“As rrahjet me thupra,
as arma, as topi, as mërgimi, as burgimi, as edhe vetë vdekja nuk i tund nga
vendi”.
Folësi ishte një
shqiptar i ri në moshë që një pjesë të shkollës e kishte bërë në SHBA. Ai është
rikthyer tani në vendin e tij, ku po punon me zell të madh. Është një prej të
paktëve njerëz të arsimuar në Shqipëri, por synon që brezi i ardhshëm të mos i
numërojë me gishta burrat dhe gratë e arsimuara të Shqipërisë.
Fjalët e përmendura më
sipër u paraprinë prej këtyre:
“Për momentin, nga
veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të Shqipërisë, të gjithë klasat e
njerëzve – muslimanë dhe të krishterë qofshin – kanë një dëshirë, pothuajse një
pasion për arsimin kombëtar. Të gjithë ata e kuptojnë që, ashtu sikurse në të
kaluarën shpata ishte simbol i fuqisë, sot arsimi është perëndesha e fuqisë,
dhe ata do të arsimohen, pavarësisht persekutimit”.
Shqiptarët janë
vetëdijësuar për nevojën që kanë për qytetërimin dhe progresin perëndimor. Por,
që nga dita e parë e miratimit të Kushtetutës së re otomane, turqit e rinj
ishin të vendosur që qytetërimi duhej të vinte tek shqiptarët, vetëm pasi të
kishte kaluar në një sitë turke dhe mohamedane. Ky program nuk mund të pranohej
nga shqiptarët, edhe sikur turqit e rinj të kishin qenë në gjendje ta vinin në
zbatim.
Shqiptari është
europian: për më shumë se dy mijë vjet ka jetuar atje ku jeton tani – në
fortesat e Epirit dhe Ilirisë, përtej Adriatikut paralel me thembrën e Italisë.
Në fillim të shekullit
të nëntëmbëdhjetë, shqiptarët u përzienë me fqinjët e tyre jugorë, grekët dhe
ishin shtylla kurrizore e luftës për pavarësinë e Greqisë. Bashkatdhetarët e
Marko Boçarit emigruan të gjithë në Cefaloni, në brigjet e Greqisë, por afro 2
milionë shqiptarë më të pafatë jetojnë tashmë nën sundimin turk.
Gjatë 125 viteve para
zbulimit të Amerikës, republika krenare e Venecias kishte një supremaci
dashamirëse mbi qytetet shqiptarë të bregdetit dhe kështu që e vonoi me një
shekull dominimin turk.
Me rënien e Skutarit në
Shqipëri dhe dëbimin e venecianëve nga turqit në vitin 1748, këta të fundit
filluan sundimin e tyre– shekuj të tërë mashtrimi, bese të thyer dhe mizorie.
Rezultati i sundimit
turk mund të përmblidhet me zhytjen më thellë të shqiptarëve në varfëri,
supersticion, dhe etje për gjak, për shkak të terrenit pjellor që garantonin
historia malore dhe tiparet primitivë.
Përgjatë dy
mijëvjeçarëve, valët dhe impulset e progresit nuk e kanë arritur shqiptarin,
ose e kanë anashkaluar, duke e lënë të paprekur.
national geographics
Kopertina e National
Geographic e Nëntorit 1912, ku është botuar reportazhi për shqiptarët
Hakmarrja praktikohet
ende
Sot, ashtu si në të
kaluarën, është e vërtetë që një në pesë malësorë flijohen prej hakmarrjes së
tmerrshme, që vetëm qytetërimi mund ta çrrënjosë nga jeta e shqiptarit. Të qëllosh
një person, edhe tinëz, është çështje e marrjes së gjakut. Asgjë tjetër nuk
mund ta kthejë nderin e plagosur. Nëse nuk vritet vetë vrasësi, atëherë një
prej të afërmve duhet të jetë viktima, e kështu nis zinxhiri i pafund. Kur
hakmarrja ka shkuar shumë larg, mund të blihet nëse ke para të mjaftueshme, ose
mund të ndalet përmes disa prej kompleksiteteve të kodit të shqiptarit.
Askush nuk duhet të
flasë për shqiptarin si njeri pa ligje. Ai zbaton në mënyrë skrupuloze atë që
njeh dhe pranon: por, këta janë ligjet që i kanë dhënë natyra dhe zakonet, si
dhe natyra e paraardhësve të tij shekuj më parë, të “kodifikuar” disi në
shekullin 15, ndonëse edhe sot e kësaj dite nuk janë hedhur asnjëherë në letër.
Disa prej rregullave të
çuditshëm që udhëheqin jetën e tij janë: Persona që e kanë prejardhjen nga një
stërgjysh i përbashkët mashkull, përmes linjës mashkullore, e konsiderojnë
njëri-tjetrin vëllezër, ose vëlla e motër, e si pasoja martesa brenda fisit
përjashtohet. Të rinjtë mund të betohen për vëllazëri, dhe kjo krijon një
marrëdhënie që i nënshtron të dy, bashkë me pasardhësit e tyre të disa brezave,
para të njëjtëve ligjeve martesorë që rregullojnë edhe lidhjet e gjakut.
Personat që kanë të
njëjtin kumbar nuk mund të martohen, dhe ka dy lloj kumbarësh: ai i pagëzimit
dhe ai i flokut. Kur një fëmijë, vajzë apo djalë, mbush 2 vjeç, flokët e tij që
deri atë çast nuk janë prekur prej gërshërëve, priten me ceremoni. Prerjen e
kryen kumbari, që më pas, nëse fëmija është i krishterë lë nga një tufë flokësh
për secilën majë të busullës duke krijuar një kryq. Nëse është mysliman, tri
tufa për të formuar një trekëndësh. Në rastin e hakmarrjes, burri nuk duhet
prekur nëse shoqërohet nga një fëmijë apo një grua.
Personalitet i
pathyeshëm
Sot, shqiptari është
personaliteti më piktoresk në Europë. Megjithatë, po aq interesante sa tiparet
e tij, është edhe e ardhmja e tij politike. Kohët e fundit është shfaqur
vetëdija kombëtare shqiptare që refuzon të shtypet. Nën qeverisjen jonormale të
turqve, racat e ndryshme të krishtera të Perandorisë, si armenët otomanë,
bullgarët otomanë dhe grekët otomanë, kanë secila ekzistencën e tyre kombëtare,
një shtet brenda shtetit, ndonëse gjithmonë të nënshtruar vullnetit të turqve.
Shqiptarët, ndonëse në
përgjithësi kanë zhvilluar një lloj besnikërie myslimane që u jep një pothuajse
solidaritet me turqit, janë të vendosur që të kenë edhe ata një entitet
kombëtar.
Ndonëse janë të
mallkuar me prapambetjen që ka shoqëruar pak a shumë kudo besimin mohamedian,
liderët e tyre e kuptojnë se nuk janë një racë orientale, por perëndimore. Se
tiparet e tyre turko-mohamedianë janë një lustër, dhe se do të mjaftojë një
brez me arsimin e duhur për të bërë kërcimin e madh përpara dhe për të zënë vendin
e tyre mes racave të qytetëruara të gadishullit të Ballkanit.
Jo i papajtueshëm me
nacionalizmin e ri shqiptar – madje mund të jetë arsyeja e tij – është fakti që
shqiptari është një prej anëtarëve më individualistë të racës njerëzore.
Po të mos kish qenë i
tillë, ai do e kishte humbur shumë kohë më parë identitetin e tij, duke u
shkrirë me popujt e ndryshëm që përgjatë kohërave u kanë ardhur rrotull maleve
shqiptare. Pavarësisht sulmeve të vazhdueshëm të romakëve, gotëve, serbëve dhe
bullgarëve dhe 350 viteve dominim të Turqisë, shqiptari e ka ruajtur
individualitetin e tij të pathyeshëm.
Crispi, burri i shtetit
italian ka qenë me prejardhje shqiptare. Ai ishte pjesëtar i kolonisë së madhe
të shqiptarëve në Sicili dhe Italinë e jugut, paraardhësit e të cilit, afro
njëqind mijë, emigruan kur Turqia pushtoi Shqipërinë. Edhe sot e kësaj dite,
shqiptarët e Italisë e ruajnë prejardhjen e tyre.
Mosgatishmëria ose
paaftësia e shqiptarëve për të ndryshuar individualitetin e tyre reflektohet
tragjikisht në ekzistencën e vazhdueshme të sistemit fisnor shqiptar dhe
grindjet e përhershme mes fiseve. Si rezultat, Shqipëria nuk ka mundur të
paraqesë një front të bashkuar kundër një armiku të përbashkët.
Vetëm një hero i madh
bashkues kombëtar ka dalë për shqiptarët – Skënderbeu.
Ai vdiq në vitin 1467,
pasi fitoi 21 beteja kundër turqve. Vdekja e tij e la Shqipërinë pa udhëheqës,
dhe shqiptarët trima që nuk njihnin besnikëri apo ligj tjetër përtej atij të
familjes dhe klanit, ranë në sundimin e Mehmetit II, pushtues i
Kostandinopojës. Mehmeti mundi t’i shtypte, por jo t’i nënshtronte shqiptarët.
As edhe sulltanët e mëvonshëm nuk kanë arritur ta plotësojnë këtë dëshirë të
madhe.
Më e mira që mund të
bënin ishte t’i bënin për vete, dhe deri në ditën e fundit të tiranisë së Abdyl
Hamitit, shqiptarët trajtoheshin si popull i veçantë. Hamiti ua bleu
besnikërinë duke mos u vënë taksa, duke frenuar rekrutimin ushtarak dhe duke
përzgjedhur më të mirët e këtyre malësorëve të ashpër si truprojat e tij
personale.
Turqit e rinj ishin të
pamëshirshëm
Kur pas vitit 1908,
turqit e rinj kishin miratuar Kushtetutën e tyre dhe po përpiqeshin me shumë
mundime të vinin rregull në Perandorinë otomane, trajtimi i Shqipërisë ishte
një prej problemeve më delikatë. Duhej të ishte bërë më me kujdes.
Përmes një trajtimi
delikat, përmbushjes së premtimeve dhe shfaqjes se një simpatie të drejtë për
aspiratat e një race injorante por shumë të zotë, turqit e rinj do të kishin
qenë në gjendje të ngrinin dhe forconin në provincën e Shqipërisë një barrierë
të padepërtueshme ndaj agresionit europian.
Në vend të kësaj, ata
kanë ndjekur një rrugë që është përshkruar siç duhet nga korrespondenti në
Kostandinopojë i “Times”-it të Londrës, si politika e rulit me avull. Duke
injoruar këshillat e çdo politikani me përvojë, turqit e rinj nxituan t’i
“trajtonin” shqiptarët njësoj si fshatarët injorantë turq në Azinë e Vogël.
Asnjë strategji tjetër nuk do të kish qenë më e pavend dhe më e destinuar të
dështonte.
Shenjat e para te nje
kundershtimi u dhane që ne vjeshtën e vitit 1909, por duhej të vinte pranvera e
vitit 1910 që një revoltë të merrte përmasa serioze. Në 5 prill të atij viti,
shqiptarët myslimanë të skajit verilindor të Shqipërisë rrëmbyen armët kundër
qeverisë. Për pak ditë rebelët mbajtën Kaçanikun, por 50 mijë trupa turke u
dërguan menjëherë në rajon dhe lëvizja u shtyp. Ajo pati një karakter lokal dhe
nuk kishte organizim. Shqipëria si e tërë nuk ishte qëllimi i saj.
Megjithatë, turqit e
rinj menduan se kishte ardhur koha t’u jepnin një mësim shqiptarëve të
pabindur. Trupat që ishin mbledhur për të shtypur kryengritjen marshuan nëpër
Shqipëri. Një divizion shkoi në perëndim, në Shkodër. Ata përshkuan rrugë
malore që për breza të tërë ishin mbyllur për këdo që udhëtonte i shoqëruar nga
një ushtar turk, sepse shqiptarëve nuk u pëlqente uniforma e autoritetit turk.
Por tani malësorët, të zënë në befasi, do të çarmatoseshin.
Pas shtypjes që kishin
pësuar sivëllezërit e tyre, më të paktë në numër dhe të gjendur përballë
automatikëve – një tmerr i pazakontë për shqiptarët e thjeshtë – nuk kishte
shpresë për rezistencë. Armët e tyre – krenaria dhe zotërimet – iu morën, dhe
shqiptarëve iu “dha një mësim” mizor. Një tjetër divizion i forcave turke
marshoi në jug dhe penetroi në luginat paqësore të Shqipërisë.
Në Elbasan, udhëheqësit
intelektualë të Shqipërisë së Re kishin hapur një shkollë normale. Ata po
përpiqeshin të përgatisnin shqiptarët që të bëheshin mësues të bashkatdhetarëve
të tyre injorantë në të gjithë vendin. Përdornin gjuhën shqipe dhe, sipas
votimit të një kongresi shqiptar të një viti më herët, e shkruanin këtë gjuhë –
një gjuhë europiane – me shkronja latine.
Nën Abdul Hamitin, çdo
përpjekje për të shkruajtur apo dhënë mësim në gjuhën shqipe ishte shtypur.
Vetëm në shkollat e misioneve austriakë dhe italianë në veri të Shqipërisë, ku
ofrohej propaganda austriake dhe italiane, dhe jashtë survejimit të Sulltanit,
kishte qenë e mundur që shqiptarët të studionin në gjuhën e tyre.
Sa për një alfabet,
politikanët austriakë që mbështesin punën misionare të priftërinjve austriakë
dhe nuk pushojnë asnjëherë së çuari përpara skemat austriake, shihnin me dyshim
nga një e ardhme për Shqipërinë, liderët e të cilës të mësuar në Itali apo
Austri do të bashkoheshin nga një gjuhë dhe alfabet i përbashkët. Kështu u
krijua një alfabet i gjatë dhe iu ofrua fëmijëve në shkollat e misioneve
austriakë.
Kjo do të ndihmonte për
të krijuar të çara për të ardhmen, kur Austria shpresonte që do të trashëgonte
këtë tokë dhe do të kishte të nevojshme të përdorte tiraninë e saj dinake për
të austrianizuar shqiptarin.
Shkolla normale e
Elbasanit, me alfabetin e saj latin dhe e çliruar prej propagandës së huaj
ishte një rreze drite në errësirën e Shqipërisë. Ajo nuk kishte ndarje fetare –
myslimanët dhe të krishterët ishin vëllezër pa dallim. Themeluesit kishin vetëm
një qëllim, lartësimin e racës shqiptare. Ata nuk ishin revolucionarë në
kuptimin politik të fjalës. Ata donin të bashkëpunonin me qeverinë e turqve të
rinj, dhe vetëm kërkonin që zbatimi i kushtetutës së re të kishte diçka të
përbashkët me premtimet e saj themelorë.
Por kur ushtarët turq
erdhën në Elbasan në verën e vitit 1910, u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Të
gjithë ata që shiheshin se kishin lidhje me shkollën normale apo simpatizonin
përparimin e saj u ndoqën, u sollën para autoriteteve ushtarakë dhe u rrahën në
një mënyrë shumë mizore për t’u rrëfyer.
Rrahja me thupra dhe
kamzhik u zbatuan për shumicën e njerëzve të iluminuar në Elbasan. Financieri i
shkollës normale u fshikullua përtej çdo imagjinate. Drejtori dhe shumë prej
mësuesve u arratisën. Autoritetet ushtarakë kërkuan dhe rrahën personat
përgjegjës për një telegram që ishte dërguar në drejtim të Kostandinopojës, ku kërkohej
që mësimi në shkollat shqiptare duhej bërë në gjuhën shqipe dhe me gërma
latine.
Më tej ushtarët
marshuan për të bërë punë të tjera “pasi kishin mbyllur atë shkollë dhe u
kishin dhënë shqiptarëve një mësim për t’u mbajtur mend”.
Kryengritjet e shqiptarëve
Me kalimin e 1910,
telashet nisën të shtohen për turqit në kancelaritë e Europës, sidomos për
skandalin e orgjive të ushtrisë në Shqipëri dhe mbylljen e shkollës normale,
ashtu sikurse dhe për çarmatimin brutal të të krishterëve në Maqedoni. Në
Europë ekzistojnë gjithmonë disa palë, interesat politikë të të cilave mund të
çohen përpara duke përkrahur të shtypurit. Dhe ndonëse ishin motive hipokritë
ata që vunë në lëvizje shumë burra shteti europianë që ndihmuan për shfaqjen
hapur të këtyre ngjarjeve, e vërteta e bëmave të turqve të rinj në Shqipëri dhe
Maqedoni gradualisht u bë e njohur për të gjithë.
Turku i ri ishte
shfaqur tamam si biri i babait. Udhëheqësit panë që kishin bërë një gabim, por
ata nuk do ta pranonin dhe ngjarjet e mëvonshme kanë treguar se nuk ndërruan
mendje. Në prill 1911 ndodhi një kryengritje e malësorëve në provincën e
Shkodrës, në veriperëndim të Shqipërisë përgjatë kufirit me Malin e Zi.
Revolta ishte një prej
përpjekjeve të parakohshme dhe të pafata të një populli të dëshpëruar dhe trim,
por të përçarë, për t’u hedhur kundër zgjedhës së patolerueshme. Në vend të
shndërrohej në një revoltë të përgjithshme, kryengritja mbeti e kufizuar në
skajin më verior të Shqipërisë.
Patriotët e vërtetë të
të gjithë Shqipërisë i hedhin tutje dallimet fetare dhe fisnorë kur gjenden
përballë fakteve të mëdhenj të një trashëgimie të përbashkët dhe kundër një
zgjedhe të përbashkët. Ata, pjesëtarët e arsimuar të racës së tyre, po luftonin
fort vitin që kaloi për një përpjekje të përbashkët në kërkim të drejtësisë për
të gjithë Shqipërinë. Fatkeqësisht, këta udhëheqës ishin të keqorganizuar, pa
financime dhe pa përvojë. Ata nuk morën mbështetje prej pjesës më të madhe të
fiseve myslimanë, shumë prej të cilëve, megjithatë kishin qenë kaq të çarmatosur
saqë nuk mund të mendonin të bashkoheshin në një rebelim.
Mirditorët katolikë,
një fis i fortë në jug të Shkodrës kishin pak pushkë, të gjitha të vjetra dhe
hezituan të vijnë në ndihmë të revoltës së malësorëve, deri kur ishte shumë
vonë.
Mali i Zi ishte shtylla
mbështetëse e kryengritjes, përmes mbështetjes që ai dhe qytetarët e tij i
dhanë refugjatëve shqiptarë të cilët dimrin e mëparshëm kishin kaluar kufirin
dhe që në pranverë u rikthyen në Shqipëri, gati për luftë. Në këtë mënyrë u “gropos”
thika që për breza të tërë ishte hequr nga këllëfi mes sllavëve të Malit të Zi
dhe shqiptarëve autoktonë.
Por, Mali i Zi u gjend
rrezikshëm i përfshirë në çështjet shqiptare, në mospërputhje me diplomacinë
europiane dhe sidomos mikun e vet, Rusinë. Kështu që, në fund Mali i Zi e la
Shqipërinë në baltë. Pavarësisht këtij fakti, turqit u detyruan të bënin paqe
me malësorët rebelë, duke u bërë atyre kaq shumë lëshime, saqë nisën të shfaqen
ankesa nga popullsia myslimane e Shkodrës, që nuk ishte rebeluar.
“Cfarë! Ju i ofroni
favore rebelëve”, thanë ata. “Po kush ju ka qëndruar besnikë, pavarësisht
plagëve të vjetra”. Ishte njësoj si ankesa e djalit joplangprishës.
Fatkeqësisht, turku nuk mundej të zbuste fëmijët e tij besnikë, ashtu siç bëri
dikur babai çifut. Sa për marrëveshjen me malësorët, nuk dihej se sa do të
zgjaste.
Shkollat vetëm do i
lehtësojnë
E ardhmja e Shqipërisë
varet jo vetëm nga vullneti i Austrisë, Italisë, Malit të Zi që mbështetet nga
Rusia, i Greqisë dhe i vetë Turqisë, ku secili prej këtyre është i vendosur që
të ketë pjesën e vet shqiptare të tortës. E ardhmja e Shqipërisë varet shumë
nga sasia e arsimit që mund të vihet në zbatim përpara se të përcaktohet
përfundimisht fati i 2 milionë banorëve.
Me përjashtim të Znj
Edith Durham, gruaja angleze që i ka shkelur vetë zonat më të egra dhe të
rrezikshme të Shqipërisë, askush nuk e njeh më mirë këtë vend se sa Z. James D.
Bourchier, që për një brez të tërë ka qenë korrespondent special i “London
Times” në Ballkan. Artikulli i tij i jashtëzakonshëm për Shqipërinë në
edicionin e ri të Encyclopedia Britannica, pasi flet për betejat e grupeve të
izoluar të shqiptarëve konkludon: “Rritja e një ndjenje më të fortë patriotike
duhet të varet nga përhapja e arsimit në popull”.
Nëse arsimi përhapet pa
pengesa në Shqipëri, edhe shqiptarët do të fillojnë të kujdesen për vetveten.
Shumë prej shqiptarëve të krishterë në qytetin e Shkodër janë arsimuar dhe kanë
siguruar begati, falë italianëve dhe austriakëve. Ata i druhen sidomos
fanatizmit të vëllezërve të tyre myslimanë, ndonëse në malet disa kilometra
larg, mes familjeve të malësorëve injorantë, si feja e krishterë ashtu edhe ajo
myslimane mund të zënë vend nën të njëjtën cati, dhe ritet e krishterë e
myslimanë mund të kryhen edhe në një ndërtesë të vetme.
Disa herë autori i
këtij artikulli ka pyetur shqiptarë myslimanë të arsimuar, të interesuar për
kauzën e racës së tyre, përse nuk u kanë predikuar myslimanëve të Shkodrës dhe
gjetkë vëllazërinë mes të krishterëve dhe myslimanëve. Pa hezitim, por me turp
dhe me buzët shtrënguar, përgjigja ka qenë çdo herë e njëjta: “Eshtë e
pamundur. Myslimanët janë injorantë. Në fillim duhet të arsimohen, pastaj do të
kuptojnë”.
Pak përpara
shpërndarjes së parlamentit, në janar 1912, një deputet shqiptar, njëri prej
kryezëdhënësve të racës së tij dhe për momentin lider i rebelëve, deklaroi:
“Nëse turqit vazhdojnë të të përbuzin joturqit, ata do e rrënojnë vendin e
tyre. E them këtë sepse i dua turqit, ekzistenca e të cilëve është e nevojshme
për ne”. Deputeti shqiptar fliste për popullin e tij.
Shqiptari ka frikë nga
e ardhmja
Shqiptari ka frikë se
mos, në vend që të sigurojë lirinë për të cilën është lutur dhe ka luftuar,
malet e tij të shtrenjtë dhe luginat pjellore do të ndahen mes shteteve
ndërluftues, dhe se mos ai absorbohet nga një racë e huaj. Austria kërcënon të
vijë nga veriu. Italia kanos nga përtej brigjeve të Adriatikut. Këta janë dy
armiq që shqiptarët i urrejnë më keq se sa turqit, pavarësisht shkollave,
spitaleve dhe kishave që përfaqësuesit e tyre kanë ndërtuar në veriperëndim të
Shqipërisë.
Shqiptarët i tremben
Austrisë dhe Italisë tamam si një polak profetik mund t’i jetë trembur tre
grabitësve të tokës mëmë. Shqiptarët i druhen po kështu një konference
europiane për këtë qëllim, se mos Mali i Zi dhe Greqia lejohen që të zgjerohen
në kurriz të shqiptarëve. Alternativa ideale që ai do të dëshironte është një
Turqi e mirëqeverisur, për të cilën ai do të jetë një prej “ledheve mbrojtes”.
Megjithatë, breza të
tërë sundimi turk i kanë mësuar se nuk duhet të presë drejtësi nga turqit.
Revolucioni i korrikut 1908 ofroi një rreze të përkohshme shprese, por errësira
e dëshpërimit u rikthye menjëherë, më e zezë se më parë. Ndëshkimi me thupra,
plumbi dhe qelia e burgut kanë qenë shpërblimi i vetëm pas kërkimit për “diçka
më të mirë”. Eshtë e vërtetë që, shqiptarët që kishin qenë neglizhuar për
shekuj të tërë nuk ishin të gatshëm që të pranonin me mirësi disa prej kushteve
të “Konstitucionalizmit”.
Fshatari injorant, që
nuk ka paguar asnjëherë taksa dhe nuk është rregjistruar asnjëherë për
shërbimin ushtarak, nuk e vlerësonte “barazinë” e re, që iu manifestua atij
përmes pagesës së taksave ashtu sikurse të gjithë banorët e tjerë të Turqisë,
si dhe për kontributin e kuotave të tij për martirët në tokat e largëta të
Jemenit.
Shqiptarët kanë shumë
gjëra për të mësuar. Arsimi mund të kishte ardhur tashmë përmes udhëheqësve të
tyre të iluminuar.
Por turku budalla bëri
të vetmen gjë që dinte të bënte – ai marshoi me ushtri drejt Shqipërisë. Si
pasojë, në vend që të shfrytëzonte shanset e një besnikërie entuziaste, ai
rrënjosi edhe më tej ndjenjat e kahershme të mosbesimit dhe urrejtjes.
Spekulimet për të
ardhmen e Shqipërisë të çojnë vetëm në labirinte të papenetrueshëm, pasi
problemi i Shqipërisë është i lidhur ngushtë me Cështjen e Lindjes, ajo që ka
munduar Europën për breza të tërë. Lufta e Krimesë u luftua për ta zgjidhur
atë, por në një formë më të komplikuar ajo u rikthye në luftën ruso-turke 1877-1878.
Të dërguarit e Europës në Berlin në vitin 1878 djallosën Traktatin e Berlinit.
A mos është shumë të
shpresojmë që ka ardhur koha për daljen e një brezi më dashamirës diplomatësh?
Megjithatë, Lindja e Afërt shpreson gjithmonë për një zgjidhje dhe për t’u
dhënë fund kushteve që, me turqit e vjetër dhe tanime të rinjtë, po e bëjnë
Perandorinë Otomane thjeshtë një legjendë.
Sot shqiptarët, arabët,
armenët, bullgarët, grekët, serbët dhe vetë turqit po vuajnë, siç ka ndodhur
prej dekadash, nga plaga e sundimit turk. Nga këta popuj të pafat, shqiptarët
janë të parët që duhet të tërheqin vëmendjen e një bote joegoiste.
Marrë
nga arkivat e “National Geographic” nëntor 1912 / Botuar në suplementin
memo-enciklopedik në DITA
* *
*
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!