Shënime nga Ditari i
Doktorit:
Shqetësimi me vend i Bardh Kadillarit
Sot më ka ardhur një
letër prekëse nga Bardh Kadillari. E kisha harruar Bardhin nga rrëmujat e
ndryshimeve të fundit. Më paraqiste një sërë ankesash të drejta, për të cilat
ka mirëkuptimin tim. Po e ndaj me ju përmbajtjen e letrës.
“I nderuar Doktor!
Po të shkruaj i
shqetësuar nga zhvillimet e fundit dhe pakujdesia me të cilën po injorohen
kontributet tona në Partinë Demokratike.
Unë personalisht, siç
dhe ua kam shprehur më parë, kam qenë gjithnjë i gatshëm të kontribuoj sa herë
më është kërkuar për të mirën e partisë dhe për këtë nuk kam kërkuar shpërblim.
Por ju megjithatë keni qenë i vëmendshëm dhe më keni shpërblyer.
Ajo që po ndodh tani
është shumë e rëndë.
Me siguri ju e mbani
mend kontributin tim të orëve të fundit në parlamentin e shkuar, Komisionin e
Veshit. Skandali i Edi Ramës me veshin në mes të Vjenës u bë objekt i një pune
serioze të komisionit tim parlamentar dhe hetimet tona avancuan në një masë të
kënaqshme. Ne arritëm të provojmë se Edi Rama i ka shkulur Eginit cepin e
poshtëm të veshit të djathtë dhe kjo ishte e qëllimshme, pasi aty i kishte të
dy veshët dhe mund t’i shkulte të majtin. Po ashtu ne vërtetuam se pasi veshi
iu shkul, u skuq dhe skuqja depërtoi nga cepi i poshtëm drejt mesit dhe nga
anët. I dëmtuari mori ndihmë të parë nga këshillat që i dha një kalimtar për
t’i vënë një pecetë me ujë të ftohtë mbi vesh. Hetimet zbuluan dhe gjëra të
tjera të rënda që kishin të bënin me paramendimin e Edi Ramës për t’i shkulur
veshin, dhe siç po vërtetohet tani dhe me përpjekjen për ta përdorur këtë
ngjarje për të promovuar miqtë e tij.
Në këto kushte unë
kam disa vërejtje të forta për lidershipin e ri të PD-së, i cili e ka braktisur
këtë kauzë dhe e ka injoruar kontributin tim në këtë çështje.
Së pari, Edi Rama
shpërndau një fotografi ku kishte kapur nga veshi Fevziun pas intervistës së
tij të fundit në TV Klan dhe PD nuk reagoi. Duke ngatërruar rezervat që ka PD
ndaj Fevziut me dëmin që i bënte çështjes denigrimi i kauzës së veshit, Edi
Rama ia arriti ta kthejë këtë në një çështje joserioze. Lideri i ri i opozitës
duhet të kishte reaguar fuqishëm ndaj këtij akti dhe duhet ta kishte dhe temë
të debatit brendazgjedhor të PD-së. Kjo gjë më la shije të hidhur.
Skandali i dytë ishte
emërimi i Fate Velajt në kryeministri. Emërimi i tij tregon se skandali i
Veshit ishte i mirëpërgatitur prej tij me një skenar që të nxirrte në pah
vlerat e tij opozitare me qeverinë. Pas skandalit të veshit, ai u thirr prej
meje për të dëshmuar dhe e ktheu dëshminë në një çështje politike. Pas kësaj,
ai u bë këshilltar i kryeministrit. PD duhet të kishte reaguar fort, por nuk
pati asnjë reagim dhe kjo gjë më dëshpëroi shumë.
Skandali i tretë ka
të bëjë me Ditmir Bushatin.
Për ta poshtëruar
fare kauzën time të hetimit të skandalit të veshit, Bushati, ky pinjoll komunisti,
ka nxjerrë një urdhër që kryetari i opozitës të trajtohet si ministër.
Ky skandal bëhet për
të injoruar tërësisht kauzën e veshit dhe të tregojnë se ne liderin e opozitës
nuk do ta sulmojmë më kur të dalë në Evropë. Biles më keq se kaq, do ta trajtojnë
si ministër.
Ky vendim varros
përfundimisht kauzën time dhe i bën një dëm të madh Partisë Demokratike.
Fakti që kryetari i
PD nuk ka reaguar dhe nuk e ka refuzuar këtë privilegj, tregon se ai nuk është
një njeri që mendon politikisht, por një njeri meskin, që shikon hallet e tij.
Duke qenë i
ndërgjegjshëm se ju jeni udhëheqësi ynë i vërtetë, që nuk do ta kishit pranuar
këtë privilegj të ofruar nga armiqtë, shpresoj që të reflektoni duke ia
përcjellë konsideratat e mia kryetarit të ri të PD-së që ka shitur kauzën time
për një makinë ambasade, që do ta presë në aeroportet e Holandës dhe Brukselit.
Me respekt,
I yti përgjithmonë,
Bardh Kadillari.
Kryetar i Komisionit
të Veshit”.
Të dashur miq, nuk
kam asnjë koment. Bardh Kadillari ka të drejtë. Dhe Luli duhet të reflektojë.
Përpara!
Un do e kisha vu ket ke komisioni i hundes ;-)
ReplyDelete