Nga Viktor Malaj
“Ajo që mendohej si një epope e përgjakur për
ndryshime ka zgjatur katër ditë dhe është kurorëzuar pa asnjë viktimë” – (Preç
Zogaj)… – “Unë e them me bindje se deri në mars të vitit 1991, revolucionin në
Shqipëri e kanë drejtuar komunistët dhe bijtë e komunistëve… S’e kam
përjashtuar asnjëherë mundësinë e përfshirjes së R.Alisë në lëvizjet
demokratike… Në mesin e vendimeve që ai mori… ishte edhe rrëzimi i bustit të
E.Hoxhës….Ne e morëm fitoren në tavolinë, akti juridik ishte akt formal”. - (Arben Meçe- ish-anëtar i kryesisë së PD)
Tani, që kanë kaluar gati 23 vjet nga
ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, kur dëgjon njeriu se çfarë shkruhet e
thuhet rreth atij momenti historik, mbetet pa mend. Mbetet pa mend njeriu të
cilin ai moment e pati gjetur në moshë madhore dhe të aftë të kuptojë ngjarjet
e proceset dhe jo individi që s’kishte lindur, ai që ishte fëmijë, apo
individët madhorë lehtësisht të gënjyeshëm e të manipulueshëm nga ata që nuk iu
intereson e vërteta. Po të dëgjosh sot ata, të cilët, me antikomunizmin e tyre
të vonuar dhe fals, arritën të ngjitin majat e pushtetit politik dhe me
sjelljet dhe drejtimin e tyre u sollën shqiptarëve një karikaturë të shtetit
demokratik, të krijohet ideja se bëhet fjalë për një epope si ato që përshkruan
Homeri në veprën e tij apo si ndeshja biblike midis Davidit e Goliathit a,
ndoshta, si ndeshja midis Gjergj Elez Alisë dhe Bajlozit, pjesë e Epikës sonë.
Kur njeriu i sotëm lexon apo dëgjon këto
tregime, rrjedhimisht nis
e mendon për protagonistët e saj apo për “heronjtë” e asaj që quhet Lëvizja e
Dhjetorit. Duke menduar për ta, të lindin vetvetiu pyetjet se kush ishin ata,
si dhe pse u ndodhën aty, çfarë bënë që dolën fitimtarë etj. Veç këtyre, njeriu
bëhet kurioz të dijë se cilat ishin palët e “betejës”, çfarë mjetesh dhe armësh
përdorën, sa zgjati beteja dhe cili ishte bilanci i viktimave të dyanshme. Mirë
do të ishte që të kishim në dorë shumë dokumente e dëshmi, të brendshme e të
jashtme, të hapura e të fshehta, në mënyrë që të krijonim një tablo më bindëse
për atë që pati ndodhur ato kohë. Ky, ndoshta, do të jetë privilegj i brezave
të ardhshëm, kështu që ne jemi të detyruar të operojmë me aq sa dimë dhe aq sa
kemi.
Viti 1990 e gjeti Shqipërinë të stërlodhur
ekonomikisht dhe të dëshpëruar moralisht e psikologjikisht. Sistemi politik
komunist, për arsye objektive dhe subjektive, të brendshme dhe të jashtme, jo
vetëm nuk kishte sjellë gjithçka kishte premtuar, por kishte sjellë edhe shumë
dëme, në mënyrë të veçantë me zhvillimin e një lufte klasash deri në absurditet,
kishte shkaktuar pakënaqësi, ndasi ideologjike dhe urrejtje të përligjur.
Udhëheqësi kryesor komunist, Ramiz Alia,
kishte arritur të kuptonte se, donte apo nuk donte ai dhe kasta udhëheqëse,
sistemi politik 45 vjeçar ishte kalbur dhe i kishte ditët të numëruara. Nuk
diskutohej fakti nëse do të binte apo jo ai sistem, por vetëm mënyra e rënies
ishte e panjohur. Në këto kushte, duke konsideruar situatën e brendshme dhe të
jashtme, forcat pro ndryshimit dhe ato kundër tij, Alia vendosi me mendjen e
tij se ishte më mirë ta udhëhiqte ai ndryshimin (me përmbysje të sistemit
ekzistues) sesa ta merrnin të tjerë në dorë një veprim të tillë. Do të ishte më
mirë, së pari, për atë vetë dhe kastën udhëheqëse, por edhe për popullin
shqiptar.
Në atë kohë Shqipëria i ngjante një tenxhereje
të madhe me presion ku, ose do të hapeshin pak nga pak valvulat e shkarkimit,
ose do të shpërthente duke vrarë, së pari “kuzhinierët” e pastaj edhe të tjerë për rreth. Duke e ditur se përballë
nevojës për ndryshim, që kishte konsensusin e shumicës dërmuese të popullit,
ndodheshin edhe një pjesë jo e vogël, qeverisëse ose jo, e cila, ndonëse donte
ndryshime, nuk i pranonte ato deri në ndryshim të sistemit politik, Alia
vendosi të ndërmarrë disa masa, as komuniste dhe as kapitaliste, që do të
ndikonin në zbutjen e gjendjes së acaruar.
“Valvula” e parë ishte në fushën ekonomike e
cila kishte të bënte me të quajturat “arëza dhe tufëza” që synonte zgjerimin e
pronës private, por pa iniciativën e mirëfilltë të ekonomisë së tregut. “Valvula”
e dytë ishte në fushën politiko-juridike. Alia dhe shteti i tij bënë dy
amnisti, në 1986 dhe 1989, ku përfshinë edhe shumë të dënuar politikë të
regjimit. Menjëherë pas kësaj, në pranverën e vitit 1990, abroguan nenin e
“agjitacionit dhe propagandës”, brejtës i jetëve të shumë shtetasve dhe
familjeve shqiptare, si dhe nenin e “tradhtisë ndaj atdheut” në formën e
“arratisjes jashtë shtetit” duke e zëvendësuar me “kalim të paligjshëm kufiri”.
Pak nga pak, Alia po kuptonte se ishte shumë
më e lehtë të ndryshoje ligje e nene se të ndryshoje mendjet e njerëzve.
Valvulat duheshin hapur pak nga pak por askush nuk mund të parashikonte se
çfarë do të ndodhte kur të hapej “kapaku”. Propaganda kishte qenë mjet i
rëndësishëm për të mbajtur në këmbë
regjimin. Ky mjet mund të përdorej edhe për ta rrëzuar atë. Në 29 dhe 30 prill
1990, në gazetën “Zëri i Popullit” u botua një shkrim me titull “Në kërkim të
kohës së humbur”. Autori ishte Ylli Popa, mjek i udhëheqjes komuniste dhe
anëtar i partisë në pushtet. Shkrimi u botua në gazetën kryesore politike, e
cila ishte organi i Komitetit Qendror të PPSH. Shkrimi la shumë lexues pa mend,
qoftë për faktin se ishte shkrimi i parë që sulmonte në themel sistemin
politik, qoftë se botohej në gazetën e partisë, domethënë të pushtetit. Është
njëlloj (madje më keq) sikur të botohet sot në gazetën “RD” një shkrim që hedh
poshtë Sali Berishën dhe sundimin e tij të gjatë.
Dikur regjimi komunist i kishte burgosur
njerëzit për mendime të tilla, të shprehura qoftë edhe dy-tre personave të
tjerë. Po tani çfarë ndodhi? Jo vetëm që
autori nuk pësoi asgjë, por filluan të japin intervista në radion “Zëri i
Amerikës” disa intelektualë si Gramoz Pashko e Fatos Nano (ata flisnin për të
mirat e ekonomisë së tregut, por jo haptas kundër regjimit të Tiranës) dhe disa
të tjerë si Sali Berisha filluan të shkruajnë në gazetat e tjera shqiptare,
duke kërkuar një frymë më liberale, por pa e atakuar sistemin. Të gjithë
shkruesit apo folësit ishin anëtarë të partisë në pushtet.
Ndërkohë, në Shkodër kishte pasur një
tentativë të dështuar të disa njerëzve për të rrëzuar bustin e Stalinit.
Regjimi e kishte evituar dhe pastaj e kishte hequr vetë, ashtu siç do të
vepronte edhe me shtatoret e Leninit dhe Stalinit në Tiranë.
Në maj 1990 vjen në Tiranë Havier Perez de
Kuejar, Sekretar i Përgjithshëm i OKB. Udhëheqësi komunist Alia, ndër të tjera,
i premton se “Do të vazhdojmë me reformat dhe nuk do të ketë kthim mbrapa….”. E
thënë shqip, kjo po i thoshte Perëndimit se po i heqim një nga një gurët e
sistemit por na nevojitet edhe durimi juaj. Në 2 korrik 1990, një numër i
konsiderueshëm njerëzish hynë forcërisht në ambasadat perëndimore në Tiranë.
Pas pak kohësh qeveria komuniste i pajisi me pasaporta dhe, pas marrjes së
vizave në ambasadat ku ndodheshin, u transportuan me autobusët e shërbimit
publik deri tek avionët apo tragetet dhe mbërritën në destinacionet e
dëshiruara. Për të qetësuar mbështetësit e regjimit dhe për të mos lejuar të
vazhdonte epidemia, regjimi organizoi në Tiranë një miting grotesk, ku i
konsideroi të larguarit “tradhtarë” dhe theksoi pathyeshmërinë e regjimit.
Në këto rrethana, Alia vendosi të testonte
intelektualët kryesorë në Tiranë. Për këtë qëllim, në gusht 1990 thirri një
takim me rreth 100 prej tyre dhe, pasi diskutoi me ta për problemet shqetësuese
të vendit, doli atje ku deshi, duke i pyetur se çfarë mendonin ata për
pluralizmin politik. Është interesante të vihet në dukje qëndrimi i tre prej
tyre. Ismail Kadare tha se ai nuk merrte vesh nga këto punë dhe iu shmang
shprehjes së mendimit të vet. Mjeku dhe sekretari i byrosë së partisë për
mjekësinë e Tiranës, Sali Berisha, tha se ishte dakord për pluralizmin e
mendimeve por “mendoj se Shqipëria nuk është ende e përgatitur për pluralizmin
politik”. (Takimi është i regjistruar në audio dhe video). I vetmi që tha se
“Nuk ka ndonjë gjë të keqe edhe pluralizmi politik, pasi edhe Marksi e pranon
ekzistencën e më shumë se një partie…” ishte Luan Omari, nipi i Enver Hoxhës,
babanë e të cilit regjimi komunist e kishte pushkatuar në vitin 1945 si
bashkëpunëtor të pushtuesve gjermanë.
Do të jetë mërzitur shumë Alia me këta
intelektualë që “nuk po i jepnin dum” lojës së tij dhe prandaj duhet të ketë
menduar se duhej një artific. Duhej krijuar një situatë e atillë që t’iu
thoshte përkrahësve të regjimit se “Ja si vajti puna, nuk kam çfarë bëj tjetër,
nuk mbahet më….” dhe, nga ana tjetër, ata ta pranonin si të domosdoshëm qenien
e tij në pushtet.
Pasi bëri një vizitë në OKB në shtator 1990
dhe u trajtua shumë mirë nga pritësit, Alia lejoi edhe ushtrimin e riteve
fetare që ishin ndaluar qysh në vitin 1967. Në nëntor 1990 u mbajtën në Shkodër
ceremonitë fetare nga klerikët e të dy
feve, krishtere dhe myslimane.
Kjo kronologji e ngjarjeve na jep mundësi të
qartësojmë faktin se “Lëvizja e Dhjetorit” nuk ishte rastësi, as episod, por
hallkë e zinxhirit të veprimeve që ndërmorën një grusht njerëzish në kupolën e
udhëheqjes politike për të realizuar shuarjen e regjimit komunist dhe
zëvendësimin e tij me atë kapitalist. Ka shenja të besueshme dhe kanë
qarkulluar informacione se kupola e udhëheqjes ka përdorur shërbimin e fshehtë
shqiptar dhe është instruktuar nga të huajt, por kjo kërkon hulumtime.
Dhe, tani më duhet të sjell ato fakte, të
ditura ose jo, që krijojnë bindjen se gjithë procesi i kalimit nga njëri sistem
politik në tjetrin, ka qenë i trukuar dhe i dirigjuar.
Në 8 dhjetor 1990 në godinat e Qytetit
Studenti në Tiranë, një dorë e padukshme fiku disa herë dritat duke acaruar
banorët përkatës. Pasi studentët dolën fillimisht nëpër dritare dhe ballkone
duke bërtitur, disa “të panjohur” iu bënë atyre thirrje të dilnin jashtë
godinave dhe të protestonin. Pas pak kohe, numri i studentëve u rrit dhe
kërkonte të zbriste gjatë rrugës së Elbasanit, por u ndalua nga policia. Pasi
nxorën disa “përfaqësues” studentët kërkuan takim me udhëheqësin komunist Ramiz
Alia. Takimi u mundësua dhe përfaqësia e studentëve iu ankua kreut komunist për
kushtet e jetesës dhe të ushqimit si dhe i kërkoi që të bëheshin ndryshime në
kupolën udhëheqëse komuniste, tashmë të plakur dhe të diskredituar. Kjo kërkesë
e fundit ngjante si “e mbjellë” qysh më parë dhe fshehtas nga vetë Alia, pasi
ndihej në hall me disa nga ata që e rrethonin, të cilët nuk u kishte shkuar në
mendje dhe as e dëshironin daljen në pension.
Në takimin me studentët, kur këta i shprehën
idenë e krijimit të një organizate tjetër rinie apo edhe të një Shoqate të
Studentëve dhe Pedagogëve të Rinj, Alia ndërhyri dhe me mjeshtëri i udhëzoi:
“Do të thosha se për të mirën e atdheut dhe të popullit është më mirë të
krijoni një parti politike….”. U ra dakord që kjo të bëhej dhe pasi Alia të
mblidhte KQ të PPSH do iu kthente përgjigje. Alia e mblodhi menjëherë organin
më të lartë politik partiak. Është shumë interesante dhe domethënëse se, nga
njëqind të pranishëm, vetëm dy anëtarë votuan kundër pranimit të pluralizmit
politik. Të tjerët votuan për lejimin e tij.
Të pranoje pluralizmin politik donte të
thoshte të pranoje dorëzimin e pushtetit. Po të krahasosh këtë qëndrim historik
me atë që mbajti i njëjti organ, por në këtë rast i PD-së, në mars 1997, kur
Shqipëria ishte në buzë të greminës, mbetesh pa mend nga diferenca e madhe, në
ndërgjegje dhe përgjegjësi kombëtare, midis drejtuesve të diktaturës dhe atyre
që janë vetëshpallur “demokratë” prej gati një çerek shekulli. “Demokratët”
votuan unanimisht që të mos ketë zgjedhje të tjera politike dhe Berisha të
bëhej sërish president.
Alia ua solli studentëve përgjigjen e lejimit
të pluralizmit dhe i mësoi se duhej ta bënin kërkesën për aprovim në Ministrinë
e Drejtësisë. Kjo ishte, në vija të përgjithshme, “epopeja” e Lëvizjes së
Dhjetorit 1990. Ndërkohë, u krijuan edhe disa parti të tjera si ajo
Republikane, Socialdemokrate dhe ajo e Gjelbër. Partitë e krijuara iu shtuan
disa organizatave jopolitike që Alia i kishte llogaritur si subjekte elektorale
për zgjedhjet e ardhshme politike.
Një i njohuri im, që ka mbajtur një post të
rëndësishëm në Sigurimin e Shtetit në atë kohë, më ka treguar pas vitit 1990 se
në shtator 1990 Sigurimi i Shtetit përpiloi dhe i dërgoi Ramiz Alisë një
informacion të gjatë dhe të detajuar mbi disa përgatitje që po bëheshin në
Qytetin Studenti për revolta kundër qeverisë. Informacioni, i firmosur nga
ministri H.Isai, u kthye pas një jave në MPB me firmën dhe shënimin e Ramiz
Alisë, ku thuhej: “Shoku Hekuran! Mendoj se Sigurimi i Shtetit ka probleme më
të rëndësishme për të ndjekur. Nuk na vjen e keqja nga studentët”.
Tre vjet më parë, i ftuar në emisionin Deja
Vue të gazetarit M.Nano, ish-kolegu i Sali Berishës, Prof. Dr. Sabit Brokaj tha
se “Nëndrejtori i Sigurimit të Shtetit më ka treguar aty nga viti 1993 se,
fillimisht ishte planifikuar që të organizohej një protestë sapo R.Alia të
zbriste në Rinas pas vizitës në OKB, por, pastaj u hoq dorë dhe u mendua si më
i efektshëm një organizim i studentëve të Tiranës për të bërë të mundur
ndryshimet.”
Të gjitha demonstrimet e para antikomuniste
pas lejimit të pluralizmit u zhvilluan në qytetet kryesore duke mbajtur lart
fotografitë e Ramiz Alisë, por, pas pak kohësh, u duk se po zbulohej skenari
dhe demonstruesit filluan thirrjet edhe kundër tij.
Sapo u krijua PD dhe partitë e tjera, shteti
iu dha fondet për krijimin e gazetave të tyre, iu dha akses në RTVSH, iu dha
makina dhe truproje për drejtuesit e tyre. Merret me mend çfarë “betejash” janë
zhvilluar pas kësaj. Në të vërtetë, në datën 12 dhjetor 1990 (siç e thotë edhe
Preç Zogaj, njëri nga themeluesit e PD) përfundoi “beteja” për ndryshimin e
sistemit dhe çdo aktivitet politik i zhvilluar pas kësaj date ka të bëjë
thjesht me luftën për pushtet.
Në 20 shkurt 1991 një grumbullim njerëzish, që
zuri fill tek Qyteti Studenti, mbërriti në qendër të Tiranës dhe, pasi policia
zhvilloi “një mësim tregues”, arriti të rrëzonte shtatoren e Hoxhës dhe ta tërhiqte atë me një makinë “IFA”
shtetërore. Ndërkohë, një helikopter qeveritar patrullonte mbi shesh për të
verifikuar nëse “aksioni përfundoi me sukses” apo jo dhe për t’i raportuar
Presidentit Alia mbi këtë fakt. Askush nuk humbi jetën në këtë “betejë”.
Në një intervistë të dhënë vjet, Skënder
Gjinushi, në atë kohë Ministër Arsimi, thotë se “Një ditë para rrëzimit të
shtatores së Hoxhës ndodhesha në zyrën e Ramiz Alisë. Aty ndodheshin edhe
S.Berisha dhe Azem Hajdari. Ky i fundit, duke drejtuar gishtin nga një bust i
vogël i Hoxhës, që ndodhej në tavolinë, i tha Alisë se “…këtë do ta hedhim
nesër….”. Të gjithë vumë buzën në gaz…”. Interesante, apo jo ?
*****
Nga dëshmitë e Ramiz Alisë dhe Xhelil Gjonit
del se, me propozim të këtij të fundit, në 8 dhjetor 1990, në darkë, thirret në
zyrën e Alisë mjeku i Bllokut, Sali Berisha dhe i kërkohet që “Të shkojë në
Qytetin Studenti dhe të qetësojë disa tropojanë që u prijnë studentëve, duke iu
premtuar se do iu plotësoheshin kërkesat e tyre….”. Berisha vete atje dhe, në
orën një të natës kthehet tek Alia për t’i raportuar se “U përpoqa, por ata nuk
binden….”. Kur njoftohet miratimi i pluralizmit politik Sali Berisha mban një
fjalim në Qytetin Studenti dhe ia atribuon zhvillimet demokratike Ramiz Alisë
(është e regjistruar në audio dhe video) duke thënë se “Në këtë mes, mirënjohja
jonë e madhe, pa dyshim, shkon tek presidenti, shoku Ramiz Alia (fërshëllima
nga populli) i cili me një mençuri të madhe, me mençuri dhe guxim udhëhoqi
njësitë e mëdha të ushtrisë sonë në beteja çlirimtare, udhëhoqi vendin në
beteja të reja të demokratizimit të Shqipërisë” (gazeta ” Republika “,
10.08.1997).
Ndërkaq, vendosja e Fatos Nanos në krye të PS
nga R. Alia, pas refuzimit të Maqo Lakrorit dhe njëfarë hezitimi të vetë Nanos,
është fakt i pranuar jo vetëm nga Alia dhe Xh. Gjoni por edhe shumë të tjerë.
Prej 22 vitesh, sa herë kanë nevojë për heronj
dhe heroizma të rremë, na e shesin për të tillë Azem Hajdarin, bir i një
familjeje komunistësh, me një karakter dhe personalitet ordiner në të gjitha
aspektet. Po të kishte qene hero Azem Hajdari, kur u bënë zgjedhjet e para për
drejtimin e PD-së në 14 shkurt 1991, nuk do të kishte ndodhur që Hajdari të
merrte vetëm një votë (votën e vet) për Kryetar partie dhe si i tillë të
zgjidhej A. Meksi. Dhe, menjëherë ndodh ndërhyrja e Berishës që anulon votimin
e parë dhe zgjidhet vetë në votimin tjetër. Nuk do të kishte ndodhur që vetë
PD, në qeverisjen e saj të parë, t’i hiqte Hajdarit dy herë mandatin e
deputetit dhe ta dënonte dy herë si ordiner dhe, madje, ta akuzonte në gazetën
RD si spiun i Alisë dhe autor vrasjesh “para dhe pas 22 marsit….”.
Me kë luftuan këta heronj që, pasi dilnin në
tribuna dhe shanin regjimin komunist dhe drejtuesin e saj, të nesërmen shkonin
në zyrën e “diktatorit” dhe i tregonin se ç’do të bënin një ditë më vonë në
Sheshin Skënderbej? Këta nuk mund të jenë “heronj pe vërteti”. Aq më shumë të
vjen të qeshësh sot, kur dëgjon disa
pilivesa politike që dalin në parlament apo podiume elektorale dhe
kërcënojnë se “Do ju përmbysim siç ua bëmë baballarëve tuaj në 1990….”. Shumica
e tyre, në atë kohë, ose ishin në gjirin e partisë dhe nën kujdesin e saj ose
ishin duke mbushur poturet atje ku i kishte degdisur diktatura.
Nëse ka një konsensus thuajse të plotë rreth
nevojës së ndryshimit të sistemit që ndodhi në 1990, ka mendime të ndryshme dhe
të kundërta rreth formës që u përdor për këtë qëllim. Personalisht, ruaj
mendimin se nuk kishte formë më të vlefshme, por…
Jam i bindur se Alia e bëri ndërrimin e
sistemit në atë mënyrë që të kishte edhe më shumë siguri për vete dhe kastën
drejtuese. Këtë do ta kishte bërë kushdo, po të ishte në vend të tij. Ai
“klonoi” në sistemin e ri Sali Berishën, Fatos Nanon, Sabri Godon, Namik Hotin
etj. Kupola komuniste njihte devotshmërinë politike të Sali Berishës, por nuk
njihte karakterin e tij dhe çfarë fshihej pas pasionit të tij “komunist”. Po të donte ta bënte ndryshe transformimin politik, Alia
nuk dërgonte tek studentët atë që kishte qene 22 vjet anëtar dhe sekretar i
partisë komuniste por zotin Daut Gumeni që kishte 22 vjet i burgosur politik
prej regjimit të kësaj partie.
Me këtë mënyrë u pajtua edhe Perëndimi për
disa arsye. Së pari, qëllimi kryesor i Perëndimit ishte rënia e sistemit
komunist, pavarësisht nga forma. Së dyti, një ndërrim i dhunshëm do të kishte
sjell një kaos për ndreqjen e të cilit Perëndimit do t’i duheshin shumë më
tepër shpenzime dhe angazhime. Së treti, një përplasje e dhunshme midis
shumicës që kishte pushtetin dhe forcën
dhe pakicës së shtypur, vërtetë nuk do ta kishte ndaluar ndryshimin, por do të ishte
tepër e vështirë që ajo pakicë të bëhej ndonjëherë shumicë nëpërmjet
zgjedhjeve. Prandaj, një përzierje paqësore e të shtypurve me komunistët e
pakënaqur dhe të etur për pushtet kundër kastës komuniste, të vjetruar, të
lodhur, mëkatare dhe të velur nga pushteti, do të ishte më efektive.
Ky ishte edhe shkaku që kasta komuniste e
dorëzoi aq lehtë pushtetin, duke zhvilluar dy palë zgjedhje, niveli demokratik
i të cilave (sidomos atyre të marsit 1991) nuk është arritur ende dhe sot. Kjo
ndodhte se udhëheqësit komunistë e dinin se, në mos herët, vonë, pushteti do të
kalonte doemos në anën tjetër. Së dyti, në “anën tjetër” ishin përsëri njerëzit
e tyre dhe, së treti, pavarësisht çfarë thuhet sot, udhëheqja komuniste e 1990
i trembej ndëshkimit për burgosjet dhe internimet politike që iu kishte bërë
kundërshtarëve politikë, por jo abuzimeve ekonomike. Kur lanë pushtetin ata nuk
iu lanë kurrfarë pasurish pasardhësve dhe të merr gazi sot kur dëgjon Sali
Berishën të flasë për bllokmenë, kur pasuria e familjes së tij është më e madhe
se ajo e gjithë familjeve të Bllokut së bashku.
E keqja më e madhe e formës së transformimeve
politike të këtyre viteve ka qene klonimi politik që R.Alia bëri me S.Berishën
dhe Fatos Nanon. Ndonëse në pamje të parë duken tipa të ndryshëm, të dy
rezultuan të dëmshëm për vendin dhe popullin.
imazhe shqip
Sali Berisha është personifikimi i njeriut që
vjen nga periferia, me vullnetin për të mësuar, por edhe me vullnetin dhe etjen
e pashuar për pushtet dhe sundim. Njeri, që deri në 1990 mundi të ngjitë
shkallë karriere profesionale (me meritë) dhe partiake (me devotshmëri të
shtirë), pas këtij viti shpalosi gjithë tiparet e individit që nuk ka as ide,
as ideale, as skrupuj moralë, që nuk njeh parime, që pushtetin e ka qëllimin më
të lartë të jetës dhe gënjeshtrën, fyerjen, shpifjen, trillimin, kërcënimin, burgosjen,
rrahjen dhe vrasjen i ka mjete të marrjes dhe mbajtjes së pushtetit. Me
sjelljen e tij tash 23 vjet Sali Berisha ka dëshmuar se rënien e sistemit
politik komunist nuk e donte për shkak të idealeve demokratike apo dhimbjes
ndaj vuajtjeve të atyre që e pësuan nga ai regjim, por vetëm për të mbërritur
vetë në majë të pushtetit dhe, mundësisht, të mos zbresë kurrë prej atje.
Shtetin e drejtuar prej tij e ka shndërruar në një bandë dhe bandat as nuk mund
të ndërtojnë shtet dhe as janë në shërbim të popullit. Nuk ka mundur dhe nuk
mundet të veprojë ndaj kundërshtarëve politikë si regjimi komunist, së pari,
sepse nuk ia lyp nevoja dhe së dyti, sepse nuk e lejojnë rrethanat. Megjithatë,
kontributi i tij në përçarjen e popullit shqiptar dhe në rrënimin moral, dhe jo
vetëm, të shoqërisë shqiptare mund të krahasohet me atë të një pushtuesi të
huaj.
imazhe shqip
Fatos Nano i përket “garipit” të qytetit, i
ardhur nga familjet e inteligjencies komuniste, i arsimuar dhe kulturuar, i
llastuar, por pa kurrfarë vlerash të çmuara në karakter. I përket atyre intelektualëve që në vitet ’90, për të
dëshmuar “vlerat” e tyre na tregonin se kishin veshur pantallona xhinse, kishin
dëgjuar muzikën e Beatles Group, kishin shikuar stacionet e huaja radiotelevizive
gjatë regjimit komunist dhe, si të tillë, ishin “modernë”, kozmopolitë,
perëndimorë, demokratë dhe tamam për të drejtuar vendin. E vërteta është se një
tip i tillë duhej mbajtur sa më larg punëve shtetërore. Dembel, qejfli pijesh,
kumari dhe vesesh të tjera, është një njeri që asgjë s’e merr seriozisht. Nuk
ka kurrfarë parimesh dhe skrupujsh. Ka dy merita që e ngrenë më lart se
Berishën si figurë politike. Megjithëse ndodhej brenda të gjithë kushteve
ligjore për të përdorur armët dhe, madje, vrarë terroristët e armatosur me të
gjithë arsenalin e armëve, kur sulmuan dhe pushtuan gjithë institucionet qendrore shtetërtore në
14 shtator 1998, ai hoqi dorë nga mbrojtja legjitime dhe braktisi zyrën duke
mos shkaktuar asnjë viktimë. Gjithashtu, dorëzoi në mënyrë paqësore pushtetin
në vitin 2005 dhe dha edhe dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Por, fill pas
kësaj, nisi të bëjë “kulimin” duke sulmuar pa kuptim dhe pa kurrfarë
parimshmërie partinë e vet dhe pasardhësin e tij, deri sa arriti të vihej në shërbim të Sali Berishë që
e kishte burgosur politikisht, diskredituar publikisht, që i kishte rrahur
shokët dhe vjedhur zgjedhjet dhe, më vonë, vrarë edhe simpatizantët e partisë
se vet. Vetëm e vetëm që të bëhej president, por nuk u bë dhe as do të bëhet
kurrë. Dhe, as e meriton të bëhet.
Berisha dhe Nano janë “mall” i vjetër, i
skaduar, por i ambalazhuar sipas stilit modern. Jo pak njerëz tërhiqen nga
ambalazhi dhe reklama e mallit, pa e ditur ç’ka brenda. Për mua, ata u ngjajnë
fishekëve kinezë të viteve ’70 që, pasi nxirreshin nga arkat në Gërdec në vitin
2008, futeshin në ambalazh të ri dhe iu vihej vit tjetër prodhimi, për t’ua
shitur të huajve.
Ajo që i bashkon më shumë këto dy figura
politike është mungesa e plotë e përgjegjësisë qytetare dhe politike për fatet
e vendit. Bashkëpunëtorët e Nanos tregojnë se, në vitet 2000, kur i thanë se
“po digjet Shqipëria “, ai u përgjigj: “Ç’ja q.. nënën Shqipërisë, po, kur do
bëhem unë president?”. Ndërsa gazetari dhe publicisti amerikan Peter Lucas
tregon se në vitin 1997, kur Shqipëria digjej dhe ishte buzë greminës, Berisha
i ka thënë: “Apres moi, le deluge!” që do të thotë se “Pas meje u bëftë
kiameti”. Këto dy thënie përbëjnë edhe thelbin e karakterit të tyre. Prandaj,
nuk është mëkat të mallkohet Ramiz Alia. Qoftë dhe vetëm për këtë./DITA
imazhe
shqip
* * *
RAMIZ KURVA
ReplyDeleteKeni harru Jar kullufin
ReplyDelete