"

October 13, 2014

Në pritje të ndeshjes Serbi-Digitalb!


Këto ditë vëmendja e opinionit sportiv, por edhe atij publik, është përqenduar në ndeshjen e kombëtares shqiptare të martën në Beograd. Fitorja me Portugalinë dhe barazimi me Danimarkën i ka shtuar shpresat për një rezultat pozitiv edhe me serbët, që e kanë marrë këtë ndeshje më seriozisht për shkak të konotacionit historik që ka një duel mes fqinjësh në ballkan e aq më tepër mes serbësh e shqiptarësh. 


Entuziazmi për 4 pikët e para të kombëtares dhe gëzimi për stadiumin e ri të Elbasanit ka hequr vëmendjen nga një detaj, në dukje pa rëndësi, por që i heq fanellës së kombëtares peshën simbolike që ka për çdo shqiptar dhe për vetë atë. Në ndeshjen me Danimarkën, kombëtarja u shfaq me uniforma të reja, mbi të cilat nuk shkruhej emri i Shqipërisë, siç bëhet me uniformat e çdo kombëtareje, por emri i sponsorit të ri të përfaqësueses. Mbi shpinën e trajnerit të kombëtares shqiptare dhe të uniformave të lojtarëve, shkruhet horizontalisht fjala "Digitalab" dhe jo Shqipëria, ose Albania. Krijohet ideja se ekipi kombëtar po prezantohet në një kompeticion ndërkombëtar si përfaqësuese e "Digitalbit" dhe jo e Shqipërisë. 


Është normale që stampa e sponsorit të vihet në një seksion të uniformës sportive, por jo që uniforma të identifikohet me emrin e sponsorit. Nëse dikush e sheh përmes ekranit ekipin tonë  kombëtar nuk mund ta dallojë që kjo skuadër përfaqëson Shqipërinë, por nga mbishkrimi kuptohet se përfaqëson "Digitalb", që në këtë rast është sponsori i ri zyrtar i kombëtares. 

Përfaqësuesja edhe në të kaluarën ka patur sponsor zyrtar, "Ujin Tepelena" apo kompaninë "Vodafone", por në të dyja rastet nuk ka hequr logon e Shqipërisë për të vënë mbi uniforma mbishkrimin "Tepelena" apo "Vodafone".

Kjo gjë u ka rënë në sy edhe mediave kosovare. Gazeta "Express" shkruan në shkrimin me titull: "Turp i Kombëtares, askund në fanellë emri i Shqipërisë", se "kombëtarja shqiptare po shëtit në Beograd me fanella në të cilët nuk shkruhet Shqipëri, ose të paktën në anglisht, Albania. Në vend të këtij emri, me të mëdha është shkruar prapa në veshje emri i sponsorit, "Digitalb".

http://www.gazetaexpress.com/sport/turpi-i-kombetares-askund-ne-fanelle-emri-shqiperi-50269/



*   *   *






No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!