do të jenë të drejta, por jo përtej logjikës së negociatave
dypalëshe dhe parimeve të UNCLOS.
E gjithë zhurma
politike është e kuptueshme, që nis nga Greqia jo si shenjë triumfi, por si
përpjekje për t’iu pranuar rinegocimi.
Detyrimi i palës greke
për një marrëveshje të re nuk gëlltitet aq lehtë në Athinë dhe Kotzias tani
duhet të përgatisë grekët që të mos e quajnë tradhtar, pse po gris marrëveshjen
me Berishën.
Së fundmi, ministri ynë
i Jashtëm shikoj që nuk po bën politikë me këtë çështje, pasi nuk ka ende një
marrëveshje, por nisje të një marrëveshje, që do të marrë shumë kohë dhe
saktësime për të shkuar tek një kufi i pranueshëm detar mes Shqipërisë dhe
Greqisë. Dhe është mirë që nuk bën politikë, pasi ndryshe nga Kotzias, që duhet
të përgatisë grekët që marrëveshja me Berishën do griset, ky ka vetëm një njeri
të mërzitur, dhe ai është Sali Berisha. Marrëveshja e tij nuk do të zbatohet
dhe Shqipëria duhet të vendosë dinjitetin dhe ligjin ndërkombëtar në këtë
histori, duke lënë pas sipërfaqet e detit që Berisha i fali Greqisë, për një
pazar politik, që dhe ashtu nuk funksionoi.
* * *
December 26, 2017
Era e Çizmes shkon deri në Amerikë!!? Bebe Rexha zhduk nga Instagrami ‘fjalët e mëdha’ për Monika Kryemadhin
Pak ditë më parë ajo
publikoi një postim, ku vlerësonte kushurirën për guximin dhe arritjen e
depërtimit të daljes nga mentaliteti shqiptar.
“Ka ende miliona gra neper bote te cilat jane
te shtypura dhe jane gra si kjo qe po sjellin ndryshimin!Kjo grua eshte e
forte. Ajo eshte nje nene. Ajo eshte nje grua. Eshte nje moter. Ajo eshte e
para grua ne drejtimin e nje partie politike ne Shqiperi. Ajo ka thyer
barrierat dhe i ka dhene jo vetem grave shqiptare por edhe grave te tjera neper
bote si puna ime kurajon per te ndjekur endrrat!
Duke u rritur me eshte
thene te flas vetem kur me drejtohen, tani une flas e shprehem sa here kam
dicka per te thene.
Faleminderit Monika
Kryemadhi qe nuk pranon barrierat!” shkruante ndër tjera ajo.
Monika Kryemadhi Çizmja has been removed from Instagram.
* *
*
Dridhe Like, dridhe Like ...
Vota në OKB/ Si gënjeu Ilir Meta në letrën për
Donald Trump
Pakënaqësia që provokoi
vota e Shqipërisë në OKB kundër zhvendosjes së ambasadës amerikane në
Jeruzalem, arriti kulmin me letrën e Presidentit Ilir Meta për Donald Trump. Me
sinqeritetin e panatyrshëm për një burrë shteti, Ilir Meta rrëfeu në këtë letër
se nuk kishte pasur asnjë komunikim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e
Jashtme për çështjen, kur u shpreh: “kjo votë është marrë pa asnjë konsultim
paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me
Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe
kombit shqiptar”.
Letra ishte një
prezantim tjetër komik i shtetit shqiptar në sytë e të huajve, kësaj radhe në
sytë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga pozitat e shtetarit të indinjuar
Meta iu drejtua Trumpit me premtimin se “Do të kërkoj personalisht shpjegime
dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me
marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare”.
Qëndrimi i Metës nuk lë
vend për interpretime dhe tenton ta zhveshë Presidentin nga çdo përgjegjësi për
votën në OKB, por Lapsi.al u njoh me disa fakte që e nxjerrin të pavërtetë
mesazhin dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lapsi.al ka parë me
detaje disa mesazhe të shkëmbyera përmes postës elektronike mes Sokol Gjokës,
drejtor i Marrëdhënieve Shumëpalëshe në Ministrinë e Jashtme me Valter
Ibrahimin, Këshilltarin Diplomatik të Presidentit.
Emailet janë dëshmi e
komunikimit të pandërprerë mes Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme dhe
Presidencës. Komunikimi nisi para mbledhjes së Organizatës së Bashkëpunimit
Islamik, aty ku u inicua rezoluta kundër Trump dhe ku Shqipëria u përfaqësua
nga ambasadori i saj.
Në email, Sokol Gjoka i
Ministrisë së Jashtme informon Këshilltarin Diplomatik të Presidentit, Valter
Ibrahimin për pjesëmarrjen e ambasadorit tonë në Organizatën e Bashkëpunimit
Islamik. Madje Presidencës i dërgohet edhe fjalimi i ambasadorit tonë në OBI,
përveç informacioneve të tjera për rezolutën.
Lapsi.al dalloi në
emaile edhe lutjen e Sokol Gjokës, për një reagim nga Presidenca. Përgjigjia në
orën 17:45 të pasdites së datës 11 Dhjetor nga këshilltari i Ilir Metës ka qenë
lakonike. “Sa te kem nje instruksion te njoftoj menjehere”.
Por kjo përgjigje ishte
e fundit për këtë çështje dhe nuk u shoqërua nga një tjetër.
Një zyrtar në
Ministrinë e Jashtme tregoi për Lapsi.al se për votën në OKB, Drejtori i
Përgjithshëm Politik, Ferit Hoxha pati komunikim të vazhdueshëm në telefon me
shefin e Kabinetit të Presidentit, Arben Cicin.
Para votimit, shefi i
Kabinetit të Presidentit u mbajt i informuar për komunikimin me trupin
diplomatik në Tiranë, për qëndrimin që do të mbahej duke e vënë theksin në
linjën e përbashët me vendet e BE-së. Madje komunikimi në telefon mes Ferit
Hoxhës dhe Arben Cicit vazhdoi edhe pas votimit në OKB.
Presidenca u njoftua
për qëndrimin që mbajti Shqipëria në OKB, tha zyrtari i Ministrisë për Lapsi.al, duke theksuar se “në të gjitha komunikimet, nga presidenca nuk erdhi
asnjë shenjë pakënaqësie”.
Emailet zbulojnë lojën
që u bë në Tiranë me votën e Shqipërisë në OKB. Veç këtyre emaileve dhe
komunikimeve, Presidenca e kishte të qartë qëndrimin në OKB, që kur u informua
për praninë e ambasadorit tonë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik. Vota në
OKB kundër Trump nuk mund të ishte surprizë për Ilir Metën.
Pa u futur në gjykimin,
nëse Shqipëria mori vendimin e drejtë apo jo, del qartë se Meta qëndroi në
heshtje deri në momentin që Rama votoi kundër SHBA. Më pas, nisi letrën për
Donald Trump ku shfaqej i painformuar dhe i indinjuar, duke luajtur një lojë
që, sado e vështirë të duket, e bën akoma më qesharak imazhin e shtetit
shqiptar në sytë e të huajve. ©Lapsi.al
* *
*
November 22, 2017
November 21, 2017
Syri.net
dhe mos e luni hiç prej venit
vetëm këtu rrenat bëhen realitet
Te Syri.zen – Syri i Peshkaqenit!
* * *
Labels:
Foto Lajm,
Fotopolitika,
News
Location:
Tirana, Albania
November 16, 2017
Lavdrim Muhaxheri ... në poezinë popullore
O djemo
iso më mbani
u vra Lavdo
Kapetani
Gjyle hodhi
Amerikani
S’ju gjend
nami
As nishani.
.
O djemo
iso më mbani
Për lesh
vate
Kapetani
I kish fryrë
Në vesh
shejtani
Vate dëm
Muhojarani.
.
Dhe nashti
Të tjerat
dihen
Bie Lavdua
Dhjetra
ngrihen
Do gjëmonen
Këmba këmbës
E do venë
Në gop të s’ëmës!
.
Iku shokë
Lavdrimi
iku
Po vajton
Tërë
Kaqaniku!
Gopisti i NSHRAK-ut
gopistinshrakut@gmail.com
* * *
April 4, 2017
L(ul)azarati
“Lul, ke qënë ministër
dhe vizitoje Lazaratin, beson se qeveria teknike lufton hashashin…? Sa të
mësojnë zyrat ministrat…e kanë mbjellë dhe në saksitë e kryeministrisë”
Gazetari Artan Hoxha
pyet Bashën si ish- ministër të Brendshëm, që vizitonte dhe Lazaratin, nëse
beson se qeveria teknike lufton hashashin.
Sipas tij, sa të
mësojnë zyrat ministrat e rinj, çunat e hashashit e kanë mbjellë dhe në saksitë
e kryeministrit të qeverisë teknike.
Ndërkohë që i fut dhe
një thumb për marrëdhëniet me LSI dhe besimin se vetëm PS blen vota me para
hashashi, dhe jo bashkëqeverisësja LSI.
“Basha:”Qeveria teknike
do luftoje hashashin…”
Hej Luli, seriozisht e
ke?!!!!
Jo per gje, por ke qene
dhe minister i brendshem kur vizitoje Lazaratin.
Sa te mesojne dyert e
zyrave ministrat e qeverise teknike, cunat e hashashit e kane mbjelle dhe ne
saksite e kryeministrise….
Me qe jemi te hashashi…
Opozita eshte
shqetesuar se:
PS-ja do i perdor paret
e hashashit per te blere zgjedhjet!!!!
Po LSI-ja per cfare do
i perdor paret e hashashit?!!! Per te blere pasterma dashi tul e dhjam?!!!”,
shkruan në rrjetin social gazetari Hoxha.
* *
*
March 22, 2017
Sherr i egër në “Opinion”, Andrea Stefani – Zogajt: Je spiun!
Stefani: Je spiun!
Zogaj: Ta ngul akuzën m’u në ballë me gozhdë!
Dy analistët Andrea Stefani dhe Preç Zogaj janë
përplasur ashpër në emisionin “Opinion” të së enjtes.
Stefani e ka akuzuar Zogajn se është spiun.
Ndërkohë, ky i fundit i ka thënë se ka vendim
gjykatë se është i pafajshëm.
Debati
Andrea Stefani: Ti ke qënë spiun dhe nuk je analist.
Ti nuk ke lidhje me analistët
Preç Zogaj: Kam një vendim gjykatë këtu, që e kam
marrë me vete dhe nëse vazhdon të flasësh më do ta ngul mu në lule të ballit,
more vesh!
Shikoni Videon
* * *
P.S.
Pavarësisht se kjo video është publike dhe e xhiruar
me celular nga ekrani i TV (Kombëtar), Klan po kërkon ta bllokojë në youtube
ndaj ne po e publikojmë edhe këtu në blog. Do vijojmë edhe me video të tjera
publike nga tv Klan./ imazhe shqip
January 18, 2017
Gënjeshtra i ka këmbët… si të Gridës
Gënjeshtra i ka këmbët…
si të Gridës. OSBE përgënjeshtron PD-në
Partia Demokratike
akuzoi sot përmes Grida Dumës kryebashkiakun Veliaj se ditën e hënë nuk ka qenë
në Tiranë për t’u kujdesur për punën publike, por ka udhëtuar me charter privat
drejt Parisit.
Veliaj i mohoi akuzat,
duke publikuar axhenden e ditës së Hënë, ku deklaroi se mes të tjerave ishte
takuar edhe me ambasadorin e OSBE, Borschardt dhe atë austriak, Sattler.
Nisur nga këto replika
midis PD-së dhe Bashkisë së Tiranës, Dita kontaktoi me zyrën për media të
OSBE-së ku kërkoi një sqarim nëse kryebashkiaku Veliaj është takuar ditën e
hënë me ambasadorin Bernd Borschardt.
Në sqarimin e OSBE për
DITA thuhet:
“Ambasadori i OSBE-së
Borchardt dhe ai i Austrisë Sattler zhvilluan një takim me kryetarin e bashkisë
Veliaj më 16 janar, në orën 11:00, në mjediset e Bashkisë, për të diskutuar
projekte të përbashkëta në kuadër të kryesisë austriake të radhës të OSBE-së”.
* * *
December 19, 2016
December 8, 2016
Dy Mimi dhe një qymyr i djegur
Mimi Kodheli dhe Ursula Von Der Leyen
Sido që të jetë,
efektin si lajm prej “shoubizi” një titull grek mbi ministren e Mbrojtjes Mimi
Kodheli, e arriti. Sepse kurioziteti është i garantuar pavarësisht se kush e
thotë, kur dëgjon që Kodheli dikur, në fillim të viteve 90-të paska punuar si
balerinë në Athinë.
Pastaj, kur vëren që
kësi lloj llogjesh janë shkruar në një faqe online që quhet militaire.gr, e
kupton që reagimi nga ana tjetër e kufirit qenka “ushtarak”.
Njëfarë kthim restoje,
mesa duket, ndaj komentit ende të freskët të ministres ndaj homologut të vet të
çatrafiluar, që del para kamerave me uniformë ushtarake teksa takon ushtarët.
Për t’u thënë se “unë
jam një prej jush, mos më shihni si ministër nga halli, si patericë ekstra e
djathtë e një qeverie ekstra të majtë”.
Kurioziteti mund të
mbaronte këtu, sepse materiali në fjalë nuk ofronte asgjë tjetër veç një
fjalie. Duke vijuar pastaj me thirrjen që Kodheli të mos i bashkëngjitet
retorikës nacionaliste të kryeministrit të saj, sepse “ka ngrënë bukë” në Greqi
derisa i doli një shkollë në Amerikë.
Por problemi është që
paçavuren në fjalë, një çerek shantazhi i maskuar keq, e ka shkruar një gazetar
me përvojë të gjatë në mediat greke.
Autori është Paris
Karvunopulos, që e ushtron zanatin (jo të qymyrxhiut siç sugjeron mbiemri) e
gazetarit që nga viti 1986.
Paris Karvunopulos, autori i shkrimit
Referencën për
“balerinën Kodheli” ai thotë se e ka marrë nga kolegu i vet Kristos Kapuccis,
dhe vetëm kaq. Thjesht e përdor në një rresht dhe vazhdon me paralajmërimet e
veta.
Karvunopulos është
reporter i lajmeve ushtarake dhe ka punuar në disa media qendrore, pra nuk mund
të injorohet lehtë. Jo për gjë, por sepse përderisa e kanë përdorur në këtë
farë feje, domethënë se shantazhi është i porositur.
Ndoshta edhe nga
qypi-ministër Kamenos, (i djegur, përkthimi i mbiemrit të ministrit të
Mbrojtjes), që mbase zanati i balerinës i erdhi ndërmend për Kodhelin si
reflektim i problemeve personale me mbipeshën.
Ministri Panos Kamenos
Por përtej
thashethemeve rozë me politikanë e ministra, ironia është se Karvunopulos
nxjerr një koment-pseudolajm që pastaj xhiron edhe mediat e tjera online greke,
me etiketën e “skandalit shqiptar”.
Dhe shakaja qëndron në
faktin se Athina u skandalizoka me kësi titujsh, kur kryeministri i vet dhe
politikani historik Andreas Papandreu, e bëri hasha në mes të ditës dhe në krye
të detyrës familjen e vet dhe u marros pas një stjuardese, Dhimitra Liani.
Deri aty sa Dhimitra
(shtohet ironia: Shkurt i thonë Mimi) e vuri në darë Papandreun e shkretë dhe
erdhi puna që Mimi e tyre të bënte politikat në Pasok dhe të ulte e ngrinte
ministrat në qeveri.
Dimitra Liani Papandreu (Mimi)
E nxorrën Miminë me
dashnorë, e fotografuan nudo, madje në pozicione të sikletshme me qen e me
mace, çfarë nuk i thanë… Por ja që u sikletoskërkan nga Mimi shqiptare që
besojnë se mund ta njollosin përmes një rreshti paçavure.
Për t’u kthyer në
seriozitet, e vërteta është se ka një problem në koalicionin qeverisës grek.
Një shumicë të pamjaftueshme të majtë, e mban në këmbë një grusht votash të
Grekëve të Pavarur të Panos Kamenos.
Ky, i djeguri për
ministër Mbrojtjeje, me siguri nuk e ka pritur mirë reagimin (et) e Kodhelit
dhe në përgjithësi, Athina zyrtare po befasohet sesi ka mundësi që Tirana së
fundi thotë dhe ndonjë fjalë, dhe nuk rri lepe-peqe si qëmoti.
Për të forcuar profilin
e vet politik prej obezi luftarak, I Djeguri vuri veteranin Qymyrxhi ta bëjë
Mimin e Tiranës balerinë, duke pretenduar një skandal me fishekë manovre.
Ndërkohë që Mimitë e
Athinës e kanë qeverisur Greqinë për vite të tëra vetëm me një palë brekë.
Derisa erdhi puna që e lanë edhe pa to…
Dita
* * *
November 28, 2016
Mërgim Mavraj “shpall pavarësinë” në Vlorë
Në ditën e përvjetorit
të 104-t të shpalljes së Pavarësisë, nuk mund të mungonin urimet nga bota e
futbollit. Një pjesë e mirë e lojtarëve të Kombëtares përmes rrjeteve sociale
uruan shqiptarët në këtë ditë të shënuar.
Mes tyre, natyrisht,
edhe mërgim Mavraj. Mbrojtësi priti pak më gjatë se të tjerët, por, si përherë,
zgjodhi një mënyrë krejt të veçantë për të përkujtuar ngritjen e flamurit në
Vlorë.
Ai e ka vënë veten në
vend të Isa Boletinit, një ndër figurat e shquara të lëvizjes kombëtare. Me anë
të fotomontazhit, Mavraj e zëvendësoi portretin e patriotit kosovar me të vetin
në një pikturë së bashku me Ismail Qemali.
“Ditë gëzimi, qeshni pak”, shkruan 29-vjeçari në
postimin që shoqëron foton në “Facebook”.
* * *
October 16, 2016
Shoku Suslov Kërcënon
Redaksionale Dita
Të thuash se ishte një
deklaratë e llogaritur për konsum të brendshëm, për të qetësuar opinionin pas
“rebelimeve” të herëpashershme këtyre kohëve të fundit, të fqinjit të vogël
shqiptar, nuk bën vaki. Intervistat dhe pohimet mediatike të një ministri të
Jashtëm fluturojnë sa hap e mbyll sytë, nëse ai ka thënë diçka interesante. Ose
acaruese. E sidoqoftë, qesharake.
E tillë ishte deklarata
e djeshme e ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias lidhur me marrëdhëniet
greko-shqiptare, në kuadrin e një interviste më të gjerë.
Përgjithësisht, është
në natyrën dhe llojin e zanatit të një kryediplomati që edhe në momentet më të
tensionuara politike, të frenohet në qëndrime, në gjuhë dhe terminologji. Akoma
dhe në raste lufte, kryediplomati ja lë kërcënimet me numra trupash, teknologji
luftarake e fuqi ekonomike, tregtare etj, si dhe shantazhet direkte ndaj
kundërshtarit, të paktën një kolegu të tij më të azhornuar, fjala vjen
ministrit të Mbrojtjes. Apo shefit të Shtabit. Padyshim, kryeministrit të
parit.
Por zoti Kotzias
zgjodhi të deklarohej vetë. Duke qenë mesa duket i ndërgjegjshëm se vërtet
ligji i luftës është në fuqi, sado që Athina deri tani ka mëtuar ta zvogëlojë
peshën e tij si një relike juridike e kohërave të shkuara.
Çfarë tha ministri
Kotzias? Në një intervistë për gazetën “Ethnos”, mes shumë pyetjeve që kishin
të bënin edhe me marrëdhëniet me Shqipërinë, ra në sy një frazë:
“Greqia ia kalon
(Shqipërisë) në të gjitha fushat, ka 10-fishin e PBB, sisteme të forta të
mbrojtjes dhe të sigurisë. Shqipëria ka varësi të fortë ekonomike nga
emigrantët, investimet, tregtia. Kemi edhe përfaqësim asimetrik në arenën
ndërkombëtare dhe atë rajonale. Është
pra e udhës që disa njerëz të bëhen realistë dhe të kontribuojnë në
marrëdhëniet me interes reciprok dhe në zgjidhjen e çështjeve të hapura, përmes
të drejtës dhe traditës ndërkombëtare dhe europiane…”.
E kishte këtë mesazh
për qeverinë shqiptare që po i mëshon ca si shumë çështjes çame.
Prandaj, shtoi ai, “të
zgjidhim problemet me vendet që aspirojnë të hyjnë në Europë, përpara se të
fillojnë negociatat me BE-në, kjo është në interes të tyre”. Këtu fillon
kontradikta. Sepse nëse për Greqinë çështja çame nuk ekziston, i bie që
s’paskemi probleme për të zgjidhur?! E në të kundërt, do vënë veton ndaj
integrimit tonë në BE?
Por kontradiktat lidhur
me personin e ministrit të Jashtëm, ashtu si dhe me qëndrimin grek për disa
çështje lidhur me Shqipërinë, nuk mbarojnë këtu. Është e tepërt të kujtojmë se
si janë dëbuar si bashkëpunëtorë të thekur të gjermanëve, mijra të moshuar e
fëmijë, gra e burra shqiptarë çamë në vitin 1945. Fotot dhe disa pamje filmike
të kohës e dëshmojnë qartë “pronazizmin” e tyre. Ndërsa që dëbimi është
organizuar nga forcat e Zervës, aleate të nazistëve, dhe “batalionet e
sigurisë” gjithashtu pronaziste, është harruar si fakt.
Ndoshta pro-nazistë do
kenë qenë dhe shqiptarët e dëbuar që në 1913, pastaj me radhë çdo pak vite,
deri në paktin e Lozanës kur grekët i paketuan si “turq” dhe i nisën drejt
Turqisë pas marrëveshjes së këmbimit të popullsisë më 1923.
Është e qartë se e
mësuar me një vend që e kanë bërë çorap këto 20 e kusur vite, Athina zyrtare
është kapur ‘pa mendje’ nga disa qëndrime të qeverisë shqiptare këto 3 vitet e
fundit. Që ka kërkuar qartë dhe ftohtë, pa emocione, heqjen e ligjit qesharak
të luftës dhe detyrimin grek për të njohur dhe dhënë një zgjidhje dramës së
çamëve. “Epo kur u bënë dhe këta!”, do
kenë thënë me vete një apo disa koka të shqetësuara, “po përfitojnë nga kriza
jonë dhe po hedhin vickla”.
Dhe duket se mesazhin e
parë paralajmërues vendosi ta japë Kotzias. Sjellje e padenjë, nga i njëjti
vend që deri tani ka reaguar si një i vogël i nëpërkëmbur padrejtësisht prej
fuqive të mëdha, kryesisht prej Gjermanisë, kur vjen puna tek kriza e rëndë
financiare dhe ekonomike e Greqisë.
E pra, Nikos Kotzias
mund të thuhet se ka një formim kulturor e arsimor gjerman. Ka studiuar aty, i
arratisur pasi ishte në kërkim nga junta greke si veprimtar i Partisë Komuniste
greke. Madje dha kontribut në formësimin e bazës teorike të partisë, duke marrë
nofkën “Susllov”, sipas kryeteoricienit sovjetik të kohës së Hrushovit.
Por nuk është
pro-gjerman, përkundrazi, e sheh këtë vend si fuqinë e re imperialiste të
Europës. Nga komunistët u nda në vitin 1989, pasi nuk ishte dakord që PK të
jepte votat për rrëzimin e qeverisë socialiste Papandreu, të mbërthyer nga disa
skandale korrupsioni.
Themeloi një grup
tjetër të majtë, dhe nga nofka “Susllov” i mbeti dashuria për Rusinë, që e sot
e maskon me tezën se Greqia duhet të forcojë marrëdhëniet me vendet e BRIK-ut
(Brazil, Rusi, Indi, Kinë). Deri aty sa ditën e marrjes së detyrës aktuale për
herë të parë, kundërshtoi sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për krizën e Ukrainës.
Në këtë mini-biografi
të Nikos Kotzias duhet shtuar se ka dhënë kontribut në shkrirjen e akujve dhe
ngritjen e urave të bashkëpunimit me Turqinë, madje ishte anëtar i komisionit
të BE-së që rregulloi marrëveshjen për statusin kandidat të Turqisë. Nuk është
regjistruar ndonjë “kërcënim” i tij ndaj këtij vendi me këtë rast, si kusht për
të ndihmuar Ankaranë të marrë statusin.
Mesa duket, Ankaraja, e
as ndonjë kryeqytet tjetër i madh, nuk janë adresa e duhur për të përmendur
“sistemet e forta të sigurisë dhe mbrojtjes”. Tirana po. Duke zgjedhur edhe të
harrojë faktin që të dyja vendet tona janë anëtare të NATO-s. Ashtu siç harron
se shqiptarët në Ballkan nuk kanë vetëm Tiranën për kryeqytet.
Në fund, duhet pranuar
se ministri “Susllov” për hir të së vërtetës, akuzohet nga opozita greke se ka
bërë disa lëshime të fshehta kundruall shqiptarëve. Nuk thuhet se cilat janë
këto, por nga ana tjetër të djathtëve grekë mund t’u duket lëshim edhe vetëm
fakti i përmendjes së termit “çështje çame” në një tryezë zyrtare.
Nëse tregimi
disarreshtash i muskujve kundrejt Tiranës nga ana e ministrit të gabuar, ishte
thjesht një adresim gjithashtu i gabuar për shkak të nervozizmit ndaj akuzave,
kjo mbetet për t’u parë. Por ajo që kuptuan shqiptarët dhe Ballkani nga kjo
deklaratë, ishte e kundërta që asaj që një goxha ministër si Kotzias (theksi te
A-ja) deshi të përçonte.
Po. Për fat të mirë,
askush nuk u tremb…
* * *
August 31, 2016
Izet Haxhia: Sali Berisha, Kush është babai yt i vërtetë?
Një thirrje e
“befasishme” e deputetit Sali Berisha për hetimin dhe dënimin e krimeve serbe
në Kosovë përmes një komisioni të posaçëm të OKB-së, shkaktoi dje reagimin e
ish-truprojës së tij Izet Haxhia, me një reagim në facebook. Faktikisht ky
patriotizëm pas të vjeli, erdhi si “ngacmim” ndaj mbërritjes në finalen e
kandidatëve për sekretar të Përgjithshëm të OKB-së, të ish ministrit të jashtëm
serb Vuk Jeremiç.
Po pasqyrojmë më
poshtë reagimin e parë të Izet Haxhisë:
“Na paska kërkuar “patrioti” i madh, dhandrri
i Serbisë e i biri biologjik i partizanit serb që u strehua në kullën e tij në
Viçidol në vjeshtën e vitit 1943, të dënohen krimet serbe në Kosovë e të
krijohet një komision i posaçëm në OKB për hetimin e tyre. A ka hipokrizi më të
madhe se të dëgjosh një deklaratë të tillë nga ai që ndoqi e persekutoi,
burgosi e zhduku me SHIK-un e tij famëkeq, luftëtarë e patriotë, pjesëtarë të
bërthamave të para të rezistencës kundër pushtuesit serb të strehuar në atdheun
mëmë, që u futi armë me anë të SHIK-ut në shtëpitë ku banonin, ku i spiunoi po
me anë të SHIK-ut e bashkëpunëtorëve shqiptarë në Kosovë tek patronët e tij
serbë. Flet për krime e genocid ndaj shqiptarëve ai që u bë arteria kryesore e
makinës vrasëse të Milosheviçit, duke e furnizuar me naftë e armë. Harroi ky i
paftyrë se nën petkun e trafikimit të armëve relike në Norvegji, dërgoi
tonelata armatim për paramilitarët e vëllait të tij biologjik Radovan Karaxhiç
për të vrarë civilët në Bosnje. Harroi që me anë të firmës së partisë së tij
“Shqiponja” ndërtoi në çdo km në veri nga një karburant që dërgonte naftë pa
ndërprerje për vëllain e tij, vrasësin e shqiptarëve Milosheviçin. Harroi kur
takohej fshehurazi në Krans Montana me ministrin e jashtëm serb dhe nga ana
tjetër për t’u dukur si “patriot” i madh dilte e deklaronte se duhej bombarduar
Beogradi. O Tempora o Mores. Çfarë hipokrizie që na dëgjojnë veshët këto 26
vjet nga ky njeri. Dhe duke menduar se ka akoma patriotë budallenj që i besojnë
“patriotizmit” të këtij bastardi, në Kosovë e Shqipëri, kur flamurin e
nacionalizmit e marrin sharlatanë të tipit Kreshnik Spahiu që ushqehet me
paratë e një terroristi si Gulen, mendoj se dita e arritjes së aspiratës sonë
për bashkim kombëtar është akoma e largët”.
Akuzat e forta të Izet Haxhisë ndaj ish
presidentit -kryeministrit-kreut të PD-së Berisha janë bërë prej kohësh
publike. Por nuk mund të mos ngjallnin kureshtje në këtë tekst të Izetit,
veçanërisht pjesët: “dhandrri i Serbisë e i biri biologjik i partizanit serb që
u strehua në kullën e tij në Viçidol në vjeshtën e vitit 1943”, dhe në vijim,
“vëllai i tij biologjik Radovan Karaxhiç…”.
DITA kontaktoi me Izetin për ta pyetur se
çfarë nënkuptonte ai me këtë “lojë fjalësh”; a mos ishte një romuz për shkak të
ngjashmërisë vërtet të dukshme mes Berishës dhe Karaxhiçit? Izet Haxhia na
dërgoi sqarimin e mëposhtëm, që vërtet do ta vërë lexuesin në mendime:
“Ja si qëndron çështja. Unë e kam dëgjuar me
kohë historinë që do ju tregoj më poshtë, por nuk e besoja. Thoja me vete është
shpifje komunistesh, por në fakt këtë ma ka rrëfyer një i afërm i fisit
Berisha, një burrë i moçëm që është dhe i afërm i imi.
Historia ka qenë kjo.
Në vjeshtën e vitit 1943 një partizan i plagosur serb ishte strehuar për disa
muaj në kullën e Berishajve në Viçidol. Pasi e merr veten ky partizani, lind
një afeksion me nënën e Saliut, asokohe vajzë e re. Kini parasysh një zonë të
izoluar, ku i jati i Salës shkonte me bagëtitë gjithë ditën dhe vinte në
mbrëmje…
Por kjo lidhje diktohet
nga Zeqir Halili, xhaxhai i Saliut, që ka qenë një burrë i mençur dhe
diskutojnë një darkë me burrat e tjerë të fisit, për ta vrarë partizanin serb
që u kishte prekur nderin. Kjo bisedë dëgjohet nga Sheqerja, e ëma e Salës, e
cila njofton partizanin serb që të largohet menjëherë. Zeqiri merr pushkën e
hap zjarr nga penxherja, në dhomën ku flinte partizani serb. Por shtiu mbi
krevatin bosh. Ai ia kishte mbathur pas njoftimit në kohë.
Duke lidhur disa fakte,
dhe duke pasur parasysh që ky partizani serb (serbo-boshnjak) ka qëndruar në
muajt shtator-tetor e nëntor në kullën e Berishës në vitin 1943, e kuptojmë
arsyen e ndryshimit të ditëlindjes së Berishës. Ai është lindur në të vërtetë
në 1 korrik 1944, por më pas e shënoi 15 tetor 1944….
Po ju them dhe këtë:
Ndoshta Berisha i trembur nga ngjashmëria e tmerrshme që kishte me Radovan
Karaxhiçin, i cili fati e kishte bërë të ishte i biri i një partizani serb nga
Bosnja që ishte strehuar në kullën e Berishajve në Viçidol në atë vjeshtë të
1943-it…
Si është puna me të
atin e Radovanit? Ai ka qenë një çetnik, por në fakt bashkëpunëtor i
kundërzbulimit partizan të Titos, OZNA (pastaj UDB) që e përdori këtë të jatin
e Radovanit për të futur në kurth çetnikët serbë pas luftës, sepse në atë kohë
Tito po i luftonte çetnikët nacionalistë që i rrezikonin pushtetin. Ka dhe një
fakt, kur ka filluar të merret me politikë Radovan Karaxhiçi, janë ngritur
çetnikët që ishin në diasporë dhe i kanë thënë që babai jot (i Radovanit) ka
futur në kurthin e UDB-së Drazha Mihajlloviçin, që ishte shef i çetnikëve dhe u
pushkatua nga Titoja në 1946…”
Nga disa verifikime në
internet, del se babai i Radovanit të lindur në 19 qershor 1945, Vuko Karaxhiç,
vërtet ka qenë në fillim me çetnikët, dhe “në mënyrë të pakuptueshme më vonë
kaloi me partizanët… Ai u martua me Jovankën 20 vjeçare në vitin 1943, me të
cilën pati pesë fëmijë… Pas lufte bëri 5 vjet burg pastaj u lirua…”.
* * *
Labels:
Foto Lajm,
Fotopolitika
Location:
Belgrade, Serbia
Subscribe to:
Posts (Atom)






















