"

December 26, 2013

Malli që duket nuk do kallauz


Nga Bedri Islami

Zakonisht kjo fjalë e hershme është jo për mallin, por për… malin. Mirëpo qeveritarët e deridjeshëm, thuajse të gjithë, sepse ishin në të njëjtën linjë, mallin e kanë bërë mal. 

Ta zëmë, Ridvan Bode – (ish ministri i financave kur ndodhi gjëma e vitit ‘97, dhe prapë ish-ministër financash vitet e fundit kur piramida financiare e shtetit është humnerizuar) – ka një vilë që duket se kushton rreth 750 mijë euro. Ai, po ashtu, ka edhe nje makinë luksoze, ka një llogari bankare, ka financuar jetesën apo studimet e fëmijëve të tij. Të gjitha këto, në 8 vite qeverisje, bëjnë një shumë prej rreth një milion euro. Kjo është ajo që dihet, pra pjesa e dukshme, e cila, krejt lehtësisht, mund të jetë maja e ajsbergut e pasurisë së tij. 

imazhe shqip

Shefi i financave i qeverisë Berisha , me gjithë të ardhurat shtesë në “studime” të ndryshme, veprimtari të njohura e të ditura, nuk ka pasur të ardhura mujore prej më shumë se 2 mijë euro në muaj, dhe në fakt, është tatuar për më pak se kaq. Tatimi financiar që i është bërë tregon se sa ka qenë edhe e ardhura vjetore e tij. Kjo është ajo që njeriu i zakonshëm sheh dhe pas saj, mund të jetë ajo që merr me mend. Ndoshta hesht, ndoshta bën sikur nuk e sheh… Mirëpo, jeta i ka dhënë njeriut edhe një të metë: ai di të mendojë, dhe njeriu i thjeshtë, ai që bën në fundin e çdo muaji llogarinë e jetës së tij, mendon edhe për këtë mallin-mal, që duket e nuk do kallauz.

Nëse Bode është tatuar për më pak se 2 mijë euro në muaj ose për më pak se 24 mijë euro në vit, atëherë si dolën fitimet e tij kaq përrallore, të shndërruara në vila, pasuri të patundshme, investime, makina luksoze? Njeriu i thjeshtë, që mendon për bukën e përditshme, pyet : ku jetonte para ardhjes në pushtet ky njeri, bos financiar, në cilën banesë dhe ku jeton tani? Me çfarë udhëtonte para tetë viteve dhe me se udhëton tani? Me se merreshin të afërmit, fëmijët e kushërinjtë e tij para tetë viteve dhe me çfarë merren tani?

Njeriu i thjeshtë mendon kur ngryset e nuk ka zjarr në vatër se zoti Bode, për të bërë këtë pasuri, sikur asgjë të mos kishte ngrënë, të mos ishte larë e të mos ishte rruar, të mos kishte paguar as faturat e energjisë elektrike dhe të ujrave, do i duheshin plot 41 vite….dhe vetëm pas kursimit 41 vjeçar do të kishte mundur të jetonte në këtë vilë ku jeton edhe sot, do të kishte mundur të udhëtonte me këtë makinë që udhëton sot, e në fund të fundit.. mund të kishte llapur po aq shumë sa po llap sot.

Kjo llogari, që është përllogaritja e përafërt e jetës së një ministri në qeverinë Berisha, bëhet në të gjithë botën. Ka raste, jo të pakta, kur ministra të famshëm janë flakur nga detyra vetëm se kanë përdorur makinën zyrtare për një udhëtim privat,deri tek aeroporti..ndërsa për një blerje të madhe, ata kanë kaluar nëpër hetimin financiar, si çdo njeri tjetër.

Dikush do të thotë se kjo pasuria është përparësia e një ministri….e vërtetë, por vetëm me kushtin e vetëm, që ai të jetë thellësisht i korruptuar. Se, po të ishte ndryshe, taksat nga fitimi që do të paguante zoti Bode do të ishin krejt ndryshe, disa-fish më të larta, kur për më tepër, sipas ligjeve të shtetit, kur je ministër, nuk të lejohet asnjë linjë paralele fitimi, asnjë biznes, asnjë përllogaritje ekonomike jashtë asaj që të lejon ligji. Ku i gjeti Bode dhe të tjerët si ai…paratë për të bërë vila, për të bërë udhëtime, për të financuar studime, për të udhëtuar me makina të shtrenjta…

Është një fakt që flet: në kaq vite në politikë zullumqare Berisha i dëboi thuajse të gjithë dhe i mori përsëri. E dëboi Azem Hajdarin dhe e shpalli sigurims, vagabond ordiner; e dëboi Neritan Ceken dhe e shpalli ramizist; dëboi Imamin dhe e shpalli gjeneral bandit;  Rulin e Artan Hoxhën i dërgoi në gjyq, dëboi Zogajn, Emin Musliun e shquar për ndërtimin e veprave të mëdha, largoi Bashkim Koplikun e Dashamir Shehun, dëboi Pollon dhe e shpalli progrek; i dëboi nga njëherë thuajse të gjithë,nga kryesia e parë e PD-së nuk ka mbetur askush veç tij,  dhe thuajse të gjithë u kthyen si shërbyes të bindur. I vetmi që nuk u tund asnjëherë, edhe kur piramidat e vitit 1997 shpërthyen me vrasjen e mijëra vetëve, do të ishte Bode.

Nuk është Bode përjetësues besnik i Berishës. Gjithçka mund të jetë, por kurrë i ngulitur pas idesë dhe vizionit, edhe pse Berisha nuk ka ide e as vizion, por edhe pse Bodes nuk ia lejon xhepi të jetë i tillë. Nuk është se ata vijnë nga e njëjta linjë: njëri besnik i Enverit dhe tjetri i vullnetarëve të Enverit. Ajo që i lidh është financa…nëse ndonjëherë do të shkundet thesi i miellit të njërit prej tyre, atëherë vetëm thërrmijat që do të dalin do të jenë të mjaftueshme për të fundosur edhe tjetrin.

Dhe sikur unë në vend të Bodes do të kisha vendosur në këtë shënim të shkurtër Rulin, Bashën, Pollon e të tjerë nuk do të kishte pasur asnjë ndryshim. Që në vitet e shkollës fillore kemi mësuar se ndërrimi i kaheve në një mbledhje matematikore nuk e ndërron shumën.

Ai ishte ministër ... thuaj këtë dhe i ke thënë të gjitha.

Por edhe mund të mos jesh ministër.. ndoshta mund të mos kesh asnjë post dhe përsëri bën vila, udhëton me makina të shtrenjta, bën udhëtime jashtë shtetit, mban miq apo mikesha, lodron si nëpër mallin e babait… Në tetë vite Shkëlzen Berisha ishte më shumë se ministër, ai ishte de fakto zoti i tyre, njeriu që ia mblidhte, që i detyronte të dërgonin fakse në emër të tij, që i bënte ministrat të dridheshin, që zyrën e ministrit të mbrojtjes e kishte bërë si portë hani, që ministrin e drejtësisë e kishte shndërruar në leckë, që fliste me Delijorgjin menjëherë pas shpërthimit në Gërdec dhe askush nga prokuroria nuk kishte guximin ta thërriste… që dërgonte në gjykatë secilin që donte dhe shënonte vetë vendimin për dënimin… njeriu që me një çantë mblidhte detyrimet si taksaxhiu i babait të tij. Ai dhe e motra, u bënë në mendimin e njerëzve si Niku i Çausheskut, binjakë të fshehjes së gjërave… dhe asnjë prokuror, asnjë punonjës financave, asnjë nga institucioni i famshëm i deklarimit të pasurive nuk i tha, të paktën sa për të larë gojën; “Moj bija e kryeministrit, që para tetë viteve ishe njeri i zakonshëm, me se e bëre vilën më shumë se gjysmë milionë euro në Gjirin e Lalzit.. me çfarë e bëre vilën e parë dhe me çfarë e prishe atë, për të bërë një të dytë, disa herë më të madhe, që është një kështjellë? Askush.

Tani të gjithë këta, që pasi punojnë “50 vite” blejnë një vilë, janë në ankth. Çfarë do të bëhet me pasurinë e tyre? Dhe mbi të gjitha, kur do të mund të rikthehen?? Për këtë edhe protestojnë, edhe anatemojnë, edhe mallkojnë, edhe bëjnë thirrje për revolta…Janë në gjendje t’i bëjnë të gjitha, për të ardhur edhe një herë në pushtet. Nuk thotë kot populli , “Më keq i mësuari, se sa i dëshiruari”./DITA

imazhe shqip


*   *   *

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!