"

December 5, 2013

Denoncuesi Pal Ndoka:

Kam paguar 45 milionë lekë për “drejtësinë”, djalin po ma kërcënojnë

Mbrëmjen e së hënës në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, autori dhe “hallexhiu” i videos rrëfeu historinë e tij që u bë e njohur nëpërmjet Fiksit e më vonë nga mediat. I pyetur për arsyen që e bënë Pal Ndokën të përballej me drejtësinë, banori i Fushë-Arrëzit tregon:

“Ne u arrestuam në datën 15 Prill se bëmë një protestë kundër firmës “Beralt SH.A”. U arrestova unë si familje, me vëllezër, djemtë dhe nipi, bashkë me tre banorë të tjerë të lagjes. Kjo firmë bëri një gabim të madh, bashkë me shtetin. Firma na mori tokën dhe shteti nuk na shpronësoi”, deklaroi Ndoka.

“Në protestë kemi qenë 50 vetë. Erdhi policia e Pukës, pastaj e Shkodrës dhe pastaj RENEA. Policia në fillim mbajti qëndrim të mirë, por shefi policisë hyri në turmë dhe nisi përplasja, e aty ai qëlloi me armë. Plasi zhurma, na morën na rrahën aty brenda në makina, më goditën përtokë. Vajza e vëllai më ndihmuan. Mbaj mend që ka qenë edhe prokurori prezent edhe këtë nuk e fal. Pastaj përfundova në spital në Shkodër dhe ia kam borxh spitalit sepse më trajtuan në mënyrë të përsosur”.

Në këtë moment, nisën edhe andrallat e zotit Ndoka me drejtësinë, me të gjithë familjarët të burgosur. “Më vunë në arrest shtëpie, e pjesa tjetër e familjes në arrest me burg. Nxora dhëndrin në fillim e me vëllain kontaktuam me telefon me Shtjefën Lleshin, gjyqtar edhe kryetar i gjykatës Pukë. Ai propozoi arrest shtëpie kundrejt 1 mijë dollarë e 1 milionë lekëve që ia dhamë djalit të tij. Çfarë u kërkua për të tjerët? Unë i kam dhënë 2 mln tek “Don Bosko” në Tiranë, aty ka shtëpinë. I them a mund të dalësh? Doli Shtjefni, e bëri pazar si me qenë pazar për bagëti. Për mua kërkoi 4 milionë për lirimin e plotë, për të tjerët histori e gjatë. Në fund e çova pazarin me djalin dhe vëllain tim, 3 mijë euro për njeri për të dalë në detyrim paraqitje. Mbasi dolën në arrest shtëpie u çua pazari dhe kaloi 5.5 mln lekë. Unë paguaja ata dilnin një nga një. Kam paguar në total 45 milionë lekë”.

Rrëfimi i Palit ka vijuar më tej: “Nuk kisha dhe nuk kam frikë. Unë gjithë kohës nuk kam pasur frikë. Nuk kisha frikë sepse nuk kisha përse të pendohesha. I kam borxh popullit të Fushë Arrëzit dhe Tiranës sa të jem gjallë i kam borxh. Nja 250 vetë që më kanë ardhur për ngjarjen, më kanë mbështetur qoftë edhe financiarisht. Por djali im është në burg dhe më thonë që do ta vrasin”.

ImazheShqip

*   *   *

No comments:

Post a Comment

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!