Nga Mero Baze
Lulzim Basha e ka takuar Olldashin para
vdekjes, por nuk ka treguar! E pranoi sot në mbledhjen e grupit parlamentar, që
e kishte takuar disa ditë para vdekjes dhe që kishin folur për “unitetin” e
partisë. Problemi është kujt ia ka mbajtur Basha sekret këtë takim dhe pse nuk
e ka bërë publik?
Takimi Basha-Olldashi është një takim që mund
ta kishte bërë lajm kur ka ndodhur. Ata ishin dy rivalë, që hynë në një garë
krejt të pandershme me njëri- tjetrin. Basha, duke pasur në krah Berishën, i
cili ndërhyri brutalisht në fushatë, dhe tjetri, nën pabesinë e tyre, duke u
përdorur dhe kriminelë ndaj tij. Si përfundim, ditën e votimit u votua me lista
që nuk ishin anëtarë të PD-së, me fletë votimi me numër rendor, që e bënin
votimin të hapur, dhe nën një klimë terrori ku vota për Sokol Olldashin
identifikohej me Edi Ramën.
Pas kësaj paburrërie të madhe, Olldashi ndërpreu
komunikimin me Sali Berishën dhe natyrisht nuk kishte ndonjë mëri ekstreme me
të emëruarin e tij, Bashën, pasi ai thjesht u përdor në këtë histori të pistë,
siç është përdorur gjithë jetën.
Por fjalimi i tij para deputetëve sot ishte i
turpshëm. Nxitimi i tij për të shpallur Olldashin një mik, i cili ka vdekur i
pajtuar me të, fsheh përveç frikës nga ftohja me mbështetësit e Olldashit në
parti, dhe imitimin e një prej zakoneve më të ndyra të Sali Berishës me
kundërshtarët e vdekur të tij. Duket e tepërt, por kjo është në të vërtetë ajo
çfarë Sali Berisha ka bërë gjithë jetën me rivalët dhe kundërshtarët e tij pas
vdekjes.
Nuk hyj tek njerëzit paranojakë dhe nuk kam
asnjë iluzion se Pjetër Arbnorit, Azem Hajdarit, Gramoz Pashkos, etj., ua mori
jetën Zoti dhe jo Sali Berisha. Nuk hyj tek ata që shikojnë skenar konspirativë
apo eliminime fizike në këto vdekje. Por erzin pas vdekjes ua ka marrë Sali
Berisha. Duke mos i dashur sa ishin të gjallë, dhe duke i luftuar deri ditën e
fundit, pas vdekjes ai ka vrapuar t’i bëjë ata miq të tij, bashkëpunëtorë dhe
shokë lufte. Kështu ia bëri Azemit, të cilin për tetë vite e luftoi publikisht,
shtetërisht dhe personalisht çdo ditë. Pas vdekjes, e shpalli mik dhe shok
ideali. Kështu ia bëri Arbnorit, të cilin e la të ikte i dëshpëruar nga kjo
jetë. Kështu ia bëri dhe Pashkos, të cilin nuk e pranoi dot kurrë as si mik as
si bashkëpunëtor.
Lulzim Basha mund ta kishte kursyer këtë
cilësi të ndyrë të Sali Berishës për ta kthyer në identitet të vet. Ai mund të
mos e thoshte sot këtë gjë kaq të shëmtuar, për shkak se Sokoli nuk është me
dhe kësisoj Basha ka nevojë vetëm për mbështetësit e tij në mungesë të tij.
Nëse kishte diçka pozitive për PD nga takimi me Olldashin, ai duhet t’ua jepte
demokratëve atë lajm atë ditë kur u takuan.
E vërteta është se Sokol Oldashi i ka premtuar
Bashës se do të jetë me të kur ai të arrijë të bëhet kryetar partie, dhe jo
tani që është i dërguar i Berishës. Nuk dua të spekuloj çfarë di që i ka thënë
Basha, por me siguri dhe atë e bren diçka brenda vetes dhe nxiton dhe të jetë
në rregull dhe me Olldashin dhe me Berishën, po sidomos me Topallin. Por kjo
tani nuk ka më rëndësi. Ai nuk do të jetë më askund dhe Basha, i cili e
poshtëroi në muajt e fundit të jetës me ndihmën e Familjes, së paku mund ta
respektojë në heshtje ikjen e tij.
Nëse vërtet do ta respektojë, është mirë të
ndalë mediat e tij dhe portalet online të opozitës, që duan me çdo kusht ta
njollosin, duke bërë sikur i kërkojnë llogari policisë “pse nuk tregon” ku
ishte, me kë ishte, çfarë po bënte e ku do shkonte pak minuta pra vdekjes. Ka
plot mënyra për ta nderuar një njeri, qoftë dhe kundërshtar, pas vdekjes. E
vetmja gjë e shëmtuar është të thuash se ishim miq. Kjo përveçse një paburrëri,
është një nekrofili politike, një përpjekje për të përfituar nga dikush që nuk
ka fuqi të flasë. Ndonjëherë dikë mund ta respektosh më shumë duke i thënë
ishim kundërshtarë apo rivalë. Por kjo ka një sekret. Duhet të jesh vetvetja të
pranosh se ke një rival. Basha nuk mund të ketë të tillë. Ai ka miq dhe armiq
ata që ka Sali Berisha!
* * *
HYSEN SHOSHORI (pa koment): https://www.youtube.com/watch?v=HFzYi2QTVWM
ReplyDelete