"

December 14, 2013

A po përgatitet Berisha për një grusht të ri shteti?




Të gjithë ata që kanë pritur se me largimin e detyruar nga pushteti, përmes një milion votave kundër tij; dhe me largimin “vullnetar” nga posti i kryetarit të PD-së, më në fund do t’u binin veshët rehat nga Berisha, por jo vetëm veshët, e punët do të fillonin nga e mbara, tashmë jo vetëm që janë të zhgënjyer në pritjen e tyre, por edhe e ndjejnë se gjithçka po mbarset me një tension të ri. Janë të zhgënjyer, sepse, ndryshe nga sa pritnin, Berishës nuk iu mbyll një herë goja, por jo vetëm goja; përmes mjeteve që më  parë i përqeshte dhe i tallte, si “ciu, ciu”, ai po mbjell, me gjithë mundësinë e tij, vrerin për pushtetin dhe mallkimin për rrëzimin e tij. Dhe ndryshe nga gjithë të tjerët që kanë shkuar para tij, mallkimin e ka të veçantë; ndaj njerëzve që nuk e paskan kuptuar se sa shumë ai, si “baba i kombit”, mendoi për të mirën e tij, paçka se grupi i njerëzve që u pasuruan ishin besnikët e njëkohësisht shërbyesit e tij.

<img src="Don Kishoti Sali berisha.jpeg" alt="Don Kishoti i Lirise, sali Ram berisha" />

 imazhe shqip

Megjithatë, ky është vetëm fillimi i gjithë asaj që ka planfikuar dhe ka filluar të verë në zbatim, që prej majve e jo vetëm prej disa ditëve, njeriu i larguar nga pushteti, apo më saktë, i përzënë prej pushtetit, dy herë; herën e parë me pushkë, sepse i vuri pushkën popullit të tij, të cilin pasi e grabiti, tentoi edhe ta vriste nën breshërinë e vdekjes; dhe së dyti, përmes votës plebishitare kundër tij.

Plani i Berishës është më i gjerë se “ciu, ciu” i tij në FB apo në rrjete sociale, është më i thellë se ajo që ka shfaqur deri tash, e po ashtu, është më i rrezikshëm se sa një llomotitje “sa kohë të duan” në parlamentin e Shqipërisë. Berisha po përgatitet për një përmbysje me dhunë të pushtetit të sotëm; ai nuk duron që edhe një herë të jetë njeriu-hije dhe nuk duron po ashtu, që në një kohë kaq të shkurtër të kthehet nga njeriu i pardesysë së bardhë në njeriun e territ dhe vdekjes së zezë. Duke qenë njeri pa pushtet, ai e ndjen se shumë shpejt, në ciklin e harkut politik të shkurtër kohor, ai do të mallkohet edhe nga të vetët, e për më tepër do të jetë Njeriu politik që përdhunshëm ka shkelur çdo ligj, juridik e njerëzor, që pas fjalëve të mëdha për kombin fshihej shitësi i tij; që pas buçitjes atdhetare nuk ishte asgjë tjetër veçse hipokrizia e më shumë se kaq; dhe se në fund të fundit çdo gjë që ishte bërë kishte pasur vetëm një qëllim; pasurimin, grabitjen e familjes së tij biologjike e politike. Sa më tepër që të zgjasë periudha e qëndrimit të tij në opozitë, aq më e hapur do të jetë mundësia e diagnostifikimit të plotë të qeverisjes së tij, dhe aq më i qartë do të jetë tumori politik e ekonomik që ai ka lënë pas vetes, për të mos folur për rrjedhojat njerëzore.

Dhe, duke e ditur prej kohësh se kjo do të ndodhë, e për më tepër i sinjalizuar se kjo pritet të ndodhë më shpejt nga sa e kishte menduar edhe vetë ai, Berisha dhe grupi i skifterëve pranë tij, po përgatiten që tani, për riardhjen e tyre në pushtet, jo ligjërisht e ndershmërisht, por përdhunshëm dhe përmes lëvizjeve të caktuara politike.

Berisha, planin e tij të rikthimit përdhunshëm, e ka skicuar që para 23 qershorit, sepse ishte i bindur në humbjen e tij, megjithëse nuk e priste të ishte një humbje kaq e thellë dhe dramatike. Ai, nëse deri më 22 qershor kishte bërë skicimin, pas dy ditëve, që nga e hëna e 24 qershorit, nisi të hedhë themelin e përmbysjes së ardhshme.

Mundësia e parë: 
Rikthimi përmes përmbysjes ekonomike

Të gjitha qeveritë, kur vijnë në pushtet, qoftë edhe për arsye populizmi, bëjnë dhurata. Kjo është një traditë e hershme e pushtetit të ri. Dikur, të gjithë mbretërit, në ditën e kurorëzimit, hidhnin para nga dritarja. Qeveria e sotme, e drejtuar nga Edi Rama, në këtë fund viti, jo vetëm që nuk do të bëjë një dhuratë shtesë, sipas ritit të pushtetit, por të heqë edhe atë që bënin dikur paraardhësit e tyre: rrogën e 13-të në pragun e vitit të ri. Të duket e çuditshme pse ndodh kjo, por fakti është se buxheti i shtetit është i zbrazur deri në fundin e tij, se ajo që quhet arka e shtetit ka mbetur krejt bosh, se tashmë nuk mund të flitet për dhurata, por për mbijetesë. Në tre muajt e parë të qeverisjes së saj, qeveria e re, që e dinte gjendjen e vështirë, vuri re se para saj kishte një humnerë ekonomike, e pamenduar kurrsesi deri në këto përmasa.

Ky ishte qëllimi i parë imediat i Berishës, krijimi i kësaj humnere ekonomike, që sjell trazime e vullkanizime politike.

Nëse të gjitha qeveritë bëjnë dhurata në ditën e kurorëzimit, me Berishën ndodhi ndryshe; ai bëri dhurata në çdo ditë të pushtetit të tij pas shkurorëzimit.

Dhuratat e Berishës nuk ishin të zakonshme. Koha që ishte në mes të zgjedhjeve dhe vendosjes së pushtetit të ri, të dalë nga këto zgjedhje, duke qenë shumë më e gjatë se sa duhej, ishte plotësisht e mjaftueshme për të zhytur vendin në një kolaps edhe më të rënduar financiar, me pikësynimin e shprehur budallshëm nga vetë Berisha, se, “vendi do të shkojë si Greqia”. Ankthi për rikthimin në pushtet përmes përmbysjes ekonomike, i detajuar deri në imtësi nga Berisha dhe grupi i skifterëve ekonomikë pranë tij, ku është jo vetëm Basha apo Mima, por edhe të tjerë që nuk gjenden në listat e pagesës shqiptare, solli një rrëmujë të jashtëzakonshme në financat e vendit. Brenda pak javësh u shit, shpesh edhe me çmime qesharake, një pjesë e rëndësishme e pasurisë së shtetit, u bënë rrokada ekonomike të pashpjegueshme, fluturuan nga Shqipëria disa qindra milionë euro drejt parajsave financiare, ku kanë depozitat e tyre jo pak njerëz të politikës dhe të mafias politike të lidhur me Berishën. Jo vetëm drejt Qipros, që është tashmë një adresë e zbuluar dhe e “licensuar” nga fazlliqët, por edhe drejt vendeve të tjera, ku kanë shkuar më parë edhe qindra milionë euro të tjera.

Parimi i Berishës se “pas meje, të bëhet qameti” nuk është thjeshtë një thënie e zakonshme, por linjë për të arritur qëllimin. E para që ai mund të bënte pas humbjes plebishitare të pushtetit, ishte pikërisht kjo: qameti ekonomik, sepse nuk kishte asgjë tjetër në dorë. Ai nuk mund të bënte pas 23 qershorit dhe deri në shtator asnjë grusht shteti, asnjë përmbysje të lojrave politike me dhunë, mund të bënte vetëm këtë: humnerën ekonomike, në të cilën ai mezi pret që të fundoset i gjithë populli që nuk e besoi, por e ndëshkoi dhe ky do të jetë njëkohësisht ndëshkimi i tij dhe rikthimi i tij në pushtet.

Qetësia me të cilën duket se e kanë marrë socialistët këtë humnerë, të cilën e shohin, por nuk e mbushin, i jep shpresën e re Berishës se ka gjetur një modus vivendi të jashtëzakonshëm për të bërë përmbysje të madhe dhe për më tepër, të realizojë një shkapërcim drejt pushtetit në këtë prag të fundit të fuqive të tij politike e njerëzore.

Mirëpo i gjithë ky skenar, që është skicuar para 23 qershorit dhe ka marrë tiparet e tij pas kësaj date, ka një të metë, që nuk përputhet me karakterin e Berishës dhe natyrën e tij shpërthyese. Ka të metën e kohës. Koha është armiku i saj dhe Berisha e di këtë.

Për të pasur sukses kjo përmbysje ekonomike Berishës dhe skifterëve pranë tij, përgjithësisht të grumbulluar në shërbimin informativ partiak të tij, i duhet të presë, por ai nuk është mësuar të presë. Ai ende ndjen angushti kur mendon se i gjithë ky mision i tij mund të përmbyset. Ai kishte ankth të jashtëzakonshëm kur u diskutua mundësia e një ndihme të fuqishme ekonomike të SHBA ndaj shtetit shqiptar, në kondicion eleminimin e lëndëve kimike siriane në Shqipëri. Ankthi i tij dhe i grupit rreth tij bëri që gjithçka të transformohet, që shteti shqiptar dhe qeveria amerikane të paraqiten si institucione vrasëse, ku masakra do të jetë në çdo rrugë, shesh e shkollë, ku fëmijët e vrarë do të kallnin tmerrin… dhe e gjitha, pa përjashtim, u kalkulua në qilaret e politikës së zezë berishiane, sëbashku me ankthin se kësisoj Shqipëria mund të dalë nga kriza ekonomike dhe të ketë një vend të ri në staturën e saj politike. Ai ishte i gatshëm të shtrihej në mes të sheshit në Tiranë, ku kishte vrarë demonstrues dhe të shtrihej së bashku me fëmijët e gjorë, (por jo me nipat e mbesat e tij që asokohe bridhnin nëpër Europë) për të dhënë një spektakël ogurzi.

Koha është armiku i Berishës në kalkulimin e parë. Ai nuk do të mund të presë kaq gjatë, edhe pse natyra e tij shpërthyese nuk e lejon; edhe pse mund të ndodhë një ndryshim ekonomik që nuk lejon përmbysje të tjera.

Askush më mirë se ai nuk e di se në tre muaj qeverisje jo vetëm që nuk ka faj për humnerën ekonomike të krijuar, por as që mund të mendosh të dalësh nga kjo humnerë. Për më tepër ai e di krejt mirë se, edhe kjo që është zbuluar deri tani si humnerë ekonomike, është vetëm një pjesë e saj dhe me këtë lidhen shpresat afatgjata të tij.


Rikthimi përmes dhunës së rrugës

Ka disa kohë që, si asnjëherë më parë, Berisha po gjen krahasime me vende të tjera, në të cilat ndodhin revolta, për të bërë përngjasimin me atë që dëshiron të ndodhin në Shqipëri. Atë e josh shembulli ukrainas, jo sepse i qan zemra për ata që protestojnë, por nga dhimbja që ende askush nuk po e ndjek në thirrjet e tij delirante, por njëkohësisht edhe mizore, për përmbysjen e pushtetit në Shqipëri. Thirrjet e tij, qoftë nëpër foltore, qoftë në mediat sociale, janë kaq haluçinante, por edhe kaq të rrezikshme, saqë në çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian, ata jo vetëm do të dënoheshin, por njeriu i çartur do të dilte fishek nga skena politike.

Në fakt radikalizmi i skajshëm politik i Berishës, i cili ngjan me radikalizmin vehabist në metodat dhe në përçartjet e tij, duhej të ishte prej kohe jashtë lojës politike në Shqipëri. Ka ndodhur edhe në vende të tjera, jo shumë larg nesh, që njerëz të njohur të politikës, edhe kryeministra, për shkak të qëndrimeve të tyre ultra-radikale, janë shpallur të padëshirueshëm për jetën politike dhe janë përzënë prej saj.

Thirrjet e Berishës për linçimin e qeverisë së re, e cila ende nuk mund të fillojë nga puna, sepse po numëron plagët që ka lënë vetë Ai, kanë pas vetes synimin e përgatitjes së njerëzve të tij për një përleshje të re me qeverinë, e cila, duke pasur një kornizë të licensuar, do të ishte radikale deri në fund. Fakt është se Berisha po përgatit njerëzit e tij për të qenë të gatshëm për fillesën e demonstratave dhe të lëvizjeve të dhunshme, për bllokimin e institucioneve dhe të jetës normale të vendit, për krijimin e një gjendje pasigurie në të gjithë vendin, ndaj shton numrin e vrasjeve, dhunimeve, plagosjeve; për krijimin e një psikoze se jemi në fillimin e një katastrofe të gjithanshme, dhe për t’u përballuar kjo, domosdo, duhet një lëvizje e falangave të tij, të cilët, duke ikur nga pushteti, jo vetëm kanë humbur benificiet e tij, por edhe kanë drojën se mund të jenë ende të pranishëm ku kanë lënë gjurmët e tyre në grabitje, arrestime, dënime e vrasje.

Në muajt e fundit të qeverisjes së tij, jo rastësisht e jo vetëm për disa vota, Berisha dhe klani i tij, familjar e politik, shtuan në mënyrë drastike të punësuarit në administrata, listën e njerëzve që kishin përfitime sociale, etj. Shumica dërrmuese e atyre që përfituan ndihmë sociale ishin familje që garantonin votën proberishiste, ndërsa të punësuarit përmes një liste partiake ishin të zgjedhurit specialë partiakë. Mjaftoi një periudhë e shkutër, nga 1 prilli i këtij viti, kur Meta doli nga koalicioni qeveritar e deri në fillim të korrikut, ku të gjithë të punësuarit e kësaj partie, pra rreth 25 për qind e administratës, u zevëndësuan me njerëz të devotshëm partiakë, berishistë të thekur.

Shumë prej tyre tani, është krejt normale, do të largohen nga detyra. Mendoj se edhe largimi i tyre është zgjatur shumë. Ishte një e keqe që duhej bërë pa dhembje dhe pa drojë. Por kjo falangë është shpresa e qëllimshme e Berishës, ndaj i nguc ata, i shantazhon, i shumëfishon, jep shpresën se nuk janë vetëm, krijon zyra fantazmë për mbrojtjen e tyre, i regjistron (në fakt krijon kështu listësulmin e mundshëm militant) dhe kur do të mendojë se kjo listë është e mjaftueshme, i vendos ata në funksion të skalionit të parë: militantëve të rrugës, që nuk janë të paktë në partinë e tij.

Kjo është një periudhë më e shkurtër në politikën e tij. Mund të zgjasë disa muaj, sepse ende ai ka mendimin se kushtet nuk janë pjekur… ndaj po forcon agresivitetin e gjuhës së tij dhe ashtu helmuese, por fut në lojë edhe disa nga skifterët e tij, ku më i shëmtuari dhe më qesharaku ishte një zogth politik, me emrin Keltis Kruja.

Zakonisht rrëmujën e madhe Berisha e bën ose në fillim të pranverës, kujtoni 2 prillin në Shkodër, ose në fillimin e vjeshtës, kujtoni shtatorin e vitit 1998.

Më e mundshme që këtë lëvizje ai ta fillojë që në fund të këtij dimri dhe këtë tashmë e thonë edhe institucione të rëndësishme studimore të politikës evropiane. Ai, përmes zëdhënësit të tij, Lulzim Basha, fillimisht kërkon të skifterojë partinë, përmes zgjedhjeve të reja, në të cilat skifterët e vjetër do të rrijnë fillimisht larg, nga droja se mos edhe njerëzit që mendojnë normalisht brenda partisë, bëhen pjesë e detantës politike, që si mendoj, kishte menduar të niste Olldashi.

Por Berisha nuk do të ishte Berishë nëse ai do të ndalej këtu.

Më e mundshmja, por edhe më e rrezikshmja, është përmbysja e qeverisë përmes rrugës më radikale, të cilën ai e ka provuar një herë dhe mendon ta provojë edhe një herë tjetër: përmbysjen me dhunë, përmes një grushti shteti, të cilit ai ia ka marrë dorën prej kohe.

Kjo është rruga më e rrezikshme për të… por nga padurimi dhe duke parë se gjendja mund t’i shkasë nga duart, ai do e provojë këtë edhe një herë.

Sikur asgjë të mos kishte mësuar Berisha nga komunizmi, ku ishte pjesë e rëndësishme për më shumë se 20 vite, duhet të kujtohet se ka një thënie marksiste se, “ajo që në fillim shfaqet në formën e tragjedisë, herën tjetër do të jetë një farsë komedie”.

Berisha mendon vetëm për pjesën tragjike të saj. Sidoqoftë viti i ardhshëm kur Berisha mendon të bëjë gati grushtin e tij politik e rrugësor, është krejt ndryshe nga viti 1998.

Në vitin 1998 kishte një koincidencë të habitshme mes grushtit të shtetit të shtatorit të vitit 1998, ofensivës serbe në rajonin e Dukagjinit dhe kërkesës së zotit Rugova ndaj presidentit Klinton për largimin nga pushteti të socialistëve, të cilët, sipas tij, po ndihmojnë forcat nacionaliste dhe separatiste.

Në takimin me përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar, zotin Mejdani, zotin Nano, Kastriot Islami që ishte pjesë e takimit në cilësinë e tij si zëvendëskryeministër i qeverisë socialiste, dhe të tjerë, përfaqësia më e lartë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe e UÇK-së, në gushtin e vitit 1998, ia bënë të qartë asaj se pritej një lëvizje politike e dhunshme, sipas një skenari të mirëditur nga njerëzit e lidhur me UÇK-në brenda strukturës ushtarake të FARK-ut, me të cilët ishte i lidhur Berisha dhe Azem Hajdari. Po ashtu, ata u qartësuan edhe për bisedën e zhvilluar mes zotit Rugova dhe presidentit Klinton, ku ishte i pranishëm edhe Veton Surroi. Çuditërisht, pak para grushtit të shtetit, në rajonin e Dukagjinit, ndodhën tentativa për përmbysje politike në strukturën ushtarake dhe brenda pak ditëve, më shumë se 5 mijë armë u dorëzuan tek ushtria e policia serbe. Dezertorët u bënë pjesë e grushtit të shtetit, por jo rastësisht edhe shtypi beogradas, i lidhur me regjimin e Milloshiviçit, priste e parashikonte lëvizje në Shqipëri.

Tani nuk është më ajo gjendje politike. Shqiptarët e Kosovës që mund të bëhen pjesë e grushtit të shtetit të Berishës janë aq të paktë, saqë as nuk mund të llogariten. Duke qenë pjesë e elitës titiste ose të lidhur me të, ata janë të aftë të vrasin e të shpifin pas shpine, por jo të përballen.

Së dyti, Kosova nuk është në luftë. Atje qeverisin njerëz të dalë nga lufta dhe të jeni të bindur se, nëse bashkohet krahu i luftës, ata do të qeverisin për shumë vite. Ndaj Berisha nuk mund të presë ndihmë prej tyre.

Së treti, në Shqipëri nuk ka struktura të armatosura, si ishte FARK-u i qeverisë Bukoshi, që mund të përbënte një kërcënim. Njerëzit e armatosur janë thjeshtë njerëz të Berishës, pjesë e strukturave të ngritura nga ai, të afta që nga sulmet mbi kullat e deri tek sajimi i aksidenteve automobilistike. Kjo do të thotë se ata janë të mirënjohur.


Favoret e Berishës në përgatitjen e grushtit të shtetit, po ashtu, janë të njohura.

Ndryshe nga viti 1998, kur Ai dhe njerëzit e tij prisnin ndihma financiare nga qeveria e Kosovës, tani, ai vetë dhe njerëzit e tij janë të pasur. Aq të pasur, saqë mund të financojnë jo vetëm një grusht shteti, por një luftë. Nëse lufta në Kosovë, përmes Fondit “Vendlindja thërret”, pra përmes kontributit të njerëzve adhetarë, ka kushtuar jo më shumë se 160 milionë marka, ose rreth 80 milionë euro, kjo shumë është lehtësisht e përballueshme vetëm nga një pjesë e mafias politike dhe ekonomike e lidhur me Berishën. Pra elementi financiar nuk e pengon atë.

Berisha prej kohe ka rreth vetes një grusht besnik njerëzish, të përgatitur, që kanë qenë ose janë pjesë e strukturave të specializuara të ndërhyrjeve policore apo ushtarake. Të grumbulluar në struktura të ditura nga ai dhe një grup i vogël rreth tij, ata janë të gatshëm që përsëri, si në shtatorin e vitit 1998, të hipin mbi tanke dhe të sulmojnë ndërtesat qeveritare. Ky grusht disa dhjetra njerëzish është ajo që mund të quhet “elita ushtarake”. Ata edhe do të dalin, nuk do të dalin gencët, Pollo apo Ruli, nuk do të dalin Mimët apo Bodet, në rrugë do të jenë skifterët, të tjerët do të përgatitin deklaratat politike. Fakti që në një pjesë të rëndësoishme të strukturave të ndërhyrjeve të shpejta nuk është bërë reforma e duhur, u jep shpresë atyre se, si në vitin 1988, do të ketë përsëri njerëz të palës tjetër që do u dhurojnë tanket dhe autoblindat. Ky grup është edhe më i rrezikshmi.

Nëse kjo do të ndodhë, pra kjo lëvizje për përmbysjen me dhunë të qeverisë, Berisha nuk do të ndalet as nga telefonatat që i vijnë nga banorë të Amerikës që flasin një shqipe të malit të Zi, e as nga droja e ndërkombëtarëve. Ai ka në favorin e tij Gjykatën e Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, shefin e SHISH, e në fund edhe Presidentin. Pra, gjithçka që i duhet për t’i dhënë një pamje ligjore përmbysjes së dhunshme. Do të shkojë deri në fund, sepse kësaj here është në lojë e ardhmja e fëmijëve, nipërve dhe mbesave të tij…

Ka edhe një mundësi tjetër, që ai po përpiqet ta blejë sa më lirë, por që është i gatshëm të paguajë sa më shtrenjtë: Ndryshimi i lojës në tavolinë, krijimi i një lidhje të re me LSI. Ndaj edhe po i jargaviten atij, duke ia ditur huqet dhe duke ia pasur frikën.


Cila prej tyre do të ndodhë?

Nëse qeveria e re ndërton linjën e saj të duhur të komunikimit dhe të fillesës së mbarë, nëse ajo krijon përmes staturës së saj modelin e asaj që duhej të ishte prej kohe në Shqipëri, të gjitha mund të shndërrohen në llafazeneritë e zakonshme të Berishës, nga gjuha e të cilit duhet të ruhesh edhe kur të thotë shëndet.
  
Bedri Islami

Vjenë, 14 dhjetor 2013


 imazhe shqip


*   *   *

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!