23
vitet e dështimit të klasës politike,
çfarë u premtua dhe ku jemi
23 vjet pas themelimit të Partisë Demokratike
dhe zyrtarizimit të pluralizmit, në “Top-Story” mbërriti një reflektim mbi të
tashmen, bazuar në deshmitë e së shkuarës.
Në një temë të gjerë, të fokusuar rreth emrave
që luajtën një rol protagonist në ato ngjarje, si Ramiz Alia, Sali Berisha apo
Fatos Nano, për të folur në studion e Sokol Ballës mbërritën personazhe që
jetuan në vetë të parë ato ngjarje si studentë të atij dhjetori.
Midis të ftuarve ishte i pranishëm
ish-kryeministri Pandeli Majko, botuesi i revistës “Tema”, Mero Baze, analisti
Mentor Nazarko dhe anëtari i këshillit kombëtar të Partisë Demokratike, Gjergj
Bojaxhiu.
Duke nisur me histori, me nostalgjinë e asaj
lëvizje, i pari që mori fjalën në studio ishte pikërisht zoti Majko:
“Unë e di
që në çdo përvjetor Dhjetori vjen e njëjta pyetje: Si ndodhi? Ç’ndodhi? A ishte
një lojë e madhe? Në vitin 1990, Shqipëria ishte një vend me të burgosur
politikë, në 1990-n situata e frymës politike ose jeta e përgjithshme sociale,
nga pikëpamja e liberalizimit nuk krahasohej as me ndienjen liberale të 1970-s.
Nga pikëpamja e funksionalitetit të regjimit, ai funksiononte me fuqi të plotë,
pa asnjë element të liberalizimit të dukshëm, me përjashtim të disa fjalëve të
Alisë që kishin krijuar një gjendje të përgjithshme psikologjike. A ishte
lëvizje studentore kontradiktore? A kishte njerëz që përfituan? Këtë pyetje nuk
mund t’ia bësh studentëve, që u ngritën jashtë çdo lloj llogjike të kohës duke
kërkuar vetëm ndryshimin. Këtë e them edhe nga konfidencat që kam pasur me
drejtues të periudhës e nga historia ime e gjatë në Partinë Socialiste, ku kam
njohur shumë personazhe të asaj lëvizje. Në një moment të caktuar, përfaqësues
të Partisë Komuniste kuptuan që ishin ngritur njerëz të përzgjedhur me
pikatore, të përzgjedhur nga të përzgjedhurit, pasi të merrje një fakultet në
atë kohë, biografia ishte gjëja e parë dhe u ngritën këta të përzgjedhur dhe i
bënë të qartë regjimit që këta që konsideroheshin e ardhmja e shihnin veten pa
të ardhme dhe këtë pikë duhet ta shohim në këtë kontekts, a kishte një
marrëveshje? Po , kishte sepse ndryshe do të
derdhej gjak. Ka pasur njerëz që kanë thënë që studentët duheshin goditur, por
kanë pyetur në fund të fundit kë do të godasim, fëmijët tanë? Ndaj situata
fermentoi në një situatë gjysmëfantazie, ndaj në atë kupë që la ajo situata
disa-ditore, pyesim a ndodhi me vërtetë apo jo? Situata ndodhi pikërisht në
kushtet e një vëndi ku ata që duhet të bënin opozitën nuk e dinin çfarë ishte
dhe ajo u krijua brenda sistemit”.
Mero Baze, ishte një tjetër dëshmitare i atyre
ndryshimeve thelbësore në historinë e vendit tonë. “Unë sapo kisha mbaruar
fakultetin, jetoja në Qytetin Studenti, por nuk isha më student. Mendoj që ajo
që tha Majko ka shumë rëndësi, që ishte një lëvizje spontane me një frymëzim i
ardhur nga rënia e Murit të Berlinit dhe disa ngjarjeve të tjera gjatë vitit
1990. Qyteti Studenti ishte antena më e fortë që thithte çdo lajm nga bota,
kishte më shumë liberalizëm se kudo në Republikën e Shqipërisë dhe ka pasur
disa protesta edhe më parë. Në 1 Korrik 1989 pati një gjysmë proteste, gjysëm
politike e gjysëm rinore e studentore, ku u dogjën çarçafë. Gjatë 1990-s
ndodhën ndryshime të forta për të inkurajuar studentët si ikja Kadaresë, hapja
e ambasadave, prezenca e fortë e “Zërit të Amerikës”, për shkak të lidhjes së
prefiksit, ndaj një klimë për të vrarë frikën ishte prodhuar përpara lëvizjes
studentore nga pikëpamja studentore. Nga pikëpamja ekonomike, sapo isha emëruar
inxhinjer në Martanesh, nuk isha ndonjë inxhinjer shumë i aftë për të bërë
planin e vitit të ardhshëm dhe thashë po kopioj planin e vitit të shkuar. Më
thanë hiq këto e hiq ato se si kemi, ndaj nuk mund të bëja një plan. Në atë
periudhë përkoi edhe heqja e arratisë si tradhëti ndaj atdheut dhe u inkurajuan
arratisjet që përfunduan në mënyrë tragjike që ishte një përgjegjësi e shtetit,
ndaj shteti ishte i papërgatitur për atë që ndodhte. Nëse krahasojmë mendimet
tona për pluralizmin në atë kohë me atë që mendojmë sot do të ngjanim tamam si
qesharakë ose tërësisht naivë”, deklaroi Baze.
“Nuk duhet të kërkojmë asnjë hero, ndaj më
erdhi mirë që Mero e nisi analizën tek kriza. Analiza e atij, aq sa ishte
fillimi i demokracisë ishte edhe fillimi i një shkatërrimi shumë herë më i madh
se dëmet që solli socializmi”, nisi komentin e tij zoti Nazarko.
“Në atë vit kërkova një vizë dhe u angazhova
gabimisht tek PD që të merrja vizën e të ikja jashtë në tetor-dhjetor.
Shqipëria, ndonëse thonte se ishte kundër traktatit të Varshavës ishte në
borderotë e socializmit dhe jetonte me klering, kur mbaroi edhe kjo histori në
1989-n duhet të nxirrje dollarë. Ku do i prodhonte Shqipëria dollarët?
Fatkeqësia jonë ishte se edhe 90% të lëndëve të para punonin me lëndë të parë
të huaj, s’kishim ku t’i gjenim paratë dhe në 1991 paguanim me florinj në dorë
dhe në këtë pikëpmaje, po të llogarisim në 1990 që u ble gruri, Shqipëria
kishte mbaruar në të gjitha ndaj i vetmi hero në thonjëza ishte Alia që po i
shihte situatën nga lart dhe shihte si të përzihej me turmën dhe të tërhiqej.
Ama nuk ka pasur revolucion në 1990 dhe po të duan ata që e mendojnë kështu le
të nxjerrin librat, por ka pasur vetëm një qëndrim dinjitoz të studentëvve…
S’ka pasur revolucion dhe s’kishte as si të kishte”, shtoi Nazarko.
Ndryshe nga analisti mendon ish-kryeministri
Majko, sipas të cilit nuancat e një revolucioni ishin të pamohueshme. “Ne
revolucionin e lidhim me vendet e tjera, por këtu historia e jetës politike ka
qenë shumë përjashtimore midis palëve dhe në këtë këndvështrim mendoj se në 101
vjet pavarësi, vetëm në 20 vitet e fundit kemi dy palë… Në vitin 1990, nuk
kishte kuptim shprehja disident, kishte i mbijetuar. Në ato kushte duhet të
flitej për mbijetesë, pasi duhet ta masje 14 herë atë që thoje, sepse shumë nga
ata që bërtasin sot për liri dhe demokraci të thanin lëkurën në mes të pazarit,
ndaj ai shpërthim ishte në kufijtë e të paimagjinueshmes dhe duhet parë me
krenarinë, jo në sensin ishte s’ishte. kush erdhi dhe kush i solli, por në një
moment shoqëria shqiptare ata djem e vajza, ashtu siç ishin e prodhuan
ngjarjen, e prodhuan ndryshimin dhe ne 8 Dhjetorin e quajmë Ditën e Rinisë, por
për mua është dita e demokracisë, që sigurisht erdhi e kontraktuar pasi ishim
një brez që s’kishte asnjë lloj të menduari ndryshe dhe vinim nga një logjikë
që përjashonim njëri-tjetrin, ndaj pyes veten nëse do të kishte pasur
revolucion nëse bie fjala ne do të ishim një vend me shumë naftë ose ndonjë
rezervë tjetër, që të prodhonte ende një lloj mirëqënie relative”, deklaroi
Majko.
Në atë kohë nuk kam qenë në brendësi të
ngjarjeve, megjithatë kam qenë si gjimnazist ose si pjesë e qytetarëve që
shkonin në Qyteti Studenti, kur bëhej demonstrata, deri kur u shpall
pluralizmi, ndaj e kuptoj shumë qartë atë çlirimin e momentit. Nuk dua t’i
futem debatit ishte revolucion apo jo, termi më i pranuar deri më tani është ai
i lëvizjes, por unë mendoj që në radhë të parë është e vërtetë që i vetmi vend
nga mund të dilte ajo lëvizje ishte Qyteti Studenti, pasi ishte një grup i
seleksionuar, një Shqipëri e vogël dhe i seleksionuar në kuptimin pjesërisht
elitar… Plus ishte në një zonë gjeografike të caktuar, e tërë Shqipëria. pas
viteve 1985 kishte vështirësi të mirëfillta ekonomike, pasi edhe për të gjetur
ushqim u bë gjithmonë edhe më e vështirë. Në 1986-87 mund të kishe lekë dhe mos
blije dot asgjë… Unë jam dakord me Majkon që regjimi e kishte fuqinë që nëse
donte ta shtypte lëvizjen, por regjimi kuptioi që s’kishte të ardhme dhe edhe
nëse e shtypte s’kishte ç’bënte. Forcën shtetërore, pavarësisht entuziasmit
tonë, shteti i kishte të gjithë mekanizmat policorë dhe ushtarakë për ta
shtypur atë lëvizje”, deklaroi zoti Bojaxhiu, në vlerësimin që ai i bëri
ngjarjeve.
Roli i Ramiz Alisë në “përcaktimin” e
pluralizmit shqiptar
imazhe shqip
Në intervistën e fundit, ndoshta më e hapura e
dhënë ndonjëherë, i ndjeri Ramiz Alia në
Top Story, në dhjetor të 2010-ës, deklaroi se shmangu gjakderdhjen. Ai
flet për një takim të parë në orët e vona të natës me studentët në ato ditët e
para të dhjetorit.
Për analistin Mero Baze: “Ramiz Alia është një
udhëheqës që e ka marrë zvarrë historia. Ka ndjekur historinë që nuk ka lënë
gjurmë në vendimet e veta. Mitizimi i ’90-ës që Ramiz Alia nuk përdori dhunë,
do kisha dëshirë të ishte vlerë e Ramiz Alisë, por ishte kredencial i tillë. Në
‘90 udhëheqësit komunistë kishin frikën e shembullit të Causheskut në Rumani.
S’e krahasoj me figurat e pluralizmit në demokraci. Për mua dy janë
personazhet, Ramiz Alia dhe Sali Berisha për 23 vjet si udhëheqës politik në
demokraci nuk ka asnjë vlerë të asaj që ne mendonim në dhjetor, nuk zbatoi
asgjë nga ato. Ai ka prodhuar anarki, ka dënuar vlerën më të madhe të
pluralizmit, votën e lirë, vrau 4 qytetarë dhe vazhdon të mburret për këtë.
Sali Berisha e ka dënuar më shumë se këdo tjetër ajo që ndodhi në dhjetor të
‘90”.
Cilat ishin raportet mes Ramiz Alisë dhe Sali
Berishës në ato ditë? Vetë udhëheqësi i fundit komunist, sërish për Top Story
në dhjetor 2005 rrëfen: “Më datën 10 më duket, ose në 9 në darkë, studentët
vazhduan ditën dhe natën protestën. Nga ora 6, 7, 8 pasdite më lajmëruan që
ishin mbledhur disa pedagogë për të qetësuar studentët. Pyeta kush janë? Më
thanë disa emra, mes tyre edhe emri i dr. Berishës. Unë duke i patur parasysh
tre tropojanët e protestës që dëgjova, i thashë Xhelil Gjonit që Berisha të
kalonte nga unë para se të takonte studentët. Erdhi nuk bëmë muhabet shumë pak.
E kisha takuar më parë. I thashë që t’u thoshte studentëve që ata se mbajtën
fjalën ndaj edhe unë s’vajta. I thashë që veshi më zuri që atje ka një
tropojan, që mund të të shërbejë si pikë kontakti. Berisha iku dhe u kthye pas
orë 12 të natës. Ishte i lodhur dhe më tha që nuk merrej vesh me ta, çthotë
njëri nuk thotë tjetri. Kaq asgjë më tepër. Unë e përshëndeta natën e mirë.
Kaq”.
Për anëtarin e Partisë Demokratike, Gjergji
Bojaxhi: Unë e kam dëgjuar edhe më parë këtë, për mua nga ana historike mund të
ketë vlerë. Për mua e rëndësishme nuk është që udhëheqësi i PD u inkurajua nga
Partia Komunsite, Për mua e rëndësishme është cfarë njeriu është ky? Ka mbajtur
partinë në rrugën e duhur? Për mua nuk e ka mbajtur”.
Megjithatë, deputeti socialist, Pandeli Majko tha se nuk duheshin hequr
meritat udhëheqësve të lëvizjes së dhjetorit: “Më thoni një intelektual tjetër
me emër që në dhjetor të ‘90 përkrahu studentët si Sali Berisha. Edhe Gramoz
Pashko edhe Arben Imami në atë kontekst kohor bënë gjënë e duhur. Elita
politike e pas ‘90 ka qenë një elitë e dështuar, por nga pikëpamja e fitoreve,
në atë kohë, mund të krahasohet dhe t’i vërë nën vete të gjithë pjesën tjetër
në historinë e pavarur”.
Për Mero Bazen pavarësisht nëse është
katapultuar ose jo nga Ramiz Alia “Berisha ishte më i aftë se ata studentë në
atë kohë dhe i është imponuar asaj partie. Është aftësi personale e Berishës që
kapi momentin dhe hyri në politikë. Unë mendoj që Alia nuk përdori Berishën,
por Berisha përdori Ramiz Alinë.
Gjergji Bojaxhi shtoi se Alia ishte thjesht
një menaxher i asaj situate, dhe jo një udhëheqës. “Duke marrë parasyh se cfarë
vendi jemi dhe duke parë gjërat tani, për mendimin tim notat i merr pozitive,
pavarësisht se në atë kohë mund të kem patur shumë kritika për të”, tha ai.
Roli i Alisë në përcaktimin e Fatos Nanos në
krye të së majtës
imazhe
shqip
3 vjet më parë, Servet Pëllumbi, njëri prej
udhëheqësve më të vjetër të Partisë Socialiste, dhe njeriu që mbajti mbi shpatulla
rimëkëmbjen e së majtës, deklaroi në Top Story se si Nano, sipas tij kishte
marrë detyrën e kryetarit të PS.
“Ramiz Alia në ato kohë ka luajtur një rol
kundërshtues me veten. Nga njëra anë në fjalime publike shtonte cështje si
‘socializmi ka rrënjë të thella, nuk ka për të ndodhur këtu ajo që ka ndodhur
në vendet e tjera (por realiteti fliste për të kundërtën). Nga ana tjetër ishte
në dijeni të lëvizjeve brenda partisë dhe disa i inkurajonte. Kongresi nuk u bë
jashtë vëmendjes së Ramiz Alisë. Ramiz Alia ka thërritur Fatos Nanon në
prezencë të Kastriot Islamit dhe Ylli Bufit dhe i ka mbushur mëndjen Fatosit që
të pranojë propozimin për kryetar. Pas një ore Fatosi vjen në mbledhjen e
përgjithshme dhe del
në tavolinën kryesore dhe tha që kishte pranuar për kryetar partie me kusht që
në krah të djathtë të tij të isha unë”, deklaronte Pëllumbi.
Edhe Majko konfirmoi detajin që Nano ka
pranuar të marrë drejtimin e partisë me kushtet e përmendura nga Pëllumbi, por
la të kuptohej se në dijeni të tij, roli i Alisë në këtë proces kishte qenë
minimal.
Reflektohen sot kërkesat e ’90-ës
Sot, 23 vjet pas lëvizjes së dhjetorit, asaj
lëvizje me parrullën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ku është vendi? A
kemi ecur vërtetë në rrugën e duhur dhe ku kemi gabuar?
Gjergji Bojaxhi thotë: Nëse do t’i marrim sot,
kemi drejtësinë që blihet, sistemi arsimor që është çorap. Janë ngatërruar
gjërat aq shumë. Por ne jemi në një sistem kapitalist që edhe sikur të mos bësh
asgjë, do të prodhojë më shumë se sistemi i komunist. Mendoj që elita politike
shqiptare në këto 23 vjet lë shumë për të dëshiruar dhe ky është një problem që
unë akoma se shoh të zgjidhur sepse në vazhdojmë të diskutojmë për individë dhe
jo për sistemin.
Analisti Nazarko tha se kemi dështuar si shoqëri, ka dështuar
klasa politike, ka dështuar e gjithë shoqëria shqiptare. “Kjo klasë politike
është e paaftë të cojë vendin përpara”, tha ai.
Mero Baze
shtoi: Ne kemi dështuar në thelb për 23 vjet se nuk kemi respektuar
parimin që kërkon sistemi, konkurencën. Kemi kërkuar një sistem kapitalist që
jemi përpjekur t’i imponojmë vlerat. Kemi funksionuar kundër sistemit. Kemi
përdorur kapitalizëm me mentalitet komunist.
Deputeti Majko u shpreh më optimist duke
deklaruar se Shqipëria sot është një vend i mirë për të jetuar, pavarësisht
problemeve që ka dhe se kjo klasë politike ka bërë mjaftueshëm.
imazhe
shqip
* * *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!