Kompania ajrore “Belle Air” do të kalojë në një hetim intensiv nga ana e qeverisë shqiptare, për evazion fiskal dhe mashtrim të qytetarëve. Komisioni i Ekonomisë dhe Financave zhvilloi një seancë dëgjimore me ministrat e Financave, të Transporteve dhe Ekonomisë, të cilët kërkuan hetim rigoroz të aktivitetit të kompanisë “Belle Air”.
Shkëlqim Cani, Arben Ahmetaj dhe Edmond
Haxhinasto, të thirrur sot për të raportuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë,
deklaruan se do të jetë hetimi shtetëror ai që do të zbardhë se ku shkuan
paratë e kompanisë.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se
kjo kompani kishte 5 vite që nuk paguante taksa. Sipas Canit, “Belle Air”
kishte 6 milionë euro taksa për të paguar, për të cilat qeveria, për të mos
ndëshkuar pasagjerët, i kishte dhënë mundësinë kompanisë të paguante me këste
shumën. Ndërkohë ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u shpreh se kompania
“Belle Air” siguronte 3.5 milionë euro fitim në vit. Kompania, sipas Ahmetajt,
gjatë falimentimit shiti në avancë 52 mijë bileta. Kjo kompani, sipas Ahmetajt
do të japë llogari përmes hetimit të edtajuar. Ai foli edhe për rishikim të
ligjit të falimentit. Ministri Ahmetaj theksoi se deri në momentin e falimentit
kompania kishte 53 % të tregut ajror. Kompanisë, vuri në dukje Ahmetaj, i ishte
kërkuar që të mos priste bileta, por ajo ka vazhduar.
Nga ana tjetër, ministri i Transporteve,
Edmond Haxhinasto, deklaroi se kompania “Belle Air” kishte pozita monopol, por
nuk respektonte asnjë kusht. Për ministrin Haxhinasto, kompania nuk përfillte
ankesat e pasagjerëve dhe slotet e fluturimeve.
Ministri i Transporteve tha në komisionin e
Ekonomisë në Kuvend se qeveria kishte interes që të mos bllokonte kompaninë
pasi kishte prerë 52 mijë bileta, ndërsa punësonte qindra njerëz. Sipas tij,
kjo kompani nuk ka respektuar dhe nuk ka paguar asnjë detyrim aeroportual.
“Belle Air nuk mund të autorizojë kompani të tjera të operojnë në tregun
shqiptar, pasi kjo është kompetencë e Autoritetit të Aviacionit Civil”, tha
Haxhinasto.
Ai informoi se po monitorohet me vëmendje nga
ana e autoriteteve qeveritare rimbursimi i qytetarëve.
Por, ish ministri i Financave, Ridvan Bode,
tha se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për rimbursimin e qytetarëve.
Kompania Belle Air njoftoi me 25 nentor se,
“të ndodhur përballë një situate tejet të vështirë e kemi të pamundur për të
vazhduar fluturimet. Arsyet që na çuan në këtë pezullim janë situata e
përgjithshme ekonomike, rënia e fuqisë blerëse, reçesioni në tregjet kryesore
ku operojmë, si edhe bllokimi prej më se 18 ditësh i të gjitha llogarive
bankare të kompanisë Belle Air”. Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe kompania
Belle Air do të rinisë një proces ristrukturimi për t’u rikthyer së shpejti me
shërbime dhe çmime më të lira në tregun shqiptar. Në këtë proçes Kompania Belle
Air fton të gjithë investitorët shqiptarë e të huaj të marrin pjesë për
ripërtëritjen e kësaj historie suksesi të biznesit shqiptar. Përfaqësues të
Belle Air thanë se “me ndihmën e kompanisë ajrore italiane Blue Panorama, u
ofrojmë mundësinë e mbrojtjes nëpërmjet blerjes së biletës me një çmim tarife
mbrojtje të të gjithë pasagjerëve me bileta Belle Air, duke filluar nga
25.11.2013 nën markën Low Cost Blu Express të kompanisë Blue Panorama Airlines
nga Tirana drejt Italisë dhe anasjelltas, ofertë që varet nga sasia e vendeve
të mbetura në shitje dhe destinacioni i përzgjedhur.
* * *
Na ishte nje here Lul Basha
ReplyDelete