"

November 23, 2013

Lidershipi Basha



Do forcohet 
apo do dobësohet 
pa fenomenin Olldashi përballë?



Nga Mero Baze


Sokol Olldashi shtyu daljen në emisionin “Opinion” këtë të hënë, me shprese se vëmendja ndaj problemeve në opozitën e sotme, ishte e ulët për shkak të debatit të nxehtë mbi lëndët kimike. E shtyu për javën tjetër. Do të fliste mbi arsyet përse PD humbi në zgjedhje, për përgjegjësitë e Sali Berishës, për goditjen morale që iu dha PD-së për hir të idesë të qëndrimit në pushtet me çdo kusht, dhe problemet që shoqërojnë lidershipin e Lulzim Bashës. Ky mund të ishte një nga momentet më të vërteta të jetës së tij politike, që nuk ia doli të bëhej.


Biseda e fundit që pata me të

Në bisedën e fundit që pata me të, më tregoi një episod nga fushata elektorale, ku ai kishte ndjerë se do të humbnin. Në një fshat të Mallakastrës, natyrisht i majtë, pasi kish folur gjatë dhe kish premtuar, kish dashur t’i prekë në sedër meqë ishin të majtë dhe u tha: “Unë nuk jam deputet nga ata që thonë dhe po të var xhaketën në Mallakastër, votat i kam”. Ishte fjala për një batutë të dikurshme të Kastriot Islamit për votat e majta të Mallakastrës.

“Kur mendova se po i prekja në sedër, m’u ngrit një burrë dhe kërkoi të fliste. Më lavdëroi si deputet që kisha asfaltuar ca rrugë, por pastaj vazhdoi: ‘atë që varte xhaketën këtu në Mallakastër në emër të PS-së, tani e keni marrë në krye të vendit në PD. Kur bëni pazare të tilla lart, na lini të bëjmë dhe ne ndonjë pazar këtu poshtë se nuk jemi budallenj të na hidhni hi syve’…

-Më tronditi ai përfundim, tha, dhe nuk m’u nda nga mendja deri më 23 qershor. Aleancat tona amorale duket se kishin bërë punën e tyre tek qytetari i thjeshtë dhe kjo u pa qartë. Elektorati imitoi amoralitetin si mënyrë veprimi për të na ndëshkuar. Ishte ky një nga ilustrimet që i bënte në biseda analizës së tij për humbjen e PD-së. Kishte dhe plot detaje të tjera.


Mesazhi patetik i Bashës në mort

Dëgjova mesazhin patetik të Lulzim Bashës në ceremoninë mortore në kujtim të tij, ku foli dhe për atë që PD do të bëjë për të çuar në vend angazhimet e lëna gjysmë nga Olldashi. Angazhimi i fundit i tij i lënë përgjysmë, është pikërisht ky emision me këto tema të paralajmëruara për të. E di që patetizmi dhe fjalët boshe të adresuara ndaj tij nga Basha dhe Berisha, ishin sikleti i tyre i fundit që po e përcillnin të vdekur, pasi pas një jave mund ta përcillnin të gjallë nga PD-ja.

Por ajo që duhet të diskutohet sot, është nëse do të forcohet lidershipi Basha pa fenomenin Olldashi përballë, apo do bëhet më i dobët pa pasur  një shpresë tjetër si alternativë brenda PD-së?


Fundi i alternativës brenda PD-së

Nga pikëpamja politike, vdekja aksidentale e Olldashit i jep fund një alternative politike brenda PD-së dhe nxit një rreshtim formal rreth Bashës të gjithë atyre që duan të jenë thjesht pjesë e tortës politike në PD. Asnjë figurë tjetër politike nuk ka as vullnet, as ide dhe as stofin e duhur për të ndërmarrë një iniciativë si ajo që Olldashi ishte duke marrë për të shkundur opozitën nga gjumi dhe për të vënë në sprovë reale lidershipin e saj. Askush më shumë se ai në këto momente nuk ishte i motivuar qartë kundër Sali Berishës dhe mënyrës barbare si ai u tall dhe e poshtëroi gjatë kandidimit për kryetar të PD-së. Për këto arsye, askush si në këto momente nuk ka një vullnet të ngjashëm për të ngritur këto debate brenda opozitës.

Kjo në pamje të parë duket si fat për Lulzim Bashën, por realisht është një fatkeqësi. Ky është një debat i fjetur, që një ditë do të shpërthejë, por kur të shpërthejë, do të jetë vonë për reforma në PD dhe do të ndëshkohen nga zgjedhjet që vijnë çdo dy vjet. Koha e artë për t’u marrë me veten ishte tani, kur sapo kanë dalë nga pushteti dhe kur kanë të gjithë kohën e duhur për të qenë të vërtetë, largpamës dhe të besueshëm për të ndryshuar vetveten.


Është mirë që Basha t’i lidhë zagarët

Sokol Olldashi nuk ia doli dot as ta linte këtë testament politik. Sikur të isha 1 përqind njeri konspirativ, do të besoja që ia kurdisën aksidentin vetëm pse do dilte të hënën në emision, por kjo nuk është e vërtetë. Tek i vetmi konspiracion që besoj është se ikja e tij ka nxitur lidershipin aktual të PD-së, që në vend të reflektojë për boshllëkun politik që ai la, po e përcjell atë me patetizma bosh për në banesën e fundit, dhe ndërkohë po mbajnë të ndezur debate poshtëruese ndaj tij në media, nga gazeta të miqve të Bashës, me qëllim që të mbajnë larg dhe hijen e tij nga PD-ja.

Ajo që humbi PD-ja me ikjen e Sokol Olldashit, ka të bëjë me boshllëkun politik që ai la në atë parti, ku askush nuk është më vetvetja. Kjo është ajo që duhet vajtuar për PD-në.

Sokol Olldashi iku nga kjo jetë duke i marrë me vete të gjitha vlerat, pasionet dhe veset e tij, duke qenë njeri i vërtetë. Ai kishte familjen që meritonte, miqtë dhe mikeshat që meritonte, pasionet e tij reale dhe jetën e tij aspak të disiplinuar. Ata që dërdëllisin për moral kanë më shumë histori perverse se sa ide politike në atë parti, deri në atë shkallë sa dhe karrierën në krye të PD-së e kanë dhuratë nga perversiteti erotik ndaj Familjes. Boshllëku politik që la Sokol Oldashi nuk mbushet dot me thashetheme perverse. Është mirë që Basha t’i lidhë zagarët që ka lëshuar rrugëve të lehin ndaj ikjes së tij. Fakti që nuk është shofer, ose shofer i keq siç ishte Olldashi, nuk e bën dot as politikan dhe as burrë të mirë.


*   *   *   

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!