November 12, 2013

Marlon Dino



Balerini më i mirë në botë


Marlon Dino për vitet 2008, 2010 dhe 2013 
është shpallur nga revista “Dance Europe” si 
“Balerini më i mirë në botë”


Kur u regjistrua në Shkollën e Baletit në Tiranë në vitin 1991, Shqipëria sapo kishte hyrë në një proces ndryshimesh të mëdha, në një tranzicion demokratik që zgjoi tek popullata dhe sidomos tek të rinjtë shpresë dhe kurajo për një jetë më të mirë. Pas përfundimit të shkollës, Marlon Dino, interpretoi si protagonist tek “Arrëthyesi”, një prezantim që u duatrokit gjatë në qendrën kulturore të rinisë në Tiranë dhe që bindi profesorët dhe bashkëmoshatarët e tij se ai ishte në “vendin e duhur” me përzgjedhjen e profesionit të balerinit. Dy prindërit e tij Gita dhe Bashkimi, ishin inspiruesit dhe mbështetësit konkretë të projekteve për të ardhmen, në udhën plot sfida të baletit. Por determinuese ishte këmbëngulja e Marlonit, orët e gjata të përgatitjes fizike dhe profesionale, leximet e literaturës për mjeshtrinë e lëvizjeve dhe figurave, përthithja e përvojës së ikonave të skenës së baletit klasik dhe konteporan.

Ambicia dhe kurajo e njëzetvjeçarit Marlon Dino kishin ritëm tjetër nga ai i jetës kulturore artistike në vendlindje. Një bursë specializmi në Gjenevë të Zvicrës në vitin 1998 e ballafaqoi atë për herë të parë me nivelin e kolegëve të tij nëpër botë. Ky ishte fillimi plot mundime dhe sfida në marshutin artistik të Marlon Dinos, një udhë që e vlerësuan për aftësitë dhe kapacitetin, për këmbënguljen dhe përqëndrimin në pasurimin e repertorit. Në sezonin 2001-2002 ishte në Vjenë, për t’u ngulur më pas në Mynih. “Statusi aktual si solist i parë në Teatrin Shtetëror të Mynihut më bën krenar, pasi kontribuoj në një nga kompanitë më të dëgjuara në Europë”, thotë Marlon Dino për DW.
Marloni 3I përfshirë në këtë trupë ai ka ndërtuar një koleksion të pasur rolesh kryesorë në kryeveprat botërore si “Zonja me kamelie”, “Don Kishoti”. “Romeo dhe Zhuljeta”, “Liqeni i mjelmave”, “Bukuroshja e Fjetur” etj. “Roli që më ka ndryshuar jetën në skenë dhe që e konsideroj si një nga kulmet në karrierë është ai i Oneginit në pjesën ‘Onegin’ të J.Crankos”, tregon i emocionuar Marloni. Ka qenë një debutim që u përcoll me duartrokitje frenetike nga publiku bavarez dhe ku në krah kishte partneren e tij në shfaqje, Lucia Lacarra. Pas kësaj Marloni ka interpretuar dhe dhjetra role kryesore për të cilat ka marrë shumë vleresime nga kritika e specializuar. Nuk kanë munguar dhe etiketime të tilla si “një nga partnerët më të mirë në botë” (Zvetlana Zahkarova), ndërkohë që revista “Dance Europe” për vitet 2008, 2010 dhe 2013 e ka shpallur Marlon Dinon si “Balerini më i mirë në botë”.

Për interpretimin e Oneginit fitoi çmimin “Rosen Schtraus des Jahres” në Mynih. Baleti i merr pjesën më të madhe të energjive, por Marloni përpiqet që të krijojë variacion në jetën e përditshme. Është i prirur nga teknologjia e informacionit dhe ka afeksion për pajisjet e reja digjitale. Përpiqet që të hyjë sa më në thellësi të kulturës së Bavarisë dhe asaj gjermane në përgjithësi, ndaj dhe nuk lë rast pa lexuar, pa frekuentuar kalendarin e shumëllojshëm kulturor dhe artistik atje. Hyn në kontakte me kolegë të rinj dhe personazhe publike. 

E ka ndihmuar shumë dhe vizibilteti që i ka krijuar prej kohësh në publik puna si model për marka dhe kompani të njohura si Armani, Zegna, Baldasari, Prada, Gucci, etj. Si në interpretimin e një roli në skenë ku “flet” dhe përcjell botën e artistit me gjuhën e lëvizjeve, Marlon Dino, ashtu e koncepton dhe ritmin e jetës, duke udhëtuar pa pushim nga njëri vend në tjetrin.Udhëtime, kontrata për shfaqje në skena të ndryshme të botës, perfomanca, kontakte me menaxherë – e gjithë kjo agjendë globale – nuk mund ta shkëpusë nga vendlindja.

Marlon Dino dhe Greta Hushi ne Giselle:
Marloni 2Në fillim të vitit 2012 pati një debutim brilant në Tiranë në rolin e Albertit tek “Zhizel”, një bashkëpunim me maestron Agron Alia dhe partneren në shfaqje Greta Hushi. Marloni ka një mendim të pjekur për baletin shqiptar. “Kemi një teknikë dhe shkollë të fortë, por fatkeqësisht është e viteve ‘60. Për mendimin tim duhet patjetër që shkolla shqiptare të adoptojë teknikat e shkollës europiane se ka evoluar shumë sidomos në vitet e fundit”, thotë për DW, duke e gjykuar shpresëdhënës emërimin në krye të Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë të balerinit të famshën shqiptar Ilir Kerni, si një mundësi për bashkëpunime dhe projekte në të ardhmen “Vazhdimisht e them, më pelqen shumë të kërcej për publikun shqiptar. E ke parasysh, në fund të zemrës ngelem shqiptar”.

Arben MUKA DW


*   *   *

November 10, 2013

Pjesë nga debati në Kuvend


Balla: Ristani është tapë, ka pirë 7 dopio uiski.

Topalli: Në 23 qershor trafikantë vrasës dhe horra u bënë të gjithë bashkë kundër Sali Berishës. Kur vjedhjen e votës e quan virtyt pastaj rreziku është fatal. Kur zgërdhihet edhe kryeministri, të dashur shqiptarë bëhuni gati.

Braçe: Po kush je ti moj që na flet kështu?!


Topalli: Sot në Kuvend kanë hyrë “trimat “ e bosët e parave e ato bëjnë shumicën! Disa nga Këto nuk kanë as shkollë, por kanë diploma se edhe ato i kanë blerë, siç kanë blerë vendin në listë të deputetëve, e pastaj siç kanë blerë votat, e pastaj siç blejnë e shesin kallëp deputetin!!!

Ahmetaj: Ju ishit një mazhorancë e kalbur, tashmë një opozitë e çoroditur. 165 milionë lekët do të shkojnë për pensionistë. Ky është një akt simbolik për ata.

Bode: Kleptokracia është tirani e një shumice të blerë. Kjo demonstrohet çdo ditë që kryeministri bën në karrigen e tij.
Peleshi: Zgjedhjet në Korçë kanë qenë më të mirat dhe më të ndershmet.

Bregu: Të gjithë i pamë sesi ishin. Mos u bëj hipokrit tani.
Peleshi: Rezultati ishte 76% për kandidatin tonë. Ju mund të jeni opozita e vetme në planet që nuk dini të numëroni votën.

Noka: Prandaj nxorët 20 mijë lekëshat ju…

Rama: I nxitur nga deputeti i vjetër parafolës, unë jam deputet i ri dhe më bëri përshtypje ajo që tha, që sipas tij, kjo “është seanca më e pështirë dhe me e turpshme e kësaj sallë”.

Bode: Kryekleptokrati foli tamam në origjinën dhe fytyrën e tij. Së pari u tregua cinik dhe i pashpirt me humbjen e jetës së të
rinjve në minierën e Pogradecit.

Rama: Rrëmbyet fasule, rrëmbyet oriz, rrëmbyet çizme rrëmbyet gjithçka që gjetët por fushata elektorale e 23 qershorit. Këtë ke bërë 8 vjet me radhë. Ti lapsin mbaje, dorën ta tundte dikush tjetër. E sa për “Fiks Fare”-n, tani që keni ngrirë të gjithë, ju mbetet vetëm të shkrini Filipin.

Ristani-Ju doni të bëni një ligj për të ulur bonuset për zyrtarët e lartë që sigurisht nuk bëhet fjalë për qeverinë dhe me sa duket do të kurseni 1 milionë dollarë. Kjo është një shashkë në tym për të krijuar një mjegull të madhe. Mjegull e cila do ti shërbejë ujqërve. Një qenie e vetëdijshme po e hante ujku dhe qenia po mendonte ishalla jam në ëndërr. Këta lloj ujqërisht këtë lloj mjegulle duan, pikërisht se janë të pabesë si ujq, se me këta nuk bëhet as marrëveshje, as konsensus, këta përlajnë çdo gjë. Keni parë se çfarë ndodhi kur ra ujku për herë të parë në fshatin tonë. Të njëjtën gjë thonë, u mori shtëpi e katandi. Mori edhe florinj edhe tha që do hani me lugë flori dhe pastaj i katandisi me një pako gjalpë në javë. Të njëjtën gjë po bën edhe tani se vetëm qimen po ndërron. I tha që humbja do të kalojë në 2014 dhe pastaj lugë flori për të tërë. 
Këto janë pra historitë e ujkut  në fshatin tonë. Po nuk u zgjuat, ujku do marrë edhe jetën se për këtë është nisur dhe për këtë është krijuar. Çështja është mos u gëzoni se ujku po ha delet e komshiut se shumë shpejt do të vijë në bahçen tuaj.

Balla: Do doja të thosha madje dhe t’i kërkoja dhe shërbimit të ruajtjes në Kuvend që përveç një makinerie që detekton metalin, të vendosin dhe një instrument për të vlerësuar sasinë e alkoolit. Sepse deputeti që sapo foli ishte në gradën e fundit, pas dopios së shtatë të uiskit, ka bërë pis dhe foltoren. Duhet të jetë në normën e këtij Kuvendi që deputetë të pirë dhe në gjendje të rëndë alkoolike të mos lejohen të hyjnë në Kuvend.

*   *   *

Sa të frymëzon kjo opozitë…?


2B

Ka një shqetësim real për sjelljen e opozitës së re, pas 23 qershorit dhe në veçanti pas 13 shtatorit. 
E para është imazhi që ajo lë në perceptimin qytetar. Tek publiku dhe në veçanti mbështetësit. 
E dyta është mënyra se si kërkon të fitojë kreditë nëpërmjet strategjisë duke mbrojtur paligjshmëritë. Për të parën mjafton të shohësh rezultatin e zgjedhjeve në Korçë. Mëse 11 mijë vota diferencë. Por mbi të gjitha bojkoti historik që i bënë të djathtët Partisë Demokratike. 

Krisja e madhe e të djathtës, ku gjysma e saj bëri aleancë me të majtën. Dështimi me Korçën, ku të paktën gara të ishte e ngushtë, tregoi se opozita e dyshes Basha-Berisha nuk ka asgjë në vijë. Madje nuk pati asnjë reagim për këtë humbje. 

I vetmi reagim ishte në mbrëmje nga Eduart Halimi, se mazhoranca kishte blerë votat me 2 mijë lekë, duke shfrytëzuar një emision të Fiks-Fare. Por askush nuk e pyet Fiksin se për çfarë blerje vote bëhet fjalë ?!. Aty shihen vetëm studentë që ndjekin shkollën në Tiranë. Se pranojnë se janë paguar nga 2 mijë lekë për të shkuar në Korçë. Por nuk ka asnjë qytetar që të shpreh këtë pohim të mitmarrjes për votë. Pra, sipas drejtuesve të emisionit Fiks Fare, që gazetari i tyre të bëjë një kronikë, duhet ta paguajë gjithçka nga xhepi. Dhe e kundërta, nëse ia jep kompania apo redaksia dietat e rrugës dhe shpenzimet, quhet mitmarrje !!!. Fiksi la disa pikëpyetje të errëta, duke errësuar më shumë fenomenin e shit-blerjes së votës. 

Nëse më 23 qershor pati vërtetë shit-blerje votash, ata nuk guxuan të transmetonin asgjë. Qytetarë të moshave të ndryshme që josheshin tek kutitë e votimit. Kurse për zgjedhjet e Korçës shkuan te zyrat e PS-së, ku regjistroheshin emrat, telefonat dhe kartat e identitetit. Por pse mungoi pyetja nëse studentët ishin anëtarë të PS-së dhe përse i kishin marrë këto para? Pse nuk u pyetën si e paguan rrugën dhe nëse morën lekë të tjera shtesë përveç biletës ?!. Dhe një Eduart Halimi i orientuar nga kupola e PD doli me vrap në konferencë dhe kërkoi…anulimin e zgjedhjeve në Korçë !!!. Por e vërteta është se edhe sikur zgjedhjet të përsëriten, Sotiraqi blu do e ketë shumë të vështirë të përmbysë raportin. 

Në lajmin e Fiks-Fare të pretenduar investigim, ka mangësi të mëdha interpretimi real…Ato që kuptohen nga një qytetar i zakonshëm. Opozita përpiqet të fitojë kreditë nga kjo situatë, kur diku më tej mbron edhe një paligjshmëri si pallati i vjehrrit të Bashës në Vlorë. Mbron paligjshmëritë e ndërtimeve pa leje dhe aksionin e shembjes, sulmon operacionin e lojërave të fatit dhe për më keq akoma këto i kërkojnë njerëzit që ishin ministra dhe janë nën akuzë për miliarda lekë abuzime… 

Është e vështirë t’ia gjesh kësaj opozite se nga ka kokën, nuk ka këmbët. Si një kafshë e plagosur rëndë, sillet e përcillet, pa një orientim. Për më tepër që zhgënjen edhe mbështetësit e saj dhe mesazhi më i fortë ishte braktisja e zgjedhjeve në Korçë. 

Në vend që Lulzim Basha të kërkonte falje ndaj elektoratit të djathtë për imazhin që dha me rezultatin e Korçës, i bënë bisht përgjegjësisë për humbjen duke u kapur pas “blerjes së votës” që i servir Fiks-Fare. Por në të kundërt ngremë edhe pyetjen; Përse Basha dhe deputetët e PD në Korçë nuk organizuan studentët e tyre mbështetës për t’i çuar në Korçë dhe t’u paguanin rrugëtimin dhe kafen ?!. Kjo nuk është blerje vote, por lehtësim i kushteve sociale për mbështetësit që janë me kartë të partisë. 

Nuk e dimë se ku ka ndër mend të dalë dyshja Berisha-Basha me këtë strategji, por e dimë shumë mirë se “malli” që po i shesin qytetarëve nuk është aspak me cilësi dhe i shëndetshëm, por të intoksikon….






Fiori Dardha

Vajza e re e Fiksit, 
ish-zëdhënësja e Sahit Dollapit 
që nuk beson tek lëvizjet feministe


Në intervistën e së dielës në “Dita” kemi folur me Fiori Dardhën, prezantuesen e re të “Fiks Fare”. E kemi njohur si një nga gazetarët ngacmuese vite më parë, na rikthehet në të njëjtin rol, por sigurisht më potente, aq sa sot nuk ka asnjë dyshim që ajo e bënë më së miri këtë atë punë që iu besua nga Filip Çakuli një ditë të diele. Pas një shkëputje të gjatë nga ekrani, Dardha vjen pas një eksperiencë profesionale jashtë medies dhe si… nënë e një djali të vogël. 
Në këtë intervistë thuhen të gjitha dhe troç, sepse flet Fiori.

Dita e parë në “Fiks Fare” si ishte dhe çfarë reagimesh morët?

Ishte aq intensive për nga emocionet, saqë jam e bindur që nuk kam për ta harruar kurrë! Ishte shumë intensive, sepse gjithçka ndodhi brenda 24 orë. Denisa Haxhiaj, zv/drejtorja e “Fiks Fare”, më kërkoi të bëja një provë. Prova u bë të dielën dhe të hënën dola në transmetim, sepse, sipas intuitës, nuhatjes dhe arsyes së drejtorit të “Fiks Fare”, Filip Çakuli, unë isha ajo e duhura.

Si ndiheni si zëvendësuese e Saimirit?

Ma bëre këtë pyetjen sikur Saimiri të kishte marrë lejen e lindjes dhe unë po e zëvendësoj deri sa të kalojë lehoninë (qesh). Tek “Fiks Fare” nuk punohet me zëvendësim, por me partneritet.

Ju e njihnit z. Çakuli më parë?

Nuk kisha asnjë njohje me Filipin. E njihja vetëm nga ekrani. Hera e parë që e kam takuar ishte ditën kur bëra audicionin.

Me ardhjen tuaj në “Fiks Fare”, mund të themi  se edhe ju përfaqëson një pjesë të femrave aty? Shumë drejtoresha femra kanë marrë poste drejtuese…

Jo, më vjen keq, nuk mund ta thoni (qesh). Nuk u përkas atyre që besojnë tek lëvizjet feministe. Në fund të fundit, të mos gënjejmë veten. Edhe mua, edhe drejtoreshat e reja të administratës na kanë zgjedhur 2 burra. Njëri quhet Filip, tjetri quhet Edi (qesh).

Jeni parë vazhdimisht si një demokrate e flaktë, jeni vërtetë e tillë?

Kush më ka parë si një demokrate? Dhe mbi të gjitha, kush më ka parë në flakë?(qesh) Hë mi, tregoji shokët, se do të kesh lehtësira! Unë jam e bindur se shumica e shqiptarëve janë demokratë si unë. Unë vdes për lirinë e fjalës. Më mirë të më lënë pa bukë, sesa pa Facebook. (qesh) Facebook-u është tesera e vetme që kam.

Domethënë jeni në vendin e duhur me Fiksin, në opozitë?

Domethënë, unë dhe “Fiks Fare” kemi të përbashkët shumë të madhe dashurinë për lirinë e fjalës. Nuk pyesim shumë se kush është në pushtet.

Çfarë mendon se nuk shkon në opozitën e sotme?

Më jep edhe dy faqe të tjera hapësirë në gazetë dhe unë do t’i mbush me “çfarë nuk shkon me opozitën e sotme”.

Po me pozitën?

Ah, për këtë më duhet vetëm një faqe, se dy muaj kanë që kanë nisur punë (qesh).

Nëse do t’i jepnit një këshillë sot Sali Berishës, cila do të ishte ajo?

Unë nuk u jap këshilla më të mëdhenjve!

Po Lulzim Bashës?

Zotin Basha e këshillojmë nga ekrani.

Keni diçka për të thënë për Kryeministrin Rama?

Zoti Rama vishet shumë bukur. Më bukur se të gjithë!

Këtë javë “Fiks Fare” ka qenë në qendër të vëmendjes mbi investigimin në Korçë, janë të shumtë ata që kanë pyetur, pse Fiksi kundër Edi Ramës, ju ç’mund të thoni për këtë?

Kjo pyetje do të bënte sens, nëse “Big Brother” ose “E Diell” do të transmetonin materiale investigative. Në rastin tonë po flasim për “Fiks Fare”, emisionin që është krijuar për të nxjerrë në dritë padrejtësitë dhe shkelësit e ligjit. Zakonisht, përgjegjës për shkeljen e ligjit janë ata që janë në pushtet dhe këtë herë qëlloi që në pushtet të jetë Edi Rama. Besoj isha shumë e qartë në shpjegimin tim të thjeshtë.

A ishte video me studentët e Korçës një formë marketingu për “Fiks Fare” pas largimit të një prej drejtuesve?

Ne shqiptarët jemi të paparë për të shpikur teori konspirative. Nëse ndokush më provon që ekziston ndonjë lidhje mes largimit të Niko Peleshit nga Bashkia e Korçës, largimit të Saimirit nga Fiksi, shpalljes nga Presidenti të datës 3 nëntor për zhvillimin e  zgjedhjeve të pjesshme në Korçë dhe asaj që xhiroi Fiksi në Korçë, atëherë unë jam gati t’ju kërkoj ndjesë. Ju lutem, më njoftoni, kur ta gjeni lidhjen!

Fiori, ke qenë në dy rolet, edhe pjesë e administratës edhe tani pjesë e një emisioni investigativ. Si ju duket kur denonconi një punonjës të korruptuar kur gjithë sistemi është thuajse i korruptuar?

Unë nuk kam qenë kurrë pjesë e administratës. Vitet e fundit kam punuar si zëdhënëse e zotit Sahit Dollapi, kur ai drejtoi Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, Ujësjellësin e Tiranës dhe për 9 muajt e fundit, CEZ Shpërndarje. Këto janë kompani shtetërore me vetë administrim dhe nuk janë pjesë e administratës publike, buxheti i të cilës miratohet në qeveri. Për sa i përket denoncimit të rasteve korruptive, e besoj thellësisht që është veprimi më i drejtë që bëhet. Nuk ka rëndësi se kush e bën dhe pse e bën.

Si zëdhënëse e Sahit Dollapit të është dashur ndonjëherë t’i telefonosh  Filip Çakulit për ndonjë kronikë që u ka thumbuar?

Jo, nuk ka ndodhur asnjëherë. Fiksi ka bërë disa kronika edhe për OSSH-në, edhe për Ujësjellësin e Tiranës, edhe për CEZ Shpërndarje, por janë treguar gjithmonë korrekte, duke marrë edhe palën që ankohej, edhe palën tjetër, ndaj të cilës ishte drejtuar ankesa. Ka qenë vërtet bashkëpunim shumë korrekt dhe profesional.

Intervista e plotë, mund të lexohet sot në DITA

Na kish’ thënë që ishte vajzë mitingjesh :-)


Ajo e ka thënë më parë që është vajzë mitingjesh, doni prova ju? Ja kjo foto e tregon më së miri. Dy ditë më parë në godinën ku disa muaj më parë qeveriste gjyshi i saj, ajo ka dalë me pankarta në dorë duke thënë fjalën e saj për kauzën për të cilën edhe po protestohej. Dasara Malltezi (vajza e Gitës), i është bashkuar tubimit së shoqërisë civile kundër ardhjes së armëve kimike në Shqipëri dhe asgjësimit të tyre në vendin tonë.

Na u duk pak si jashtë “mode” 18-vjeçarja në atë protestë. Syzet e saj origjinale  dhe buzëqeshja vezulluese duket sikur nuk shkonin as me arsyet e protestes as me pjesën tjetër të njerëzve që ishin aty. Nejse, çdokush ka të drejtën të thotë fjalën i lirë.

E për ta plotësuar këtë panoramë, në një status në Facebook ka folur pak edhe për Ramën: “Lum si ne, të vdesim të gjithë nga helmet kimike se i teket Ramës”, është statusi i saj për këtë çështje. 

(Mirë e ka bërë, vetëm se sic i kemi thënë dhe herë të tjera, fute gjuhën brenda kur del fotografi se je goxha vajzë tani.)


1997, Ata që u arratisën me firmën e Berishës



476 pasaporta në dy javë! 


Një javë më parë DITA soli disa dokumenta zyrtare të fillimit të 1997-s ku gjendeshin emrat e personave që ishin pajisur në shkelje flagrante të ligjeve pa plotësuar asnjë kriter - me pasaporta diplomatike. Mes tyre, edhe mbesa asokohe vetëm 29 ditëshe e Berishës. 

Sot  “DITA” sjell një listë të re personash, të cilët kanë marrë pasaporta diplomatike dhe shërbimi nga mesi i korrikut në fund të tij dhe me to kanë ikur jashtë vendit. 
Shumë prej tyre u rikthyen vetëm në 2005. 

Plot 476 urdhëra për vetëm 2 javë. Këto pasaporta janë lëshuar nga data 7 korrik, deri në 23 korrik 1997. Shkresat e firmosura nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Kolec Topalli, si dhe nga Shefi i Protokollit të Presidencës, Maxhun Peka, fillojnë të gjitha me frazën 
“Me porosi të Presidentit të pajisen me pasaportë…”

Thuajse të gjithë emrat që përmenden në këto lista kanë ikur nëpërmjet Rinasit dhe stacioni i parë ku qëndronin ishte kryeqyteti austriak, Viena. Për të gjithë ata që e mbajnë mend korrikun e atij viti, kujtojnë se ai ka qenë një muaj shumë i nxehtë. Këta njerëz pajiseshin me pasaporta brenda ditës, për të mos thënë për një orë a dy, merrnin në dorë pasaportën dhe ia mbathin drejt Rinasit. Dhe incidenti ndodhi me Vienën. Në aeroportin ndërkombëtar të Vienës, ndodhi ajo që pritej. Aty u dha alarmi për atë që po ndodhte…

… Nga shpejtësia në shumicën dërrmuese njerëzit që pajiseshin me pasaporta shërbimi nuk kishin kravata për fotografitë që viheshin në pasaportë. Ata bënin fotografi të çastit, ashtu të djersitur, me këmisha të zbërthyera dhe madje dhe me kanotiere. Kështu hipnim në avion dhe kështu zbrisnim në Vienë, për t’ia mbathur diku tjetër. Kjo shkaktoi një tronditje të vërtetë tek autoritetet e aeroportit të Vienës. Alarmi shkoi deri në qeverinë austriake, e cila ngriu menjëherë hyrjen pa vizë të shtetasve shqiptarë me pasaporta diplomatike dhe shërbimi sipas një marrëveshje të arritur pak vite më parë. 

Kjo ngrirje do të vazhdonte për 10 vjet me radhë nga pala austriake, pra deri në vitin 2007.

Disa nga 476 emrat ne dokumentet e botuara sot ne DITA:

Me pasaportë diplomatike:

Keltis Kruja, mik i Shkelzen Berishes, asokohe minoren bashkë me gjithë anëtarët e tjerë të familjes së tij

Me pasaporta shërbimi:

Sali Lusha

Sokol Olldashi

Dashamir Shehi

Sadik Çela

Isemadin Haxhiaj

Ismet Haxhiaj

Besnik Mulosmani

Ali Mulosmani

Përparim Mulsomani

Fatos Hoxha

Rasim Lumneshi

Bedri Blloshmi

Desada Metaj

Zyhdi Dajti

Avni Neza

Marjan Gryka

Desada Metaj

Selim Hoxha

Sokol Bizhga, etj

*   *   *



Qeveria bllokon licencën e Samir Manes

Më 1 Nëntor të këtij viti qeveria shqiptare ka bllokuar licencën e kompanisë “Albchrome shpk”. Në dukje vendimi i ngjan një aksioni rutinë administrativ, por ky vendim i qeverisë në të vërtetë, përbën një ndërhyrje tepër të rëndësishme në tregun e kriminalizuar të minierave të kromit. Kompania në fjalë është në pronësi të biznesmenit Samir Mane dhe përfaqëson koncesionarin më të madh i shfrytëzimit të minierave në vendin tonë. Një shkresë e firmosur nga ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri më 1 Nëntor, ka sjellë “pezullimin e pjesshëm” të kontratës koncesionare që e gëzon Samir Mane dhe pezullimi përfshin zonën me të rëndësishme dhe njëherësh më problematike të koncesionit, zonën “D”. Janë galeritë dhe minierat e kësaj zone që koncesionari i ka dhënë me nënkontraktim në disa raste që kanë sjellë dhe përplasjet e famshme që në shumë raste kanë sjellë pasoja dhe në jetë njerëzish.

Samir Mane dhe Sali Berisha



Arsyet e një bllokimi

Ka dy shtysa të rëndësishme që kanë sjellë këtë masë të qeverisë ndaj koncesionit. E para është situata tejet abuzive financiare e shkaktuar nga detyrimet e papaguara të koncesionarit. Samir Mane e bleu koncesionin në fjalë tek –shpronari në fillim të këtij viti. Por përveç mineraleve të çmuara Mane bleu dhe detyrimin për të kryer investime dhe për të stabilizuar situatën dhe infrastrukturën në këto galeri. Një kontroll i nisur nga ministria në muajin Tetor 2013, zbuloi se galeritë kishin probleme serioze dhe mangësi të mëdha. Nga ana tjetër bilancet e kompanisë së Manes flasin për mangësi serioze në kryerjen e investimeve që koncesionari është zotuar ti përmbushë në kontratën ekskluzive me shtetin shqiptar. Arsyeja e dytë lidhet me orientimin politik të qeverisë: Situata në Bulqizë duhet të ndryshojë. Aktualisht Bulqiza përfaqëson një zonë tepër delikate ku përplasen dhe ushtrojnë ndikimin e tyre disa grupe interesi që janë sidomos të lidhura me qeverinë Berisha, ekuilibri i forcave mes këtyre grupeve të interesit ka qenë gjithnjë i vështirë për tu mbajtur pasi kompanitë kanë operuar si “xhandarë të kromit” dhe kanë respektuar shumë pak ose aspak standardet minimale gjatë ushtrimit të aktivitetit. Me pezullimin e licencës ndaj Samir Manes në zonën “D”, paraprakisht qeveria fiton kohë, për të hetuar me qetësi situatën dhe për të vendosur më pas se si do e zgjidhë. Por ndërsa qeveria ka bërë pezullimin, rezulton se biznesmeni Mane nuk ka ndejtur duarkryq. Arsyet lidhen pikërisht me këtë vendim që boton ekskluzivisht sot “DITA”.


Tentakulat e biznesmenit

Ndonëse vendimi për pezullimin e kontratës koncesionare të Manes në zonën “D” të Bulqizës është një vendim me rëndësi të dorës së parë në biznesin milioner të kromit në Shqipëri, qeveria nuk ka bërë publike këtë aksion të sajin. Një burim i mirinformuar i tha dje gazetës “DITA” se zyrtarë shtetërorë “nën ndikimin e Samir Manes”, janë përpjekur të shmangin bujën mbi këtë veprim dhe ti japin Manes avantazhin për t’i vënë kapak këtij problemi.  “Nëse një aksion i tillë i qeverisë për pezullim dhe bllokim aktiviteti kalon në heshtje dhe nuk bëhet publik, atëherë biznesmeni i bllokuar e ka më të lehtë që nën rrogoz të luajë të gjitha fijet e tij të influencës dhe të kthejë mbrapsht këtë vendim. Mos publikimi i kësaj mase mund t’i ketë krijuar të tilla avantazhe Manes ndërkohë”, – tha dje një zyrtar shtetëror i mirinformuar për çështjen.



Si u bë Mane pronar 
dhe 
problemet e zonës “D” në Bulqizë

Në cilësinë e drejtuesit të “Balfin Group” Samir Mane  ka blerë aksionet në Shqipëri të kompanisë “Albanian Chrome”(ACR) ndërsa transaksioni në fjalë është konfirmuar nga një njoftim zyrtar nga Autoriteti i Konkurencës. Sipas këtij njoftimi më datën 17 Janar 2013, në bazë të “Marrëveshjes për blerjen dhe shitjen e Abanian Chrome Sh.p.k”, të nënshkruar ndërmjet palëve “Balfin Sh.p.k” në cilësinë e blerësit dhe “DCM DECOmetal GmbH” -“DCM Beteilinungs GmbH” në cilësinë e shitësve me objekt përftimin e kontrollit të shoqërisë Albanian Chrome Sh.p.k nga shoqëria Balfin Sh.p.k nëpërmjet transferimit të 100% të kuotave. “Albanian Chrome”  është kompania më e madhe në Shqipëri e shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore dhe realizoi një xhiro prej 32 milionë eurosh në 2011, sipas të dhënave nga tatimet, me një rënie të lehtë me bazë vjetore, pasi shënoi nëj vit të vështirë me aksidente dhe grevat e punonjësve, që çuan në mbylljen e minierës për disa muaj.


Një mogul në xhungël

Gjashtë muaj përpara se qeveria e Berishës të humbte zgjedhjet, Samir Mane, me mbështetjen e veçantë të Berishës u bë zyrtarisht “moguli i minierave të kromit”.  Nuk ishte pak. Këto miniera kromi që Mane mori me koncesion në fakt janë miniera leku. Por që kanë dhe “bishtin” nga pas. Sektori minerar është një ndër më fitimprurësit në Shqipëri, por të operosh dhe të mbijetosh në këtë sektor nuk është një fjalë goje. Situata në Bulqizë dhe rrotull saj, atje ku shtrihen galeritë më të majme, është kthyer në një xhungël dhe për degradimin e kësaj situate ka disa faktorë që kanë pasur një rol kyç në të gjithë këtë histori.

Faktori i parë është ai shtetëror. Ky faktor ka “dhënë kontribut” për të krijuar xhunglën e kromit kryesisht në dy drejtime: 
1. Duke dhënë licenca dhe të drejta për shfrytëzim të galerive në kompani që nuk janë të specializuara në sektor por që kanë lidhje me zyrtarët shtetërorë. 
2. Duke futur në mënyrë arbitrare në lojë biznesmenë të lidhur me qeveritarë ose zyrtarë shtetërorë në galeri të ndryshme duke shkaktuar konflikte serioze me shumë pronarë tokash në Bulqizë, të cilët kanë pronësi mbi trojet ku shtrihen galeritë. 

Këto dy faktorë kanë qenë tejet të rëndësishëm, pasi pronarët nga Bulqiza mobilizoheshin për të gjetur të drejtën e tyre dhe për të përfituar pjesën e tyre nga shfrytëzimi i kompanive private, ndërsa nga ana tjetër, kompanitë e favorizuara pajtonin “të fortë” për të ndalur ndërhyrjet nga pronarët e tokave. Rastet e përplasjeve janë të shumta dhe shtysat nga më të ndryshme, por në thelb gjithnjë ka qenë konflikti mes bizneseve të favorizuara dhe pronarëve të tokave në Bulqizë. Faktori i dytë që ka ndikuar në krijimin e xhunglës ka qenë koncesionari i shumëpërfolur që tashmë është në pronësi të Samir Manes.



Konfliktet

Kompania e Manes ka në shfrytëzim minierat dhe galeritë kryesore, por në bazë të kontratës koncesionare, në atë që quhet “seksionin D” i galerive,  shteti i ka njohur të drejtën dhe operatorëve më të vegjël që të shfrytëzojnë burime të caktuara brenda këtij seksioni. Këtu kanë lindur dhe konfliktet mes koncesionarit dhe operatorëve në këtë seksion. 
Konfliktet kanë qenë të larmishme, madje shpesh janë shënuar dhe incidente të rënda me pasojë vdekjen e shumë qytetarëve ose minatorëve në galeritë e “seksionit D” për shkak se kompanitë e licencuara për të punuar aty nuk përmbushnin kriteret teknike dhe shpesh galeritë zinin poshtë dhe vrisnin mineral-kërkuesit. 
Nga ana tjetër një pjesë e kompanive të vogla që vepronin në “seksionin D” shpesh janë mbështetur nga struktura të policisë për të kontrabanduar sasinë e mineralit të nxjerrë dhe për të shumëfishuar fitimet për shkak të shmangies dhe deklarimit të rremë të sasive pranë autoriteteve doganore. Një vit e gjysmë amë parë një ish-drejtues i lartë i policisë, i quajtur Shemsi Prençi, akuzoi publikisht dhe me fakte implikimin e biznesmenëve të njohur dhe zyrtarëve të lartë të policisë në këtë rrjet kontrabande që sillte miliona euro fitime, por ishte Prençi ai që u penalizma duke u shkarkuar nga të gjitha funksionet dhe duke u izoluar.

Loja ishte shumë më e madhe se trimëria  e Prençit. Interesat shkonin deri në rangjet më të larta  qeveritare. Brenda kësaj pakete të ngatërruar interesash do të duhej të operonte dhe koncesionari i Samir Manes, por që prej vitit 2001, ky koncesionar nuk ishte në rregull me hesapet dhe detyrimet e veta ndaj shtetit, pasi nuk realizonte dot investimet që kishte marrë përsipër në kontratë. Ndaj në këmbim shteti mbyllte njërin sy për borxhet dhe koncesionari ja shpërblente shtetarëve në të njëjtën mënyrë kur vinte puna për të pranuar miqtë e qeveritarëve të punonin në “seksionin D” të këtyre minierave.

Për pasojë historia e interesave, të drejtave, borxheve, bizneseve, koncesionarit, qeveritarëve, shefave të policisë, pronarëve dhe kontrabandës së kromit, u shndërrua në një xhungël që pjell në mënyrë të përsëritur vetëm konflikte. Nëse s’do ishte Samir Mane, do ishte dikush tjetër, por e sigurt është se cilido që do të operojë me koncesionin në këto kushte dhe në këtë xhungël, përveç milionave duhet të presë dhe “dhimbjet e kokës”. 
Bulqiza  është  shndërruar në një vend surreal, të ngjashëm me filmat me kaubojsa , një xhungël e vështirë,  aq më tepër  e vështirë për biznesmenë që janë mësuar ti zgjidhin punët me telefon nga Tirona.



Policia bllokon kamionët me krom 
në Bulqizë

Policia në Bulqizë bllokon kamionët e kromit. Prej tre ditësh dhjetëra kamionë të ngarkuara me krom nga minierat Bulqizës janë ndaluar nga patrullat policore të cilat detyrojnë bizneset që kromi i nxjerrë nga galeritë e veriut të peshohet jo më në Durrës siç ka ndodhur deri tani, por në Qafë Buall.

Madje një tjetër pretendim i Policisë është që në faturën e shoqërimit të jetë dhe çmimi i kromit, çmim që përcaktohet nga cilësia e kromit. Por të dyja këto pretendime të policisë cilësohen të pavenda nga ana e biznesmenëve.








November 4, 2013

Proces gjyqësor ndaj Sali Berishës


Mero Baze thotë se “Sali Berisha ka një siguri të tepruar për mosdënimin e tij”. Në editorialet e tij të ditëve të fundit në Tema Online, Baze, përmend arrestimin e Berishës, por lexuesit që komentojnë poshtë shkrimeve, tregohen skeptikë lidhur me këtë mundësi.

Shkruan Baze ndër të tjera: “…Duke menduar se ka kryer krimi në emër të pushtetit, ai kujton se është i paprekshëm dhe kërkon që drejtësia të gjejë kriminelë të tjerë për të ilustruar situatën kriminale në vend. Mendoj se nuk ka nevojë. Duke filluar nga Sali Berisha, është më e lehtë të shkosh tek dera e çdo krimineli. Mjafton dera e shtëpisë së tij për të arrestuar shumicën e autorëve të krimeve në këtë vend. E gënjen mendja kur mendon se e ka të blinduar me pushtet dhe imunitet politik si opozitar. Do të rrijë aq gjatë dhe aq pa kthim në këtë status, sa do kërkojnë ta arrestojnë dhe të vetët”.

Lidhur me arsyet pse Berisha dhe opozita e re është bërë kaq agresive ende pa u mbushur 100 ditë nga qeverisja e majtë, duke akuzuar këtë të fundit për një krizë ekonomike që e ka shkaktuar vetë, Baze thotë:

“Berisha i druhet asaj që ai vetë ka në kokë në raste të tilla. Ai e di si kalohen kriza të tilla depresive për shoqërinë. E ka aplikuar vetë dy- tre herë këtë praktikë. Kur në vitin 1991, shqiptarët ishin nën tmerrin e batutës “ka dhe gjashtë ditë bukë”, ai arrestoi Nexhmijen dhe njerëzit e harruan. Në vitin 1993, kur njerëzit ishin thellësisht të zhgënjyer nga reformat e tij dhe po refuzonin pushtetin e tij, për të cilin dhanë 70 përqind të votave, ai arrestoi Fatos Nanon dhe njerëzit u morën me të. Në vitin 1995, kur e pa që sërish nuk po ia dilte të qetësonte situatën me qeverisjen, arrestoi gjithë ish- Byronë Politike dhe njerëzit u morën me të. Ajo që ai ka frikë realisht tani është se mos Edi Rama po mendon ekzaktësisht atë që ai ka bërë sa herë vendi ka qenë në një depresion të tillë ekonomik dhe financiar. Ai thjesht po mendon çdo kish bërë vetë po të ishte në vend të Edi Ramës në këto momente. Dhe s’e ka keq që e mendon!”

Po a mendon Baze se një proces gjyqësor ndaj Berishës është i mundur? Këtë pyetje DITA ia bëri mbrëmë gazetarit të njohur dhe ai përgjigjet: “Nuk besoj se arrestohet gjatë kohës që është në pushtet Rama-Meta, por nuk kam asnjë arsye që të humb shpresat se do dalë dikush në këtë vend ta ndëshkojë”


Një Byro Kombëtare Hetimi?

Xhevdet Shehu

Ideja e ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit ka qarkulluar prej disa muajsh. Nga ajo që dihet deri më tani ka qenë një propozim i këshilltarit të Ramës, ish-kryeministrit britanik Toni Bler, për të precizuar tërë skemën e reformimit të strukturave të hetimit në një qendër koordinuese, diçka e ngjashme me FBI-në amerikane, por e përshtatur për realitetin shqiptar të një vendi të vogël.

Pse një Byro Hetimesh? A po ngrihet për të goditur zyrtarët e lartë të ish-administratës së djeshme dhe administratës së sotme? A do dublojë Prokurorinë dhe Gjykatën? A ka lindur për shkak të dështimit të organeve shqiptare të drejtësisë për krime të tilla të rënda penale si çështja Gërdeci, vrasjet e 21 janarit, apo krimin ekonomik në nivele të larta? Këto pyetje ua kemi drejtuar, ministrit aktual të Drejtësisë, Nasip Naço, ish-kryeprokurorit Arben Rakipi dhe ish-shefit të Shërbimit Informativ, Fatos Klosi.


Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço: “Dënime zyrtarësh deri edhe tek sekuestrimi i pasurive apo aseteve”

Intervistoi: Artur Qoraj

Ngritja e Byrosë së Hetimit ka shkaktuar debat, me zëra kundër dhe pro në politikë dhe në fushën e jurisprudencës. Debati përfshin faktin se kjo Byro mund të dublojë prokurorinë apo gjykatën dhe se ka dyshime që mund të bëhen goditje selektive të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, deputetëve apo ministrave dhe ish-ministrave. Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, shpjegon në një intervistë për gazetën “Dita” këndvështrimin e tij mbi këtë Byro.


Zoti Naço, si lindi ideja e ngritjes së Byrosë së Hetimit dhe cili është qëllimi i një strukture të tillë?

Së pari, ishte dhe një prej objektivave të programit të qeverisjes, e cila nga ide tashmë po zbatohet. Qëllimi i saj është funksionimi sa më mirë i veprimtarisë në goditjen e krimit të organizuar, trafiqeve, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Në të gjitha nivelet.


Kjo strukturë do hetojë zyrtarët e lartë të shtetit?

Kjo strukturë do jetë si një nukël që do hetojë zyrtarët e lartë të shtetit, por gjithashtu do drejtojë dhe kontrollojë zyrtarët e mesëm dhe të ulët. Por kjo do të sjellë padyshim edhe ndryshimin e ligjit.


Dhe si do funksionojë kjo strukturë, cila do jetë përbërja e saj?

Këto janë çështje teknike në vijimësi që po diskutohen dhe do të zbatohen. Mendohet të ngrihet një grup i mirëfilltë oficerësh. Por këto janë çështje teknike, për të cilat nuk mund të flitet tani. Dua të them se krimi i organizuar, trafiqet apo korrupsioni, që janë edhe krime të rënda, duhet të goditen me efikasitet. Kjo nuk cenon institucionet e tjera si Gjykata e Lartë apo Prokuroria, për rastin e deputetëve apo zyrtarëve të lartë.


Pra nuk dublohet prokuroria apo gjykata?

Byroja e Hetimit mund të ketë edhe një emër tjetër. Nuk ka të bëjë as me prokurorinë dhe as me gjykatën, për më tepër që t’i dublojë. E theksova më sipër se kishte nevojë për reformim përsa i përket strategjisë së goditjes së krimeve të rënda, krimit të organizuar, korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të ulët, të mesëm dhe të lartë, që ky korrupsion të goditet në zemër dhe të kalojë një fazë më tej.


Çfarë do të thotë një fazë më tej?

Deri edhe tek sekuestrimi i pasurive apo aseteve. Kësaj i shërben edhe projektligji, apo paketa e re për ndryshimet në sistemin e drejtësisë. Ndryshimi i kompetencës, pra hetimi i rasteve të korrupsionit që do të bëhet nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, do të japë efektet e duhura. Pra i japim këtij institucioni mundësinë që të reagojë dhe të luftojë realisht korrupsionin.


Ky institucion ngre akuza?

Është prokuroria që i ngre akuzat, kurse ky nukël që do krijohet, ka për detyrë të gjejë prova, fakte dhe të kopsisë dosjet sa më mirë dhe me rezultate. Edhe vendimet për këto dosje do i japë gjykata, pra nuk ka dublim të institucioneve të drejtësisë.


A mendoni se do ngrihet steka e arrestimeve deri te zyrtarët e lartë?

E thashë që qëllimi për të cilin po ngrihet Byroja e Hetimit është goditja në zemër e korrupsionit, e krimit të organizuar, trafiqeve dhe pastrimit të parave. Dhe kur themi lufta ndaj korrupsionit, nuk bëhet fjalë vetëm për zyrtarët e mesëm, por edhe të lartë. Gjithnjë bazuar në fakte dhe prova.

Rezultatet ndaj krimit dhe korrupsionit i kërkon publiku shqiptar, i kërkojnë edhe ndërkombëtarët. Por të gjitha këto do bëhen hap pas hapi. Momentalisht nuk mund të flasim nëse do ketë apo jo efikasitet. Ende nuk ka nisur puna.


Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Arben Rakipi: “Tre elementë që mund ta bëjnë të suksesshme këtë strukturë”

Zoti Rakipi, si e komentoni lajmin për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimeve?

Ende nuk kemi njohje të thelluar për këtë projekt. Kam lexuar në shtyp se do të ngrihet një strukturë e tillë, por nuk kam lexuar ndonjë projekt se si do të ngrihet, si do të funksionojë etj. Gjithësesi mendoj se krijimi i një Byroje Hetimesh është korrekt dhe i mirëpritur. Në parim mendoj se është një akt i drejtë për të rritur efikasitetin e organeve të drejtësisë në luftën kundër krimit.


Ministri Drejtësisë thotë se kjo Byro do të ngrihet për të hetuar zyrtarët e lartë të administratës shtetërore. Pra, mund të mendohet se do të kemi edhe arrestime të bujshme për krime dhe vepra të rënda, hetimi i të cilave ka dështuar deri më sot?


Kjo mbetet për t’u parë. Ajo që mund të them me bindje tani është se ky hap do të ndihmojë organet prokurorisë dhe të gjyqësorit.


Si ish-prokuror i përgjithshëm, çfarë duhet sipas jush, për të qenë e suksesshme një strukturë e tillë?

Për të qenë e suksesshme një strukturë e tillë, duhet harmonizimi dhe kombinimi i drejtë i tre elementeve: saktësia e strukturave; përzgjedhja e njerëzve që do të punojnë aty; bashkëpunim i frytshëm dhe i vullnetshëm me organet e prokurorisë dhe të gjyqësorit. Po të harmonizohen si duhet këta tre elementë unë besoj se kjo strukturë e re do të jetë e suksesshme dhe do të ketë autoritetin e nevojshëm për të bërë punë të mira.


Ish-shefi i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi: “Byroja e Hetimit të bashkëpunojë me SHISH-in dhe policinë antikrim”

Zoti Klosi, tani së fundmi po diskutohet ngritja e një Byroje Kombëtare të Hetimit, ngjashëm me FBI-në amerikane. Mendoni se ky akt  do të jetë efikas në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?

Mendoj se do të jetë një hap efikas. Akoma sot, ka një farë kakofonie në mjediset e institucioneve, që merren me trajtimin e dukurive të korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Barra për të përgatitur materialet e akuzës i ka mbetur kryesisht Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore.

Do të ishte një sistem më efikas nëse në këtë detyrë të rëndësishme, të ingranohej më shumë dhe Policia kriminale dhe  Shërbimi Informativ Shtetëror. Sidomos për këtë të fundit, implikimi më konkret, nëpërmjet ligjit, në punën në favor të akuzës, do të ishte shumë më efikas se sa delegimi i kësaj detyre, nga ana e Kryeministrit, siç mund të bëhet sot. Kjo do ta vinte këtë Shërbim në pozita përgjegjshmërie më të madhe, në luftën kundër dukurive të mësipërme.


Krijimi i kësaj Byroje Hetimesh, mos do të thotë se do të ngrihet steka e arrestimeve, pra do të kemi një shkallë më të lartë ndëshkueshmërie, madje dhe në rangjet e larta të politikës?

Nuk mendoj se ka të bëjë me ngritjen e stekës, ligji nuk mund të parashikojë “steka”, kurrëkush nuk mund ta ndalojë as sot Prokurorinë, ta ngrejë stekën deri ku duhet. Problemi i riorganizimit më duket se është më shumë teknik se politik. Besoj se bëhet fjalë për një bashkëpunim të organizuar me ligj, midis të gjithë institucioneve investigativë, shpresojmë në të mirë të një profesionalizmi të shtuar të punës për zbulimin dhe dënimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Planifikimi i organizuar i prioriteteve të punës të secilit prej institucioneve investigativë dhe organizimi i bashkëpunimit institucional midis tyre, është ndjerë si nevojë qysh shumë vite më parë, por fatkeqësisht nuk është bërë dot e mundur. Mbase ka ardhur koha që të kapërcehet dhe kjo prapambetje.


Artur Qoraj - Xhevdet Shehu










Ambasada Britanike:



Akuzat e PD ndaj “Crown Agents”, 
të rreme dhe të pandershme

Ambasada Britanike në Tiranë reagon për debatin rreth kompanisë private “Crown Agent”. Në të parin deklarim zyrtar pas “zhurmës” në media, Ambasada britanike deklaron se akuzat për korrupsion ndaj kësaj kompanie janë të rreme dhe praktika të pandershme biznesi.
“Crown Agent” vepron në përputhje me legjislacionin strikt të Mbretërisë së Bashkuar, mbi praktikat e biznesit dhe me ligjet e vendeve në të cilat është duke punuar. Mirëmbajtja e parimeve më të larta dhe standardeve etike është e rëndësishme për kompaninë dhe për qeverinë britanike. Projekti i propozuar nga Crown Agents është një temë legjitime për mediat dhe debatin politik. Pa dyshim ka argumente pro dhe kundër një propozimi të tillë. Megjithatë dhe në media kanë bërë akuza të rreme për korrupsion dhe praktika të pandershme biznesi kundër Crown Agents, madje edhe duke kërkuar të lidhin aktivitetet e kompanisë me ish-anëtarë të shquar të qeverisë britanike. Ata që merren me shqyrtimin dhe diskutimin e projekt propozimit duhet të jenë të vetëdijshëm se këto pohime janë të keqinformuar dhe krejtësisht pa baza” thuhet në deklaratë.


Sipas Ambasadës britanike, kontraktimi i kësaj kompanie ka ardhur si kërkesë e qeverisë, pas probleme me mbledhjen e taksave dhe të ardhurave doganore, që e kanë shoqëruar Shqipërinë. Vendimi për këtë projekt të propozuar varet tërësisht nga qeveria e Shqipërisë dhe parlamenti shqiptar, thekson Ambasada, ndërsa shton se është e rëndësishme të merret në konsideratë se Crown Agents është një kompani shumë e respektuar në Mbretërinë e Bashkuar.
“Në Shqipëri për disa kohë ka patur probleme me mbledhjen e taksave dhe të ardhurave doganore. Ka një nevojë të menjëhershme dhe serioze për të rritur të ardhurat nga doganat dhe taksat, në mënyrë që qeveria e Shqipërisë mund të sigurojë shërbimet dhe projektet që janë të kërkuara nga qytetarët e vendit.
Ka gjithashtu një kërkesë për ndërtimin afatgjatë të kapaciteteve në fushën e doganave dhe për masa për të ulur nivelin e korrupsionit.
Kompania britanike Crown Agents i ka propozuar qeverisë së Shqipërisë një projekt për të përmirësuar menaxhimin dhe performancën e shërbimit doganor, duke përfshirë elementet e rekrutimit, trajnimit dhe menaxhimit të karrierës.
Vendimi për këtë projekt të propozuar varet tërësisht nga qeveria e Shqipërisë dhe parlamenti shqiptar, duke marrë parasysh nevojat e Shqipërisë, përmbajtjen e projektit, dhe koston. Kontrata e plotë ka qenë dorëzuar në Kuvend në mënyrë që të informohen për përmbajtjen e saj. Megjithatë, është e rëndësishme të merret në konsideratë se Crown Agents është një kompani shumë e respektuar në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo ishte pjesë e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar derisa u privatizua në vitin 1997, dhe Qeveria britanike ka ende një vend në Fondacionin “Crown Agent” shprehet Ambasada britanike .

Në përfundim Ambasada britanike nënvizon se aktivitetet e “Crown Agents” janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe procedurat e Bashkimit Evropian, dhe mbështetës të procesit të anëtarësimit evropian të Shqipërisë, duke përfshirë “acquis” si edhe ”guidën doganore” të BE-së.

“Ajo ka qenë e përfshirë në më shumë se njëqind vende të botës, dhe ka punuar gjerësisht në projekte për qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. “Crown Agent” ka menaxhuar projekte specifike në fushën e doganave me sukses, në Bullgari, Maqedoni, Bosnjë– Hercegovinë dhe Kosovë. Ata që punojnë në projektet e Crown Agents për qeverisjen e mirë dhe të ardhurat, janë gati të gjithë zyrtarë në shërbim apo në pension nga shërbimet britanike doganore, ose të shërbimeve doganore të shteteve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Aktivitetet e Crown Agents janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe procedurat e Bashkimit Evropian,dhe mbështetës të procesit të anëtarësimit evropian të Shqipërisë, duke përfshirë “acquis” (të gjitha parimet, legjislacionin, rregulloret, udhëzimet politike, praktikat dhe detyrimet e rëna dakort nga gjithë shtetet anëtare të BE-së), si edhe ”guidën doganore” të BE -së “.

LEXO: