"

December 7, 2013

Enver Hoxha;

Jargët tuaja 
nuk mund ta arrijnë!

Nga Gjon Bruçi

Prej një jave çapaçulët e “demokracisë shqiptare” kanë përvjelur buzët dhe lëshojnë jargë kundër shqiptarit të madh Enver Hoxha. Më saktë kundër fotografisë së tij që komunistët afishuan si çdo 29 Nëntor tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në televizion, në shtyp e gjer tek tribuna e parlamentit, ngrihen çapaçulët dhe duke u dridhur e me zëra histerikë çirren se kryeministri Edi Rama na paska ofenduar popullin me inskenimin e Portretit të Enver Hoxhës në një ceremoni zyrtare. 

<img src="enver hoxha.gif" alt="enver hoxha" />

E dinë shumë mirë se afishimi i fotografisë së Enver Hoxhës nuk është vepër e Edi Ramës dhe as e protokollit zyrtar, por veprim i zakonshëm i PKSH, e cila, 29 nëntorin ka datën e saj më të shënuar, datën që shënon Epokën e Madhe të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit Shqiptar. Këtë Epokë Lavdiplote e ideoi, e organizoi dhe e realizoi me fitore të plotë pikërisht Partia Komuniste Shqiptare dhe udhëheqësi i saj Enver Hoxha. Komunistët e sotëm të PKSH nuk bëjnë gjë tjetër veçse në këtë datë të shënuar shkojnë e nderojnë të rënët, Dëshmorët e Kombit, ish partizanët trima që vunë jetën e tyre në Altarin e Lirisë së Atdheut. E në këtë nderim ata nuk mund të shkojnë pa Komandantin e partizanëve, Enver Hoxhën, sepse të rënët nuk do t’i pranonin. Ish pushtetarët e djeshëm, që kanë livadhisur e po livadhisin mbi kurrizin e popullit prej me shumë se dy dekadash, të ndihmuar nga shpura e fandaksur e gazetarëve, analistëve, e opinionistëve shqip shqip, të tipit Fevziu, Balliu, Ngjela, etj., alarmohen, shqetësohen e zemërohen për fotografinë e Enver Hoxhës tek varret e Dëshmorëve të Kombit, dhe si një kor bretkosash zhapullijnë që nga kanali i ndotur ku gjenden falë veprës së tyre të ashtuquajtur demokratike. Këta politikanë dhe klounët e firaunët që i mbështesin nuk merakosen për të rënët e Kombit. Ata asnjëherë në këta 23 vjet nuk kanë ardhur t’i nderojnë ata në këtë datë të shënuar të veprës së tyre të madhe. Madje janë përpjekur dhe përpiqen çdo ditë që datën e lavdishme të 29 Nëntorit 1944 ta fshijnë nga kalendari. Pse?

Ish borgjezët e djeshëm, bajraktarët, bejlerët, agallarët dhe pinjollët e tyre të sotëm kërkojnë ta zhdukin 29 Nëntorin, sepse kjo datë historike u kujton turpin e madh të bashkëpunimit me okupatorin. Nga ky bashkëpunim ata me meritë morën epitetin “Kolaboracionist”, që ne shqiptarët e përkthejmë tradhëtar. Dhe këta të mjerë kanë të drejtë të çirren e të vajtojnë, sepse ky turp nuk mund të shlyhet as në varr, të cilin, siç thoshte Noli i madh e kanë të përbashkët me okupatorin që i shërbyen. Kapitulli i tyre u mbyll që me 29 Nëntor 1944 dhe tani le të vajtojnë të shkuarën e tyre të zezë, veprën e tyre të ndyrë, fatin e tyre të mjerë. Por problemin e kemi me këta të tjerët që nuk kanë asnjë lidhje me “Kolaboracionistët” e luftës. Përkundrazi janë nga ish radhët tona, nga ish shtresa jonë, shtresa e popullit. Them ish, sepse falë fuqisë së pushtetit që u ra në dorë si “torta e vitit të ri”, e kanë braktisur tashmë popullin dhe megjithëse përbetohen për të, sidomos kur i kërkojnë votën, janë kilometra të tërë larg tij. Pikërisht për këta e vura edhe vargun e Mjedës “O pjellë e keqe, o dhunë, o kore” – që Rilindasi i madh ka tek poezia “Mustafa Pasha në Babubunë”. Ç’kanë këta me 29 Nëntorin? Ç’kanë këta me Enver Hoxhën? Pse i tromaks kaq shumë fotografia e Tij? Këta çapaçulë të “demokracisë borgjeze” allashqiptare, bërtasin, çirren e këlthasin si histerikë sepse Portreti i Enver Hoxhës u kujton kohën kur shteti shqiptar ishte shtet, kur ligjet ishin ligje dhe ku hajduti, vrasësi, krimineli nuk gjente vrimë ku të futej nga drejtësia dhe nga gjykimi i popullit. Këta e dinë fort mirë se po të kthehet shteti socialist i kohës së Enver Hoxhës, do t’i nxirrnin për hundësh gjithë poshtërsitë që kanë bërë në këto 23 vjet të ashtuquajtur demokraci.

Ardhja e socialistëve në pushtet më 23 qershor dhe kërkesat e vazhdueshme të popullit për ndëshkimin e krimeve monstruoze të pushtetarëve të para 23 qershorit, u ka futur drithmën. Sepse CV-ja e tyre demokratike është e mbushur me krime nga më monstruozet, që çdo shtet, qoftë dhe me dy gram demokraci do t’i çonte përjetësisht prapa hekurave të burgut. Nuk jemi të sigurtë se kjo e fundit do të ndodhë. Kjo për faktin se si demokratët blu dhe socialistët rozë janë dy rrëfanga të të njëjtës pemë, asaj të borgjezisë me të njëjtën ngjyrë, ngjyrën e korbit. Dhe korbi – korbit nuk ia nxjerr sytë. Por një gjë e dimë fort mirë ne komunistët: Populli tashmë është zgjuar dhe e ka njohur me dhëmbë e dhëmballë “demokracinë” që sollën demokratikasit e vetëshpallur të vënë në shërbim të borgjezisë vendase e asaj ndërkombëtare dhe që shkatërruan shtetin e vërtetë të shqiptarëve, duke e lënë atë prej më shumë se dy dekadash në një kaos të vërtetë shoqëror ku lulëzojnë të gjitha ferrat, por asnjë pemë e vërtetë demokratike. A nuk e tha ish kryeministri Majko këto ditë se elita politike e borgjezisë shqiptare dështoi në ngritjen e shtetit?! Dhe dështimi nuk ka ardhë nga padija e nga pamundësia, por nga makutëria dhe tradhëtia. Çapaçulët në fjalë, në pamundësi të maten me veprën e Enver Hoxhës, mundohen të pështyjnë mbi fotografinë e tij. Por pështyma e tyre nuk mund të arrijë lartësitë e atij portreti, lartësi që ia kanë siguruar veprat e pavdekshme në shërbim të kombit. Enver Hoxha në gjysëm shekulli qeverisje transformoi një Shqipëri të tërë duke e kaluar nga mesjeta e errët ku ndodhej, në kohët moderne të shekullit njëzet. Në gjysmën e kësaj kohe, me 23 vjet “demokrazi” ju çapaçulë e shërbëtorë të të huajve e kthyet vendin përsëri në mesjetë, saqë po të ringjallej Pashko Vasa, do të ribotonte me nota të reja poemën e famshme shqip “O moj Shqypni e mjera Shqypni”.

Në pamundësi për t’u matur me Enver Hoxhën dhe veprën e tij, ju nuk lini epitet pa përdorur e shpifje pa fabrikuar për ta diskretituar atë në memorien e popullit dhe të historisë. Por populli dhe historia nuk janë si manjetofoni, i cili regjistron e ç’rregjistron sipas avazit të këngës, apo të valles. Populli dhe historia regjistrojnë veprat dhe vlerat. Dhe veprat e vlerat janë në jetën e veprimtarinë e Enver Hoxhës dhe kurrsesi në “Curriculum Vitaen” tuaj kënetore. Curriculumi juaj është i mbushur me krime e skandale të panumërta. Në të gjenden krimi i zhvatjes së pasurisë kombëtare; katrahura e mënxyra e ‘97 –tës; bomba “atomike” e Gërdecit; vrasjet monstruoze të 21 janarit; falja e detit shovinistëve grekë; korrupsioni galopant i rrugës së “Kombit”, të “Arbërit” dhe të 10 mijë e pesëqind kilometrave rrugë fantazmë që kanë gëlltitur djersën e shqiptarëve për të fryrë xhepat tuaj dhe të atyre që u shërbeni, e dhjetra e dhjetra skandale e krime, që po të rreshtoheshin kronologjikisht do të na duheshin çarçafë të tërë me gazeta. Mbi të gjithë në curriculumin tuaj qëndron shprishja që i bëtë e po i bëni shoqërisë shqiptare, ndër më të pastrat e më solidet në rajon e më gjerë, duke i injektuar të gjitha sëmundjet e shoqërisë së konsumit të sistemit kapitalist, çka ka vënë në pikëpyetje e në udhëkryq dinjitetin dhe identitetin e saj, të dallueshëm midis kombeve të tjerë. Dhe me gjithë këtë barrë turpi 23 vjeçare mbi shpinë, ju keni ende gojë e përflisni Shqiptarin e madh Enver Hoxha? Goja, mendja dhe vepra juaj e çoroditur nuk janë veçse gojë, mendje e vepër antidemokratike, antishqiptare e antikombëtare.

Përmenda në krye dy-tre mbiemra të njohur të medias e politikës, si personifikim i gjithë kësaj kaste që e ka vënë shpirtin në shërbim të së keqes, të gënjeshtrës, të shpifjes dhe asnjëherë në shërbim të së vërtetës. I përmenda ata të tre, sepse ishin ndër arixhofkat më të fundmit e më të zellshmit që na u shfaqën në ekran për problemin e 29 Nëntorit dhe fotografisë së Enver Hoxhës. Dy prej tyre, që hiqen si “biografët më të saktë” të Enver Hoxhës, një natë që dolën në “Opinionin” e famshëm të Ziut, i mbanin ison njëri-tjetrit me shpifjet delirante e bajate që kanë botuar në librat e tyre të “famshëm” e që nuk harruan të na i villnin edhe aty në emision. Jo për Ziun, apo Fevziun si gazetar mediokër, por për Ngjelën që mendohet se ka një “barrë” shkollë e mend, dua të sjell në këtë shkrim disa konsiderata për Enver Hoxhën. Jo konsiderata komunistësh, sepse ato duken të njëanshme në sytë e Ngjelës, por konsiderata borgjezësh perëndimorë, që nuk kanë patur e nuk kanë asnjë lidhje me Komunizmin, madje kanë qenë e janë kundërshtar te tij e të Enver Hoxhës: Ja konsideratat: Presidenti francez De Gol: “Askush më tepër se Enver Hoxha nuk e meriton thënien: Lavdia shkon tek ai që nuk e kërkon atë”. Autori i librit “Fitore e hidhur”, Reginald Hibbert: “….instiktet e tij politike ishin nga më të mëdhatë dhe ai tashmë ishte një mjeshtër i përsosur i politikës në prag të katastrofës”.

Shkrimtari Pablo Neruda: “Nga afër Enver Hoxhën e njoha në Moskë, kur ai vendosi në bangon e akuzës renegatin Nikita Hrushov si agjent në shërbim të imperializmit… Kur fliste Enver Hoxa, më ngjante me lartësinë e Himalajës”. Profesori i Universitetit të Tuluzës, Francë, Alen Dyselje: “Vdekjen e Enver Hoxhës do ta ndjejë jo vetëm populli shqiptar, por mbarë njerëzimi”. Piter Prift: “…Ai mund të pikturohej farë mirë duke mbajtur në njërën dorë shpatën e diktaturës së proletariatit dhe në tjetrën llambën e arsimit perëndimor”. Agjensia austriake e lajmeve, duke iu referuar fjalëve të Kancelarit të Republikës së Austrisë, shkruante në prill 1985: “Shqipëria humbi një personalitet që ka hyrë në historinë e Europës”. Dhe shtonte: “Enver Hoxha qe figura më e madhe e historisë së Shqipërisë… Emri i tij është i lidhur me të gjitha betejat e fitoret e popullit shqiptar”. Agjensia e lajmeve “Rojter”: “Nën udhëheqjen e Enver Hoxhës shqiptarët krijuan një shtet sovran, të lirë nga dominimi i huaj, gjë kjo e pashembullt në historinë e tyre… Nën udhëheqjen e tij Shqipëria arriti pavarësinë në fushën ekonomike dhe nivel bazë të mirëqenies materiale… Në fjalimet e tij plot ngjyra, ai ka paralajmëruar Moskën dhe Uashingtonin që të mos mendojnë se Shqipëria është një “kafshatë që gëlltitet lehtë”. Kjo arriti kulmin me fjalimin në Moskë (1960) para 81 partive komuniste, ku kundërshtoi që Shqipëria të bëhej koloni”. Dhe konsiderata më e madhe mbetet ajo e shqiptarëve të vërtetë, brenda e jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë së sotme, të cilët kur ishte gjallë e në drejtim të Luftës ANÇ dhe të ndërtimit socialist e quajtën Komandanti, Burri i dheut, Bacë Enveri e Shqiptari i Madh; epitete që vijojnë e do të vijojnë t’i përcjellin ndër breza. Do ta mbyll këtë shkrim me thënien e shokut tim të idealeve, shkrimtarit e poetit komunist, Kryetarit të nderuar të PKSH Hysni Milloshi: “Enver Hoxha shqiptar, është gurë prove për shqiptarët. Kush i largohet emrit dhe veprës së këtij shqiptari të madh, ai i largohet emrit dhe lavdisë së tij si shqip tar”!
imazheshqip

*   *   * 

2 comments:

  1. sa ishte gjalle ky ustai, sala bente shurren ferrave nga frika ...

    ReplyDelete
  2. Diktator, por me pozitiv se sa shpellari Sali Berishoviq.

    ReplyDelete

Eng - - - Comments that are offensive, discriminatory against race, nationality, gender, religion and/or expressed in any other unlawful grounds are strictly prohibited! Thank you!
Alb - - - Ndalohen komentet me fjalë fyese, si dhe komentet që nxitin diskriminimin e përhapjen e urrejtjes mbi baza nacionale, racore, fetare dhe mbi çfarëdo baze tjetër antiligjore. Ju faleminderit!