"

November 19, 2013

Një fitore? Apo një rast i artë i humbur?


Nga Adrian Thano

A mund të bëhej në Shqipëri një proces demontimi armësh kimike nën mbikqyrjen amerikane? Ndoshta po, ndoshta jo, këtë nuk do ta mësojmë dot më. Kreu i qeverisë shqiptare nën presionin e protestuesve tha JO. Një fitore? Apo një rast i artë i humbur? Sot jemi ende të emocionuar; nuk jemi gati për përgjigjen. Por do na duhet t’ia ribëjmë vetes këtë pyetje shumë shpejt. Nuk di pse kam bindjen që shumë shqiptarë të cilët sot gjykojnë se u arrit një fitore, do ta mendojnë ndryshe këtë punë kur zemrat t’u ftohen.

Shqipërisë iu kërkua të ndihmonte në një problem urgjent dhe me rëndësi të madhe. Dhe nuk iu kërkua falas. Shqipëria kishte njëherazi detyrimin të ndihmonte ata që Shqipërinë e kanë ndihmuar shpesh. Shqipëria tha JO.  Kishte rrezik? Sigurisht. Por disa gjëra duan guxim. Ky guxim na mungoi. Këtë herë ia mbathëm. Nga miqtë, nga detyrimet, nga puna. Ndihemi krenarë që shpëtuam veten. Po mund të ndiheshim ca më shumë krenarë nëse do ta provonim dhe do dilte me sukses. U treguam protestues të mëdhenj? Apo njerëz të vegjël?

Ajo që ndodhi po përshëndetet si fitore e demokracisë. Sot, po. Po nesër? Kjo protestë mund të ishte vërtet spontane dhe e sinqertë. Na mësoi që nuk ia paskemi më frikën sheshit përballë kryeministrisë. Dhe shumë mirë që më në fund ngjau. Po marifetçinjve të protestave çfarë u mësoi? Jam i sigurt që ata do rikthehen aty në shesh me kauza të tjera të sajuara. A do tërhiqet vazhdimisht kryeministri? Sa herë do tërhiqet? Kush do lodhet më shpejt?

Meqë jemi te kryeministri: Edi Rama fitoi apo u dorëzua? Ja një pyetje tjetër, përgjigjja e së cilës do kërkojë pak kohë. Sot mund të rikonfirmojmë që Edi bën fjalime të bukura. Ka mundësi që pas shumë vitesh t’i recitohen siç recitohet sot, Noli. Një javë pas 21 janarit përshembull i bëri njerëzit të qanin në shesh. Qau dhe vetë, me sa mbaj mend. Por ja që për 21 janarin nuk është bërë ende drejtësi. Lotët u thanë, fjalët i ka marrë flladi, veprat ende i presim.

Dhe meqë mbërritëm te veprat në pritje, vijmë te Berisha; 

Mizerja që nuk na shqitet nga këpucët,

një lapidar i shtrembëruar i zgjyrës sonë morale. 

“Filoamerikani” i tërbuar, i shndërruar në antiamerikanin më tinzar në 2013, për të njëjtën arsye që u shndërrua nga komunist fanatik, në antikomunistin “demokrat” 23 vite më parë. 

Një i pandehur për vrasje dhe hajdutëri, që endet shesheve. 

Për të na kujtuar, (bashkë me të sipër-renditurat dhe të tjera arsye pa fund), 
sa e paplotë është fitorja jonë e supozuar.

*   *   *

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!