"

November 23, 2013

Ra një mort dhe …

skena pushtohet nga banaliteti



Nga Mustafa Nano

Më kanë munguar kontaktet në pikëpamje humane me Sokol Olldashin, por e kam njohur mirë në pikëpamje politike (duke e ndjekur në distancë). Doni që të jem i sinqertë në këto orë përdëllimi, që shumëkush i ka banalizuar ashtu si dimë t’i banalizojmë gjërat, edhe mortin, ne shqiptarët? Nuk mendoj se Olldashi ka lënë shenjë si politikan, e se duhet t’i njohim ndonjë meritë në këtë drejtim. Personalisht, kam mundur t’i regjistroj veç një gjest domethënës, me të cilin më ka kapur në befasi. Dhe është gjesti i fundit i tij si veprimtar publik. Është një fjalim i tij në Kuvend në ditën që deputetët po kacafyteshin lidhur me honoraret elektorale të studentëve korçarë fresh-istë. Sikur të mos e kisha parë e dëgjuar vetë, nuk do ta besoja: Ishte Olldashi në një version inedito, dmth i shtruar, konstruktiv, autokritik, vizionar.

Po bënte denoncimin e madh të jetës së vet, po denonconte ata (një syresh ishte dhe ai vetë, kuptohet) që nuk kanë ditur të bëjnë gjë tjetër gjatë dy dekadave të fundit, veçse të blejnë vota, të trukojnë rezultatin e zgjedhjeve, e t’i prishin këto të fundit. Ish në një moment të çuditshëm ftillimi që, sipas shumë gjasash, duhet ta ketë burimin tek përvoja e trishtë e garës brenda partisë së tij. U desh që të ish vetë viktimë e deformimit të një gare për të kuptuar se nuk bëhet shaká me rregullat e garës politike dhe me respektin për votën. E kuptoi shumë vonë këtë gjë. Por ka të tjerë, dhe janë të shumtët, që s’e kanë kuptuar ende; e një pjesë nuk japin shenja se mund ta kuptojnë ndonjëherë.

Me këtë fjalim, Olldashi, edhe nëse nuk e ka nderuar karrierën e vet (nuk njoh karriera të nderuara në politikën shqiptare, me përjashtim ndoshta të ndonjë karriere fare të shkurtër që, pikërisht ngaqë është e shkurtër, nuk mund të quhet fare karrierë), të paktën e ka shpëtuar atë. Pa këtë fjalim të fundit, karriera e tij nuk do të binte në sy për ndonjë gjë. Ose do të binte në sy për ndonjë bëmë politike të pahijshme.

Të tjerët mendojnë ndryshe? Të tjerët kanë parë tek Olldashi një politikan brilant, që na ka lënë pas një trashëgimi të çmuar? Unë nuk besoj se ata i besojnë fjalët e tyre. Madje, kam frikë se nuk e nderojnë Sokol Olldashin duke parë tek ai atë që nuk ishte. Por puna është se tek ne është bërë e udhës që, me të ikur dikush me pushtet e ndikim nga kjo botë, të rendet drejt një alkimie postume; me fjalë të tjera vdekja shihet si një rast për të organizuar një festival a garë lëvdatash. Flasim për të vdekurit mú sikur ata të jenë jo ata që ne kemi njohur e që po marrin rrugën e mistershme drejt qiellit, por ca të tjerë, që sapo kanë zbritur prej qiellit.

Në rrethana vdekjesh pra ne duket sikur nderojmë një njeri tjetër, dhe jo atë që sapo ka vdekur. Kjo është e natyrshme, mund të thuhet. Por unë kam përshtypjen se ky festival lëvdatash këtejpari merr formën e një – mund të duket shprehje oksimoronike, por ja që kështu ndodh – harbimi mortor. Dita e mortit banalizohet, gjë që asnjë i vdekur nuk e meriton.

Mirëpo, ish pikërisht kjo që ndodhi pas vdekjes krejt të papritur të Olldashit. Nuk them se ka pasur një përpjekje për ta banalizuar këtë ngjarje. Përkundrazi, banalizimi ka ardhur prej dëshirës për të dhënë prova respekti e dashurie për Olldashin. Dhe në këtë kuptim, për mua, ka qenë i tepërt edhe vendimi i qeverisë për ta shpallur të nesërmen e vdekjes së Sokol Olldashit si një ditë të Zisë Kombëtare.

Përsëris, nuk mund të vihet në diskutim një dëshirë e mirë majtas e djathtas për ta nderuar kolegun e tyre, ashtu si nuk mund të vihet në diskutim që kjo dëshirë ngrihet edhe mbi ndonjë kompleks faji apo borxhi që ka pasur njëri e tjetri përballë Olldashit, por dita e Zisë Kombëtare duhet të shpallet mbi kritere të tjera, e jo mbi dëshirën e njërit apo tjetrit.

Në VKM-në nr. 229, dt 23.04.2004, që përcakton ceremonialin zyrtar të Republikës së Shqipërisë, thuhet: “Zi kombëtare mbahet për: 1. Personalitete të larta shtetërore e publike kombëtare; 2. Personalitete të shquara të komunitetit ndërkombëtar me origjinë shqiptare; 3. Njerëz që sakrifikojnë jetën e tyre në krye të detyrës; 4. Fatkeqësi të rënda njerëzore që prekin thellë ndërgjegjen e kolektivitetit; 5. Për çdo rast tjetër me vendim të Këshillit të Ministrave.” Pika 5 e bën legjitime Zinë Kombëtare në nderim të deputetit Sokol Olldashi, por pikat 1-4 që përbëjnë kriteret, mbi të cilat shpallet një Zi Kombëtare, nuk e justifikojnë vendimin që u mor nga qeveria “Rama”.

Mirëpo vendimi u mor. Mass-media-s kaq iu desh, dhe situatën e morën në dorë gazetarët, të cilët e big-brother-izuan ngjarjen fët e fët. Filluan transmetimet non-stop që, siç është e pritshme, marrin për lajm çdo gjë, mor po çdo gjë, që ka të bëjë me mortin, me fjalë të tjera një deklaratë të dikujt, një kurorë, një vizitë, një pamje të ngashëryer, ca lotë, pastaj sërish një deklaratë, e cila rëndom ndahet në shumë fraza dhe secila prej këtyre frazave shitet si lajm prej televizioneve që japin informacion të titruar.

Në studiot qëndrore është anchor-man-i, që përcjell ngjarjen me ndihmën e pamjeve televizive që i vijnë live nga gazetarët e kameramanët e terrenit, dhe që kur mbetet ligsht, zë e çaprashit fjalë të tilla, si “ja, te grupi i familjarëve po afrohet Ilir Meta, ja dhe Jozefina Topalli i dha dorën dikujt, ja dhe Berisha që mezi po i mban lotët, ja dhe Rama që ka ardhur me të shoqen, të dy janë duke u afruar, po ecin me hap të ndadaltë, ja edhe pak, etj, etj”.

Seç ka diçka jo humane tek këto kamera televizive furacake, që pardje kapnin fytyra fëmijësh të përlotur (me siguri, ishin fëmijët e Olldashit), fytyrën e topitur e të tronditur të së shoqes së tij, pamjen e pambrojtur të të vëllait, të nënës, dhe në fund dhe gropën e varrit, dheun që bie mbi arkivol. O jo, kjo është e pakuptimtë, kjo është një marrí. Dikush atje do duhej t’i kish ndalur këta kameramanë që, po t’i lije, s’do ta kishin për gjë të hapnin dhe arkivolin e të fusnin tytën e kamerës atje. Por askush nuk u kujtua që t’i ndalte. Me sa duket, po na bëhet zakon që të filmojmë, e të nxjerrim në shesh, çdo gjë.

Ky ishte kulmi i banalizimit, që vijoi më tej me reagimet e ca e cave. Një pjesë personalitetesh thoshin të tyren, e ishin patetikë, tmerrësisht patetikë, por në këtë rast patetizmi nuk ka lidhje me përdëllimin. Dhe shyqyr që qëlloi Astrit Patozi, që i iku këtij kori e që e neutralizoi aq sa mundi përmasën banalizuese të mortit. Patozi ishte i vetmi normal mes “të vetëve”.

Ka qenë miku më i ngushtë i Olldashit, dhe ndonëse i ka dhembur më shumë se të tjerëve ikja e Olldashit, fjalën e kish të thjeshtë, të qëlluar, qibare, humane, gjë që duket tek citimet e mëposhtme: “Më kujtohet që e kemi ndjellë këtë ditë, kur me shaka i kemi thënë njëri-tjetrit se çfarë do të shkruajmë në fjalimin e lamtumirës, kur Ai, që është lart, do të thërresë të parin prej nesh në radhë”, ose “Kemi thënë jo pak herë, reciprokisht, se do të çoheshim nga varri nëse dikush në fjalët e përcjelljes do të na fyente duke na vënë mbi shpinë merita dhe atribute që nuk i kishim pasur dhe që nuk na takonin”, ose “Sokol Olldashi nuk kishte asgjë heroike në qenien e vet; [nuk kish] asnjë grimcë patetizmi, ndonëse zanati ynë e kërkon, madje në disa raste me tepri, këtë dimension”, etj.

Të tjerët iu vunë garës së përdëllimit, dhe këtë gjë e bënë me fraza të fryra e me pohime hiperbolike, a thua se donin të bëheshin protagonistë edhe të kësaj dite të përzishme. Ranë në sy Sali Berisha e Lulzim Basha. Ja disa nënvizime që bëri i pari: “Sot zija në zemrat tona është më e zezë se nata”, ose “shkrimet e tua Sokol kanë qenë perla të publicistikës”, “Ylli i shndritshëm, yll i papërsëritshëm”.

Lulzim Basha nga ana e vet mund të thosh pafundësisht gjëra për Olldashin, të cilin e ka njohur e me të cilin kanë punuar për vite të tëra, mund të thosh gjëra që kanë hyrë në normalitetin e këtij bashkëpunimi e bashkëjetese, por ai nuk mundi t’i ikte stilit të harlisur të mentorit të tij. Edhe një fëmije po t’ia lije në dorë fjalën e lamtumirës për Olldashin, do t’i kish shmangur fraza të llojit “betimi yt Sokol është dhe betimi ynë”, “jemi duke jetuar një makth të tmerrshëm”, “Sokoli ishte një sokol i paepur i shumë betejave”.

Dhe sikur të mos mjaftonin këto fraza të kërkuara, Basha i dha dhe një natyrë kotmëkot partizane fjalës së vet, gjë që përbëri kulmin e banalitetit në atë ditë, që veç banale nuk kish pse të ish. “Sokoli … për vite të tëra, ndër më të vështirat për PD-në, çmontonte dhe denonconte intrigat që thurreshin kundër nesh”, “[Sokoli] na jepte kurajo kur forca të errëta kërkonin me çdo kusht të na çbënin si forcë politike të së mirës dhe si ndërtimtare e Shqipërisë Europiane”, etj, janë fraza që e politizuan pa qenë fare nevoja momentin kur Olldashin po e përcillnin në banesën e fundit, në ditën që – sipas vendimit të qeverisë – kombi, e jo PD, ishte në zi. Dhe po Basha duhet të ketë qenë në dijeni për një si nekrologji që Olldashit iu bë menjëherë pas publikimit të lajmit tragjik. Ishte një nekrologji në stilin enverist, tmerrësisht enverist, aq sa dhe në fund të nekrologjisë, për të imituar pikë për pikë tabiatet e nomenklaturës së kuqe, ishin vënë emrat e ‘anëtarëve të Byrosë Politike”: Lulzim Basha, Sali Berisha, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi, …. e deri te Gert Bogdani. Kjo ish një nekrologji e kotë, e panevojshme, absurde në rrethanat kur mediat, të të gjitha llojeve, informojnë për çdo gjë, e kur secili prej këtyre njerëzve që kanë vendosur emrin në fund të nekrologjisë, mund ta thosh të vetën në rrugë individuale.

Se ç’kanë një ngërç emocional këta njerëz në marrëdhëniet me sho-shoqin, gjallë a vdekur qofshin! Nuk ia dalin dot të sillen si njerëz normalë. Dhe anormalizojnë e banalizojnë gjithë jetën publike; dhe një mort, gjithashtu.

*   *   *


No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!