"

October 24, 2015

Kush është Petrit Kozeli?


Nga Tirana në Mantova, historia e shqiptarit që u shpall “Nderi i Kombit” në Itali.

Kozeli: “Ja kushtoj këtë çmim atyre që sillen me dinjitet dhe ndershmëri në këtë vend”
Të dridhura dhe lot. Fjalët mezi i dalin. Shumë emocione e kanë pushtuar Petrit Kozelin, shqiptarin nga Italia dhe italianin nga Shqipëria, i cili mban kombësi të dyfishtë në zemër dhe në mëndje. Aq shqiptar sa edhe italian. Më parë punonte si fotograf në Tiranë. Sot punon si këpucar në rrugën Orefici në Itali dhe prej disa javësh është shpallur “Cavaliere al Merito” (Nderi i Kombit) i Republikës Italiane. Shumë emocione.


“Do të doja t’ia dedikoja këtë nderim që më është bërë të gjithë atyre që sillen me dinjitet dhe ndershmëri në këtë shtet, shqiptarë dhe jo shqiptarë qofshin, të gjithë”, ka thënë ai. Por nëse gëzimi është personal, mesazhi është publik. “Është dëshmia se kush sillet në mënyrën e duhur dhe respekton ligjin, jo vetëm mirëpritet nga të tjerët, por edhe vlerësohet”. Dhe në fakt çmimi i vërtetë është vetëdijësimi që “shteti është i kujdesshëm dhe i ndjeshëm ndaj personave korrekt”. Për këtë Kozeli ecën përpara me kokën lartë dhe pa frikë.
“Kurrë nuk kam ndjerë diskriminim nga racizmi”, – përsërit Petriti, i cili jeton në Itali prej 23 vitesh. Petriti dhe gruaja e tij, Zhuljeta, (e cila në Bashkinë e Tiranës ishte drejtoreshë në zyrën e gjendjes civile), kanë mbërritur në Itali nëpërmjet avionit dhe me vizën e ambasadës në pasaportë. Nuk erdhën për të gjetur Amerikën në këtë pjesë të Adriatikut, por për të kuruar djalin e tyre, Eltjonin nga një sëmundje e rëndë në mushkëri. Italia i shëroi dhe i dhuroi famijes Kozeli besimin. Në fenë katolike, në një atdhe tjetër. Edhe pse të dyve ju desh të nisnin gjithçka nga e para.

Por ka edhe më shumë, është dimensioni më intim, angazhimi i Petritit si ndërmjetës kulturor, përkushtimi si vullnetar, ndihma e ofruar në heshtje, pa pritur mirënjohje apo çmime.

Edhe pse Kozeli ende kujton fjalët e Gabriel Gabrielit, në atë kohë kreu i qendrës për edukimin ndërkulturor të Provincës, para një asambleje nxënësish: “Mos hajdeni në zyrën time për të kuptuar çdo të thotë të jesh një shtetas italian, por shkoni tek këpucari në rrugën Orefici”. Kjo është merita.
Për ata që e njohin Petriti është një dashuri e pastër, është një krenari pa retorikë. Këpucët e tij trengjyrëshe erdhën deri në Quirinale. Presidenti Napolitano u përgjigj atij nëpërmjet drejtorit të zyrës së Sekretariatit. Shumë emocione për Kozelin, i cili i ka rreshtuar mendimet dhe ka gati në xhep një listë të gjatë falenderimesh, por akoma nuk është në gjendje të zgjidh nyjen e fjalëve. Sepse lumturia, ajo e vërteta, nuk mund të flasë.

POSTUAR: 22 September 2014 by Almarina Gegvataj in Albanian Excellence,ATA





*      *      *


No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!