"

December 11, 2013

Opozita e arkivolëve




Nga Andrea Stefani

Është shumë keq kur në mungesë të kauzave të drejta një opozitë të përpiqet të grumbullojë pakënaqësi ndaj qeverisë, duke fryrë kauza të padrejta.

<img src="Partia Demokratike.jpeg" alt="Partia Demokratike 23 qershor 2013, sali berisha, " />
 imazhe shqip

Mjerisht, ky është rasti i sotëm në Shqipëri. Dhe manifestimi i fundit i tij ishin deklaratat e lidershipit dykokësh Basha ­ Berisha lidhur me ngjarjen tragjike të vrasjes së një adoleshenti nga një tjetër adoleshent në një shkollë të mesme. U turrën të shpallin se “shteti ka rënë¨. Madje Berisha, duke manipuluar rrejshëm me statistikat e vrasjeve, u rrek të përcillte në publik mesazhin se, tani që ai nuk është më në krye të qeverisë, krimi po përmbyt shtetin. Një deklaratë krejt në përplasje logjike me atë tjetrën, të bërë pak ditë më parë nga ai vetë, se gjoja Kryeministri Rama ka ngritur një shtet policor. Të gjithë e dinë se shteti policor ka shumë të këqija, por ama krimin e zhduk. Është e qartë se deklaratat e Berishës, pra edhe Bashës, vuajnë nga eklektizmi që buron nga tendenca për të shfrytëzuar çdo aksident si levë për t’u rikthyer në pushtet. Një tendencë që shtyn ata të abuzojnë, në funksion të luftës për pushtet, edhe me një ngjarje tragjike si ajo e vrasjes së një të riu. Është një opozitë që, në funksion të rimarrjes së pushtetit, mbështetet në taktikën nekrofile të arkivoleve. Një taktikë që Berisha nuk e aplikon për herë të parë, por që sot po kujdeset t’ia injektojë edhe pasardhësit të tij kukull, Bashës.

-   -   -

Deklarimet e sotme të Berishbashës janë në konflikt me qëndrime dhe deklarime të tyre të dikurshme. Kjo flet jo vetëm për mungesë parimësie, por edhe për mungesë të skajshme ndershmërie politike. Të gjithë e mbajnë mend se në kohën kur shpërtheu Gërdeci, Berisha ngriti një kor të tërë lehjesh me “langonjtë” e tij, duke kërkuar që opozita të mos shfrytëzojë tragjedinë për marrjen e pushtetit. Opozita të mos shfrytëzojë të vrarët! ­ thuajse lutej Berisha. Ishin momente të vështira për të. Disa fshatra ishin rrafshuar nga shpërthimi i një sasie të madhe baruti, rrjedhojë e një aktiviteti të paligjshëm dhe mafioz të strukturave të pushtetit të tij, duke vrarë 26 njerëz dhe duke plagosur shumë të tjerë. Më e keqja qe se vetë emri i Berishës dhe i djalit të tij u përfolën në biseda telefonike si kryesues të këtij biznesi të zi nga aktorë të këtij aktiviteti mafioz. Është një mafie që ka dalë jashtë kontrolli dhe punët kanë shkuar shumë lart te Kryeministri dhe biri i tij – i thoshte trafikanti Diveroli (sot ai vuan dënimin në SHBA) shqiptarit Kosta Trebicka, që pas denoncimit të trafikut të fishekëve qeverisë Berisha, u gjet i vrarë mistershëm në gjueti. Dhe në atë kohë, opozita kishte të gjithë të drejtën, e Zotit dhe të popullit, të kërkonte largimin e asaj qeverie që me veprimtarinë e saj vrau njerëzit. Por opozita nuk e bëri një gjë të tillë, nuk shfrytëzoi të vrarët, nuk shfrytëzoi arkivolet! Megjithëse kishte detyrën të dilte në mbrojtje të jetëve të qytetarëve, duke kërkuar largimin e një qeverie që vret. Sepse, sipas fakteve, ishte qeveria, bizneset e saj të errëta, dhe askush tjetër që vrau në Gërdec!

-   -   -

Mos shfrytëzoni të vrarët! ­ bërtiste Berisha në epilog të tragjedisë së Gërdecit. Ndërsa sot është po ky Berishë që turret si çakall mbi kufomën e një adoleshenti, për ta keqpërdorur në funksion të gjakimit të tij për pushtet. Jo rastësisht. Të luajë me pasionet e masës, me dhimbjen dhe tragjeditë e njerëzve, ta utilizojë vdekjen dhe hidhërimin që shoqëron atë për qëllimet e tij politike, është në mjeshtërinë nekrofile të Berishës. Edhe në nisje të tranzicionit Berisha erdhi në pushtet duke nxjerrë në ballë të lëvizjes së tij politike arkivolet e të vrarëve në protestat e 2 prillit. Infektoi me gjak, vdekje dhe urrejtje politikën shqiptare në mars ’97 kur, për hatër të qëndrimit me çdo kusht në pushtet, edhe pse ishte kryefajtori për tolerimin korruptiv të skemave piramidale, shpërfilli protestuesit që kërkonin paratë e tyre. Jo vetëm i shpërfilli, por projektoi e organizoi operacione ushtarake kundër tyre për t’i shtypur. I kërcënoi me militarizëm, duke i detyruar të armatosen. U shpërndau edhe armë fanatikëve të tij. E çoi Shqipërinë drejt një lufte civile. Një luftë civile që u shmang vetëm nga ndërhyrja e ushtrive të Perëndimit. Dhe kur u largua nga pushteti la pas një shoqëri të armatosur me kallashë. Nuk është çudi që njëri nga ata kallashë, të jetë edhe ai i përdorur nga adoleshenti për të vrarë adoleshentin.

-   -   -

Taktika e opozitës me arkivol u përsëriti edhe në vitin ’98, kur Berisha u orvat të rimerrte pushtetin e sapohumbur, duke nxjerrë në ballë të një grushti të armatosur shteti, arkivolin e Azem Hajdarit dhe ndërsyer turmat kundër Kryeministrit të asaj kohe, me parullën: E vrau Fatos Nano! Tani përsëritet e njëjta taktikë: Një vrasje mes adoleshentësh (që mjerisht ndodh edhe në shtete shumë më të shëndetshme) të një shoqërie në neurozë të traumatizuar edhe nga mbi dy dekada tranzicion konfliktual të trazuar nga vetë Berisha, shpallet si faj i qeverisë. Në thelb thotë e vrau Edi Rama. Çirret se “shteti ka rënë”. Në fakt shteti ka kohë që ka rënë në Shqipëri. Që kur Berisha ishte në pushtet dhe i mbushi institucionet e shtetit me militantë e fanatikë të tij, duke i bëri të heshtnin për krime si ato të Gërdecit. Shteti demokratik ra edhe më 21 janar, kur po Bashberisha vrau protestues të pafajshëm. Sepse një shtet demokratik i mbron dhe nuk i vret qytetarët e vet, protestuesit e vet. Shteti në fakt kish rënë kur shqiptarët që i kishin kuptuar se kush ishte varrmihësi, vrasësi i shtetit, e shkulën me votë masive nga pushteti. Por shteti ka rënë dhe duhet ringritur. Kjo është detyrë e qeverisë së re. Dhe pikërisht ngritjen e shtetit dhe të drejtësisë që vjen bashkë me të, atë drejtësi që nuk mund të mos ndëshkojë ish-qeveritarë të korruptuar, kërkon të pengojë Berisha, duke u përpjekur t’i mllefosë shqiptarët kundër qeverisë. Kërkon t’i mllefosë me gërmadhat e shtetit që ka lënë pas. Prandaj çirret mbi këto gërmadha: “Shteti ka rënë”! Dhe gjakon të ringrihet me arkivole.

imazhe shqip


*   *   *





No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!