December 4, 2013

Drejtësia, një emergjencë kombëtare

Nga Skënder Minxhozi

Ka pasur një debat në orët e fundit, në lidhje me një paketë masash të qeverisë, për të pajisur me më shumë kompetenca Gjykatën dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në luftën kundër korrupsionit.

OSBE-ja dhe misioni amerikan në fushën e drejtësisë OPDAT, kanë kritikuar qeverinë për këtë hap, duke pretenduar se po krijohet mbivendosje, mbingarkesë dhe devijim i punës së këtyre organeve.

Ky diskutim publik vjen në momentin kur një videopërgjim i Fiks Fare ka zbardhur me detaje njërën ndër skemat e rëndomta që konsumohen nëpër cepat e gjykatave shqiptare, me gjyqtarë e prokurorë ryshfetxhinj që u marrin “edhe mishin, edhe kockën” hallexhinjve, e me sekserë që numërojnë paratë me shkathtësinë e një biletashitësi stadiumi. Të dyja këto ngjarje, debati parimor rreth reformës apo nismave për modifikime ligjore nga njëra anë, e rastit flagrant të Pukës nga ana tjetër, ndodhen në dy skaje, të cilat vërtet kanë të bëjnë me të njëjtën materie, drejtësinë e korruptuar, por që flasin me dy gjuhë krejt të ndryshme. Dhe ja pse.

Një reformë në drejtësi është një proces që nuk e ka shpikur as qeveria “Rama” dhe as klasa politike shqiptare. Për reformë në drejtësi flasin e debatojnë sot e gjithë ditën shoqëri shumë më të avancuara se e jona. Në parlamentet e Italisë, Francës e vendeve të tjera europiane, reforma në drejtësi, ligji zgjedhor, sistemi i taksimit dhe formulat ekonomike të zhvillimit të vendit, janë debate organike të klasave politike drejtuese e institucioneve demokratike. Nuk kemi shpikur asgjë të re, pra, madje jemi shumë vonë, për të hedhur hapa të shpejtë, në drejtim të normalizimit të një situate në sistemin e drejtësisë, që mund të konsiderohet pa më të voglën mëdyshje si një emergjencë kombëtare.

Por ka një element që edhe këtë proces kaq të natyrshëm e të domosdoshëm, e kthen në hipokrit, të pavërtetë e për pasojë pak të besueshëm. Në letrën që OSBE-ja ka dërguar, në lidhje me nismën e qeverisë për Gjykatën dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me të drejtë thuhet se “Në mendimin tonë, kuadri ligjor aktual nuk mund të shihet si arsyeja e deritanishme e dështimit të luftës ndaj korrupsionit. Siç theksohet në Raportin e Progresit të Komisionit Europian, problemi qëndron te mungesa e një qasjeje proaktive, si dhe te mungesa e burimeve dhe pajisjeve të përshtatshme. Një luftë serioze ndaj korrupsionit do të përqendrohej së pari tek aksioni dhe jo te reforma thjesht ligjore…” Përtej rastit konkret, për të cilin mund të ketë disa qëndrime dhe interpretime, ajo që OSBE-ja e lexon drejt (megjithëse bën pjesë tek ato institucione që kanë bërë një sy qorr e një vesh shurdh për korrupsionin në Shqipëri në këta njëzet vjet), është më se e vërtetë. Korrupsioni galopant në vendin tonë nuk ka ardhur nga ndonjë mungesë a boshllëk ligjor. Rregullat e lojës për të luftuar këtë fenomen kanë qenë dhe janë aty. Ka munguar vetëm vullneti politik për të zbatuar ligjin. Edhe reagimet e klasës politike për rastin e Pukës ishin dhe vazhdojnë të jenë ose të rrëmujshme, ose hipokrite, si provë e qartë e mungesës së vullnetit politik. Nga njëra anë qeveria duket se nuk e ka ende të qartë se nga do ta nisë procesin e shëndoshjes së drejtësisë. Nga ana tjetër, opozita, dikur qeverisja tetëvjeçare, vazhdon të ngulmojë për ruajtjen e status quo-së, duke i mëshuar parimit të garantizmit, më shumë sesa nevojës për ndryshime rrënjësore. Politika vijon të luajë me drejtësinë, një segment të cilin ajo e ka manipuluar e keqpërdorur në vite, për të fshehur e justifikuar zullumet e saj.

Për t’u kthyer te konflikti i dukshëm mes reformës së propozuar nga qeveria dhe videopërgjimit të Pukës, sot kushdo që jeton në këtë vend, paguan taksat e voton, ka të drejtën të bëjë një pyetje fare të thjeshtë: çfarë tjetër duhet, që zyrtarët e shfaqur në video të marrin një dënim të shpejtë dhe të merituar, sipas dispozitave përkatëse ligjore?! Dhe prej këtej, problemi zgjerohet me të tjera dilema e pikëpyetje. Çfarë duhet, për të kuptuar se kasta e gjyqtarëve e prokurorëve të këtij vendi, ka një standard jetese që kurrsesi s’mund të jetë fryti i një pune të ndershme “me rrogën e muajit”?! Edhe sa prova të tjera, si ajo e Fiks Fare, duhen për të bindur institucionet që kanë vulën dhe firmën, për të lëvizur nga vendi?!

Në nëntor të vitit të shkuar, revista Java botonte një shkrim investigues, rreth një hetimi që është kryer mbi një numër gjyqtarësh e prokurorësh, në lidhje me stilin e jetesës dhe pasurinë e vënë ndër vite. Hetimi konsistonte në verifikimin e lëvizjeve së këtyre personave jashtë vendit dhe rezultatet kanë qenë befasuese. Një numër i madh i tyre rezultojnë se kanë dalë jashtë vendit thuajse çdo fundjavë, duke marrë madje edhe vendime gjyqësore pa qenë fizikisht në Shqipëri (një kundërvajtje e hapur ligjore). Me fjalë të tjera, një stil jetese që përkon me vilat e makinat luksoze që ky komunitet përdor çdo ditë në këtë vend.

Verifikime si këto të mësipërmet sot i disponon edhe kupola e drejtësisë në Shqipëri. Faktet janë të njohura, por askush nuk merr ndonjë masë konkrete. E këtu videopërgjimi i Pukës me paketën e masave të qeverisë, bien ndesh në mënyrë flagrante. Çfarë duhen modifikimet ligjore, kompetencat e zgjeruara, kur faktet për korrupsionin në drejtësi janë sheshit?! Edhe sa mynxyra të tjera, si ajo e vrasjes së komisarit të Shijakut do të duhen, që të kuptohet se drejtësia ka bërë krushqi me krimin e korrupsionin prej vitesh?! Edhe sa video si ajo e Pukës duhen, që të kuptohet se një gjyqtar dhe një prokuror marrin lekë nën dorë nga çdo fatkeq që troket në derën e tyre?!

Ajo që po vihet re këto ditë, është se rreth drejtësisë si sistem dhe korrupsionit si fenomen, ka shumë retorikë. Shumë zhurmë, shumë deklarata publike. Shumë tym, por pak, fare pak zjarr. Vetëm në ditën e djeshme u regjistrua një mbledhje e KLD-së jashtë radhe, e provokuar nga videopërgjimi i Pukës, u ndërmor një padi penale për ata që kanë garantuar ligjërisht ndërtimin e kompleksit Jon në Vlorë, si dhe u mor nga qeveria vendimi për shembjen e tij dhe kompensimin e banorëve. E gjitha kjo, në sfondin e rezultateve të indeksit të perceptimit të korrupsionit, të publikuar nga “Transparency International”, ku Shqipëria renditej krahas vendeve si Tanzania dhe Etiopia. Ky pozicion alarmant i vendit tonë në listën e korrupsionit botëror, duhet të bëjë të mendojnë seriozisht politikanët dhe shtetarët, që kanë përgjegjësi për imazhin e tij. Ndoshta po trokasim në derën e gabuar, sepse politika është një tjetër sektor i krimbur në korrupsion i shoqërisë shqiptare. Por fatkeqësisht nuk ka derë tjetër, është e vetmja që ofron sistemi.

Gazeta “Shqip”


*   *   *



Edmond Haxhinasto

i nxjerr të palarat Belle Air 
të Lulzim Bashës

Tre ministria të kabinetit qeveritar raportuan, në një seancë të posaçme para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, se shkaku i falimentimit të “Belle Air” ishte keqmenaxhimi financiar, por nuk përjashtuan dhe mundësinë e mashtrimit.


“115 milionë euro qarkullim, me fitim të deklaruar 3.5 milionë euro, me një treg mbi 50 për qind monopol. Pyetjes së ku kanë shkuar paratë do t’i përgjigjet në detaje hetimi”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj.

“Ka qenë edhe për ne kjo pyetja nëse ka apo jo vepër penale gjithë kjo veprimtari nga zyrtarë të kompanisë, ose nga zyrtarë të Qeverisë. Nga sa duket ne na krijohet bindje që ka”, tha ministri i Financave, Shkelqim Cani.

Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto deklaroi se Qeveria është duke mbikëqyrur procesin e kompensimit të udhëtareve

“Do të shikohet se si është realizuar rimbursimi i personave që kanë kërkuar rimbursim. Një pjesë e tyre kanë preferuar me kompani të tjera, duke bërë dhe një pagesë ekstra. Por duhet të kemi parasysh që në fund të fundit, ajo biletë është edhe kontrata që ekziston midis pasagjerit dhe kompanisë”, tha Haxhinasto.

Por ish-ministri demokrat i Financave Ridvan Bode tha se Qeveria po e keqmenaxhon çështjen dhe se nuk ka asnjë zgjidhje për të mbrojtur pasagjerët e mashtruar.

“Nuk do të mund të bëhet me vullnetin e mirë apo me fjalë. Kërkon një zgjidhje ligjore dhe ju nuk e keni ofruar një të tillë. Tani Gjykata vazhdon vepron, ju mund të merreni me hetime, me prokurori dhe me akuza, por do të jetë e pamundur për ju që të ndërhyni në proces për të mbrojtur qytetarët, 52 mijë njerëz që kanë lidhur kontratë me këtë kompani”, tha Bode.

Zoti Bode mendon se Shqipëria duhet të rishikojë kuadrin ligjor për të mbrojtur qytetarët nga shërbimet e parapaguara jo vetëm në sektorin e udhëtimeve por në të gjitha të tjerat.

“Jemi duke e parë ligjin e falimentimit, eshtë pjesë e reformave strukturore që ne do të marrim. Ajo dorë që ju tundni, në fakt duhet të ketë bëjë me 6 milionëshin e eurove që nuk ia keni mbledhur”, tha Ahmetaj.

‘Belle Air’ shpallin pezullimin e përkohshëm të fluturimeve në 22 nëntor duke lënë 52 mijë pasagjerë me bileta të pronotuara, ndërkohë që kompania që prej vitit 2008 nuk kishte paguar asnjë lekë për tarifën e shërbimit, të cilën ja u ka marrë qyyetarëe në biletë.

Ama-News

*   *   *

December 3, 2013

Ça Thu

vënë me shpatulla pas muri 
Fabio Fazio  e  Luciana Littizzetto RAI 3

Dy drejtuesit e emisionit “Ça Thu” në “Agon Channel” kanë vënë në siklet një nga personazhet më të njohur të televizionit italian. Sajmiri dhe Gentjani kanë udhëtuar drejt Milanos për të takuar Fabio Fazion e “Che tempo che fa” në “RAI 3”  për t’i kërkuar “llogari” për deklaratat në emisionin e tij kundër shqiptarëve.

Ça Thu, Agon channel, che tempo che fa,
Saimir Kodra, Enzo Iacchetti dhe Gentjan Zenelaj
“Ça Thu” në “Agon Channel”

Në emisionin e Fazios, bashkëprezantuesja e tij Luciana Littizzetto  është shprehur se “Alessio Vincin e kanë ftuar në Shqipëri për të dhënë ide të reja për një televizion të ri, nuk di nëse ka shkuar me gomone ose jo, por ai ka marrë formatin e emisionit të Fazios, dhe nuk di nëse të ka paguar për këtë marrje që ka bërë?”.  Më tej Littizzetto  thotë se “shqiptarët nuk u mjaftuan që i dhanë diplomë “Trotës” (djalit të Bossit), por tashmë marrin dhe formatet e emisioneve.” Kjo bëri që dy drejtuesit e “Ça Thu” kanë pritur përpara zyrës së tij drejtuesin e emisionit Fabio Fazio. Pas daljes nga studio Fazio u ndalua nga Sajmiri dhe Gentjani duke u ndjerë në siklet dhe me kërkesën që të mos i thoni për intervistë pasi nuk ishte i disponueshëm. 

che tempo che faDy drejtuesit shqiptarë nisën “presionin” ndaj Fazios i cili insistonte se nuk jepte asnjë intervistë dhe po ndihej i bezdisur nga ndalimi që i bënë dy drejtuesit e “Ça Thu”. Genti i iu drejtua Fazios me pyetjen; “Pse lejove këtë shprehje të shëmtuar për shqiptarët “që përdorin gomone”? Ndërsa Sajmiri i tha se “Bashkë me kolegen ia keni futur kot apo jo”? Fazio tha se “nuk kam përmendur kurrë atë fjalë në emision dhe mos thoni budallaqe”! Sajmiri i kërkoi të thoshte se ka bërë budallallëk të madh që ka lejuar të tilla shprehje për shqiptarët në emisionin e tij.

Fazio u shpreh se kjo është çështje serioze dhe s’duhet bërë shaka. Ai nuk pranoi të jepte një prononcim deri sa dy drejtuesit e ironizuan duke i thënë që të vinte të punonte në Shqipëri. Fazio u ndje në siklet duke thënë se nuk i pëlqente kjo mënyrë e të bërit televizion. Në fund ai përshëndeti shqiptarët dhe u largua nga dy të ardhurit me mision nga Shqipëria t’i kërkuar llogari show-man-it të njohur italian.


*    *    *

Budallai nuk e ka emrin Kreshnik

Nga Bashkim Muça

Kur Kreshnik Spahiu kërkonte arrestimin e Sali Berishës të gjithë e merrnin për budalla. Për faktin se të gjithë e dinin se njerëzit që duhet ta bëjnë këtë akt janë fund e krye të emëruar në ato poste nga vetë Sali Berisha. Ata prej të cilëve presim arrestimin e Sali Berishës, kanë bërë çfarë kanë dashur, në emër të popullit, janë pasuruar në mënyrë të paligjshme në emër të ligjit, e të padrejtë në emër të drejtësisë, duke shkelur betimin e parë që bën njeriu i drejtësisë. E për këtë ja dinë për nder Sali Berishës.

bujar nishani

Kreshnik Spahiu kishte të drejtë, në parim, kur fliste për arrestimin e Kryeministrit, ndonëse, duke qenë profesionit, e dinte mirë se për ta realizuar këtë nuk ekzistonte asnjë mekanizëm real në Shqipëri.

Janë disa raste flagrante për të cilat Sali Berisha do duhej kalbur në burg. Ai është njeriu më i harbuar, në gjithë historinë e shtetit shqiptar, në drejtim të korrupsionit. Por është njëkohësisht njeriu më i saktë në kopsitjen e mekanizmave shtetërorë e jo shtetërorë, për t’u mbrojtur nga ndëshkimi. Ai e ka politizuar aq ekstremisht shoqërinë, sa çdo tentativë serioze për të vendosur drejtësinë do të konsiderohej nga një pjesë e mirë si politike e do vlerësohej si hakmarrje e njërës palë për palën tjetër. Por politika nuk mund të mbetet pafund streha e batakçinjve. Drejtësia nuk ka asnjë lidhje me populizmin. Kemi mjaft shembuj përreth, së fundi në Kosovë, por edhe përtej detit, ku drejtësia ka ndëshkuar Berlusconin, udhëheqësin karizmatik të së djathtës, jo për vrasje, as për shitje pasurish kombëtare, siç akuzohen këta tanët, por për shmangie nga taksat në biznesin e tij privat.

Kërkesa e raportuesit të Shqipërinë në Parlamentin Europian, për arrestimin e zyrtarëve të lartë duke nënkuptuar edhe Sali Berishën, është një sinjal i fortë se nuk kemi të bëjmë me spekullime e as me luftë politike. Por me drejtësinë dhe të ardhmen e vendit. Për fat jo të mirë jemi shumë larg dhe kjo është tronditëse. Shikoni çfarë ndodh? Ish ministra, të akuzuar me fakte, publikisht nga ish opozita, si të korruptuar, dalin zgërdhihen, kërkojnë llogari në vend që të ndodhë e kundërta, të japin llogari përpara drejtësisë. Gjyqtarë e prokurorë, të paktën kanë heshtur e të shumtën kanë dhënë vendime krejtësisht të padrejta në këmbim të përfitimeve të paligjshme, ose bërjes së karrierës.

E keqja më e madhe, e provuar kjo tashmë, është se drejtësia në Shqipëri po mbahet peng në emër të pavarsisë. Mos ndëshkueshmëria e korrupsionit, dmth korrupsioni vetë në organet tona të drejtësisë, mbahen në këmbë në emër të institucioneve të pavaruara.

Po a ekzistojnë mekanizma që ta zhbëjnë këtë sistem të korruptuar, të mbyllur, të qepur mirë në interes të krimit? Nuk ka diskutim, se kjo gjë kërkon një vullnet politik. Por jemi në kushte kur ky vullnet është vështirë të sigurohet. Dhe këtu është problemi. Sepse për të ndëshkuar Berishën duhen ndryshuar të emëruarit prej Berishës, pikërisht për të mos bërë drejtësi për Berishën, e këtu përfshihet edhe vetë Presidentit i Republikës, pa bashkëpunimin e të cilit nuk mund të ndryshohen gjërat lehtë.

Në kushtet kur Parlamenti nuk e ka shumicën e mjaftueshme prej 2/3 për të shkarkuar Presidentin, gjë që do ti hapte rrugë reformimit të sistemit të kalbur të drejtësisë, duhet kërkuar mekanizëm tjetër në emër të shumicës në Parlament. E nëse ky mekanizëm nuk gjendet, do duhet të presim edhe katër vjet të tjera derisa Bujar Nishani të mbarojë mandatin dhe të zgjedhim një President tjetër. Po a kemi kohë për të pritur ikjen qetësisht të personazheve përgjegjëse për të luftuar korrupsionin, të cilët çdo ditë e më tepër po na dëshmojnë që ata vetë janë epiqendra e korrupsionit?

A ka krim më të ndyrë se një sistem i tërë zingjir drejtësie, të përfshihet në lënien në burg me muaj të tërë, një protestues periferik, pa asnjë rrezik me pasoja të mëdha, vetëm e vetëm për ti marrë para, në këmbim të lirimit, ndërkohë që protestat në Shqipëri janë të lira? A ka kuptim që Kryegjyqtari i Republikës të komuniukojë me publikun “për çështje principiale”, vetëm kur emri i tij përmendet si i përfshirë në zingjirin e korrupsionit?! A duhet pranuar që defekti i një sistemi të tërë të korrptuar të reduktohet në faje individësh që incizohen nga media, e nuk ndëshkohen nga mekanizmat e kontrollit të sistemit?

Shumica qeverisëse duhet të ketë të qartë një gjë: Edhe sikur të punojë në mënyrë perfekte, do ta ketë ndëshkimin prapa nëse nuk gjen mekanizmat për të institucionalizuar mekanizmat e ndëshkimit ligjor për çdo individ në Shqipëri, kushdoqoftë ai. Përveçse punë dhe siguri, populli kërkon edhe drejtësi.

Shumica duhet të hedhë hapa konkretë, në kërkim të mekanizmave që vendosin drejtësinë në Shqipëri. Duke kërkuar bashkëpunimin e Presidentit. Le të bëhet pengesë ky i fundit po të dojë. Le ta marrë faturën ai. Ndërsa mund të gjenden edhe hapësira të tjera për çështje të veçanta të drejtësisë. Miliona shqiptarë nuk mund të presin më tej, për hatër të frikës që kanë dhjetra të korruptuar të verifikuar në sytë e tyre. Të paktën edhe për një arsye: Sepse “budallai” tani nuk e ka më emrin Kreshnik, por e ka Europë.


*   *   *

Erion Braçe:

Lulzim Basha kërko falje, Sarandën ia dhe Greqisë, Vlorën vjehrrit për pallat

erion braceDeputeti socialist, Erjon Braçe, reagon pas depozitimit në Prokurorinë e Vlorës të një padie lidhur me pallatin e Bashës në Ujin e Ftohtë. Braçe shkruan se ashtu si Basha i dha gjirin e Sarandës Greqisë me një firmë, ashtu e kthehu detin e Vlorës në pallat për veten.

Deklarata e plotë në Facebook:

Pra, si perfundim, për kompleksin Jon të vjehrrit të partisë në Vlorë rezulton: Prona është shtuar me vendime abuzive administrative e gjyqësore, madje duke i dhënë sipërfaqe të ujërave territoriale të Shtetit Shqiptar
(kjo sipërfaqe ujore më pas është mbushur me materiale inerte për të shërbyer si shesh ndërtimi);

Leja e ndertimit per kete prone, te tille te manipuluar, eshte dhene ne kundershtim te plote me planin urbanistik te Vlores ende ne fuqi;

Leja e ndertimit eshte shkelur nga investitoret si ne siperfaqe, ne lartesi por edhe ne koeficentin e shfrytezimit te prones percaktuar qarte ne leje;

Kompleksi eshte regjistruar ne ZRP te Vlores pa patur lejen e shfrytezimit, dokument i rendesishem per te plotesuar kete akt.

SHKURT;
GJITHCKA E PALIGJSHME!!

Per me shume;
NJE SERI ZYRTARESH PUBLIKE NE KOMISIONIN E KTHIMIT TE PRONAVE, NE GJYKATE, NE ZRPP VLORE, NE BASHKINE E VLORES QE KANE SHKELUR ME VETDIJE TE PLOTE LIGJIN!

DUHET BERE DREJTESI ME TA!

Pas kesaj paligjshmerie evidente, Berisha e Basha duhet te heshtin dhe te flasin vetem per te artikuluar:

JU KERKOJME FALJE!!

Nderkohe paligjshmeria duhet zhbere!
Ujrat territoriale te shtetit SHQIPTAR duhet te rikthehen menjehere!

Sic ne gjiun e Sarandes ku Lulezim Basha i mori per tia dhene Greqise, ne gjiun e Vlores i mori per ti bere pallat!

KY ESHTE TURPI I POLITIKES!

*   *   * 

Gary Kokalari: Ofroj prova për Berishën…




Shqiptaro-amerikani i njohur Gary Kokalari, kreu i shoqatës i shoqatës së “Shqiptarëve për një Shqipëri Demokratike”, rikthehet në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “DITA” duke bërë një skaner të zhvillimeve politike në Shqipëri muajt e fundit. Ç’mendon ai për afro tre muajt e parë të qeverisjes Rama? Cila është arritja më e madhe e kësaj periudhe dhe pse nuk mund të konsiderohet shans i humbur vendimi kundër demontimit të armëve kimike të Sirisë? Si do të vepronte Berisha në një rast të ngjashëm dhe çfarë do të bënin Fatmir Mediu dhe Shkëlzen Berisha me këto armë? Mbi të gjitha, një dokument i 13 dhjetorit të vitit të kaluar që tregon se American Chartered Bank  nuk ka lëshuar asnjë garanci në mbështetje të ofertës së VETRO Silk Road për Albpetrol-in. A duhet arrestuar Berisha me këshillën e europianëve dhe çfarë do të ndodhë nëse Kryeministri Rama toleron Berishën…



- Zoti Kokalari, cili është mendimi juaj për tre muajt e parë të qeverisë së re shqiptare?

- Unë mendoj se kjo duhet të shihet në kontekstin e disa elementëve kryesorë të ndryshimit që shqiptarët shpresuan kur i dhanë mbështetjen e tyre dërrmuese ndryshimit të pushtetit në qeverisjen e vendit. Të tilla janë zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit . Për sa i përket ekonomisë , unë mendoj se është shumë herët për t’i dhënë qeverisë së re një vlerësim, për shkak se duhet kohë për të zbatuar programe që stimulojnë rritjen. Sa i përket korrupsionit, unë mendoj se ai është shqetësues, edhe pse qeveritarët janë duke folur për përballjen me këtë problem, siç thonë ata, por në të tilla raste veprimet flasin më shumë se fjalët. Kur unë të shoh se qeveria e re do të marrë masa agresive për të hetuar tërësisht disa nga rastet shumë të veçanta, që janë shembuj shumë të mëdhenj abuziv të korrupsionit , të tilla si Albpetrol , ARMO , Gërdeci dhe AEY, për të përmendur vetëm disa, unë do të kem pastaj më shumë besim në synimet e qeverisë së Ramës. Nuk është se mungojnë faktet e bollshme që tregojnë praktikat korruptive nga zyrtarë të lartë të qeverisë Berisha në secilën prej këtyre çështjeve.



- Mund të flasim më konkretisht?

- Patjetër. Për shembull, më 13 dhjetor 2012, kam marrë një e-mail (shih kopjen më poshtë) nga këshilltari ligjor i American Chartered Bank  që në mënyrë eksplicite dhe kategorikisht thotë se banka nuk ka lëshuar asnjë garanci në mbështetje të ofertës së VETRO Silk Road për Albpetrol-in . Megjithatë , në buletinin 133 të nxjerrë nga qeveria shqiptare më 12 tetor 2012 dhe të nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Sali Berisha , deklarohet se garancia e American Chartered Bank ishte e vlefshme dhe se Patton Boggs kishte konfirmuar vlefshmërinë e kësaj garancie. Natyrisht , dikush është sfiduar nga e vërteta. Unë jam gati të vë bast se nuk ishte American Chartered Bank. Sipas mendimit tim, Sali Berisha dhe zyrtarë të qeverisë shqiptare dhe të Patton Boggs, përfaqësues të të cilët ishin përgjegjës për privatizimin e Albpetrol, duhet të thirren menjëherë dhe të detyrohen t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me mënyrën se si ata arritën në përfundimin se garancia e American Chartered Bank ishte e vlefshme . Unë gjithashtu besoj se qeveria shqiptare duhet t’i kërkojë zyrtarisht American Chartered Bank dhe rregullatorëve të bankave të qeverisë amerikane të ndajnë informacion në lidhje me hetimet që ata kanë bërë në çështjen e garancisë fantazmë. Unë kam shumë informacion në lidhje me këtë çështje që unë po tregoj dhe do të jem i lumtur ta ndaj këtë informacion me zyrtarët e duhur të qeverisë shqiptare. Nëse ata janë seriozë në lidhje me zbulimin e së vërtetës do të më kontaktojnë mua. Nëse ata nuk e bëjnë, heshtja e tyre do të flasë për të kundërtën.


Faksimile

Faksimile e emailit te keshilltarit ligjor te American Chartered Bank.




- Çfarë do të konsideronit si arritjen më të madhe të qeverisë Rama gjatë kësaj periudhe të shkurtër?

- Unë do të thoja se arritja më e madhe deri më sot ka qenë vendimi kundër pranimit armë kimike Sirisë.



- A mendoni se ky vendim i Ramës kundër armëve kimike të Sirisë ishte një dështim dhe një shans i madh i humbur për Shqipërinë?

- Kur historia shfaq për herë të parë, unë u shpreha hapur kundër pranimit nga ana e Shqipërisë për këto armë të shkatërrimit në masë, kështu që unë mendoj se ishte një vendim i drejtë. Dhe, edhe pse unë e kuptoj se mund të ketë pasur shanse për Shqipërinë në qoftë se qeveria Rama do të kishte pranuar kërkesën , unë besoj se rreziqet do të ishin më të mëdha se shpërblimet. Për më tepër, Shqipëria nuk duhet ta shesë veten në këtë mënyrë. Unë gjithashtu mendoj se kërkesa nga qeveria e Shteteve të Bashkuara ishte e papërgjegjshme, veçanërisht në dritën e tragjedisë së Gërdecit dhe paaftësisë së qeverisë së mëparshme në për të garantuar në mënyrë të sigurt demontimin e municioneve të kalibrit të madh. Unë kam deklaruar më parë se Shqipëria ka qenë shumë më tepër e përunjur ndaj kërkesave të SHBA, dhe për shkak të bashkëpunimit të Shqipërisë në fusha me rëndësi për interesat strategjike amerikane, të tilla si lufta kundër terrorizmit dhe stabiliteti në Ballkan, Shqipëria ka demonstruar se është një aleat i besueshëm. Unë gjithashtu kam deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të trajtojnë Shqipërinë si një partner strategjik, jo si një gur shahu strategjik. Pra, nga Shqipëria duke treguar se interesat e brendshme të saj janë parësore kundrejt kërkesave të paarsyeshme amerikane, tregon se ajo është pjekur në mënyrën se si reagon ndaj presionit të huaj. Le të shpresojmë se, si rezultat i kësaj çështje, Departamenti i Shtetit i ka kuptuar  që të marrë në konsideratë shqetësimet e Shqipërisë, para se të bëjë kërkesa të paarsyeshme ndaj qeverisë shqiptare.



- Ky qëndrim i juaji duket se është i njëjtë me atë të opozitës aktuale, pra të Berishës, gjithnjë në lidhje me armët kimike të Sirisë. Apo jo?

- Jo, aspak. Unë duhet të them se ishte disi komike për të parë se si Berisha gjeti rastin të kërcente si fitimtar për të protestuar kundër armëve kimike . Por protestuesit e vërtetë e panë këtë maskaradë dhe i thanë Berishës të shkonte në shtëpi. Nuk duhet të ketë dyshim, nëse Berisha do të ishte ende në pushtet, ai do të kishte ofruar menjëherë Shqipërinë si një terren për të hedhur aty armët kimike të Sirisë . Dhe ai do ta kishte bërë këtë jo për të mirën e shqiptarëve, por në përpjekje për t’i hyrë në zemër SHBA për të çuar më tej axhendën e tij. Sipas këtij skenari, unë nuk mendoj se dikush do të ishte i befasuar nëse një kontejner i armëve kimike  ”ra nga kamioni” dhe mbeti në duart e Fatmir Mediut dhe Shkëlzen Berishës. Ata pastaj mund të telefononin mikun e tyre të vjetër Henri Thomet të ndërmjetësojë për shitjen e armëve të shkatërrimit në masë përsëri tek Asadi.


- Ditët e fundit, një zyrtar i lartë në Bruksel deklaroi se është momenti i duhur që në Shqipëri të arrestohet një ministër apo Kryeministër. Shumë shqiptarë mendojnë se ky ishte një apel për autoritetet shqiptare për të arrestuar zotin Berisha ose ndonjë nga ish-ministrat e tij. Ju si mendoni?

- Nëse deklarata e zotit Vuljanic mund të ndihmojë të çuar përpara një hetim për çështjet e Berishës, kështu po, besoj se mund të ndodhë. Por ua them sinqerisht, kjo është një histori e vjetër, u tha në një mënyrë të re për shkak se luftimi i korrupsionit ka qenë pjesë e koleksionit të kërkesave të BE-së në Shqipëri, si një parakusht për anëtarësimin në BE. Zërat më të rëndësishëm për këtë çështje duhet të jenë ato të popullit të Shqipërisë, i cili foli me zë të lartë dhe të qartë 23 në qershor, kur ata i dhanë qeverisë Rama një mandat tejet të fortë për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet. Nëse Rama do të tolerojë Berishën, ai shpejt do të humbasë besimin e shqiptarëve, duke përfshirë dhe shumë anëtarë të partisë së tij.
  


Kush është Gary Kokalari


Gary Kokalari është themelues i organizatës së “Shqiptarëve për një Shqipëri Demokratike”, një grup avokatie i formuar në Shtetet e Bashkuara për të promovuar institucionet demokratike në Shqipëri. Ai ishte themelues, arkëtar dhe drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ndërsa ka themeluar zyrën e parë lobuese për shqiptarët në Uashington. Z. Kokalari është gjithashtu një themelues dhe drejtor i Fondacionit Ndihmës Shqiptar, i cili ka zyra në Nju Jork dhe në Tiranë dhe ka ofruar mbi 10 milionë dollarë ndihmë humanitare në Shqipëri. Ai shërbeu si drejtor i Fondit Ndihmës të Kosovës dhe ndër projektet që ai organizoi ishte një transport ajror i ndihmave humanitare, të dhuruara nga Qyteti i Nju Jorkut kur drejtohej nga Kryebashkiaku Xhuliani, që zoti Kokalari ua shpërndau kosovarëve në kampet maqedonase të refugjatëve gjatë luftës së vitit 1999. Me kërkesë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ai siguroi fonde për një ekip pune për heqjen e minave në kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës. Aktivizimi i tij ka pasur ndikim të rëndësishëm në sektorët ekonomikë dhe politikë të Shqipërisë. Z. Kokalari ka botuar artikuj të shumtë për Shqipërinë dhe krizën e Kosovës, ndërsa është shfaqur në programet televizive kombëtare në SHBA për të diskutuar çështjet shqiptare.

Në vitin 1998, ai filloi një seri takimesh të mbyllura ndërmjet udhëheqësve të komunitetit amerikano-shqiptar dhe ambasadori Riçard Hollbruk, i cili në atë kohë ka shërbyer si njeri i presidentit Klinton i caktuar për krizën e Kosovës.

Familja e zotit Kokalari ka qenë aktive në çështjet e komunitetit shqiptar amerikan për mbi 100 vjet. Babai i tij, Leonard Kokalari, emigroi nga Gjirokastra, Shqipëri, si një djalë i ri. Ai shërbeu në Korpusin Ajror të Ushtrisë së SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ishte një udhëheqës aktiv i komunitetit Shqiptaro-Amerikan. Ai ishte president i Qendrës Shqiptare të Nju Jorkut, një nga organizatat më të vjetra shqiptaro-amerikane, dhe një udhëheqës i Vatrës. Drita Kokalari, nëna e Gary-t, ka lindur në SHBA dhe shërbeu si Presidente e Qendrës Shqiptare derisa vdiq në prill 2013. Babai i Dritës, Sam Pashun, i cili ishte me origjinë nga Nivica, ishte një president i Federatës Pan-shqiptare Vatra, dhe themelues i Qendrës Shqiptare në Shtetet e Bashkuara.



*    *    *

December 1, 2013

Sali Berisha:



Viçidoli, rinia dhe gratë që ndikuan jetën time

Ish kryeministri Sali Berisha, në një intervistë me gazetaren Sonila Meço në Agon Channel, bën një rrëfim të gjatë për jetën e tij, fëmijërinë, vitet si student i Mjekësisë, vendimi për t’i hyrë politikës e deri në ditët e sotme.

Sonila Meco dhe Sali Berisha



Sonila Meco - Mësimi më i vyer që ju ka dhënë nëna, cili ka qenë?

Sali Berisha - Mësimi më i vyer, më i çmuari ishte ky. Ne kemi qenë një familje patriarkale qartësisht, por në aparencë në të vërtetë ne ishim një familje matriarkale. Familje në të cilën nëna ishte shumë influente në vendimet dhe vendimi i saj më pozitiv në jetën time ka qenë fakti se ajo më imponoi mua kultin e motrës. Po.


Kulla e Berishajve në Viçidol


Sonila Meco - Kulti i Motrës që do të thotë?

Sali Berisha - Ne ishim tre fëmijë, 2 vëllezër dhe një motër.
Çfarë ndodhte në familjen tone, e para ishte motra në mënyrën më të padiskutueshme. 
Motra ishte 6 vjet para meje, ajo bënte gjithçka që të derdhte të gjithë dashurinë mbi mua, më ka mësuar të lexoj 5 vjeç. Nuk kanë të përshkruar aktet e saj të dashurisë ndaj meje. Por në familje ajo ishte mbretëresha dhe nëna që vigjilonte me angazhimin total se mos po ndodh ndryshe dhe ndryshe nuk mund të ndodhte. Pse më ka shërbyer kjo? Për të më dhënë sensin e barazisë shumë i domosdosshëm. E kam thënë edhe dikur, shumë vite më vonë lexoja Frojdin, kam qenë shumë i apasionuar pas Frojdizmit dhe lexoj që në familjen Frojdi në Vjenë, motra Ana bleu një piano dhe tani Frojdi nuk duronte dot tingujt e pianos kur kjo luante dhe e ëma e Frojdit ia mori dhe ia shiti pianon. Të kishte qenë për nënën time do më detyronte…

Ne jemi Ndryshimi PerPara! 
(Frojdizmi – Metamorfoza e Sali Berishës, 
Nga Gomari te Piano!!!

Sali Berisha - Motra më mësoi mua shkrim e këndim 5 vjeç dhe natyrisht unë kam pasur një tipar, unë isha një fëmijë fotografik, me një memorie shumë të fuqishme dhe nga gjërat më të para që unë mësova ishte Fishta. Në atë periudhë funksiononte oda, akoma nuk ishte zhdukur oda e burrave që ishte një si të thuash, një debat jo televiziv, që zhvillohej çdo natë dhe kishte si moderator në familjen tonë xhaxhanë. Ishte shumë i zhdërvjelltë. Kjo është një bibliotekë moderne, por besoj se në një qoshe të Odës do ishin edhe sënduqet e Gjakovës, të mbushur me libra. Unë tani mësoj Fishtën sepse doja të përfillesha, kishte një kujdes ndaj nesh. Na lejonin në odë, por me një kod shumë të veçantë, nuk mund të flisnim, nuk mund të pyesnim, mund të dëgjonim mund të hanim darkën po në një sofër të veçantë kur ishin miqtë, por  gjithçka shumë të rregullt, përndryshe i humbisnim këto atribute. Të gjithë mësonim Fishtën, kushdo e donte Fishtën. Dhe unë nëpërmjet Fishtës bëhesha pjesë e odës, sepse pasi bisedonin, pasi dëgjonin eposin e kreshnikëve me lahutë dhe pastaj ndonjëri do më thoshte, a do na e recitosh Fishtën?
Dhe bëheshe protagonist. Më ka dhënë shumë kënaqësi kjo gjë.

 Protagonisti 



 Sonila Meco - Thuhet keni pasion leximin…

Sali Berisha - Gjatë gjithë rinisë time unë kam qenë tmerrësisht i lidhur me librat. Natyrisht jam përpjek që një pjesë të kohës ta ndaj për lojë me shokë e shoqet e mia, por libri ishte pasioni më kryesor.


 Shokët e Sali Berishës



Sonila Meco -  Jeni i lumtur për fëmijërinë që keni kaluar?

Sali Berisha - Jam, sepse kam marrë, sigurisht fëmijëria ime nuk ka qenë kurrë bahçe me lule. Ka qenë me vështirësitë e veta, ka qenë me gëzimet e veta, por jam i lumtur. Domethënë sivjet lexova një libër dhe ua këshilloj të gjithëve ta lexoni. Libër i shkruajtur nga Malcolm Greeduell “Outliers” dhe në këtë libër ku ai shqyrton se si formohen njerëzit më të shquar dhe ai thotë një të vërtetë; “është shumë e rëndësishme fëmijëria, se si me qëllime ndaj fëmijëve ne humbasim shumë të mëdhenj, gjeni të shquar”. Andaj kujdes fëmijët.

Sali Berisha këshillon: Kujdes fëmijët!


Sonila Meco - Në vitin 1958, adoleshenti Sali Berisha lë Tropojën dhe vjen në Tiranë. E vështirë përballja e parë me Kryeqytetin?

Sali Berisha - Shumë e vështirë. Imagjinoni një njeri që vjen nga një fshat i Tropojës. Të marrim ushqimin, me një ushqim të ndryshëm si dita me natën, me ushqimin e konviktit. 


Sonila Meco - Ju rrinit tek teknikumi mjekësor te Medreseja…..?

Po, ku pothuajse çdo gjë që më servirej ishte jo familjare për mua. Mëngjeset ishin një gotë  çaj me një rriskë djathë. Ky ishte mëngjesi. Dreka. Ishte një grosh e zier, por ishte groshë e kuqe, groshët e Tropojës janë të shkëlqyera, nuk kisha provuar kurrë, këto nuk më  përshtateshin kurrkund dhe darka që ishte një supë. Po supa ka historinë e vet. Vinte një supë e cila na hidhej në një pjatë alumini, njëlloj si në romanet e Çarls Dikens, ajo mbante erë pishë. Unë nuk arrija ta kuptoja, s’e haja sigurisht. Kur ç’ndodhi. Si nxënës bënim shërbim në menzë. Shkoj unë ditën e shërbimit shikoj kazanët, ata hunjtë që përzienin supën kishin rrëshirë pishe. I them asaj kujdestares, ju me këto na jepni. I mori, i hoqi, gjeti ca shkopinj ahu. Por në qoftë se kushtet ishin këto, mësuesit ishin të shkëlqyer. Ne kemi pasur mësues në atë shkollë në lëndë të përgjithshme, të gjithë të shkolluar jashtë. Në gjuhë kishim një nga më të shkëlqyerit që kam njohur, Peter Elezi..
Kisha dhe një sens unë. Sensi ishte se unë nuk ndiqja dot, unë ndiqja orbitën time dhe ata ndiqnin orbitë shumë më të pasur se unë, në lodra në aktivitete dhe kjo më bënte mua që të isha shumë i respektueshëm ndaj tyre dhe jashtëzakonisht korrekt dhe gjithnjë shumë i dashur. Lexoja 8 muaj rresht dhe e shikoja pastaj që kisha humb sensin e realitetit dhe e ndërprisja leximin 1 muaj për t’u pasuruar me informacione të realitetit, u thosha të mos fluturoj në orbitën totale sureale.


Sonila Meco - Pas dilemave Sali Berisha vendos: “do të studioj mjekësi”. Nga lindi ky pasion për mjekësinë z.Berisha?

Sali Berisha - I gjithë pasioni im ishte letërsia, historia, por kryesisht letërsia dhe deri vitin e tretë të fakultetit bëra përpjekje të jashtëzakonshme që të më lejohej që të vazhdoja dy fakultete. Mjekësi dhe letërsi, por pasioni i parë ishte letërsia. Kjo nuk mu lejua dhe më në fund dështova në përpjekjen time dhe pastaj i gjithë si të thuash, pasioni, mu drejtua drejt mjekësisë dhe disa shkenca të saj, si biokimia molekulare, shkencat e fizikës ose gjenetika. Të gjitha këto filluan të më tërheqin shumë. Dhe pastaj unë dija gjuhë të huaja, lexoja tekste në gjuhë të huaja.


Sonila Meco - Z.Berisha, ju ka tunduar qoftë edhe njëherë të vetme rikthimi në mjekësi?

Sali Berisha - Jo. Pse? Sepse vendimi im për t’u larguar, për të bërë atë që s’kisha bërë, ishte një vendim për të lënë mbrapa të sëmurin, për të lënë mbrapa studimin, për të lënë mbrapa kërkimin shkencor dhe në një farë mënyrë ndjehesha edhe pak fajtor, por i detyruar që të bëja atë veprim. Ishte për të hyrë në një proces, por ky proces shkonte duke t’i zverdhur gjërat që t’i kishe adhuruar aq shumë dhe kthehem tek liritë dhe të drejtat e njeriut dhe bind veten se këto janë vlerat më eprore. Këto janë të vërtetat më të mëdha që unë duhet të mbroj. Dhe po të shohësh shkrimet e mia të para, unë jam ndalur me të gjithë forcën tek liritë dhe të drejtat e njeriut.


Sonila Meco - Mua më thonë që Sali Berisha ka një dhunti të jashtëzakonshme për të dalluar verërat me varietete…

Sali Berisha - Vera mbi të gjitha është poezi. Dhe unë nuk pretendoj që jam një njohës, unë jam një dashurues i verërave dhe prap do të kthehem tek origjina e kësaj. Unë isha fëmijë, në fillore dhe aty në shkollë bëhet një festë dhe siç ishim të mëdhenj e të vegjël të ulur nëpër tavolina u servirnin birrë, ndofta birra ishte e prishur a nuk e di se çfarë, e futa në gojë dhe e nxora menjëherë, aq e idhët mu duk. Edhe sot e kësaj dite s’jam bërë mik me birrën. Dhe historia e dytë është në një fshat të Tropojës, Markaj, një zonë Katolike, ata bënin verë dhe ne i kishim miq ata. Në një drekë na kishin servirur verë, a ishte verë tamam apo verë me mushtarak, akoma s’e kam të qartë, por e shijova aq shumë sa mbeta mik me verën për gjithë jetën time. Unë çdo ditë përdor verën dhe e kam përdorur gjithë jetën, por asnjëherë më shumë se 1 gotë në ditë. Ndonjëherë në shtëpinë time, gostinë e verës e bën Lili, këngën e kam unë.

 Familja Sali Berisha

Gazetarja Sonila Meço i tregon një foto të vitit 1990 ku dallohet bashkëshortja Liri me të birin Shkëlzenin. 
Berisha thotë:

Sali Berisha - Padyshim që, pas nënës Lili është njeriu që i detyrohem më shumë në tokë. Dhe para këtij viti, njeriu që unë i kam marrë miratimin, ishin fëmijët, natyrisht ndaj meje mund të mbaheshin qëndrime dhe pasi e pa që për mua ishte më mirë, ndjehesha më mirë që të ndiqja rrugën që kisha vendosur, ajo më ka mbështetur plotësisht. Ka qenë plotësisht dakord. Ne, edhe si mjekë, po të marrësh jetën tonë familjare, në kohë ne nuk kemi pasur një jetë të plotë familjare kur kemi qenë mjekë e kur u bëmë zyrtarë, në kuptimin që ishim shumë të zënë. Ajo me fëmijët, unë me punë, por në një harmoni absolute dhe respekt për punën që bënim. Kjo ndodhi pastaj edhe në lëvizje. Lili u bashkëngjit sapo filloi lëvizja, duke mos më thënë kurrë në jetën e saj se kjo mund të ketë këtë rrezik, apo atë rrezik.

 Don Kishoti i Lirisë


Sonila Meco - Sa ndikim ka pasur në jetën tuaj?

Sali Berisha - Ajo ka padyshim një ndikim shumë të madh në jetën time, sepse, si të thuash, është një tërësi me mua. Nuk them se diskutoj çdo vendim me të, apo s’diskutoj vendime, por vetëm me qëndrimin e saj aktiv dhe kritikat e saj, janë një faktor absolut.

23 Qershor 2013 - Pensionistët



*   *   *

Mero Baze:

Arrestimi i Berishës? 
S’jemi gati, 
problemi është te Drejtësia

Gazetari Mero Baze ka komentuar për Express çështjen e luftës antikorrupsion në Shqipëri dhe mundësinë e arrestimit të Ish -Kryeministrit Sali Berisha dhe eksponentëve të Qeverisë së tij.

Kjo temë kohëve të fundit është diskutuar në Bruksel, në kontekst të kushtëzimit të integrimeve të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe provave që duhet të japë Tirana në luftën antikorrupsion.

Baze ka deklaruar se tashmë është e qartë se Berisha ka për çka të arrestohet. Por sipas tij vështirë se diçka e tillë mund të ndodhë për shkak të degradimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

“Shqipëria duket se nuk është ende gati për këtë. Jo aq shumë nga vullneti i qeverisë se sa nga degradimi i sistemit të drejtësisë që është edhe produkt i pushtetit të Berishës” thotë ai.

“Nëse Perëndimi do të mësoj se kur Shqipëria do të ketë shtet ligjor, nuk ka nevojë ta monitoroj Shqipërinë, por thjeshtë të pres të dëgjoj kur do të arrestohet Sali Berisha. Sali Berisha ka konsumuar vepra të qarta penale për të cilat mund të arrestohet dhe të mos dal më kurrë nga burgu, nëse në Shqipëri do të vendoset ndonjëherë shteti ligjor” ka shtuar ai.

Sipas Baze, ka të paktën disa vepra penale të provuara publikisht.

Ka një kapje të shtetit nga klientë të familjes së tij, kryesisht të vajzës dhe djalit, ka një orientim të ligjeve në interes të bizneseve të caktuara të klientëve të familjes së tij, dhe në fund ka dhe një veprimtari kriminale për të minuar stabilitetin financiar në vend, pasi humbi pushtetin më 23 qershor, duke prodhuar për tre muaj V.K.M. me efekt shkatërrues ekonomik në interes të njerëzve të tij” ka thënë ai.

Gazetari Baze ka pohuar se Berisha është fajtor ndër të tjera edhe për tragjedinë e Gërdecit, rastin e 21 janarit ku janë vrarë 4 qytetarë shqiptarë dhe raste

“Sali Berisha është përgjegjës dhe fajtor, për korrupsionin galopant, për kapjen e shtetit nga kompani preferenciale që ishin klient të djalit dhe vajzës së tij. Dosjet penale dhe administrative të Sali Berishës janë një mal i tërë me të cilat një shtet ligjor do të kishte punë të merrej dhe pas vdekjes së tij. Për shkak të tij ka 30 të vrarë vetëm nga Gërdeci dhe 21 Janari dhe qindra jetë të shkatërruara nga krimi dhe arroganca e njerëzve të pushtetit të tij. Ndëshkimi i tij, do të ishte lehtësim për një gjeneratë të tërë të zhgënjyer shqiptarësh nga demokracia dhe do të forconte besimin tek një sistem i cili po degradon dita ditës” ka thënë Baze.

Sipas Bazes, në Shqipëri ka plotë eksponentë të ish -Qeverisë që mund të arrestohen.

” Genc Ruli ka bërë shkelje të qarta të ligjit me dëm ekonomik, duke firmosur koncesione që duhet ti firmoste parlamenti, Arben Imami ka bërë gjëma me bizneset e ushtrisë, përgjime të opozitës të paligjshme, dhe financime të paligjshme të medieve pro qeveritare në kohën e Berishës, Lulëzim Basha i ka ikur akuzës për 22 milion euro me procedurë, pa u ballafaquar në gjyq, Fatmir Mediu i ka shpëtuar burgut duke përdorur imunitetin, Eduard Halimi ka përdorur të burgosurit në fushatën e fundit duke bërë premtime për falje dënimesh për burg të përjetshëm” ka thënë Baze.

Por a do të mund Qeveria e Edi Ramës të përballej politikisht me një ndërmarrje të tillë?

“Me dënimin merret drejtësia. Por problemi tek ne është drejtësia. Ajo është më arrogantja dhe më e inkriminuara. Një emision i Fiks fare, nga më të mirët e historisë së shtypit shqiptar, provoi se për tre muaj rresht një i dënuar shqiptar, ju desh të paguante që nga sekretarja e gjykatës në Pukë, deri tek Kryetari i Gjykatës së Lart në Tiranë. Dhe sot ka dal ish ministri i drejtësisë i Berishës, që i mbron. Pra këtu problemi më i madh është se kush do ta ndëshkoj drejtësinë shqiptare” thotë ai.

“Nëse Edi Rama dhe kjo qeveri ka ndërmend të bëj diçka, duhet ta nis me reformimin e gjyqësorit, me shtrirjen e këtij sistemi, me kalimin në referendum për këto ndryshime kushtetuese, për të bërë popullin zot të këtij ndryshimi dhe pastaj për të filluar të ndëshkoj historitë kriminale në Shqipëri. Me këtë drejtësi, krimi dhe korrupsioni në Shqipëri janë në festë” thekson ai.



*   *   *

Mbi Mohimin e 29 Nëntorit

Nga Viktor Malaj – “Dita”

Mohimi i 29 Nëntorit, data e Çlirimit të Shqipërisë, është një sipërmarrje e dështuar e Sali Berishës. Kjo nismë përkon me ngjitjen e tij në pushtet, në vitin 1992 dhe vijoi me përpjekje të shumëllojshme, deri të dhunshme për të ndaluar veprimtari përkujtimore për këtë datë dhe për ditën e dëshmorëve. Ata që e kanë ndjekur me vëmendje politikën shqiptare të këtyre 23 viteve, e dinë se Sali Berisha, në kohë dhe për shkaqe të ndryshme, ka paraqitur tri arsye pse pati bërë lutje për t’u anëtarësuar në Partinë e Punës (komuniste). Në fillim pati thënë se ishte lavdia e Luftës Nacional-Çlirimtare që e shtyu ta bënte këtë. Madje, edhe kur mbajti fjalimin e tij para studentëve dhe popullit në Qytetin Studenti në dhjetor 1990, ai i thuri lavde udhëheqësit komunist, Ramiz Alia që “me guxim dhe trimëri udhëhoqi formacionet partizane për çlirimin e vendit…”.


Më vonë, pasi u ul në krye të vendit, filloi të sillej si ia donin nevojat për të ruajtur pushtetin, duke shkelmuar të vërtetat dhe parimet morale. Ai arriti deri atje sa të ndryshonte datën e Çlirimit. Pse?

Po ta shohim me vëmendje këtë veprim kundërhistorik, imoral dhe antikombëtar mund të evidentojmë disa shkaqe, por po veçoj tre prej tyre, që besoj se ndikuan më drejtpërdrejt.

Së pari, Sali Berisha nuk e kishte politikën si mision në shërbim të vendit, por si qëllim individual, nga njëra anë, për të promovuar veten politikisht për t’u bërë sundimtar, mundësisht i përjetshëm, dhe, nga ana tjetër, për të arritur atë pozitë ekonomike që tashmë ka familja e tij, një familje milionerësh.

Ambiciet e tij për pushtet kanë qenë të hershme dhe ai e ka synuar dhe kërkuar atë qysh gjatë regjimit komunist. Për njerëz si Sali Berisha nuk ka rëndësi lloji i sistemit por vendi që zë ai në atë sistem. Ai sistem që e bën atë sundimtar është sistemi i tij dhe ky, vetë, kryegardiani i sistemit.

Po, ç’punë i prishte 29 Nëntori Sali Berishës?

Ai është pa parime, pa moral dhe pa shpirt, por nuk është budalla. Saliu e di shumë mirë se tre momentet më të rëndësishme historike të popullit shqiptar janë: Epopeja e Skënderbeut, Shpallja e Pavarësisë dhe Lufta Nacional-Çlirimtare. Të gjithë popujt më dinjitozë dhe më të zhvilluar të botës konsiderojnë dhe nderojnë si figura të mëdha kombëtare individë që kanë kontribuar në çlirimin e vendit, në pavarësimin e tij, në zhvillimin e revolucioneve arsimore, kulturore apo industriale të vendeve të tyre.

Sali Berisha e di se nuk mbetesh në histori si figurë madhore me ngritjen e sistemit të kjoskave, të firmave piramidale, të komplekseve të aty-këtushme të bixhozit apo me zhvillimin marramendës të hoteleve, restoranteve dhe vilave të ndërtuara me paratë që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.

Ai e vuan fort mungesën e një beteje reale në jetën e vet politike. Në kërkim të saj, ka 23 vjet që lufton me mullinjtë e erës. “Lufta” e tij dhe ushtrisë së tij ka qenë një zinxhir aktesh të turpshme dhe antikombëtare që çuan në shkatërrimin e fabrikave, uzinave, vreshtave, pyjeve, minierave, shkollave, qendrave kulturore, shëndetësore etj. Lufta e tij marrake e ka detyruar gjysmën e shqiptarëve ose të kërkojnë punë nëpër rrugët e botës, ose ta ngrysin ditën nëpër qendrat e bixhozit. Alibia e luftës kundër komunizmit e komunistit Sali Berisha do të vdesë një ditë. Atë vazhdojnë ta besojnë sot vetëm dy kategori shoqërore: tufa e injorantëve, pre e propagandës vulgare të pesëdhjetepesë fahrinjve dhe një pjesë e individëve që vazhdojnë ende të jetojnë me urrejtjen pasiononte që iu ka pas shkaktuar persekutimi komunist.

Sikur Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Ismail Qemali të ishin gjallë apo të kishin parti të tyre politike, që i rrezikojnë pushtetin Sali Berishës, ne do të kishim qenë dëshmitarë të tiradave denigruese ndaj tyre. Por Berisha e ka zakon të “lartësojë” ata që s’i bëjnë dëm. E dëgjuam si e shpalli të ndjerin S. Olldashi “një njeri poliedrik”, megjithëse ishte një individ fare mesatar, në çdo aspekt që ta gjykosh. Po të ishte gjallë i ndjeri dhe të fajësonte, me të drejtë, Berishën për disfatën e 23 qershorit, kush e di çfarë do na dëgjonin veshët kundër tij.

Faik Konica thoshte dikur se, sikur Ahmet Zogu të kishte drejtuar rezistencën kundër Italisë në prill 1939, ai (Zogu) do të merrte atributet e një heroi kombëtar. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë këto atribute iu përkasin atyre që e bënë një akt të tillë. Gabimet dhe fajet e tyre të mëpastajme nuk ia zbehin vlerën luftës. Prandaj, për t’i denigruar ata, duhej denigruar vepra e tyre. Jo fare hapur por nëpërmjet ndryshimit të datës së Çlirimit, pra nëpërmjet instalimit të harresës. Data është preteksti, është mjeti dhe jo qëllimi.

Së dyti, mendoj se gjatë aktivitetit të vet politik Sali Berisha ka qenë dhe është i rrethuar nga individë dhe forca ekstremiste të djathta, të cilat, jo vetëm nuk pranojnë bashkëpunimin e tyre me pushtuesit gjatë luftës, por përpiqen ta paraqesin atë si “luftë civile”. Ndikimi i tyre, jo romantik, por për interes të votave, e ka çuar Berishën deri në ekstremin e marrëzisë. Personalisht, jam nga ata individë që beson se ballistët dhe zogistët janë po aq atdhetarë sa edhe komunistët dhe, po të kishin pasur udhëheqje më të mençur, më largpamëse dhe më atdhetare do të kishin zhvilluar beteja kundër pushtuesve, po aq të lavdishme sa ato të partizanëve.

Së treti, të menduarit dhe të gjykuarit e njeriut evoluon dhe ndryshon me ndryshimin e pozitës së vet shoqërore. Nuk kanë thënë kot se ndryshe mendohet në pallate dhe ndryshe në kasolle. Kur Partia e Punës e mori Saliun e Vogël nga  “kasollja”, domethënë pa qenë askushi, dhe e bëri dikushin, madje gjithkushin, Saliu iu përgjërua asaj ta pranonte në radhët e saj, ku qëndroi 22 vjet. Kur Partia “vdiq” dhe ky u bë Saliu i Madh, punët ndryshuan. Nuk mund të mendojnë njëlloj si sundimtari, si i sunduari, si milioneri ashtu edhe varfanjaku. Në këto rrethana shkon të thuhet: më trego sa ke në “xhep” të të them se çfarë mendon.

Rëndësia dhe vlerat e LNÇ nuk qëndrojnë aq shumë në trimëritë, reale apo të zmadhuara, të partizanëve. Para së gjithash, kjo është një çështje morale, kombëtare dhe historike. Kjo ka të bëjë sa me faktin se ajo luftë i rreshtoi shqiptarët me fituesit dhe parandaloi ndarjen e mëtejshme të Shqipërisë, aq edhe me mesazhin që ne iu përcjellim brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë. Shkurt, shtrohen pyetjet: A duhet luftuar kundër atij që të shkel vendin me tanke e topa apo duhet puthur me të? A duhen nderuar ata individë që e rrezikojnë dhe e japin jetën, duke iu kundërvënë pushtuesit, apo duhen ngritur në piedestal ata që pushtuesin e konsiderojnë “çlirimtar”, administrator apo thjeshtë “kalimtar”?

Nëse shkojmë me predikimin se është e kotë dhe gabim të luftosh kundër të madhit dhe të fortit, atëherë zhvlerësohen automatikisht të gjitha përpjekjet e popullit shqiptar për liri e pavarësi në shekuj, madje edhe epopeja e Skëderbeut do të quhej një marrëzi, pasi Perandoria Osmane ishte superfuqia e asaj kohe. Trimëria, sakrifica dhe atdhetarizmi tregohen kundër të fortëve sepse të dobëtit nuk guxojnë të të mësyjnë.

Prandaj, ata që sulmojnë 29 Nëntorin, në thelb janë kundër të vërtetës, kundër të drejtës, kundër moralit. Ata janë jo vetëm kundër të shkuarës, që ka ruajtur dhe forcuar identiteti e kombit, por edhe kundër të ardhmes. E ardhmja iu përket atdhetarëve dhe atyre që japin jetën për një të ardhme pa pushtues.



*   *   *