Nga Andrea Stefani
Opozita e Partisë Demokratike, me zërin e
Lulzim Bashës, por nën nxitjen e Sali Berishës, ka rënë në pozita të vajtueshme
të një komedie donkishoteske, ndërsa rreket të ngrejë një “uragan popullor” për
të protestuar kundër Kryeministrit Edi Rama.
Ky i fundit paska “fyer shqiptarët”, sepse
paska ekspozuar portretin e diktatorit komunist Enver Hoxha në sfond të
ceremonisë zyrtare në ditën e Çlirimit. “Gjëma e madhe” i referohet shfaqjes së
një portreti prej letre të diktatorit në një qosh të turmës së pjesëmarrësve në
ceremoni dhe me shumë gjasa, i ngritur nga ndonjë nostalgjik i diktatorit apo
anëtar i Partisë Komuniste. Akuza për rehabilitimin e diktatorit jo vetëm se
bazohet në keqkomentim me dashje të fakteve, por njëherazi, është shprehje e
mungesës së kauzës reale prej nga PD–së i lind edhe nevoja e “rilindjes” së
kauzës së vjetër të “antikomunizmit” për ta përdorur kundër “rilindjes” së
PS-së.
- - -
Basha gënjen kur akuzon Ramën se po
rehabiliton diktatorin duke nxjerrë portretin e Enverit. Para
së gjithash janë vetë komunistët që kanë pranuar autorësinë e aktit. Së dyti,
në ceremoninë e përvjetorit të Çlirimit janë të lirë të marrin pjesë demokratë,
socialistë, komunistë, madje edhe ballistë po të dëshironin. Ajo ceremoni nuk
ishte e organizuar nga PS-ja dhe në krye të saj ishte edhe Presidenti i
Republikës. Ndaj po qe se ngritja e një portreti kartoni nga ndonjë komunist
përbën rehabilitim të Enverit atëherë dy Bja (Basha dhe Berisha), duhet të
fajësonin edhe Nishanin. Por nuk kemi të bëjmë fare me “rehabilitim”.
Komunistët e një partie, që nuk është shpallur jashtë ligjit, kanë ekspozuar
portretin e një politikani që ata e kanë idhull të tyre. Një dukuri e rëndomtë
që ndodh në çdo demokraci perëndimore me të gjithë të këqijtë e politikës nga
Hitleri, Duçja e deri te Pinoçeti. Rasti në fjalë tregon se sa pak e kuptojnë
Basha dhe Berisha frymën e demokracisë, e cila priret nga lejimi dhe konkurrimi
i ideve politike dhe jo nga ndalimi i tyre. Por rasti dëshmon edhe për një
hipokrizi të skajshme të këtyre politikanëve me mosha krejt të ndryshme, por me
një mendësi të njëjtë. Sepse pikërisht këta, që sot gjëmojnë për sakrilegjin e
ngritjes nga komunistët të një portreti të diktatorit, kanë qenë ata që bënë koalicion
me komunistët në vitin 2011 në garën për Bashkinë e Tiranës. Basha bën sikur e
harron se ndodhet sot në postin e kryebashkiakut vetëm pas realizimit, me anë
të një proceduralizmi antidemokratik, të një manipulimi me votat e hedhura
gabim dhe që gjithsesi, nuk do të kish
funksionuar pa ato një mijë e kusur vota që i dhanë komunistët. Është në
pushtet me votat e enveristëve, dhe çirret për rrezikun e imazhit prej letre të
Enverit! Hipokrizia është nga më grotesket. Përmendin edhe të përndjekurit e komunizmit
këta spekulantë politikë që i lanë të vetëdigjen në grevë urie!
- - -
Por cilat janë shkaqet që e detyrojnë Berishën
dhe Bashën të luajnë këtë estradë absurde me “antikomunizëm” kundër fantazmës
së diktatorit? Mbi të gjitha është mungesa e një kauze të vërtetë politike.
Berisha është rrëzuar nga pushteti me votë plebishitare si një autokrat shumë i
korruptuar. Kauza të tij nuk mund të jenë as demokracia, as liria dhe as
drejtësia. Pas mbi 23 vjet përpjekjesh të pareshtura për kapje të të gjithë pushteteve,
zgjatje pa fund të sundimit me manipulim zgjedhjesh, kapje të drejtësisë dhe
pasurimi korruptiv, askush, veç klaneve të pasuruara nga absolutizmi i tij, si
dhe një pjesë e elektoratit të droguar nga kulti i tij i tipit enverist, por i
rrudhur dukshëm tashmë, nuk i shkon më pas. Prandaj në gjakimin patologjik për
t’u ringjitur në pushtet rreket të rikthejë prapa rrotën e historisë në vitet
‘90, atëherë kur ngjitej në pushtet me kauzën e antikomunizmit, por për të
realizuar një neokomunizëm në formën e autokratizmit. Një orvatje kundër gjoja
hoxhizmit e trukuar me “goxhizëm”, por që është e destinuar të dështojë, sepse
tashmë shumica e shqiptarëve e ka mësuar që vetë berishizmi është enverizmi i
kohës sonë.
- - -
Një shkak tjetër që e nxit Berishën, prandaj
edhe Bashën, t’i rikthehet komunistçe e populistçe “antikomunizmit”, është
nevoja për të ashpërsuar me urgjencë konfliktin politik, tani që duket se
ndodhemi në vigjilje të një fushate antikorrupsion. Nga të gjitha anët, nga
BE-ja, SHBA-ja vijnë mesazhe për thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe
veçanërisht për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së qeveritarëve të
korruptuar. Mbi të gjitha kjo është një kërkesë e shumicës së shqiptarëve dhe
vota njëmilionëshe për rotacionin, është provë e kësaj aspirate. Por Berisha
dhe vetë eksponentë të qeverisë së tij, nuk mund të mos ndihen të kërcënuar nga
antikorrupsioni. Shkalla e lartë e korruptimit të Shqipërisë nën qeverisjen e
tyre (sikundër dëshmoi edhe klasifikimi i fundit i Transparency International),
i ka vënë ata në pozitë të vështirë. Prandaj duan ta antagonistizojnë situatën
politike, në mënyrë që ndëshkimin e korrupsionit të tyre ta shesin si
persekutim të opozitës politike, për shkak të gjoja konfliktit politik dhe
rikthimit të diktaturës enveriane. Në funksion të kësaj taktike të dëshpëruar
janë edhe klithmat për një gjueti të mundshme shtrigash në gjyqësor. I dalin në
mbrojtje një gjyqësori të perceptuar si fort i korruptuar nga publiku,
ish-qeveritarë si Lulzim Basha që i janë shmangur drejtësisë me anë të një
proceduralizmi antidemokratik të çuar në perfeksion nga gjyqtarë të kapur prej
tyre. E vërteta është se nuk shqetësohen se po dhunohet pavarësia e gjyqësorit,
por për krejt të kundërtën! Kanë frikë se mos marrë fund skllavërimi prej tyre i
pushtetit të drejtësisë. Mburoja e fundit e një korrupsioni, pa ndëshkimin e të
cilit nuk do të ketë as integrim, as përparim dhe as liri e demokraci në
Shqipëri.
* * *
No comments:
Post a Comment
Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!