"

December 11, 2013

Pardesytë e bardha të dhjetorit ‘90





Nga Xhevdet Shehu*

Prej 8 dhjetorit 1990 e në vazhdim nuk mund të flitej më për qetësi. Ajo dukej se kishte humbur përfundimisht. Tirana (dhe jo vetëm Tirana) ngrysej e gdhihej nën krismat e armëve, nën një terror dhe ankth të vazhdueshëm, ndërsa për autorësinë e një gjendjeje të tillë ishte gjetur një emërtim gati i papërcaktuar “forcat e errëta, vandaliste”. Ishin bërë të zakonshme, thuajse të përnatshme lajmet që fillonin në këtë mënyrë: “Mbrëmë natën forcat e errëta dogjën një magazinë në X qytet”, ose “Forcat vandaliste shkatërruan dje një kopësht fëmijësh….”  etj., etj.,  pa folur dhe pa u zbuluar asnjëherë autorët e vërtetë të tyre. Dukej se edhe vetë shteti ishte kthyer në rolin e një kronikani të rëndomtë që vetëm konstatonte dhe e tregonte haptaz paaftësinë për të ndalur të tilla akte të shëmtuara dhe të frikshme.

<img src="Azem Hajdari, Sali Berisha  e Gramoz Pashko.jpeg" alt="Azem Hajdari, Sali Berisha  e Gramoz Pashko" />
Azem Hajdari, Sali Berisha 
e Gramoz Pashko

 imazhe shqip

Por,ndërkohë opozita akuzonte pareshtur vetë shtetin dhe organizmat e tij si nxitës dhe organizator i të tilla akteve.

Në ato ditë dhjetori 1990, udhëheqësit e Lëvizjes Studentore, së bashku me Berishën, dalloheshin lehtësisht për shkak të një lloj pardesyje të bardhë që mbanin veshur thuajse të gjithë. Me këto pardesy veshur, pa iu trembur syri e pa iu prekur asnjë fije floku, pa provuar asnjë shkop policie, pa le më qelitë e komisariateve e burgjet, ata e udhëhoqën me sukses të plotë Partinë Demokratike drejt marrjes së pushtetit!…

Por enigma e ‘pardesyve të bardha’ (në fakt, ato kishin një ngjyrë gri të hapur, por qytetarët i identifikonin ata si ‘pardesybardhët’) ka ngelur një nga enigmat e mëdha e të padeshifruara edhe sot e kësaj dite.

Ndonjë muaj pas themelimit të Partisë Demokratike, në mesin e janarit 1991, në një miting para stadiumit “Qemal Stafa”, Sali Berisha me pardesynë e bardhë karakteristike do t’u kërkonte oratorëve të mos e përmendnin (domethënë, të mos e sulmonin) Enver Hoxhën. Nuk asht momenti, – kishte thënë… Shkrimtari Kasëm Trebeshina, i ftuar nga publicistët Edi Rama dhe Ardian Klosi, për të folur në atë miting, i befasuar nga kjo kërkesë, kishte shtangur. Pastaj, qetësisht dhe pa asnjë mëdyshje, siç e ka në natyrë ai, i ka zgjatur dorën Berishës, duke i thënë pamëshirshëm këto fjalë profetike, të ngjashme me ato të Promemories së vitit 1953:

- Doktor, fëmija ka lindur i vdekur! Unë po largohem…

Më tej, gjatë viteve të pushtetit, duke parë mënyrën se si Berisha monopolizoi pushtetin në duart e tij, kultin që deshi të krijonte, sjelljen ndaj kundërshtarëve dhe dyshimin e përhershëm paranojak ndaj bashkëpunëtorëve, bindesh se idhulli i tij i vetëm ka qenë Enveri. Ai ishte, ndoshta padashje, modeli që deshi t’i ngjante, por edhe që e shante dhe e mallkonte më shumë nga të gjithë, në të njëjtën kohë. Dhe modeli shahet e përbuzet, zakonisht, kur nuk arrihet…

E kaluara ish-komuniste i ka munduar dhe i mundon këta lloj njerëzish. Dhe, për të qenë të pranueshëm e të besueshëm në sytë e të huajve, ata “janë bërë më katolikë se Papa”, janë deklaruar më antikomunistë se antikomunistët tradicionalë.

Po të përdorim një metaforë, të hiperbolizuar paksa, mund të themi se në gjoksin e këtyre politikanëve fle një Enver i vogël, domethënë një minidiktator me etje të madhe për pushtet dhe sundim mbi të tjerët…


*Nga libri i autorit: “Ambasadori VOA”

imazhe shqip


*   *   * 

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!