"

December 12, 2013

Marifeti i gruas së presidentit Bujar Nishani:




(ishte punësuar te Fullani, 
por bëri politikë PD-iste !)

Bashkëshortja e Presidentit të Republikës, Odeta Nishani, prej më shumë se një jave është punësuar në departamentin e administratës në Bankën e Shqipërisë. Burimet për gazetën Shqip pohuan se dorëheqja e Nishanit nga posti i drejtoreshës në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit (MZHUT) ka ardhur në një kohë kur ishte krijuar mundësia e punësimit në institucionin e ri. 

<img src="odeta nishani.jpeg" alt="Zonja e Parë, Odeta Nishani Mehmeti" />


Ndërkaq, ministria ku Odeta Nishani ka punuar vitet e fundit bëri dje një sqarim rreth pozicionit të ri ekuivalent që Zonjës së Parë i ishte ofruar nga ana e ministres Eglantina Gjermeni, në ministrinë e re e cila përfshiu dhe sektorin e Turizmit. Në deklaratën e ministrisë theksohet se Nishani e kishte pranuar postin Drejtoreshës së Marketingut dhe Promovicionit Turistik në MZHUT dhe në datën 3 dhjetor, ka dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë. Vetë Zonja e Parë deklaroi dy ditë më parë se ajo ishte dorëhequr nga detyra për shkak të presionit psikologjik që kishte pasur në detyrën e saj pas ndryshimit të pushtetit. Bashkë me largimin ajo akuzoi drejtuesit e institucionit se shkrirja e strukturave ekzistuese dhe krijimi i strukturave të reja, të mbivendosura me institucionet e varësisë, po përdoren në mënyrë që njerëzit të vetëlargohen nga puna.


Banka e Shqipërisë

Bashkëshortja e kreut të shtetit prej rreth një jave ka nisur punë në departamentin e administratës publike të Bankës Qendrore të Shqipërisë, të drejtuar nga Ardian Fullani. Ky institucion i rëndësishëm shqiptar ka një numër të lartë të punësuarish që kanë lidhje të ngushta familjare me njerëzit në pushtet apo politikanë të njohur të vendit. Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë është institucioni që ka pagat dhe dietat më të larta në vend. Kjo u bë e ditur dhe një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili theksonte se ky institucion ka paga tejet të larta krahasuar me të tjerët dhe po kështu shumë shpenzime të konsideruara luksi.

Sqarimi i ministrisë

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit sqaroi dje se bashkëshortes së Presidentit të Republikës mbi bazën e ligjit për shërbimin civil, i ishte ofruar një post pune ekuivalent me të mëparshmin. Kjo sipas drejtuesve të kësaj ministrie kishte ardhur për shkak të faktit se ministria kishte ndryshuar shumë struktura të saj. Në sqarimin e ministrisë bëhet e qartë se kjo detyrë e re ishte pranuar nga vetë bashkëshortja e Presidentit, e cila më pas kishte dhënë dorëheqjen. “Me shkresën nr. 1511/1, dt. 23.10.2013, Departamenti i Administratës Publike ka dërguar listën e nëpunësve civilë të ish-ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për t’u vlerësuar për sistemim në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Në përgjigjen e dhënë Departamentit të Administratës Publike nga Ministrisë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, me shkresën nr. 279/1, dt. 04.11.2013, konfirmohet lista e nëpunësve civilë, ku znj. Odeta Nishani, nga drejtore e Drejtorisë së Koordinimit dhe Monitorimit të Tregut iu propozua pozicioni drejtore e Drejtorisë së Marketingut dhe Promocionit Turistik, post ekuivalent me pozicionin e mëparshëm që znj. Nishani mbante, detyrë të cilën ajo e pranoi”, thekson kjo ministri për mediat, duke shtuar se dorëheqja e Odeta Nishanit është depozituar në datën 3 dhjetor pranë sekretarit të Përgjithshëm të MZHUT-së.

Marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet mazhorancës së re dhe presidentit të Republikës, detyrojnë edhe zonjën e parë të shtetit që të japë dorëheqjen. Përmes një postimi në profilin e saj në “Facebook”, bashkëshortja e Presidentit Nishani, Odeta Nishani ka lajmëruar miqtë e saj për largimin nga detyra si Drejtore e Studimit të Tregut dhe Statistikave të Turizmit, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.“E thënë thjeshtë, etika është baza e komunikimit në administratë, në shoqëri, në shkollë e kudo në sferat e jetës. Kur ky parim cenohet, komunikimi gjymtohet ose bëhet i pamundur. Natyra e administratës publike karakterizohet nga hierarkia, e cila sipas rangut menaxhon të menduarit dhe të vepruarit në shërbim të taksapaguesve dhe të vetë shtetit, por gjithçka duhet të funksionojë në një kuadër etik”, shkruan Odeta Nishani. Bashkëshortja e kreut të shtetit akuzon mazhorancën e re për presion psikologji dhe trysni të vazhdueshme për drejtuesit të rinj për punonjësit e ish-Ministrisë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve.


Reagimi i Odetës

“Arroganca dhe tensionimi artificial bazohen në kërkesa, të cilat dëshmojnë mungesë vizionesh, mosnjohje të realitetit dhe të punës së bërë deri tani. Presioni psikologjik, trysnia e vazhdueshme, pretendime absurde, shkrirja e strukturave ekzistuese dhe krijimi i strukturave të reja, të mbivendosura me institucionet e varësisë po përdoren në mënyrë që njerëzit të vetëlargo- hen nga puna, e shoqëruar kjo edhe me prishje kontratash, duke përfituar nga statusi i ri i ministrisë pas ndarjes së MTKRS-së (Ministrisë Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve). Duke e gjykuar fyese dhe të papranueshme këtë atmosferë, me keqardhje largohem nëpërmjet dorëheqjes së parevokueshme nga Ministria. Gjej rast të falënderoj përzemërsisht të gjithë bashkëpunëtorët e mi në këto vite për profesionalizmin, përkushtimin, ndershmërinë dhe rezultatet e arritura, të cilat sfidojnë çdo nihilist dhe nihilizëm qëllimor”, deklaron zonja Nishani. Odeta Nishani kreu arsimin e mesëm të përgjithshëm në shkollën “Dhaskal Todri” në Elbasan. Më pas, ajo u diplomua në Universitetin Politeknik të Tiranës si “Inxhiniere për Ndërtime Civile dhe Industriale” në vitin 1993. U martua me zotin Bujar Nishani në vitin 1994. Znj. Nishani e nisi karrierën e saj profesionale në Akademinë Ushtarake si Drejtuese Investimesh duke vijuar më tej në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve, si Inxhiniere Ndërtimi dhe Konstruktore për një periudhë 10-vjeçare. Profesionalisht statusi i Zonjës së Parë e gjen Odeta Nishanin në fushën e Zhvillimit të Turizmit, në detyrën Drejtore e Studimit të Tregut dhe Statistikave të Turizmit, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në këtë fushë , bashkëshortja e Presidentit Nishani mban titullin “Master në Menaxhim Turizmi”, fushë në të cilën ka punuar gjatë këtyre 7 viteve.

gazeta shqip  –  imazhe shqip


*   *   *




No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!