"

October 22, 2015

Rrëfimi i plotë i Ballistit Ismail Morina nga burgu i Vaqarrit (Video)



Ismail Morina, i njohur si Ballisti, në një intervistë për emisionin “Të pa ekspozuarit” në Ora News, ka rrëfyer për dronin, arrestimin dhe jetën në qelitë e burgut të Vaqarrit
Ai tregon se ka pas një ndjesi se do të arrestohet duke u nisur edhe nga fakti i deklaratave të kryeministrit serb, Vuçiq. Ballisti rrëfen edhe takimet me politikanët dhe peticioni për lirimin e tij nga Tifozët Kuq e Zi.

“Rënia e Dronit”, një dokumentar që mbledh dhe jep mendimet dhe opinionet e gazetarëve, ministrit të Mirqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, tifozave kuq e zi dhe avokat Spartak Ngjela, Ballist Morina tregon ngjarjen nga ngritja e dronit deri tek arrestimi.

Ky është rrëfimi i plotë i Ballistit nga burgu per Ora News:

Morina:Kam dalë në pension bashkë me dronin, kjo gjë nuk mund të përsëritet dy herë

Morina: Dua të jetoj me familjen time

Morina:Më vjen keq për Ramën që i jep kaq vëmendje homologut të tij. Rama duhet ta ketë parasysh të mos e marrë kaq seriozisht kryeministrin Vuçiç

Morina:Rama më mirë të më kishe marrë mua seriozisht sesa Vuçiç, e di që me kalimin e kohës ai do të reflektojë

Morina: Martin Luther King ka thënë “I Have a Dream”, thjesht do marr referim me një ndryshim “I have I right” mos vdeksha pa I parë shqiptarët e bashkuar.

Morina: Nëse ndeshja do të ribëhej , do të bëja të njëjtin veprim, nuk jam penduar dhe nuk do të pengohem kurrë, kurrë, kurrë

Morina: S’dua të bëhem europian me zor, dua të bëhem europian me kualitetet dhe defektet e mia. Të duash të bëhesh europian me zor, është inferioritet

Intervista në kohë reale

Morina: Kisha ndjesinë që do të arrestohesha

Rakipi: Mirëmbrema Ismail, siguisht nuk më vjen mirë që takohemi në një ambient të tillë, në një ambient burgu dhe shumkush e ka përcjellë si një gjë të dhimbshme , të papranueshme, dhe ka një protestë të një pjesë të madhe të njerëzve për këtë akt që ju jeni këtu sot. Ju jeni burgosur shumë përpara pak ndeshjes me Serbinë, a mund të dimë si ndodhi. Le ta nisim këtu bisedën?

Morina: Në radhë të parë ju falenderoj për interesin, sepse në një farë mënyrë ndjehesha i harruar. Nuk do e kisha paramenduar kurrë një intervistë të tillë në një ambient të tillë, por ja që jeta i rezervon edhe këto gjëra. Sa i përket ndalimit tim mendoja që ishte rastësor, por ishte diku ora 12:30 e ditës, e datës 7, një ditë përpara ndeshjes, kisha perceptuar, kisha ndjesinë që do të arrestohesha sepse një sërë gjërash ma konfirmonin, mënyra si i analizoja gjërat. Mund të përmend prononcimin e kryeministrit serb Vuçiç ditën e arrestimit që thoshte se pjesëmarrja e tij në stadium varej nga se kush do futej në stadium dhe kuptohej që referohej te unë jo te Thaçi sepse Thaçin e ka takuar në samite të tjera, e kisha perceptimin.

Ardhja e Vuçiç në stadium kushtëzohej nga kush do të ishte aty

Rakipi: Ju keni idenë se kryeminsitri serb në kërkesën e tij për të ardhur në ndeshje ju kishte parasysh ju dhe më pas zv/kryeministrin e Kosovës?

Morina: Po, sepse unë një ditë dy ditë para bëra një video ku në mënyrë satirike e ftoja.

Rakipi: Çfar ishte në fakt ajo, sepse ishte interesante prononcimi që unë do t’i bëjë një surprizë kryeministrit Vuçiç, mbase kjo mënyrë ka trembur autoritetet, forcat e sigurisë?

Morina: Gjatë jetës sime kam vepruar si patriot dhe si tifoz, dhe videoja e ime ishte formë presioni sepse unë si tifoz në atë moment po veproja si tifoz. Një tifoz shqiptar nuk do ta donte kryeministrin serb në ndeshje, kur kryeministri shqiptar në ndeshjen e parë nuk ishte, përkundrazi vëllai i kryeministrit ka qenë objekt denigrimi nga autoritetet serbe, kështu që duke pasur parasysh gjithë rrethanat, si e trajtuan stafin e kombëtares, federatën e si na trajtuan si komb, kuptohet unë apo kushdo tjetër si tifoz nuk e mirëpres ardhjen e Vuçiç.

Atëherë veprova si tifoz bëra një video të thjeshtë në mënyrë satirike, i thoja se do të dhuroj syzet. Ka pasur edhe një eksperiencë negative në Bosnjë, në rastin e përvjetorit të Srebrenicës, aty bëja referim, ishte formë presioni nën petkun e tifozit nuk kisha asgjë serioze ndaj Vuçiç.

Gazetarit amerikan i pohova se arma ishte për mbrojtje private

Rakipi: Kjo video ka ndikuar që forcat tona të sigurisë të tërhiqeshin, trembeshin. Në fakt, unë mendoj se ka edhe një moment tjetër Isamil. Është një intervistë që ju dhatë për një gazetar të gazetës së madhe amerikane “New York Times”. Edhe kjo e nxiti ndalimin tuja.

Morina: Ka diçka që nuk është sqaruar që intervista për NYT, atë ditë që kam dhënë intervistën, pas 10 orëve jam arrestuar, por transmetimi publik është dhënë pas arrestimit.

Rakipi: Autoritetet e dinin që i kishit dhënë një intervistë gazetarit amerikan?

Morina: Nuk e di këtë por mundet, po i kisha dhënë një intervistë gazetarit amerkan ku pohoja vetëmbrojtjen time private.

Shteti dhe Federata e kanë menaxhuar situatën me mua, në mënyrë amatore

Është për të ardhur keq që shteti dhe Federata Deklaruan se unë nuk do të isha në stadium

Rakipi: Në momentin që ju u ndaluat dhe nuk do ta shikonit më ndeshjen, sepse ju kishit vështirësi për të hyrë edhe në stadium ju mbase nuk do t’u linin të shihnit ndeshjen…

Morina: Pikëpamja ime personale e gjërave është që si shteti e më pas rrjedhimisht edhe Federata e kanë menaxhuar situatën në lidhje me mua në mënyra amatoriale. Federate në njërën anë bën thirrje bën kuponat, broshurat, edhe i bën thirrje tifozëve të sillen mirë, unë jam pro kësaj që Federate kërkonte, në të njëjtën kohë bën një deklarim që nuk është në kompetencat e veta, që Ismail Morina Ballisti, nuk do lejohet 100 për qind nga Sekretari i Federatës, që nuk do të lejohet në stadium. Kjo është për të ardhur keq, se dihet që në informacionin që kam, që Federata gjen impresion si nga Policia e Shtetit ashtu edhe nga UEFA që të bënte një deklarim të tillë, por kjo nuk është në kompenteca të Federatës. Në radhë të dytë, duhet të ishte Policia e Shtetit, po të ishte policia unë isha një person i pastër me drejtësinë shqiptare s’kisha asnjë problem, asnjë rrezikshmëri. E vërteta është që mediat kanë kontribuuar, kur bëja takim me një personalitet, Ballisti planifikon surpriza, në fakt surprizën e bëri shteti.

Është menaxhuar në mënyrë amatoriale, ishte shumë e thjeshtë që shteti shqiptar me funksionarët e tij të thërriste Ballistin të fliste, të pyeste more çun çfarë ke ndërmend të bësh se kështu po flitet, dhe Ballisti do të thoshte s’kam ndërmend të bëj asgjë.

Arrestimi im nuk ishte i rastësishëm

Në sytë e patrullës që më ndaloi kishte një lloj triumfi, ndjeva neveri kur më arrestuan

Rakipi: Në momentin që u ndaluat, a kthehmi dot mbrapsh, si e përjetuat atë moment?

Morina: Ndjej një neveri për atë patrullë, jo sepse u përdor dhunë apo një far përçmimi, aboslutisht jo. Shihja në sytë e tyre një lloj triumfi që ndaluam Ballistin, nuk e di pse. Po të isha në rolin e tyre do ta përjetoja si fatkeqësi. Ndalohej një njeri që të gjithë e thonë që na ka bërë krenar, kjo ishte moment që ndjeja neveri, trajtimi fizik dhe moral çdo gjë ka qenë në rregull, mendoja që ishte rastësi pastaj nga pjesëtarët e vet nga komisariati nr. 1 më është pohuar që në orën 10 të asaj dite urdhi ishte shpërndarë në pikat e policisë që unë të ndalohesha me çdo kusht, kjo vërteton se nuk ka qenë rastësi.

Kam pasur një takim me ministrin Tahiri në prani të një të treti, kam kërkuar ndërrim identiteti ose mbrojtje

Rakipi: Ju keni deklaruar gazetarit amerikan që keni një armë dhe i keni thënë është lodër, është e kuptueshme që preteksti ka qenë arma, ju Ismail i keni kërkuar shtetit mbrojtje, keni qënë i kërcënuar, dhe i keni kërkuar shtetit shqiptar mbrojtje?

Morina: Menjëherë pas ngjarjes, me 14 tetor në Beograd 1 javë një javë e gjysmë kam pasur një takim privat në zyrën e ministrit Tahiri me një person të tyre që na ka mundësuar takimin dhe kam kërkuar dy gjëra. Ndërrim identiteti dhe mbrojtje nga institucionat shtetërore, e para mu refuzua sepse kishte kleçka ligjore, e dyta më është premtuar, po e ke parasysh, unë vetë s’kam perceptuar gjatë gjithë këtij harku kohor, skam perceptuar asnjë formë mbrojtje.

Rakipi: Këtë mbrojtje e keni kërkuar te autoriteti më i rëndësishëm dhe nuk iu është dhënë?

Morina: Më është premtuar dhe nuk më është dhënë, thjesht mendoj se nuk është marrë me seriozitet rasti im.

Rakipi: Pse mendoni se jeni ndier i kërcënuar?

Morina: Do e lidh me një batutë, sepse kam takuar shumë njerëz këto kohë dhe në Kosovë dikush më ka thënë: Ty nuk do të gjejë asgjë se ke berë 10 milionë shqiptarë krenar edhe zoti është me ty. OK thashë, po kam një 10 milionë në krahun tjetër dhe janë shumë të zemëruar, dhe nuk e di se çfarë krahu do të mbajë zoti, nga ne, nga ata apo do të qendrojë neutral. Kishte një komb ku kisha vepruar natën e 14 tetorit që me sheh me urrejtje me përçmim.

Kërcënimet i kam pasur në rrjetet sociale, sidomos në facebook

Dy muaj pas ngjarjes ka pasur një çmim për kokën time, nga një biznesmen serb në Çikago

Morina: Në këto rrethana kam krijuar vetëmbrojtje

Rakipi: Kjo është normale në mes të Beogradit, në mes një turme, ju bëtë një veprim që serbët u acaruan tej mase, keni pasur idenë se edhe mund t’ju vrisnin?

Morina: Kërcënime sa i përket rrjeteve sociale, sidomos në Facebook, ka pasur të panumërta, klasifikohen serioze, jo serioze, pastaj diku 2 muaj mbas ngjarjes ka pasur edhe një çmim mbi kokën time nga një ish biznesmen në Çikago në Amerikë dhe kjo më ka bërë të reflektoj, duhet një formë vetëmbrotje private.

Mediat serbe thonë se unë jam terrorist

Autoritetet serbe UÇK e klasifikojnë si terroriste

Ndërhyrjen perëndimore e klasifikojnë terroriste, vetëm bëmat e serbëve janë të shenjta

Rakipi: Të cilët ju pasi nuk e morët nga shteti, ju e bëtë, mbajtët në mjetin tuaj një armë. Mediat serbe mediat, shqiptar e përcollën, një hero, një njeri që bëtë një akt të lartë dhe menduam se ai 3 pikëshi ynë aty, edhe pse mund ta fitonim, sot me mendje të kthjellta përcillet si një 3 pikësh i Ismail Morinës.

Mediat Serbe (portali Kurir) ka shkruar se ju jeni një terrorist dhe se keni patur qellim të vrisni kryeministrin Vuçiç. C’mendoni për këtë?

Morina: Pas 3 ditëshit që isha në paraburgim, se për 3 ditë isha në terr informativ, sa i përket mediave serbe terrorit, përdor një dron një flamur të bukur me elementë që promovuan vlera kombëtare, nuk kishte ansjë ofendim. E kam përsëritur nuk ka asnjë ofendim, unë nuk shoh terrorizëm aty. Përkundrazi terrorizmi u shfaq në fushën e blertë nga autoritetet serbe e publiku serb. Mendoj se një vend demokratik do të ishte një gjë normale, por autoritetet serbe, UÇK-në e klasifikojnë si terroriste, ndërhyrjen perëndimore e klasifikojnë si terroriste, bëmat e tyre ato janë të shenjtë.

Shkaku pse unë vetëquhem Ballist, adhuroj figurën e ndritur të Mithat Frashërit

Rakipi: Si erdhi emri Ballist te ju?

Morina: Unë kam një figurë shqiptare që e adhuroj shumë, Mithat Frashëri, sa i përket ideologjive politike nuk ka të bëjë asgjë, adhuroj si figure, kam lexuar dhe e di biri i kujt është, dhe mendoj se ka qenë një lider largpamës. Mendoj se një lider i tillë po t’i shërbente sot Shqipërisë do të ishte fantastike, pastaj emri Ballist ka edhe një kuptim tjetër, në ballë të betejes, në ballë të sfidave.

Morina: Më mungojnë fëmijët

Rakipi: Ju jeni udhëhequr nga dobësia e Mithat Frashërit për të mbajtur një emër të tillë.

Ka qenë një vit shumë i ngarkuar mjaft i tendosur për ju. Keni qenë në një ekstrem, tani jeni në ekstremin tjetër. Njeriu përjeton gjendje nga më të çuditshme, kjo gjendja këtu si e përjetoni?

Morina: Sa i përket karakterit tim i lëkundur apo jo nuk është e thënë që pavarësisht kësaj jam po ai që isha jashtë, e vetmja gjë që më mungon janë fëmijët. Jo që nuk më mungonin kur isha jashtë sepse unë isha këtu, kisha një moment që ma jepte penalltia dhe shkoja, kurse tani jam privuar.

Kam dy fëmijë, vajza 3 vjeç e 8 muaj, djali edhe pak afër 2 vjeç.

Djali akoma nuk flet, po vajza po, vajza më thërret dedi, ja kam mësuar anglisht dhe pyet ku është dedi, dhe mban mend fjalën shqip hajde këtu.

Rakipi: Ismail, është një shkrimtar i madh Amerikan që tregon për një njeri që kërkon të shkojë patjetër në burg dhe nuk e pranojnë. (Tregimi i O’Henry). Ke menduar ndonjëherë që mund të shkosh në burg?

Morina: Do kisha thënë që nga hedhja e shortit në shkurt të vitit të kaluar deri sot, afërsisht 1 vit e 8 muaj, unë sot jam 33 vjeç, mund t’ju siguroj se eksperiencën nga këto katapultime mendoj se në pjesën tjetër të jetës nuk e kam mbledhur.

Për një diçka pavarësisht ndalimit tim jam krenar sepse përveç faktit të Beogradit, kam arritur ta menaxhoj në mënyrë perfekte, erdha si uragan në zemrat e shqiptarëve, doja të ikja po ashtu, nuk u mundësua por rëndësi ka që gjatë këtij afati kohor jam krenar për sjelljen time nuk kam pasur asnjë lëkundje.

Rakipi: Familja ku është?

Morina: Është në Itali, sinqerisht vështirësitë ekonomike janë serioze se praktikisht nga ai moment unë nuk punoj më, pastaj kontakti me familjen, por faleminderit zotit që lidhja me familjen është edhe më e fortë, për këtë i falenderohem zotit sepse mund të kisha humbur edhe familjen në varësi të situatave, por kjo lidhja me familjen e ka bërë edhe më të fortë.

Rakipi: Tani ti je një nga personazhet e famshëm në botën Shqiptare. Ta merrte mendja të përfundoje këtu ku je tani?

Morina: Italianët thonë, “mai dire mai” “kurrë mos thuaj kurrë”, unë do thoja të njëjtën shprehje do të kisha përdorur edhe për zotin Spartak Braho.

Nuk jam rracist, as gangster, as ekstremist, jam me idenë që sllavët të respektojnë vendalinjtë, ata që gjetën aty kur erdhën, autoktonët

Rakipi: Shume analistë kanë bërë pyetjen këto ditë, a është Ballist Morina hero apo i çmendur. Ti e konsidoren veten?

Morina: Patriot, me principe të shëndosha dhe tifoz i zjarrtë i kombëtares. Ka një perceptim të gabuar në shoqërinë shqiptare që heroi duhet të vdesë. Aktin, veprimin në Beograd do ta quaja heroic, por nuk jam hero jam patriot në kuptim të mirëfilltë, edhe tifoz i kombëtares por gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur keqkuptime. Ka një pjesë e publikut që e kanë përjetuar si surprizë dhe më thonë kush është surpiza e radhës dhe ju thoja që nuk jam magic box dhe nëse rastin e Beogradit e keni kuptuar si surprizë më vjen shumë keq, nuk është surprizë, nuk e keni kuptuar, është akt heroik. Klima brenda në stadium vështirësia e materializimit dhe çka u shpalos aty, aty nuk u shpalos një mesazh ofendues, racist, u shpalos thjesht, nuk isha aty për të rivendiku territoret unë isha ty për të rivendiku historinë e shqiptareve në Ballkan dhe autoktonitetin e tyre. Ismaili nuk është racist as gangëster as ekstremis, thjesht ne i dimë se sllavët janë të ardhur, por ata duhet të respektojnë autoktonët, vendalitë në rajon.

Kam një perceptim të lig për politikën dhe politikanët

Rakipi: Kanë ardhur në burg njerëz të mazhorancës dhe opozitës. Spartak Braho p.sh. Çfarë bisedove me të?

Morina: Unë sinqersiht kam pasur një perceptim të lig për politikën, politikanët dhe papritmas vjen një njeri i politikës, shef i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe në një ditë, që në fatkeqësinë time po ndaja gëzimin e kombëtares që ishte kulaifikuar, në vend që të prisja nga ndonjë eksponent të kombëtares e pres nga një politikan që e ndan atë gëzim me mua, ma uron kualifikimin, ja uroj. Ishte një bisedë që sinqerisht do kisha thënë për ato 15 minuta Spartak Braho mund të them që ka zëvendësuar plakun tim.

Ditën e ndeshjes do të shkoja në Kukës, ku do të më bënin qytetar nderi në stadiumin “Zeqir Ymeri” ku do të shihnim edhe ndeshjen, do të festonim aty

Rakipi: Ti je nga Kukesi, dhe të ka ardhur për vizite një deputet tjetër nga Kukësi, Flamur Noka. Çfarë bisedove me të?

Morina: Unë e kisha takuar Flamurin sëbashku me kryetarin e bashksië së Kukësit dhe kishin diskutuar që ditën e ndeshjes do më akordohej çmimi “Qytetar Nderi” në Kukës dhe natën e ndeshjes do bëhej transmetimi i ndeshjes në stadiumin “Zeqir Ymeri” dhe do festojmë aty. Unë nuk do isha në Elbasan sepse pavarësisht se publikisht kisha deklaruar që isha dhe kjo më bën të ndihem keq se Federata e kishte informacionin fiks që nuk nuk do të shkoja, por unë si tifoz si idhull i tifozave nuk mund të thoja. Takimi me Nokën ka qenë inkurajues kemi diskutuar për këtë që ndodhi dhe kemi marrë në konsideratë që kurdo që të dalë të më akordohet çmimi.

I lutem Zotit që rasti im të mos përdoret për përfitime politike

Kam deklaruar në gjykatë se nuk kërkojë mëshirë por mirëkuptim

Rakipi: Një i majtë dhe një i djathtë ju takojnë njëri pas tjetrit. A mendoni se ata kërkojnë të fitojme politikisht prej fameës tuaj?

Morina: Ky është menalitet ballkanik, nuk është vetëm i shqiptarëve do t’ju kisha lutur zotit që të gjithë ata që i kanë mundësitë, rasti im që mos të përdoret për përfitime politike siç e kam deklaruar edhe në gjykatë nuk kërkoj mëshirë por mirëkuptim, unë dhe asnjë shqiptar në rruzullin toksor, unë dhe familja ime nëse do të isha armatosur ilegalisht ishte ekskluzivisht për këtë mrborje dhe fatkeqësia ime të mos përdoret për përpfitime politike nëse kushdo qoftë pala qeverisëse, qoftë pala në opozitë që kanë eksponentë që më kanë mbështetur, të dy palët ta shohin si diçka mirëkuptuese mos të ketë intriga, të shihet me syrin e së drejtës.

Rakipi: Diten që fituam me Armeninë dhe u kuptua që ne do shkonim në Francë edhe kryetari i opozitës Lulzim Basha kërkoi lirimin tuaj. A keni ndonjë mesazh apo falenderim për zotin Basha?

Morina: E falenderoj edhe jam në dijeni se e mban foton time në Facebook dhe e përshëndes.

Ka pasur edhe ekponent të tjerë edhe Berisha vet që ka kërkuar lirimin tim, ka pasur eksponent siç ishte rasti i Brahos.

Rama u frikësua kot edhe Vuçiç, duhet ta merrte me sportivitet atë video, ishte video e një tifozi edhe po të doja të bëja diçka, nuk kisha kapacitete dhe mundësi

Rakipi: Besoj se të gjithë e duan atë po ka që nuk e thonë, psh zoti Rama nuk është se ka prononcim, si mendoni ju mund të kishte?

Morina: Rama, u frikësua kot homologu i tij. Duhet ta shihte më me sportivitet atë video mos ta merrte me seriozitet, video në petkun e tifozit, edhe po të doja të bëja diçka nuk i kisha kapacitetet.

Armëmabjtja pa leje është diçka burrërore, jo si gangster

Rakipi: A jeni i përgjegjshëm për famën që keni jashtë kësaj qelie?

Morina: Jam i përgjegjshëm dhe e rivendikoj me krenari sjelljen time në këtë afat kohor. Armëmbajtjen pa leje e shoh si diçka burrërore, jo si gangëster. I përgjegjshëm që unë nuk kam bërë asnjë dalje të pamatur, përveç intervistës me Shakohoxhën, populli I ishte i interesuar për të mësuar sesi u realizua gjithë kjo. Unë kam qenë shumë i tërhequr sa i përket mediave. Nuk kam pasur asnjë defolt në sjelljet e mia.

Deputet?! Unë nuk kam arsimin përkatës për të qenë deputet, jam me shkollë 8 vjeçare

Përzjerja në politikë, e fundos veprën, preferoj të mbaj veprën dhe familjen

Rakipi: Nëse ju propozojnë për deputet a do ta konsideroni të mundshme futjen në politike?

Morina: Sinqerisht sa i përket hapësirave ligjore nuk lejohet, unë nuk kam arsimin përkatës për të qenë deputet, unë kam një shkollë 8 vjeçare, e kam mbaruar në 1997 dhe as diplomën nuk e kam.

Vepra në Beograd, autori edhe mund të fundoset vepra do të rrij aty, përzierja ime në politikë edhe atë veprën që të rri aty do ta fundosë, preferoj të mbaj veprën dhe familjen time.

Veprën time e kanë cilësuar si diçka surprizë, nuk është e vërtetë, suprizë është kur i çon buqetë me lule një vajze, veprimi im ishte një mesazh i qartë

Rakipi: Figurat që krijojnë famë janë edhe polarizuese, shumë ju ngrenë në qiell, por shumë ju quajnë të cmendur. Baton Haxhiu, p.sh, një analist i njohur tha se edhe unë e kam ngritur flamurin në Beograd, ndërsa ka edhe analistë nëpër kafene që thonë, me ndjeni për shprehjen, “jeni thjeshte një budalla”. Çfarë do t’u thoni këtyre njerëzve kritikë?

Morina: Nga është ky Batoni?

Rakipi: Nga Kosova, thotë që ka ngritur flamurin

Morina: Aha, Shqiptar i Kosovës, edhe ky hyn në këtë grupin e kritikëve.

Kritikët kanë detyrën e vet, por kam përshtypjen që antivlerat fatkeqësisht mbizotërojnë mbi vlerat, gjesti im ka qenë shumë i rrezikshëm, do i kisha bërë më shumti keq vetes, fatmirësisht nuk i ndodhi asgjë kombëtares, madje djemtë e kombëtares iu dha mundësia të tregojnë atdhedashurinë. Antivlerat mbizotërojnë mbi vlerat, shumkush e ka perceptuar si diçka surprizë, dhe kjo është diçka negative. Supriza është kur i sjell një buqetë me lule një vajzë, ai ishte një mesazh i qartë.

Rakipi: Isa Boletini u fut ne Ministrine e Jashtme Angleze 100 vjet më parë me rovole në brez, ndërsa ju tentuat të futeshit në stadium. Pse?

Morina: U tha që kisha dy kobure, nuk është e mundur por në momentin e ndaljes bëja batutë, më thoshin policët çne dy. Mendova se isha Isa Boletini dhe fatkeqësisht harrova që jam në Shqipëri nuk isha në Londër dhe policët mu dukën si ai Lordi anglez në moment që i thotë Isa Boletini, që Isa nuk të çarmatosi Sulltani as Krajli i Serbisë, të çarmatosa unë, ky i nxjerr tjetrit dhe Lordi i dhuron pistoletën e vet dhe mendova se policët do të më dhurojnë një pistoletë të tyre.

Rakipi: Është përfolur që ju kërkuat para për të blerë një vinç dhe në fakt përfunduat me një “range rover” dhe dy kobure. Si ta shpjegojmë këtë, ju niset një jetë tjetër?

Morina: Është një “land rover” më e vjetër se unë, dhe ishte e vëllait sepse unë e kisha një makinë, që e kisha marrë nga Italia dhe më është thënë nëse mjeti që e fut kalon mbi 6 muaj ke sanksione, për këtë arsye e tërhoq, në momentin që u ktheva për ndeshjen me Serbinë ja kam kërkuar vëllait. Ajo makia diku e ka blerë në Gjermani, 3-4 mijë euro.

Landroveri, ishte i vëllait tim dhe ishte më i vjetër se unë

Arma që mbaja me vete, sinqerisht ishte për vetmbrojtje

Rakipi: Avokati juaj thotë se rasti juaj është “ sui generis” (rast specifik) dhe të shumtë janë ata që thonë se ju duhet të liroheni. Kur të liroheni e mendoni se si do t’ju presin njerëzit jashtë?

Morina: Sa i përket tifozave kuq e zi sigurisht që do të jetë një gëzim i madh si për mua dhe ata do ta festojmë, nuk e di si do të shkojnë gjërat, mendoj që një lirim i mundshëm i imi do të perceptojë pozitivisht, dua apo s’dua unë, apo do apo nuk do diskush tjetër që është kritik ose kundër, janë një sërë gjërash që lirimin tim me të vërtetë e bëjnë “sui generis”. Nuk dua të përfitoj nga situate madje gjatë kësja kohe ka pasur mundësi të përfitoj, por thjesht kam dashur të jem i pastër dhe mos të përfitoj që unë jam Ballisti. Jam munduar të jem i pastër edhe në këtë rast thjesht dua t’i them publikut që armëmbajtja ilegale ishte ekzluzivisht për vetëmbrotje. Duke qenë se ndeshja ishte afër, presioni shumë i madh, sinqerisht duhej një njeri që të kuptojë fiks atë që përjetoj, të vendoset në vendin tim.

Dua të them me sinqeritetin më të madh se kam dalë në pension bashkë me dronin

Kam dalë në pension bashkë me dronin, kjo gjë nuk mund të përsëritet dy herë

Rakipi: A do të shkoni në Francë për të ndjekur kombëtaren?

Morina: Dëshira është e madhe, por kuptohet tani ka një proces në vazhdim e sipër. Unë dua të rri me këmbë në tokë dhe po pres mirëkuptimin e institucioneve shqiptare dhe publikut dhe nuk varet prania ime në Francë nga unë, varet nga ecuria e proçesit të gjykimit, por kuptohet që mendoj pozitivisht nëse do të lirohem përpara qershorit, e kemi ndjekur edhe në vendin e largët, në shi e në borë në Islandë jo më Franca që do të pushtohet nga një uragan kuq e zi.

Personalisht vetë nuk kam në mentalitet të kopjoj gjëra, kushto që ka atë idenë që e lidh muhabetin tim me dronin, ngritja e dronit mund të bëhet edhe këtu. Kam shkuar aty për të ngritur një flamur “autochthonous”, nuk jam për kopjim, për të gjithë ata që janë adhurues të dronit dhe adhuruesit e mi dua t’i them me sinqeritet më të madh, kam dalë në pension bashkë me dronin. I vetmi aktivitet i imi, që kudo kur të jem kombëtaren do ta ndjek siç e kam ndjekur.

Rakipi: Ku ke jetuar këto kohë që nga koha e ngjarjes?

Morina: Kryesisht kam jetuar në Tiranë, jam alternuar në Kukës dhe Kosovë dhe hera herës 4-5 herë kam shkuar në Itali dhe kam vizituar familjen 3-4 ditë 1 javë kryesisht në Tiranë, në ambient tifozash, kam pasur takime me figura të humorit të politikës. Një vit shumë i rënduar në shumë aspekte.

Rakipi: Kur je larguar si emigrant në Itali?

Morina: Historia e emigrimit nis 17 vjeç në vitin 2000 kam emigruar 3 vjet në Greqi kam pasur fatin të pajisesha me dokumente, pastaj në Itali në 2003-2004 dhe nga ai moment kam pas një fazë të vogël alternimi në Gjermani, nga ai moment kam njohur personin që kam krijuar fmailjen dhe nga ai moment nuk kam lëvizur nga Italia deri 4 ditë para ndeshjes së famshme në Serbi, 10 tetor.

Jemi në demokraci njerëzit të mendojnë çfarë të duan, unë e ngrita dronin

Autochthonous është një fjalë që vjen nga latinishtja dhe e anglishizuar, mënyra si e gjeta këtë fjalë është shumë e thjeshtë, mjafton të hysh në google translate.

Harta ime nuk ishte pretendim territoresh ishte thjesht pretendim historie. Sigurisht që ne nuk kemi as 1/3 e asaj harte, thjesht doja të përcillja historinë e shqiptarëve. Qëllimi im i vetëm ishte promovimi i vlerave kombëtare në shtëpinë e rivalëve

Rakipi: Si të shkoi ideja për flamurin autochthonous dhe dronin? Ka nga ata që kanë menduar se pas kësaj janë mendje të tjera.

Morina: Jemi në demokraci, njerëzit mendojnë çka duan, e mira e gjithë kësaj është kur jep një mendim duhet ta argumentojë. Autochthonousështë një fjalë që vjen nga latinishtja e anglitshizuar, mjafton që gjërat t’i bësh me vullnet, po t’i bësh me vullnet janë shumë të thjeshta, mënyra si e kam gjetur këtë fjalë ka qenë shumë e thjeshtë. Mjafton të futesh në google translate dhe të shkruash autochthonousnë shqip dhe do të dalë në dy tre versione në anglisht, native, indigenus, autochthonous. Harta unë do kisha preferuar Shqipëri Etnike dhe e konisderojmë Shqipëria e Madhe, por edhe po të ishte Shqipëri e Madhe prap është e vogël në krahasim me si janë fqinjët. E kam thënë, harta nuk kishte rivendikim territoresh kishte rivendikim historie sepse ka një datë sipër 28 nëntor 1912 dhe ajo datë i referohet asaj harte, pavarësia e flamurit, nga Ismail Qemali, u shpall prap hartë. Ne nuk kemi as 1/3 e asaj harte, por thjesht në atë flamur unë doja të përcillja superioritetin e shqiptarëve e të qenurit autoktonë. Qëllimet e mia ishin promovimi i vlerave kombëtare në shtëpinë e rivalit.

Rakipi: Pas fitores me Armeninë patëm fitore të madhe, shqiptarët ishin tejmase të gëzuar, kryeministri shoqëroi ekipin, nga 11 lojtarët tanë mungonte lojëtari i 12, mund të ishit aty, mungonte Ismail Morina?

Morina: Sa i përket a mund të isha në kryeministri, mund të marrin parasysh konjukturat gjeopolitike të cilat nuk e lejojnë dhe për këtë jam i vetëdijshëm dhe nuk kam pritur as nga Rama as nga Nishani të më jepet urdhëri i Skënderbeut, e kuptoj marrëdhenien politike në rajon dhe më gjerë, por normal që do të isha pjesë e festimeve.

Sa i takon 3 pikëshit na i dha Ballisti, sa i përket 3 pikëve merita kryesore i përket Federatës Shqiptare të Futbollit për punën profesionale që ka bërë, por mund të them që jam shkak sebep i gjithë asaj që ndodhi, e mbrapa jo vetëm që do të kishte qenë mirë të isha pjesë e festimeve si lojtar i 12 duke përfaqësua edhe tifozat kuq e zi.

S’dua të bëhem europian me zorr, dua të bëhem europian me kualitetet dhe defektet e mia

Të duash të bëhesh europian me zor, është inferioritet

Nëse ndeshja do të ribëhej , do të bëja të njëjtin veprim, nuk jam penduar dhe nuk do të pendohem kurrë, kurrë, kurrë

Rakipi: Ti na dhe 3 pikë Ismail, kryeministri na i hoqi, se asnjë s’ishte dakord me atë situatë të ngrirë

Morina: Pas asaj që ndodhi në Beograd vëmendja ndërkombëtare ishte 3-fishuar, çfarë do të ndodhte unë e kuptoj frikën dhe ndrojtjen e autoriteteve shqiptare. Vijmë pikërisht te menaxhimi i situatës me amatorialitet, sepse Federate Shqiptare nga një krah sensibilizon, nga ana tjetër i fut benzinë zjarrit se e di që Ballisti ka mbështetje në tifozeri, bën një deklaratë që nuk është në kopentenca. Që në ndeshjen me Portugalinë kemi perceptuar një sjelljë shumë të rëndë të policisë ndaj tifozit. Polici ndihej i kënaqur kur shihta terrorin në sy te tifozët. Unë kam parë, betohem në bukë e krypë e flamur, kam parë fëmijë 11 vjeçar që qante ndaj dhunës në sportelet e hyrjes.

Ne ishim 3 ditë para në Danimarkë ku kishte 3 fish tifozë më shumë se në Elbasan Arena dhe autoritetet daneze jo që ishin shumë simpatik që tifozat bënin foto me policët kishte buzëqeshje, dhe nuk pati asnjë incident. Vijmë në Elbasan Arena, imagjino po të ishte kapaciteti 30 mijë vende. Në ndeshjen me Serbinë autoritetet kanë deklaruar se hyrja nis nga ora 16:00 ndeshja fillon në 20:45 këta që hyjnë të parët në 4 të pasdites i bie që në 23:12 dalin nga stadiumi s’kanë të drejtë të pijnë ujë, të fusin shishe, nëse më parë kishte shitës ambulantë në ndeshje me Serbinë nuk kishte, ishte për t’i thënë Europës. Ishte vuajtje dhe diskriminim ndaj tifozave që e kanë ndjekur kudo kombëtaren. S’dua të bëhem europian me zor dua të bëhem europian për kualitetet dhe defeketet e mia si shqiptar, kjo është një formë inferiroiteti që duhet të bëhemi me zor europian.

Ka vetë tifoza që kanë denoncuar sjelljen e policisë. Në ndeshje me Portugalinë kam parë fëmijë duke qarë. Mos flasim fanella autochtonus, mos të flasim për UÇK veç se quhet terroriste nga pala serbe, kjo quhet nënshtrim.

Rakipi: A je penduar për veprimin që ke bërë?

Morina: Kurrë, asnjëherë, nëse pyetje është a do të ribëhet, do të merrja për bazë një fakt, sepse ngjarja ka evoluaur jo si doja unë, do ndryshoja vetëm rrezikun fizik qoftë të kombëtares qoftë perosnlit të akredituar, nëse nuk do të ishte kjo, do të ofroja vullnetin tim ta ribëja, pendim kurrë, kurrë, kurrë.

E pashë ndeshjen me Serbinë dhe e falenderoj policinë e shtetit dhe gardianët e burgut që ma mundësuan

Rakipi: Kërkove me insistim një televizor në paraburgim. A e pe ndeshjen me Serbinë?

Morina: E pashë ndeshjen, duhet të falendeorj Policinë e Shtetit, gardianët e burgut që ma mundësuan, kanë qenë mirëkuptues në kërkesën time, e kam parë. Sinqerisht mënyra si u mbyll ndeshja do preferoja mos ta shihja. Mendoj përjetimi ishte tragjik, në mënyrë sportive flasim, por kjo ka ardhur pikërisht si rrjedhoje e mënyrave se si u organizua ndeshja, nuk kishte tifozllik. Kam një fragment që s’më hiqet, Xhaka, i cili shkon dhe i thotë tifozëve të borhërasin, sepse ndihej mungesa, kishte heshtje totale. Tifozi është me të vertete lojtari i 12 me njësi patriotike, qoftë sportive, rivaliteti mes dy kombëve është lojtari i 12.

Rakipi: Prindërit jetojnë në Kukës, ç’moshë janë ata?

Morina: Plaku është 78 vjeç, datëlindja 1938, plaka është 68 vjeç, jemi tre fëmijë, dy vëllezër që janë në Kukës, punojnë ndershëm, kanë familjet e tyre nuk kanë ndonjë gjendje ekonomike superlative por jetojnë mirë. Kanë makinë traktor, jetojmë në një vend ku blegtoria është kryefjala, vëllai tjetër ka burimin e tij bazën, punën.

Plaku karakteralisht është më i fortë, sepse plaka ndonjëherë edhe mbyllet në vaj, plaku biles natën e ndeshjes në Serbi në momentin që kuptojnë që isha unë pas ngjarjes, plaka nis e qan, plaku i thotë që ok, njëri iku ke edhe dy të tjerë, ja kemi falur Shqipërisë. Këshilla e tij ka qenë mos të demoralizohem, gjendja shpirtërore të jetë e mirë dhe burgu shprehja, burgu është për burra.

Më kanë ndihmuar ekonomikisht, të afërm, miq të rinj e të vjetër, tifozë

Tifozë Kuq e Zi donin të rrisnin çmimin e biletës 10% për të mbështetur ballistin, por nuk qendron do në këmbë nëse nuk punon

Rakipi: A ju kanë ndihmuar miqtë, të njohurit, fansat, ndihmë ekonomike?

Morina: Nëse jo do të isha gënjeshtari më i madh, nga ai moment nuk punoj, biles në ndeshjen me Serbinë ka pas një iniciativë ekonomike mbështetëse nga ana e tifozëve kuq e zi, të cilët kanë shprehur dëshirën që bileta kushton kaq, ne do të shtojmë. Ka pas mbështetje ekonomike qoftë nga njerëz të afërt, miq të rinj të vjetër, tifoza, kishte inciativë që në sektorin tonë, me dakordësinë e grupit, që biletat sa kushton, do t’i rrisim çmimin 10 për qind për të mbështëtur Ballistin. Po jap një shembull, po ka pasur edhe njerëz të tjerë, nuk qendron në këmbë nëse nuk punon.

Presidenti Wilson, Lufta e Kosovës, kontributi amerikan për ne ka qenë shumë i madh ndaj ndihem një filoamerikan i devotshëm

Rakipi: Keni në qafë një flamur amerikan, pse?

Morina: Mendoj që ekzistenca jonë si komb përveç sakrificës tona si komb është edhe frut i mbështetjes Perandorisë Austro Hungareze, në momentin e shtetformimit dhe ndihmën e SHBA-ve. Kemi rastin e presidentit Wilson 1919, cili me ndërhyrjen e tij arriti siç thonë italianët “salvare gli insalvabili”, rrezikonim mos të kishim as këtë Shqipëri do të ishm kurdët e Ballkanit, dhe rasti i fundit lufta e 1999 në Kosovë, kontributi i SHBA ka qenë i jashtëzakonshëm për mendimin tim, dhe fal këtyre gjërave unë jam një filo amerkian i devotshëm.

Rakipi: A i ke takuar futbollistet shqiptarë?

Morina: Jo, ka një arsye sepse ata janë të angazhuar menjëherë me klubet e tyre jashtë shtetit, Balaj ka ikur në 4 të mëngjesit, me angazhimet e tij në Kroaci. I sinqertë, nuk e prisja nga Braho po e prisja nga lojëtarët, po s’ka asnjë gjë, do të vij momenti, jashtë do të takohemi, kam respekt për të gjitha çunat, na kanë nderuar në Beograd vitin e kaluar dhe me kualifikimin historik, mareketingu më i mirë qëi bëhet një kombi është futbolli dhe ato e arritën.

Ditët e burgut janë të vështira, por me mua sillen mirë

Ka një bibliotekë këtu në burg, kam gjetur një libër për një tifoz në Republikën Gjermane, një histori e fortë

Kam porositur një libër të Martin Luther King

Rakipi: Sa ditë keni në burg? Mund të përshkruajmë një ditë burgu për morinën?

Morina: Jam ndaluar më datë 7, ka 13 ditë. Moment më i vështirë ka qenë tre ditët e para.

Isha tre ditë në drejtorinë e policisë. Pritshmëria për ndeshjen ishte shumë e madhe dhe pavarësisht se më ishte premtuar kisha mosbesimin se në momentin e fundit do të më thoshin se nuk sigurojmë dot që të shohesh ndeshjenm dhe terri informative. Ditën e dytë erdhi avokati nuk takoja dot as njerëzit e mi, nuk e dija çfarë ndodhte jashtë, pastaj burgu si gjithë të tjerët thjesht gëzoj respekt nga bashkëvuajtësit, por edhe nga gardianët. Jam i mahnitur me sjelljen e tyre profeisonale. Duhet të jemi objektiv siç e kritikuam Policinë e Shtetit në menaxhimin e ndeshjes duhet të jemi objektiv si në drejtorinë e policisë edhe këtu më kanë mahnitur, i përgëzoj.

Aktiviteti im kryesor është leximi, më pëlqen shumë shahu. Lexim, shah. Në shah i kam mundur të gjithë

Rakipi: Si e kalon ditën?

Morina: Kemi një bibliotekë, kam gjetur një libër që bën fjalë për një tifoz të Republikës Demokratike Gjermane, Gjermaninë Lindore, një histori e forte. Jam i apasionuar me Historinë e Ballkanit, intrigave, kam porositur një libër të Marthin Luther King, ai thotë “I Have a dram” unë si shqiptar them “I have a right”. Aktiviteti kryersor është leximi. Më pëlqen shumë shahu besoj se deri tani s’kam gjetur rival. Ne luajmë shah dhe deri tani jam më i miri. Dhe kisha gati 5 vjet, leximi, shahu, ajërosje, dalim 1 orë, kemi një vend kemi mundësi telefonatash me njerëz të afërt avokat dhe mundësi takimi me njerëz të afërm.

Beteja ligjore e Federatës Shqiptare me Federatën Serbe, heq kapelen dhe e nderoj

Nuk di pse Federate u frikësua shumë pas ndeshjes së Beogradit, kudo ku kam qenë me futbollistët kam qenë si tifoz jo me kundratank

Rakipi: Ç’mendim ke për Federaten Shqiptare të Futbollit dhe për Presidentin Duka?

Morina: Sa i përket betejës ligjore me Federatën Serbe heq kapelen dhe i nderoj. I mundën, ndërsa në lidhje me prononcimin qëu bë 2-3 ditë para ndeshjes ishin shumë të frikësuar nuk e di përse. Unë vetë kam qenë, në moment që kam bërë intervistën me Shakohoxhën, kam qenë unë që kam thënë duhet të mbarojë beteja ligjore pastaj të jepet intervista, nuk doja ta dëmtoja Federatën. Në hollin e hotel Hilton në Kopenhagen bëjmë fotografi, flasim, qoftë media këtu dhe jashtë e kanalizojnë negativisht dhe vjen momenti që Federata krijon rryma, gjëra që nuk ka arsye pse. Unë bëra një foto nuk dola me kundratank, isha civil si tifoz kuptohet që kemi ndarë një sakrificë natën e 14 tetori. Ata janë krenarë për mua unë për ata, kishte një ndrojtje të madhe. Edhe Federata kohët e fundit ka arritur të punojë mirë. Dua t’i them diçka nëse deri para 14 tetorit Federate shkonte i luste futbollistët e diasporës. Ne si tifoza e kemi lutur Januzajn mbas 14 tetorit Federata ka luksin t’i zgjedhë. Më ka rastistur të bisedoj me lojtarë që kanë zgjedhur kombëtare të tjera dhe më kanë thënë që do kisha dhënë jetën të mbroja ngjyrat shqiptare në Beograd, në një farë mënyrë ndihen në faj. Thjesht e thashë, se deri para asaj date Federate bënte tratativa e bisedime, kurse sot ka luks, i zgjedh pa hezitim dhe ndërlikim. Kjo vjen si meritë e 14 tetorit.

Le të tregohet një shenjë respekti për mua, dua në radhë të parë të jetoj me familjen time

Pa mëdyshje do të zgjidhja jetëm para 14 tetorit, do të doja t’u mësoja fëmijëve të mi shqipen, edhe italishten, sepse kanë lindur aty.

Rakipi: Tifozat Kuq e Zi po bëjnë një peticion për lirimin tënd. Ndërkohë ti ke shkelur ligjin duke mbajtur arme pa leje. A mund të më thuash, përse unë apo çdo qytetar tjeter duhet ta firmosim këtë peticion?

Morina: Thjesht është e thjeshtë, nuk do filozofi, unë që nga moment i Beogradit mund të kem bërë 50 mijë foto me njerëz që janë ndier krenar për mua, kështu që aq sa janë menduar për të bërë selfie me mua mund të nënshkruajnë edhe për mua, një shenjë respekti.

Rakipi: Ndryshimet në jetën tënde kanë qenë të mëdha. Nga një punëtor në Itali, befas i njohur nga të gjithë shqiptarët, dhe tani në burg. Nesër kur të dilni kë jetë do të preferoni?

Morina: Do të them diçka sekret të vogël. Vajzës time i thoja Shqipëri, dhe ajo thoshte “ipi” nuk arrin të shqipërojë dhe më vonë i thoja Shqipëria Autoktone dhe fillonte “ipia tototone”. Është pikërisht kjo, dua në radhë të parë të jetoj me familjen time, do të zgjidhja jetën para 14 tetorit, do të doja të tërhiqesha komplet, do të doja t’i mësoja fëmijëve të mij të mësojnë shqip, edhe italisht sepse kanë lindur aty, do të doja të isha prezent te fëmijët si at i tyre dhe t’i edukoja me kulatitetet më të mira, kjo është jeta që do të preferoja.

Rakipi: Ju shkoi në mend mos ta deklaronit veprën tuaj?

Morina: E vërteta është se unë do të deklarohesha, por jo menjëherë do të deklarohesha në varësi të situatës, duhet të jemi të vërtetë, dëshiroja ta tregoja atë që kisha bërë. Në momentin që unë isha në Kukës pas 12 orëve pas ndeshjes kisha qasje në rrejte sociale, edhe TV kishte eksponentë që e kishin marrë përsipër autorësinë e ngjarjes. Me psikologjisjen që kam tani prap mund ta menaxhoja veten, po thashë nuk është e mundur nuk mund t’ja lejoj vetes diçka të tillë, ndoshta u nguta dhe dola në publik me autorësi, thjesht do t ëkisha pritur në varësi të ngjarjes do të kiosha vepruar.

Rakipi: Të gjithe kanë ëndrra. A ju ka ngacmuar ndonjëhere ideja që një dit mund të ishit i famshem?
Morina: Kam ardhur si uragan, njeriu që të behet i famshëm kalon disa shkallë, por rasti im dëshira për t’u kthyer në jetën normale është shumë më e madhe sesa të jem i famshëm. Por them që nuk do t’i kthehem kurrë një jete normale.

Rakipi: Ka njerez që paguajnë shumë para për t’u bërë të famshëm. Kjo ndodh shumë edhe në Shqipëri. T’i sigurisht nuk ke patur para por t’i besoj je përpjekur në një tjetër mënyrë për t’u bërë i famshëm.

Morina: Është në rend të ditës, thjesht në atë që ndodhi në Beograd ishte formë revanshi, hakmarrje, nuk ishte për famë, betohem, ishte formë hakmarrje për çfarë shqiptarët kanë trashëguar nga realiteti shqiptaro-serb në 100 vjet, djegia e flamurit në Itali më ka munduar shumë, nuk ka të bëjë aspak fama.. mbas një suksesi kaq të madh që përmbyllet edhe me ikjen time pa asnjë telash, fama vjen mbrapa po s’ka qenë plani im.

Është shumë e thjeshtë, do shkoja të rrezikoja jetën që të bëhesha i famshëm.

Më vjen keq për Ramën që i jep kaq vëmendje homologut të tij. Rama duhet ta ketë parasysh të mos e marrë kaq seriozisht kryeministrin Vuçiç

Rama më mirë të më kishe marrë mua seriozisht sesa Vuçiç, e di që me kalimin e kohës ai do të reflektojë

Rakipi: Në ndeshje me Serbinë ka një peng, në stadium mungove ti dhe kryeministri Vuçiç që kryeministri ynë e kërkoi me të gjitha mënyrat?

Morina: Më vjen keq, Rama që i jep kaq vëmendje homologut të tij, ai e tregoi se kush është me 4 llafet e mia dhe me një palë syzë e manifesoti frikën reale që kishte. Rama duhet ta ketë parasysh mos ta marrë kaq seriozisht kryeministrin Vuçiç. Më mirë të më kishte marrë mua seriozisht, por me kalimin e kohës do të reflektojë. Mendoj që duhet ta bëj Ramën të reflektojë, miqësia pajtimi i një populli nuk kërkohet nëse njëra palë nuk është e vullnetshme, nëse dëshira për bashkëveprim rajonal është në të dy anët, atëherë edhe Ballisti edhe ekstremisti më i devotshëm do të refektojë, mbase do të thotë Rama ka të drejtë Rama ka të drejtë, nëse njëra palë luan me standard të dyfishtë, do të ishte më mirë të ishte sjellë me mua luajal sesa me kryeminsitrin Vuçic.

Rakipi: Ke diçka për t’i thënë njerëzve?

Morina:Martin Luther King ka thënë “I Have a Dream”, thjesht do marr referim me një ndryshim “I have i Right” mos vdeksha pa i parë shqiptarët e bashkuar.



*    *    *



No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!