"

November 19, 2013

Ilir Meta pro shembjes së “Pallatit të Bashës”:

Të zbatohet ligji si për çdo qytetar!


I pyetur nëse duhet të prishet pallati i vjehrrit të Lulzim Bashës në Vlorë nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, deklaron se ligji duhet të zbatohet për të gjithë njëlloj. Sa i takon çështjes së armëve kimike, kryeparlamentari thekson se ka qenë i informuar nga qeveria.

Mendoni se u krijua një precedent se qeveria duhet të zbatojë atë që thotë populli?

Ilir Meta - Është parim qytetar. Nuk mendoj se është ky rasti në fjalë, sepse shqetësimi i qytetarëve ka pasur një bazë reale, pasi nevojitej informacion në rast se do zhvillohej një veprim i tillë, çfarë situatash do krijonte ai, a ishin mundësitë në vendin tonë. Frika për një sasi të tillë lëndësh kimike krijoi shqetësimin e qytetarëve. Plus që ne dhe në të kaluarën kemi pasur rast të tilla, siç është rasti i Gërdecit apo i rasteve të tjera në përmasa më të vogla. Nuk mund të themi se ka qenë një shqetësim pa baza. Në këto dy drejtime mendoj se qeveria nuk mund t’i injoronte këto shqetësime.

Mendoni se ne nuk i kemi kapacitetet? Pse nuk u tha jo që në fillim?

Ilir Meta -Gjithmonë ka qenë mendimi dhe ideja për të ndarë përgjegjësi në këto aksione të përbashkëta ndërkombëtare dhe për të shqyrtuar mundësinë e shkallës së këtij kontributi dhe mënyrës. Është gjëja më e lehtë të thuash jo dhe me sa duket kryeministri Rama në një linjë konsistente me politikën e Shqipërisë për të kontribuar për paqen dhe sigurinë, ka shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe hapësirat se sa mund të kontribuonte Shqipëria.

Në ç’rrugë e morët vesh ju, që Shqipërisë iu propozua të merrte këto armë?

Ilir Meta -Nuk besoj se ky është një element i rëndësishëm. Kryeministri Rama në fjalën e tij bëri një parashtrim të gjithë arsyeve. Ne kemi pasur bisedime të herëpashershme, ku më është bërë e ditur se ka një interes për të përfshirë Shqipërinë në një aktivitet të tillë, në përputhje me mundësitë që ajo ka për të kontribuar.

A ka ndryshim vizioni mes jush dhe Ramës sa i takon mundësive?

Ilir Meta -Mendoj se fakti që janë bërë diskutime të vazhdueshme do të thotë se ka qenë rezultat i vlerësimit të kapaciteteve, që ne nuk i kemi. Besoj se këtu ka një përputhje të qartë të qëndrimit dhe vlerësimit tonë. Ka qenë një vendim i përbashkët.

E kishit marrë garancinë që do zhvendoseshin mbetjet?

Ilir Meta -Nuk kam qenë pjesë, por di se kryeministri Rama ka qenë i qartë dhe i bindur se ky proces nuk i përkiste Shqipërisë.

Ishit i njohur me këtë fakt para se të dilnin ambientalistët për të protestuar?

Ilir Meta -Kam qenë i informuar për këtë propozim prej disa kohësh. Zoti Rama ka bërë shpjegimet e tij publike, po ashtu edhe ambasadori i SHBA. Mendoj se qëllimet kanë qenë pozitive nga të dyja palët.

Ku gabuan, çfarë mund të kishin bërë ndryshe?

Ilir Meta -Nuk mendoj se ka të bëjë me menaxhimin e situatës dhe të opinionit publik. Shqetësimi nuk ishte i pabazë. Edhe sikur të ishin garancitë me të mëdha, prapë shqetësimi do të ishte i pranishëm.

Rama u shpreh se përfaqësuesit e OKB i kërkuan të ruante konfidencialitetin e këtij informacioni. A mendoni se duhet të ishte më transparent me opinionin publikun?

Ilir Meta -Nuk mendoj se është e njëjta situatë për të hequr një paralele me rastin e Rambujesë, pasi atëherë kishim një rast të vazhdueshëm ngjarjesh. Në rastin konkret ka qenë thjesht një propozim, një ide, që duhej shqyrtuar. Dhe përgjegjësinë e parë në këtë rast e ka qeveria dhe instancat. Nuk kemi rastin kur qeveria ka një bindje dhe më pas kjo duhet ndarë me parlamentin dhe publikun e gjerë.

Sa i takon humbjeve që përfliten?

Ilir Meta -Mendoj se janë më shumë se legjenda urbane. Në rast se Shqipëria do të bëhej pjesë e një operacioni të tillë, pa dyshim që vendi do të rriste peshën e saj, rolin e saj në planin ndërkombëtar. Ky do ishte një kontribut i Shqipërisë për paqen dhe sigurinë në botë.

Ka spekulim se SHBA përmes institucioneve të ndryshme do të mbulonin gropën e zezë të mbuluar në buxhetin shqiptar nga qeveria e mëparshme. A mos është kjo një aventurë financiare për të mbuluar një aventurë të qeverisë së mëparshme?

Ilir Meta -Bëhej fjalë për të marrë një përgjegjësi, që mund ta mbanim ose jo në varësi me vlerësimin kompleks të kësaj sfide, ndërsa çështja tjetër është e njohur për faktin që qeveria është në tratativa me FMN-në. Përtej propozimit për t’u përfshirë në këtë operacion.

A mund t’u themi ultrapragmatistëve që nuk kemi humbur asgjë?

Ilir Meta -Kemi fituar një standard të ri demokratike

Ju dolët nga zyra shkuat të protestuesit dhe i qetësuat. Çfarë nënkuptonit? Që vota juaj ishte kundër këtij projekti?

Ilir Meta -Jo, kjo nuk ka të bëjë me këtë. Ishte në vijim të deklarimeve që unë kisha bërë edhe më parë, për të deklaruar siguri, përkundër spekulimeve dhe përpjekjeve për të përhapur panik dhe për të agravuar situatën për arsye politike. Opozita u vendos në krye dhe element të tjerë u përshinë në këtë çështje sensitive. Kam qenë në komunikim të vazhdueshëm edhe për përfaqësues të protestuesve, për të qetësuar situatën. Unë e ndjeva për detyrë që të bëja një komunikim të thjeshtë me ta për t’i qetësuar dhe për t’i bërë të qartë se nuk do të ndodhte asgjë fshehur syve të tyre.

Nëse do ju vinte projekti të enjten, ju si do votonit?

Ilir Meta -Projekti nuk do ishte i thjeshtë, do vinte me një relacion. Nëse qeveria do ecte me këtë rrugë do ishte e bindur për një siguri të këtij procesi. Theksova edhe më parë që nuk ka pasur asnjë vendim nga ana ime si do votoja, pasi nuk kam parë asnjë vendim, asnjë projektligj mbi këtë çështje. Nuk kam pasur paragjykime, pavarësisht se i kam mirëkuptuar të gjithë shqetësimet e qytetarëve dhe ambientalistëve. Gjatë takimit me ambasadorin dhe kryeministrin në një kafe të zakonshme pas një aktiviteti, është folur shumë pak për çështjen e armëve kimike.

Kemi dy ministra të LSI që deklaruan votën kundër armëve kimike dhe deputete të PS. A mendoni se Rama u tërhoq për shkak të numrave që po humbiste në parlament?

Ilir Meta -Nuk besoj se kjo ka qenë arsyeja. Nuk ka pasur deputete të LSI-së kundër, mbase kështu janë interpretuar apo paraqitur mendimet e tyre. Qeveria nuk ka qenë plotësisht e bindur në përpilimin e një akti me siguri absolute, i cili jepte një përgjigje të plotë, të qartë, gjithë atyre shqetësimeve që u ngritën.

Në këto rrethana ju do votonit kundër?

Ilir Meta -Nuk mund të votonim, pasi nuk kishte një akt.

 A u konsultua mjaftueshëm kryeministri me ju?

Ilir Meta -Mendoj se po.

Me opozitën. Të gjithë janë kuriozë se çfarë biseduat me zotin Berisha në Kuvend?

Ilir Meta -Nuk ishte ndonjë diskutim shumë i gjatë. Ishte një përpjekje imja për të vendosur në funksionalitet Kuvendin pasi PD në kundërshtim me rregulloren kërkonte ndërprerjen e punimeve në parlament dhe ndërprerjen e vizitës zyrtare të kryeministrit Rama dhe që ai të paraqitej në Kuvend. Dhe kjo ishte në kundërshtim me rregulloren. E pata të vështirë ta bindja.

Arvizu tha e pata të vështirë të kuptoj kush e drejton PD, ju e keni kuptuar?

Ilir Meta -Përderisa u ula afër zotit Berisha, besoj se e kam kuptuar.

Dje pamë në shëtitoren e Vlorës, kryeministri Rama që po ndiqte operacion e shkatërrimit të ndërtimeve të paligjshme. A mendoni se ky është objektivi kryesor i kësaj qeverie? Pasi deri tani s’kemi parë aksion tjetër.

Ilir Meta -Objektivi kryesor i qeverisë është sundimi i ligjit dhe vendosja e kontrollit mbi territorin, pasi të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për shkatërrimin e shumë resurseve dhe jo vetëm ambientit. Ndaj dhe ky aksion sa i takon ndërtimeve pa leje sidomos në zonat turistike, kuptohet që është një shprehje e këtij vullneti për të vendosur sundimin e ligjit në vend. Opozita kuptohet që do kundërshtojë çdo aksion të qeverisë.

Duhet të shembet pallati i vjehrrit të kreut të opozitës në Vlorë?

Ilir Meta -Për mua duhet të respektohet ligji njësoj për çdo qytetar të vendit, pavarësisht lidhjeve që mund të ketë njëri apo tjetri. Kjo nuk është një çështje që mund ta vlerësoj unë. Nuk kam kompetencën për ta bërë këtë gjë, apo marrjen e atributeve që i takojnë institucioneve të tjera.

Mund të ndërmerren edhe reforma që mund të kenë kosto elektorale. A mendoni se po harxhohet energji me gjëra periferike? Si për shembull operacioni “Fundi marrëzisë” që mbylli lojërat e fatit dhe më pas u rihapën të gjitha. Apo kaluan nga njëra dorë në tjetrën?

Ilir Meta -Ky është një spekulim që vjen nga opozita. Ai ishte një aksion kundër evazionit, abuzimit. Qeveria po tregon vullnet për të vijuar me zbatimin e ligjit. Do ketë reforma shumë të rëndësishme. Dhe qeveria është në proces konsultimi me aktorë dhe institucione të rëndësishme.

Një nga reformat është ajo në drejtësi. Është shfaqur në publik një qëndrim i kundër mes PS dhe LSI…

Ilir Meta -Sa i takon reformave institucionale do ketë një axhendë të bërë publike. Por këto reforma do konsultohen edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, e kryesisht reformat për forcimin e shtetit të së drejtës dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 Ju jeni pakicë brenda shumicës, por një pakicë që ka peshë.

Ilir Meta -Ne jemi një mazhorancë që funksionon në mënyrë bashkëpunuese. Nëse ka diferencë në mendime, s’do të thotë se ka diferencë në qëndrime.

Çfarë kushtesh keni për të njësuar qëndrimet me PS?

Ilir Meta -Ne kemi një program të përbashkët, në emër të këtij koalicioni të përbashkët, dhe qëllimi ynë kryesor janë reformat që afrojnë Shqipërinë me BE.

Sa i përket akuzave të opozitës për “Crown agents”, ju çfarë qëndrimi keni?

Ilir Meta -Para se të bëhej kryeministër, Rama ishte shprehur për të ndërmarrë një iniciativë të tillë. Është pozitive kjo nismë nisur nga gjendja e të ardhurave në vend. U bënë spekulime nga opozita, por kemi edhe një qëndrim publik të ambasadës britanike në Tiranë. Them se është marrëveshje me interes kombëtar. Nuk besoj se ka probleme me Brukselin. Shqipëria vazhdon të bashkëpunojë me institucionet ndërkombëtare, ndërsa “Crown agents” është një vlerë e shtuar për të arritur rezultate të mira në realizimin e të ardhurave tona doganore.

Opozita thotë se kjo është një mënyrë për të paguar lobizmin e Tony Blair?

Ilir Meta -Kjo nuk qëndron, mendoj se kjo është një marrëveshje pozitive.

Sa i takon presidentit, a është mbi palët?

Ilir Meta -Për mua është e rëndësishme të theksoj bashkëpunimin midis institucioneve. Në këtë drejtim mendoj se zgjedhja e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ishte shprehje e vullnetit të mazhorancës së re për të bashkëpunuar më presidentin dhe për të konsoliduar ato institucione që kanë shprehur angazhimin. Sigurisht që nuk mund të jenë të gjithë të kënaqur me vendimet e kësaj gjykate. Ne kemi qenë të hapur të bashkëpunojmë edhe duke respektuar të drejtën e presidentit për të përmbushur të drejtën dhe detyrimet e tij kushtetuese. Them se po përpiqet t’i përmbushë sa më mirë.

Ekziston mundësia që të ketë ndryshim të drejtuesve të institucioneve kushtetuese para përfundimit të mandatit të tyre?

Ilir Meta -Nuk mund të them, pasi qëllimi i kësaj mazhorance nuk është të bëjë ndryshime individësh, por të sjellë një qasje të re në raport me institucionet e pavarura.

Opozita çoi fillimisht në KQZ e më pas në Kolegjin Zgjedhor kërkesën ku kërkoi anulimin e zgjedhjeve në Korçë, me pretendimin se vota aty është blerë. Ju si mendoni, a ka shitblerje vote në Shqipëri?

Ilir Meta -Për këtë pretendim që ka ngritur opozita unë i kam dhënë mbështetje Prokurorisë për të hetuar rastin. PD duhet të jetë e kënaqur për këtë zgjedhje, pasi përsëritja e zgjedhjeve në Korçë do të kishte një rezultat edhe më të thellë.


         Të zbatohet ligji si për çdo qytetar!
                                 (video)

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!