"

December 14, 2013

Hidhet në erë me tritol Kompleksi Jon

“pallati i Bashës” 
në Ujin e Ftohtë, në Vlorë

<img src="Kompleksi Jon tritoli.jpeg" alt="Kompleksi Jon, Uji i Ftohte, Vlore, Hidhet te ere me tritol, imazhe shqip," />

Kompleksi “Jon” në Ujin e Ftohtë nuk ekziston më, por pas ka lënë një grumbull betonarmeje dhe një dosje penale me qindra faqe në prokurori. Kur ora shënonte 14:00 e pasdites së djeshme, teksa zona ishte blinduar me forca sigurie, butoni i kuq është shtypur nga një distancë prej 40 metrash dhe të paktën 300 kg eksploziv plastik shkulën dhe shembën nga vendi dy kullat 8 katëshe. 

<img src="Kompleksi Jon Lulzim Basha.jpeg" alt="Kompleksi Jon, Uji i Ftohte, Vlore, Hidhet te ere me tritol, imazhe shqip," />

<img src="Kompleksi Jon, Lulzim basha.jpeg" alt="Kompleksi Jon, Uji i Ftohte, Vlore, Hidhet te ere me tritol, imazheshqip," />

<img src="Kompleksi Jon.jpeg" alt="Kompleksi Jon, Uji i Ftohte, Vlore, Hidhet te ere me tritol, imazhe shqip" />

<img src="Kompleksi Jon.jpeg" alt="Kompleksi Jon, Uji i Ftohte, Vlore, Hidhet te ere me tritol, imazheshqip" />

<img src="kompleksi jon -lulzim basha.jpeg" alt="Kompleksi Jon, Uji i Ftohte, Vlore, Hidhet te ere me tritol, imazhe shqip" />

Në radion e komandimit është komunikuar gatishmëria e të gjitha pozicioneve ku ishin lidhur kallëpet e eksplozivit dhe pas numërimit ‘count-down’, një zhurmë e fuqishme i la vendin palosjes së kullave dhe tymit të zi. Edhe pse një pjesë e mediave e interpretuan si një shpërthim i pjesshëm, ku kulla jugore nuk ishte shembur plotësisht si ajo veriore, ekspertët treguan se kështu ishin bërë llogaritë që në fillim, pasi një prej pallateve mund të dëmtonte shtëpinë 100 vjeçare ngjitur, ose mund të binte i gjithi në det, pasi ishte më pranë ujit se kulla tjetër.



Operacioni

foto pallati i shemburPrej ditës së premte ishin njoftuar masat e sigurisë, ndalimi i qarkullimit nga ora 08:00-16:00 të pasdites së djeshme. Në dispozicion qindra forca policie, specialistë të Xhenios, Antieksplozivit, INUK, Bashkisë dhe autoritete vendore dhe qendrore. Po kështu dy ambulanca dhe katër zjarrfikëse për rastet emergjente. Në pritje edhe mjetet e rënda të Policisë Ndërtimore, fadroma dhe skrepa. Gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve, kur në orën 14:00, 300 kg eksploziv plastik rrafshoi dy kullat në pronësi të Xhafer Isufit, vjehrrit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Asnjë incident dhe asnjë dëm njerëzor. I vetmi fakt ishte se kulla jugore u shemb vetëm në tre katet e saj dhe 5 të tjerat që u dëmtuan keqazi mbeten në këmbë. Por specialistët sqaruan se aty ishte vendosur më pak eksploziv, pasi nuk duhej shembur tërësisht për të shmangur dëmtimin e një banese dy katëshe ngjitur, shtëpi 100 vjeçare, por edhe që inertet të mos binin në det, pasi do kërkonte kosto shtesë.


INUK

Menjëherë pas shpërthimit të fuqishëm, drejt krahut gjysmë të shembur të kompleksit ndërhyri një mjet i rëndë i INUK-ut, që nisi të godiste kolonat e kullës për rrafshim të ngadaltë. Kreu i institucionit, Zyhdi Dajti, shpjegoi se “ishte lënë sipas planit që kjo pjesë të shembej me mjete mekanike dhe në mënyrë të ngadaltë, për të mos dëmtuar banesat afër”. Punimet aty do vijojnë me mjete të rënda edhe për disa ditë, deri në pastrimin nga inertet. Rreth orës 15:00 qarkullimi i mjeteve Skelë-Uji i Ftohtë u zhbllokua përsëri. Ky operacion u afrua me një ditë për shkak të ngjarjes së ndodhur në Kryeministri, ku makinës së prefektit të Vlorës iu gjet një kallëp eksplozivi i telekomanduar. Para shpërthimit, pallatit i ishin hapur mbi 1500 vrima për vendosje eksplozivi.



Paligjshmëritë e pallatit

Firmat e 2 të vdekurve, 
leja e parregullt, zaptimi i detit dhe falsifikimet

Prokuroria e Vlorës nuk ka kryer asnjë veprim penal, edhe pse prej dy javësh, Ministria e Brendshme ka depozituar një dosje me 49 faqe me parregullsi ligjore të “Kompleksit Jon”. Madje edhe për falsifikimin e firmave të dy të vdekurve që rezultojnë shitës të truallit tek vjehrri i Lulzim Bashës, kjo prokurori ka heshtur dhe nuk ka kryer asnjë ndalim në flagrancë. Më 1994, familja Ndini merr truallin e zaptuar nga regjimi komunist. Bëhej fjalë për 1 mijë metra truall që ia njohu Komiteti i Kthimit të Pronave me dokumentet e vitit 1937. Por familja Ndini përfiton nga situata dhe i kërkon Gjykatës së Vlorës t’i njohë edhe 600 metrat e detit të tërhequr në kufirin e pronës. Gjykata e legalizon më 1996, edhe pse ligji nuk e lejonte. Më 2008, KRRT e Bashkisë Vlorë dhe kryebashkiaku Gjika, firmosin lejen e ndërtimit për kompaninë “G.B-A Konstruksion” me pronar Xhaferr Isufin, vjehrrin e Lulzim Bashës. Madje e firmos edhe pse kompania kishte përvetësuar truall në det dhe zbritur 40 metra të tjera në det. INUK në 2011 kërkon pezullimin e punimeve dhe e denoncon pallatin. Por denoncimi i Gjergj Bojaxhi hidhet në “kosh” nga prokuroria e Vlorës. Me një sërë procedurash të paligjshme, pallati legalizohet i gjithë dhe aktualisht është nën hetim. Por nuk mjaftohet me kaq, pasi në 11 nëntor 2009, Xhafer Isufi dhe ortaku i tij Xhuvi Sharxhi, firmosin me Elpiniqi Ndinin, Jorgji Ndinin dhe 19 familjarë të tyre. Mirëpo Jorgji kishte vdekur 51 ditë para kontratës së shitjes së legalizuar nga noterja Mimoza Shehu në Tiranë. Kurse Elpiniqi Ndini kishte ndërruar jetë 14 vite më parë, por nënë e bir rezultonin firmëtarë, pra të ngjallur nga varri. Skandali është ende nën hetim, me 50 persona të dyshuar, por asnjë të arrestuar./ Dita

imazhe shqip



*   *   *

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!