"

November 28, 2013

Bunga-Bunga,

10 skandalet më të mëdha të Berluskonit


Senati italian votoi dje për përjashtimin e Silvio Berluskonit, politikanit me historinë më të gjatë të skandaleve dhe gafave në vendet perëndimore, pas dënimit për evazion fiskal.

Që prej vitit 1994, kur ai u zgjodh kryeministër vazhdon të dominojë politikën italiane edhe pse së fundmi ndikimi i tij është zbehur.
Kavaljeri ka qenë kryeministër në vitet 1994-1995, 2001-2006, 2008-2011. Ai kontrollon grupin mediatik “Mediaset” si dhe është pronar i ekipit të futbollit A.C. Milan që prej vitit 1986.

Në vitin 2013, revista “Forbes” e rendiste atë si personin e 194-t më të pasur në botë me një pasuri neto prej 6.2 miliardë dollarë, kurse në vitin 2009, po kjo revistë e cilësonte 77-vjeçarin pesonin e 12-të më të fuqishëm në botë.
Pas thuajse dy dekadash dominim në politikën italiane, Berluskoni ka krijuar një profil të tij, ku identifikohet për humorin e pahijshëm dhe për skandalet e mëdha.

Ja kush janë 10 skandalet e tij më të mëdha:

10. Në konferencën për marrëdhëniet SHBA-Rusi, Berluskoni i uroi zgjedhjen si President, Barak Obamës duke e cilësuar atë “të hijshëm, të ri dhe shumë të nxirë nga dielli”.

9. Berluskoni shkaktoi zemërim të grupeve feministe në vitin 2005, kur tha se kishte shfrytëzuar sharmin e tij prej playboy për të bindur Presidenten e Finlandës, Tarja Holonen që të tërhiqej nga kërkesa e Finlandës për drejtimin e Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore.

8. Në janar të vitit 2009, Berluskoni tha se kishte në plan të rriste numrin e patrullave në qytetet italiane nga 3 000 në 30 000 për të luftuar krimin. Këtë ai e tha duke iu përgjigjur pyetjes se, a ndikonte numri i madh i ushtarëve në parandalimin e përdhunimit të femrave në Itali. “Nuk mund të kemi numrin e nevojshëm për të eliminuar riskun (e përdhunimit). Do na duheshin aq ushtarë, sa numri i femrave të bukura, dhe nuk mendoj se kjo është e mundur sepse ne kemi shumë femra të bukura”, u përgjigj 77-vjeçari duke u mundur të bënte një kompliment për femrat italiane.

7. Pasi u pyet lidhur me marrëdhënien që kishte me një prostitutë të mitur, Berluskoni u përgjigj para një audience në Milano se, “ata nuk duhet të lexonin më gazetat”. “Jam një burrë që punon gjatë gjithë ditës dhe ndonjëherë shikoj ndonjë vajzë. Është më mirë të jesh i apasionuar mbas femrave të bukura se sa të jesh homoseksual.”

6. Maummar Gaddafi nuk kishte shumë miq në Perëndim, por Berluskoni ishte një prej tyre. Kryeministri italian i dërgoi atij dy eskorta me femra për ta ndihmuar në vitin 2009 që lideri i Libisë të zgjidhej në krye të Unionit Afrikan.

5. Në vitin 2009, Italia u godit nga një tërmet 6.3 magnitudë. Ky ishte tërmeti më i fuqishëm në 30 vjet pasi shkaktoi 308 viktima dhe la 66 mijë njerëz pa shtëpi. Në një vizitë në vendet e prekura, Berluskoni tha se viktimat duhet të marrin anën pozitive dhe të kënaqen nga eksperienca në kamp. “Shikojeni si një fundjavë në kamping.”

4. Pas sulmit të 11 shtatorit në SHBA, Berkusoni tha: “Ne duhet të tregohemi të kujdesshëm për superioritetin e civilizimit tonë, një sitem që garanton mirëqenie, respekt për të drejtat e njeriut – në kontrast me vendet islamike – respekt për besimet fetare dhe të drejtat politike, një sistem që mirëkupton diversitetin”.

3. Berluskoni i tha deputetit gjerman të Parlamentit Evropian, Martin Schulz se, ai do të ishte “perfekt” në rolin e një nazisti të një kampi përqendrimi. “Di që në Itali një person po prodhon një film për kampet naziste… Duhet të rezervoj rolin e Kapo-s (një roje i zgjedhur nga të burgosurit). Mund të ishe perfekt!” Kjo deklaratë shkaktoi incident diplomatik mes dy vendeve.

2. Veronika Lario, bashkëshortja e dytë e Berluskonit kërkoi divorcin pas pjesëmarrjes së 77-vjeçarit në festën e 18-vjetorit të një vajze në Napoli. Ajo tha se nuk mund të rrinte me një burrë që shoqërohet me të mitura. Lario deklaroi se, Berluskoni kishte kaluar një fundjavë me Naemi Latizia-n në një vile në skandinavi në prag të festave të fundvitit në 2009-n. Kjo u vërtetua edhe nga fotot e paparacëve.

1. Kur një kërcimtare adoleshente marokene, Karmia El Mahroug (Ruby) u pyet nga policia në vitin 2010, ajo u tha prokurorëve se ishte përfshirë në një orgji me Kryeministrin, Silvio Berluskoni. Kuby tha se ajo dhe 20 femra të tjera të zhveshura kishin kërcyer në stil afrikan “bunga-bunga” për Berluskonin.



*   *   *

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!