"

December 3, 2013

Budallai nuk e ka emrin Kreshnik

Nga Bashkim Muça

Kur Kreshnik Spahiu kërkonte arrestimin e Sali Berishës të gjithë e merrnin për budalla. Për faktin se të gjithë e dinin se njerëzit që duhet ta bëjnë këtë akt janë fund e krye të emëruar në ato poste nga vetë Sali Berisha. Ata prej të cilëve presim arrestimin e Sali Berishës, kanë bërë çfarë kanë dashur, në emër të popullit, janë pasuruar në mënyrë të paligjshme në emër të ligjit, e të padrejtë në emër të drejtësisë, duke shkelur betimin e parë që bën njeriu i drejtësisë. E për këtë ja dinë për nder Sali Berishës.

bujar nishani

Kreshnik Spahiu kishte të drejtë, në parim, kur fliste për arrestimin e Kryeministrit, ndonëse, duke qenë profesionit, e dinte mirë se për ta realizuar këtë nuk ekzistonte asnjë mekanizëm real në Shqipëri.

Janë disa raste flagrante për të cilat Sali Berisha do duhej kalbur në burg. Ai është njeriu më i harbuar, në gjithë historinë e shtetit shqiptar, në drejtim të korrupsionit. Por është njëkohësisht njeriu më i saktë në kopsitjen e mekanizmave shtetërorë e jo shtetërorë, për t’u mbrojtur nga ndëshkimi. Ai e ka politizuar aq ekstremisht shoqërinë, sa çdo tentativë serioze për të vendosur drejtësinë do të konsiderohej nga një pjesë e mirë si politike e do vlerësohej si hakmarrje e njërës palë për palën tjetër. Por politika nuk mund të mbetet pafund streha e batakçinjve. Drejtësia nuk ka asnjë lidhje me populizmin. Kemi mjaft shembuj përreth, së fundi në Kosovë, por edhe përtej detit, ku drejtësia ka ndëshkuar Berlusconin, udhëheqësin karizmatik të së djathtës, jo për vrasje, as për shitje pasurish kombëtare, siç akuzohen këta tanët, por për shmangie nga taksat në biznesin e tij privat.

Kërkesa e raportuesit të Shqipërinë në Parlamentin Europian, për arrestimin e zyrtarëve të lartë duke nënkuptuar edhe Sali Berishën, është një sinjal i fortë se nuk kemi të bëjmë me spekullime e as me luftë politike. Por me drejtësinë dhe të ardhmen e vendit. Për fat jo të mirë jemi shumë larg dhe kjo është tronditëse. Shikoni çfarë ndodh? Ish ministra, të akuzuar me fakte, publikisht nga ish opozita, si të korruptuar, dalin zgërdhihen, kërkojnë llogari në vend që të ndodhë e kundërta, të japin llogari përpara drejtësisë. Gjyqtarë e prokurorë, të paktën kanë heshtur e të shumtën kanë dhënë vendime krejtësisht të padrejta në këmbim të përfitimeve të paligjshme, ose bërjes së karrierës.

E keqja më e madhe, e provuar kjo tashmë, është se drejtësia në Shqipëri po mbahet peng në emër të pavarsisë. Mos ndëshkueshmëria e korrupsionit, dmth korrupsioni vetë në organet tona të drejtësisë, mbahen në këmbë në emër të institucioneve të pavaruara.

Po a ekzistojnë mekanizma që ta zhbëjnë këtë sistem të korruptuar, të mbyllur, të qepur mirë në interes të krimit? Nuk ka diskutim, se kjo gjë kërkon një vullnet politik. Por jemi në kushte kur ky vullnet është vështirë të sigurohet. Dhe këtu është problemi. Sepse për të ndëshkuar Berishën duhen ndryshuar të emëruarit prej Berishës, pikërisht për të mos bërë drejtësi për Berishën, e këtu përfshihet edhe vetë Presidentit i Republikës, pa bashkëpunimin e të cilit nuk mund të ndryshohen gjërat lehtë.

Në kushtet kur Parlamenti nuk e ka shumicën e mjaftueshme prej 2/3 për të shkarkuar Presidentin, gjë që do ti hapte rrugë reformimit të sistemit të kalbur të drejtësisë, duhet kërkuar mekanizëm tjetër në emër të shumicës në Parlament. E nëse ky mekanizëm nuk gjendet, do duhet të presim edhe katër vjet të tjera derisa Bujar Nishani të mbarojë mandatin dhe të zgjedhim një President tjetër. Po a kemi kohë për të pritur ikjen qetësisht të personazheve përgjegjëse për të luftuar korrupsionin, të cilët çdo ditë e më tepër po na dëshmojnë që ata vetë janë epiqendra e korrupsionit?

A ka krim më të ndyrë se një sistem i tërë zingjir drejtësie, të përfshihet në lënien në burg me muaj të tërë, një protestues periferik, pa asnjë rrezik me pasoja të mëdha, vetëm e vetëm për ti marrë para, në këmbim të lirimit, ndërkohë që protestat në Shqipëri janë të lira? A ka kuptim që Kryegjyqtari i Republikës të komuniukojë me publikun “për çështje principiale”, vetëm kur emri i tij përmendet si i përfshirë në zingjirin e korrupsionit?! A duhet pranuar që defekti i një sistemi të tërë të korrptuar të reduktohet në faje individësh që incizohen nga media, e nuk ndëshkohen nga mekanizmat e kontrollit të sistemit?

Shumica qeverisëse duhet të ketë të qartë një gjë: Edhe sikur të punojë në mënyrë perfekte, do ta ketë ndëshkimin prapa nëse nuk gjen mekanizmat për të institucionalizuar mekanizmat e ndëshkimit ligjor për çdo individ në Shqipëri, kushdoqoftë ai. Përveçse punë dhe siguri, populli kërkon edhe drejtësi.

Shumica duhet të hedhë hapa konkretë, në kërkim të mekanizmave që vendosin drejtësinë në Shqipëri. Duke kërkuar bashkëpunimin e Presidentit. Le të bëhet pengesë ky i fundit po të dojë. Le ta marrë faturën ai. Ndërsa mund të gjenden edhe hapësira të tjera për çështje të veçanta të drejtësisë. Miliona shqiptarë nuk mund të presin më tej, për hatër të frikës që kanë dhjetra të korruptuar të verifikuar në sytë e tyre. Të paktën edhe për një arsye: Sepse “budallai” tani nuk e ka më emrin Kreshnik, por e ka Europë.


*   *   *

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!