"

November 28, 2013

Rilindja e ka emrin Antikorrupsion

                     Nga Andrea Stefani

Më 23 qershor, rreth 1 milion zgjedhës shqiptarë votuan për rotacionin e pushtetit, duke larguar Sali Berishën dhe duke sjellë në postin e Kryeministrit Edi Ramën.

Një votë në shumicë dërrmuese në favor të së majtës që neutralizoi efektet e çdo skenari manipulativ nga ana e qeverisë, duke e bërë urdhërore për të dorëzimin e pushtetit. Por kjo votë masive që bëri të mundur plotësimin e njërit prej kushteve themelore për marrjen nga Shqipëria të statusit të kandidatit, shtron edhe një detyrë shumë të vështirë përpara qeverisë së re: Luftën kundër korrupsionit që po i merr frymën shtetit dhe ekonomisë dhe që ka dalë si sfida e kryesore për rilindjen e projektit të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Pa ndëshkimin e të korruptuarve të qeverisë së kaluar pa dallim, kryeministër a ministra qofshin, miti i pandëshkueshmërisë nuk do të bjerë dhe ideja e barazisë së të gjithëve para ligjit nuk do të triumfojë. Rrjedhimisht nuk do të ketë as shtet ligjor dhe as integrim real të Shqipërisë në standardet europiane pavarësisht nëse e merr apo jo statusin në këtë dhjetor. Pa ndëshkim real të korrupsionit të madh nuk mund të ketë as Rilindje. Sepse rilindja shqiptare e ka emrin ANTIKORRUPSION!



Dhe nuk bëhet fjalë për “antikorrupsionin” që premtoi Sali Berisha 8 vjet më parë kur krahas shkallëve të pushtetit, ngjiste edhe shkallët e një apartamenti të stërmadh e luksoz në qendër të Tiranës, duke braktisur atë apartamentin e thjeshtë në Brrakë. Ashtu si anija kozmike braktis rezervuarët e boshatisur të karburantit, edhe Berisha e braktisi shtëpinë e thjeshtë të Brrakës, si pjesë e një skenari të vjetruar demagogjie, që kish shërbyer ca vjet për mashtrimin e shqiptarëve, psikologjia e të cilëve ende ruante një lloj nderimi për “thjeshtësinë komuniste” të udhëheqësit. Por në vitin 2005, kapitalizmi kish bërë përpara dhe tashmë, në mendësinë e Berishës shqiptarët, edhe pse shumica prapë të varfër, kishin krijuar raporte dhe pritshmëri të tjera lidhur me paranë, pra mund të duartrokisnin e mbështesnin edhe një lider të pasur. Prandaj Berisha vendosi të pasurohej, duke e nisur me një apartament, vlerën e të cilit vështirë se e justifikon me rrogën e 23 viteve tranzicion. Si me magji, motoja e luftës kundër korrupsionit u zëvendësua me moton: pasurohuni! Nuk është shkruar askund, por është motoja më e materializuar në vepra në 8 vite të qeverisjes së demokratëve. Shembullin e kryeministrit, që së bashku me familjen përflitet se është nga njerëzit më të pasur në Shqipëri, e ndoqën edhe oborrtarët e tij, ministra e deputetë. Nuk është fare rastësi që pasurimi i ministrave dhe politikanëve është sot një nga dukuritë më të gjithëdallueshme. Dhe pikërisht me këtë pasurim që rrezaton në verniqe makinash luksoze më të shtrenjta se apartamentet e shumë shqiptarëve, lidhet edhe shkalla alarmante e perceptimit të korrupsionit që, e testuar nga organizma si Transparency International, e ka gremisur Shqipërinë në humnerën e shteteve më të korruptuara në botë.


Shqipëria gremisej në humnerën e korrupsionit ndërsa kryeministri Berisha stërbetohej dhe premtonte luftë me tolerancë “0” ndaj tij. Shqiptarët nuk mund t’ia lejojnë asnjë qeverie përsëritjen e këtij skenari. Vota njëmilionëshe është votë kundër miliardave të korrupsionit që kanë mbushur xhepat e qeveritarëve dhe bizneseve të lidhur me ta, duke pasur për kosto spitale të kalbura, shkolla të munguara e nxënës që ngjishen në klasa si sardele, pensione mjerane për pleq e invalidë, paga tragjike, ujësjellës që nuk sjellin asnjë pikë ujë, drita që vijnë për të ikur dhe një borxh publik që po kreshpërohet si një goxillë mbi ekonominë e rrëgjuar. Pra nuk është fjala vetëm për pasurimin e disave. Është fjala për një pasurim korruptiv që bëhet në kurriz të së gjithë pjesës tjetër të shoqërisë, është zhvillimi i munguar dhe i penguar për shkak të korrupsionit. Prandaj shqiptarët nuk mund të lejojnë më të vazhdojë loja e kungulleshkave në Parlament me akuza e kundërakuza llafazane. Me darën e ligjit do t’ju a shkulim dhëmballët e korrupsionit! – i kërcënohej deri dje Berisha opozitës, ndërsa qeveria e tij zhytej në llumin e korrupsionit. Shqiptarët sapo i kanë dhënë një mandat të fuqishëm qeverisë “Rama”, pikërisht që me darët e ligjit, të shkulë nga gojët e qeveritarëve të djeshëm dhëmballët e kalbura të korrupsionit. Antikorrupsioni i ryshfeteve për mjekë, policë a mësues nuk duhet të shërbejë si një gjethe fiku për mosndëshkueshmërinë e korrupsionit në nivelet e larta të shtetit. Aty ku përgjegjësia dhe faji për korruptimin e shtetit është dhe më e madhe. Edhe ndërkombëtarët po kërkojnë ndëshkimin e kokave të kuçedrës së korrupsionit dhe jo vetëm të bishtit të saj. Të sanaderëve dhe jo të zhan val zhanëve. Antikorrupsioni nuk mund të jetë më një luftë që nis nga bishti. Ndaj qeveria “Rama” duhet që akuzat ndaj qeveritarëve të djeshëm për korrupsion dhe superskandalet t’i kthejë në dosje dhe këto t’ia përcjellë prokurorisë. E nëse kjo e fundit nuk do të tregojë vullnet për të kryer misionin që i ka caktuar Kushtetuta, antikorrupsioni duhet të nisë nga prokuroria dhe kushdo që i bëhet pengesë atij. Nuk është koha e paqes me korrupsionin apo ekonominë e zezë, që ende ka zëra që i paraqesin si të leverdishme për ekonominë, veçanërisht tani në kohë krize. Është koha e luftës me korrupsionin. Një urdhër një milion votash, zbatimin e të cilit nuk ka tagër ta thyejë askush. Një urdhër nga zbatimi apo jo i të cilit, varet fitorja apo disfata e shtetit. Kur është fjala për qeveritë, ato ose duhet të luftojnë korrupsionin, ose do të korruptohen. Rrugë të mesme nuk ka.


*   *   *

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!