Ka patur shumë versione e pikëpyetje mbi atë
që ndodhi sot në oborrin e kryeministrisë në Tiranë. Ka persona në media e
politikë që janë skeptikë për atë që ka ndodhur duke e lidhur kryesisht me
figurën e prefektit Dervishi apo ministrit Tahiri, por ka të tjerë në këto
grupime e më gjerë që mendojnë se ngjarja është shumë serioze dhe meriton
vëmendje maksimale.
imazhe shqip
Hetimet (nëse nuk degjenerojnë si zakonisht),
ndoshta zbardhin realisht atë që ka ndodhur, por ndërkohë ajo që bën përshtypje
është se pas zbulimit të sasisë së tritolit të telekomanduar poshtë
kryeministrisë, nga Partia Demokratike vjen një deklaratë e papritur.
Keltis Kruja, deputet i Partisë Demokratike,
ka dalë në një konferencë për shtyp nga selia blu, ku foli për një ngjarje të
inskenuar sipas tij nga Kryeministri dhe ministri i Brendshëm. Sipas Krujës
PD-ja ka informacione se gjithçka ka qenë një skenar i parapërgatitur. Kjo
deklaratë e PD-së është tepër e pazakontë sidomos sepse erdhi vetëm pak pasi
ngjarja kishte ndodhur dhe hetimi i ngjarjes ishte krejt në fillesat e
veta. Është e qartë se deputeti Kruja është
lexues i deklaratës dhe është Berisha dora vetë hartuesi i saj. Të lind një
pyetje: Si e kuptoi Berisha kaq shpejt
që gjithçka ishte një teatër i inskenuar?
Përgjigja e kësaj pyetje ka tre opsione
logjike:
1. Berisha ka informacione të sakta se është e
inskenuar dhe po denoncon aktin
2. Berisha nuk ka asnjë ide nëse është e
inskenuar ose jo por bën të vetën në mënyrë populiste
3. Berisha e di mirë se nuk është e inskenuar
por është duke mbrojtur dikë.
Le t’i marrim me radhë.
- Në variantin e parë, nëse Berisha ka
informacione të sakta që është e inskenuar atëherë minimalisht duhet të vriste
mendjen për dekonspirimin ligjor të kësaj skeme që sipas tij është arkitektuar
nga Rama-Tahiri. Do mblidhte provat e qarta të inskenimit dhe me siguri që do
përfitonte shumë politikisht. Por jo, ai si provë paraqiti disa “informacione
informale” vërtetësinë e të cilave nuk është në gjendje të na bindë, por ka
nxituar me një alibi të vetën për ngjarjen nga ato tymset e zakonshme të tij
duke mos dorëzuar në prokurori asnjë të dhënë.
- Në variantin e dytë nëse Berisha nuk ka
asnjë ide dhe informacion mbi këtë ngjarje, mbetet i dyshimtë fakti se si ai pa
pasur asnjë informacion kërkon ta bëjë si një ngjarje të inskenuar nga Rama. Në
këtë version Berisha po përpiqet që të arrijë qëllime politike duke mos e çarë
kokën se kjo lëvizje mund të ndihmojë ndonjë grupim kriminal që mund të ketë
orkestruar ngjarjen. Pra praktikisht Berisha është duke dhënë ndihmë të
tërthortë për autorët.
- Në variantin e tretë, kur Berisha e di mirë
se kush e ka bërë dhe kërkon me çdo kusht ta
mbrojë duke orientuar vëmendjen atëherë mund të kemi të bëjmë me një
implikim të drejtëpërdrejtë të vetë Berishës.
Këto dyshime ndaj tij vijnë pikërisht nga kjo
deklaratë e nxituar dhe me “alibi të gatshme” nga selia e PD-së. Janë vetë ata
me nxitimin e tyre që të bëjnë të mendosh se ose kanë dalë mendsh ose një hall
e kishin e prandaj dhe u nxituan. Deklarata të ngjason me atë Fax-in e famshëm
drejt zyrës së OSBE-së të dalë nga selia e PD-së ku jepeshin të gjitha detajet
e vrasjes së Azem Hajdarit vetëm pak minuta pasi kishte ndodhur ngjarja.
Dështon atentati te Kryeministria ndaj prefektit të Vlorës
Nga Artur Qoraj dhe Erion Habilaj
Dështon atentati mafioz në Kryeministri ndaj
prefektit të Vlorës. Oficeri i Gardës, shefi i njësisë dhe komandanti, shmangin
një ngjarje që mund të kishte pasur pasoja të rënda. Poshtë makinës “Peugeot
407”, me targa TR5066N që përdorej nga prefekti Besnik Dervishi, u gjetën në
vendin e shoferit, poshtë sediles dhe afër shasisë, 200 gramë eksploziv C4 i
lidhur me arsen celady detonatorë dhe një celular të vjetër “Samsung”.
Ndërhyrja e shpejtë e Gardës dhe më pas xheniove të RENEA-s, fillimisht me
bllokimin e valëve të celularëve dhe më pas me çaktivizimin, bëri të mundur
shmangien e tragjedisë. Prefekti sapo kishte zbritur nga makina, kurse shoferi
po futej në hyrjen kryesore kur oficeri roje me një pasqyrë konstatoi pakon e
dyshimtë dhe lajmëroi eprorët. Prefekti kishte lënë një takim me shefin e
Antikorrupsionit në Kryeministri, Ergys Hoxha dhe mjeti kishte leje për të hyrë
në institucion. Dervishi u mor në pyetje për 3 orë në Prokurorinë e Krimeve të
Rënda, më pas iu sigurua mbrojtje fizike atij dhe familjes. Grupi hetimor i
Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit ka ngritur disa pista hetimi, mes të cilave
ajo për detyrën, që lidhet me të gjitha procedurat e kryera që zbuluan
skandalin e paligjshmërive të pallatit në Ujin e Ftohtë dhe ndërtimet pa leje. Po ashtu hetohen pistat e një atentati edhe ndaj shefit
të qeverisë, pasi mjeti po hynte në institucion, ku dhe do parkohej.
Ngjarja te Kryeministria
Gjithçka ka ndodhur rreth orës 09:30, kur
automjeti tip “Peugeot”, me targa TR5066N, në pronësi të Besnik Dervishit, me
detyrë prefekt i Vlorës, është drejtuar për të hyrë në mjediset e selisë së
Kryeministrisë. Në mjet ndodhej prefekti në vendin e pasagjerit dhe shoferi i
tij. Prefekti ka zbritur pikërisht në momentin që mjeti mori kthesën për në
hyrje ku ndodhet oficeri, me qëllim që të shkonte për kafe në lokal në pritje
të takimit të rezervuar me shefin e Zyrës Antikorrupsion në Kryeministri. Nga
kontrolli i specializuar i ushtruar nga efektivat e Gardës në hyrje të zonës së
brendshme të Kryeministrisë, është konstatuar se në pjesën e poshtme të
automjetit ishte vendosur një objekt i dyshuar si sasi eksplozivi. “Oficerët e
Gardës së Republikës i kërkuan drejtuesit dhe pasagjerit të automjetit, të
largoheshin nga mjeti si dhe bënë bllokimin e lëvizjes së mjeteve në hyrje të
Kryeministrisë. Menjëherë janë njoftuar shërbimet e specializuara të Policisë
së Shtetit dhe Njësia Antieksploziv e repartit RENEA si dhe Prokuroria për
Krimet e Rënda”, thanë burime zyrtare.
Operacioni i specialeve
Policia ka urdhëruar dhe ka marrë masa të
menjëhershme për evakuimin e të gjithë personave rreth vendit të ngjarjes duke
siguruar edhe perimetrin e nevojshëm për kryerjen e veprimeve nga ana e
ekspertëve antieksploziv. Njëkohësisht u krye bllokimi i valëve të celularëve
në atë zonë. Më tej u konstatua se pakoja përmbante pak më shumë se 200 gramë
eksploziv plastik, me të cilën ishin lidhur dy kapsolla detonatore dhe një
celular. Brenda dy orëve është kryer veprimi nga specialistët e xhenios dhe
njësisë antiminë, ku me një pushkë pneumatike është neutralizuar fillimisht
mekanizmi dhe më pas çaktivizimi. Mësohet se ndërprerja e valëve të celularit
ka kërkuar një kohë për 20 minuta, ndërsa i sigurua edhe perimetri i evakuimit
në kryeministri dhe rreth saj.
Hetimet e para
Pas çaktivizimit, është ngritur menjëherë edhe
grupi hetimor, në përbërje të të cilit drejtuesit e lartë të policisë, kreu i
Tiranës, Ardian Çipa, nëndrejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga, kreu i
Antiterrorit që ndjek rastet e zyrtarëve, kreu i Prokurorisë së Krimeve të
Rënda dhe prokurorë e oficerë gjyqësorë. Kur është verifikuar se mjeti nuk
kishte sende të tjera të dyshimta, është kërkuar që prefekti Besnik dervishi të
shkonte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë sqarime. Ka qëndruar për
3 orë në organin e akuzës dhe prezent kanë qenë të gjithë titullarët e policisë
dhe prokurorisë. Nëndrejtori Bizhga tha pas seancës së pyetjeve se ‘nuk mund të
jepen detaje nga hetimi, por po vlerësohet e gjithë situata me qëllim zbardhjen
e ngjarjes dhe autorëve të këtij krimi”.
Rrëfimi i Dervishit
Mësohet se prefekti i Vlorës, Besnik Dervishi,
ka mohuar të ketë pasur kërcënime për detyrën gjatë këtyre dy muajve në post.
Gjithashtu ka deklaruar se nuk kishte mosmarrëveshje apo probleme
institucionale. Ai nuk ka dhënë deklaratë për mediat pas daljes nga prokuroria,
por grupi hetimor e ka dëgjuar për 3 orë me radhë, duke marrë informacion edhe
për ndonjë mesazh apo telefonatë anonime dhe kërcënuese. Hetimet janë
përqendruar tek një paralajmërim për shkak të detyrës që kryen në kuadër të
fushatës së rrafshimit të ndërtimeve pa leje dhe procedurave të tjera si
qeveritar vendor dhe atentati po për shkak të detyrës.
Objektivi i atentatit
Burime nga grupi hetimor thanë se qëllimi i
autorëve ka qenë dhënia e një mesazhi për të sfiduar shtetin. Por ende nuk mund
të thuhet nëse objekt ishte paralajmërimi apo eleminimi fizik i prefektit dhe
zyrtarëve të tjerë të lartë të Kryeministrisë që mund të gjendeshin pranë
mjetit në një moment të caktuar. Autorët mund të kenë pasur dijeni për
itinerarin e prefektit gjatë ditës së djeshme dhe kanë vendosur eksplozivin
poshtë makinës. Objektivi i parë cilësohet pikërisht prefekti, të cilin autorët
e kanë ndjekur në distancë për të aktivizuar me celular edhe lëndën plasëse në
një moment të caktuar.
Eksplozivi i përdorur
Sipas ekspertëve dhe specialistëve të fushës,
eksplozivi i konstatuar është i llojit C4. Por ekzaminimet e mëtejshme do
përcaktojnë nëse ai është më i avancuar, C6, C8 apo C10. Sipas shkallës së
numrave, rritja e tyre nënkupton forcën dhe pasojat që ai shkakton. Ky lloj
eksplozivi plastik është vdekjeprurës dhe nëse bëhet fjalë për 200 gramë C10,
atëherë fuqia e tij përfshin një rreze të konsiderueshme deri në 100 metra, pa
llogaritur që shkatërrimi i makinës ku ishte vendosur do të ishte fatal.
Mekanizmi në bombë
Eksplozivi i mbështjellë me letër natriban,
ishte mbështetur në faqen anësore me celularin e markës “Samsung”. Forma e
lëndës plasëse ka qenë si një simite e shtypur. Por celulari ka qenë i vendosur
më së miri, i lidhur fort, që të mos binte apo lëvizte gjatë udhëtimit. Nuk
ishte vendosur nga pjesa e poshtme, që mund të goditej nga gurët në rrugë apo
të lagej. Celulari ishte i lidhur me dy fije, njëra elektrike dhe tjetra
detonatore, që përfundonte si mekanizëm në eksploziv dhe me shkëndijën pas
thirrjes në celular të shkaktonte eksplodimin. Celulari ka qenë i vjetër, por
bateria e re dhe e plotë, pothuajse e paharxhuar fare. Karta ishte AMC dhe ndaj
iu kërkua kompanisë që të zbardhte thirrjet në të. Dyshohet se me telefonin
janë kryer thirrje paraprake nga një tjetër celular, për ta provuar kartën e
re. Sipas specialistëve, është llogaritur që gjithçka të përfundohej midis
intervalit 24-48 orë nga vendosja, pasi edhe bateria nuk mund të shkonte më
shumë se tre ditë. Por duke llogaritur edhe të papriturat, autorët mund të kenë
bërë llogari këtë hark kohor. Kjo pasi lëkundjet e mjetit mund të rrëzonin
eksplozivin nëse lihej më gjatë, ose mund të zbulohej rastësisht.
Kartat e përdorura
Grupi hetimor ka kërkuar me një shkresë të
veçantë zbardhjen e kartës telefonike që po ekspertohet nëpërmjet specialistëve
të kompanisë celulare. Mendohet se me të janë kryer thirrje nga një numër
tjetër, i përket një kompanie celulare shqiptare dhe mund të jetë blerë në
tregun e zi, si e paregjistruar. Por nuk ka pasur thirrje gjatë kohës që
eksplozivi ka qenë i vendosur dhe i lidhur me detonator. Kurse bateria e
telefonit ka qenë plotë. Aktualisht po zbardhet vendi ku është blerë karta,
personi që e ka blerë dhe zona nga mund të jenë lëshuar thirrjet e provës.
Informacionet janë të rezervuara, por dyshohet se plani kriminal është bërë në
Tiranë.
Vendosja e bombës
Prefekti ka dëshmuar se të enjten ka qenë në
Vlorë dhe në mbrëmje është kthyer për në Tiranë. Ka mbërritur vonë dhe nuk ka
vënë re asgjë të dyshimtë. Është kthyer në shtëpi në zonën e Tiranës së Re, ku
ka parkuar mjetin në një parking privat. Në mëngjes ka dalë bashkë me shoferin,
për të kryer edhe takimin në Kryeministri që kishte caktuar. Grupi hetimor ka
nisur të verifikojë të gjitha kamerat e sigurisë së bizneseve dhe parkingut,
dëshmitë e banorëve dhe rojës për të zbuluar se kush ka hyrë dhe dalë gjatë
natës. Bateria e paharxhuar sipas specialistëve tregon se bomba është vendosur
vetëm pak orë para se të zbulohej nga oficerët e Gardës. Autorët kanë pasur
dijeni të plotë se Dervishi do hynte në Kryeministri ditën e djeshme. Një
tjetër pistë është vendosja e eksplozivit në Vlorë, para se të nisej për në
Tiranë. Por koha e vendosjes nuk është më shumë se intervali kohor i 12 orëve
nga gjetja, për shkak se bateria nuk ka lëvizur aspak.
Grupi kriminal
Mendohet të jenë një grup i strukturuar
kriminal. Së pari objektivi që kanë zgjedhur. Së dyti vendi ky u zbulua bomba,
Kryeministria dhe së treti pasojat që mund të shkaktonte. Një tjetër fakt është
se përgatitja e bombave me telekomandë, për më tepër me C4 nuk është një punë e
lehtë. Në tregun e zi mund t’i gjesh me një çmim deri në 3 mijë euro. Por
kërkon edhe specialistë që llogarisin nga ana matematike, shkencore, apo edhe
gjeografike gjithçka me qëllim që të kenë sukses. Në historikun e viteve të fundit,
këto bomba përdoren nga grupe kriminale të rrezikshme që paguhen jo pak për të
realizuar misionin. Burime policore thanë se autorët kanë qenë në ndjekje të
makinës në distancë deri në momentin e fundit. Për këtë shkak në hetime është
aktivizuar edhe Njësia e Antiterrorit.
Pistat e dyshuara
Pista kryesore mbetet një hakmarrje e mundshme
për të gjithë procesin e nisur nga Qeveria e re kundër paligjshmërive. Në këtë
rast procesi i shembjes së ndërtimeve pa leje në bregdetin e Vlorës, përfshi
edhe “Pallatin e Bashës” në Ujin e Ftohtë, objekt për të cilin ka pasur edhe
protesta. Duke qenë se në krye të grupit evidentues të ndërtimeve pa leje, por
edhe zbulimit të parregullsive dhe dokumentimit të tyre në dosje penale ka qenë
prefekti i Vlorës, dyshohet se kjo është pista kryesore. Burime zyrtare thanë
se “hetojnë ngjarjen si një paralajmërim dhe eleminim fizik për shkak të
detyrës”. Dyshohet se qëllim mund të ketë qenë paralajmërimi i një zyrtari të
lartë të qeverisë, eleminimi fizik i tij duke dhënë mesazh të fortë ndaj
shtetit dhe krijimi i një situate paqëndrueshmërie të sigurisë së rendit dhe
destabiliteti në kuadër edhe të disa nismave antikorrupsion. Pista e fundit
mbeten konfliktet që vetë prefekti apo shoferi i tij mund të kenë pasur kohët e
fundit edhe jashtë detyrës.
- - -
Rrëfimi
“Ja si shmangëm atentatin me C4 në
Kryeministri”
Flasin Agim Hila, komandanti i Sigurisë së
Gardës në Kryeministri dhe Arsen Çela, shefi Njësisë Antieksploziv të Gardës.
Nënoficeri te porta dha alarmin.
Nëse do të kishte pasur neglizhencë të
masave të sigurisë nga punonjësit e Gardës, ndoshta ngjarja e djeshme do të
kishte pasur edhe një bilanc tragjik në rast të një thirrjeje në celularin e
lidhur me pakon e bombës C4. Por gatishmëria e oficerëve dhe drejtuesve të Gardës,
pavarësisht se rrethimi i hekurt i gardhit është hequr, kanë qenë maksimale.
Fillimisht nënoficeri Petrit Doko, zbuloi materialin e dyshimtë poshtë makinës
me pasqyrën e kontrollit dhe pajisjen e specializuar, ndërsa më tej njoftoi
eprorët e tij, shefin e Xhenios së Gardës, Arsen Çela dhe komandantin e Grupit
të Sigurisë së Kryeministrisë, Agim Hila. Edhe pse autorët mund ta aktivizonin
thirrjen në distancë përgjatë 20 minutave që u bë çaktivizimi i valëve me
aparatura, gardistët punuan që të krijonin rrethin e sigurisë, evakuimin e
mjeteve dhe njerëzve dhe njoftuan strukturat përkatëse për marrjen e masave.
“Ne i përgatisim çdo ditë nënoficerët e Gardës
që të jenë të gatshëm për situatat e sigurisë dhe të mos neglizhojnë për çdo
detaj të dyshimtë. Bëhen trajnime të veçanta për ta. Kjo u tregua edhe ditën e
djeshme, kur nënoficeri në shërbim tek dera, konstatoi me pajisjen pasqyrë
pakon e dyshimtë”, tregon Arsen Çela, shefi i Xhenios dhe Njësisë Antieksploziv
të Gardës. Sipas tij makina ka mbërritur aty diku midis orës 09:20-09:30. Në
mjet ishte vetëm shoferi gjatë hyrjes, pasi prefekti kishte zbritur sekonda më
parë. “Nënoficeri më njofton menjëherë se diçka kishte në makinë. Mbërrita me
urgjencë dhe e verifikova vetë. Dallova pakon me natriban dhe celularin me
fije. Dyshova direkt, zbrita menjëherë shoferin nga makina duke krijuar
perimetrin e sigurisë dhe njoftova komandantin Agim Hila për të kryer veprimet
e tjera”, vijon Çela. Në radio dhe me celularë, janë kryer njoftimet e Policisë
së Tiranës, eprorëve, forcave RENEA, Njësisë Antieksploziv me mjete të
specializuara. “Veprimet e para ishin marrja e masave të sigurisë, që të
krijohej perimetri i duhur. Po kështu u kërkua
edhe mbyllja e valëve, që celulari të mos aktivizohej. Më tej mbërritën policia
dhe forcat RENEA që punuan për çaktivizimin”, thotë komandanti Hila për gazetën
“DITA”. Ai thekson se institucioni i Gardës ka pasur nevojë për rritjen e
profesionalizmit dhe ky ka qenë rasti më i mirë për ta treguar. “Masat që
merren në çdo rast për sigurinë e Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera
janë maksimale”, shton komandanti. Kurse shefi i Njësisë Antieksploziv,
shpjegon edhe procesin e mëtejshëm. “U deshën gati dy orë që gjithçka të
mbyllej me sukses sipas procedurave dhe pa dëme. U krye me një pushkë
pneumatike çaktivizimi i celularit me detonatorin, e më tej çaktivizimi i
eksplozivit. Ishte një celular i markës Samsung, tip i vjetër, por me baterinë
e plotë. Ishte i lidhur me dy fije, i mbështetur mirë me letër natriban që të
mos binte. Një nga fijet ishte elektrike dhe tjetra detonatore”, rrëfen Çela.
Pas çaktivizimit, është bërë edhe administrimi i provave dhe marrja në pyetje
nga grupi hetimor për dhënie sqarime të shoferit dhe prefektit.
- - -
Precedentët,
Vlora kryeqyteti i atentateve
konomiVlora mban rekordin e shpërthimeve me
eksploziv në vitet e fundit. Ngjarja më e rëndë mbetet padyshim vrasja e
gjyqtarit Skerdilajd Konomi, më 9 shtator 2011. Ende dosja nuk ka asnjë autor
dhe hetimet vijojnë.
Në të njëjtin vit u hodh në erë Renato Abazi,
i cili u ekzekutua në qendër të qytetit. Ndërkohë që tritol u përdor gjatë
muajit qershor 2013, përpara zgjedhjeve, në banesën e Ardian Kollozit, kreut të
PD-së Vlorë, sekretarit të Partisë Socialiste dega Vlorë, Kreshnik Tepelena,
biznesmenit Ermal Brahimi, si edhe prokurorit të Vlorës, Dorian Tafili. Edhe
këto ngjarje janë ende pa autorë.
Në vrasjet pa autorë, dhe më të rëndat të
shkaktuara nga shpërthimet me eksploziv, mbetet ajo e biznesmenit palestinez në
Tiranë, Anuar Rivzik. Sasia e eksplozivit shpërtheu pak metra në afërsi të
selisë së ambasadës amerikane, duke krijuar panik edhe tek banorët në rrugën
“Budi”.
Anuar Rizvik, 43 vjeç, humbi jetën nga plagët
e rënda të marra në këtë shpërthim. Eksplozivi ishte vendosur në portën e një
vile dykatëshe ku banonte palestinezi dhe bashkëshortja e tij.
Mekanizmi i eksplozivit ishte vendosur në
mënyrë të atillë, që të vihej në lëvizje pas hapjes së portës, megjithëse ka
qenë e pajisur edhe me mekanizmin e komandimit në distancë.
I vendosur në pjesën e jashtme të saj, Rivzik
nuk ka pasur mundësinë që ta dallojë atë në momentin që po dilte nga
apartamenti i tij.
Por shpërthime me eksploziv me telekomandë ka
raste të shpeshta në vend. Në Shkodër, një vit më parë, u ekzekutua një
biznesmen. Në Tiranë kanë mbetur të gjymtuar disa persona nga shpërthimet në
ecje të automjeteve të tyre. Në Golem, një sasi e konsiderueshme e vendosur në
automjetin e kryetarit të komunës nuk shpërtheu. Rastet janë të pafundme.
Rezultati që është i njëjtë mbetet vetëm ai, që askush prej atentatorëve nuk
është arrestuar.
- - -
Dervishi,
Prefekti në krye të shembjeve të
ndërtimeve pa leje,
dhe një debat me Gjikën
Në muajin tetor, Besnik Dervishi, me vendim të
Këshillit të Ministrave, u emërua prefekt i Qytetit të Vlorës. “Është nder dhe
privilegj i madh për mua që marr detyrën e prefektit të Vlorës. Unë këtu shoh
të gjithë ekipin që bëri të mundur rilindjen e të gjithë Vlorës dhe gjithë
Shqipërisë dhe së bashku do punojmë për ta realizuar”, tha Dervishi kur u bë
prezantimi i tij në Vlorë, nga kryeministri Rama. Pas kësaj, Dervishi nisi një
aksion i ndihmuar nga INUK dhe policia kundër shembjes së ndërtimeve pa leje.
Pak javë më parë, ai ishte në krye të punës për shembjen e një hoteli 7 katësh
në bregdetin e Vlorës, ndërsa është personi që ka ndjekur hap pas hapi dosjen
për denoncimin e pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës. Një javë më parë,
Dervishi pati dhe një replikë të ashpër me kreun e bashkisë së Vlorës, Shpëtim
Gjika. Në emisionin “Opinion” në KLAN, Dervishi ishte ftuar për të diskutuar
për shembjen e pallatit të Bashës. Dervishi gjatë debatit tha se, “ndërhyrja e
shtetit nisi nga Vlora, sepse është ky qytet që ka qenë më shumë i dëmtuar në
këto vite nga ndërtimet pa leje”. Kjo bëri që të ndrynte me telefon kreu i
bashkisë Gjika dhe t’i kërkonte prefektit të tërhiqte mbrapsht të gjitha ato që
tha, sepse ishin mashtrime. Sipas Gjikës, ndërhyrja nisi nga Vlora, sepse ishte
Vlora qyteti më pak i dëmtuar. Dervishi në fund i tha se nuk ishte vendi për
një debat mes tyre.
Besnik Dervishi
Datë lindja: 04.08.1963
Vendlindja: Tiranë
Aktualisht Dervishi është Prefekti i Vlorës,
ndërsa njihet për veprimtarinë e tij politike të mëparshme si ministër i
Rregullimit të Territorit, deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës,
prefekt i Tiranës, ndërsa në karrierën e hershme ka punuar edhe si gjyqtar,
avokat dhe konsulent juridik.
- - -
Ambasada amerikane paralajmëroi më 26 nëntor
qytetarët për shpërthimet e telekomanduara
Ambasada Amerikane në Tiranë ka bërë një
paralajmërim të beftë, ku ka thënë se qytetarët e saj duhet të ruhen nga
shpërthimet e telekomanduara nëpër automjete. Njoftimi mban datën 26 nëntor
2013 dhe përveçse në e-mail-et e qytetarëve amerikanë në Shqipëri është
publikuar dhe në faqen e ambasadës në gjuhën angleze. Në njoftim thuhet;
“Ambasada e SHBA në Tiranë njofton qytetarët amerikanë se në raportet e fundit
të mediave theksohet rritja e përdorimit Ambasada-amerikane-ne-Tiranetë
pajisjeve të vogla shpërthyese të dizajnuara për të shkaktuar dëme kundër
individëve në Shqipëri. Viktimat kanë qenë përgjithësisht të përfshirë në
biznes apo në konflikte personale. Rritja e përdorimit të këtyre pajisjeve ka
shkaktuar shqetësim në mesin e shumë banorëve”. Personeli i ambasadës amerikane
është këshilluar që të ushtrojë kujdes në parkimin e automjeteve, në shumë
parkime pa shoqërues dhe të përdorin praktikat e shëndosha të sigurisë personale.
“Qytetarët e SHBA duhet të monitorojnë lajmet lokale dhe njoftimet e qeverisë
shqiptare në lidhje me trazirat e ngjashme. Ne i inkurajojmë qytetarët
amerikanë për të praktikuar masa të mira të sigurisë personale. Të mbajë një
nivel të lartë të vigjilencës dhe të marrin hapat e duhura për të rritur
sigurinë tuaj personale”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane./Dita
imazhe shqip
*
* *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!